E enjte, 03.10.2024, 03:40 PM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VI)

E diele, 10.04.2011, 07:59 PM


TRAJTIMI I ÇËSHTJES KOSOVËS NË GAZETËN “QËNDRESA SHQIPTARE” ORGAN I KOMITETIT KOMBËTAR  DEMOKRATIK “SHQIPNIJA E LIRË”, PARIS (VI)

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

 

NJË NUMËR I TËRË I GAZETËS “QINDRESA SHQIPTARE” I KUSHTOHET NGJARJEVE NË KOSOVË

 

Numri i 14, i gazetës “Qindresa Shqiptare”, i 26 korrikut,  të vitit 1981, i kushtohet demonstratave gjithë popullore të vitit 1981.

Gazeta, përmbajtjen e vet e ka ndarë dhe trajtuar në 3 pjesë:

Në pjesën e parë përfshinë : “Demonstratat e shqiptarëve të Kosovës dhe shtypja gjakësore e tyre;

Pjesa e Dytë: Pak Histori;

Pjesa e tretë: Paqësimi i shqiptarëve të Jugosllavisë është i mundshëm dhe fortë i dëshiruar

 

Pjesa e parë e gazetës: “ Demonstrata e shqiptarëve  të Kosovës dhe shtypja gjakësore e tyre”

 

 

Demonstratat gjithëpopullore në Kosovë kishin ndodhur më 11 mars të vitit 1981, të cilat kishin zgjatur gati gjatë gjithë pranverës e verës të vitit 1981. Andaj gazeta “Qindresa Shqiptare”, numrit 114, i kishte kushtuar tërë numrin e gazetës.

Gazeta shkruante se nuk ka shembull në Evropë ku një popullsi prej 2.500.000 banor, si ajo e shqiptarëve në Jugosllavi, të jetë lënë në mëshirën  e një shteti tiranik prej traktatesh ndërkombëtarë të padrejtë. Ç’pre vitit 1912, vrasjet me grumbuj, përdhunimet e çnjerëzimet e pashembullta që janë bërë mbi këtë popullsi shqiptare prej serbëve, malazezëve dhe maqedonasve kanë tërhequr shpeshherë vëmendjen e botës së jashtme, por askush nuk ka lëvizur për t’iu vajtur në ndihmë viktimave, ose të paktën për të dënuar këtë hata që vazhdon e pandërprerë ç’prej gati 70 vjetësh mbi një popullsi të pambrojtur. 

Kjo shtypje e pandërprerë që kishte pllakosur popullsinë shqiptare të Kosovës shkaktuar në marsin dhe prillin e vitit 1981, një demonstratë studentësh që u zgjerua shpejt dhe mori formën e një manifestimi popullor. Sipas traditës, autoritetet jugosllave e sulmuan krahinën  me forca ushtarake dhe i shtypen radhët e manifestuesve, burra, gra e fëmijë, nën rrotat e tankeve. Komanda ushtarake, për të vepruar si në një vend të mbyllur dhe për t’ia fshehur  botës këtë kërdi gjaku e kufomash, mori masat e duhura: ia ndaloi çdo gazetari a turisti të huaj  hyrjen në Kosovë dhe këputi të gjitha ndërlidhjet telefonike e telegrafike me pjesën e brendshme të vendit. Kështu, në një errësirë të plot, z. Stane Dollanc, anëtarë i presidiumit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në një deklaratë të 6 prillit, mundi ta shfaqë “të vërtetën” e tij komuniste, se gjoja në përpjekje me manifestuesit shqiptarë kishin mbetur  vetëm 11 të vdekur. Kurse shqiptarët dhe disa shërbime të huaja e dinë se në ato përpjekje ka pasur ndërmjet 800 e 1.000 të vrarë, më se 2000 të plagosur, dhe arrestimet kapërcejnë numrin 5000 veta. Nuk dimë se sa krahë dhe këmbë shqiptarësh të plagosur lehtë ( shumica nxënës shkollash), janë prerë me qëllim në spitalin e Prishtinës nga kirurgët xhelat dhe agjent i policisë së fshehtë, doktor Boro Moraçiç.

Shtetrrethimi vazhdonte gjithnjë në Kosovë, ku çdo mbledhje a manifestim grupesh ndalohej rreptësisht. Universiteti i Prishtinës dhe gati të gjitha shkollat shqipe ishin mbyllur. Një numër i madh; nxënësish dhe studentësh ndodhen në burgje, ku iu bëhen tortura të tmerrshme. Dhe, megjithëqë papunësia e ka lodhur tepër atë krahinë, shumë punëtor shqiptarë janë përzënë nga puna me qëllim që të emigrojnë gjetkë.[1]

Dihet se Kosova ishte krahina ekonomikisht më e prapambetur e Jugosllavisë. Qeveria e Beogradit nuk kishte bërë asnjë përpjekje serioze për të përmirësuar, në atë vend, kushtet e jetesës. Sipas të dhënave statistikore  të shtypit të jugosllav, të ardhurat kombëtare për frymë në Kosovë ishin 6 herë më të ulëta  se sa në Slloveni, 5 herë më të ulëta se sanë Kroaci dhe 3,5 herë më të ulëta se sa në Serbi. Ritmi i zhvillimit industrial, në Kosovë, kishte qenë 4-5 herë më i ulët se sa në Serbi, kurse numër i i të papunëve është 20 herë më i madh se sa në Slloveni dhe 2,5 herë më i madh se sa në Serbi. Mbi 70.000 punëtorë kosovarë ndodhen të papunë në vendin e tyre , kurse numri i atyre që kishin emigruar për të gjetur punë jashtë Jugosllavisë kishte arritur në 110.000 veta. V. Gjuranoviq, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Jugosllavisë, e kishte vërtetua me gojën e tij se “investimet ekonomike në Kosovë janë 43 % më të ulëta se mesatarja e Jugosllavisë”[2].      

