E hene, 07.10.2024, 09:19 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar e demokratik i programeve të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës

E marte, 21.12.2010, 11:00 PM


 

KARAKTERI KOMBËTAR E DEMOKRATIK I PROGRAMEVE TË KOMITETIT MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

Pas Luftës së Parë Botërore ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë dhe e tërësisë tokësore të shtetit shqiptar ishte problemi politik më i ngutshmi. Prandaj të nxitur nga momenti historik, një grup patriotësh vendosën të krijonin një organizatë politike për t’iu paraprirë atyre situatave kritike e të ndërlikuara[1]. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u formua me 1 maj 1918, në ilegalitet të thellë dhe nga nëntori i po të njëjtit vit u vendos në Shkodër. Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, për demokratizimin e tij, për çlirimin e  Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë, që ishin të shkëputura padrejtësisht më 1913 dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë[2]. Duhet shtuar se themelues dhe drejtues të organizatës ishin zgjedhur atdhetarët e shquar si Hoxhë Kadri Prishtina (kryetar), Bedri Pejani (sekretar), Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sali Nivica, Hysni Curri e shumë të tjerë.

            Menjëherë pas qëndrimit se duhet formuar Komitetin, krerët e organizatës morën për detyrë të parë dhe të menjëhershme hartimin dhe miratimin e Programit të organizatës, veç këtij dokumenti të rëndësishëm për të, ata kishin hartua edhe statutin e saj dhe një varg dokumentesh tjera të rëndësishme.

            Komiteti “MKK” ishte ndër organizatat e para atdhetare e demokratike që përpunoi një program të plotë e të argumentuar shkencërisht për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, e cila ishte trashëguar si një problem i pazgjidhur nga Rilindjes e në mënyrë të veçantë në vitet 1912-1913 për shkak të vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës[3]

Duke hulumtuar dhe studiuar formimin dhe veprimtarinë e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, hasim në të dhëna të bollshme të cilat dëshmojnë se Komiteti menjëherë pas themelimit, kishte miratua Programin dhe statutin e vet. Dhe duke i lexuar këto dokumente të rëndësishme të organizatës ilegale, vijmë në përfundim se në thelb programi në tërësi shpreh aspiratat shumë shekullore të popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë, por edhe lufton për një Shqipëri thjesht vetëqeverisëse, pa kurrfarë proteksioni të asnjë shteti të huaj. Vihet në dukje gjithashtu, se kufijtë e Shqipërisë do të përcaktohen në bazë të parimit të së drejtës së kombeve për vetëvendosje. Meriton të të vihet në pah  se ky parim shtrohet për herë të parë nga politikanët ballkanas[4].

            Komiteti “MKK”, vazhdimisht sipas dokumenteve kishte dy Programe. Programi i parë dhe themelori ishte miratua në ditën në të cilën edhe ishte formua organizata, me 1 maj 1918.

Programi që u miratua në këtë ditë ishte i shkurtër dhe përbëhej prej 3 pikave ose ndryshe siç e quanin ata prej 3 nyjeve.

Pika më e rëndësishme e programit ka të bëjë me Nyjen e parë e cila në mënyrë decidive kërkonte bashkimin e të gjitha krahinave të banuara me shqiptar dhe në këtë mënyrë edhe vërehej qëllimi kryesor i komitetit ku thuhej se “Me u përpjekë para pushteteve të mëdha të Entantës e me kërkue bashkimin e krahinave të Kosovës ( Shkup, Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivarë, Kaçanik, Ferizoviq, Gilan, Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë, Jeni Pazar, Rozhajë, Pejë, Guci, Gjakovë, Prizren) në Shqipin të lirë dhe vetëurdhënuese”[5]. Sipas vendeve të cilat ceken në program, janë të gjitha krahinat shqiptare që më 1912 kishin ngelur të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi më 1912.

            Pika e Parë e programit edhe për një fakt është e rëndësishme ngase në mënyrë të qartë opinionit të gjerë ndërkombëtar ia bënë me dije se Komiteti donë dhe lufton për një “Shqipëni të lirë dhe vetëurdhënuese”, por kuptohej në bashkëpunim dhe përkrahje të shteteve të mëdha të Antantës. Në mes tjerash, programi kishte edhe pikëpamje politike kur kërkonte mbështetjen e shteteve të mëdha për të realizua qëllimet supreme për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet.

            Nga vet kjo pikë e programit vijmë në të dhëna se Komiteti “MKK” edhe pse kishte këtë emërtim, megjithatë Komiteti nuk e kishte qëllimin e vetëm që të çliroi vetëm territoret e Kosovës së ngushtë, por ajo angazhohej për çlirimin e territoreve, që përbënin territoret me popullsi shqiptare të pushtuara nga serbo-malazezët[6] por edhe më gjerë.

            Në pikën e dytë të programit thuhej se “Me protestue para Pushtetevet të Mëdha të Entantës kundër mizorinave sllave nder krahinat të Kosovës deri në ditët e sotit e qi dojnë me u ba edhe mas sotit”[7]. Anëtarët e Komitet kishin një eksperiencë dhe njohuri se forcat dhe pushtetet okupuese në tokat shqiptare po ushtronin dhunë e terror të paparë ndonjëherë ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, andaj edhe delte pika e dytë e programit në të cilën kërkohej përkrahja dhe ndihma nga shtete e mëdha që të mbrojnë popullatën shqiptare, por ekzistonte frika se  ato barbari do të ushtrohen edhe në të ardhmen ndaj tyre dhe ishte e domosdoshme që këto vende të merren në mbrojtje nga fuqitë e mëdha.

            Ndërsa pika e tretë e programit kishte të bëjë  me organizimin dhe zgjedhjen e një delegacioni njerëzish të zgjedhur për ti dërgonin në botë për ti mbrojtur dy pikat e para.

            Në pikën e tretë thuhej “Me zgjedhë e me çue nji delegacion për me i mbrojtë në fillim dy pikat e sipërpërmendura para botës zyrtare e jashtë zyrtare[8]. Programi i Komitetit kishte program unifikues gjithëshqiptar, andaj nuk ishte e rastësishme se rreth kësaj organizate ishin grumbullua dhe aderua intelektualet dhe atdhetaret më të mëdhenj të kohës.

            Për të vënë në jetë programin e vet, Komiteti “MKK”, në vitet 1918-1920, veprimtarin e vet e përqendroi në dy drejtime kryesore: në përpjekjet e gjithanshme diplomatike, me anë të hartimit dhe dërgimit të protestave, memorandumeve, promemorieve, statistikave etj., siç theksohej në materialet e Komitetit, “para botës zyrave dhe jashtë zyrtare” dhe në organizimin e drejtimin e lëvizjes nacionalçlirimtare të armatosur kundër zgjedhës serbomadhe në Kosovë[9].

            Në bazë të të dhënave dihej se Komiteti “MKK” kishte dy programe, në bazë të të cilëve zhvilloi tërë aktivitetin dhe veprimtarin e saj. Programi i dytë i Komitetit u miratua pas dy viteve të punës së organizatës, me 30 gusht 1920[10]. Por duhet shtuar se në mes të dy programeve nuk kishte dallime të mëdha, por në një mënyrë edhe në programin e dytë vazhdohej me sintetizimin e platformës së veprimtarisë së mëtejshme të organizatës. Në programin e dytë gjejmë fuqizim dhe qartësim më të avancuar se në programin e vitit 1918 dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë së kësaj organizate në periudhën pasardhëse[11]. Edhe me këtë program komiteti i vuri vetes detyra të rëndësishme, që ishin të kushtëzuara nga faktor të ndryshëm, para se gjithash nga aspirata e mbar popullit shqiptar për sigurimin e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, dhe për bashkimin në këtë shtet të të gjitha krahinave me popullsi shqiptare dhe transformimin sa më të shpejtë të Shqipërisë[12].

            Programi i dytë i Komitetit “MKK” u miratua në mbledhjen e 30 gushtit të vitit 1920, sikurse programi i parë themeltar edhe ky përbëhej nga tri pika kryesore, në të cilat më qartë sqarohen dhe jepen detyrat e caktuara për organizatën. Në pikën e parë të programit të 30 gushtit 1920, përcaktohej qëllimi i veprimtarisë së anëtarëve të Komitetit për “me  i dal zot vetësundimit e anësisë tokësore të Shqipënisë”[13] Realizimin e plotë dhe përfundimtar të këtij qëllimi kryesor Komiteti e shikonte të lidhur ngushtë me realizimin e pikës së dytë të programit të tij, në të cilën kërkohej “me përdorue çdo mjet për me lirue Kosovën e Dibrën e çdo vend ku flitej shqip e me e bashkua nën sundim të Shqipënisë së lirë”[14]. Në pikën e tretë të programit themeltar të vitit 1920, Komiteti përcaktonte qëndrimin e tij lidhur me politikën e brendshme dhe të jashtme, që duhej të udhëhiqej nga shteti i pavarur shqiptar...[15]. Sipas këtij programi kërkohej përkrahja dhe mbrojtja e asaj politike të brendshme, e cila do ti hapte vendit perspektivat e zhvillimit dhe përparimit mbi bazën  e bashkimit kombëtar, ndërsa në politikën e jashtme përkrahte zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit reciprok me ato shtete, që do të jenë për miqësi dhe Shqipërinë e lirë dhe me idealin e Komitetit[16].

            Në vazhdim do të shohim se Komiteti “MKK”, me seli në Shkodër, ishte i orientuar se përveç punës programore të fillonte përgatitjet për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit sllav. Por ky angazhim duhet të pasoi pas të gjitha përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të Kosovës si territor i Shqipërisë dhe të përmirësoj gabimet që ishte bërë me rastin e caktimit të kufijve  në vitin 1913. Nëse të gjitha këto nuk do të jepnin fruta , atëherë ata kishin vendosur se duhej ndërmarr edhe aksione ushtarake. Për këtë qëllim  anëtarët e Komitetit kishin përgatitur “Programin e përgjithshëm të kryengritjes në Kosovë më 1919”[17]. Ky program me 16 pikat që kishte duhet të jetë plotësim i programit themeltar të Komitetit të 1 majit 1918 dhe përpilues të saj ishin oficerët e njohur e me përvojë: Ali Shefqeti, Hysni Curri, Ibrahim Gjakova etj, por orientimin politik ia kishte dhënë vetë Hoxhë Kadria.

            Sikurse në programet e mëparshme politike edhe në këtë dominonte fryma kombëtare e demokratike e Komitetit. Në të gjitha pikat shpreheshin qartë parimet themelore politike e ushtarake të forcave kryengritëse. Në nenet 1, 2, 3, dhe 4 thuhej se kryengritësve shqiptar u ndalohet rreptësisht dhunimi, plaçkitja, djegia e shtëpive, kishave e ndërtesave të tjera si dhe vrasja e robërve të luftës. Në nenin 12 thuhej se “Nderi i vajzave dhe grave serbe do te mbrohet si nderi i shqiptareve”. Në përgjithësi këto qëndrime do ti gjejmë edhe te programi i kryengritjes së armatosur të vitit 1919 në Kosovë, por që prezantohej në 10 pika, që do i prezantojmë në vijim:

            1. As një kryengritës nuk guxon me i dëmtua shkiet e vendit veç atyre që qëndrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar.

2. As një kryengritës nuk guxon me djeg shtëpia, e me rrënua kisha.

3. Plaçka është jatak kryengritjes

4. As një kryengritës nuk guxon me bë ndonjë shëmtim mbi trupat e vrarë të armikut, as me i zhveshë ata armiqë që mbesin vdekur e të plagosun ose të nxënë robër.

5. Veprimi më i gjallë ka me qenë kundra ushtrisë, xhandarmërisë kundra komiteteve të armikut që kundërshtojnë me armë në dorë edhe kjo qoftë se armiku bënë mizorina  shqiptarëve  pa armë (1,2,3,4), kanë për t’iu përmbajtë plotësisht e rreptësisht.

6. Një tradhtarë që kundërshton luftën krahas me armikun ose veç është kundra  qëllimit  shqiptar ka për tu vrarë pa gjyqë e pa afat e kush do që të jetë. Por, një tradjëtar pa armë në dorë ka me u gjykua para gjyqit të kryengritjes e ka me u dënua mbas dokumentesh e jo me prralla të hallkut.

7. Me të zaptuemit e një shehri ose të një katundi serbë shkiet e vendit ashtu edhe qarshia të ruhen te gjindët, besnikja e kryengritësit të ndjeki armikun pa afat e pa bjerë as një dakik nëpër shehre e katunde.

8. Kot e pa nevojë as gjaku i popullit tonë as gjaku i popullit armik s’ka me muajt me u derdhë. Por, aty ku është nevoja një kryengritës s’ka me guxua me kursy as pak gjakun e vet e vetme.

9. Aeroplanët, konsullat e çka ka që i përket këtyre ka për t’i ruajt me gjindëmë besnik e më të marrukë vesh.

10. Të vrarët shqiptar, s’kanë për tu futur në dhe deri sa të vije ndonjë komision i huaj. Mizorit e bëra prej armikut kanë për të mbet shënua edhe për t’u dëftua Evropës e Amerikës[18].

Në ato vite, Komiteti “Mbrojtja Kombëptare e Kosovës” ishte një organizat politike gjithëkombëtare, që kishte luftua për mbrojtjen e trojeve dhe të interesave të mbar popullit dhe bënte thirrje që ti tregohej  “botës se Kombi Shqiptar, pa ndërlikim fejet e besimesh, ka një zemër e një dëshirë me e përngreh shtetin me lirina të plota. Kush të dojë me nderue vendin, shpin e atdheun le të përpiqët pa bjerrë asnjë dekikë rreth e qark dëshirës kombëtare[19], thuhej në deklaratat e kryesisë së komitetit dhe të vet kryetarit të saj Hoxhë Kadriut.

Dhe krejt në fund dua të ceki se programet e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” kishin karakter kombëtar dhe demokratik ngase në pikat e tyre mbi të gjitha qëndronte çështja kombëtare dhe më konkretisht organizimi i forcave të gjalla popullore dhe intelektuale për të realizuar programin e lëvizjes kombëtare mbarëshqiptare dhe për të shpëtuar vendin nga e keqja[20]. Dhe është demokratike ngase në asnjë dokument apo material që del nga kjo organizatë gjatë periudhës 1918-1924,  askund nuk ka asnjë shenjë sado të vogël që kishte me shfaqë ndjenjën, pikëpamjen dhe qëndrimin shovinist, të cilat deri në fund ngelën të huaja për parimet themelore të Komitetit.  

                       

Kumtesë e lexuar në Simpoziumin Shkencor “Veprimtaria politike e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, 30 nëntor 2010, Prishtinë

 



[1] Eqber Skëndi, Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina), Prishtinë,1992, 36.

[2] Fjalori Enciklopedik Shqiptar,Tiranë, 1985, 499

[3]Akademik Kristaq Prifti, Kontributi I Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” për rimëkëmbjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për bashkim kombëtar (1918-1924),Përmbledhje kumtesash,”Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, Tiranë 2004, 27.

[4] AQSH, Fondi 846, D-9. Pal Doçi, Hoxha Kadri Prishtina (Jeta dhe vepra), Tiranë, 2005, 23

[5] Hakif Bajrami, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe qeveritë e Tiranës për krimet serbe  ndaj shqiptarëve 1918-1941, Prishtinë 2008, 95; AQSH, Fondi  1007, D- 708-757.

[6] Lush Culaj, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1918-1924, Prishtinë 1997, 28; Zamir Shtylla, Rreth krijimit dhe veprimtarisë së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në vitet 1918-1924, “Studime historike”, nr. 3, Tiranë 1986.

[7] Programi i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, 1 maj 1918, KQSH, Fondi 1007, D- 708-757.

[8] AQSH, fondi:846, dosja 1, f.1; Hakif Bajrami, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe qeveritë e Tiranës për krimet serbe  ndaj shqiptarëve 1918-1941, p.c., 95

[9]Zamir Shtylla, Rreth krijimit dhe veprimtarisë së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në vitet 1918-1920”, studime historike, 1986, nr. 3, 111 (Tiranë)

[10]) Po aty, f. 107.

[11] Lush Culaj, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1918-1924, Prishtinë 1997,32

[12] Po  aty; Eqber Skendo, Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina), Prishtinë 1992.

[13] AQSH.Fondi 846, viti1920, dos 5, fl. 1.

[14] Lush Culaj, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1918-1924, Prishtinë 1997, 32.

[15] AQSH, fondi 846, dosja 9, 12.

[16] Lush Culaj, vepër e cituar, f. 33

[17] Fehmi Pushkolli,Mbrojtja Kombëtare Shqiptare e Kosovës 1878-1990,Prishtinë, 19991, 78

[18] AQSH, fondi; 846, dosja 57

[19]Limon Rushiti, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe Lëvizja Kaçake në Kosovë si forma e luftës për çlirim  dhe bashkim kombëtar (1918-1925), (Simpozium i mbajtur në Tiranë më 15-16 prill 1993), Çështja e Kosovës- një problem historik dhe aktual, Tiranë 1995, 151; AQSH, Fondi KMKK, dos. 46. dok. 800-312. 

[20] Muin Çami, Mbi themelimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe orientimin politik të tij, (Përmbledhje kumtesash)  Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, botoi ASHSH, Instituti I Historisë-Tiranë, Instituti I Historisë- Prishtinë, Tiranë ,2004, f. 44; Muin Çami, Shqiptarët për problemin e Kosovës në mbarim të Luftës i Botërore , (Simpozium i mbajtur në Tiranë më 15-16 prill 1993), Çështja e Kosovës- një problem historik dhe aktual, Tiranë 1995



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Edhe gratë shqiptare në burgjet jugosllave Sabile Keçmezi-Basha: Omer Çerkezi dhe qëndresa e tij për çështjen kombëtare Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar i Lëvizjes Ilegale Shqiptare në Kosovë (1945-1990) Sabile Keçmezi-Basha: Revista ‘’Drita e Lirisë’’ dhe kontributi i saj në ilegalen shqiptare Sabile Keçmezi-Basha: Kujtojmë Atdhetarin e Madh - Ali Aliun Sabile Keçmezi-Basha: Reagimet e forcave kombëtare në Kosovë ndaj vendimeve të Kuvendit të Prizrenit (1945) Sabile Keçmezi-Basha: Formimi dhe veprimtaria e Organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë” Sabile Keçmezi-Basha: Propaganda e dezinformimi, metoda të organizuar... Sabile Keçmezi- Basha: Akademik Ali Hadri në mbrojtje të simboleve kombëtare Sabile Keçmezi- Basha: Anëtarët e lëvizjes atdhetare në shënjestër të UDB-së gjatë viteve 1945-1952 Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990 Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (V) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (IV) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (III) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (II) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (I) Sabile Keçmezi-Basha: Angazhimi i grave në jetën politike e vendimmarrëse në Kosovë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora