E merkure, 09.10.2024, 02:24 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VII)

E merkure, 30.12.2009, 08:02 PM


Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë nëpër mes gazetës “Lajmëtari i Lirisë”

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha


Poezia patriotike në faqet e “Lajmëtarit...

 

Siç e kam thënë edhe më lartë në këtë shkrim, gazeta “Lajmëtari i Lirisë’” karakterizohet me botimin e shkrimeve  me karakter politik dhe kombëtar. Por, veç këtyre, në faqet e kësaj gazete hasim aty-këtu edhe në poezi që kanë po të njëjtën frymë atdhetare. Në faqen e 15 të kësaj, lexuesve iu prezantohet shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare me një poezi “Kali i Trojës” ( fragment). Ndoc Gjetja: “Te gryka e Honit ku prehen eshtrat e Azemit” si dhe një poezi e huazuar nga përmbledhja me poezi “Këngët e Lirisë” që ishte botim i Marksistëve-Leninistë të Kosovës, e që titullohej me “Thonë atë ditë...”

  poezinë “Kali i Trojës”, I. Kadare, na paraqet tradhtinë e madhe që iu bëhet  trojanëve duke komunikuar me ta se “Ata të hapën portat, s’dinin ç’ishe/ Pastaj ( o , pastaj) kur flakët përndrisheshin, gjindja ulurinte/ Klithnin “oh, tradhti”, por ishte vonë?[1]. Në poezinë e Ndoc Gjetës, jepet dialogu i shkurt që bënë autori i poezisë me Azem Galicën., duke iu drejtuar : A po më ndien o Azem Galica?-/ thirra ndoshta një qind herë/ Një shqiponjë doli nga gryka/ me tërsëllëm u ngrit në qiell/ I thash vetes mos thirr më!/ Se Azem Galica doli/[2], dhe vërtet gjatë gjithë historisë së popullit shqiptar që ishte e mbushur me ngjarje madhore, nëpër vite vinin edhe gjeneratat e reja që vazhdonin rrugën e të parëve, dhe kur i shihje ata trima dhe ato vasha, fitoje përshtypjen se trimat po ktheheshin e po riktheheshin me tërë madhështinë e tyre heroike.

Në rubrikën “Fjala jonë poetike në ilegalitet”, prezantohet poezia “Thonë atë ditë...”, por edhe kësaj si shumë shkrimeve nuk i dihet autori. Poeti ilegalist shkruan për ditën kur u vendos që Kosova të aneksohej nga Serbia dhe Jugosllavia. Kam lexuar shumë libra shkencore për këtë padrejtësi të madhe që iu bëhet shqiptarëve, kamë lexuar edhe krijime artistike, porse nuk më ka rënë të lexojë diçka të tillë të dhembshme dhe në të njëjtën kohë të mrekullueshme. Është e dhembshme kur i lexon këta rreshta dhe për një moment hyn hullive të historisë dhe... vërtet autori ka të drejtë kur shkruan “ Thonë atë ditë lëvizën varret/ Eshtrat ndjen therje thike/ U dridhen kullat shekullore/ Pushkët vollën gjak për gryke/ Thonë atë ditë në ballë rrudhat/ Tym seç nxirrnin nga mërzia/ Thonë atë ditë në bark të nënës/ Dhembje ndjeu edhe fëmija/[3] për të vazhduar më tutje dhe për të treguar se çfarë ishte ajo që e solli këtë apokalips në shpirtin e poetit. Në strofën e fundit të poezitë poeti shkruan : Thonë atë ditë qau dhe dheu/ Guri plasi nga mërzia/ Thonë atë ditë, atë ditë të zezë/ Dysh na ndau tradhtia”[4]. Për të mos elaboruar situatën politike dhe pse erdhi deri tek aneksimi i Kosovës dhe i shumë tokave shqiptare nën Jugosllavi, autori thotë se e tërë kjo ndodhi ngase u tradhtuam nga shumë faktor që dominonin në atë kohë ( 1945).

Në faqen e fundit të gazetës prezantohet edhe artikulli “Populli është i pamposhtur”, shkrim i huazuar nga revista shqiptare “Shqipëria e Re”, 5/ 1980, Tiranë. Po ashtu në këtë artikull në përgjithësi bëhet fjalë për historikun e Shqipërisë që nga Lufta e Parë Botërore e deri më ditët e sotme, duke i kushtuar veçantë Ivo Andriqit se si kishte reaguar për dëbimin e italianëve nga Shqipëria e duke harruar për elaboratet e tija që i kishte shkruar dhe kishte paraparë që shteti shqiptar të ndahej në mes   të Serbisë e  Italisë, e herë në mes të Serbisë e Greqisë[5]. Duke harruar se të tëra ato toka ishin shqiptare dhe i takojnë atij.

 

Shtojca  e “Lajmëtarit...”

 

Në shtypin e ilegales që botohej në diasporë, më ka rënë të gjejë në shumë gazeta se botonin edhe shtojca speciale, apo edhe numra të veçantë që kishin tematika e probleme të veçanta. Në numrin e tretë të gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, të vitit 1981, numri i parë, gjejmë edhe shkrimin “Kush thumbit e kush patkoit” që kryesisht i kushtohet ngjarjeve të dy viteve të fundit që kishin ndodhur në Kosovë dhe në viset shqiptare nën Jugosllavi.

Fillimisht redaksia kërkon falje nga lexuesit për shkak se ndoshta këto të dhëna nuk janë të punuara sikurse shkrimet tjera, por botimi i tyre kishte një rëndësi të veçantë për të njoftuar opinionin e gjerë si në diasporë po ashtu edhe në Kosovë. Shtojca e “Lajmëtarit...” , ka dy faqe tekst, të ndarë në shtatë nëntituj.

Në pjesën e parë, bëhet fjalë për burgosjet e shumta që ndodhin në Kosovë që nga 21 nëntori 1980, e që vazhdon deri më 1 janar 1981. Me një llogari të thjesht, del se vetëm brenda më pak se një muaj e gjysmë, u arrestuan dhe u dënuan këta persona:

1. Hasan Ukëhaxhaj, nga Carrabregu, magjistër i gjuhës shqipe,, arsimtar në QAM “Vëllezërit Frashëri”, të Deçanit.

2. Ibish Neziri, nga Bardhaniqi, student i gjuhës shqipe, i burgosur më 21 nëntor 1980.

3. Bajram Gashi, nga Llapushniku, milic me shërbim në fshatin Cërmjan, student i gjuhës shqipe në SLP të Gjakovës.

4. Ali Mehmeti, nga Botusha, mësues në Mushtishtë të Suharekës.

5. Sokol Mehmeti, gjithashtu nga Botusha, student.

6. Ramiz Zeqiri,nga Brovina, student i gjuhës shqipe.

7. Xhafer Sylejmani, nga Nivokazi, student.

8. Musa Berisha, nga Duboviku, student i letërsisë shqipe, i arrestuar gjatë kohës që po bënte shërbimin ushtarak diku në Slloveni.

9. Ismet Iberdemaj, nga Peja, student në Prishtinë.

10. Hysen Gegaj, nga Sallagrazhda, bujk, në kohën e arrestimit punëtor në botën e jashtme.

11. Danush Gegaj, nga Sallagrazhda, student në Prishtinë, që bashkë me të vëllanë, Hysenin u arrestuan mëngjesin e 1 janarit 1981, në shtëpinë e lindjes në  Sallagrazhdë.[6]

Sipas këtij shkrimi del se personat e akuzuar ishin arrestuar  dhe ndaj tyre ishte ngritur aktakuza për veprimtari “armiqësore” dhe të gjithë ngarkoheshin në bazë të nenit 133[7], të Kodit Penal të Jugosllavisë.

 

Aksionet e anëtarëve të ilegales në teren

 

Në nëntitullin “Një aksion i vlefshëm në Prizren”, mërgata e jonë njoftohet se gjatë festave të nëntorit, në Prizren, rinia e kyçur në ilegale kreu një aksion kundër shtetit, duke shpërndarë në shumë vende shumë afishe të punuara bukur dhe me një përmbajtje të shkurtër dhe koncize, që vinte si përgjigje  për burgosjet masive politike që kishin ndodhur në Kosovë. Redaksia e “Lajmëtarit...” vije në përfundim se aksioni i përmendur ishte i vlefshëm dhe i rëndësishëm, jo vetëm për përmbajtjen dhe shpërndarjen e tyre, por ishte e rëndësishme edhe koha kur u bë shpërndarje,: Festa Kombëtare e Pavarësisë, pra  edhe gjatë së cilës u burgosën veprimtarët e ilegales[8], dëshmuan edhe një herë se të gjithë ata të burgosur, nuk ishin të vetëm, por për çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare nën ish Jugosllavi luftonte një armatë e tërë.

Rasti i shpërndarjes së afisheve në Prizren nuk ishte i vetëm. Në natën e festës së flamurit kishin reaguar edhe nxënësit e QAMO “Vëllezërit Frashër”, të Deçanit. Gjashtë paralele  të ish-gjimnazit eksperimental dhe muret e jashtme të sallës së fizkulturës, u stolisën me parulla secila më e fuqishme se shoqja: Rroftë 28 Nëntori, “ Rroftë PPSH dhe Enver Hoxha” etj. Fotografit e satrapit Tito, të varura si shëmtim që ndyn emrin e madh të patriotëve  e të rilindëseve  shqiptar Frashri, emrin e të cilëve  e mban kjo qendër shkollore , rinia i mbuloi me një ngjyrë të fortë të yndyrshme[9].  Pasi se u panë e u soditën këndshëm nga nxënësit dhe arsimtarët e shkollës, nuk vonon shumë dhe udbashët me një shpejtësi të ethshme, mbuluan dhe shkarravitën çdo gjë në mur duke lënë mbrapa vetëm gjurmët që të kujtonte se ishte përdorur dhunë për ti shlyer ato shkrime që ishte dëshirë e shprehur në parulla. Udbashët me vete morën shumë nxënës e arsimtar, ku në zyre të sigurimit përdorën lloj-lloj presionesh vetëm e vetëm për të zbuluar aktoret e shkrimeve.

Një vepër tjetër patriotike ishte kryer edhe më 25 nëntor në fshatin Irzniq, në shkollën fillore që mbante një emër jo pak të urryer, Petar Përle, dhe me gjasë ky emër tek nxënësit dhe qytetarët kishte nxitur neveri, dhe nuk ishte fare befasuese, kur mëngjesi i 25 nëntorit bustin e tij e kishte gdhirë pa kokën e tij. Organet e pushtetit e sidomos bashkëpunëtorët e UDB-es, e përjetuan rëndë, edhe në këtë rast nuk mungoi arrestimi i nxënësve e fshatarëve.  Për të qenë absurdi edhe më i madh, shkruan shtojca e “Lajmëtarit...”, se nga burime të sigurta jemi informuar se UDB-eja e ka qitur fjalën  në rrethin e  besimtarëve të vet se ai që e zë aktorin e heqjes së kokës  nga busti, do të shpërblehet me- 200 milion dinarë!!![10] , por në popull ndodhte e kundërta, ishte përhapur lajmi se kushdo që i ka hequr kokën bustit anonim, do të shpërblehet me 200 milion dinarë.

Për një aksion tjetër nga ilegalja shqiptare flet edhe shkrimi në vijim “Prapë Përla, prapë Kardeli... Deri kur-përrr?”, në këtë shkrim të radhës bëhej fjalë për regjionin e Deçanit si pjesa më e prapambetur si në aspektin ekonomik po ashtu edhe në atë arsimor e politik. Duke u nisur nga këto të dhëna pushtetarët llogaritnin se edhe popullsia shumicë shqiptare (94,2% shqiptare, regjistrimi i vitit 1971), llogaritnin se pajtohen me të bëme e udhëheqësve të kësaj komune. Në vjeshtë të vitit 1980, në qytetin e Deçanit[11], u emërtuan rrugët, por kryesisht u vunë emra të heronjve serb e sllavë, në të rrallë apo tek-tuk ndonjë rilindës shqiptar. Populli nga ky gjest i pushtetarëve u dëshpërua keq, dhe në ditën e nesërme që u vunë pllakatet e rrugëve me emra sllavë, mëngjesi i nesërm i gdhiu të demobiluara dhe të thyera e të hedhura në tokë. Udbashët u shqetësuar për guximin e marr nga popullata, por nga ky gjest i popullit morën edhe një mësim të mirë se shqiptarët shumicë në këtë komunë nuk pajtohen me pushtetarët dhe politikën okupuese jugosllave.

Në shkrimin “UDB-eja dyshon në radhët e veta”, informohet opinioni se lëvizja ilegale patriotike shqiptare ka arritur që në radhët e UDB-es të ketë edhe atdhetar të devotshëm siç ishte rasti më i freskët i policit të arrestuar nga Cërmjani , Bajram Gashi. Bajram Gashi ishte një atdhetar që padrejtësitë e shumta, përcjelljet e njerëzve të pafajshëm, spiunazhi e shantazhi i kishin ardhur në grykë, dhe kështu në nëntor, udbashët duke e vërejtur rezistencën e tij të heshtur e herë transparente, e arrestojnë duke e mbajtur me muaj të tërë në hetuesi. Dhe, ja edhe një dëshmi, kur udbashët kanë filluar të dyshojnë edhe në “forcat” e veta. “Shtojca” shkruan se është e sigurt se Bajram Gashi, sido që të  vënë punët (thonë se ai është edhe i qëndrueshëm e i pamposhtur në qëndrimet), është një person që i ka dal  dore përgjithmonë UDB-es. Na mban shpresa se shembullin e tij do ta  ndjekin edhe kolegët e tij të tjerë të ndershëm[12] përmbyll shkrimin gazeta.

Në shkrimin “Një akt barbar, i organizuar”, flitet për kriminelin e njohur të atyre viteve që jetonte në Lëvoshë të Pejës, por pasi se ishte zbuluar, atë e kishte marr në mbrojtje qendra çetnike e Beogradit. Për të njohur të bëmet e këtij krimineli, gazeta “Lajmëtari i Lirisë”, në shtojcën e vet na sjell këto të dhëna: Më 19 tetor 1980, në Lëvoshë, përmbi Pejë, një kriminel malazezë shtiu mbi dy djelmosha  shqiptarë, nga të cilët njëri mbeti  vdekur  e tjetri  ia doli të ikë dhe ta informojë policinë për krimin e asaj dite. Viktimë e këtij gjahu çetnik në skalpe shqiptare  qe 20-vjeçari  Masar Hyseni nga fshati Smirë i Vitisë ( i lindur  më 1960), student i vitit të dytë në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Ditën kontestuese, Masari dhe moshatari i tij Osmani nga Sadovina e Vitisë, kishin dalë për një shëtitje të zakonshme në pyll afër Lëvoshës. Këta dy të rinj asnjëherë nuk kishin menduar se në një shëtitje në natyrë do të lind një tragjedi aq e madhe. Dhe në vrapim e sipër,  Masar Hyseni, bije i vdekur nga plumbat e çetnikut të Lëvoshës. Por habia ishte edhe më e madhe, kur pas arrestimit të tij nga organet e ndjekjes, krimineli pranon se kishte vrarë shumë persona shqiptare duke treguar se ai kishte kryer vetëm porosinë që e kishte marr nga eprorët e veta nga Beogradi[13]. Pas një kohe,kriminelin e transferojnë në spitalin e Beogradit duke mos e zbuluar kurrë se kush ishin personat që porositshin vrasjet ndaj shqiptarëve.

Nuk janë të panjohura rastet e shumta kur pushteti paguante kriminelet e shumtë për të likuiduar e vrarë sa më shumë shqiptar, vetëm e vetëm që tek popullata të krijohej psikoza e frikës dhe e rrezikut që me të madhe ti lëshojnë trojet e veta. Dhe esesi udhëheqësit shqiptar, që redaksia e “Lajmëtarit...” i quan “kukulla” të sistemit, edhe më tej bëhen të shurdhër duke mos dashur me kuptuar se ky pushtet gjatë gjithë historisë ishte njerkë dhe okupues i popullit shqiptar që jetonte me shekuj në trojet e veta.  

Dhe, duhet shtuar se me botimin e gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, autorët e shkrimeve që botonin në të, u munduan të ndikonin në bashkimin dhe mobilizimin e mërgatës shqiptare rreth kësaj lëvizje çlirimtare, që po zhvillohej pa ndërprerë edhe në vendet ku punonin shqiptarët si mërgimtar. Veç kësaj “Lajmëtari i Lirisë” ka shërbyer edhe në zgjimin dhe zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare,  që kishin filluar të mendonin ndryshe.

 



[1] Ismail Kadare, Kali I Trojës (fragment), Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 15.

[2] Ndoc Gjetja, Te gryka e Honit ku prehen eshtrat e Azemit, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt, 1981, f, 15.

[3] Fjala jonë poetike në ilegalitet: Thonë atë ditë, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f,  16.

[4] Po aty.

[5] Populli është i pamposhtur, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 16.

[6] Kush thumbit e kush patkoit, Shtojca e Lajmëtarit të Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 1.

[7] Me neni 133  të Ligjit Penal të Jugosllavisë, me shumicë dënoheshin shqiptarët në Jugosllavin e Titos, duke i akuzuar për  propagandë armiqësore ndaj shtetit e popullit. Dhe vërtet ilegalja shqiptare ka vepruar kundër shtetit por kundër popullit të vet kurrë  dhe në asnjë mënyrë.

 

[8] Një aksion i vlefshëm në Prizren, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr, 1. Janar-Shkurt 1981, (Shtojca)

[9] Edhe në Gjimnazin e Deçanit, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar- Shkurt 1981. (Shtojcë).

[10] 200 milionë që t’i merret koka atij të gjalli që guxoi t’ia hiqte kokën anonimit të vdekur të bustit, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, (Shtojca)

[11] Prapë Përla, prapë Kardeli... Deri kur-përr?, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, (shtojca).

[12] UDB-eja dyshon  në radhët e “veta”, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, (Shtojcë).

[13] Një akt barbar, I organizuar, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt, 1980. (Shtojcë).



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora