Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Yjet e zemrës së Sabit Rrustemit
E marte, 02.05.2023, 06:52 PM
YJET E ZEMRËS SË SABIT RRUSTEMIT
Nga
Timo Mërkuri
Libri i Sabit
Rrustemit “Ndezje yjesh në zemër” është një përmbledhje poezish të zgjedhura të
dashurisë, të cilat janë shkruar prej
tij në një hark kohor prej 25 vjetësh dhe janë botuar nëpër libra të ndryshëm
poetikë, pos një pjese të tyre që u botuan së pari te kjo përzgjedhje.
Sabit Rrustemi njihet
si poeti i dashurisë, ngase në krijimtarinë e tij kjo është tema e
njëmië e sa poezive, madje në gjithë
korpusin e tij poetik, poezitë e dashurisë janë si kolonat kryesore mbajtëse të
ndërtesës poetike.
I-E veçanta në këtë
përmbledhje është se poezitë e përfshira janë zgjedhur me kujdes dhe sqimë,
duke pranuar ato më të arirat artistikisht, freskia poetike e të cilave u ka
rezistuar viteve, duke e bërë këtë një libër që të shkakton një stuhi
emocionesh poezitive në shpirt. Befasi më vete përbën renditja e poezive nëpër
cikle të veçantë, jo sipas viteve të krijimit apo të botimit të tyre, por sipas
afërisë që ato kanë me idenë e ciklit poetik duke dhënë qartë një libër unik
poetik. Në këtë mënyrë libri të duket sikur nuk është një përmbledhje
disavjeçare, por ka aromën e freskët të një krijimi të njëkohshëm, madje
“harron” se disa poezi i ke lexuar nëpër libra të mëparshëm.
Poezitë e
përmbledhura në këtë libër janë të krijuara mbi një strukturë të dukshme
artistike, që nuk ka lejuar vend për
zbrazëtira apo për metafora të padobishme.
Poezitë e dashurisë
të Sabit Rrustemi kanë një bukuri ndjenjash
sa që ato lehtësisht mund të mësohen
përmëndësh dhe të jenë pjesë e citimeve të djemve në bashkëbisedim me vajzat,
jo vetëm kur u propozojnë por në çdo rast kur janë me apo pranë tyre, për t’u
ngrohur shpirtin me mënyrën e vlerësimit të hijeshisë së tyre. Madje edhe
burrat duhet t’u lexojnë grave të tyre të tilla poezi që t’u dëshmojnë se ata i
shohin ato gjithmonë të reja e të bukura.
Te poezia e Rrustemit
dhe fjala e zakonshme zbukurohet e selitet kur i drejtohet vajzës së dashur,
ndryshon ngjyrë e germat ndrijnë si yje,madje dhe tingulli ëmbëlson
melodicitetin kur i flet asaj. Shumë vargje të poezive të tij mund të përdoren
lehtësisht si sentencë dashurie, që do të lumturonin dy vetë në çdo rast. Të
lexosh vargje të tilla : "Si lulja në vazo, ngrohet prej shikimeve të
mia, e flladitet prej ofshamave të veta", "Nën çerpikë
portretin e saj ëndërr e ruaj, udhën kah ajo të mos e harroj" (Dritarja që shihet e s’hapet fq 37) s’ke si
të mos mrekullohesh e të mos i rikthehesh leximit. Kur lexon poezi të tilla si:
“Si ta mbjell/Si ta krijoj/Kopshtin në shuplakë/E të të grish/Mes buzësh të
të rris/Me puthje të të ujis/Moj belkëputur/Lule/E flutur/Mollë e ndaluar
moj/Lidhmë shtrëngomë/M’u në zemër qëllomë” (Kënaqsia e pashijuar f. 42)
dëshiron që ta kompozosh e të këndosh si serenatë me kitarë poshtë dritareve të
vajzës që të prish gjumin e ta lësh dhe atë pa fjetur.
II-Le të shohim
konkretisht disa prej poezive të librit të tij dhe konkretisht: -Poezia "Prushi
i buzëqeshjes"(f.33) është një poezi dashurie që shënon bukurinë dhe
fuqinë e buzëqeshjes së një gruaje. Poeti përdor imazhe dhe metafora të gjalla
për të shprehur emocionet e tij dhe për të krijuar një atmosferë të ndjeshme
dhe romantike.
Poezia fillon me një
ftesë për të lejuar të lirë trupin dhe për të lejuar veten të kapet nga bukuria
e buzëqeshjes: "Lermë të zbres / Trupit tënd të shkriftë / Me një mal
puthjesh". Vështirësia e poetit ndaj buzëqeshjes është shprehur përmes
frazës "me një mal puthjesh", ku ai përpiqet të përcjellë
ndjenjën e tij të marrjes frymë nga kjo buzëqeshje.
Poeti vazhdon të
shprehë dëshirën për të harruar aspektet e zakonshme të jetës dhe për të zhytur
veten në bukurinë e buzëqeshjes. Ai përdor metaforën e një gjembi zogu për të
përfaqësuar dhimbjen e dashurisë së palëkundshme: "Nën shelgun e kroit
t’zogut / Që pikon e djeg / Me dhembjen e dashurisë". Megjithatë,
pavarësisht kësaj dhimbjeje, ai ende është i tërhequr nga buzëqeshja dhe
dëshiron të ngjitet "Me një mal miklimesh" për të qenë më afër
saj. Në strofën finale, poeti reflekton mbi fuqinë transformuese të
buzëqeshjes, e cila mund ta transportojë atë në një botë tjetër ku ai mund të
rikthehet me të dashurën e tij. Përsëritja e fjalës "dashurisht"
në fund të poezisë nënvizon pasionin dhe devocionin intensiv të poetit.
Përdorimi i mjeteve
artistike të poetit te "Zemër e virgjër" (f.39) shtë një art
“më vete” qoftë për larminë e tyre, qoftë dhe për mënyrën estetike të vendosjes
në vargje. Kështu poeti përdor:
- imazhe vizuale për
të përshkruar ndjenjat e tij për personin e dashur, për shembull, "dlirësia
ime e bardhë" dhe "ëndrra ime e virgjër" paraqesin
dritën dhe pastërtinë që ai ndjen ndaj personit të tij të dashur.
- metaforën për të
përshkruar ndjenjat e tij, psh. "tapia e zemrës" paraqet ndjenjën
e plotësimit dhe qetësisë që ai ndjen kur është me vajzën e dashur.
- simbolikën si,
"paqja e shpirtit tim", për të përshkruar ndjenjat e tij ndaj
personit të dashur.
Në të njëjtën kuotë
të epërme janë mjetet artistike që autori përdor te poezia “Këtë fat ma fali
jeta”(f.41):
Metafora: me të cilën
autori përshkruan ndjenjat e tij ndaj
jetës, ku ai thotë se "Këtë fat ma fali Jeta/Të të ndjej/E të të
ringjall", duke e metaforizuar dashurinë me një forcë që e ringjall trupin
dhe shpirtin. Po ai nuk ndalet, vazhdon me metafora të tjera, siç janë "rrënjët
e shpirtit" dhe "puls zemre", për të përshkruar
ndjenjat e ndryshme që i shkakton jetëgjatësia.
Personifikimi i
trupit duke e përshkruar si një gjelbrim që është i ndjeshëm ndaj impulsit të
shpirtit dhe më pas, ai e personifikon atë si një lule që kërkon të mbijetojë
dhe të marrë frymë nëpërmjet ajrit dhe erës.
Në këtë poezi autori
përdor krahasime për të përshkruar ndjenjat e tij ndaj jetës dhe jetëgjatësisë.
Ai krahason jetën me një pjesë të trupit që nuk mund të preket, dhe më pas e
krahason atë me një lule që kërkon të mbijetojë nëpërmjet erës dhe ajrit.
Krahasimi i autorit në këtë poezi shërben si një mjet për të shpjeguar përvojën
e tij personale ndaj jetës dhe jetëgjatësisë.
-Te poezia "Nga
sytë e tu të etur" (f.45) ka një stil romantik dhe poeti përdor disa
mjetet artistike të tilla si metafora, personifikim dhe simbolizëm për t’i
shprehur ndjenjat .
Përdor metaforën e
"syve të etur" për të përshkruar dëshirën e tij për vajzën që
dashuron. Autori përdor edhe metaforën e "portretit tënd" dhe
"hijes që pushtoi sytë e mi" për të përshkruar imazhin e
personit të dashur. Personifikimi i kohës e orës që "harruan"
dhe "humbën" kohën, tregon se autori është përqë-ndruar vetëm
tek vajza që ai dashurone cila nëpërmjet personifikimit shfaqet si një person
rela i gjallë (jo një ëndërr) që e ndjek atë kudo që shkon.
Simbolizmi i "mollës
së egër" dhe "mëngjesit" në fund të poezisë, tregon
se autori është i gatshëm të jetojë dhe të përjetojë dëshirën e tij për vajzën
edhe nëse kjo do të jetë një eksperiencë e vështirë.
Pra, mjetet artistike
që përdor poeti ndihmojnë në përshkrimin e ndjenjave të thella të dashurisë së
tij ndaj personit që dashuron, ndihmojnë në “ndërtimin” shpirtëror të poezisë
dhe nuk janë thjeshtë zbukurime estetike poetike. Janë vlera artistike të
njohura dhe kjo ndihmon lexuesin në përjetësimin shpirtëror të poezisë dhe jo
për ta “soditur” atë si diçka të bukur, diku larg.
- Le ta shohim poetin
në një tjetër situatë, në ditën e Shën Valentinit te poezia “Në ditën e
shenjtë të dashurisë”(f.105) ku në një poezi të shkurtër, por të ndjeshme,
autori shpreh ndjenjat e tij ndaj personit të dashur në një moment të veçantë,
siç është dita e Shën Valentinit.Në këtë poezi, poeti nuk ka kurajon të
duartrokas kur të tjerët puthen, por nuk do të harrojë kurrë personin e tij të
dashur. Për autorin, shenjtëria nuk vjen nga unaza ose letrat, por vjen nga
puthjet nëpër lumenj me luleborë.
Mjetet artistike që
përdoren në këtë poezi janë të thjeshta, të kuptueshme por të ndjeshme. Autori
përdor metaforën e shenjtorit për t'iu referuar ndjenjave të çiftit që puthen
në ditën e të dashuruarve. Përdorimi i shprehjes "duartrokas"
në fillim të poezisë shpreh frikën dhe mosbesimin që autori ndjen ndaj
tregimeve të puthjeve që shohin të tjerët. Në pjesën tjetër të poezisë, ai
përdor imazhe poetike të natyrës, si lumenjtë me luleborë, për të përshkruar
mënyrën e shenjtërimit të dashurisë.
-Shpesh herë poezia e
Sabit Rrustemi çfaqet tepër konçize, si një mendim i beftë, por që qëndron
brenda në zemër “Mos pyet kurrë ku jam/Vetëm vëje dorën në anën e majtë/Të
gjoksit tënd/Aty pulsoj deri sa t’marrësh frymë” (f.111).
Ky nivel artistik i
epërrm gjendet te të gjitha poezitë e kësaj përmble-dhjeje, pavarësisht kohës
kur është shkruar dhe dëshmon se poeti Sabit Rrustemi krijon poezi vetëm në
çaste frymësimi, gjë që shpirtëron në ‘to dhe ruan freskinë e krijimit të
momentit. Kështu shpjegohet që edhe te poezitë e fundit të përmbledhjes, kemi
gjithashtu panoramën artistike të “lulimit” pranveror të poezisë:
-Poezia "Me
frymën time"(f.223) është një poezi e shkurtër, por e ndjeshme, ku
autori përdor imazhe natyrale si Çepurin, lëkurën prej dheu dhe gjethe të
vjeshtës për të shprehur praninë e një personi të dashur brenda tij, duke thënë
se personi i dashur është "diku brenda tij me frymën time të ngrohtë".
Mjeti artistik kryesor që përdoret në këtë poezi është personifikimi, ku fryma
personifikohet dhe perceptohet si një entitet i gjallë që jeton brenda tij.
-Në poezinë "Mos
u trazo prej hapave të mi"( f.224), autori shpreh dëshirën e tij për
një person të dashur. Poezia është e ndërthurur me imazhe të natyrës dhe
metafora që simbolizojnë ndjenjat e autorit. Përmes imazheve të pranverës dhe
luleve të posaçme, autori shpreh ndjenjën e rilindjes dhe shpresës së tij për
një marrëdhënie të re. Mjeti artistik kryesor që përdoret në këtë poezi është
metafora , ku lulet simbolizojnë ndjenjat e shpirtit dhe shpresat për të
ardhmen.
-Poezia "Ku
mbeti vogëlsia jonë"(f.222) kritikon shoqërinë moderne dhe ndikimin e
saj në njeriun dhe shpreh dëshirën për t’u kthyer në vogëlsi dhe të ruajë
humanitetin e njeriut. Imazhet e majave që "ngrënë sytë" dhe
"thyjnë qafat" janë metafora për forcën e teknologjisë dhe
shoqërisë së ndërlikuar që po na bënë të humbasim lidhjen me vetveten dhe me
njerëzit që na rrethojnë. Mjeti artistik kryesor që përdoret në këtë poezi
është metafora, ku majat dhe vogëlsia simbolizojnë shoqërinë e ndërlikuar dhe
humanitetin e humbur.
III-Përmbledhjen
poetike “Ndezje yjesh në zemër” me poezitë e
dashurisë të Sabit Rrustemit e ka realizuar Anton Nikë Berisha, i cili e ka
shoqëruar me një studim të hollësishëm të poezisë së dashurisë të këtij poeti,
duke cilësuar shumë vlera tipike të saj dhe të stilit poetik të autorit,
ndaj nga droja se mund të përsërisnim
thëniet e tij e ngushtuam këndvështrimin tonë në disa pak “hijë” të mbetura
jashtë studimit të tij.
Poeti Sabit Rrustemi
në poezinë e tij të dashurisë përdor mjetet artistike të shumëllojshme për të
shprehur ndjenjat dhe emocionet e tij, por ajo që duhet vlerësuar është fakti
se këto emocione janë të gjalla, të ngrohta sikur të jenë regëtima shpirti dhe
jo rreshta të shkruara mbi letër. Po ashtu edhe figurat artistike që ai përdor
nuk janë “yje të largët që reflektohen mbi det”, ato janë gjethe dhe
degë të pemës poetike, gjë që na dëshmon se Sabit Rrustemi ka përvetësuar të
folurin metaforik në poezi.
Gjuha: Poeti përdor
gjuhën e thjeshtë dhe të kuptueshme, duke i bërë poezitë të përshtatshme për
lexuesit e ndryshëm, shmangë përdorimin
e fjalëve të huaja, qoftë dhe ato që kanë hyrë në përdorimin ndërkombëtar, duke
dëshmuar kështu pasurinë e gjuhës sonë për të cilësuar e shprehur çdo element
të dashurisë dhe kohës së saj. Kjo ka ndihmuar që edhe figuracioni që përdor të
jetë i shprehur qartë, thjeshtë dhe i kuptueshëm. Fjalët që përdor poeti kanë
jehonën e epeve brenda vargjeve që do të thotë se dhe dashuria e tij është si e
Halilit, ja vlen çdo sakrificë dhe është i gatshëm për çdo trimëri. “Si Lule Borë vjen /Buzë lumit e shpatit /Faqeve të mia stinën e re shprush“(f.20).
Vargu: Poeti përdor
vargun në mënyrë të përshtatshme për të shprehur ndjenjat e tij, por anon nga
vargu i lirë. Ai përdor vargje të shkurtra dhe të gjata, dhe ndryshon ritmin
dhe zanafillën e tyre për të bërë poezitë më tërheqëse për lexuesit. Një
karakteristikë e poetit Sabit Rrustemi është se disa herë në mes të dy strofave
poetike përdor një ose dy vargje lidhëse që të krijojnë idenë e një ure ku
kalojnë vargjet, ose duart e lidhura të dy personave që ecin bashkë të zënë për
dore. Këto vargje mbartin gjithmonë një ngarkesë të madhe emocionale dhe të
shtojnë përqëndrimin në lexim. Psh te poezia “Si atë mbrëmje”(f.210) pas
strofës: “Unë përsëri/Do të puth/Si atë mbrëmje” vjen dyvargëshi
befasues :”Jo ty/Po dashurinë time”për të vazhduar me strofën : “Borxh
ta kam/Secilën ofshamë/Që nxjerr në mungesë time”.
Sipas stilit të
Rrustemit, disa nga poezitë janë në variantet e dyta gjë që tregon se poeti i
punon e ripunon poezinë për përsosjen estetike dhe artistike të saj, por kjo na
e shtyn mendimin më tejë, te fakti që në poezitë e Sabit Rrustemi hapësira e
dashurisë është universale dhe nuk mbulohet dot me një poezi, madje edhe një
aspekt, pamje apo imazh i saj nuk mbulohet dot me një poezi ashtu si një yll
nuk e ndriçon dot me dritën e tij gjithë hapësirëm qiellore, ndaj dhe poeti e
sheh dhe e ndjen që hapësira e dashurisë nuk është mbuluar e tëra me poezinë e
momentit, ndaj i punon në disa variante,
si psh. poezia me një ritëm të shpejtë “Bora i shkrihet në faqe” (f.47),
ku variant i dyte i saj eshte pa ndarje ne strofa, gjë që flet për një
“eksperiment poetik” të autorit.
Tipar i veçantë i
poetit Sabit Rrustemi është vendongjarja e dashurisë: dashu-ria ndonëse një akt universal, ndodh në vendlindjen e tij në Çepur,
thua se në këtë botë nuk ka tjetër vend ku mund t’i “mbijë” dashuria. “Çepurit përditë ngarend/Nëpër zemrën e secilës lule/Me emrin tënd” (f.57). Në fakt ky tipar është një dëshmi e
atdhedashurisë së tij, pasi Çepuri nuk është vetëm ai mali që njohim, por është
gjithë atdheu i tij, pa e cilësuar në se është shtrirë mali i Çepurit në gjithë
Kosovën apo është mbledhur Kosova te mali i Çepurit.
Ka edhe një tipar
tjetër poezia e dashurisë e Sabit Rrustemit, ndryshe nga disa poetë të tjerë shqiptarë që kanë shkruar
poezi dashurie edhe për vajza të huaja, e natyrshme kjo për botën e dashurisë,
e cila nuk njeh kufij shtetesh e dallime kombesh, dashuria e poetit tonë i
kushtohet vetëm vajzës kosovare, thua se nuk do të ketë fatin e Halilit që
eposi e “lejoi” të dashurohet me Tanushën, por nuk e “trashëgoi” me fëmijë.
Megjithatë duhet të
theksojmë se portreti”fizik” i vajzës së dashuruar nuk ka asnjë cilësues
identiteti në poezi si psh ngjyra e flokut, e syve apo ndonjë tipar personal.
Portreti i saj është një mjegull femërore që shket, vjen e shkon dhe kjo na
tregon se poeti, ndonëse mund t'ja
kushtojë poezinë një vajze konkrete ai dhe portretin e saj e ve në funksion të
dashurisë universale. Pra primare është dashuria dhe jo e dashura, prej nga
tërheqim mendimin se Sabit Rrustemi i këndon dashurisë dhe jo (thjeshtë) të
dashurës, çka më kujton vargun e Poradecit: “Nuk dashuroj as unë as ti/Por
dashuronte dashuria” me gjithë madhë-shtinë e tij.
Imazhet që përdor
poeti janë të forta dhe të bukura për të shprehur ndjenjat dhe emocionet e tij.
Ai përdor imazhe të natyrës, të qiellit, të yjeve, të diellit, të shiut, të
hënës, etj. për të bërë poezitë më tërheqëse dhe më të bukura. Në këtë drejtim
poeti ka tepër afëri me artin gojor të popullit, pavarësisht se poezia e tij
është një poezi modern.
Simbolet poeti i
përdorë për të shprehur ndjenjat dhe
emocionet e tij në mënyrën më të thellë. Ai përdor simbole të tilla si zjarr,
qiell, yje, etj. për të shprehur dashurinë, dëshirën, ëndrrën dhe ndjenjat e e
heroit lirik, i cili mund të jetë njëri prej nesh në çdo kohë.
Pamjen fotografike
poeti e përdor për të bërë poezitë më tërheqëse edhe në dukje. Ai përshkruan
pamje dhe peizazhe të ndryshme, duke i bërë poezitë më të bukura dhe më
tërheqëse për lexuesit dhe duke i e nxitur fantazinë e lexuesit edhe tejë
poezzisë .
Pamja estetike e
poezisë është e tillë që të impresionon, ajo i ngjan një lisi të drejtë e të
lartë apo një djaloshi trup hollë që nxiton për diku në pragmbrëmje dhe lexuesi
e ndjek me shikimin e tij, sikur diçka pret. Këto poezi me vargje të shkurtëra,
që mbartin dendësi emocionesh të “detyrojnë” që ta vazhdosh ta hamendësosh poezinë edhe kur ajo ka
mbaruar së foluri.
IV-Në qoftë se do
krahasohet me poezinë moderne europiane, mund të themi se Sabit Rrustemi përdor
mjetet artistike të traditës shqiptare të poezisë, por edhe elementë të poezisë
moderne, siç janë lirika dhe imagjinata e lirë, duke mbetur një poet i kuotës
së lartë. Ai shpesh e përdor imagjinatën e lirë për të krijuar poezi që janë
shumë emocionale dhe të ndjeshme, ndërkohë që poezia moderne europiane përdor
shpesh teknika të avancuara të shkrimtarisë, siç janë struktura të ndërlikuara
dhe mënyra e organizimit të poezisë në mënyra inovative.
Duke u mbështetur në
rrënjët e traditës dhe trashëgimisë sonë shpirtërore, veçanërisht në korpusin e
këngëve popullore të dashurisë, Sabit
Rrustemi mbetet një poet modern original tipik shqiptar, gjithmonë i kërkuar dhe shumë i lexuar.
Sarandë,
më prill 2023