Speciale » Basha
Sabile Basha: Dezinformatat e Beogradit kundër grupeve e individëve shqiptarë që vepronin kundër Jugosllavisë
E hene, 09.12.2019, 10:23 PM
(TOP SEKRET) DEZINFORMATAT E BEOGRADIT KUNDËR GRUPEVE E INDIVIDËVE SHQIPTARË QË VEPRONIN KUNDËR JUGOSLLAVISË
Nga Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Gjatë viteve 1980-1990 në mes udhëheqësve të Serbisë, e
Jugosllavisë- Beogradit e udhëheqësve të Prishtinës qarkullonin dhe lëshoheshin
shumë komunikata, informata, shkrime të ndryshme që kryesisht për opinionin e
gjerë kishin shenjën “Top sekret”. Më 7
shkurt të vitit 1980, Kryesia e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të
Jugosllavisë, Kabineti i kryesuesit, Anëtarëve
të Kryesisë të KQ të LKJ, sipas urdhrit të përfaqësuesit të Kryesisë të
KQ të LKJ, iu ishte prezantuar një informatë për veprimtarin armiqësore të grupeve e individëve nga pozitat e nacionalizmit shqiptarë dhe
irredentës dhe për masat e marra ndaj tyre.
Sipas shkrimit, thuhej se Informata (të cilën do e
trajtojmë në vazhdim), ishte formuluar në bazë të vlerësimit dhe
përfundimeve të Kryesisë së Komitetit
Krahinor të LKK-së dhe Kryesisë të KSA të Kosovës. Shifra e informatës
ishte 06. Top sekret, me nr. 4/4. E
kishte nënshkrua Shefi i kabinetit të
kryetarit të Jugosllavisë, Sllavko Toshiq, më 7.II. 1980, Beograd.
Në Arkivin e Kosovës duke hulumtuar për veprimtarin
ilegale patriotike të organizatave, grupeve e individëve, në fondin e Komitetit
Krahinor, hasa në këtë dokument-informatë që ishte “Top sekret” (“Rreptësishtë
e besueshme”) që e posedonin vetëm organet më të larta jugosllave.
I N F O R M A T Ë
PËR VEPRIMTARIN ARMIQËSORE TË
GRUPEVE E INDIVIDËVE NGA POZITAT E
NACIONALIZMIT DHE IRREDENTIZMIT SHQIPTAR DHE MASAT E NDËRMARRA NDAJ TYRE
Personat që jepnin këtë informatë për nevoja të brendshme
politike i informonin organet më të larta shtetërore se që nga maji i vitit
1979, në shumë vende në KSA të Kosovës, në mënyrë intensive është manifestuar veprimtaria propaganduese
armiqësore nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptarë.
Format e veprimtarisë propaganduese: Sipas informatës që e jepnin organet e pushtetit thuhej se kishte dy mënyra të veprimtarisë. Ato jepeshin në formë të shkrimit të parullave dhe në shpërndarjen e pamfleteve. Megjithëse, në Kosovë edhe më herët, theksohet në informatë se “ishin ballafaquar me veprimtari armiqësore nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptarë” kështu që mund të thuhet (pohonin informatorët), se edhe kjo është vazhdimësi e kësaj veprimtarie. Megjithatë në bazë të orientimit ideologjik dhe në kohën në të cilën ajo zhvillonte këtë aktivitet, kjo veprimtari karakterizohej sipas Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës:
Koha në të cilën ndodhnin këto ndryshime, karakterizohej
me periudha të spekulimeve intensive dhe
kalkulimeve të forcave armiqësore në Jugosllavi dhe në botë duke pasur parasysh
prizmin e ardhmënisë së vendit.
Pastaj vinin kundërshtitë e ndryshme sociale e ekonomike
dhe vështirësitë që e karakterizonin Kosovën (të shqiptarëve në
përgjithësi dhe në disa pjesët tjera të
Jugosllavisë). Të cilat rrjedhin nga prapambetja e trashëguar ekonomike si dhe nga zhvillimi i dobët i dinamikës së
përparimit, që dukshëm ndikon tek një numër i konsiderueshëm i të rinjve .
Shtimi i veprimtarisë
ideologjike-propagandistike-subversive
nga RP e Shqipërisë, e cila kryesisht është e orientuar ndaj Kosovës dhe
shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi, e cila tenton që të zgjoi vetëdijen
nacionaliste e irredentiste tek ata, thuhej në dokument.
Është shtuar aktiviteti i veprimtarisë të forcave
armiqësore në perëndim në raport me Kosovën, e veçanërisht organizatat e
ndryshme reaksionare të emigracionit shqiptarë, por në vitet e fundit edhe
“grupet marksiste-leniniste” nga të cilat disa nën ndikimin ideologjik edhe
janë në lidhje të vazhdueshme me PPSH.
Kryesia e KK të LKK në mbledhjen e saj të 26, të mbajtur
me 21 qershor 1979 dhe në mbledhjen e 28, të mbajtur me 6 shtator 1979, u
vlerësua kjo mënyrë e veprimit armiqësor dhe në bazë të saj e miratua një
informatë e gjerë në të cilën u dha vlerësimi i karakterit kontrarrevolucionar
e armiqësor i parullave dhe i veprimtarisë. U insistua në shtimin e punës
ideologjike dhe politike në përgjithësi, sidomos në mesin e të rinjve , në
shtimin e kujdesit dhe organizimit që të pengohet kjo mënyrë dhe organizimet
tjera armiqësore dhe të shpejtohet puna
ideo-politike dhe aktiviteti në përgjithësi për zbulimin e akterëve të
aktiviteteve armiqësore.
Debate të shumta lidhur me
informatën
Informata e lartë përmendur u shpërnda dhe u njoftuan të
gjitha Komitetet komunale dhe organizatat bazë të LK në Kosovë, dhe në bazë të
saj (informatës), ato bënë vlerësimin e situatës ideo-politike në komunat e
tyre. Ndërsa, lidhur me informatën e Komitetit Krahinor të LKK-së, u mbajtën
shumë mbledhje dhe u diskutua gjerësisht
me një numër të madh të të rinjve në Lidhjen e Rinisë Socialiste. U mbajtën
takime e këshillime me punëtorët e
arsimit dhe me punëtorë e qytetar anë e kënd Kosovës. Dhe sipas informatës
thuhej se “Në çdo rast kur paraqiteshin parulla ose pamflete me përmbajtje
antishtetërore, në masën më të madhe shqiptarët por edhe kombet e kombësitë në
të gjitha meset ku jetonin, reagonin dhe e dënonin ashpër veprimtarin
armiqësore” të shqiptarëve.
Aktivitetet që kishte marr pushteti
për ndalimin e veprimeve ilegale
Për ndalimin e kësaj mënyre të veprimit, organet përgjegjëse kishin ndërmarr një mori aktivitetesh dhe kishin angazhuar të gjitha “komitetet e MPMSH në krahinë. Me një bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim me organet e Punëve të Brendshme, të cilët intensivisht ishin të angazhuara në zbulimin e aktorëve të aksioneve armiqësore” thuhej në informatë.
Komiteti Krahinor i LKK-së informonte nëpër mes organeve
kompetente se “Në bazë të vlerësimit në Komitet për MPMSH në KSA të Kosovës,
organet e Punëve të Brendshme të krahinës morën masa që të ndërpresin
veprimtarin armiqësore dhe arrestimin e personave për të cilët kishin argumente
ose kishin dyshime për veprimtarin e tyre ose vepronin nga pozitat e
nacionalizmit”. Siç është e ditur,
UDB-eja, fillimisht me një numër të caktuar veprimesh ndërmori që
punëtorët e saj (operatoret) të zhvillonin bisedime informative ose biseda
politike me të rinjtë ose me prindërit e tyre, por që mos të ndermirët asnjë masë administrative” .
Arrestimet e policisë
Gjatë kësaj periudhe, (sipas të dhënave statistikore),
policia kishte deklaruar se kishte arrestuar një numër të caktuar (32 persona),
dhe i kishte dënuar penalisht, ndërsa ndaj 56 vetave kishte ngrit aktakuzë penale (nga të cilët 52
veta vetëm ndodheshin në burgun hetues)”, thuhej në dokument.
Mbledhja Kryesisë së KK LKK dhe e
Kryesia e KSA e Kosovës (22 dhjetorit 1979)
Kryesia e KK të LKK-së dhe Kryesia e KSA e Kosovës në mbledhjen e përbashkët të 22 dhjetorit 1979, e njoftonin KQ të LKJ-së dhe Kryesinë e RSFJ-së, se “përsëri bënë vlerësimin e veprimtarisë armiqësore nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptarë. I njoftonin me masat që kishin ndërmarr organet e Punëve të Brendshme për ndalimin e kësaj veprimtarie, dhe, edhe një herë verifikuan vazhdimësinë e detyrave ideo-politike si dhe masat e përhershme për ndalimin e këtyre veprimtarive armiqësore.
Me vlerësimin dhe konkluzionet e dy kryesive, në vazhdim
u zhvilluan debatet në të gjitha OTH të LK, si dhe në të gjitha organizatat bazë të LK, që për qëllim kishin
që edhe një herë ta shqyrtonin gjendjen
ideo-politike në terrenet e veta. Procesi i diferencimit ndaj shqiptarëve të
punësuar, kaherë kishte filluar në Kosovë (diferencimet ndaj shqiptarëve ishin
bërë që nga viti 1945 dhe nuk ishin ndalur asnjëherë, Vërejtje S.K-B). Por, për
këtë më së miri dëshmon e dhëna që e jepnin organet kompetente kur informonin
se “Që të bënin vlerësimin e situatës ideo-politike, që edhe më tej të
thellonin procesin e diferencimit në LK, në bazë të ashpërsimit të luftës
kundër nacionalizmit dhe të gjitha mënyrave të shprehjes së aktivitetit
armiqësor, si dhe në mënyrë të organizuar kundër këtyre çështjeve, të ndikojnë
në masat e gjera të klasës punëtore, qytetarëve dhe rinisë” mbyllet citati.
Me urdhër nga lartë u mor iniciativa që mos të kursehet
askush si në aspektin horizontal po ashtu edhe në atë vertikal. “Lidhur me
këtë, u zhvilluan bisedime me drejtoret,
kryeredaktoret, redaktoret dhe sekretaret e organizatave të LK-së të të gjitha mjeteve informimit, që
edhe më tej të jenë të kujdesshëm dhe të thellojnë e ashpërsojnë luftën kundër
nacionalizmit dhe çdo lloji të veprimtarisë armiqësore”. Bile “Udhëheqja dhe
organizatat e LK në bashkëpunim me udhëheqjen e Lidhjes së Rinisë Socialiste
kishin përgatitur një planë të veçantë për veprimin ideo-politik për student
dhe nxënës të shkollave të mesme. Veçanërisht lidhur me të u bënin bisedime të
vazhdueshme në aspektin informativ, politik dhe të sigurisë me punëtorët tanë
që punonin përkohësisht në botën e jashtme, të cilët për festa vinin në
familje. Nga organet e UDB-es punohej edhe në drejtimin, që organet e caktuara
të dërgojnë një numër të konsideruar personash (bashkëpunëtorë të UDB-së) nga
Kosova (kryesisht shqiptarë) në përfaqësitë tona konsullore e diplomatike; në
qendrat kulturo-informative; për punëtorët tanë social e kuadrit arsimor në
vendet ku ata janë të punësuar përkohësisht, sidomos me ata që ishin kryesisht
nga Kosova. Gjithashtu u shtuan kontaktet dhe vepronin më tepër në klubet e
punëtorëve shqiptarë, që punonin në këto vende” thuhej në informatë.
Udbashët raportojnë...
Nga aktivitetet e organeve kompetente, raportohej se gjer
më tani në bazë të hulumtimeve që kishin bërë, thoshin se “duket se është
punuar mirë në organizatat ilegale e konspirative në grupe të vogla, të cilat
kanë tentuar që në mes vete të lidhen dhe të koordinojnë punën e tyre nga një e
ma shumë qendra. Por, me një tendencë të përhershme që të zgjerojnë dhe të
indoktrinojnë bashkëmendimtar nga radhët e të rinjve. Ata angazhoheshin sidomos
me nxënësit dhe studentët, duke u munduar që tek ata të zhvillojnë ndjenjën e
pakënaqësisë dhe të mos besimit ndaj sistemit jugosllav; Zhvillonin ndjenjën e
pa perspektivës tek shqiptaret e Jugosllavisë, duke e treguar “gjendjen e
rëndë” ekonomike e sociale të Kosovës e shqiptarëve në Jugosllavi. Ilegalistat me veprimet e tyre
iu ofronin shkëputjen e Kosovës dhe pjesët shqiptare që ishin nën Jugosllavi
dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, me të cilën edhe i bindnin ata”, raportonin
komunistët nga Kosova për KQ të LKJ-së.
Sipas zbulimeve të hetuesve të
UDB-es
Organet e Punëve të Brendshme raportonin se sipas hulumtimeve
të gjertanishme theksojnë se, në Kosovë kanë vepruar më tepër grupe ilegale,
dhe një grup ka vepruar dhe ka qenë aktive në Shtutëgard (Gjermanin
Perëndimore), e cila kishte 5 qytetarë të Kosovës, që punonin përkohësisht në këtë vend. Ata
ishin të lidhur dhe të ndihmuar në aktivitetin e tyre nga grupi “Marksist
–Leninist”, i cili vepronte po ashtu, në
Gjermanin Perëndimore. Ndërsa, në Grupin nga Prishtina, merrnin pjesë edhe
persona nga Lipjani, Vushtrria dhe Peja, të cilët kishin për qëllim që të
ripërtërijnë veprimtarinë e grupeve të mëhershme ilegale, të cilat ishin dënuar
më 1964, 1974 dhe 1975. Sipas informatës thuhej se “Organet kompetente ende
punojnë në ndriçimin dhe zbulimin e organizatorëve dhe koordinatorëve të vërtet të këtyre grupeve, si në Kosovë po ashtu edhe jashtë
vendit. Po ashtu thuhej se “Organet e
Punëve të Brendshme, kishin zbuluar persona
të cilët kishin kryer 11 aksione të shpërndarjes së parullave kundër
shtetit dhe shpërndarjen e pamfleteve. Por ende nuk ishin zbuluar dhe mbetej
edhe më tej obligim i organeve që të zbulohen kryesit e 8 veprave
antishtetërore jugosllave. Organet e Punëve të Brendshme, edhe më tej ishin të
angazhuar që edhe më tepër dhe në mënyrë të argumentuar të zbulojnë lidhjet në
mes këtyre organizatave ilegale me faktorin ndërkombëtar.
Struktura e moshës te personave që
merrnin pjesë në grupe
Organet udhëheqëse në Kosovë raportonin se struktura e personave të zbuluar në këto grupe, ishte karakteristike se, këta persona ishin të rinj dhe vinin nga të gjitha komunat e Kosovës. Ata, kryesisht ishin nxënës e student, si dhe një numër i konsideruar ishin vajza. Duhet theksuar se sipas informatës , shumica e veprimtarëve ishin kryesisht me prejardhje nga fshatrat. Në të shumtën e rasteve, kryesisht janë të rinj që gjerë më atëherë nuk kishin qenë të kyçur në organizata ilegale dhe nuk kishin veprua nga pozicionet nacionaliste e armiqësore.
Në mesin e tyre që ishin penalisht të ndjekur apo
ndodheshin në burgun hetues, 15 nga ata ishin anëtarë të rinj të LKK.
Organizatat Themelore të LK ku kishin aderuar
pas këtij zbulimi, morën masa
urgjente dhe i përjashtuan nga radhët e veta, duke zhvilluar debate kritike për
veprimtarin e tyre.
Raportet në mes Kosovës e Shqipërisë
sipas informatës
Duke zhvilluar një bashkëpunim të gjerë në mes Kosovës e
Shqipërisë në kuadër të marrëdhënieve jugosllave-shqiptare dhe politikës së
fqinjësisë së mirë ndaj shteteve fqinje, LKK e organet tjera , si dhe subjektet
tjera për bashkëpunim u angazhuan në aspektin ideo-politik, që në mënyrë
intensive që ta pasuronin këtë aktivitet
dhe kontaktet e bashkëpunimit, por njëkohësisht ngushtohej mundësia e
depërtimit të tendencave ideo-propagandistike, subversive, nacionaliste e
irredentiste. Në këtë drejtim, u morën masa dhe u dhanë disa rezultate të
konsiderueshme në përmirësimin e koordinimit, planifikimit dhe organizimit dhe
përgjegjësisë të bartësve të bashkëpunimit me RP të Shqipërisë. Për këtë kishte
qëndrime të qarta të kryesisë të KK të LKK, Kryesisë të KSA e Kosovës, Këshillit
Ekzekutiv të Kosovës dhe i organizatave të tjera shoqëroro-politike, të cilat
ishin bazament për zhvillimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.
5
Megjithatë, thuhej më tej në informatë “Veprimtaria
propaganduese-subversive nga Shqipëria
me disa oscilime e intensitet të caktuar, në mënyrë të vazhdueshme, të
paramenduara e ofensive dhe atë në
mënyra të ndryshme, depërtonin drejt Kosovës. Ndërsa, tek individët gjenin edhe
teren të përshtatshëm. Kryesisht propaganda zhvillohej, para se gjithash nëpër
mes të Radio Tiranës, TV shqiptare, nëpër mes të literaturës, broshurave e të ngjashme. Tek numri më i madh i
personave që u përfshin në këtë aksion u gjetën
një literaturë e shumtë e PPSH, e cila ishte me përmbajtje anti
jugosllave dhe në shumicën e rasteve ishte sigurua në mënyrë legale nga
“Jugosllovenska knjiga”, apo e sjellë nga vendet e treta perëndimore. Lidhur me të, u zhvilluan disa
debate lidhur me gjendjen dhe për masat e marra për rregullimin e ligjit se
kush ka autorizim në krahinë për distribuimin e literaturës së huaj dhe
shtypit, si dhe për përgjegjësin më të madhe, koordinimin dhe organizimin në
përgjithësi në këtë drejtim.
Qëndrimi paternalist i Shqipërisë i
pengonte Beogradit
Në lidhje me sulmet e fyerjet e shpeshta të cilat vinin
nga Shqipëria ndaj Jugosllavisë dhe sistemi t jugosllav, në lidhje me çdo lloj
sjelljeje paternaliste dhe tendence irredentiste të cilën e bënin nëpër mes të
propagandës, pushtetarët në Kosovë gjithnjë në mënyrë interne, politikisht
reagonin dhe ndikonin tek LK dhe në masat më të gjera, por kohë pas kohe kur
vlerësonin në përgjithësi, reagonin publikisht si nëpër mes të kuadrit
shqiptarë apo nëpër mes të mjeteve të informimit kosovar. Më tej thuhej se
“Këtë që e bëjmë e bëjmë në kufij të normales dhe mënyrës që mos ti dëmtojmë
dhe ashpërsojmë marrëdhëniet në mes
Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe që të ruajmë nivelin e politikës së shtetit
tonë dhe raporteve të mira fqinjësore me Shqipërinë”. Por, megjithatë, pushtetarët
kishin vlerësuar se ishte e domosdoshme
që të forcojnë dhe të pasurojnë veprimtarin propagandistike në raport me
propagandën me shtetin shqiptarë, dhe këtë edhe ndaj qytetarëve shqiptarë, si
the depërtimin e thellë në vetë Shqipërinë, para se gjithash duke e përforcuar
dëgjueshmërinë e Radio Prishtinës si dhe pranimin dhe përgatitjen më të mirë të
programeve të TVP (për të cilën
nevojitej përkrahje më e madhe konkrete
e shoqërisë jugosllave)
Sipas pushtetarëve situata politike vlerësohej dhe
sugjerohej se “për të pasur një qëndrueshmëri dhe sukses të luftës kundër nacionalizmit e irredentizmit, duhet
një aktivitet i gjerë e intensiv i
veprimtarisë ideo-politike të LKK, dhe i të gjitha organizatave shoqëroro
politike, dhe bashkë me to duhet marrë masa më intensive të zhvillimit ekonomik e social në Kosovë.
Procesit të shpejtuar të pasurimit, të drejtave
dhe pozitës së përgjithshme të shqiptarëve në të gjitha pjesët e vendit, kudo që jetojnë, në këtë mënyrë që të hapen
perspektiva të reja për një jetë më të
pasur dhe për një bashkëjetesë më të
mirë me të gjitha kombet e kombësitë. Se, mu kjo çështje, për pozitën e
shqiptarëve është dhe do të jetë motiv bazik që forcat nacionaliste do të
ngritin platformën nacionaliste e reaksionare, dhe për të cilën mendohet se do
të jetë tërheqëse dhe do ti grumbulloj të rinjtë rreth kësaj”, përfundon
citati.
Kryesia e Komiteti Krahinor të LKK, dhe Kryesia e KSA të
Kosovës, kishin ardhur në përfundim se çështja e dënimeve të këtyre personave të cilët “armiqësisht” kishin vepruar nga pozicionet e nacionalizmit dhe
irredentizmit shqiptarë duhet t’i qasemi politikisht; duhet munduar që sa më
shumë që numrin më të madh të tyre, që ndodhen në burgjet hetuese, t’i bindim
dhe t’i largojmë nga pozitat armiqësore, delte propozimi nga udhëheqësit politik
të Kosovës. Dhe vazhdonin me këto propozime : “Se, tani nuk duhet të shkojmë në
masa të rrepta administrative ndaj atyre që kanë qenë në fazën e parë të
veprimtarisë ilegale. Lidhur me politiken e ndëshkimeve të bisedohet për një marrëveshje me organet federative.
E tërë kjo mbyllej lidhur me politikën e ndëshkimeve të këtyre personave, që
përsëri të shqyrtohej në mbledhjet e përbashkëta të Kryesisë të KK të LKK dhe
kryesisë të KSA të Kosovës” thuhej në informatën “Top sekret”.
Gjatë kësaj periudhe kur edhe dergohet informata në
organet federative e të Serbisë, udhëheqja e Kosovës vije në përfundim se “Po
në të njëjtin periudhë ka ardhur deri tek ngritja e aktivizimit të
nacionalizmit serbë në mënyra të
ndryshme. 1. Para së gjithash me përhapjen e dizinformatave për gjendjen në
Kosovë. Duke thënë se ”gjëja se” gjendja e serbëve e malazezëve në Kosovë është
shumë e rëndë. Duke krijuar klimë pasigurie, përçarjes dhe mos besueshmëri ndaj
shqiptarëve në përgjithësi e sidomos ndaj udhëheqjes dhe kuadrove shqiptare; duke lançuar tregime
të rrejshme dhe duke thënë se “disa nga
ata, në burg ndodhen për hir të tradhtisë; disa nga ata kanë ikur për Shqipëri
e të ngjashme. U vlerësua se edhe kjo
paraqitej në një lloj forme të veprimit armiqësor dhe duhet ashpërsuar luftën
kundër kësaj tendence.
Kryesia e KK të LKK-së, Kryesia e KSA të Kosovës, si dhe
të gjitha komitetet komunal të Lidhjes
Komuniste, vlerësuan se “veprimtaria e këtyre grupeve ilegale nga pozitat e
nacionalizmit e irredentizmit shqiptarë, u dënua ashpër nga njerëzit punonjës
të kombeve e të kombësive të Kosovës dhe të gjitha këto organizata pa dallim
“përkrahnin qëndrimet e tyre për të ndërprerë veprimtarin armiqësore të këtyre
grupeve". Po ashtu u vlerësua se veprimi i këtyre grupeve nuk pati sukses që të luhat bashkimin dhe
situatën politike në Kosovë, dhe se, situata politike dhe e sigurisë është e
mirë edhe më tej është e mirë” thuhej në informatën “Top sekret” që e kishte
përcjell KK i LKK-së tek Kryesia e Jugosllavisë dhe te KQ i LKJ-së dhe KQ i
LKS-së. Informata mbante shenjën “Top sekret” dhe e kishin dërguar: Kryesia e
KSA e Kosovës dhe Kryesia e KK të LKK.