| E hene, 12.06.2023, 09:23 PM |
“BETEJA” PËR SHKRIMTARIN I. KADARE!
Fiqiri
Resulaj në rrëfim të pa zakontë
Nga Kadri Tarelli
Mbase
është e pabesueshme kjo ndodhi, aq më shumë kur rrëfehet si histori, por unë
jam i shtrënguar ta besoj, sepse jam i bindur në veten time dhe në karakterin e
mikut tim Fiqiri Resulaj, i cili nuk kishte asnjë lloj interesi të mburrej me
shkrimtarin dhe poetin e mirënjohur Ismail Kadare. Ai thjesht e adhuronte penën
dhe emrin e tij, madje falë kujtesës mahnitëse, të linte pa frymë, kur
recitonte plot vargje nga poezitë e hedhura nëpër libra.
Në
një bisedë të rastësishme, duke pirë kafe tek “Çollaku”, në Durrës, zakonisht
ndodhte të dielave, dëgjova diçka të pa dëgjuar më parë. Shumë rrallë e lija të
fliste për të “dashurën” e tij matematikën. I shmangesha me lezet. Ai ishte
njohës i problemeve të kohës, por edhe ndodhive të “Vogla”, që i përjetonte shpirtërisht,
sa herë që fliste për ato ngjarje të shkuara, lidhur me “Mbretëreshën e
shkencave”. Më pëlqente ta ngacmoja kryesisht për letërsinë dhe krijuesit,
sidomos për krijimet disi “të fshehta” për kohën e diktaturës. Ai dinte shume
hollësi për secilin nga emrat që mund të përmendeshin. Lexonte dhe dëgjonte
shumë.
Unë,
siç ndodh në biseda të lira tavoline, me që po diskutohej përsëri çmimi “Nobel”
për letërsi, zura po i tregoja një ngjarje të ndodhur para pak ditësh me një
mikun tim G. Ç, ish mësues e drejtues shkollash, i diplomuar në letërsi, person
shumë i kënduar në fushën e letrave shqipe, i cili shfaqi një mendim disi të
papëlqyer për mua, pasi mungonte argumenti letrar, por një opinion që qarkullon
kryesisht tek njerëzit e pa lexuar. - “Ismaili, është i ftohtë si njeri,
mospërfillës, diku edhe si mendje madh. ………..” etj, etj. - Kështu më tha miku
dhe kolegu im. Unë e kisha kundërshtuar me shaka, duke i thënë: - Ke të drejtë
edhe mua nuk më pëlqen fare Kadare, pasi mban syze të trasha dhe flokët asnjëherë
të shtruara, por si bar i pa kositur dhe i pa shtruar. - Ai e kuptoi ironinë
dhe heshti, pasi nuk i lejohej, për njohjen që kishte, që të mbështetej në
mbroçkulla të tilla.
Vura
re se Fiqo, që po më ndiqte me kureshtje, uli kokën dhe më thotë: - Sa mirë që
ruajte gjakftohtësinë, që e zgjidhe kështu, miku yt për të cilin po më flet,
është edhe miku im. Kam shumë nderim për atë, pasi lexon shumë. Shpesh e kam
takuar në bibliotekën e qytetit tonë. Siç thotë populli, “E vrave me pambuk”.
Ndërsa unë kam një tjetër histori që e kujtoj me dhimbje, sepse mund të
përfundonte keq, pasi nuk u përmbajta. As unë nuk e di si më erdhi, por tani
jam i penduar që u acarova deri në atë shkallë, pasi sherri nuk zgjidh gjë, aq
më shumë kur nuk ka një shkak madhor.
Ishte
një rrëfim disi i çuditshëm, sidomos kur bëhet fjalë për një mësues.
-
Isha në Kavajë dhe po përpiqesha të gjeja makinë. – Nisi rrëfimin mësues
Fiqo. - Si çdo hallexhi në atë buzë
mbrëmje, i ngrita dorën një veture. Ndaloi te këmbët e mia, dhe më bënë shenjë,
hajde. Ishin dy të rinj, (në krahasim me mua), krejtësisht të pa njohur. Sapo u
futa, më thonë: jemi për në Tiranë, po qe se shkon në Durrës, në Plepa je mirë.
Ende jetoja familjarisht në Shijak. Më vonë lëviza drejt Durrësit. Kështu, u
thashë: më lini te “Varri i Ashikut”, (toponim në rrugën Plepa-Tiranë, e njohur
si “Rruga e Ndroqit”), pasi më duhet të shkoj në Shijak. Për pak kohë udhëtuam
në heshtje.
Më
tej, siç ndodh rëndom, kur takohen njerëz të rinj, ata e nisën bisedën, duke më
pyetur: - Ç’ mendim ke për Ismail Kadarenë, që nuk po i japin çmimin “Nobel”. -
Si fillim më erdhi mirë që po më pyesnin për një problem, që besoj se e njihja
mirë. Mendova se biseda po hynte në diskutim intelektualësh, por u gabova, pasi
biseduesit e rastit ishin të pa lexuar, vetëm shprehnin copa opinionesh të
hedhura e të mbledhura nëpër biseda të rëndomta, duke e sharë, si person që nuk
e meriton çmimin. Durova gjatë, por e ndjeva se po më hipte gjaku në kokë, nga
fjalori i pakontrolluar, duke i vendosur edhe faje politike, nga ato që kemi
dëgjuar me shumicë e pa doganë.
U
drejtohem: - Ore çuna! A kini lexuar ndonjë nga librat e Kadaresë? Sepse nuk po
thoni asgjë për vlerat letrare. Besoj se kaq gjë e dini, se çmimi jepet për
letërsi. U trondita kur më thanë:
-
E ç’i duam vargjet e tij pa vlerë! As që marrim mundimin të lexojmë atë
shkrimtar apo poet, që la vendin dhe iku në Francë.
-
Po si mund të flisni kështu, kur nuk e njihni veprën e tij? – Ngula këmbë unë.
Gjatë kësaj kohe “Plepat”, kishin kaluar pa u kuptuar. M’u duk sikur më shikuan
me përçmim, sepse e zgjatën mendimin: - Zotërote ke mbetur me të vjetrën,
pavarësisht vargjeve që na recitove.
Edhe
pak metra dhe unë do të zbrisja, por i revoltuar u them prerë:
-
Ndaloni more të pa gdhendur. U rroftë makina dhe kostumi që mbani veshur. Nuk u
lejoj që të fyeni Kadarenë, që është krenaria e kombit, me të cilin ne mburremi
para botës, dhe bota po na njeh nëpërmjet emrit të tij, ndërsa ju të mbytur në
llumin e kafes, i bashkoheni korit të thashethemeve të rrugës. Ndaluan të
trembur nga toni i ashpër i zërit tim. Hapa derën, zbrita dhe hoqa xhaketën. -
Dilni nga makina, megjithëse jeni dy, do t’ua thyej turinjtë, që kur të flisni
herë tjetër të mendoheni mirë! – U thashë në inat e sipër.
Isha
i vendosur të përleshesha me ta. Një lloj çmendurie e pa kuptimtë. Më dridhej
trupi nga nervat. Bënë mirë që u larguan me të shpejtë. Nuk e di si do të
përfundonte “Beteja” ime për Kadarenë, por udhën deri në Shijak e bëra në
këmbë, madje pa e ndjerë fare kohën dhe lodhjen. Ecja dhe sillja e përdridhja
ato çaste inati, ku më turbullonte trishtimi: - Si është e mundur që njerëzit,
pa ju dridhur qerpiku, mund ta ndëshkojnë tjetrin vetëm me opinion!?
Është
hera e parë që po e rrëfej. - Shton disi i skuqur në fytyrë. -më shtyu biseda
jote ta kujtoj. Nuk di në bëra mirë apo keq, por u përpoqa të mbroj bindjet e
mia. Edhe tani dridhem kur e mendoj ato çaste. Ndoshta duhet të isha treguar më
i përmbajtur. Njeriu qenka i çuditshëm, lajthit ndonjëherë!
Mbase
edhe unë që po shkruaj këto pak fjalë, do të kisha heshtur, sikur të mos
kujtohesha për këtë “ngjarje”, për ta vendosur në librin monografi, kushtuar
mësuesit matematikan, Fiqiri Resulaj. Është pjesë së jetës së tij të pasur,
tipar që zbukuron cilësitë njerëzore, si stoli e lakmuar nga të gjithë.
I
tillë ishte miku ynë Fiqiri Resulaj, jashtë matematikës.
Kadri Tarelli
Qershor 2023.