E shtune, 12.10.2024, 12:49 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Omer Çerkezi dhe qëndresa e tij për çështjen kombëtare

E shtune, 29.05.2010, 08:40 PM


OMER ÇERKEZI DHE QËNDRESA E TIJ PËR ÇËSHTJEN KOMBËTARE

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Sabile_basha@hotmail.com

 

Duke hulumtuar dhe gjurmuar për të burgosurit politik shqiptar, ndër figurat më të ndritura të historisë më të re kombëtare, e cila më nxiti që të thellohem edhe më tej në hulumtime ishte personaliteti më provokues i asaj periudhe i quajtur Omer Çerkezi.

Ndoshta, pa dashje shumë lexues emrin e Omer Çerkezit e lakojnë dhe e ngatërrojnë me emrin e udbashit të njohur Rasim Çerkezin. Ishte edhe kjo një arsye e madhe që më detyroi me një mënyrë që ti rrekem kësaj analize e hulumtimi që me sa është e mundur t’iu ofroi lexuesit sado të pakta që janë informatat dhe të dhënat, bile  të njoh brenda mundësive, figurën e ndritur prej atdhetari se kush ishte, nga vinte me çka merrej dhe si përfundoi jeta e tij poliedrike. Dhe, pa hezituar, do te shtoja, se mu kjo ishte ajo, që më nxiti dhe më provokoi që të shkruaja dhe të freskoj kujtimin për të dhe në të njëjtën kohë le të jetë një homazh i lavdishëm për nëntëdhjetë e një (91) vjetorin e tij të lindjes.

 

Të dhëna diskutabile rreth biografisë së Omer Çerkezit

 

Duke shfletuar disa certifikata nga dosja e Omer Çerkezit, kam hasur në shumë të dhëna të cilat më nxitën që edhe më tepër të thellohem në hulumtimet rreth origjinës dhe veprimtarisë së tij. Në një certifikatë, të lëshuar diku me 1946, në mes tjerash për të dhënat biografike shkruan se emri, emri i babës dhe mbiemri ishin Omer Ibrahim Çerkezi, i lindur me 3 qershor 1919, në Mitrovicë të Kosovës, banor i Republikës së Serbisë. Ndërsa për përkatësin etnike thuhej se ishte “serbë”. Në fillim u befasova ngase Omer Çerkezin e dinim si një shqiptar i cili gjatë tërë jetës së vet ishte angazhuar për një Kosovë që do të jetë aty ku e kishte vendin. Përkatësia e tij etnike më provokoi keq, andaj fillova të kërkoja arsyet dhe shkakun pse ishte shënuar në këtë mënyrë. Duke shfletuar dosjen, por edhe të dhëna të tjera që kisha hulumtuar nga shumë bashkkohanikë të tij dhe shumë koleg të tij të burgut me bindje të plot e dëshmonin të kundërtën, dhe ishin të bindur se Omer Çerkezi ishte shqiptar. Por në një shkrim tjetër... hasa se për të thuhej se ishte boshnjak e shumë të dhëna të tjera.

            Por, nga kjo gjendje ankthi, më nxori një e dhënë tjetër, një certifikatë e lëshuar me të dhëna biografike, të cilën e kishte lëshuar seksioni ushtarak, në Prishtinë me të dhënat që vet Çerkezi i kishte dhënë, dhe në fund të dokumentit thuhej se “Për vërtetësi e këtyre të dhënave barti tërë përgjegjësin”. Certifikata ishte lëshuar me 15 janar 1948, çka lenë me kuptua se ajo është lëshuar mu në kohën kur Omer Çerkezit i thurej rrjeti për ta bërë arrestimin e tij. Alternativat për të përvetësuar apo për të denigruar personalitetet e njohura shqiptare ishin te shumta. Andaj, kur Omer Çerkezi ishte në zenitin e famës si komunist dhe si partizan, pushtetarëve iu konvenonte që ai të ishte serbë, por në kohën kur ai shprehi hapur qëndrimet e tija se nuk u pajtonte me një Kosovë të okupuar nga Serbia dhe ish Jugosllavia, atë e bënë sa qel e mbyll sytë shqiptar që sa më lehtë ta hedhin në burg.

            Në dokumentin “Pyetësor i përgjithshëm”, i lëshuar nga seksioni ushtarak, nën pikën 7. Anëtarët e familjes, për anëtarët e familjes së Omer Çerkezit, shkruan se Habibi (1913), me profesion thuhej se ishte administrator, dhe Hasani (1917), thuhej se ishin vëllezërit e Omer Çerkezit, ndërsa në pikën e 20. Të dhënat për anëtarët e familjes, të të njëjtit dokument, tani më vëllai Habibi tret diku, dhe në vendin e tij, na lind vëllai Rasimi. E vërteta nuk është kështu siç shkruajnë pushtetarët. Por, është mirë që ndoshta edhe tani të zbulohet një e vërtet për sistemin dhe për udhëheqësit që bënin politikën dhe shkonin aq larg sa edhe biografit i falsifikonin. E vërteta ishte se Rasimi nuk ishte vëlla i Omerit por një kushëri, porse okupuesit i konvenonte që emrin e atdhetarit ta gërshetonte me emrin e spiunit dhe udbashit të njohur Rasim Çerkezit dhe që të të dy ti fuste në një thes siç thoshte populli.

            Në dokumentin  “Biografia”, të dhënat që prezantohen në të, i ka shkruar vet Omeri, ku në mesin e të dhënave shkruan se “Jam i lindur në Mitrovicë të Kosovës, në një familje të mesme të borgjeze. Shkollën fillore e kam mbaruar në vendlindje. Gjimnazin e kam vazhduar në Shkup dhe e kam mbaruar më vitin 1939. Në po të njëjtin vit jam regjistruar në Fakultetin bujqësor-pylltarisë në Zemun. Në universitet kam punuar dhe kam marr pjesë në lëvizjet studentore përparimtare. Kam qenë anëtar i udhëheqjes profesionale, anëtar i këshillit aksionar të shoqatave të studentëve të Universitetit të Beogradit. Anëtar i kryesisë të këshillit të Spanjës. Në fund të vitit 1940 e deri në gjysmën e muajit mars 1941 kam qenë i internuar në llogoren e Smederevska Pallankës”. Më tej vazhdon Omer Çerkezi duke dëshmuar se  “pas kapitullimit të vendit  thot se kishte qenë udhëheqës i LNÇ-së në rrethin e Mitrovicës. Ndërsa në muajin gusht të vitit 1941 kishte kaluar në Kollashin të Ibrit për të formuar aradhet partizane. Më vonë sipas nevojës ishte tërhequr. Më 1942, në muajin korrik arrestohet nga forcat italiane, më vonë iu dorëzohet forcave bullgare, dhe më vonë nga aty ik. Në fund të vitit 1942, ai kalon në Bosnjë, dhe angazhohet përsëri në LNÇ në Banjallukë, pastaj kalon në Kozarë në radhët e UNÇ-së dhe qëndron deri në ofensivën e VI.

            Me largimin e forcave partizane nga Bosnja, Omer Çerkezi kapet nga forcat gjermane në fshatin Jabllan, dhe e deportojn në Gjermani.

            Pas çlirimit, në kampet gjermane, Omer Çerkezi formon Këshillin antifashist të liruarve jugosllav në Gjermani, aty ishte zgjedhur sekretar i këtij këshilli, në Bremen të llogoret “BASSUM”. Ky këshill merrej kryesisht me organizimin, transferimin dhe bartjen e të gjithë të burgosurve që ishin nga ish-Jugosllavia.

Pas çlirimit (1945), Ai përsëri kthehej në Kosovë dhe gjerë më 1948, e angazhuan në shumë funksione si në Mitrovicë njashtu edhe në Prishtinë. Ishte drejtor i gazetës së parë shqipe “Rilindja” dhe në shumë funksione me përgjegjësi në Lidhjen e Sindikatave.

            Por, më 1948, gjatë kohës së Byrosë Informative, kur Bashkimi Sovjetik dhe aleatet e tjerë socialist kishin marr një fushat të paparë sulmesh ndaj ish-Jugosllavisë dhe Titos, Omer Çerkezi duke e par si një rast të volitshëm për të realizuar qëllimet dhe aspiratat e popullit të robëruar shqiptar, kaloi në anën e Informbyrosë duke sulmuar në mënyrën më të ashpër udhëheqjen jugosllave dhe politikën që udhëhiqej ndaj Kosovës dhe të suprimimit të drejtave të tyre.

            Një reagim të tillë pushtetarët nuk e kishin pritur nga ai, andaj edhe pason arrestimi i tij. Jam munduar shumë për të gjetur dosjen apo ndonjë aktgjykim të tij por çdo gjë ishte e kot. Edhe pse në një dokument tjetër kisha hasur në numrin e aktgjykimit të tij, e vërteta ishte se në atë dosje përsëri kishin falsifikuar, dhe kishin futur një dosje të një personi tjetër që për këtë rast nuk ishte e rëndësishme.

            Më me qejf do i referohesha të dhënave që na i ep një bashkëvuajtës i tij i burgut, një mik e atdhetar i devotshëm i çështjes kombëtare Ali Aliu-Kelmendi, që bashkë kishin përjetuar të gjitha katrahurat e burgut që i thoshin Golli Otok, apo siç ishte në Rusi, Gullaku, apo në Shqipëri Burreli.

 

Torturat që u përdorën ndaj Omerit

 

Më 1948, në një dokument tjetër Pavle Joviqeviqi kërkonte nga organet përkatëse që Omer Çerkezit që ti ndërpritej marrëdhënia e punës dhe çdo aktivitet tjetër politik. Që nga kulmi i fuqisë së tij ky komunist u desh që të shfytyrohej në vetëm pak ditë në një njeri asht e lëkur. Nëpër mjet torturave fizike e në të njëjtën kohë, duke nëpërkëmbur dinjitetin e tij njerëzor dhe duke i asgjësuar e tërë përmbajtjen e jetës që gjerë më dje kishte qenë ideali i tij. Në burgjet jugosllave ndaj tij u përdor dhuna që gjerë më atëherë nuk ishte dëgjuar. Atë e rrahën me shkopinj gome dhe kondak dyfekësh dhe thonjtë e gishtave ia shkulën. E detyruan që të lëpinte kripen nga dyshemeja dhe nuk e lejonin që të pinte një gllënjkë ujë. E përplasën në mes të ujit që ishte me akull dhe mundoheshin me korrent elektrik ti shtonin edhe më tepër të dridhurat. Do duhej të përmendsha edhe torturat fizike; kërcënimin që iu bënte se në burg do ti futeshin edhe familjaret e tjerë. Udbashët në mënyrën më perfide nda atij krijonin atmosferën psikologjike se ai përgjithmonë ishte i humbur, dhe nuk kishte asnjë shans shpëtimi. Është interesante se në organet e UDB-es, ishte si një lloj qëndrimi se sa më i lart të kishte qenë pozicioni i personit, ai edhe më barbarisht torturohej. E po, Omer Çerkezi, ishte një njeri që kishte pasur funksione të larta në pushtet e mbi të gjitha kishte qenë edhe partizan gati-gati kishte luftuar anë e kënd Jugosllavisë. Ishte njeri që gëzonte autoritet dhe njerëzit e rëndomtë i besonin.

 

Reagimi i Omer Çerkezit ndaj konventës Jugosllave-Turke, 1939

           

Dashuria ndaj atdheut dhe bashkëkombësve të vet tek ai ishte vërejtur qysh herët. Ndoshta edhe më herët se në vitin 1939, derisa ishte student i agronomisë në Universitetin e Beogradit. Dihej se më 1938 në mes Turqisë dhe Jugosllavisë nënshkruhej Konventa e njohur për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Por, intelektualet e pakt e hetuan mashtrimin e politikës jugosllave, andaj ata më të guximshmit reaguan hapur. Vlen të përmendët Reagimi i studentëve shqiptar që studionin në Beograd lidhur me këtë marrëveshje. Studentët nënshkruan kërkesën kolektive, në të cilën kërkohej anulimi i kësaj marrëveshje. Fillimisht kërkesën e kishte shkruar e nënshkruar vetë Omer Çerkezi. Sipas Mustafa Memiqit, këtë kërkesë e kishin nënshkruar këta student: Zenel Hajdini (Topallë, Medvegjë), Meto Bajraktari (Mitrovicë), Abdullah Presheva (Preshevë), Shaip Mustafa (Preshevë), Selim Selimi (Preshevë), Jahja Osmani (Vaksinë, Kumanovë), Abdyrrahman Hajdarpasha (Gjakovë), Hivzi Sylejmani (Topallë, Medvegjë)), Aziz Sylejmani (Tupallë, Medvegjë), Esad Ymeri, dhe Mexhid Shala.

            Siç është veç e ditur, se për të qenë në ndonjë vend udhëheqës e të rëndësishëm politik e partiak, pushtetarët aplikonin metodën vertikale e horizontale vetëm e vetëm për të ardhur të të dhënat biografike se sa besnik je dhe do të jesh ndaj shtetit të “ri, komunist jugosllav”. Andaj, asnjëherë nuk u harrua dhe asnjëherë nuk iu fal reagimi i studentit të ri shqiptar për nënshkrimin e konventës për shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi.

              Pas arrestimit të Omer Çerkezit (1948), udbashët kërkuan që ai të bashkëpunonte me ta, ti përcillte dhe ti tregonte shokët. Ishte fyerje një sjellje e tillë ndaj atdhetarit, andaj ai ishte edhe më këmbëngulës në qëndrimet e veta. Kurrë dhe asnjëherë nuk bashkëpunoi me ta, nuk i tradhtoi shokët, dhe qëndroi stoik duke mbrojtur edhe me jetë aspiratën e idealin e tij dhe të të gjithë shqiptarëve lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet.

 

Arrestimi i Omer Çerkezit

 

            Posa fillon konflikti Jugosllavo-Sovjetik, Omer Çerkezi e vëren tradhtinë që i kishin bërë komunistët jugosllav popullit shqiptar duke shkelur vendimet e Rezolutës së mbledhjes së Konferencës së Bujanit (1943/1944), aneksimin e Kosovës Serbisë dhe ish-Jugosllavisë (1945) dhe likuidimin e patriotëve më në zë të popullit shqiptar që luftuan dhe u angazhuan për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.

            Omer Çerkezi ishte bartës i dekoratës së luftëtarit të vitit 1941, por pas kësaj siç pohon në shkrimin e tij Bajram Kurti në librin “Gjaku i lirisë V/VI”, Prizren, 2003, “Omeri demonstrativisht ua përplasi në fytyrë dekoratën false, në zyrën e sekretarit Krahinor për Kosovë, Gjoka Pajkoviqit. Dhe kjo sjellje e tij njëherit edhe ishte rast i par që dikush merrte guximin të vepronte në këtë mënyrë, sepse një veprim i tillë kushtonte me çmimin e jetës. Gjoka Pajkoviqi u betua se do te hakmerret ndaj atdhetarit. Nuk shkoi gjatë dhe Omer Çerkezi u ndodh prapa grilave duke i ngritur aktakuzën nga prokurori Ali Shukriu, se ai kishte zhvilluar veprimtari kundër popullit dhe kundër shtetit.

 

Likuidimi i Omer Çerkezit

 

            Nuk kemi ndonjë të dhënë se sa vite e dënojnë me burg Omer Çerkezin, por miku i ngushtë i tij- Ali Aliu-Kelmendi,  dëshmon se në burgun e Goli Otokut qëndroi deri më 1951. Pas “lirimit”, lirim i thënçin, ai nuk kthehet në Kosovë, por shkon në Beograd për të përfunduar studimet. Sipas të gjitha gjasave dhe ngjarjeve që pasojnë më vonë del se Omer Çerkezin asnjëherë nuk e liruan plotësisht, ngase hijet udbashe e përcillnin në çdo vend ku shkonte ai. Nuk vonoi shumë pas dy viteve, më 1953, ata përsëri e arrestojnë Omer Çerkezin, kësaj radhe për të mos  dal fare nga aty. Kësaj radhe e akuzuan se ishte “armik i përbetuar i shtetit”. Përsëri e hedhin në llogoren-burg, në Golli Otok. Torturat e dhuna ndaj tij tani ishte edhe më e madhe dhe më e egër. Në fillim ia thyen një bri, por më vonë i thyen edhe këmbën e majtë e pastaj të djathtën, i thyen edhe duart e kurrizin, e në fund edhe kokën. Ashtu si një copë mishi, që e karakterizonin vetëm sytë me një shikim të rreptë, qëndronte në një birucë i vetmuar. Të gjithë shokët e donin dhe u ndjenin me dhembjen e tij, porse ishte e pamundur që ti ndihmonin. Po e përmendi përsëri të dhënën e Ali Aliut-Kelmendit, i cili me një respekt të veçantë tregon se “kur ne e admironim për qëndresën heroike, ai nuk mburrej por vetëm shtonte “Unë bashkë me ju jemi duke e bërë detyrën që na takon, për popullin dhe Atdheun nuk duhet ta kursejmë as pikën e fundit të gjakut”, dhe vërtet ashtu ndodhi. Udbashët e spiunët duke e par se Omer Çerkezi ishte i admiruar nga të burgosurit politik e sidomos nga komuniteti shqiptar. Ata vendosen ta likuidonin në mënyrën më mizore. Më 1954, fshehtas, në natën e zezë fut, duke e hedhure në ujërat e detit Adriatikut dhe duke i humbur çdo gjurmë.

            Jeta e atdhetarit përfundoi në mënyrën më tragjike, ku bashku me të u zhduk i tërë dokumentacioni i tij dhe shkrimet e tija prej poeti. Dosje të veçantë në Arkivin e Kosovës nuk ekziston për të, veç një fashikull  e cila dëshmon për shumë të dhëna për jetën dhe veprimtarin e tij prej luftëtari të paepur që u angazhua deri në momentet e fundit të jetës, për një liri universale e mbi të gjitha për të drejtat shqiptare, që pa dashjen e tyre u copëtuan dhe u ndan padrejtësisht.



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar i Lëvizjes Ilegale Shqiptare në Kosovë (1945-1990) Sabile Keçmezi-Basha: Revista ‘’Drita e Lirisë’’ dhe kontributi i saj në ilegalen shqiptare Sabile Keçmezi-Basha: Kujtojmë Atdhetarin e Madh - Ali Aliun Sabile Keçmezi-Basha: Reagimet e forcave kombëtare në Kosovë ndaj vendimeve të Kuvendit të Prizrenit (1945) Sabile Keçmezi-Basha: Formimi dhe veprimtaria e Organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë” Sabile Keçmezi-Basha: Propaganda e dezinformimi, metoda të organizuar... Sabile Keçmezi- Basha: Akademik Ali Hadri në mbrojtje të simboleve kombëtare Sabile Keçmezi- Basha: Anëtarët e lëvizjes atdhetare në shënjestër të UDB-së gjatë viteve 1945-1952 Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990 Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (V) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (IV) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (III) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (II) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (I) Sabile Keçmezi-Basha: Angazhimi i grave në jetën politike e vendimmarrëse në Kosovë Sabile Keçmezi-Basha: Pagëzimi, pseudonimet dhe rezistenca Sabile Keçmezi-Basha: Aktet gjenocidale të UDB-së ndaj të burgosurve politikë shqiptarë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora