Kulturë
Prend Buzhala: Sofra e Çabiqit - I këndojmë lirisë
E marte, 06.06.2023, 07:58 PM
“SOFRA
E ÇABIQIT” HAP EDICIONIN XXIII TË FESTIVALIT “I KËNDOJMË LIRISË”
Nga
Prend Buzhala
Sot,
në Çabiq të Klinës, te Kulla-muze e Mujë Krasniqit, për të 23-tën herë me
radhë, u hap Festivali “I këndojmë lirisë”. Ky Festival mbahet në shenjë të
ditëlindjes së komandantit dëshmor Mujë Krasniqi (dhe vetë rapsod), i cili
është i lindur në këtë fshat. Mbahet me moton “Sofra e Çabiqit”, sepse në fund
të hapjes mysafirë, publik dhe pjesëmarrës të Festivalit, shijojnë mikpritjen e
këtij fshati me ushqime tradicionale.
Ndërkaq,
tri mbrëmje rresht, sonte, nesër dhe pasnesër (6, 7 e 8 qershor) në qytetin e
Klinës, në ambient të hapur, paraqiten rapsodë, grupe folklorike e grupe
valltarësh nga të gjitha trojet etnike shqiptare.
Festivalin
e moderon Silvana Braçe.
1.
Edhe
kjo hapje bëhet me marshime nëpër ambientet e fshatit, duke u shndërruar në
festë t[ vërtetë. Kësisoj, atmosferë të gjallëruar bëri Ansambli“Rugova”.
Për
ndryshim nga herët tjera, kësaj radhe kjo “sofër” e prezantuar, pothuajse edhe
u hap, dhe drejtohet nga artistë e veprimtarë kulture të këtij fshati. Kështu,
drejtor i festivalit është Alban Gashi, regjisor (i lindur në Çabiq), kurse
drejtues i Këshillit Artistik është Halit Gashi, po ashtu nga ky fshat. Edhe
rapsodët e solistët që kënduan, ishin nga ky fshat, që janë të njohur anembanë
trojeve shqiptare. Enkas nga mërgata erdhi solistja e njohur Bege Gashi që
këndoi dhe performoi në mënyrë brilante një këngë që i kushtohej trojeve
etnike, Dardanisë, Mujës dhe luftës për liri. Entuziazmuan me këngët e tyre
edhe dy solistë nga ky fshat Ali Gashi dhe Berat Krasniqi. Kësaj atmosfere
përjetimesh iu bashkuan dhe dy të rinj, motër e vëlla, Drinor e Rrezarta Gashi,
që i takojnë familjes së njohur rapsodike të Sefë Gashit (Mleqan, Malshievë),
në nderim të Beqir Gashit, dëshmor që ra së bashku me Mujën, dhe në nderim të
Osman Gashit, rapsod që ka shkuar në amshim, i cili, sa qe gjallë, e ka nderuar
gjithnjë me këngët e tij edhe këtë festival. Pasardhës të dëshmorëve e të
këtyre rapsodëve nga Mleqani janë dhe Ismet e Shpëtim Gashi që kënduan edhe
kësaj radhe.
Në
emër të Komunës përshëndeti kryetari Zenun Elezaj, nën patronatin e të cilit
mbahet Festivali. Të pranishëm, përpos publikut të gjerë, ishin edhe ministri i
Mbrojtjes i qeverisë së Kosovës dhe ministër i FSK, Armend Mehaj,
bashkëluftëtarë të Mujës, përfaqësues e pjesëtarë të shoqatave të dala nga
lufta etj.
2.
Kësaj
radhe, kisha nderin që, në emër të fshatit, ta paraqes një fjalë përshëndetëse
të mikpritjes dhe për vlerat e Festivalit që lartëson kujtesën tonë për liri.
Këtu po e prezantoj këtë tekst:
Tashmë
SOFRA E ÇABIQIT, me dëshmorët e saj dhe me këngët për ta, janë bërë kartë
identiteti për ne, janë bërë letërnjoftim i këtij fshati në Kosovën e
pasluftës. Këtu qe 23 vite këndohet, vallëzohet, njerëzit takohen dhe vijnë nga
të gjitha trojet etnike, si në një pelegrinazh të shenjtë dhe i thonë fjalët më
të zgjedhura e më të hirshme.
Këta
tre dëshmorë që i keni të skalitur këtu në lapidar, i keni të skalitur edhe në
kujtesën e brezave shqiptarë, e sidomos, të skalitur në këngë. Në këngët e
festivaleve. Festivali është vetëm një dritare e së bukurës, nëpërmes të së
cilës ne duam jo vetëm ta kemi të zgjuar kujtesën për luftën dhe dëshmorët...
por ta shquajmë dhe shenjën më autentike të identitetit tonë kombëtar, siç janë
muzika, vallja dhe folklori, pikërisht për faktin se ato janë vlera të pranuara
nga secila shtresë, nga secila kohë dhe nga secili vend yni etnik.
Karakteristikat e epokave që ngërthejnë këngët shqiptare, me ritet, vallet a
instrumentet, përbëjnë thelbin e KODIT të qenies sonë kombëtare. Festivali
është vetëm një shenjë mbrojtëse e kësaj vlere të identitetit tonë, sidomos në
proceset e reja të akulturimit, kurse MIKPRITJA proverbiale SHQIPTARE, e
shenjtëruar te SOFRA e Çabiqit, është një tjetër kod i mbijetesës dhe shquarjes
etike, ekzistenciale, etnike, etnografike dhe shoqërore e qenies sonë. Folklori
ynë shpesh ka luajtur rolin kyç, ashtu si e luan sot këtë rol kultura
përgjithësisht, në realizimin e integrimeve të brendshme shoqërore, t; ruajtjes
së identitetit tonë kombëtar, dhe të integrimeve brendakombëtare.
Të
mos harrojmë, dëshmi, shkrime e kompozime, ka që nga kohët ilirike, bizantine,
otomane dhe sidomos të kohës sonë. Mjafton të përmendet autori antik helen,
Straboni, i cili që në vitin 63 para Epokës së Re, na dëshmon se dardanët u
kanë rënë disa veglave muzikore, si aulosit (një instrument me frymë), që
vërtetohet nga gjetjet arkeologjike, i paraqitur në artin e pikturës. Por
dardanët, si dëshmojnë autorët antikë, e po ashtu edhe Straboni, iu binin dhe
veglave të tjera muzikore, si instrumenteve nga familja e flautist dhe instrumenteve me tel etj. Mjafton ta
përmendim edhe HYMNIN KISHTAR të shek. IV të Niketë Dardanit. Kurse festat
pagane, me ritet e tyre muzikore, janë të gjalla edhe sot, ndërsa epika e
lirika shqiptare vijnë si jehona shekujsh, duke e bartur mesazhin e trimërisë
dhe historisë shqiptare nga njëra anë dhe bukurinë e emocionit të kënduar, nga
ana tjetër. E pra, ndër mileniume e shekuj, gjithmonë ka pasur një jetë të
zhvilluar muzikore.
Në
Çabiq gërmimet arkeologjike kanë treguar se ky vendbanim ekziston që nga agimet
e historisë, Gjithmonë këtu janë ndërtuar shtëpitë e bukura pas një lufte që i
digjte ato, se këtu ka pasur gjithmonë jetë e gjallni që në kohë të lashta
historike.
Por
këtu, po ashtu, është kënduar e vallëzuar gjithmonë e si dëshmi na vijnë ritet
e moçme të festave apo të stinëve... Dhe asnjë kohë nuk mund ta përfytyrojmë pa
këngë, pa vallet dhe harenë e festave e
të gëzimeve familjare...ashtu sikundër kanë kaluar këndej perandori, shtete,
regjime, luftëra, shkatërrime, kurse kujtesa popullore dhe vargjet e këngëve,
ato i kanë regjistruar si ndodhi e përjetime që nuk harrohen.
Këtu
janë ruajtur legjendat për Çabiqin që shtrihet që nga Ujëmiri e deri te
fshatrat më të largëta në këto anë. Ruhet edhe legjenda, se si këtë fshat
asnjëherë nuk e godet rrufeja.
Nëse
Çabqi përmendet në krisdobulën e Manastirit të Deçanit që në vitin 1330,
dokumentet flasin për të edhe si një vendbanim dikur mjaft të madh e të shtrirë
në shumë zona përreth, flasin dhe gjetjet arkeologjike përreth, si enë, gjëra
nga jeta shtëpiake, tunele të nëndheshme, gur të mokrës, mbetje që dëshmojnë
ekzistencën e kishave iliro-shqiptare. Pra ky fshat ka pasur gjithmonë besimet
e veta, tolerancën e vet proverbiale ndërfetare, begatitë e veta, kulturën e
tij, këngët e tij dhe jetën e tij.
Por
Muja, Beqa e Aliu, për të cilët organizohet ky festival, ishin edhe vetë
rapsodë. Madje, edhe sot teleshikuesit do ta kenë parë Mujën e Beqën tek
këndonin në televizionin e njohur CNN, vargjet aq të njohura të këngës
popullore:
Kreshtat e Kosovës kanë
marrë ngjyrë të kuqe,
Krushqit e Dardanit janë
nisë me marrë nuse,
Po u prin përpara
shqipja e Kastrotit,
lulëbozhure çelin nëpër
flakë baroti.
Dhe,
siç e dini, që të tre ranë së bashku, me 36 dëshmorë të tjerë, në kufirin
shqiptaro-shqiptar, aty ku e përfunduan këngën për lirinë e Kosovës, me pushkë
në dorë e me aktin më të lartë e më sublim të vetëflijimit njerëzor. Si një
amanet etnik, se kufiri me shqiptarësh duhet të shembet.
Nga
ky fshat është Halit Gashi me shumë bashkëluftëtarë të këtij vendbanimi, kurse
Haliti e drejton këtë Festival në kuadër të Këshillit artistik dhe vetë është
solist i njohur. Dhe sa e sa herë e keni dëgjuar, për këta 23 festivale, ta
këndojë këtë tekst kënge kushtuar Mujës e Beqës:
Kur këndon Beqa flet
shqiptari
T’gjithë heronjtë
ngriten prej varri
Muja trim i prin kolonës
I rreshton në ballë
t’Kosovës.
Kënga e tyre atdhetare
Nuk vdes dot as ndër
varre,
Muja, Beqa në një bankë
Tash u kthyen vetë në
kangë.
Ata
që kanë luftuar dhe ranë për Kosovën, e kishin dëshirën e zjarrtë që të bëjnë
diçka të vlefshme e të bukur për këtë vend: për t’i dhënë një kahje tjetër
historisë. Ata, atdhe të vetin e kishin edhe këngën. Këngën për Atdheun, për
trimërinë, për historinë, për lirinë dhe për të bukurën e për njerëzit, sepse
Atdheut i duhen njerëzit e gjallë dhe gjallëria e jetës, dhe pa ta do të
mungonte edhe kujtesa, edhe këngët edhe jeta vetë...
Lavdi
e përjetshme për dëshmorët e kombit!
Çabiq, 6 qershor 2023