E shtune, 05.10.2024, 01:23 PM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Josif Bageri dhe karakteri kombëtar i gazetës ''Shqypeja e Shqypenis''

E marte, 28.06.2011, 08:05 PM


JOSIF BAGERI DHE KARAKTERI KOMBËTAR I GAZETËS "SHQYPEJA E SHQYPENIS”

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Njëra ndër gazetat me shkrime më demokratike të kohës së Rilindjes sonë Kombëtare padyshim se ishte  gazeta “Shqypeja e Shqypenisë”, e cila ishte botuar në Sofje të Bullgarisë. Gazeta në fjalë kishte filluar të botohej që nga 18 maji i vitit 1909 e deri më 2 prill 1911. Fillimisht kishte filluar të botohej në çdo dy javë, por me kalimin e kohës kishte dal më rrallë. Ajo doli në 40 numra dhe për kryeredaktor e kishte atdhetarin, poetin dhe patriotin shqiptarë Josif Bagerin.

            Populli shqiptare edhe pse ishte katandisur cep më cep në koloni të ndryshme mërgimtarësh, megjithatë me krenari mund të themi se edhe pse e shpërndarë gjithandej, ajo ishte aktive dhe kudo që ndodhej angazhohej të sensibilizoj dhe të organizojë luftën për çlirim kombëtar. Andaj, nuk ishte rastësi botimi i kësaj gazete në Sofje, ngase, edhe më parë mërgimtarët tanë kishin formua dhe botua gazeta të ndryshme që temë trajtimi kishin gjendjen aktuale në trojet shqiptare dhe dhunën e terrorin që aplikohej ndaj popullsisë së pafajshme.

Dihej se Josif Bageri ishte një patriot i madh që me kohë e kishte ndjerë robërinë dhe padrejtësitë e shumta që i bëheshin popullit të tij nga fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha botërore. Andaj për të njoftuar dhe sensibilizuar shqiptaret kudo që ndodheshin kishte marr iniciativën që të botonte gazetën e njohur me emrin “Shqypeja e Shqypenisë”, e cila në vitin e parë doli në 24 numra dhe në vitin e dytë në gjithsejtë 16 numra.

Qysh në fillimet e botimit të numrave të saja, gazeta kishte tërhequr vëmendjen e patriotëve të shumtë që ndodheshin në Bullgari dhe vendet për rreth. Lirshëm mund të themi se në shkrimet e saja dallohej fryma atdhetare e shkrimeve të gazetës dhe angazhimi i shumtë i penave më të njohura të kohës.

Duhet përmendur se gazeta si moto të saj kishte “Un jam shpeza e furrikut, Epnim dormën ma rrezikut. Mjaft në t’errët n’vorfuni... quhu trima, zoqt e mi”.

Në një mënyrë apo tjetër me një gjuhë të mprehtë autori i këtyre rreshtave apelonte tek bashkatdhetarët e tij se tani kur jemi në rrezik ( e dihej se më 1909-1912, në Ballkan bëhej formimi i shteteve të reja), autori me një mënyrë e hetonte se vendi dhe bashkëkombësit e tij ndodheshin në rrezik andaj, edhe kërkonte bashkimin dhe unitetin e popullit shqiptar, se, mjaft thoshte ai, kemi jetuar në errësirë dhe në varfëri.

Josif Bageri nuk ndalet me kaq, ai analizon rrjedhat historike dhe, gazeta e tij më tepër shërbente si një altoparlant i kohës së vet, për të dëftuar se sa i pafajshëm kishte me qenë mosangazhimi i shqiptarëve për çlirimin e tokave shqiptare.

Fillimisht, qysh në numrin e parë të saj Josif Bageri botoi Programin e gazetës, duke shtruar si çështje  kryesore shndritjen e kombit shqiptar, ngritjen e kulturës, qytetërimin dhe madhështinë kombëtare. Në të thuhej edhe kjo se gazeta me shkrimet e saja do të mbrojë të drejtat e kombit të vet, tujë i kundërshtuar atynej njërsvet të cilët kishin  dashme na ndalue dhe pengue për kombtarnismin dhe dredhjen e kombit shqyptar në çdo përparim  e lulëzim.[1]

 Ndërsa, në numrin dy të gazetës, që u botua me 14 qershor, 1909, në shkrimin “Si lypet një komb me mruejt vendin?”. Autori i shkrimit na ofron shumë të dhëna që na dëshmojnë për gjendjen e mjeruar e të robëruar të shqiptarëve në tokat e veta. Në vazhdim thotë se “Kjo gjendje e shëmet rënkon nden retë e zeza të territ, se u mbush kupa e idhnimit, në të cilën fort mirë u kuptua, se ka helm. Ma i madhi shkak është mos dituria e cila ka ardhur duke mos pas mësonjëtore kombëtare, me gjuhën e vet. Bashkimi dhe çlirimi kombëtar, thotë autori, është kryesorja e Lëvizjes Kombëtare. Në mes tjerash theks të veçantë autori i ven ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe shkollimit të masave të gjëra në gjuhën shqipe. Në shkrimet e veta që i hasim nga pena e  Josif Bagerit, vend të rëndësishëm zë edhe lufta kundër përçarjes së popullit shqiptar dhe kërkon me këmbëngulje që të intensifikohet lufta dhe bashkëpunimi i shqiptarëve në mes veti kudo që ndodhën ata. Ngase i dëshpëruar me organizimin e dobët të mërgatës shqiptare, Ai akuzon se në vend që të gjithë shqiptarët të kenë një program të përbashkët, ndodhë e kundërta tek ne.

Në gazetë trajtoheshin tema të shumëllojshme, por shkrimet e Josif Bagerit në përgjithësi kishin karakter kombëtar dhe demantonin në shkrime të shumta se shqiptaret kudo që jetojnë, nuk i ndan feja që kanë ata. Akuzon se fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha për qëllime të tyre shfrytëzonin faktorin besim fetar duke u munduar që sa më shumë të përçajnë popullatën. Ai hapur kritikon Italinë e Austrinë të cilët nuk bëjnë asgjë vetëm se duan të futen në tokat shqiptare duke shfrytëzuar e ndarë popullin në katolik, mysliman e të krishterë.

Në gazetën “Shqypeja e Shqypenis” herë pas here botoheshin edhe shkrime të marra nga gazetat tjera. Vlen të përmendet shkrimi që ishte huazuar nga gazeta “Debarski glas”, e cila reagon ashpër për propagandën që bëhej për idenë e madhe greke, e cila përhapej me anën e shkollave dhe në vende ku nuk kishte grekë, si në Tetovë[2] e vende tjera.

Veç kësaj, gazeta reagonte edhe ndaj propagandës borgjeze serbe, e cila nëpër mes të kishës përhapte ndikimin e vet edhe në rajone të banuara me shqiptar e maqedonas, si bie fjala në Dibër e rrethin, duke futur përçarjet në mes tyre.

Në artikullin “Kombi shqiptar dhe ndryshimi i Turkisë”, ajo paralajmëronte rrezikun që i kanosej popullit shqiptar nga shtetet fqinje. Në shkrim autori ven ne pah se si qeveritë ballkanike po përgatiten për copëtimin e Perandorisë Osmane-pjesën Evropiane. Dëshira e tyre, është që të zihen shqiptaret me shtetin osman dhe këta pastaj ta pushtojnë vendin (tokat shqiptare) pa asnjë kundërshtim.[3]

Më vitin 1910, më 30 mars, në gazetën “Shqypeja e Shqypenis” kur populli shqiptar bënte përgatitjen për të mbrojtur Kaçanikun dhe tokat tjera shqiptare, nga gazeta gjermane “Neue Freie Presse” ishte huazuar artikulli i Albert Gjikës me titull “Revolucioni shqiptar”. Ku thuhej se “Shqiptarët pa dallim feje luftojnë për liri dhe jo kundër taksave, respektivisht rivendosjen e ish Sulltan Hamidit. Xhonturqit i nxitnin shqiptarët në luftë nga se u ven shkrimin arab, gjë që cenon dinjitetin dhe të drejtat kombëtare shqiptare.

“Shqypeja e Shqypenis”, veç që i kushtonte rëndësi ngjarjeve në Shqipëri dhe raporteve shqiptare me Greqinë, Serbin e shtetet tjera fqinje, ajo rëndësi të veçantë i kushtoi kryengritjes shqiptare në Kosovë më 1910. Në një artikull thuhet se 70.000 veta janë ngritur kundër Turqisë, kundër 50 bylyqeve-ordive të Shefket Durgut Pashës”[4]. Ndërsa në artikullin me titull “Një letër prej një shkupjani”, gjerësisht flitet për luftën e Kaçanikut ku thuhej se në ditën e pashkëve u sollën katër vagonë  ushtarë të plagosur në Shkup, kurse 5 vagonë u dërguan në Mitrovicë, tërë këta nga lufta e Kaçanikut. Më vonë vazhdon autori se në Caralevë komandojnë ushtrinë shqiptare Isa Boletini, Idris Seferi, Idriz Guri, Fetah Sherifi, Shaban Sylejmani, Hasan Laka etj. Shefket Durgut Pasha dogji 15 fshatra dhe vrau fëmijë e gra. Nga ana tjetër thuhej se  po aty nga ushtria turke kaluan në anën e kryengritësve rreth 100-150 veta. Kryengritësve shqiptarë iu erdhi ndihma nga Luma, Gjakova  të cilat ishin të çliruara. Po ashtu Josif Bageri njofton opinionin e gjere se po në këtë kohë u mbajt një mbledhje e madhe nga e cila doli edhe një memorandum i rëndësishëm. i cili kishte këto pika: 1. As një pëllëmbë toke nuk e lëshojmë pa e derdhur pikën e fundit të gjakut. 2. Autonomia shqiptare nën sovranitetin e Sulltanit; 3. Amnesti për të gjithë të burgosurit politikë; 4. Të dërgohet nga Stambolli një Komision nga deputetet shqiptar për t’a çmuar dëmin që e bëri ushtria turke dhe kërkohet dëmshpërblimi.

Nën ndikimin e shkrimit të gazetës “Shqypeja e Shqypenisë”, që e bënte për luftën që zhvillohej në Kosovë, me këtë rast kishte reaguar edhe Kolonia shqiptare e Sofjes, e cila me 24 tetor 1910 organizoi miting protestues. Mitingu, siç do të shkruaj në numrin 10 të vitit 1910, Shqypeja e Shqypenis, u mbajt në sallën e birrarisë nën drejtimin e  Josif Bagerit, Kosta Jani Trebickës etj. Pas mbajtjes së protestës u nxor një rezolutë  me nëntë pika, në të cilën  u cekën gati të gjitha çështjet kontestuese në mes Portës dhe popullit shqiptarë. 1. Protestojmë shumë lart kundër masave  fillimtare të marrura prej Qeverisë Otomane, e cila  me një sistem të ri do me e shua fare prej faqes se dheut kombin shqiptare...

2. Apelojmë ke njeridashësit e Evropës dhe Amerikës që të mos lejojnë Turkin të shkelin dhe të humbin kombin shqiptar, pot ë na epet liria me mesue në gjuhën amtare dhe të drejtat tjera që na mundësojnë përparimin dhe qyterimin.

3. Te lejohet mësimi dhe aplikimi i alfabetit të stërgjyshve  tan, domi liri, domi liri shtypi dhe domi për me na njoh komtarimin ton si komb i veçant me emnin shqiptar e jo turk.

4. Të lëshohen gjithë ata të burgosun shqiptar për çështjen e politikës.

5. Rrefejm, se mos u befte barazimi në Shqipëri, shqiptarët janë gati të hidhen dhe në zjarr për lirin dhe për shndritjen e vet.

6. Grishim gjithë atdhetaret tanë shqiptar, të bashkohen me ne dhe të protestojnë kundër barbarizmit aziatik.

7. Grishim deputetet shqiptar të lëshojnë parlamentin e Turkisë për shenj protesti, për të ligat e shumta që u bën Turkia zgjedhësve shqiptarë.

8. Lusim tonë shtypin e Evropës dhe të Amerikës t’i gjejn  vend kësaj rezolute dhe ta botojnë, për me leçit dhe per me u vërtetua popujt e qytetnuem se Turkia po e dërmon fort shumë thellë varrin e popullit shqiptar.[5]

Memorandumin e kishte nënshkrua edhe mërgata e ShBA-ve në emër të 30.000 vetave.

Po ashtu, me 31 janar 1911, gazeta kishte botua në faqet e veta edhe një Memorandum të kryengritësve shqiptar me titull: “Kërkimet e shqypetarëve”, në të cilën thuhej se “Shkaku që shqiptarët dalin në male dhe çojnë krye kundër robërisë është pozita e padurueshme nën sundimin turk. Për të vazhduar më tej se “Ne nuk kemi dal nëpër male si kusar për me vra e për me ç’vesh njerëzit, as për me rrëmbye  pasurin e tyre, përkundrazi qëllimi i ynë është dhe do të jetë që t’i rrëfejmë botës së qytetëruar se nuk jemi të kënaqur nga qeveria konstitucionale e Perandorisë Otomane, kundra së cilës protestojmë, tujë i thye kujdesën ton njerëzisë së shndritur evropiane se do të luftojmë njer atëherë, njer sa të na mbushën dëshira e jonë”[6]

Kërkesat e kryengritësve shqiptar kryesisht ishin të karakterit politik por nuk ngelnin anash edhe ato të karakterit ekonomik. Këto kërkesa që i kishte botua gazeta “Shqypeja e Shqypenis”, u morën dhe u botuan në shumë gazeta evropiane, në një mënyrë me botimin e tyre në gazeta të ndryshme të botës u sensibilizua gjendja e vështir e shqiptarëve dhe u bë e çart se shqiptarët nuk kërkonin as më shumë e as më pak se fqinjët e tyre.

Për realizimin e këtyre kërkesave në dimër të vitit 1910/11, u bënë përgatitjet e duhura . Në fillim të vitit 1911, në Bukuresht shkoi Luigj Gurakuqi, ku vuri kontakte  me shoqërinë “Bashkimi” nga e cila kërkoi ndihmë. Në Bullgari kishte udhëtua Nikollë Ivanaj dhe Themistokli Germenja, të cilët e kishin njoftua  Koloninë e Sofjes  me programin më të ri si edhe për përgatitjet që bëheshin në Shqipëri dhe në Kosovë për kryengritje të re, që duhej të fillonte  në pranverë të vitit 1911.

Veç kësaj, në faqet e gazetës  u botua edhe një kushtrim drejtuar vëllezërve të Shqipërisë së Jugut, që edhe ata të vijnë në ndihmë vëllezërve gegë, nën flamur të shenjt për lirinë. Në vazhdim duke e shpallur kryengritjen si luftë totale, thuhet: Sot nuk është koha për shkolla. Vëllezën shqiptar, s’ka se kush me na dhanë lirinë për me  u shndrit me gjuhën amtare. Sot s’mundet ndryshej, përveç se lypet të fitojmë lirinë e vërtet kombëtare, aq ma tepër kur asht momenti[7], përfundon gazeta.    

 Krejt në fund duhet thënë se gazeta “Shqypeja e Shqypenis” dhe atdhetari Josif Bageri gjatë tërë periudhës sa veproi dhe botoi gazetën dalloheshin për nga përmbajtja e artikujve  dhe në tersi shkrimet që botoheshin në të, kryesisht kishin karakter dhe përmbajtje kombëtare, militante dhe këmbëngulëse. Gjatë gjithë kohës që u botua gazeta pati rol të rëndësishëm si në anti-agjitacion, kundër-propagandë dhe në informimin e drejt të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e cila tek popullata  përçoi frymën liridashëse duke e mobilizuar atë për Luftë kundër pushtuesve.


[1] Shqypeja e Shqypenis, Sofje, nr. 1. 18 maj 1909

[2] Shqyoeja e Shqypenisë, nr. 6, viti II, 1 shtator 1911

[3] Shqypeja e Shqypenis, viti II, nr. 2, 1910.

[4] Shqypeja e Shqypenis, nr. 22 1 maj 1910.

[5] Shqypenia e Shqypenis, nr. 10, 30 tetor 1910.

[6] Shqypeja e Shqypenis, nr. 12, viti II, 1911.

[7] Thirrja mbi vëlleznit e Shqypenis së Jugut.. Shqypeja e Shqypenisë, nr. 12, viti II.



(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VIII) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VII) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VI) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (V) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (III) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (II) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (I) Sabile Keçmezi-Basha: Lëvizja ilegale atdhetare në Mitrovicë e rrethinë 1945-1990 Sabile Keçmezi-Basha: Formimi i grupit të NDSH-së ‘’Balli Kombëtar’’ në Tugjec, më 1954 Sabile Keçmezi-Basha: Karikatura - si formë e rezistencës në ilegalen shqiptare Alban Dobruna: Kontributi i femrës në pavarësinë e Shqipërisë Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar e demokratik i programeve të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Sabile Keçmezi-Basha: Edhe gratë shqiptare në burgjet jugosllave Sabile Keçmezi-Basha: Omer Çerkezi dhe qëndresa e tij për çështjen kombëtare Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar i Lëvizjes Ilegale Shqiptare në Kosovë (1945-1990) Sabile Keçmezi-Basha: Revista ‘’Drita e Lirisë’’ dhe kontributi i saj në ilegalen shqiptare Sabile Keçmezi-Basha: Kujtojmë Atdhetarin e Madh - Ali Aliun Sabile Keçmezi-Basha: Reagimet e forcave kombëtare në Kosovë ndaj vendimeve të Kuvendit të Prizrenit (1945)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora