Speciale » Basha
Sabile Basha: Ankthi i fundit i Nënës
E shtune, 22.10.2022, 07:58 PM
ANKTHI I FUNDIT I NËNËS
Nga
Sabile Keçmezi-Basha
Ajo
qëndronte e shtrirë në shtratin dysh. Me të madhe djersitej dhe gati-gati nuk
dinte asgjë për veten. Asgjë nuk i kujtohej se çfarë i kishte ndodhur, ama bash
asgjë. Vetëm si në ëndërr dëgjonte jehun e telefonit që i bëhej se vinte nga
kati i parë i shtëpisë. I bëhej se ai telefon cingëronte pandërprerë. Dhe
kishte ditë të tëra që i përsëritej kjo cingërimë, ajo e dëgjonte edhe kur
ishte në gjumë, por edhe kur ishte zgjuar. I kujtohej asaj, ashtu në kllapi, se
burri nuk do t’i kthehej më. Në çast trembej dhe pëshpëriste në gjumë:
-
Oh, ai... çfarë i bënë... Jo... nuk do ta shoh më kurrë... Ajo qëndronte e
shtrirë në shtrat dhe pa dashur, si në një ekran të zbehur, i dilnin ditët kur
kishte qenë... kur kishte qenë fëmijë dhe për shumë ditë jetonte vetëm me të
kaluarën. Në mes kllapie që ndodhej, përsëri dëgjonte cingërimën e telefonit
dhe ashtu e mllefosur nga kjo cingërimë bezdisëse, thërriste me një zë të
mekur:
-
Edhe ky telefon, ç’ka që cingëron në këtë natë të rëndë...? - Dhe, o Zot,
pëshpëriste në vete, - Kur... kur... do të ndalet ky telefon i mallkuar?
Ajo
edhe më tej kishte zjarrmi. Përpëlitej në shtrat, e larë në djersë, ndërsa
telefonin, që përsëri i dukej se cingëronte, o Zot, nuk kishte kush ta ndalte.
Njëherë tentoi me tërë fuqinë që të ngrihej, por duart e trupi e tradhtuan. Nuk
kishte as më të voglën fuqi që të ngrihej. As duart e as trupi kishte kohë që nuk i bindeshin... Nga ajo
ty-ty monotone i dhembnin tëmthat, i pëlcitnin timpanet e veshëve, dhe ashtu
padiktueshëm filloi t’i dhembte me të madhe koka dhe nisi përsëri t’i rikthehej
edhe vjellja nga natë e kaluar. Me një mund të madh mblodhi forcat që së paku
të merrte një pikë ujë që të shpëtonte nga alivani e sigurt. Për të mos dëgjuar
zilen e telefonit, kokën e mbulonte me jorgan, e më vonë edhe jastëkun me pupla
e hidhte mbi të, që vetë burri ia kishte sjellë nga udhëtimet e shumta që bënte
në vende të ndryshme. Kishte pasur shumë kohë që ajo nuk pajtohej me gjumin.
Shpesh i vinte gjumi... por atë e përqeshte, e varte në raftet e librave dhe i
qiste gjuhën, duke e përqeshur... E ajo me sy të ënjtur, mundohej ta zinte,
duke numëruar dele në fushë e nganjëherë i kishin thënë që të numëronte kokrra
të orizit për t’u pajtuar me gjumin. E tani, që kishte mbetur fillikat në
shtëpi, çdo gjë i sillej... i sillej vërdallë, që i ngjante në rulet të orëve
të vona të kazinove të qytetit...
Edhe
më tej, dëgjonte cingërimën e telefonit. Po, ajo cingërimë e mallkuar e
shqetësonte tej mase, e frikësonte dhe e tmerronte. Jehu i tij depërtonte nga kati i parë dhe ngjitej në
katin e dytë, me ngadalë ngjitej shkallëve, zvarritej si fëmija në këmbë e
duar, me gjasë, diku edhe pushonte, në korridorin e gjerë pakëz merrte frymë
dhe vazhdonte më tej... së paku kështu asaj i ngjante. Dhe si ndonjë hajn i
rryer, depërtonte nëpër vrimë të çelësit të derës, e griste terrin, pastaj
pushonte mbi jorgan dhe me një shpejtësi të paparë, hynte nën jastëk, puplat i
shpërndante në tërë dhomën dhe si hapat e pritjes, i ushtonte në kokë:
cingërrrrrr... cingërrrrrr...
Nuk
ishte e vetëdijshme se kishte zjarrmi, edhe pse shtati i digjej si furrë.
Herë-herë djersët e ftohta i mbulonin ballin dhe balluket e holla i ngjiteshin
si tatuazh në fytyrë. Me një faculetë të bardhë si borë, herë pas here i
fshinte ato. Kishte kohë që faculeta i ishte bërë qull... por ajo vazhdonte ta
përdorte. Edhe fustani i natës prej pambuku të butë i ngjitej për trupi. Donte
të ndërronte fustanin, por... ku të gjente atë tjetrin për të veshur. Nuk i
kujtoheshin as dollapët që i kishte të rregulluar si një paketë duhani. Donte
të vishte diç të terur, por... nga trupi ndihej e tradhtuar. Nuk bënin punë as
dëshira e as forca që i kishin ngelur. Në dhomën me një dritë të zbehur, që
vinte nga një llambadar i vjetërsuar, mundohej të sillte ndërmend qe sa kohë
ndodhej në këtë gjendje. Dikur filluan t’i faniteshin njerëzit që dikur i
kishte pasur pranë vetes. Burri i buzëqeshte, i shtrinte dorën dhe i thoshte:
-
Ngrihu nga shtrati, moj gjumashja ime e bukur, - e ajo qeshte me të madhe, duke
i shtrirë dorën njeriut që e kishte dashur... dashur... shumë... shumë. Por,
për çudi, në çast iu kujtua se asnjëherë nuk i kishte thënë se sa shumë e
donte... dhe se sa shumë i mungonte kur shkonte diku larg... larg... Për të
larg ishte edhe kur shkonte në punë, në fshat apo edhe në ndonjë udhëtim
zyrtar. Vetëm tash e hetoi se sa gjëra të bukura kishte lëshuar nga jeta...
Vetëm tani e hetoi se sa e lumtur paskësh qenë dikur... Dikur, e tha me gojën
plot. E mirë, kur ishte ajo? E pyeti veten... por ngeli pa përgjigje.
Sonte,
në shtrat iu fanitën dy vajzat dhe tre djemtë, që e përqafonin pa pushuar.
Përqafimi i tyre i sillte kënaqësi dhe ngrohtësi të pazakontë. Sa mirë e
ndiente veten.
-
Largomi gërshetat nga fytyra, - i thoshte së bijës, –Më vjen shumë nxehtë, e
bukura nënës, - dhe hidhte me duar djathtas e majtas. Përnjëherë iu kujtua edhe
nëna e sëmurë, që qëndronte në shtrat. E më vonë, shumë më vonë... iu kujtuan
trenat që shkonin përplot me njerëz dhe ktheheshin të zbrazur, për t’u ngarkuar
përsëri me të dëbuar. Iu kujtuan ikjet... rrugëtimet e gjata, shtëpitë e
ndezura flakë, vaji i fëmijëve, vrasjet... vrasjet e njerëzve më të dashur.
Njerëzit me maska e frikësonin. Ata ishin edhe me shami rreth koke, i kujtohej
asaj si në mjegullnajë, se si ia kishin marrë burrin, ia kishin rrahur me
dymçik dhe e kishte parë me sytë e vet se si gjaku i kishte shkuar fytyrës, ata
donin ta rrëzonin përdhe, por ai qëndronte. Ata përsëri tentuan dhe përsëri
tentuan... dhe në fund u dëgjua një krismë, dy krisma... pastaj u dëgjua
rafali... dhe... ajo bërtiti sa mundi, e mbuluar me jorgan deri në grykë...
-
Mos... mooooosni... atë... - thirri si e çmendur.
Jorgani
i fluturoi nga fundi i shtratit duke u përpëlitur për t’u mbrojtur. Një
flakaresh dhe një shtyrje e egër që i bëri fantazma me maskë, e trandi nga
ankthi. Ajo u zgjua.
-
O Zot, çfarë po ndodh kështu me mua?! Me gjasë kam filluar të çmendem, - tha me
vete, por nga shtrati nuk lëvizi.
Pastaj
erdhi dita tjetër... Më vonë erdhi edhe nata që i ngjante natës së kaluar, e
zezë - skëterrë. Përsëri filloi të fliste përçart, por askush nuk e kuptonte.
Fjalët i ngelnin përgjysmë, e humbnin kuptimin dhe nuk kishin lidhje me
njëra-tjetrën.
-
E sheh sa zjarrmi ka, - tha një e afërme e saj që i qëndronte tek koka.
-
Preke... preke, e sheh si digjet e shkreta, - shtoi tjetra që ishte më e
moshuar se e para dhe me dorë i fërkonte ballin. Herë pas here i ndërronte
peshqirin e lagur me ujë të ftohtë.
Në
katin e parë, telefoni përsëri cingëronte. Teli i kufjes, gruas së shtrirë i
ngjante në një gjarpër, i cili pastaj i shndërrohej në një tren të gjatë, i lodhur nga vajtje-ardhjet, e më vonë i
shndërrohej në një kolonë njerëzish që tërhiqnin këmbët e këputura nga lodhja
dhe shkonin zvarrë duke ikur nga ajo... dhe nga oborri i shtëpisë...
-
Jo... nuk i dua trenat... jo... jo... nuk i dua ikjet... Mos... mos e merrni...
mos... fëmijët... jo... burri... oh, e mjera unë..., - dhe, e larë në djersë,
qetësohej përnjëherë sikur ta kishte
lënë shpirti i saj i lodhur.
Gruaja,
që ishte më e re, i solli një bokall me ujë, i hodhi fytyrës së zbehur. E
mbuloi me jorganin ngjyrë qielli, që kishte filluar t’i humbte edhe ajo dhe të
merrte një ngjyrë që shkonte nga e kafta.
Pas
një kohe, përsëri temperatura u ngrit, fytyra iu mërdhez. Ajo e skuqur në
fillim ia kaploi qafën, duart dhe më vonë ia përfshiu tërë trupin e mekur.
Buzët në fillim morën ngjyrë vjollcë, pastaj kaluan në teget të murrme dhe
ngadalë filluan t’i pëlcisnin. Nga ato buzë të ënjtura filluan të dukeshin
pikëza të kuqe gjaku.
Kishte
kohë që vetëdija i kishte dalë jashtë kornizës së memories, pastaj me nxitim i
iku edhe nga dhoma. Kujtesa e saj bënte rrugën e kalit të Konstandinit në një
hapësirë jashtë kohës së vet. Mbi shtrat, ndoshta për të fundit herë, me një
entuziazëm të paparë i vallëzonte fëmijëria me këmbë të zbathura. Fëmijëria e
saj..., e pafëmijëri. Nganjëherë i afrohej shumë pranë dhe i qiste gjuhën, ia
zgurdullonte sytë e skuqur nga vaji dhe e përqeshte gjer në çmendi. Me duar
mbrohej nga ajo. Mundohej të fshihej në fund të botës dhe në fund të shtratit.
Nganjëherë donte të kacafytej me të... t’i tregonte se sa e padrejtë kishte
qenë me të... Ta shporrte nga shtrati dhe nga dhoma. Por... si se, kishte kohë
që i mungonte fuqia aq shumë e kërkuar... E ajo, sa e pashpirt ishte fëmijëria
e saj. Përdridhej mbi shtrat, herë hipte mbi komodinë dhe i tregonte me duar se
ende... ende... do të hakmerrej... Për çfarë se..., pse e tërë kjo urrejtje
ndaj saj, mendonte gruaja.
Nga
orët e hershme të mëngjesit, zjarrmia u bë edhe më e padurueshme. Filloi me
paturpësi t’ia guduliste këmbët, e më vonë filluan t’i mpiheshin tërësisht dhe
pas pak nuk i ndiente se i kishte të vetat, ashtu qetas, filloi pjesë-pjesë ta
hidhte në një delir të çmendur...
Telefoni
edhe më tej cingëronte... në katin e parë.
Ajo
dridhej. Morgu i doli përpara. Para saj qëndronte babai i shtrirë dhe me faqe
të mbufatura të bëra mavi. Ashtu siç ishte, i buzëqeshi trishtueshëm.
-
Më sheh, se si më bënë mbrëmë. Ata... ata... njerëzit hije. Kërkuan nga unë që
të flisja. Çka të flisja... Të tregoja kush ka armë... kush ka shpërndarë
afishe... Kush ka dalë në male... Jo, unë nuk fola... vogëlushja ime... E
sheh... e sheh se si më kanë bërë... - i thoshte babai me zë të mekur dhe me sy
të mbyllur vazhdonte të buzëqeshte trishtueshëm. Ajo përsëri dridhej. Jo nga frika,
se frikë nuk kishte pasur kurrë nga njerëzit që i donte. Dridhja i erdhi nga të
ftohtët që ndjeu në morgun-akull. Duart, ato duar përsëri i shtriu nga babai
dhe deshi ta përkëdhelte. Deshi t’ia pastronte plagën që e kishte mbi qepallë.
Deshi t’ia ngrohte duart me hukamë të kuqe. Por, duart e shtrira i ngelën të
zbrazura. Ai u zhduk përnjëherë, dhe më... më..., nuk ishte aty... Dikush ia
kishte grabitur. Më kot e thirri:
-
Baba... ku je... ku shkove... dil... se unë jam... bija jote, - zëri i
trishtuar i saj theu heshtjen shekullore që mbretëronte në atë morg të mbushur
me plot njerëz nga të gjitha anët e Kosovës, që i kishin shkallmuar e vrarë me
plumba, ata që kishin ardhur nga larg - njerëzit fantazma. Në derë u duk Tanati
i zi, me plot çelësa në duar. Dryna të mëdhenj e të vegjël mbante në pëllëmbën
e dorës. Ajo i kishte zgurdulluar sytë tej mase. Kurrë nuk kishte parë aq shumë
çelësa në një vend. Kurrë nuk kishte parë çelës sa një kokë elefanti. Deshi të
ikte... të fshihej...të kërkonte babin. Por, grilat i zunë pritën. Grila të
zeza, që shtoheshin vazhdimisht, të gjata e të pandërprera shtriheshin para
saj. Të pafund dhe të ftohta ishin. Të hekurta-çelik dhe nuk kaloheshin dot...
Në
një qoshe të morgut pa shumë çarçafë të bardhë, shumë rroba burrash dhe rroba
grash, që ishin të skuqura nga gjaku. Një qefin qëndronte pezull në ajër, pranë
dritares. E kuptoi se ajo ishte këmisha e babait që e kishte harruar duke ikur.
Ndjeu një rëndesë mbi supe. Ndjeu se si i theri palca kurrizore. Donte t’i
thyente ato grila, t’i griste ata çarçafë të panumërt. Donte të shihte babanë,
burrin, fëmijët që ishin të fshehur aty... diku... në dhomën e errët. Ajo
donte... shumë donte që vetëm edhe një herë t’i shihte... t’i përqafonte... por
flaka që i lëpinte trupin, nuk e lejonte të bënte asgjë më shumë... Çarçafë të
shumtë i mbyllnin rrethin, pastaj filluan ta mbështillnin edhe trupin e saj. Me
ngadalë ajo mori pamjen e një mumieje. Sytë e skuqur gjak i pikonin. Ajo filloi
të lemerisej, të tmerrohej, të shastisej në zbrazësi...
-
I urrej vdekjet... torturat... vrasjet... krismat e pushkëve, të topave... të
bombave... dhe përsëri u humb në errësirë...
Telefoni
përsëri cingëronte. Sa vajtueshëm cingëron, mendoi ajo...
Këtë
herë gjumi filloi t’i sillej vërdallë. Nga dritaret fillo t’i afrohej Hipnosi, i cili ndjeu dhembje për gruan e
gjorë. Me gjasë iu kujtua se me vite e kishte kuruar. Nga qoshja që e
vështronte, iu fut nën jastëk prej puplave, e më vonë e rëndoi mbi qepallë.
Deshi t’ia pushonte dhembjet, t’ia shuante zjarrminë që nuk kishte të ndalur.
Deshi... deshi t’ia fisnikëronte dhembjen...
Kllapia
përsëri e përpiu. Fustani i bardhë i nusërisë i doli nga dollapi,
-
Më vish, moj, më vish..., - i tha, - Sa kohë ka që nuk më ke përdorur. Pse
sillesh me mua si me një gjë të neveritshme? - i fliste fustani tanimë i
rrudhur nga vitet.
I
erdhi keq nga ai. U tremb. Po, më vonë ndërroi mendje, futi krahët në të me
ngadalë. Thua se nuk donte ta lëndonte. Me dorë e lëmonte mëndafshin e butë, që
u tremb për një çast, kur pa pika të kuqe gjaku.
-
Ti je... shpirti i mamit... çfarë të kanë bërë... më thuaj, njëherë... Si
vritet fëmija...?! - klithi. Edhe më tej e përkëdhelte dhe lotët i shkonin
faqeve. Mos... mos... më lër vetëm. E kishte lutur vogëlushen që po jepte
shpirt... Kishte qarë gjer në agimin e nesërm...
E
ata të gjithë shkuan, i vranë, i mbytën me plumba, me dajak e me sëpata...
-
Kjo nuk durohej më... - pëshpëriti gruaja që ishte më e moshuar.
-
Më thuaj, çfarë të bëjmë? - shtoi më e reja.
Përsëri
përpara i dolën: njerëzit, ikjet, trenat, arkivolet, vdekjet, shtëpitë e
djegura, çarçafë të bardhë, të kuq, autoblinda, aeroplanë... shumë aeroplanë,
ushtarë, vaje lebetitëse, paramilitarë dhe eksplodime që të zhbironin timpanin
dhe trupin. Iu kujtuan Tanatët, Karonët, ushunjëzat dhe Hadi me mbretërinë e
tij... dhe shumëçka tjetër...
-
Qajnë njerëzit... ikin ... pse, vallë, qajnë... pse ikin... ku shkojnë,
vallë... kështu të rraskapitur, - pëshpëriste gruaja e mbuluar me jorgan.
Koka
i ushtonte, dhembje të padurueshme kishte në të... Njëherë i kishte shkuar
mendja ta shkokëlonte atë kokë migrenoze, me duart e veta. Dhe mendonte ta
rrokulliste shkallëve teposhtë, si një topth bejsbolli, por nga sëmbimi i
dhembjes ndërroi mendje.
-
O Zot, sa të rëndë e kam kokën, pëshpëriti dhe humbi në labirintet e kohës së
shkuar... dhe si në një abis u rrokullis përsëri në humnerë, që ishte e
rëndomtë për brishtësinë e saj. Përsëri filloi të fliste përçartë, për gjërat
që vetëm asaj i faniteshin si storie të zbehura.
Telefoni
edhe më tej cingëronte...
Ajo
lëvizi duart, pastaj buzët... por zëri nuk i doli... ngadalë, por dhembshëm i
shikoi dy gratë që i qëndronin pranë dhe ashtu qetas i mbylli sytë. Një ngjyrë
limoni i ra fytyrës. E tëra përnjëherë u ftoh, u bë kallkan. Dy gratë u shikuan
trishtueshëm mes vete dhe mbuluan fytyrën e saj të bërë dyllë me një shami -
behar.