Speciale » Basha
Sabile Keçmezi- Basha: Akademik Ali Hadri në mbrojtje të simboleve kombëtare
E merkure, 20.01.2010, 10:56 PM
Zakonisht ndodhë, kur shkruajmë apo flasim për ndonjë figurë të shquar të kombit, bëjmë analiza e trajtime gjithëpërfshirëse. Por, sot, do të ndalesha vetëm në angazhimin dhe mbrojtjen e simboleve kombëtare, çështje, në mesin e shumë çështjeve të rëndësishme, me të cilat u rrekë dhe u morë profesori i nderuar Akademik Ali Hadri.
Në qenien e njeriut është diçka që e determinon fatin dhe kahet e jetës. Është diçka, që vë në lëvizje njeriun dhe vetëdijen e tij. Janë këto ide apo ideale, që mund të formulohen me fjalët “Spiritus muvens”, apo shpirt që lëvizë. Jeta dhe vepra e profesorit, që ishte trinom i ecjes nëpër misteret e kohës, nëpër sfidat e paparashikuara të jetës dhe nëpër damarët e historisë kombëtare, njëmend e bëjnë këtë njeri Shpirt lëvizës prej hulumtuesi e shkencëtari elitar.
Nuk është e rastit që Akademik Ali Hadri u shqua si doajen i shkencës së historisë dhe, si atdhetar i dalluar, se, ai u rrit dhe u ngrit në një vend që tërë kohën ishte në konflikt me okupuesin. Sepse Peja e Kosova e tij në të kaluarën e tyre u shndërruan tek ai në motiv frymëzues për tu marrë me historinë.
Profesor Ali Hadri fakultetin e kishte mbarua në Beograd, dhe qysh në ditët e para të shkollimit, UDB-eja kishte filluar ti përcillte studentët e pakt që vinin nga Kosova.
Qysh më 24 qershor, 1954 në aktgjykimin e grupit të studentëve të Prizrenit që studionin në Beograd, ndër pyetjet e para që iu kishin bërë të akuzuarve në hetuesi, ishte edhe kjo: “Ali Hadri mori pjesë në festën e flamurit që organizuat në Beograd “[1] (kuptohej se fjala ishte për manifestimin që organizuan studentet shqiptar për ditën e flamurit më 28 nëntor 1950. Ata këtë ditë e festuan ilegalisht dhe në mënyrë dinjitoze, kishin ngritur flamurin kombëtar në dhomën e Talat Goranit). Të burgosurit pjesërisht e mohuan pjesëmarrjen e profesorit, por e vërteta ishte se studenti i ri nga Kosova s’ bashku me të tjerët, do të organizon dhe do të marr pjesë në këtë manifestim për të shënuar ditën e flamurit në konviktin e studentëve “Ivo Lola Ribar”[2] në Beograd. Me këtë rast, ata do të këndojnë Himnin Kombëtar Shqiptar dhe disa këngë tjera me përmbajtje patriotike.
Nga kjo që u tha, dhe në bazë të hulumtimeve që kam bërë vijmë në të dhëna shumë interesante se profesori në veprimtarinë patriotike-atdhetare si student, ishte i dalluar, dhe merrte pjesë në çdo aktivitet që për qëllim kishte sensibilizimin e çështjes kombëtare shqiptare.
Ata tentuan që ta ndalnin atë, t’ia ndalnin hovin e shkrimeve, duke harruar se ideali për liri, dhe e vërteta, nuk mund të ndalen. Të vërtetën për Kosovën ata gjatë e mbuluan, e ngufatën, e ndrydhën me dhunë e represalie, mirëpo do të thoshte Niçe, ”E vërteta sa më tepër që të ndrydhet, shpërthimi i saj është më i vrullshëm”. Dhe ky vrull u manifestua gjatë demonstratave të vitit 1968, 1981, kohë kjo, kur u trand e tërë ish-Jugosllavia, kohë kjo, kur populli shqiptar lëvizi si një trup i vetëm duke brohoritur e kërkua liri e pavarësi për Kosovën me Flamurin Kombëtar në ballë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, përveç shumë faktorëve të tjerë, thoshte profesori “rol të dorës së parë të qenies shqiptare do të luanin simbolet kombëtare”. Në këtë mes, vendin e parë e zë flamuri kombëtar, i cili “përmbledh kujtimet e shkruara të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenjë” siç shprehej atdhetari e intelektual i madh, Faik Konica.
Do të thosha se shkenca e historisë në Kosovë gjatë tërë kohës kishte pasur një status krejt tjetër, se kjo shkencë u krijua në rrethana të një okupimi totalitar, ku perdja e ideologjisë ishte ajo që fshihte një realitet të tmerrshëm. Profesori, herët i kishte hetua synimet hegjemone të ish- Jugosllavisë, andaj nuk ishte e rastësishme as fjala e mbajtur më 20-25 nëntor, 1972, në Kongresin e drejtshkrimit të Gjuhës shqipe, me titull ”Një komb-një gjuhë letrare kombëtare”, ku gjatë pranverës shqiptare ’81, u shndërrua në parullë që u brohorit nga demonstruesit: “Një komb – një gjuhë, një komb- një shtet”.