 

Shqiptarëve nuk iu kishte mbetur rrugë tjetër, pos demonstratave

 

Sipas Kushtetutës së Jugosllavisë, Kosova ishte një “krahinë autonome” në kuadrin e Republikës së Serbisë. Më se 85% të banorëve të Kosovës (rreth 1.400.000 veta), ishin shqiptarë, të cilët ndodheshin praktikisht nën kontrollin e serbëve. Dhe shqiptarët e “krahinës autonome” të Kosovës nuk përbënin veçse gjysmën e shqiptarëve të Jugosllavisë. Ka 700.000 shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, 80.000 shqiptarë në Republikën e Malit të Zi, 100.000 shqiptarë në Republikën e Serbisë dhe mbi 150.000 shqiptarë jetojnë të shpërndarë nëpër Jugosllavi. Shtrohet pyetja, përse regjimi i Beogradit nuk iu kishte njohur kurrë këtyre shqiptarëve  të drejtën që të formojnë një republikë autonome, në kuadrin e shtetit federativ jugosllav, siç kanë veprua me popullatat tjera që kanë qenë me një numër banorësh shumë më të ulëta se sa numër i i shqiptarëve.

Manifestimet e studentëve kishin fillua më 11 mars, në Universitetin e Prishtinës, për të protestua kundër ushqimit shumë të dobët që iu jepej atyre, por sidomos për të kërkua të drejtën e arsimit të barabartë me kombësitë e tjera dhe tekste shkollore në gjuhën shqipe. Të shtrënguar prej shtypjes dhe prej shfrytëzimit ekonomik, manifestuesit kishin shfaqur edhe rivendikime të tjera, duke kërkuar lirinë e shtypit, liritë kulturore në gjuhën shqipe dhe ngritjen e Kosovës në një republikë autonome. Vetëm njohja e këtij statuti mund ta zhduki pabarazinë që ekziston ndërmjet shqiptarëve dhe kombësive të tjera të Jugosllavisë[3], kishte konstatua “Lidhja Kosovare”  

Policia gjatë trazirave kishte ndërhyrë rreptësisht dhe kishte burgosur mbi 50 studentë. Shumë reparte policësh kishin ardhur nga Beogradi.

Më 26 të marsit, manifestimet patën fillua rishtas në Prishtinë dhe u përgjithësuan. Populli iu bashkëngjit studentëve dhe merrte pjesë me ta. Të tjera reparte policësh arritën me urgjencë nga Beogradi. Fuqitë e armatosura jugosllave vepruan gjatë 24 orëve për të shtypur demonstratat. Viktimat dhe arrestimet ishin të shumta.

Më 1 prill, demonstratat u shfaqën përsëri me një hov më të madh dhe u zgjeruan në të gjitha anët e Kosovës: në Podujevë, në Vushtrri, në Mitrovicë, në Ferizaj, në Drenicë, në Gjilan, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren e vende të tjera. Populli dhe studentët bërtisnin kundër mjerimit ekonomik, kundër shtypjes politike, kundër shfrytëzimit, duke kërkuar statutin e një republike autonome që do ta vinte grupin etnik shqiptarë në një shkallë barazie  me kombësitë e tjera të Shtetit Federativ jugosllav. Në Podujevë (25 km në veri të Prishtinës), përpjekjet me forcat e armatosura kanë qenë të ashpra dhe kanë vazhduar disa ditë. Në Ferizaj, policia kapi 11 veta dhe i pushkatoi menjëherë në errësirën e natës. Në Drenicë, policia vrau Tahir Mehën dhe Nebi Mehen (babë e birë); Në Vushtrri, vrau Salih Zekën[4]. Kësi pushkatimesh të shpejta ka pasur kudo.

Ushtria e gjeneralit Lubiqiç, e ardhur me urgjencë nga Nishi, kishte shpallur shtetrrethimin dhe e transformoi Kosovën në një zonë të mbyllur ku asnjë dëshmitar i huaj nuk mund të hynte. Kështu që, në përpjekjet me shqiptarët, tanket mund të vepronin jashtë vështrimit të gazetarëve dhe të ndonjë turisti të huaj. Këto përpjekje kishin vazhduar disa ditë, duke vrarë e shtypur një numër të madh shqiptarësh, midis së cilëve kishte pasur edhe gra e fëmijë. Lëvizja kishte fillua përsëri në Prishtinë, më 20 të majit, kur kishin fillua ”proceset” e gjykatave të poshtëruara policore kundër të burgosurve shqiptar, të cilët paditeshin për veprim shkëputje nga Jugosllavia. Më 19 maj, mbi 1000 studentë kishin manifestua përsëri nëpër rrugët e Prishtinës duke kërkuar ngritjen e Kosovës në rangun e një republike autonome.

Megjithëse qeveria e Malit të Zi, më 2 e 3 prill, kishte marr një sërë masash “politike dhe administrative” për të ndalur manifestimet e shqiptarëve në atë republikë, lëvizja shqiptare u përhap në Plavë, Guci e Ulqin. Malësorët e Hotit e  të Grudës zbritën në Ulqin  për të manifestuar bashkë me nxënësit shqiptarë të këtij qyteti. Autoritetet e Malit të Zi bënë shumë arrestime.

Ky manifestim i përgjithshëm i shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi tregon vullnetin e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi për tu mbledhur në një republikë autonome, në kuadrin e Shtetit Federativ të Jugosllavisë. S’kishte fjalë më të drejtë dhe më legjitime nga kjo, mbasi këta shqiptarë përbëjnë një grup etnik kompakt prej 2.500.000 vetash që kanë gjuhën e tyre dhe kulturën e tyre. Atëherë përse autoritetet e Beogradit ndjekin një politikë të egër kundrejt këtij grupi etnik, duke i ndaluar çdo shprehje të lirë dhe duke e shtypur nën rrotat e tankeve. Kush do ta shkruaj listën e plotë të dëshmorëve që u vranë gjatë këtyre manifestimeve për çështjen e Kosovës, dëshmorë që kishte dal para tankut me kraharor të zhveshur. Po me kraharor të zhveshur i kishte dal edhe studenti Hasan Haxhaj, Fatmir Bala, Ibrahim Abazi e qind të tjerë, këngëtarja Shyhrete Behluli, studentja Zyrafete[5] e shumë të tjera që dhanë jetën për Kosovën.

Përpara se të laheshin rrugët nga gjaku i derdhur i shqiptarëve, arrestimet dhe pushkatimet nëpër terrin e natës vazhdonin pa ndërprerje. Njëkohësisht, numri i punëtorëve të përzënë prej pune dhe i studentëve të përzënë prej universiteti ishte tepër i madh. Ishin përjashtuar prej pune sidomos shumë kuadro dhe arsimtarët në tërë Kosovën, kështu që shkollat shqipe kishin mbetur pa mësues dhe pa profesorë. Lëvizja e shqiptarëve kishte shkaktuar një pështjellim në radhët politike dhe administrative të krahinës. Mbi 442 veta, në mesin e të cilëve ishin 110 mësues dhe 100 studentë, ishin përjashtuar nga Lidhja e Komunistëve të Kosovës.

Megjithëse grupe shqiptarësh ndodhen akoma të arratisur maleve, “proceset” e gjykatave policore kundër mijërave shqiptarëve vazhdojnë me shpejtësi ngatë gjitha anët e Kosovës. Më 20 maj, gjykatorja e Shkupit i jepte fund”procesit të të pestëve”, duke i dënuar:

1.       Zaim Beqirin, mësues, me 13 vjet e 6muaj burg të rëndë;

2.      Ragim Nezirin, murator, me 13 vjet burg të rëndë;

3.      Shaban Limanin, teneqexhi, me 10 vjet burg të rëndë;

4.      Esad Abdyrrahmanin, punëtor, me 10 vjet burg të rëndë;

5.      Ibrahim Shabanin, bujk, me 7 vjet burg të rëndë[6] 

Të gjithë këta kanë qenë të paditur për veprimtari se kanë punuar kundër integritetit të Jugosllavisë.

Në Ferizaj, ndërmjet 300 të arrestuarve që patën marrë pjesë në demonstrata, 35 u dënuan menjëherë me dënime të rënda që shkojnë gjerë në 15 vjet burg të rëndë.

Në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, dënimet vazhdojnë me grupe. Nuk kemi mundësi tani të japim një listë të plotë të dënimeve, që në shumë raste nuk botohen fare. Të burgosurit transferohen nëpër burgjet e Serbisë dhe të ishujve dalmat, mbahen të veçuar dhe nuk mund të kenë asnjë kontakt me familjet e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Franjo Herleviq, në raportin e 9 qershorit që kishte paraqitur para Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, jepte numrin prej 506 shqiptarëve të dënuar me burgime të ndryshme për manifestimet e marsit e prillit. Kurse, sipas informatave që kishte sigurua gazeta “Qindresa Shqiptare”, thuhej se numër i i shqiptarëve të dënuar arrinte mbi 2.000 veta. Këta të burgosur torturoheshin me mënyrat më mizore.

Në Beograd, një nga ata që drejtojnte shtypjen e egër kundër shqiptarëve, sidomos kundër rinisë, kundër kuadrove dhe intelektualëve shqiptarë ishte famëkeqi Dushan Ristiç. Ky serbomadh i tërbuar, që ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Rankoviqit kundër shqiptarëve,po tregohet akoma sot si një shtypës mizor i shqiptarëve. Në këtë ndërmarrje të shëmtuar ndihmohet prej Boshko Dimitrijeviqit e disa kriminelëve të tjerë të këtij lloji.

 

Reagimi i shtypit ndërkombëtar

 

Megjithëse Jugosllavia e kishte mbyllur kufirin për të hyrë e dal të huajt në Kosovë, shtypi dhe gazetarët ndërkombëtare ndiqnin vazhdimisht situatën dhe zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë. Për fat të keq, e shumta e informatave që jepeshin nga shtypi ndërkombëtar bazoheshin në komunikatat zyrtare të agjencisë jugosllave-Tanjug. Këto komunikata shpërndaheshin mandej në tërë botën prej agjencive perëndimore, si U.P.I. (United Press International), Reuters, Agence France Presse etj. Megjithatë , e shumta e gazetave dhe e revistave amerikane, angleze, frënge, gjermane,belge,italiane e turke kanë botuar rregullisht informata dhe artikuj mbi ngjarjet e Kosovës. The New York Times, The Christian Science Monitor e të tjera  gazeta amerikane, The Times, The Financial Times, The Daily Telegraph të Londrës, Le Figaro, Le Monde, Le France-Soir, LAurore, të Parisit, Le Soir, e Brukselit, Il Tempo, në Romë, Il Corriere dela Sera, në Milano, Frankfurte Allgemeine Zeitung, në Gjermani, Ege Telegraph,në Izmir, Cumhuriyet, në Stamboll, e të tjera gazeta turke e italiane i kanë vëzhguar ngjarjet e Kosovës. Revista sikurse The Economist, në Londër, LExpress, në Paris, LEspresso, në Romë, Die Welt, në Frankfurt[7], e të tjera, kanë botuar artikuj të gjatë mbi ngjarjet e Kosovës.

 

Reagimi i  mërgimtarëve shqiptarë

 

Shqiptarët e mërguar në botën e lirë u treguan më të bashkuar se kurrë për të shfaqur zemërimin e tyre kundër qeverisë së Beogradit, e cila përdorte të gjitha mjetet ushtarake për të shtypur manifestimet e studentëve shqiptarë dhe për të vrarë, si gjithnjë, gra e fëmijë.

Shqiptarët e mërguar, kudo që u ndodhën, organizuan mbledhje, demonstrata dhe protestime kundër regjimit tiranik jugosllav, duke kërkuar ndërhyrjen e botës së lirë për të mbrojtur shqiptarët në Jugosllavi.

Lidhja Kosovare organizoi në Amerikë dy demonstrata të mëdha, njërën në Uashington, më 13 prill dhe tjetrën në New York, më 18 maj, ku me mijëra manifestues kërkonin drejtësi për bashkë atdhetarët e tyre në Jugosllavi, si dhe ndërhyrjen e organizatës së Kombeve të bashkuara për ti dhënë fund gjakderdhjes që regjimi mizor jugosllav po bënte mbi popullin e pafajshëm; ata kërkonin mbrojtjen e popullit të Kosovës me anën e një kontrolli ndërkombëtar. Mbas demonstratës së 13 prillit në Uashington, një delegacion i Lidhjes Kosovare u prit nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme dhe me zyrtarë të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Deputetëve,me ndihmës-ministrin e Punëve të jashtme për Evropën Lindore, Z. Harry Gilmore; me të ngarkuarin me çështje të Jugosllavisë, në Ministrin e Jashtme të Amerikës, Z. Richard Monre Miles; me zëvendës ndihmësin e Ministrit të Jashtëm për çështje  legjislative, Z. Belden Bell dhe të tjerë. Të tjera demonstrata u bënë nëpër qendrat e ndryshme të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, si dhe në Evropë; në Frankfurt, në Stokholm, në Gjenevë të Zvicrës, në Paris, etj. Refugjatët kroatë kishin marrë  pjesë bashkë me shqiptarët në shumë demonstrata.

Komiteti Kombëtar-Demokratik “Shqipëria e Lirë”, në Paris, kishte protestua pranë qeverisë frënge e të tjera qeverive evropiane. Ai ua paraqiti gjendjen e shqiptarëve  në Jugosllavi organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kryetari i Komitetit , Z. Abaz Ermenji, iu bëri gjithashtu  një thirrje energjike gjithë shqiptarëve që të tregohen të bashkuar, të fortë e aktivë kundrejt këtij gjenocidi që po bëhej ndaj kombit tonë.

Nga ana tjetër, Komiteti Kombëtar-Demokratik “Shqipëria e Lirë”, Balli Kombëtar dhe Lidhja Kosovare iu kanë drejtua telegrame: Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Ronald Reagan, Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të bashkuara, Z. Kurt Waldheim, Sekretarit të Shtetit Amerikan, Gjeneralit Aleksandre Haig, Kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, Z. Charles Percy, Kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan, Z. Clement Zablocki, si dhe shumë senatorëve e deputetëve miq të Shqipërisë.

Presidenti i Amerikës, me një letër të 17 prillit nënshkruar nga Z. Jack Burges, iu përgjigj me simpati thirrjes sonë.

 Gjithashtu Senatori Charles H. Percy, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, Senatori Alphonse dAmato, Senatori Daniel Patrick Moyniham, e të tjerë personalitete amerikane i janë përgjigjur pozitivisht përfaqësuesit në Amerikë të Komitetit Kombëtar-Demokratik “Shqipëria e Lirë”, Dr.Ali Koprenskës.

Shqiptarët e Turqisë i drejtuan një thirrje Kryetarit të Shtetit Turk, Gjeneralit Kenan Evrenit, më 5 prill, duke iu lutur që të ndërhynte pranë qeverisë jugosllave. Thirrja ishte nënshkruar nga Z. Hajredin Bytyqi, i cili më 24 prill, mori përgjigjën nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë. Përgjigjja thoshte se thirrja e drejtuar Kryetarit të Shtetit ishte marrë në konsiderim.

Përfaqësuesi i Komitetit Kombëtar-Demokratik “Shqipëria e Lirë”, në Palermo, Z. Gjon Gjomarkaj, iu drejtoi nga një thirrje të prekshme Presidentit të Republikës Italiane, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, kryetarit të Këshillit të ministrave, Kryetarëve të Senatit dhe të Dhomës së deputetëve, si dhe personaliteteve dhe institucioneve fetare e kulturore të arbëreshëve në Italinë e Jugut. Thirrja e Z. Gjon Gjonmarkaj shoqërohej me një dokumentim të përpiktë mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi.

Me rastin e mbledhjes së rinisë së Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane, në Gjermaninë Perëndimore, prej 13 gjerë më 17 prill, 1981, zonjusha Luli Kurteshi, vajti prej Suedie në atë mbledhje për të parashtrua ngjarjet e Kosovës dhe për të kërkuar mbështetjen e rinisë evropiane në ndihmë të shqiptarëve në Jugosllavi.

Kudo, shqiptarët e mërgimit u treguan gati për çdo sakrificë dhe gati për të shkuar në ndihmë bashkëatdhetarëve të shtypur nën thundrën jugosllave.[8]

 

Reagimi i qeverisë komuniste të Shqipërisë

 

Qeveria komuniste e Shqipërisë, që ishte tregua në më të shumtën e rasteve e paanshme përndjekjen e vazhdueshme që iu ishin bërë shqiptarëve në Jugosllavi, qëndroi pezull edhe këtë herë deri më 8 prill: aq sa meritoi edhe një kompliment nga ana e Stane Dollancit, në deklaratën që ky e bëri me 6 prill.

 Por, duke e parë se me qëndrimin e heshtur ndaj ngjarjeve të Kosovës s’po i mbetej sy e faqe përpara kombit shqiptar, qeveria komuniste e Tiranës, u zgjua me 8 prill me një artikull të gjatë të botuar në gazetën  zyrtare të partisë “Zëri i Popullit”. Ky artikull ishte një dokumentim mbi gjendjen e Kosovës dhe mbi qëndrimin tiranik të qarqeve të Beogradit kundrejt shqiptarëve në Jugosllavi. Përdhunimet e policisë dhe të ushtrisë jugosllave, që përdorën tanket për të shtypur manifestimet e studentëve dhe të punëtorëve, kritikohen siç duhet. Po ashtu, artikull i tregon qartë arsyet e këtyre lëvizjeve studentësh dhe punëtorësh, shfrytëzimin ekonomik, mungesën e lirive dhe të drejtave politike e kanë zhytur popullsinë shqiptare në Jugosllavi në mizërie e në dëshpërim. Mbasi tregon keqëbërjen e regjimit të Beogradit kundrejt popullsisë shqiptare, artikulli i “Zërit të Popullit” sugjeron një shikim objektiv dhe realist të problemit shqiptarë në Jugosllavi, duke ia kujtuar qeverisë së Beogradit se duhet ti njohë popullsisë shqiptare liritë demokratike dhe të drejtën politike për një “republikë autonome”. Përndryshe, shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi do të mbetën të nënshtruar e të shtypur, në mëshirën e serbëve, të maqedonëve dhe të malazezëve.

Artikullit të “Zërit të Popullit”, nuk i mungon forca as objektiviteti. Por, regjimi komunist i Tiranës duhej të ishte përpjekur me kohë për çështjen e Kosovës. Më 1945, kur ishte koha e “muajit të mjaltit”, ndërmjet partive komuniste shqiptare e jugosllave, dhe kur komunistët shqiptarë talleshin me kombësinë- brigadat e Enver Hoxhës, gjoja në ndjekje të gjermanëve, patën shkuar në Jugosllavi për t;i nënshtruar Titos shqiptarët e Kosovës dhe, në bashkëpunim me UDB-en jugosllave, patën vrarë me mijëra shqiptarë kosovar. Qeveria e Enver Hoxhës e lejoi UDB-en jugosllave të hynte edhe në Shqipëri dhe të vriste nja njëmijë kosovar që ishin strehuar aty.

Më vonë, Shqipëria komuniste, që është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ishte bërë qesharake duke mbrojtur të drejtat e Kinës dhe të popujve të Afrikës, por nuk e ngriti zërin kurrë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi dhe për të kërkuar ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara kundër politikës të urryer të Beogradit që po i shfaroste shqiptarët. Në këto ngjarjet e fundit, kur ushtria jugosllave lëshoi tanket kundër popullsisë shqiptare, qeveria e Tiranës duhej ti drejtohej Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe jo të kënaqej me botimin e një artikulli (ose të disa artikujve) në “Zërin e Popullit”[9],

 

Pakë Histori

 

Pjesa e dytë e gazetës “Qindresa Shqiptare”, titullohej “Pakë Histori”, ku në pika të shkurta jepet historia e Kosovës dhe e shqiptarëve që jetojnë në të.

Siç dihej se historia e vërtet e Kosovës është transformuar në një legjendë prej serbëve dhe miqve të tyre. Kosovarët, si gjithë shqiptarët, janë një popull autokton dhe rrjedhin nga Ilirët e vjetër. Në kohët e lashta , ata i patën dhënë Perandorisë Romake dhe Perandorisë Bizantine disa nga perandorët më të mëdhenj, si për shembull Konstandinin e Madh që e njohu krishterimin fe zyrtare të Perandorisë.

Serbët, duke zbritur nga Galicia, u dukën në Ballkan në shekullin e VII-të pas krishterimit. Në kohën e Mesme, disa mbretër të tyre të dinastisë Nemanja e patën shtrirë sundimin politik mbi Kosovën, gjatë shekujve të trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë. Por popullsia e vendit pat mbetur në shumicë shqiptare. Pas vdekjes së carit serb Stefan Dushanit (më 1355), shqiptarët ngritën krye dhe, nën dinastinë e Balshajve, e çliruan  e tërë Kosovën.

Kjo krahinë ishte 95 % shqiptare, më 1912. Dhe me gjithë kolonizimin që iu bë pastaj prej serbëve dhe malazezëve, popullsia e Kosovës është akoma shqiptare me më shumë se 85%. Prandaj kjo tokë është e shqiptarëve sipas ligjit më të thjeshtë të natyrës, në bazë të të cilit toka iu përket atyre që e banojnë.

Përpara këtij realiteti të pamohueshëm, serbët kanë krijuar një qerthull legjendash, që lidhen ngushtë me folklorin dhe ndjenjat kombëtare të tyre. Në qendër të këtyre legjendave, qëndron lufta e famshme e Kosovës (1389), ku mbreti Lazar i Serbisë u zu rob dhe u vra prej Turqve. Serbët e kanë përvetësuar këtë luftë si një ngjarje më sentimentale të tyre.

Për sa i përket luftës së Kosovës kundër Turqve (më 1389), duhet të bëheshin dy vërejtje: 1. Ajo nuk ishte luftë kombëtare e serbëve, por një lloj kryqëzate kundër turqve, në të cilën merrnin pjesë  të gjithë popujt e Ballkanit dhe të Evropës danubiane, nën komandën e përgjithshme të mbretit Lazar të Serbisë. Në atë luftë morën pjesë edhe shqiptarët, nën udhëheqjen e dy princërve të tyre, Gjergji i II-të Balsha dhe Theodhori i II-të Muzaka. 2. Që lufta u bë në Kosovë, kjo varej nga drejtimi sulmues i ushtrisë turke dhe nga rrethanat strategjike[10], dhe nuk provon në asnjë mënyrë se cila ishte kombësia e popullit të Kosovës.

Nëqoftëse  Mbretëria e Serbëve mori në luftën e Kosovës një grusht nga i cili nuk u ngrit dot më, fati i ballkanasve ishte në balancë edhe njëqind vjet më vonë, kur shqiptarët, me Skënderbeun në krye, i thyen të gjitha sulmet e sulltan Muratit të II-të dhe të Sulltan Mehmetit të II-të, pushtuesi i Stambollit.

Gjatë shekujve të pastajmë, misionarët katolik e të tjerë udhëtar të paanshëm që patën shëtitur vendet e Ballkanit dëshmojnë, me shkrimet e tyre, se popullsia e Kosovës ishte në shumicë të madhe shqiptare, si në qytete ashtu edhe në krahinë.

Numri i Serbëve që elanë Kosovën, me patrikun e Pejës, për të emigruar në Hungarinë e Jugut më 1690 e 1738, ka qenë shumë i vogël se sa e tregojnë, dhe nuk i pruri ndonjë ndryshim përbërjes etnike të Kosovës.

Në kohën e Kongresit të Berlinit më 1878, qyteti i Prizrenit (që sot quhet i Jugosllavisë), shikohej si qendra e Shqipërisë etnike,mbasi në atë qytet u bë mbledhja kombëtare e shqiptarëve dhe u formua Lidhja e Prizrenit për të kundërshtua vendimet e fuqive të mëdha dhe për të mbrojtur me armë tersin e tokave shqiptare. Dhe Kosova mbeti qendra e lëvizjeve dhe e kryengritjeve shqiptare kundër Turqisë për autonominë e Shqipërisë, deri më 1912.

Lufta ballkanike e vjetëve 1912-1913, nuk pati tjetër qëllim përveç copëtimit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, që i përkisnin akoma Perandorisë otomane. Posa pushtuan Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë e Veriut, ushtritë; serbo-malazeze u vunë që ta shfarosin me rrënjë popullsinë shqiptare duke djegur e vrarë popullin në masë. Një gjenocid i këtillë nuk ishte parë kurrë në Ballkan që nga koha e invadimit të barbarëve  dhe të sllavëve.

Një komision hetimesh (ku bënin pjesë edhe disa “çmime Nobel” për paqen, si  D’Estournelles de Constant), ishin dërgua në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut prej Institutit Carnegie, më 1913, për të hetuar gjendjen. Raporti i këtij komisioni përfundonte kështu;

Djegie shtëpish e fshatrash, vrasje në masë të popullsisë së çarmatosur e të pafajshme, përdhunime që s’janë parë kurrë, vjedhje dhe brutalizëm të çdo lloji: këto janë mjetet që trupat serbo-malazeze kanë përdorur dhe po përdorin akoma me qëllim që tu a ndryshojnë krejtësisht fizionominë etnike krahinave që banohen tërësisht prej shqiptarëve”

Ky tmerr i pashembullt dhe këto masakra vazhduan gjer më 1915, dhe filluan përsëri pas LDB.

Në periudhën midis dy luftërave, filloi kolonizimi i Kosovës, nën maskën e një të ashtuquajtur “reformë agrare”, që iu merrte shqiptarëve gjysmën e tokës dhe të shtëpisë për tu a dhënë serbëve dhe malazezëve. Qëllimi i kësaj reforme ishte politik për të shpërngulur shqiptarët dhe për ta mbushur Kosovën me Sllavë, sikurse  e vërteton vetë ai që ishte i ngarkuar me zbatimin e “reformës agrare”, G. Kristiq, në librin e ti me titull “Kolonizimi i Serbisë  jugore”, botuar në Sarajevë, më 1928.

Është e kotë të përmendim këtu mënyrat shtypëse dhe gjakësore që janë përdorur kundra shqiptarëve për të shpronësuar dhe për ti shtrënguar që të emigronin për në Turqi. Zyrtarisht,ky popull quhej “mysliman” dhe jo shqiptar,me qëllim që ti fshihej kombësia nën maskën e fesë. E prandaj mësimi i gjuhës shqipe ishte rreptësisht i ndaluar: çdo njeri që kapej me një libër shqip, dënohej si për një faj të rëndë, me burgim që mund të shkonte gjerë më 15 e 20 vjet burg të rëndë. Këto gjëra duken të pabesueshme në kohën tonë, sidomos për një vend që ndodhet në Evropë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, partia Komuniste Jugosllave krijoi dhe organizoi partinë komuniste shqiptare,me qëllim që ta përdorte si një vegël për ta futur të tërë Shqipërinë në kuadrin e Shtetit të Jugosllavisë.

Në mbarim të luftës, krimet dhe masakrat që bëri policia komuniste e Titos mbi shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë kapërcejnë 65.000 të vrarë ose të helmuar me gaz. Qeveria komuniste shqiptare e ndihmoi policinë jugosllave në këtë vepër kriminale dhe tradhtare nga më të ndyrat.

Qëndrimi i regjimit komunist kundrejt shqiptarëve vazhdoi si ai i regjimit të mëparshëm. Çdo pretekst ishte i mirë për të vrarë shqiptarët ose për tiu thyer kockat nën tortura. Më 1956, policia jugosllave bëri një “operacion” të përgjithshëm duke hyrë natën nëpër shtëpitë e shqiptarëve për të zbuluar gjoja “armë të fshehura”. Me atë shkak UDB-eja vrau, torturoi,plaçkiti e çnderoi sa deshi, duke përdhunuar edhe gra e vajza përpara syve të burrave e të prindërve të tyre. Numri i të vrarëve dhe i të gjymtuarve nën tortura, në atë rast,kapërcente 2.000 veta. Ngjarje këto që bëjnë të dridhet çdo ndërgjegje njerëzore.

Kur u demaskua Rankoviqi, Ministri i Punëve të Brendshme, në shtator1966 (sepse ky donte ti zinte vendin Titos), i tërë thesi me pleh i krimeve dhe i keq  bërjeve kundër shqiptarëve iu ngarkua këtij. Atëherë, me urdhrin e “Lidhjes së Komunistëve Jugosllav”, shtypi i Beogradit, e sidomos gazeta “Borba” dhe “Veqernje Novosti”, filloi të botonte disa nga krimet e tmerrshme që policia e Rankoviqit kishte bërë mbi shqiptarët. Vetëm atëherë shtypi i Perëndimit[11], sipas zakonit, nisi të jepte lajmet e gazetave jugosllave.

Por gazetat jugosllave i paraqitnin ngjarjet të mbuluara me një far perde. Ato nuk tregonin veçse disa qindra shqiptarë të varë fshehtas prej policisë ose të vdekur nëpër tortura, 25 arsimtar të çmendur prej torturave, dhe vetëm për qytetin e Prizrenit nja 200 shqiptarë të gjymtë prej torturave,të cilët u liruan nga burgu. Kurse gazeta “Rilindja”, që del në Prishtinë në një shqipe të çoroditur, jepte hollësira më shumë rreth torturave të llahtarshme, rreth çnderimeve, dhe tregonte raste të veçanta për njerëz të djegur gjallë, të vrarë në atë mënyrë ose në këtë mënyrë. Tregonte gjithashtu se kishte 120.000 dosje shqiptarësh të dyshimtë, që duhej të paraqiteshin çdo javë në polici ku rriheshin e brutalizoheshin. Disa prej tyre vrisnin veten për të mos u paraqitur në polici.

Dy shefa të policisë serbe, Millovan Jashoviq dhe Bllago Seniq, pohuan se në Pejë pothuajse të gjithë shqiptarët ishin shënuar në regjistrat e policisë si të dyshimtë. Ata pohuan gjithashtu se kishin dokumente rreth disa vrasjeve shqiptarësh që kishin mbetur akoma pa u zbuluar. “Ato që bënim mbi shqiptarët kanë qenë me të vërtet të tepruara dhe të fëlliqura”, kishin thënë ata, ”por këto mënyra veprimi kundrejt shqiptarëve i kishin gjetur trashëgim”.

Si përfundim i këtyre mizorive policore, në atë periudhë, më shumë se 350.000 shqiptarë i braktisën vatrat shekullore të stërgjyshërve dhe emigruar në Turqi.

Mënjanimi i Rankoviqit nuk i ndryshoi për shumë kohë metodat e policisë jugosllave kundër shqiptarëve. Arrestimet filluan rishtazi, sipas “zakonit të trashëguar”, dhe torturat mbetën po ato. Policia shpikte gjithmonë “qëllime separatiste” për ti mbajtur shqiptarët nën tortura. Burgjet e Nishit, të Idrizovës, të Sremska Mitrovicës, të Pozharevcit, të Shpuzës etj. Ishin plotë shqiptarë. Prej Konferencës së Beogradit  për “mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, më 1978, me duzina të burgosur politikë shqiptarë kanë vdekur nën tortura ose janë vrarë me plumba nëpër bodrumet e burgjeve. Sipas deklaratave që i bëri shtypit amerikan, një dëshmitar sy pamës, shkrimtari jugosllav Mihajlo Mihajlov, të burgosurit shqiptarë torturoheshin sa çmendeshin. Mihajlovi kishte jetuar me ta nëpër burgjet deri më 1978.

Më 31 mars 1980, gjatë sëmundjes së Titos, gazeta “Politika” e Beogradit lajmëronte kurdisjen e një “procesi” kundër 50 shqiptarëve, gjoja fajtorë sepse kishin shpërndarë të arrestuar kalonin 400 veta, nga të cilat ishin 30 vajza[12]. Policia dhe ushtria pushtuan tërë Kosovën duke bërë kontrollime gjithkund.

Regjimi komunist jugosllav, porsa mori fuqinë, me qëllim që ta thyente unitetin e tokave të banuara prej shqiptarësh, i vura këto nën administrata të ndryshme: një pjesë nën republikën e Maqedonisë, një pjesë tjetër nën republikën e Malit të Zi, një pjesë të tretë nën republikën e Serbisë, dhe vetëm fusha e Kosovës u njohë sa për formë si “krahinë autonome” (me emrin Kosovë-Metohi), në kuadrin e republikës së Serbisë. Në të vërtetën, kjo “krahinë autonome” mbeti kryesisht nën kontrollin e serbëve. Deri vonë, edhe emri i shqiptarëve të Kosovës ishte shtrembëruar, për të mos i treguar si të njëjtë me bashkë atdhetarët e tyre të Shqipërisë, domethënë për të mos iu njohur identitetin kombëtar.

Vetëm pas reformave konstitucionale të vitit 1968, u përdor zyrtarisht për shqiptarët emri i vërtet kombëtar dhe iu njohë “republika autonome”, një trup legjislativ dhe një ekzekutiv, të cilët janë sa për formë si njëri edhe tjetri.

Problemi i shqiptarëve të Jugosllavisë duhet shikuar më seriozisht, në qoftëse iu duhet dhënë fund turbullirave të përhershme që përbëjnë një rrezik për paqen në atë pjesë eksplozive të Evropës.

 

III. Paqësimi i shqiptarëve të Jugosllavisë është i mundshëm dhe fort i dëshirueshëm

 

Për të sjell paqen, gazeta “Qindresa Shqiptare”, mendonte se shqiptarët nuk duhet shikuar si një popull i ulët e i mundur, në mëshirë të pushtueseve të tij. Duhet nisur nga parimi që shqiptarët e Jugosllavisë përbëjnë një grup etnik kompakt, me gjuhën e tyre, kulturën e tyre, historinë e tyre, traditat e tyre si edhe të gjitha cilësitë që karakterizojnë një kombësi. Si numër, ata janë më të shumtë se disa grupe etnikë të tjerë që kanë pasur të drejtë të gëzojnë statutin e republikës autonome në Shtetin Federativ të Jugosllavisë. Shqiptarëve nuk iu mungon kultura, as zgjuarsia, as zotësia në punë që të mos shikohen si të barabartë me të tjerë. Shqiptarët kanë edhe ata dinjitetin e tyre dhe respektin e vetvetes si njerëz.

Kosova, me gjithë gjendjen e mjeruar ekonomike (për shkak të gjendjes së mjeruar politike), është një krahinë bujqësore shumë e pasur është e pasur gjithashtu me lloj-lloj mineralesh. Qymyri i gurit, plumbi, kromi, nikeli, magneziti, shfrytëzohen me miliona e miliona tonelatash dhe centralet term- elektrike prodhojnë me miliarda kw. Por të gjitha këto shkojnë në përfitim të shtetit jugosllav, dhe krahina nuk sheh asnjë dobi. Krahina shfrytëzohet si një koloni.

Kryetari i “Lidhjes Komuniste të Kosovës”, z. Bakalli, kishte deklaruar, në dhjetor 1980, se “dinamika” e zhvillimit të Kosovës ishte 46,9% më i ulët se sa mesatarja e Jugosllavisë. Me gjithë ato pasuri natyrore dhe me një popull punëtor, përse Kosova figuron si krahinë koloniale- me anën e kuadrove serbe, maqedone e malazeze- dhe nuk bënë asgjë, nuk tregon asnjë vullnet, për të përmirësuar kushtet e jetesës së popullsisë vendase. Në Kosovës nuk është bërë asnjë investim kapitalesh në përfitim të popullsisë së vendit..........................................................................

Nëpërmjet të demonstratave të muajve mars e prill, studentët kosovar kanë dashur të shprehin pa kënaqësinë për gjendjen ekonomike, për kushtet shumë të këqija të jetesës dhe për shkeljen e të drejtave që iu bëhet atyre në krahasim me studentët e universiteteve të tjera të Jugosllavisë.

Për sa koha që shqiptarët e Jugosllavisë trajtohen si nënshtetas të një kategorie më të ulët, që shfrytëzohen dhe shtypen pa mëshirë, nuk mund të ketë natyrisht pajtim me ta. Iu duhen të gjitha të drejtat që kushtetuta jugosllave iu njeh kombësive të tjera të Jugosllavisë, në të njëjtën shkallë barazie. Me fjalë të tjera,iu duhet njohur shqiptarëve e drejta që të formojnë një republikë autonome në kuadrin e Shtetit Federativ të Jugosllavisë.

Vetëm kjo do të ishte një zgjidhje realiste dhe pozitive e problemit të shqiptarëve në Jugosllavi. Puna duhet filluar me një amnisti të përgjithshme që të përfshijë të gjithë shqiptarët e dënuar ose të arrestuar për shkaqe politike. Mandej duhet hyrë në bisedime me përfaqësuesit e vërtet të grupit etnik shqiptar për të hedhur bazat e një republike autonome të shqiptarëve, me të njëjtin statut që kanë republikat e tjera të Federatës jugosllave. Republika autonome e shqiptarëve duhet të përfshijë gjithë krahinën e Kosovës si edhe pjesën e tokave të republikës së Maqedonisë dhe të republikës së Malit të Zi,ku popullsia është në shumicë të madhe shqiptare.

Vetëm atëherë Jugosllavia mund të jepte shembullin e një zgjidhjeje realiste të problemit të kombësive dhe do të siguronte bashkimin paqësor të grupit etnik shqiptar në Federatën jugosllave.

 

 



[1] Demonstratat e shqipëtarëve  të Kosovës dhe shtypja gjakësore e tyre, Qindresa Shqiptare,nr. 114, f. 2. Paris,1981.

[2] Po aty, f. 3

[3] Në këto kushte, si të mos lëvizi dhe të mos manifestoi rinia, Qindresa Shqiptare,nr. 114, f. 3, Paris, 1981.

[4] Po aty,f. 4.

[5] Po aty.

[6] Po aty, f.6

[7] Reaksioni i shtypit ndërkombëtar, Qindresa Shqiptare, nr. 114,f.7, Paris 1981

[8] Reaksionii shiptarëve të mërgimit, Qindresa Shqiptare,nr.14,f. 7-9, Paris,1981.

[9] Po aty.

[10] Po aty.

[11] Po aty.

[12] Gazeta “Politika”, 31 mars, 1980, Beograd



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (V) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (III) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (II) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (I) Sabile Keçmezi-Basha: Lëvizja ilegale atdhetare në Mitrovicë e rrethinë 1945-1990 Sabile Keçmezi-Basha: Formimi i grupit të NDSH-së ‘’Balli Kombëtar’’ në Tugjec, më 1954 Sabile Keçmezi-Basha: Karikatura - si formë e rezistencës në ilegalen shqiptare Alban Dobruna: Kontributi i femrës në pavarësinë e Shqipërisë Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar e demokratik i programeve të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Sabile Keçmezi-Basha: Edhe gratë shqiptare në burgjet jugosllave Sabile Keçmezi-Basha: Omer Çerkezi dhe qëndresa e tij për çështjen kombëtare Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar i Lëvizjes Ilegale Shqiptare në Kosovë (1945-1990) Sabile Keçmezi-Basha: Revista ‘’Drita e Lirisë’’ dhe kontributi i saj në ilegalen shqiptare Sabile Keçmezi-Basha: Kujtojmë Atdhetarin e Madh - Ali Aliun Sabile Keçmezi-Basha: Reagimet e forcave kombëtare në Kosovë ndaj vendimeve të Kuvendit të Prizrenit (1945) Sabile Keçmezi-Basha: Formimi dhe veprimtaria e Organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë” Sabile Keçmezi-Basha: Propaganda e dezinformimi, metoda të organizuar... Sabile Keçmezi- Basha: Akademik Ali Hadri në mbrojtje të simboleve kombëtare

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora