Kulturë
Albert Zholi: Flet Irini Qirjako “Mjeshtre e Madhe
E diele, 04.06.2023, 06:37 PM
Flet Irini Qirjako “Mjeshtre e Madhe”: Publiku mbetej i mahnitur me zërin e Hyso Xhaferaj
Çfarë
po bën moj Marigo është kënga ime më e bukur.
Në
vitin 197O në Dizhon Asambli çuditi shikuesit.
Në
vitin 1979 në Turqi vetja m’u duk si ëndërr.
Në
Shans-Elize na njoftuan për bombë në sale.
Dita
më e keqe viti 1981 kur më vodhën magnetofonin në shtëpi.
Intervistoi:
Albert
Z. Zholi
Irinin
e gjen çdo ditë në aktivitete duke kënduar. Këto ditë Shoqata ‘Atdhetare’
‘Kallarati’ dhe Shoqata ‘Labëria’ dega Tiranë, së bashku me TKOB organizuan një
përkujtimore homazh në nderim të mjeshtrit të këngës labe Hyso Xhaferaj, me
rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta. Një ndër nismëtarët e këtij
aktiviteti ishte vëllai i këngëtarit Bako Xhaferaj, poeti Nexhip Onjea, Besnik
Gjonbrataj dhe gazetari Aleksandër Çipa. Regjizor i këtij eventi ishte
“Mjeshtri i Madh” Sokol Marsi. Moderator Ervin Bejleri. Të ftuar special ishin
këngëtarët e mirënjohur me famë botërore grupi lab i Fushbardhës, Irini
Qirjako, Hysni Zela dhe Paro Ziflaj. Në këtë takim mund të shkëpus disa çaste
Irinin për të biseduar për zhvillimet e fundit. Ajo dhe pse s’ka lidhje me
Labërinë pasi është nga minoriteti grek i Sarandës është identifikuar si
këngëtare tipike e këngës së polifonisë labe. E sheh gjithmonë të qeshur, në
çdo aktivitet, plot vullnet dhe dëshirë për të ecur vetëm përpara. Thuajse i ka
shëtitur të gjitha shtete Evropiane ku zëri i saj i veçantë, por sidomos kënga
e bukur labe e ka bërë të marrë miliona duartrokitje që nga Izmiri dhe deri në
Paris. Kudo kujtime, emocione që ajo mundohet t’i shprehë natyrshëm, por që t’i
hedhësh të gjitha në letër do të duhet shumë kohë. Megjithatë Irini thotë se
kam ende shumë për të bërë.
Nga
jeta e saj artistike jashtë atdheut ajo ndan dy momente kyçe, herën e parë kur
doli jashtë atdheut në Turqi dhe Festivalin e Dizhonit në Francë ku Asambli i
Këngëve dhe Valleve shkëlqeu në mënyrë të befasishme.
Ju jeni një ndër
mikeshat e Hyso Xhaferaj. Madje të quante motër. Në shumë këngë dueti juaj
mbetet magjik. Si do ta përcillni tek lexuesit portretin e kënëgtarit të këngës
labe Hyso Xhaferaj?
Eh,
Hysua! Hysua vëllai im. Njeriu i dashur dhe i palodhur. Ai ka qenë partneri im
në shumë shumë këngë. Sot në këtë
përkujtim ndjej shumë dhimbje dhe emocion. Për mua ishte hedhësi më i mirë i
Labërisë. Në tre albume kam zërin e Hysos. Punuam bashkë me shumë dashuri për
ato këngë ku ai dha maksimumin. Ai ishte një talent i rrallë. Ishte një talent
që koha e lartësonte. Dikush nga kompozitorët e talentuar duhej të mirrej me
zërin e tij. Tingulli i zërit të tij ishte magjik, befasues. Publiku ngelej i
mahnitur me zërin e tij. Dua të them në disa raste jashtë shtetit kur bënte atë
zërin e dredhur si instrument muzikor salla heshtëte. Kur mbaronte shfaqja
shumë spektatorë vinin në skenë dhe e preknin
me dorë në trup pasi se besonin që ai njeri të nxirrte atë zë që
turpëronte dhe instrumentet muzikorë më
të sofistikuar. E them me bindje se aktualisht zë të dytë si ai nuk ka në
Shqipëri. Unë kam kënduar me të gjitha grupet labe, por zë si ai jo nuk kam
gjetur. Thjesht Hysua na mungon shumë si mik, si njeri, si këngëtar, si lab.
Ju bëtë recitalin e
kompozitorit të dëgjuar Enver Shëngjergji të titulluar “Një tufë lulesh kam për
ju” u paraqitët me një këngë të veçantë, që vetë e keni specifikuar si të
tillë. Pse ky specifikim?
Unë
në atë Recital u paraqita me një nga këngët më të bukura, më të pëlqyera të
repertorit tim. Kjo këngë flinte brenda meje, ishte një dëshirë shumë e
fuqishme ta këndoja sërishmi. Pra rifreskova këngën “ç’po qëndis moj Marigo”.
Këtë këngë unë e kam kënduar para 30 vitesh në Ansambël, kjo u bë një këngë
hit, kryevepër ku ka qenë Drejtor Limoz Dizdari. Gjithmonë e kam pasur ëndërr
se kur do ta rivendosja përsëri në skenë. Unë këtë këngë e kam bërë për herë të
parë në kohën e monizmit në vitin 1985. Kjo këngë pati një sukses të
jashtëzakonshëm në publik, sepse është këngë e bukur. Kjo këngë ka një
ndjeshmëri të arrirë. Unë jam e lumtur që mbas këtyre viteve e këndova përsëri
në skenë.
-Përse
nuk është kënduar kjo këngë në këto vite tranzicioni?
Se
di pse nuk është kënduar asnjëherë! Për arësye të neglizhencave të drejtuesve
artistik, apo…?!. Erdhi momenti që atë që doja unë u realizua. Enverin e
vlerësoj dhe e respektoj si krijues. Ka një repertor shumë të madh, orkestral,
koral, solistik, kjo është një domosdoshmëri që të gjithë këta kompozitorë që
kanë një emër një karrierë duhet që e gjithë kjo veprimtaria e tyre të rijepet
në skenë. Për të rikujtuar spektatorin, sepse mosha e mesme i kanë të qarta dhe
i dëgjojnë dhe lumturohen këta kompozitorë. Aq më shumë për Enverin që është
shumë muzikal me ndjeshmëri të jashtëzakonshme …
Ç’po
qëndis moj Marigo,
nën
qerpik të syrit, o?
Në
dorën e zemrës, o
lule
fushe e lule mali,
lule
që një prill i fali.
Shoqe
moj, motra moj!
Unë
e dashuroj shumë këtë këngë.
-Si mendoni ju, a është
kthyer përsëri populli mbas 10 vjet luhatjesh përsëri tek kënga popullore?
Populli
gjithmonë e ka dashur këngën popullore. Ai e ka këtë këngë si ushqimi i
përditshëm. Por ky tranzicion solli shumë gjëra të këqija, por me kalimin e
kohës shumë gjëra po sqarohen. Kënga po zë vendin e saj të merituar. Pa këngë
populli është si i heshtur. Këngën kur din t’ia servirësh popullit ai e
rrëmben. Ai atë e ka të parën në jetën e përditshme. E ka relaks, e ka etje për
qetësi.
-A ke ndonjë peng në
këtë rrugëtim kaq të bukur?
Artisti
ka shumë pengje dhe është shumë i pangopur, por unë kam realizuar shumë gjëra
në drejtim të profesionit tim. Por unë nuk do të rresht së punuari sa të kem
zërin. Edhe tani në verë unë nuk kam bërë asnjë ditë pushim. Kam punuar me ditë
të tëra dhe muaj të tërë dhe kam realizuar dy albume polifonike. Të punoj dhe
vë në skenë këngë të reja, ky është pengu im.
Në sa vende të botës ka
dhënë shfaqje Irini?
Në
gjithë Evropën. Vetëm në Francë kam shkuar 25 herë. Aty janë mahnitur me këngët
polifonike?
Po për herë të parë kur
ke shkuar jashtë?
Në
vitin 1979. Shkuam në Turqi. Ishte Festivali i Izmirit. Shkuam me Ansamblin e
këngëve dhe Valleve. Ishte një ditë që se harroj. Kur pashë dritat natën më
dukej se isha në një ëndërr. Pastaj tregjet plot. Bëja krahasimet. Eh!. Kur
dolëm në skenë turqit filluan të thërrisnin “Arrnaut”. Këngët tona, vallet
tona, kostumet tona ishin befasi për ata.
Kë do të veçoje nga
turnetë jashtë?
Atë
të vitit 1981 në Francë dhe pikërisht në Dizhon. Ishte një Festival i
jashtëzakonshëm. Edhe sot e kujtoj me mall. Ishte hera e parë që shkoja në
Francë. Franca ishte magjike. Jashtë çdo parashikimi. Zot, s’më besohej…! Kur
dhamë shfaqjen në Dizhon s’kishte spektator që s’qe ngritur në këmbë.
Duartrokitje frenetike. Këngët polifonike ishin për ta si ëmbëlsira në fund të
dasmës. Gazetat shkruanin me superlative. Të nesërmen na bënë një ftesë
speciale në Shans-Elize. Salla ishte mbushur plot. S’kishte vend as në këmbë.
Sa donim të fillonim shfaqjen kur vjen policia dhe thotë largohuni se kanë
vendosur bombë në sallë. Ishin momente shumë të tensionuara. Por ne vendosëm.
Do ta japim shfaqjen me çdo çmim. Askush se besonte. Por ne u ngjitëm në skenë.
Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit e përmbysën sallën nga duartrokitjet.
Kjo
shfaqje ju ka lënë më shumë përshtypje në Francë?
Edhe
një tjetër. Pikërisht në vitin 1997. Ishte korrik. Ishte periudha e trazirave.
Na pritën me shumë rezerva. Mund të them se na shihnin me përçmim. Kishim
fituar një nam të keq. Por kur filloi shfaqja çdo gjë ndryshoi. Nga kënga në
këngë, nga vallja në valle, spektatorët po ndryshonin. Në fund u ngritën të
gjithë në këmbë dhe thërrisnin “ Albania”, “ Albania ”. Atë ditë isha dhe me
temperaturë.
Dita më e keqe e jetës?
Po
në vitin 1981. Atë ditë kur më vodhën shtëpinë. Midis të tjerave më vodhën dhe
një magnetofon që e kisha blerë nga kursimet në Francë. Në darkë duhej të isha
në skenë. Ishte një ditë e vështirë.
-Mendon se femra
shqiptare e ka zënë pozicionin e duhur në jetë?
Akoma
nuk e ka zënë vendin e duhur në jetë, sepse maskilizmi është shumë i fuqishëm
dhe dominon. Duhet akoma shumë. Femra duhet të jetë vetë e fuqishme. Unë si
person nuk e ndiej vetinë e maskilizmit, sepse e përballoj çdo gjë vetë, sepse
edhe skena më lartëson aq shumë saqë unë ndjehem në vendin tim të duhur. Ka
shumë femra që janë shumë të talentuara, që janë shumë të zonja, por që nuk
kanë mundësi. Fajin kryesor ia vë vetë femrës. Ajo duhet të luftojë. Në qoftë
se ne nuk luftojmë vetë në maksimum.
- Kush është problemi më
i madh që ka femra shqiptare sot?
Problemi
më i madh është edhe punësimi. Nuk ka hapësira të nevojshme. Prandaj duhet të
bëhen ligje të fuqishme siç i ka bota. Politikat janë gjithmonë në shërbim të
vetvetes dhe jo të femrës. Femra në çdo kohë vihet në plan të dytë.