Speciale » Basha
Sabile Basha: Jugosllavia përballë lëvizjeve ilegale shqiptare në Kosovë, 1945-1981
E merkure, 04.08.2021, 08:20 PM
JUGOSLLAVIA PËRBALLË LËVIZJEVE ILEGALE SHQIPTARE NË KOSOVË, 1945-1981
Nga Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në botën
shqiptare ekzistonte një program kombëtar i ruajtjes së tërësisë tokësore të
atdheut, dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin hartuar gjithë
programet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vijim. Ky qëllim programor, i
Lëvizjes Kombëtare mbeti i pandryshuar në thelb, sepse buronte nga e drejta
legjitime dhe e natyrshme e tyre për të qenë të barabartë me popujt tjerë.
Menjëherë pas Kuvendit të Prizrenit, 1945, në
ilegalitet të thellë filluan të vepronin organizatat e shumta patriotike
ilegale shqiptare, si: Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare[1],
Besa Kombëtare[2]
dhe disa të tjera pak më të vogla. Veprimtaria patriotike ilegale në Kosovë,
nuk ishte diçka e re, ajo ishte
vazhdimësi e lëvizjeve të mëhershme patriotike, të cilat ishin përpjekur që taktikën dhe strategjinë e vet, si dhe
platformën ideo-politike t’ua përshtatin rrethanave e momentit aktual,
lëvizjeve politike dhe ngjarjeve në vend e në botë, në mënyrë që të kishin
sukses, dhe, jehonë më të madhe në realizimin e qëllimeve të tyre.
Lëvizja patriotike shqiptare ilegale në
Kosovë kishte një
shtrirje të madhe në kohë dhe në hapësirë, që përfshinte vitet 1945-1998, me
aktivitete dhe me problematikë të larmishme, me momente kulmore dhe herë-herë
shpërthyese, që dilte nga suazat e ilegalitetit, si në vitet 1968, 1981, 1989
dhe në fund më 1997-1999, kur iu vu ballë për ballë regjimit të Beogradit.
Në një dokument “Top sekret”, të Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe të Sekretariatit Republikan të Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër 4000/1, tetor 1986, bëhej analiza e shkaqeve dhe e burimeve të ripërtëritjes së organizimit ilegal të shqiptarëve në ish-Jugosllavi[3]. Duke iu referuar dokumentit, shihet qartë se aktiviteti ilegal i shqiptarëve kishte filluar t’i nxiste organet e punëve të mbrendshme të bënin analiza që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, domethënë që nga viti 1945, kur Kosovën me tradhti e kishte aneksuar Serbia. Në bazë të dokumentit, konstatojmë se populli shqiptarë edhe si individ por edhe si kolektivitet përcilleshin, përgjoheshin dhe anashkaloheshin me qëllime të caktuara.
Sipas një Rekapitulimi të UDB-es më 1947, në
Kosovë nga viti 1945- 1947, vepëronin rreth 55 grupe të armatosura të
udhëhequra nga një elitë patriotësh, që përfshinte një numër prej 60 vetash[4].
Ata, ishin persona me autoritet dhe
gëzonin rrespektin e masave të gjëra. Këto 55 grupe, rrethë vetes grumbullonin
më tepër se 1.375 veta të armatosur[5].
Mirëpo efektivin e luftëtarëve më të pa kompromisë kundër pushtetit jugosllav e
përbënin 375 veta[6].
Po gjatë kësaj periudhe, sipas një dokumenti të botuar, që na i sjell
hulumtuesi i palodhur, Prof.dr. Qerim Lita, organet e ndjekjes arrestuan 356
veta. Të gjithë të arrestuarve iu shqiptuan 1. 227 vjet burg dhe 38 veta u
dënuan me pushkatim[7].
Edhe pse u zbuluan dhe u dënuan shumë anëtarë të organizatave, megjithatë, shumica e anëtarëve mbeti e pa zbuluar dhe në
vitet në vazhdim zhvilluan aktivitet të dendur ilegal në organizata të ndryshme,
të cilat ishin vazhdimësi e “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, por me
emra të tjerë.
Pastaj, llogaritej se, vetëm në periudhën 1947-1960, nga ana e organeve
të ndjekjes të Jugosllavisë, në Kosovë janë zbuluar 69 grupe e organizata
ilegale me mbi 600 anëtar. Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar mbi 420 veta
ndërsa janë dënuar 250 anëtarë[8].
Me zbulimin e këtyre organizatave dhe me
arrestimin e disa nga anëtarët e tyre, nuk do të thotë se edhe aktiviteti i
tyre patriotike do të shuhej. Përkundrazi, dita më ditë veprimtaria patriotike
masivizohej dhe në rrjetin e saj hynte inteligjenca e mirëfilltë shqiptare[9].
Aktiviteti i këtyre organizatave kishte
vazhduar deri më 1968, kur edhe e tërë puna e tyre kurorëzohet me sukses, me
daljen e studentëve në demonstratat. Mu këtu edhe lind kërkesa popullore “Kosova-Republikë” dhe kërkesa
për vetëvendosje[10].
Veprimtarinë patriotike të këtyre grupeve në
këtë periudhë, posaçërisht gjatë viteve 1979-1980, e karakterizojnë përpjekjet
e tyre për ndërlidhjen aksionale dhe
lidhshmërinë organizative, masivizimin, ngritjen dhe aftësimin ideopolitik të
anëtarëve nëpërmjet leximit të
literaturës patriotike, kryesisht të marra nga shteti amë-Shqipëria[11].
Gjatë kësaj periudhe aktiviteti më i dendur që u zhvillua në organizatat
ilegale ishte realizimi i shkrimit dhe shpërndarja e flet-thirrjeve për të
punuar për çështjen dhe lirimin e Kosovës nga robëria.
Sipas të dhënave të organeve të SPB-së të
Kosovës, në periudhën 1974-1981, kundër 140 personave është ngritur aktakuza
penale, prej tyre janë dënuar 89 persona në kohëzgjatje prej 1-15 vjet burgim të
rëndë, 40 veta janë dënuar me kundërvajtje, 453 personave i është tërhequr
vërejtja për veprimtari ilegale, kurse për 51 veta është ndërprerë aktakuza për
shkak të rrethanave të ndryshme[12].
Por e verteta është ndryshe, se sipas
hulumtimeve që kam bërë në arkivat e gjykatave të qarqeve në Kosovë të dhënat
janë kokëforta dhe dëshmojn një të vërtet tjetër.
Patjetër duhet theksuar se, në popullsinë e gjithmbarshme të ish-Jugosllavisë shqiptarët merrnin pjesë me afro 12%, kurse në numrin e përgjithshëm të të dënuarve politikë me mbi 90%[13]. Pra, vetëm në burgje shqiptaret ishin shumicë. Nga viti 1945-1990 u dënuan me burgim të rëndë mbi 9.220 (7.684+1536) persona, të cilëve iu shqiptuan mbi 66.672 vjet e 7 muaj burgim, apo shndërruar në shekuj shqiptarët gjatë regjimit të egër jugosllav u dënuan me 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burg[14]. Sipas analizës së të dhënave, mesatarja e dënimeve me burgim që u ishin shqiptuar shqiptarëve për “vepra penale politike”, ishte 7 vjet e 1 muaj[15]. Nëse kjo mesatare e dënimeve shumëzohet për 3.348 veta, që ishin të dënuar brenda viteve 1981- 1990, del se vetëm në këtë periudhë shqiptarëve u ishin shqiptuar rreth 23.770, vjet e 8 muaj burgim. Nëse këtij numri po ashtu ia shtojmë edhe rreth 1.232 vjet burgimi që u ishin shqiptuar rreth 10.000 shqiptarëve në procedurë kundërvajtëse, del se gjatë kësaj periudhe për vepra penale politike dhe për kundërvajtje politike ishin shqiptuar gjithsej 25.002, vjet e 8 muaj burgim[16]. Në këtë periudhë gjithashtu u dënuan 1.346 ushtarë shqiptarë, ndërsa 63 u vranë në kazerma ushtarake[17]. Vetëm gjatë vitit 1981, (sipas të dhënave arkivore), kuptohet pas 11 marsit, në mbarë Kosovën gjykatat e qarkut në Prishtinë, në Gjilan, në Pejë, në Prizren dhe në Mitrovicë do të organizojnë mbi 36 procese gjyqësore politike në të cilat do të dënohen mbi 297 veta, me 1, 6 deri në 15 vjet burgim të rëndë[18]. Nga policia prej marsit 1981 deri në tetor 1989 u trajtuan 584.373 shqiptarë[19]. Ndaj tyre u përdor dhuna prej kërcënimeve deri në rrahje të shkallës së humbjes së vetëdijes, apo deri në mbytje të personit e rastet e tilla nuk ishin të rralla. Ndërsa nga viti 1945-1990 u dënuan me pushkatim 202 veta, ndërsa u likuiduan mbi 752 veta[20].
Do theksuar se edhe brenda organizatave
politike të kohës kishte dallime rreth artikulimit programor, se cila ishte
platforma më e mundshme dhe më e përshtatshme që duhej të përdorej për
rrethanat e kohës, për të ardhur deri te një strategji e përbashkët veprimi.
Dallimet konsistonin në atë se si duhej t’i qaseshin zgjidhjes së çështjes
kombëtare, ngase veprimtaret e ilegales asnjëherë në qëndrimet e tyre nuk ishin
dogmat, por varësisht prej rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, krijonin edhe
qëndrimet e tyre. Këtë të dhënë, më së miri e dëshmon evoluimi i qëndrimeve
rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës në situata të
caktuara, që do i paraqes, të përmbledhura në tre opsione[21]
si:
1. Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me
Shqipërinë;
2.Bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në
një republikë brenda Jugosllavisë dhe
3. Republika e Kosovës[22].
Që të tri këto opsione të shtruara nga
veprimtarët e ilegales të Lëvizjes Kombëtare, në periudha të ndryshme kohore,
kishin edhe bartësit e vet ideor. Opsionin
e parë për bashkimin e trojeve shqiptare
me Shqipërinë në programin e saj e kishte paraparë LNDSH[23],
Besa Kombëtare[24],
Partia Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Etnike me Shqipërinë” (1958)[25];
“Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare” (1959); “Komiteti për bashkimin e Kosovës me
Shqipërinë“ (1960) ,, Grupi Revolucionar”[26], “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e
Shqiptarëve” (1963). OMLK e dhe Lëvizja
Nacionale për Çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi. Që të gjitha këto organizata ishin vazhdimësi e
lëvizjeve ilegale për çlirim kombëtar qysh nga Lidhja e Prizrenit (1878) e
këndej[27].
Opsionin e dytë e kishte
paraparë organizata “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në
Jugosllavi”, e cila në programin e saj parashihte bashkimin e të
gjitha trojeve ku shtriheshin shqiptaret në një republikë në kuadër të RSFJ-së[28].
Opsioni i tretë, apo zanafilla
e idesë për Republikën e Kosovës ishte shpalosur fillimisht me demonstratat e
vitit 1968[29].
Por si më e sforcuar u paraqit në formë të plotë, në periudhën e demonstratave
të vitit 1981[30]
e 1989. Kosova-Republikë, pas shumë bisedimeve në mes të veprimtarëve
të Lëvizjes Kombëtare ilegale, ishte kërkesë e të gjitha grupimeve ilegale pas
vitit 1968, 1981, 1989, që më vonë do të bëhet kërkesë e gjithë popullit
shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera jugosllave të banuara me shqiptarë[31].
Mirëpo, pas ndryshimeve të shumta politike që pasuan në mes viteve 89-99 të shekullit të kaluar, veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që vepronin në ilegalitet, por edhe ata që vepronin në parti të ndryshme politike legale që u formuan gjatë kësaj periudhe, duke e par dhe hetuar ndikimin e faktorit të brendshëm dhe të atij ndërkombëtarë, në qëndrimet e veta filluan të bënin korrigjime në qasje dhe në organizim.
Programet politike e kombëtare dhe mjetet e
format e luftës me të cilat parashihej të arriheshin qëllimet e saja, në esencë,
kishin mbetur të pandryshueshme gjatë gjithë historisë së lëvizjes kombëtare.
Por, forma më e lartë e rezistencës, lufta e armatosur, ndonëse ishte pjesë e
programeve, por edhe e praktikës historike të lëvizjes kombëtare, arriti të
zbatohej në tërë kuptimin dhe gjerësinë e saj, vetëm në vitet e nëntëdhjeta të
shekullit të kaluar, atëherë kur u krijuan kushtet e brendshme dhe të jashtme
për të, kur u poqën faktorët subjektivë dhe objektivë të lëvizjes. Brezat e
mëparshëm të lëvizjes ilegale, nuk mund ta bënin këtë, në Jugosllavinë stabile
e me prestigj ndërkombëtar dhe në rrethanat e luftës së ftohtë. Megjithatë,
lufta çlirimtare përgatitej dhe zhvillohej shkallë-shkallë përballë valëve të
egra të dhunës që ushtronte pushtuesi.
Ky besim dhe ky angazhim i pa kursyer i
ilegales dhe besimi i madh në popullin e vet, ndikoi që të formohej edhe
UÇK-ja, ngase çdo organizatë shqiptare ilegale në ish Jugosllavi, në programet e tyre, përveç zgjidhjes paqësore të
çështjes shqiptare, ato parashihnin edhe zgjidhjen me luftë. Andaj, dalja në
skenë e UÇK-së nuk ishte e rastësishme dhe se ishte krahu më i natyrshëm i
Lëvizjes Kombëtare në Kosovë që nga viti 1945[32].
Lufta e Kosovës nën udhëheqjen e UÇK-së, dhe ndihma e madhe nga faktori
ndërkombëtar që sollën lirin që ne sot e gëzojmë, dëshmon dhe provon se ishte
vepra më madhore e të gjithë atdhetarëve
që u angazhuan për Pavarësinë e saj duke mos kursyer as jetën e tyre.
[1]Arkivi i Kosovës, Dosja: LNDSH, Procesi gjyqësor i Halim Spahisë, Gj.nr.
17/45
[2]Organizata patriotike “Besa Kombëtare” u formua me 28
nëntor 1944, ne fshatin Abria e Epërme të komunës së Skenderajt, ne ndërtesën e Shkollës fillore te këtij fshati. Profesor Ymer
Berisha, me shumë patriot dhe me shumë nxënës të Shkollës Normale-Gjimnazit
“Sami Frashëri” kishin ardhur nga Prishtina, për të organizuar dhe mbajtur:
Kuvendin e parë të organizatës “Besa Kombëtare”
[3]Arkivi
i KQ të LKJ-së, Beograd. fondi. Kosova, (Komiteti Krahinor i
LKK). Dokument (top sekret), Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme, nr.
4000/1.
[4] Sinan Hasani, Kosova,
të vërtetat e mashtrimet, Prishtinë 1986, 139
[5] Muhamet
Pirraku, Mulla Idriz Gjilani, Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951,
Prishtinë 1995, 323
[7] Qerim Lita, Referat për Komitetet Nacional Demokratike
Shqiptare, Prishtinë, 2009, 20-22
[8] Stane Dolanc, Vejnovi? Z., Snage, sredstva i metodi
spoljnog ugrožavanja SFRJ, Borba, Beograd 1985.
[9] Sabile Keçmezi-Basha, Pavarësia e Shqipërisë, si pike
referimi për ilegalen shqiptare në Kosovë 1945-2990 (Zëri, 22-25 shkurt, 2008)
[10] Sabile Keçmezi-Basha, rrugë e vështirë deri te
Demonstratat e vitit 1968, (Lajm, 6 tetor-3 nlntor 2008)
[11] Ethem Çeku, Shekulli
i ilegales, Proceset gjyqësore kundër ilegales në Kosovë (Dokumente),
Prishtinë, 2004, 41
[12] ????? ?. ??????????, S????? ????????????? ????? ?
???????? ?????? 1974-1989, Beograd, 2018,150-152
[13] Pajazit Nushi, Fenomenologjia e dhunës
ushtarake-policore në Kosovë në vitet 1981-1992, (Çështja e Kosovës- Një
problem historik dhe aktual), Prishtinë 1996, 285; Ngjarjet në Kosovë nuk janë
kundërrevolucion, Broshur, Tiranë, 1986, 134
[14]Sabile Keçmezi-Basha, Të burgosurit politikë shqiptarë në
Jugosllavi, 1945-1989, Prishtinë, 2009, 60
[15] Dokument i Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme
(Shërbimi I Sigurimit Shtetëror), (tepër rezervë). Analiza mbi shkaqet dhe
burimet e ripërtëritjes së irredentes, me theks të posaçëm në çështjet e
diferencimit politik, evitimit të indoktrinimit dhe pozicionet e mundshme
irredentiste në lëmin e arsimit, kulturës dhe në disa veprimtari të tjera, nr.
4000/1. (Materiali I cituar thuhej se kishte vetëm 3ekzemplar), Prishtinë,
tetor 1986
[16] Po aty
[17] Ismet Salihu, Ndjekjet penale politike masive të
pushtetit serb ndaj pjesëtarëve të popullit shqiptar me elemente të gjenocidit
në funksion të rrënimit dhe të mohimit të subjektivitetit politik dhe kulturor
të Kosovës ( Gjenocidi dhe aktet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve
nga Kriza Lindore e këndej), Prishtinë 1995, 218
[18] Sabile Keçmezi-Basha, Organizatat dhe grupet ilegale në
Kosovë 1981-1989, (Sipas aktgjykimeve të gjykatave ish-jugosllave), Prishtinë,
2003, 73
[19]Deklaratë e Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme
në Kuvendin e Kosovës, 1989
[20] Sabile Keçmezi-Basha, Të burgosurit politikë shqiptarë
në Jugosllavi, 1945-1989, Prishtinë, 2009, 449
[21] Sabile Keçmezi-Basha, Pavarësia e Kosovës dhe veprimtarët
ilegal të Lëvizjes Kombëtare, Epoka e Re,
23 korrik 2009
[22] Ethem Çeku, Kosova, Në sfondin e
diplomacisë Jugosllave dhe të Shqipërisë 1945-1981, Prishtinë, 2009, 303.
[23] Procesi gjyqësor Prizrenit, dos. Gj.nr. 17/45; Programi Politik i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, Arkivi i
Kosovës, dos. Formimi i ONDSH, 1946
[24] Sabile Keçmezi-Basha, Lëvizja ilegale për bashkimin e
Kosovës me Shqipërinë, 1945-1998, Epoka e Re, 28-29 korrik, 2017
[25] Programi i
Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare, 1964, Gjykata e
Qarkut, Prishtinë, Lëndë penale
politike (Arkivi i Kosovës).
[26] Programi
Politik “Në rrugë drejtë lirisë” 1977-1978, Arkivi personal –
Mehmet Hajrizi.; Mehmet Hajrizi,
Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë 2008, f. 119
[27] Sabile Keçmezi-Basha, Evoluimi i kërkesave të ilegales
shqiptare për bashkim kombëtare, 1945-1999, Konferencë Ndërkombëtare , Qendra e
Studimeve Albanologjike. 26-28 nëntor, 2012. Tiranë.
[28] Arkivi i Kosovës, dos. Gjykata e Qarkut-Prishtinë, PP.nr. 152/82;
PP.nr.198/82; PP. Nr.66/82
[29] Arkivi i Kosovës, Dos. Programi Politik i Demonstratave 1968, Prishtinë 1968.
[30]Arkivi
i Kosovës, Procesi gjyqësor i grupit
të parë të studentëve, që morën pjesë në Demonstratat e vitit 1981, d. PP.nr.
58.81, Gjykata e Qarkut, Prishtinë
[31] Protestat gjithë popullore, Kosovë 1989.
[32] James Pettifer, Ushtria
Çlirimtare e Kosovës (Nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit
1948-2001), Tiranë,167