E shtune, 05.10.2024, 12:40 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Adem Demaçi - 'Gjarpinjtë e gjakut'

E premte, 27.07.2018, 08:30 PM


KARAKTERI HISTORIK I ROMANIT TË ADEM DEMAÇIT “GJARPINJTË E GJAKUT”

(Me rastin e 60-vjetorit të botimit të parë të romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut”, Prishtinë 1958, 112)

Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Edhe pse pushtetarët jugosllavë u munduan që ta izolonin më shumë se tri dekada nga zhvillimet letrare bashkëkohore veprën artistike të Adem Demaçit, megjithatë ajo ishte bërë pjesë e vlerave letrare, edhe pse ishte e ndaluar që të lexohej dhe të trajtohej ashtu siç duhej. Madje, mund të them edhe këtë, se lexuesi,  duke e pasur para sysh figurën atdhetare të Bacës, të ngritur në simbol nacional të rezistencës, depërtonte dhe gjente rrugë që të siguronte librin e ndaluar, që në një mënyrë shprehte gjakimin e tyre për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Ç’është e vërteta, romani “Gjarpinjtë e gjakut”, lindi në një periudhë të egër të robërisë së Kosovës, por edhe në një kohë kur zgjimi kombëtar kishte marrë hov të madh në të gjitha aspektet, e aq më tepër në kohën kur me të madhe filluan të formoheshin organizatat atdhetare ilegale, që në një mënyrë apo tjetër e përgatitën popullin shqiptar për të shpërthyer si në vitin 1968, 1981, 1989 e deri te viti 1999.

Proza e Adem Demaçit, si kjo e viteve të fundit, po kështu edhe ajo e mëhershmja, e që temë trajtimi kemi romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, imponohet me ide, ofron mesazhe historike e aktuale dhe, mund të themi se së pari është një dokument artistik i kohës ku sublimohet fryma e situatave ekzistenciale dhe, së dyti, ky roman  ka sublimuar  një substrat, që do ta quaja historik dhe që vazhdimisht përsëritet në jetën e brezave. Si i tillë, ky roman del se është zë i ndërgjegjes së një kohe, i cili arriti të identifikohej me kolektivitetin e vet nacional, me fatin dhe tragjiken e tij historike. Mirëpo, s’është vetëm refleksi etik ai që e përvetëson lexuesin. Proza e Adem Demaçit sjell një vizion autorial, vizion prozaik, ku shkrihen historia, miti, legjenda, përvoja e autorit, dhe thekset e së kaluarës dhe tragjikja e atyre viteve.

Romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, e kisha lexuar në një kohë të pakohë, ndoshta si nxënëse e klasës së gjashtë në shkollën fillore, kur ky roman pati edhe fatin e autorit dhe u burgos bashkë me të, por shpesh ndodhte, e më vonë si studiuese e ilegales shqiptare në Kosovë, në shumë dosje të të burgosurve politikë, e hasa shumë shpesh si material inkriminues të tyre. Në atë kohë e kisha lexuar me një frymë, edhe pse romani më vonë u përcoll dorë më dorë derisa e lexoi e tërë klasa.

Për herë të dytë e lexova pas viteve nëntëdhjetë, kur u ribotua, e atëherë e lexova më me ngadalë dhe më me kujdes.

Dhe për herë të tretë e lexova tani, por, thënë sinqerisht, disi më ndryshe reflektoi tek unë. Duke lexuar dhe duke analizuar çdo fjalë, m’u duk se vërtet tani për herë të parë po përballesha me një realitet të hidhur, me një kohë mynxyrë, e cila në asnjë periudhë nuk na ka përkëdhelur.

Romani “Gjarpinjtë e gjakut”, do të thosha se është një dokument tronditës mbi zezonat tona që sillte gjakmarrja që në roman drejtpërdrejt pasqyrohen e aq më tepër lënë vragë në psikikën e njeriut të rëndomtë. Dhe me të drejtë autori e pagëzon romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, sepse ishin vërtet gjarpinj, ata që na vinin rrotull nga çdo anë, dhe me gjithë dëshirën më të madhe për t’u mbrojtur nga ta, megjithatë, shakullinat e jetës ishin të pashmangshëm. Kështu ishte fati ynë, fati i shqiptarëve, në përgjithësi, dhe fati i fshatarëve, në veçanti.

Romani në fjalë ka karakter shumëdimensional. Duke e analizuar nga këndi historik, autori hedh dritë mbi ngjarjet tmerrësisht tragjike që ka përjetuar populli shqiptar me dekada të tëra nën okupatorët e ndryshëm që e mbanin këtë vend. Por, plaga e gjakmarrjes, e kurbetit, e shpërnguljeve të mëdha, janë tema të cilat autori i trajton në mënyrë më të drejtpërdrejtë.

Romani “Gjarpinjtë e gjakut” është libër, që na prezanton dhembjen e popullit në forma e mënyra të ndryshme.

Rrezaton histori, se na jep të gjalla zhvillimet e ngjarjeve në formë letrare dhe na mëson se si mund të shkruhet historia edhe në formë romani.

Ka dimension etik, ngase na jep parimet e shëndosha morale, mbi të cilat duhet të mbështetet shkrimtari.

Ka parime estetike, se autori në mënyrën më të mirë bën përshkrimet e një niveli të lartë artistik të fshatrave në të cilat ndodh ngjarja, si fushën, malin, gjethet e zverdhura që bien përtokë, mbrëmjen e qetë e plot ankth, muhabetet në odë, bisedat mes babait e të birit, lojërat kaherë të harruara të fshatarëve, skamjen, kurbetin, grushtin e dheut të mbështjellë në një çevre (faculetë), mallin, lotët, kthimin, rënkimin, dëshpërimin, ngatërresat mes fshatarëve, të cilat në fillim duken të vockla e pa dëm, por me kohë vijnë e rriten e bëhen ortek. Orteku në romanin e Demaçit ka një konotacion krejt tjetër nga ai që është në të vërtet. Orteku i shkrimtarit është antologjik dhe deri më tani akoma nuk kam hasur të shkruar më bukur dhe më mirë se që e bën Demaçi në romanin e tij.

Shpifësi, në romanin e Demaçit, të asocon në spiunët e kohës së Rankoviqit, kur në mënyrë të organizuar dilnin dhe shpifnin për vëllamin, gruan, burrin, komshiun, të afërmin, bashkëkombësin e kë jo tjetër.

Por, megjithatë, do të shtoja se me të gjitha këto ndjesi të mrekullueshme që rrezaton tek lexuesit, kur të përfundosh së lexuari, nuk mund të mos mbetet në shpirt  edhe një ndjesi e urrejtjes së thellë për ato kohë dhe ata njerëz që bënë këtë histori të dhembshme të popullit tonë.

Duhet cekur se shkrimtari Adem Demaçi, atëherë djalë, dhe me një pasion prej shkrimtari të ri, me një përkushtim, ndjesi, lëndim shpirtëror dhe ndershmëri të pashoqe krijuese, mundohet të heqë pluhurin e hedhur me dekada mbi popullin shqiptar. Tregimi i rrëfyer se shqiptarin e kishte ngrënë gjarpri në gisht dhe për çdo gjë shërbehet me plumbin, është një “dhunti” e shpifur nga të huajt. Edhe pse djali i mërguar kthehet në shtëpi dhe mundohet që t’i qetësojë gjakrat e të afërmeve të tij, megjithatë, shpifësi e bën punën e vet. Gjarpinjtë e gjakut, megjithatë arrijnë që të kollofisin më shumë se tetë veta.

Duke u nisur nga fakti se autori i librit, Adem Demaçi, ishte dhe është një atdhetar i madh, në kohën kur shkroi, me të drejt do të konstatoja se ishte njëri ndër të parët që me guxim prej krijuesi shkroi romanin e parë ndër shqiptarët e Kosovës. Por, siç e dimë, rrethanat historike ndikuan që romani ta shohë dritën pak më vonë sesa ishte dashur, ngase koniukturat e pushtetit kishin llogaritur ndryshe dhe nuk u shkonte për shtati që një person si Adem Demaçi të ishte i pari në Kosovë që shkruante roman.

Duhet cekur se në të dhënat biografike, që gjenden në botimin e parë të romanit, shkruhet edhe kjo e dhënë: “Mbas botimit të tregimit të parë në revistën letrare “Jeta e Re”, hyni shumë shpejt në radhën e prozaistëve ma të talentuem të brezit të ri të punëtorëve letrar. Shquhet me tematikën dhe me koloritin popullor të tregimeve  të tij. Përpos tregimeve merret edhe me eseistikë”. Dhe ishte krejt e natyrshme dhe që shkonte krahas me absurdin, që një talent të tillë të mos e lejonin që të ecte, që të shkruante dhe që të mos i vinte në spikamë të gjitha ato padrejtësi, që në mënyrën më të ashpër të griste atë maskë që ishte mbuluar dhe shtjelluar nga pushteti dhe pushtetarët antishqiptarë.

Demaçi, si i ri, padiktueshëm u fut sigurt në elitën letrare të atyre viteve dhe në saje të intelektit, atdhetarisë dhe sakrificës kishte arritur që të njihte realitetin e hidhur të shqiptarëve, në pjesën e okupuar të vendit.

E ç’të thuash pastaj, kur jo gjithkush do të mund të na japë me një forcë aq të madhe artistike të gjitha ato ndeshtrasha që ka mundur t’i imagjinojë mendja e retarduar  e një okupuesi dhe të shkatërrojë dora e gjakpirësit.

I tërë romani, në përgjithësi, është prekës dhe mbresëlënës, në të gjitha pjesët e tij. Por takimi i  Selim Guxhufit me të birin, Mustafën, të kujton ato takimet biblike të shqiptarëve, në do kohë jo të largëta, si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi. Por, të kujton gjithashtu edhe ritakimet me të dashurit, porse në brazdat e fytyrave të tyre me kohë ishte skalitur një qeshje e ngrirë dhe kishte perënduar gëzimi i shumëkërkuar i njerëzve që ritakoheshin.

Autori në këtë libër na prezanton dhe na zbulon në mënyrë artistike disa anë të personalitetit të malësorit të urtë e bujar, që shumëkush i ka të njohura. Me një gjuhë të rrjedhshme, na e pasqyron humanizmin dhe fisnikërinë e shpirtit të njeriut të rëndomtë dhe bujar. Autori në roman paraqet kohën e errët, njerëzit e robëruar dhe problemet e okupimit, duke kërkuar me ngulm të drejtën që na takonte e jo të jepet pas vlerave efemere, kërkesave të interesave të ditës etj.

Romani, veç të tjerash, trajton edhe në mënyrë të tërthortë ndikimin e madh të dokumentit historik, të Kanunit, i cili ndërlidhet padiktueshëm në jetën e njerëzve,   duke hyrë thellë në rrethanat kohore të situatave që trajton, duke e marrë dhe duke e vendosur në jetën e fshatarëve të varfër si “rregull” i legjitimuar për ta.

Autori merr dhe trajton paanësisht një kapitull aq shumë të përfolur që ka të bëjë me gjakmarrjen dhe armiqtë e shumtë që këtë e përdornin dhe e keqpërdornin sa herë që kishin nevojë, por edhe pa të.

Do të shtoja, edhe pse romani, këtë vit (2018), ka mbushur 50 vjet jetë të bujshme, do të thosha historike, përsëri ma thotë mendja se do t’u sugjeroja lexuesve,  por edhe do të propozoja që do të kishte qenë shumë e mirë, por edhe e domosdoshme, që ndonjë shtëpi botuese t’i hynte punës së përkthimit në gjuhë të huaja, se do ishte me mjaft interes.

Libri ka vlera të jashtëzakonshme historike, nga e dhëna se kur është shkruar, si është parë e trajtuar nga kritika letrare dhe se në mënyrën më sublime prek një plagë aq të madhe të popullit tonë, që edhe tani në shumë pjesë të vendit ka filluar të ngrejë kokë.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora