Speciale » Basha
Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (IV)
E diele, 27.12.2009, 08:56 PM
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Vendi meritor i Eqrem Çabejit të madh
Në një faqe e
gjysmë tekst, gazeta i kushton vend meritor figurës poliedrike të profesorit të
nderuar Eqrem Çabejit të madh. Autori
“Drini”, shkruan gjerë e gjatë për jetën dhe veprën shkencore të vet
profesorit. Në mes tjerash ai thotë se “ Vdekja e këtij biri të shtrenjtë të
kombit tonë u prit me pikëllim të madh edhe në Kosovë, si në të gjitha trevat
shqiptare. Shumë punonjës të shkencës e të arsimit, studentë e të tjerë, e kanë
pasur fatin e bardhë t’ia lexojnë t’ia studiojnë veprën, po edhe të njihen
personalisht me profesorin e nderuar, i cili vinte në mesin tonë që të
përgatiste studentët për punë shkencore në fushën e studimeve albanologjike.[1]
Autori vazhdon të shkruaj për dhembjen dhe humbjen e madhe që përjetoi bota
akademike dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin.
Të dhënat
biografike për profesorin fillojnë me lindjen e profesorit në Gjirokastër, në
gusht të vitit 1908. Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse shkollimin e
mesëm dhe studimet e larta i vazhdoi në Austri. Në Gracë e në Vjenë i dëgjoi
ligjëratat e Paul Kreçmerit dhe të Norber Joklit, dy nga gjuhëtarët më të
shquar të asaj kohe. Pas kësaj i pajisur me dije kthehej në vendlindje dhe
filloi me zell të madh punën shkencore për një gjysmë shekulli rresht[2].
Në vijim të shkrimit autori jep të dhëna të bollshme për veprimtarin shkencore
dhe për librat e shkrimet që patën jehonë në vend dhe jashtë tij. Shkruan për
kontributin e pa krahasueshëm që e dha në ngritjen dhe shkollimin e kuadrove
arsimore të Shqipërisë. Për punën e madhe që bëni në fushën e gjuhësisë, me
hapjen e Akademisë së Shkencave, profesor Qabeji zgjidhet anëtar i rregullt i
saj. Ndërkaq, instituti më i lartë shkencor i vendit e zgjodhi anëtar të
Presidiumit. Për rezultatet e jashtëzakonshme
në fushën e shkencave albanologjike dhe për kontributin e çmueshëm në
fushën e arsimit kombëtar para e pas çlirimit, Presidiumi i Kuvendit Popullor i
RPS të Shqipërisë i dha prof. Qabejit titullin e lartë Mësues i Popullit.
Autori “Drini”,
vazhdon më tej duke shtuar se rezultatet shkencore nga rrafshet e gjuhësisë,
profesor Qabeji i kumtoi, përveç se në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në
atë të Prishtinës a në ndonjë universitet tjetër të Evropës-edhe në shumë
kongrese të shkallës ndërkombëtare . Punimet e tij janë botuar në një varg
publikimesh shkencore të vendit dhe të botës së jashtme dhe ato janë përkthyer e janë aprovuar nga
gjuhëtarët më eminent të mjediseve të ndryshme të Evropës”[3]
Dhe si gjithkund në tokat shqiptare, vdekja e profesor Eqrem Qabejit u prit me
dhembje, për të cilën në vazhdim autori “Drini”, konstaton se vdekja e profesor
Qabejit na la pa njërin nga kokat më të ndritura dhe figurat më të mëdha të
shkencës sonë kombëtare. Dhe ne mbesim të pikëlluar për mungesën e tij. Por,
për jetë do të përulemi me nderime e dashuri para trashëgimisë kolosale
kulturore që na la ky vigan i dijes dhe para kujtimit të personalitetit të tij
të ndritur[4]
përmbyll shkrimin autori.
Krahasimet mitologjike me realitetin
Në shkrimin
“Mashtrimi i madh i ramzesianëve të vegjël”, autori L. Ndreu, shkruan për
mashtrimet e shumta që iu bëhen popullit shqiptar si nga pushtetarët e shtetit
sllav po ashtu edhe nga pushtetarët shqiptar të asaj kohe. Të gjitha këto farsa
politike të shtetit të quajtur Jugosllavi, krahasohen me politikën e vitit 1296
para e.s. kur kremtoi faraoni egjiptian Ramzesi i II fitoren mbi hititë, i
urdhëroi që beteja, e cila gjëja se i
paskësh sjell nam atij të përjetësohej me epe dhe monumente madhështore. Dhe
autori i këtij shkrimi shkruan se po
mbaj vesh pak më me kujdes, Në Beograd, Kralevë, Titograd, Shkup... do të
dëgjosh fragmente gjëmash për Kosovën , e cila po i përballon serbizimit dhe po
kërcënohet me shkëputje dhe bashkim me vendin e vet amë, Shqipërinë[5].
Në vijim autori përmend Desanka Maksimoviqin një marionetë e konsumuar e cila
me dhembje çirret duke pyetur se pse nënat serbe nuk lindin më 9 jugoviq që ata
ta serbizonin Kosovën. Por, mendojë se për popullin shqiptar nuk është e
panjohur kjo klithje ngase edhe më herët kishin trumbetuar e këlthitur edhe
shumë shkencëtar të sojit alla çubrilloviqiane si Jovan Cvijiqi, Ivo Andriqi,
J.Duqiqi, I. Laliqi, D. Çosiqi e shumë e shumë të tjerë, që u angazhuan me mish
e me shpirt për të bërë serbizimin e Kosovës e të shqiptarëve në përgjithësi.
Të gjithë ata u angazhuan që të gjejnë mënyra , metoda dhe mjete për të bërë
ç’kombëtarizimin e shqiptarëve dhe në
mënyrë permanente përdorën metoda gjenocidale për mbi ta, vetëm e vetëm që ti
detyronin ata që të shkonin sa më larg nga trojet e tyre stërgjyshore.
Në vitet e
tetëdhjeta, të shekullit 20, propaganda jugosllave e sidomos ajo serbe ishte
shumë më e organizuar dhe në formë të orkestruar punohej në të, që situata
politike, ekonomike e arsimore në Kosovë të paraqitej sa më stabile dhe më e
qetë. Detyroheshin politikanët shqiptar që të dilnin në popull dhe të flisnin
se në Kosovë populli është i kënaqur, dhe se çdo gjë ecën sipas rrjedhës së
dëshiruar. Autori i shkrimit thotë se në një fjalim M. Bakalli numrin e të
burgosurve politik shqiptar prej 2.000 vetave e prezanton në vetëm 50 veta,
kurse anëtarët e lëvizjes ilegale patriotike shqiptare të gjithë i quan
informbyroist[6]
e çka jo tjetër. Politika jugosllave gjatë kësaj periudhe ishte e tillë se për
çdo gjë e sidomos informimi shkonin aq larg sa çdo gjë shqiptare dezinformohej.
Dhe, nuk ishte aspak çudi, kur nga numri i 2000 i të burgosurve shkohej në 50
veta, e tërë kjo kishte edhe prapavijën e saj. Nga qarqet politike jugosllave
nuk ishte i rastësishëm edhe urdhri siç e quan autori: urdhri i parë :Burgos! I
dyti: Shkruaj! I treti : Shlyej dhe prapë shkruaj. Mbi të gjitha –krasit, më të
majtë e më të djathtë. Autori pyet vet dhe përsëri përgjigjej vet, se nuk e
dijë a e kanë të qartë zotërinjtë udbashë se me krasitje vetëm sa shpejtohej
rrita, madje rrita e mbar. Me një mënyrë kështu ndodhë edhe me ne shqiptarët,
sa më shumë krasitkemi e futemi nëpër burgje, ne jemi edhe më të fuqishëm dhe
sa vije numri i aktivistëve e veprimtarëve shtohej në organizatat atdhetare.
Politika dezinformuese e Beogradit
Po ashtu edhe në
shkrimin “PASHIQI-HOTI (paralele), jepen paralele në mes Nikolla Pashiqit dhe
Beqir Hotit. Më 1979, në Kosovë policia jugosllave kishte arrestuar e burgosur
shumë të rinj shqiptarë. Mirëpo, atdhetaret shqiptar nuk po rrinin duarkryq. Në
vendet ku arrestoheshin të rinjtë tanë fshati ose qyteti të nesërmen zbardhej
me trakte. Në këtë mënyrë atdhetarët i
tregonin pushtetarëve jugosllav se ata janë të distancuar nga ata dhe një ditë kur
do të vij koha ata nuk do të harrojnë për torturat që bëheshin nga ana e tyre.
Udbashët, në mënyrë permanente punonin që në Kosovë të ruanin gjendjen
ekzistuese, fundja thoshte një udbash, po qe nevoja do të ecim mbi kufoma të
shqiptarëve dhe ndërrim të situatës nuk do të ketë. Më 1980, pushtetarët kishin
hetuar se diçka po lëvizte, diçka po përgatitej, andaj dhe morën masat e
“duhura”, duke shtuar rojet gjithandej ku jetonin shqiptarët. Rojet u vunë në
universitet, në shkolla, në fabrike, në institucione shtetërore e shoqërore e
ku jo tjetër. Agjentët e UDB-es, sidomos kontrollonin dhe vëzhgonin familjarët
e të burgosurve politik, duke u munduar që në këtë mënyrë bënin edhe izolimin
total të familjeve të tyre nga rrethi dhe të tjerët.
Edhe pse
pushtetarët e udbashët kishin marr të gjitha këto masa, rinia shqiptare ishte e
gatshme për sakrifica. Dhe ç’ndodhte me ta, mu aty ky ishte shtua përgjimi e
përcjellja e agjentëve, mu aty rinia liridashëse mori shumë aksione duke
shpërndarë, trakte dhe duke thirrur popullin se gjendja e robëruar nuk durohej
më, duke shkruar parulla në vende frekuentuese. Bie fjala, cek autori i
shkrimit, në fshatrat në afërsi të Dubovikut dhe në Dubovik (katund në afërsi
të Pejës), ku ishte burgosur patrioti Hysen Gërvalla), traktet e afishet
shpërndaheshin pa e pritur njëra tjetrën mu para hundëve të njerëzve të
pushtetit[7].
Duke i parë të
gjitha këto që kishte ndërmarr rinia përparimtare, udbashët kishin “gjet”, një
formë të “re” të ndëshkimit. Filluan një aksion të paparë për të arrestuar sa
më shumë të rinj. Fillimisht i merrnin natën e ditën, i burgosnin duke iu
montuar lloj-lloj gjërash që ata nuk kishin lidhje me to. Pastaj i arrestonin
dhe me ditë të tëra i mbanin në hetuesi. Dhe siç dihej, gjatë hetuesisë
përdornin torturat më shtazarake ndaj tyre. Bile, disa nga ata të arrestuar nuk
dilnin fare nga ato dyer të hekurta, e të tjerëve iu kurdisnin procese të
montuara politike dhe i dënonin me vite marramendëse burgu. Veç këtyre që i
përmenda më lart, pushteti dhe UDB-ja jugosllave kishte edhe një “dhunti” të
jashtëzakonshme të cilën e përdorte më shpesh se çdo gjë. Rrena ishte modeli
dhe forma më e preferuar që e përdornin pa pikën e turpit. Kur u binden se nuk mund ta ndalin një rini
të tërë për mos të bërë vepra atdhetare, ata shkuan aq larg sa filluan ta
mohonin veprën e tyre, duke thënë se disa fëmijë të pakujdesshëm po shpërndajnë trakte e afishe ose
tjetra duke lançuar të pavërtetën tjetër
duke thënë se populli shqiptarë është i
kënaqur në Jugosllavi, por se serbet e malazezët, me qëllim po shpërndajnë
trakte vetëm e vetëm që ti rëndojnë komshit e tyre shqiptar. Dhe vërtet duhet
besuar në këto fjalë boshe e pa mbulesë.
Popullata e
pakënaqur me gjendjen që mbretëronte, në ditën e dytë të vdekjes së Titos, në
fshatin Raushi kishte ndodhur edhe kjo: Në Raushiq u grisën fotografit e Titos
dhe flamuri i urryer i okupatorit. Edhe pse policia u turr që ti gjente
aktorët, por më kot, ata nuk ishin pak, ishte i tërë populli që i griste ato
dhe i tërë populli i mbronte veprimtarët. Pushtetarët, do të vendosin që ta
mbulojnë dhe ta fshehin të vërtetën nga populli. Atyre nuk iu mungonin
shërbëtoret që t’iu vinin në ndihmë. Dhe në këtë mënyrë autori i shkrimit
shkruan se si e angazhojnë B. H. Në bashkësitë lokale dhe në aktivet e LK, të
shpallte në popull se si aksionin në fjalë e kishin kryer serbët[8].
Populli shqiptar ishte krenar për punën e të rinjve që bënin, në shikim të parë
të urtë por çdo shqiptar në ndërdijen e tij e dinte të vërtetën, se baballarët
e tyre iu kishin lënë amanet, se edhe dhurata që vije nga serbet ka një rrezik
në vete. Për shqiptarët e urtë një histori e tillë nuk ishte e panjohur, se
edhe Jugosllavia e vjetër kurdiste situata të ndërlikuara. Ndërsente bandat
çetnike të digjnin lagje qytetesh dhe
fshatra shqiptare, e në anën tjetër shpallte se ato djegie i kanë bërë shqiptarët. Pastaj organet
e pushtetit gjoja ndërhynin në gjithë këtë marifet, dhe intervenimi i
tyre kishte një rezultat: torturimin e shqiptarëve në mënyrën më të egër. Ashtu sot qeveria e
Titos në Beograd e sheh të domosdoshme
(njëherë për njëherë) jo të flasë për aksione të shqiptarëve, se në atë mënyrë do të
popullarizoheshin në popull aksionet dhe lufta e rinisë përparimtare dhe e
keqja do të merrte përmasa më të mëdha , po përkundrazi, ta fsheh çdo punë në drejtimin patriotik të shqiptarëve[9],
konkludon autori i shkrimit.
Gjendja e rëndë ekonomike, në faqet e
gazetës
Shkrimi “Gjendja e
rëndë në ekonomin e Kosovës” është një shkrim që është huazuar nga shtypi
revolucionar kosovar, nga gazeta ilegale që botohej në Kosovë “Liria”. Gazeta
“Liria”[10],
shkrimet i botonte pa emra dhe pa pseudonime, andaj edhe ky shkrim që po e
prezantojmë është pa emër, por në librin e parë të “Shtypit ilegal në
Kosovë...” autori është i zbuluar dhe se shkrimin e kishte shkruar Berat Luzha.
Duke u bërë analiza e situatës, me një fjalë autori vjen në përfundim se
shkaktar i gjendjes së mjerueshme ekonomike në Kosovë është robëria e Kosovës
nga Jugosllavia. Shteti okupues me qëllime të caktuara nuk investon në Kosovë,
në ekonomin që do kishte domethënie për shqiptarët. Në mënyrën më të vrazhdë
pasurit kosovare shfrytëzohen dhe bartën jashtë kufijve të Kosovës, duke e
shkretuar dhe duke e sjellë në buzë gremine popullin shqiptar. Kosova gjendet
si një zonë tregu për shitjen e mallrave të gatshme industriale nga republikat e Jugosllavisë. Rreth 70% të
tregtisë të Kosovës e mbajnë mbi 200 firma
tregtare të jugosllave më me shumë se
600 njësi tregtare, 200 prej të
cilave vetëm në Prishtinë. Ndërmarrjet e
republikave jugosllave nuk kanë kurrfarë
pengese për shitjen e mallrave të tyre
në Kosovë, ndërsa mallrat e pakta kosovare vështirë gjejnë vend në tregjet
jugosllave, bile edhe në tregun kosovar, jo vetëm për shkak të konkurrencës së
egër, por edhe nga pengesat administrative. Në këtë mënyrë shumë ndërmarrje
kosovare punojnë me kapacitet të përgjysmuar ose i kanë mbushur depot me mallra stoqe, duke i shtuar edhe me humbje.[11]
Por shton autori i shkrimit se më 1980, nuk ndodhnin pengesa administrative kur
ishte në pyetje lënda e parë minerare që nxirreshin nga “Trepça”, “Kosova”,
Novobërda, Kishnica, Hajvalia, Goleshi, Deva, Volljaka, Karaçeva, Strezovci,
Babushi e në vende të ndryshme anë e këndë Kosovës.
Padrejtësitë nuk
ndodhnin vetëm në tregtinë e brendshme, por të gjitha këto kishin kaluar dhe
ishin bërë dukuri në sistemin jugosllav. Deri sa në Jugosllavi vitin e kaluar
(1979, shënimi S.K-B), iu dhanë ndërmarrjeve
1.188 pëlqime për tregti të jashtme, në Kosovë u dhanë vetëm 5 sosh.
Tregtia e jashtme e Kosovës, e cila bëhet në të shumtën me ndërmjetësimin e
ndërmarrjeve jashtë Kosove, vitin e
kaluar kishte një deficit prej 3 miliardë dinarësh, ose dy fish më shumë se një
viti më parë. Importi , që u rrit për 67 %, ishte dy fish më i madh se eksporti , ndërsa vetëm gjatë
gjashtëmujorit të par të këtij viti (1980, shënimi S.K-B), , përkundër
masave të kufizimit, u rrit për 34%.
Vlera e eksportit mbulonte vetëm 50% të vlerës së importit.[12]
Duke u nisur nga
të dhënat statistikore, dhe nga vet shkrimet që i publikonte gazeta e
përditshme “Rilindja”, autori konstatonte se papunësia ishte njëri ndër
faktorët kyç që e prekte rëndë dhe ndikonte në mënyrë negative popullatën
shqiptare. Papunësia e madhe ndikonte që njerëzit e aftë për punë të merrnin në
sy rrugën e kurbetit, që me vite e vite ishte një plagë e hapur e shqiptarëve.
Autori thotë se të aftë për punë Kosova kishte mbi 52% të popullatës (rreth 800
mijë veta), por të zërë në punë në të ashtuquajtura në sektorin shoqëror ka
vetëm rreth 168 mijë veta. Më tepër se 700 mijë vetë kërkojnë punë nëpër entet
e punës, po numri i të papunëve është
shumë më i madh, sepse shumica e tyre as
që paraqiten fare në këto farë entesh.
Shkalla e zënies në punë e popullsisë së Kosovës është më shumë se katër herë
më e ultë se sa ajo në Slloveni[13].
Edhe pse
trumbetohej se në Jugosllavi respektohej struktura kombëtare, ajo ishte farsë e
kulluar. Si çdo kund në vendet e punës dhe në pranimin e punëtorëve,
diskriminimi kombëtar ishte shumë i hapur dhe as që mundoheshin pushtetarët që
ta fshihnin. As struktura nacionale e punonjësve nuk ishte në proporcion të drejt me strukturën nacionale të
popullsisë. Vetëm 62% të punonjësve ishin shqiptarë, kurse serbët dhe malazezët
jo më pak se 32,4%. Kjo mospërputhje do të ishte shumë më e madhe po të analizohej struktura
e atyre që punojnë nëpër zyra dhe vende udhëheqëse.[14]
Populli shqiptarë është i vetëdijshëm dhe ka njohuri të bollshme pse po ndodhin
këto, por edhe i mban shpresa se një ditë kupa do të mbushet e pastaj në një
mënyrë apo tjetër do të zbrazet, por pasojat e saja do i ndjen mbi të gjitha
pushtetarët e Beogradit. Më kot mundohej që të bëhej propagandë e organizuar se
pse në Kosovë ekziston një gjendje e tillë kaotike, duke arsyetuar se pse
ekziston një gjendje e tillë. Gënjeshtrave dhe kësaj propagande të pështirë në
Kosovë nuk i besoi njeri. Populli i Kosovës
po shihte gjithnjë e më
qartë se shkaktari i vërtet i kësaj gjendjeje është kriza
e thellë politike , ekonomike e shoqërore që po e brenë nga themelet regjimin e Titos
dhe shtypja e shfrytëzimi i egër
kolonial që po ushtrohej mbi ta. Ai po e
kuptonte gjithashtu se e vetmja rrugë
për të dal nga kjo gjendje është
lufta e pa kompromis kundër regjimit
jugosllav dhe tradhtarëve shqiptarë[15],
e mbyll analizën autori i gazetës “Liria”.
Prezantim i denjë i gruas shqiptare në
burgjet jugosllave
Gruaja shqiptare
edhe një herë është temë trajtimi në faqet e gazetës “Lajmëtari i Lirisë”.
Kësaj radhe shikuar historikisht, gruan shqiptare e gjejmë të pandashme nga
burrat në luftërat për liri dhe pavarësi. Gruan shqiptare në çdo kohë dhe në
çdo periudhë e gjejmë aktive krahë për krah me burrat, por vitet dhe dekadat e
fundit të shekullit njëzetë, ajo ishte aktive si në frontin e dijes ashtu edhe
në frontin e rezistencës. Ishte aktive dhe merrte pjesë në të gjitha organizatat
e grupet ilegale që vepronin në Kosovë por edhe jashtë saj. Mori pjesë aktive
në demonstrata, por atë e gjejmë edhe pjesëtare të proceseve gjyqësore, por
edhe të arrestuar. E gjejmë të torturuar e stoike por edhe të dënuar me vite të
shumta burgu.
Për angazhimin dhe
burgosjen e gruas shqiptare flet edhe shkrimi i huazuar nga gazeta “Bashkimi”[16],
me titull “Ik, o natë, po këndon agimi”. Autori i shkrimit trajton jetën e
gruas (70 vetave), që ndodhen në burgun e Mitrovicës. Dhe habit fakti se në
burgjet jugosllave, aty dhe vetëm aty respektohet barazia gjinore, bile një
numër i konsideruar i tyre thyen rekordin ndër shtete ballkanike për
përfaqësimin e tyre në radhët e të burgosurve.
Shqiptarja
kosovare, thotë autori, e cila deri më dje ishte në terrin e plotë të padijes,
kurse sot ka zënë të ecë fare natyrshëm
në tribunat më të larta shkencore e
kulturore, e kuptoi përfundimisht se
duhet të dal kudo krah për krah me të
vëllanë, me të shoqin dhe të birin, në të gjitha frontet dhe më qëndrimin e
patundshëm: Një komb unik shqiptar- një shtet unik! Ky akt i burgosjes masive
edhe të femrës shqiptare në
Jugosllavi, tregon qartë se kanë rënë
përfundimisht në ujë gjithë kombinacionet e fëlliqura
jugosllave (që nga viti 1912 e këtej), të cilat shkollimin e femrës shqiptare e shihnin si një nga mjetet e rëndësishme për
ç’kombtarizimin e shqiptarëve. E si të
mos dështonin , pasi penat e mprehta, që pushteti i Jugosllavisë së vjetër dhe
ky i Titos i kishin angazhuar të bënin hulumtime e projekte shkencore për asimilimin dhe shfarosjen e shqiptarëve, nuk kishin parashikuar dot që
do të vinte dita që femra shqiptare e Kosovës, e mbrojtur nga një brumë fisnik,
në vend që të përqafoi kuazi emancipimin
jugosllav, shkollimin e vet e pa si një detyrë të shenjët , të cilën
duhet vënë në shërbim të popullit dhe të çlirimit social e nacional,[17]
na dëften autori.
Ajo që e shqetëson
më së shumti pushtetin jugosllav, është jo vetëm angazhimi i burrave në jetën
ilegale patriotike, por është edhe ndihmesa shumë e madhe që e japin gratë
shqiptare në ilegale. Dëshmia më e mirë për shëndetin politik, social e
nacional të shqiptares në Kosovë sot është inkuadrimi gjithnjë e më i madh dhe drejtpërdrejt në lëvizjen e gjerë për çlirimin social e nacional të
shqiptarëve nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me vendin amë-Shqipërinë. Dhe ky akt i saj
bëhet më madhështor kur e dimë se gjithë përpjekjet nacional-shoviniste të pushtetit
jugosllav ishin përqendruar në degjenerimin, përkatësisht në apolitizmin
e rinisë kosovare. Veçanërisht qëndrimi ndaj femrës sonë ishte i tillë që asaj
i ofronte mundësi të shfrenuara për
shfrime instinktesh të ultë pa kurrfarë
përgjegjësie shoqërore, mundësi që
krijonin një bazë të fortë amoraliteti total, për degjenerimin, që do tu
epte dorë projekteve shtetërore
jugosllave për asimilimin e shqiptarëve.[18]
Për të vazhduar më tej se gruaja shqiptare si dëshmitare e kohës, e kuptoi
drejt pse ishim të ndarë me shtetin amë,
pse burgoseshin e vriteshin vëllezërit, burri e djemtë e saj vetëm pse
kërkonin liri e bashkim që ishim ndarë padrejtësisht. Ajo pa hezituar u fut në
radhët e ilegales, duke iu ndihmuar në organizimet e tyre. Bile në shumë raste
gratë ishin ato që kryenin shumë punë pa u vërejtur fare nga udbashët. Ato
bartnin postën për ilegalet, bartnin ushqime, por bartnin edhe armatimin për të
cilën ilegalistët kishin aq shumë nevojë.
Ndërsa burgjet për
gratë shqiptare ishin histori në vete, por edhe aty u treguan të forta dhe i
përballuan çdo torture. Me indinjatë të thellë[19]
shkruante autori për torturat që i bëhen sot kosovares në burgjet jugosllave, po me zemër të gufuar për aktin e
saj të ndritshëm historik të inkuadrimit
direkt në çështjen e madhe të
lirisë, i falënderohemi, nënës, motrës, gruas shqiptare që na e forcoi krahun e
luftës dhe jemi të bindur se qysh sot mund t’ia themi të gjithë së bashku
këngës: Ik, o natë, po këndon agimi...[20],
dhe vërtetë vitet në vijim e dëshmuan se gruaja shqiptare ishte njëri ndër
faktorët që e mundi armikun shumë shekullor.
Nga shtypi i huaj
Në faqet e
gazetës, veç shkrimeve që i shkruanin autorët shqiptar, por për hir të situatës
së rëndë politike ishin të detyruar që të fshiheshin prapa emrave të imagjinuar
ose prapa pseudonimeve që i merrnin vet, dhe që për to dinin një grup i vogël
njerëzish, në gazetë ndodhte shpesh që kah fundi i saj mund të hasësh edhe në
shkrimet që ishin të marra nga shtypi i huaj, në të cilat bëhej fjalë për
situatën në Kosovë.
Në këtë faqe mund
të gjesh shkrime nga gazetat e ndryshme botërore siç ishte shkrimi “Për një
grusht dollarë”, e huazuar nga Buletini Financiar i Londrës. Në mes tjerash në
të shkruanin se funksionarët më të lartë
të Jugosllavisë momentalisht gjenden në disa kryeqytete të Evropës perëndimore, e do të shkojnë edhe në Tokio,
me shpresë se kanë për të mbledhur një
ndihmë prej tre miliardësh dollarë.
Qeveria jugosllave ka bërë një strategji
paushallë për këtë fushat të lypjes së kredive. SHBA, Gjermania
Perëndimore, Franca, Japonia, dhe Lindja e Mesme – për të gjitha këto vende veç e veç Beogradi ka përcaktuar shumën e kredisë që pret prej
tyre[21] shkruan gazeta.
Ndërsa në shkrimin
“Burgosjet masive në Kosovë”, marr nga gazeta kroate “Hërvatski List” që
botohej nga emigracioni kroat në Suedi, thuhej se : Gazetari gjerman Rullman
informon në të përjavshmen e tij “Ost- Dienset” se në Kosovë janë bërë burgosje
masive të shqiptarëve në të gjitha
qendrat e rëndësishme si Prishtinë,
Mitrovicë, Vuçitërnë, Prizren, Gjakovë,
Gjilan etj. [22]
Për të informuar opinionin e gjerë gjerman se
Pushteti jugosllav i mbajti sekret këto burgosje, por kur lajmi arriti
në shtypin e huaj, “Politika” e Beogradit mori urdhër të shkruante se janë
burgosur vetëm 50 shqiptarë, që do të dilnin para gjyqit. Por, ky numër nuk
është pesëdhjetë, veçse dy mijë, dhe të burgosurit janë akuzuar për
“kominformizëm” dhe irredentizëm (lëvizje çlirimtare). Duke shkruar për
kominformizmin, “Politika”, pretendonte ta zbusë jehonën e lajmeve sensacionale
në perëndim, po e vërteta është se të burgosurit janë të akuzuar për lëvizje
çlirimtare. Pjesa e tyre më e madhe janë intelektual, punonjës të fakultetit, të
shkollave të mesme etj.
Kjo dëshmon se
lëvizja çlirimtare për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar po zgjerohet me
hov të madh. Por, mjafton edhe vetëm kjo
aferë politike që qeverisë së re
jugosllave t’i dalin kokëçarje të mëdha[23],
shkruan gazeta kroate “Hrvatski List” në Suedi.
Në
vazhdim komenton gazeta “Lajmëtari i
Lirisë” se burgosjet sensacionale të shqiptarëve në Kosovë, gjithashtu edhe në viset të tjera,
madje edhe në Serbin e ngushtë, në B e H dhe në Kroaci, tregojnë se qeveria e
re po ndihet e pasigurt pas Titos. Në Mitrovicë është burgosur një klasë e tërë
nxënësish, bashkë me profesorët. Që të gjithë këta janë shqiptarë të rinj, gjë
që ka rëndësi të madhe! Në Kroaci burgosin për një fjalë goje lidhur me
gjendjen politike. Të gjitha ndërtesat shtetërore dhe ndërmarrjet industriale
janë ruajtur me kujdestari e me ushtri. Të gjitha këto të lënë me përshtypjen e
pasigurisë, gjë që e kanë vërejtur edhe të huajt; vetëm një pjesë e madhe
korrespodentësh dhe gazetarësh të prishtë nuk e vërejtën[24],
komenton gazeta.
Ndërsa
gazeta “Amnsty International” në shkrimin “Jugosllavia dhe të drejtat e
njeriut”, shkruan se mospërfillja e të drejtave të njeriut në Jugosllavi bie
mbi kurrizin e disa grupeve të caktuara.
Grupe të rëndësishme përbëjnë nacionalistët
e Kroacisë dhe ata të Kosovës. Me këtë rast duhet të kemi parasysh se në Jugosllavi ka një
dallim të madh mes veriut dhe jugut...
Në republikën e Kroacisë, si më parë, ka forca që kërkojnë të drejtën historike për një “Kroaci të pavarur” me gjuhë dhe kulturë të veten,
dhe ato forca i kundërvihen centralizmit
të Beogradit. Kundër këtyre forcave , që dalin më pak në pah pas
spastrimeve të vitit 1971, ndërmerren masa rigoroze dhe ata burgosen me të madhe. Punëtorët kroat
në botën e jashtme , të cilët gjoja mbajnë kontakte me emigracionin kroat, kur kthehen në
Jugosllavi nxirren para gjyqit...[25].
Ndërsa më vonë po
e njëjta gazetë tërheq paralelen se në të njëjtën situatë ndoshta edhe më të
rëndë janë shqiptaret në Kosovë. Në vazhdim ajo shkruan se një nacionalizëm i
llojit tjetër shfaqet në Kosovë.
Nacionalistët shqiptarë kërkojnë bashkim me Shqipërinë, Titon e konsiderojnë
diktator, këta janë kryesisht nxënës dhe studentë. Ndaj tyre tani së voni është
ndërmarrë një valë e madhe burgimesh, të burgosurit më së shpeshti
dërgohen në burgjet jashtë Kosovës...[26]
Sikurse
në vitet e më hershme por edhe në vitet e më vonshme se u dëshmua se më tepër
se gjithkund në Ballkan ishte e nevojshme
një stabilitet politik për hir se ishte në interes edhe të perëndimit,
politikanët evropian nuk donin ta qortonin Jugosllavin për këtë mospërfillje të
të drejtave të njeriut ose të protestonin kundër praktikës së kidnapimeve nga ana e UDB-es, e për të gjitha këto
perëndimi kishte njohuri të mjaftueshme se çfarë po ndodhte me popullin
shqiptar dhe me të tjerët në Jugosllavi.
Duke
analizuar me radhë shkrimet e shtypit të huaj, hasa edhe në një shkrim që më
tërhoqi vëmendje, ndërsa këtë e kishte botuar gazeta e emigracionit kroatë
“Hërvatski List”, me titull “Kundërthënie shqiptare”. Në pika të shkurtra
paraqet kundërthëniet shqiptare që mbretërojnë në emigracionin shqiptar. Disa
grupe e shoqata që janë formuar në vitet para të pas LDB-së, kanë orientime properëndimore
e djathtiste dhe punojnë në dëm të Shqipërisë socialiste. Gazeta na ofron si
shembull se Mbreti Lekë në eksil paskësh përgatitur gjatë kësaj vere (1980),
një invazion mbi Shqipërinë për ta rrëzuar Enver Hoxhën dhe komunizmin në
Shqipëri (me siguri edhe Shqipërinë)....Ai sikur shumë shqiptarë të tjerë, nuk
sheh se me një politik të tillë aq të keqe do të bëhej aleat i Beogradit dhe do
ta shtynte Kosovën shqiptare edhe më shumë në prangat e Beogradit,[27]
për të vazhduar më tej se deri sa të jetë në fuqi kjo politikë:të bësh sehir
sesi Serbia e terrorizon dhe e ç’faros Kosovën shqiptare, dhe në anën
tjetër të përpiqesh të shembësh
Shqipërinë... Beogradi do të ketë te emigracioni shqiptarë aleatin më të mirë
për pacifizmin e Kosovës[28],
përmbyll shkrimin gazeta e emigracionit kroat.
Duhet
shtuar se grupi tjetër që përkrahte Shqipërinë Socialiste, dhe luftonte
okupimin serb ishte gjenerata më e re, e cila e shtyrë nga dhuna e terrori
kishte marr rrugët e kurbetit dhe ishte vendosur diku në shtetet e perëndimit.
Të ndikuar nga demokracia dhe të motivuar që Kosovën sa më parë ta shohin të
lirë, ata kishin marrë mbi vetëm detyrën e organizmit të shqiptarëve në
emigracion dhe me të drejt thoshte atdhetari Jusuf Gërvalla se neve shqiptarëve
dhe Kosova nuk ka nevojë për disa zëra të ngritur, por ka nevojë për një zë të
fuqishëm, dhe koha e dëshmoi se e tërë kjo ishte një thënie që ndoshta edhe sot
kemi nevojë që të gjithë shqiptarët kudo që jemi ti artikulojmë dëshirat tona
në një kërkesë të përbashkët.
Vazhdon botimi i i gazetës “Lajmëtari i
Lirisë”, nr. 3
Qysh në numrin e parë të gazetës ishte bërë njoftimi
nga ana e redaksisë së gazetës se kjo gazetë do të dal njëherë në dy muaj.
Kështu edhe numri i tretë i saj doli në muajt janar-shkurt të vitit 1981.
Sikurse edhe dy numrat e mëhershëm, gazeta kishte të njëjtën teknik dhe po
ashtu vazhdoi të nxirrej nga vëllezërit Gërvalla. Kishte të njëjtin format dhe
trajtonte temat e nxehta politike të shqiptarëve dhe tokat shqiptare. Ishte e
botuar në format A-4, dhe kishte po ashtu moto sikurse edhe numrat tjerë të saj
“Me penë dhe me pushkë...”, që për kohën kur botohej që edhe penda e edhe
pushka ishin shumë të nevojshme për shqiptarët e okupuar.
[1] Vdiq vigani i dijes shqiptare, Lajmëtari i
Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor
1980, f, 7.
[2] Po aty.
[3] Po aty, f. 8.
[4] Po aty.
[5] Mashtrimi i madh i ramzesëve të vegjël,
Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 9
[6] Po aty.
[7] PASHIQI-HOTI (paralele), Lajmëtari i Lirisë,
Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980. f, 11
[8] Po aty.
[9] Po aty.
[10] Gazeta “Liria” ishte organ informative i
organizatës së OMLK-së, e cila vepronte në Kosovë por kishte degën e vet edhe
në diasporë. Si organ filloi të botohej në vitin 1981-1982, dhe u botuan
gjithsej në gjashtë numra. Të gjitha shkrimet që botoheshin në të shkruheshin
pa emra të autorëve dhe pa pseudonime. Kryeredaktor i saj ka qenë atdhetari i
njohur Mehmet Hajrizi.
[11] Gjendja e rendë në ekonominë e Kosovës,
Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor, 1980, f, 12.
[12] Po aty.
[13] Po aty.
[14] Po aty.
[15] Po aty, f, 13.
[16] Gazeta “Bashkimi”, ishte organ i organizatës
ilegale atdhetare “Fronti i Kuqë” që botohej në diasporë. Këtë gazetë e nxirrte
atdhetari i njohur Ibrahim Kelmendi. Ai njëherë ishte edhe kryeredaktor i
saj. Ajo doli gjatë viteve 1979-1981, në
pesë numra.
[17] Ik, o natë, po këndon agimi, Lajmëtari i
Lirisë, Viti I, nr. 2, Tetor-Nëntor 1980, f, 13.
[18] Po aty.
[19] Po aty, f, 14.
[20] Po aty.
[21] Për një grusht dollarë, Lajmëtari i Lirisë,
Viti I, nr. 2, Tetor-Nëntor 1980, f, 15.
[22] Burgosje masive në Kosovë , Lajmëtari i
Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 15.
[23] Në këtë mënyrë në vitin 1980, komentonte
ngjarjet dhe burgosjet e intelektualëve në Kosovë gazeta “Hërvatski List”, në
Suedi.
[24] Punim i cituar “Burgosje…”, f, 15.
[25] Gazeta “Amnesty International”, 1980.
[26] Jugosllavia dhe të drejtat e njeriut,
Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor, 1980, f, 15.
[27] Hërvatski List, Suedi, 1980.
[28] Kundërthënie shqiptare, Lajmëtari i Lirisë,
Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 16.