Kulturë
Bardhyl Maliqi: Pse Metat Idrizi ishte më kurajoz se unë?!
E enjte, 08.06.2023, 06:13 PM
PSE METAT IDRIZI ISHTE MË KURAJOZ SE UNË?!
Nga
Bardhyl Maliqi
Shqiptaro-amerikani
Metat Idrizi më ka tërhequr vemendjen në një nga koncertet e organizuara në
Sarandë nga Unionit Artistik Shqiptar,
që zhvillohet përvitshëm në fundqershor si një fiksion simbolik për
Çamërinë, masakrën zerviste ndaj saj, vlerat e magjishme të kulturës, këngës
dhe valles çame. Ky aksion artistik, që është ideuar dhe drejtohet nga
zotërinjte A. Haklaj dhe M. Kureta është
një event i rëndësishëm në dobi të kulturës kombëtare, pasi shëtit të gjitha
trevat etnokulturore, sensibilizon, ringjall, evidenton dhe promovon vlera të
reja. Pavarësisht elementëve të
përsëritur dhe rutinorë ideja e këtij aksioni artistik ka në gjenezë një mision
të bukur, i cili vështirë të kompromentohet. Një prej të veçantave të tij janë
njohjet e reja. Kështu kujtesa ime shqisore dhe emocionale fiksoi Metat Idrizin
si një ikonë interesante dhe në lëvizje. Ai rrinte në këmbë, me flokë të gjatë
ende të zinj, i mbështjellë me flamurin kombëtar dhe me thirrje të
herëpashershme dukej sikur thoshte: Jam Unë, ai dikushi që kaloi kufirin. Tani
jam kthyer këtu, në mezin tuaj, në sytë tuaj, në shpirtart njerëzorë që më duan
dhe i dua!
Këtu
problemi komplikohej paksa, pasi unë kam një ndjesi neverie ndaj falcitetit,
ndaj asaj që nuk është e natyrshme. Thashë se Metati mbështillej me flamurin
kombëtar ashtu si mbështillen politikanët tanë me një fjalor demagogjik
pseudodemokratik për të fshehur korrupsionin dhe shijen e tjetërsimit të
trojeve kombëtare. Kështu, padashur figura e Metatit tek unë luhatej mes dy
ndjesish. Artistikisht më pëlqente, sepse ishte figurë e bukur, impresionuese
dhe interesante, të ngjallte kërshëri, gjë që e konstatova veçanërisht në sytë
e fëmijëve, nga pikpamja intelektuale e konsideroja aktin e tij si një
përpjekje për të rënë në sy, për t’u evidentuar. Dhe kjo më krijonte një hijesim
të asaj çka më dukej interesante, ishte si të thuash një dritëhije, një dyzim
vlerash që padashur më shqetësonte. Por rastitisi ta njoh këtë njeri dhe të
korregjoj me këtë prezantim gabimin tim, të paktën për Metatin. Ai nuk është një figurë fiktive dhe impozante,
por një qenie njerëzore origjinale dhe e konsoliduar. Tashti që kam pirë disa
kafe me të dhe kam kaluar disa herë nëpër duar librin e tij “Dikush kaloi
kufirin”, kam krijuar bindjen se Metatin ja vlen ta njohësh!
Natyrisht
shqipja e Metatit nuk është aq e kultivuar, ka ngjyrime dialektore dhe mjaft
gabime drejtshkrimore, që fillimisht më shqetësuan. Korrektimi letrar dhe
redaktimi i një libri të tillë është shpesh një punë raskapitëse dhe e
padukshme, por e domosdoshme. Është njësoj sikur të pastrosh barërat e këqija:
egjrin, krislën dhe gramin nga një arë me grurë. Por në grunajat e pranverës ka
edhe llapsana, që janë aq të shijshme dhe lulëkuqe si bimë medicinale me vlerë
dhe natyrisht grurë, shumë grurë, grurin e bukës sonë të përditshme! Në këtë
pikëpamje, libri i Metatit promovon një vlerë dhe na lë një mesazh, na kultivon
ambicien, na rrit kurajon dhe na mëson ashtu si Diogjeni të ndezim qiririn dhe
të kërkojmë njeriun...
Dhe
Metati është njeri në kuptimin e plotë të fjalës. Të pakënaqur me komunizmin ka
pasur shumë në Shqipëri dhe në të gjitha vendet ku ai rrënjoi, por të paktë
kanë qenë ata që e kanë artikuluar protestën, kanë shkruar apo janë tubuar
kundër diktaturës, pasi ata që e njihnin më mirë ishin intelektualët, ata
intelektualë që tani drejtojnë të gjithë spektrin politik shqiptar si kryetarë
partish, ministra dhe deputetë, ata që kanë studiur në Rusi, Kinë, Francë,
Vendet nordike etj. por që kishin dy të këqija të përbashkëta: ishin
konformistë dhe frikacakë! U kujtuan ta luftojnë ideologjinë komuniste kur
kalit i ranë patkonjtë. Kjo është arsyeja e vërtetë pse Shqipëria dhe
shqiptarët që janë në etnogjenezë një popull vital, pengohen nga vullnetsëmurët
edhe në demokraci, për të qenë në pararojën e progresit.
Edhe
unë kam folur kundër falsitetit të sistemit komunist, e kam ndjerë në lëkurë
persekutimin politik që iu bë familjes së hallës sime, që e kishte
bashkëshortin të dënuar me grupin e Teme Sejkos, por nuk kam vepruar; edhe unë
kam tentua disa herë ta kaloj kufirin, se kam qenë i pakënaqur me vendin e
punës, një student me rezultate shumë të larta u caktova për të punuar në një
fshat të kufirit ekstrem të Jugut, në Janjar, por e vërteta është se s’kam qenë
aq trim dhe aq kurajoz sa Metati, se trimi nuk duket në fjalë, por në vepra!
Kjo është një arsye më shumë përse e respektoj dhe e vlerësoj Metatin, kurajon
e tij qytetare, shpirtin e tij të sakrificës, pasi ai me përvojën e tij
njerëzore në këtë libër promovon vlera të qëndrueshme të personalitetit njerëzor.
Ai
e quan këtë libër novelë, por e vërteta është se këtu veç rrëfimit dhe
aventurës, që janë thelbi i novelistikës, ka edhe publiçistikë, vjersha dhe
akte domumentare; shenime të të tjerëve, opinione dhe vlerësime. Me këtë
strukturë ky libër vlerësohet si kompleks në formë dhe transparent, tepër
transparent në përmbajtje. Mos kërkoni këtu ju lutem dëshmi të karakterit
historik, pasi ai nuk është libër shkencor, historik apo politikologjik. Mos
kërkoni gjithashtu vlera letrare të qëndrueshme, përveç detajeve mbresëlënëse
që paraqesin interes. Por në të nuk mungojnë zhbirimet psikologjike, koloritet
përshkrimore, deduksionet logjke dhe kujtimet interesante. Për një gjë tashmë
jam krejt i bindur, nëse dje, dikush kaloi kufirin, sot shumëkush do të gjejë
veten në këtë kalim; do të ripërjetojë luftën e motiveve dhe dilemat e
dikurshme; por në analizë të fundit do të thotë atë që them edhe unë:
Meta
Idrizi ishte më trim dhe më kurajoz se unë!
Sarandë, më 19 gusht
2012