Në kohët më të vështira të popullit shqiptar të Kosovës, dhe menjëherë pas demonstratave studentore të vitit 1981, pushtetarët ndaj çdo gjëje shqiptare do të marinë një fushatë të paparë. Në rendë të parë u sulmua flamuri kombëtar shqiptar. Andaj për të bërë ndryshimin e flamurit shqiptar, KQ i LKJ-së, gjëja se mori qëndrimin që të ndryshohen flamujt e kombësive që jetonin në ish-Jugosllavi. Iniciativa për ndryshimin e flamurit filloi menjëherë pas demonstratave për të përfunduar më 1986.
Në kuadër të kësaj fushate, më 2 nëntor 1986, gazeta “Rilindja”, boton edhe këtë shkrim ku thuhej se “flamujt e kombësive duhet të kenë simbolin unik të sovranitetit të RSFJ-së; yllin e kuqë pesëcepësh me shirit të artë të verdhë, që ka madhësi të njëjtë sikur ylli i kuq pesëcepësh i flamurit shtetëror të RSFJ, i vendosur në midis ose në këndin e majtë të sipërm të flamujve të kombësive dhe përdorimi unik i flamujve të kombësive , që nënkupton se ata mund të ngrihen në raste të rëndomta bashkë me flamurin shtetëror dhe me flamurin republikan”[3].
Duke u nisur nga këto të dhëna dhe duke e par se flamurin tonë kombëtar po e përçudnojnë në mënyrën më të tmerrshme dhe po e përdhosin deri në denigrim, si gjithmonë, profesori i nderuar nuk mundi të qëndronte duarkryq. Po në këtë vit shkroi dhe botoi në shtypin e kohës reagimin e tij, i cili tek pushtetarët zgjoi revolt dhe mos durim ndaj punës dhe personalitetit të tij. Profesori në fillim të reagimit thoshte “Kohëve të fundit po merret nëpër këmbë (flamuri kombëtar), në mënyrë drastike duke u zhvlerësuar pamëshirshëm ky simbol i popullit tonë nga forcat antikomuniste për shkaqe dhe synime të pa shëndosha antishqiptare dhe anti civilizuese”[4].
Më tej profesori në mënyrë shkencore prezanton historikun e flamurit nëpër shekuj, duke i dhënë rëndësi të veçantë, sidomos pas vitit 1945, kur ndaj flamurit tonë herë-herë u morën masat drastike për ndalimin e tij. Në bazë të zhvillimeve politiko-shoqërore, edhe flamuri i ynë ndërronte pamjen dhe valëvitjen e tij në trojet shqiptare. Pas përfundimit të LDB-së, flamuri kombëtar shqiptar filloi të valëvitej i lirë përkrah flamujve të tjerë në ish-Jugosllavi. Me prishjen e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, ndalohet edhe përdorimi i tij, por pas Plenumit të Brioneve, me të drejtë e tërë kjo u karakterizua si “shkelje flagrante e një të drejte elementare kombëtare nga forcat unitariste...”[5], thoshte Prof. Hadri në reagimin e tij.
Pas vitit 1981, regjimi jugosllav u angazhua që popullin shqiptar ta asimilonin, depersonalizonin, dhe duke shpikur lloj-lloj “argumentesh” mbi të cilat mbështetej programi për terrorin e kuq e që kishte për qëllim ta irritonte, ta defaktorizonte dhe me metoda represive ta përndjekë e ta shpërngulte jashtë trojeve të tyre.
Akademik Ali Hadri, personalitet i shquar shkencor, arsimor e shoqëror, profesor universiteti, për shumë vite drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës, akademik, autor i shumë librave e punimeve shkencore gëzonte respekt te njerëzit e penës dhe tek të gjitha shtresat e shoqërisë kosovare. Në atë kohë edhe shtypi ilegal vlerësonte lartë kontributin e profesorit që epte për çështjen dhe mbrojtjen e simboleve kombëtare dhe për statusin e pazgjidhur të Kosovës në kuadrin e ish- Jugosllavisë.
“E historia sikur po përsëritet”[6] thoshte me dhembje profesori, pas vitit 1981. Pas këtij viti, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në ish- Jugosllavi, u organizonin procese të shumta gjyqësore politike kundër studentëve dhe intelektualëve por nuk u kursenin as të tjerët. Maksima “Bisogna spegnere questo cervello” ( Duhet shuar ky tru), ishte futur në sistem dhe hapur e thoshin gjykatësit e pushtetarët serbë, dhe me zemërimin, egoizmin, urrejtjen e mllefin, instinkte këto, që në ato përmasa rrallë hasen tek njerëzit.
Më 1986, presioni ndaj ndryshimit të Flamurit Kombëtar Shqiptar thuajse arriti kulmin. Ishte tendencioze por edhe e palejueshme që flamuri ynë të stërkeqet deri në atë shkallë, për të vazhduar se ”Veç tri kryesive (si ajo e KQ të LKJ-së, Kryesia e RSFJ-së dhe Kryesia e LSPPJ-së), që morën qëndrimin për ndryshimin e flamurit kombëtar shqiptar, pati edhe aso propozime në Kuvendin Federativ, dhe jo vetëm aty, u dëgjuan zëra për vendosjen e trengjyrëshit jugosllav apo të Stemës Jugosllave në këndin e lartë të flamurit tonë kombëtar”, [7]çfarë marrëzie, thoshte Profesori.
Në shkrimin reagues ai do të shkruante: “Shqiptarët nuk duan që të deformohet Flamuri kombëtar e revolucionar shqiptar, që e kemi trashëgim nga historia shekullore dhe Revolucioni Popullor, por duam vazhdimësinë e tij në formën autentike historike, si edhe përdorimin e lirë e të barabartë të flamurit tonë bashkë me flamujt e tjerë në RSFJ”[8]
Profesori i nderuar kishte bërë këto reagime me një vëmendje të nevojshme dhe të vijueshme ndaj çështjes së mbrojtjes të simboleve kombëtare, me shpresën se kështu do të ndihmojë që të eliminohen mendimet e çoroditura dhe keqpërdorimet drakonike ndaj flamurit tonë kombëtar. Prandaj, profesori pas vitit 1981, përkatësisht me 22 korrik 1981, më 21 shkurt 1983 dhe së fundi më 27 nëntor 1986, reagonte hapur dhe ashpër më shumë se kurrë, që flamuri kombëtar të mos cenohet në asnjë pikëpamje, e as me ndryshimin eventual të formës dhe as me kufizimin eventual të përdorimit të tij të lirë e të barabartë në ish-RSFJ.
Në fund duhet konstatuar se nuk thuhet kot, se emrat e njerëzve tregojnë edhe ngritjen, kulturën dhe lartësinë e vetëdijes kombëtare. Një gjë të tillë në shenjë revolte për situatën e krijuar ndaj shqiptarëve dhe ndalimin e flamurit, Akademik Ali Hadri, e shpreh nëpërmjet pagëzimit të fëmijëve të tij. Ai për tu dhënë zemër të tjerëve djalit të tij do t’ia vente emrin Flamur. Mendoj se, vetë ky emër tregon mjaft, ngase fëmija i parë i tij u lind në një kohë të rëndë për qenien dhe kombin shqiptar. Ai nuk do të ndalej me kaç. Edhe fëmijët e tjerë do ti pagëzonte: Lumnije, Dardanë e Arbër. Kështu, në mënyrë simbolike, në jetën e tij familjare do të fus e tërë gjeografinë shqiptare. Bile thonë se, profesori kur revoltohej me padrejtësitë e shumta që ia bënin popullit shqiptar, e sidomos pas vitit 1981, këndonte një këngë me vargun: “Flamuri i Arbërisë, Lumturia e Dardanisë”, duke përmendur jo vetëm thjeshtë emrat e më të dashurve të tij, por edhe duke shprehur optimizmin e njeriut liridashës dhe pikëpamjen e tij filozofike mbi jetën[9]. Akademik Ali Hadri, ky shkencëtar i madh i historisë kombëtare, në fakt, gjatë tërë jetës por edhe tani, i mjaftoi vetëm emri e mbiemri Ali Hadri, dhe vetvetiu kuptohet se është fjala për një atdhetar e shkencëtar që ka hyr bujshëm në radhën e kolosëve të shkencës e të kombit tonë.
[1] Procesi gjyqësor i Enver Dukagjinit, 24 qershor 1954, Gjykata e Qarkut, Prishtinë
[2] Mehmet Dushku, Lëvizja Nacionale Demokratike Shqiptare 1943-1965, Prishtinë 2001, 113
[3] Gazeta “Rilindja”, 2.11.1986
[4] Reagimi i Akademik Ali Hadrit, “Për përdorim të lirë dhe të barabartë të flamurit autentik kombëtar e revolucionar të popullit shqiptar”,( punim në dorëshkrim), 27 nëntor 1986, 1
[5] Po aty, 2
[6] Reagimi i pare I Akademik Ali Hadrit, “Flamuri kombëtar shqiptar”, (punim në dorëshkrim), 22 korrik 1981,108
[7] Po aty, 110
[8] Punim i cituar i Akademik. Ali Hadrit, (punim në dorëshkrim), 27.11.1986, 12
[9] Dr. Sabile Keçmezi-BASHA, “Pagëzimi, pseudonimet dhe rezistenca”, gazeta “lajm”, 16.02.2008