E enjte, 28.03.2024, 08:00 AM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Atdheu i Ibrahim Kadriut

E marte, 09.05.2023, 06:55 PM


ATDHEU I IBRAHIM KADRIUT

Nga Timo Mërkuri

Poezia "Atdheu" e Ibrahim Kadriut e përfshirë në  përmbledhjen “Kohë e varur në litar”(Faik Konica  Prishtinë 2021 f.27)  më tërhoqi për mënyrën e veçantë të shprehjes emocionale të lidhjes së thellë të poetit me atdheun dhe me anë të figurave artistike që ai e sjell në poezinë e tij. Në këtë poezi, ndryshe nga shumica e poetëve Kadriu e shpreh ndjenjën e tij në një këndvështrim të veçantë, në atë të ndjenjës së ndarjes së atdheut prej tij, ku shprehet se nëse do të shpërngulet (atdheu) prej tij, ai do mbetet një vetmitar në botë, nuk do të ketë asnjë person që do t'i thotë as mirëmëngjesi: " Nëse shpërngulesh nga unë/nuk do të kem kujt/t'i them mirëmëngjesi".

Interesant është fakti se poeti nuk shprehet për largim të atij vetë nga atdheu, pasi dihet që edhe duke u larguar fizikisht nga atdheu (si emigrant psh) atdheun e ka me vete në shpirt, në ëndërra, në fjalë, etj. Problem është në se Atdheu largohet nga personi i tij, për arsye madhore (sigurisht për mohim prej tij), madje ky largim mund të ndodhë jo vetëm duke qënë larg atdheut, por edhe duke jetuar në atdhe, dhe jo vetëm në kohë pushtimi. Të jetosh pa atdhe është mjerimi më i madh në jetën e kujdo, është më lemeritëse se të “dimëron në qiej/se dheu stë qas”, është më e dhimbëshme se të braktisësh një besim fetar të trashëguar dhe të marrës një tjetër, pse në këtë rast quhej një braktisës i një besimi, kjo ka qasje me rastin kur Zoti braktis njeriun, duke na sjellë një qasje me Moisium në mal kur lutej: “Zot, pse më braktise” apo me Jezu Krishtin në kryq kur duke ju drejtuar Atit mes vuajtjes së kryqëzimit i thotë:” Ati im, pse hoqe dorë prej meje?”. Këtë braktisje të atdheut poeti e çmon si të jetosh pa diellin: “Pa ty si pa diellin/akulli zë në prit zemrën/ se ç’ndodh më tutje me të/një Zot e di” ku krahasimi “Pa ty si pa diellin" ndihmon në theksimin e rëndësisë së atdheut në jetën e poetit pasi nuk mendohet jeta në tokë pa diellin , ndërkohë që metafora "akulli zë në prit zemrën" - përshkruan ndjenjën e kësaj ndarjeje si një akullnajë që mbulon jetën, shpirtin dhe zemrën e poetit. Aty nis “epoka” e re e akullnajave.

Duhet të shprehemi dhe të pranojmë se këndvështrimi original i Ibrahim Kadriut shprehur në vargun e parë të kësaj poezie është unikal për nga vlera kuptimore dhe artistike e tij.

Poeti shprehet me figura artistike që janë të një shkëlqimi të veçantë, madje unë do të thoshja tipik. Në vargun "pa ty si pa diellin" Kadriu përdor një metaforë për të treguar se atdheu është për atë ashtu siç është dielli është për botën. Personifikimi i përdorur në vargun "akulli zë në prit zemrën" që tregon lidhjen shpirtërore të tij me atdheun, mungesa e të cilit bën që shpirti të ndjehet sikur është akull i ftohtë duket si rrjedhojë e vargut “akulli zë në prit zemrën”.

Personifikimi "ruajna Zot"  te strofa e parë tregon se nëse Atdheu do të ndahet nga ai, “Nëse shpërngulesh nga unë/…/atëherë kur/(ruana Zot)/nuk do të kem kujt/t’i them mirëmëngjesi”, pra në se “Nëse shpërngulesh nga unë” atëherë ai sdi çdo bëjë dhe sdi si do vejë halli, ndaj lutet që Zoti ti mbrojë. Pra mjeshtërisht shprehet se largimi  atdheut nga poeti sjell  mjerimin, fundin, kataklizmoin, përmbytjen e jetës në tokë dhe nga kjo: “vetëm Zoti na mbroftë”. Është e njëjta gjetje mjeshtërore si e vargut të parë, ose më saktë vazhdimi i mjeshtërisë poetike të shprehur te vargu i parë, i pa hasur në poezinë shqipe.

Në vargun "të lus prandaj të qëndrosh gatitu/para syve e zemrës/të më qëndrosh/ashtu siç je/me plagë", Kadriu përdor një anatomi të trupit si një figurë artistike për të treguar ndjenjat e tij ndaj atdheut. Ai “kërkon nga atdheu” që të qëndrojë pranë tij edhe në momentet e vështira, të qëndrojë ashtu siç është, me plagë ( dhe sa shumë plagë që ka atdheu ynë) dhe me çdo sfidë që mund të ketë.

Në vargun "një Zot e di", Kadriu përdor një refren, jo aq për të treguar se fati I tij dhe fati I atdheut janë në dorë të Zotit , por për të treguar se e ardhmja është vetëm zi, pasi shprehja “Një zot e di” rëndom përdoret si humbje e shpresës për njeriun shqiptar

Gjuha e poezisë "Atdheu" së Ibrahim Kadriu është e thjeshtë, por në të njëjtën kohë shumë e ndjeshme dhe e fuqishme. Përshkrime të tilla si "pa ty si pa diellin/ akulli zë në prit zemrën" tregojnë shumë bukur figurën artistike të personifikimit, duke e bërë atdheun një person që mund të shikohet si një burim i ndriçimit dhe ngrohjes, një diell të jetës së tij, largimi i të cilit nga ai shkakton një shtresë akulli që as ngrohtësia e zemrës së tij nuk mund ta zbusë.

Vargjet janë të shkurtër dhe kanë një ritëm të veçantë që i japin poezisë një efekt të rëndësishëm emocional. Poeti përdor metafora si "me plagë" për të treguar ndjenjat e tij të thella ndaj atdheut, dhe përdor vargje të shkurtra dhe të ndjeshme për të treguar këtë ndjenjë. Në poezinë "Atdheu", përdorimi i vargjeve me nga dy a tri fjali në varg tregon fuqinë dhe përqendrimin e ndjenjave të autorit ndaj atdheut.

Përveç kësaj, përdorimi i rrethimit të fjalisë "ruana Zot" me thonjëza, si dhe përdorimi i vargjeve me një varg të vetëm "një Zot e di", tregojnë një shqisë të thellë të besimit të autorit te Zotit dhe në rrugën pa rrugë që jeta do të ndjekë nëse atdheu do të ndahet nga ai.

Stili dhe vargu i poezisë së Ibrahim Kadriut është i veçantë dhe unik për veten e tij, por mund të thuhet se ka afërsi me poetë të tjerë shqiptarë si Lasgush Poradeci, Migjeni, dhe Ndre Mjeda, të cilët kanë shkruar poezi të ndjeshme dhe të thella në lidhje me atdheun dhe të jetuarit në kushtet e vështira. Për shembull, poezitë e Lasgush Poradecit si "Kënga e Tërës" dhe "Gurëzimi" (Lirika", "Kristalina", Tiranë 1937). kanë tema të para me afëri me "Atdheun" e Ibrahim Kadriut, ku shprehin ndjenjën e krenarisë dhe ndërtesën e personalitetit të një kombi nëpërmjet historisë dhe kultures së tij.

Po ashtu në nivelin europian, këndvështrimi i poezisë ”Atdheu” të Ibrahim Kadriut ka një afërsi me poetët e romantizmit si Ëilliam Ëordsëorth dhe Percy Bysshe Shelley, të cilët kanë shkruar poezi të ndjeshme dhe të thella për natyrën dhe emocionet e brendshme të njeriut. Poezia e Ëordsëorthit si "I Ëandered Lonely as a Cloud" ("Unë ecja vetëm si një re").ka një afërsi me poezinë e Kadriut në mënyrën se si ata shprehin emocionet e tij ndaj atdheut dhe ndjenjën e lidhjes së thellë emocionale me’të..

Është e rëndësishme të theksohet se poezia “Atdheu” e Ibrahim Kadriut është unike dhe e veçantë, dhe ai ka arritur të krijojë një stil të tij të veçantë nëpërmjet përdorimit të figurave artistike dhe metaforave të ndryshme për të shprehur emocionet dhe ndjenjat e tij në mënyrë të gjallë dhe të ndjeshme.

Sarandë, më 07.05.2023

Nga Ibrahim Kadriu

ATDHEU

Nëse shpërngulesh nga unë

dhe s’di kujt tjetër mund t’i fal aq kohë

dhe s’di të arrij më askund

atëherë kur

(ruana Zot)

nuk do të kem kujt

t’i them mirëmëngjesi

Të lus prandaj të qëndrosh gatitu

para syve e zemrës

të më qëndrosh

ashtu siç je

me plagë

Pa ty si pa diellin

akulli zë në prit zemrën

se ç’ndodh më tutje me të

një Zot e di.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora