Speciale » Basha
Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (II)
E diele, 20.12.2009, 08:56 PM
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Numri i parë i gazetës “Lajmëtari i
Lirisë”, befasi e këndshme për mërgimtarët
Gazetat si
“Bashkimi”, “Lajmëtari i Lirisë” dhe “Liria”, nuk ishin gazetat e para që
botoheshin në perëndim, porse ishin gazetat e vetme që sollën një frymë të re
në trajtimin e çështjes kombëtare shqiptare në përgjithësi e në veçanti të
shqiptarëve dhe të tokave shqiptare që kishin ngelur nën Jugosllavi.
Për herë të parë
në këto gazeta filluan të botoheshin shkrime analitike të argumentuara me të
dhëna shkencore, botoheshin polemika të ndryshme me shkencëtar të ndryshëm
sllav të cilët u mundoheshin për ta shtrembëruar të vërtetën për shqiptarët dhe
Kosovën. Në të mund të lexosh shumë tema të cilat gjerë më atëherë opinioni i
gjerë nuk i kishte ditur dhe nuk kishte pasur rast ti lexonte. Në mënyrë të
argumentuar u prezantonin politika, ekonomia, arsimi, kultura, si dhe tema të
ndryshme nga shkencat e ndryshme po ashtu edhe me fakte e statistika shkruhej
për dhunën, terrorin, të burgosurit, të arrestuarit, shkruhej edhe për ushtarët
e vrarë që ktheheshin në arkivole nga ushtria serbe.
Në të gjitha
gazetat mund të hasësh gati-gati moto të ngjashme të tyre në të cilat ishte
lufta e pa kompromis për çlirim dhe bashkim kombëtar. Për gazetën “Lajmëtari i
Lirisë”, nuk kishte gjë më të rëndësishme se sa për atdheun e robëruar të
luftohej me pushkë dhe me pendë për liri dhe bashkim me vendin amë, Shqipërinë.[1]
Revistës i
paraprin punimi “Perditio tua, Israel, ex te”, që në bazë të hulumtimeve që kam
bërë në shumë vende thuhej se këtë punim e ka shkruar Jusuf Gërvalla, por para
se të bëja analizën e këtij punimi, do të ndalesha, në fjalën përfundimtare të
Jusuf Gërvallës që e jep për vetë numrin e parë të revistës, “Dy fjalë për
numrin e parë të “Lajmëtarit të Lirisë’”, përfshin arsyet, shkaqet, platformën
dhe qëllimet pse kanë vendosur që të botonin këtë gazetë. Në shkrim thuhej se
“Kemi nderin që në kushte jashtëzakonisht të vështira të ilegalitetit, të dalim para lexuesit
shqiptar me një revistë të përdymuajshme revolucionare, që e kemi emëruar
“Lajmëtari i Lirisë”. Shpresojmë se nëpërmjet këtij organi do t’ia dalim me
sukses të bëhemi zëdhënës të aspiratave
revolucionare të djalërisë shqiptare të Kosovës, e cila nuk e ndal dot
luftën për çlirim nga robëruesi i egër jugosllav dhe për bashkim me vendin amë,
Shqipërinë[2],
thoshte redaksia e gazetës.
Ata shpresonin se
në këtë mënyrë do të plotësonin edhe një detyrë. Informimin e drejt e
llogariteshin si një dimension të luftës së përgjithshme ndaj okupuesit. Se me
anën e informimit do të godasin dhe do të demaskojnë botërisht armikun
shekullor, qeverinë shoviniste e antishqiptare të Beogradit dhe në një mënyrë
do të sensibilizojnë luftën e drejtë të ilegales shqiptare që për qëllim kishte
çlirimin e pjesës së robëruar të atdheut nga okupimi jugosllav.
Në Gazetën
“Lajmëtari i lirisë” shkruanin se gazeta është e hapur për të gjithë ata të
cilët kanë ide dhe veprojnë për të mirën e kombit dhe për çlirimin e tij. Për
redaksinë e gazetës nuk ishte e rëndësishme se nga cila anë vijnë idetë nga
ilegalet, gjysmë ilegalet apo edhe nga vet legalet, tani për tani e rëndësishme
ishte lirimi i tokave shqiptare të okupuara nën Jugosllavi[3].
Për platformën e
gazetës shkruanin se ata, përfaqësonin vijën politike kombëtare-marksiste, por
lidhur me ideologjinë marksiste, këto gazeta ishin marksiste vetëm aq sa mos të
binin në kundërshtim me Tiranën zyrtare. Duke u nisur nga kjo, të gjitha
organizatat dhe grupimet politike (mbi pesëdhjetë sosh), e ndiqnin këtë rrugë.
Gazeta “Lajmëtari
i Lirisë”, vinte në të dhënat shumë interesante se armiku i ynë shekullor,
qeveria e Beogradit, për të dëmtuar luftën tonë të drejtë, e cila mund të
arrihet vetëm duke përfillur idenë e një revolucioni të përgjithshëm[4],
shpik dhe propagandon gjithçka vetëm e vetëm për ta zbehur luftën dhe
angazhimin e shqiptarëve për liri e pavarësi. Duke u nisur nga këto të dhëna,
redaksia e gazetës, mendon se për ta kryer këtë luftë dezinformative për
shqiptarët, thonë se do ia lënë këtë punë që ta kryej vet gazeta me një
informim të drejt dhe të sinqertë.
Historiku
i robërisë
Në shkrimin
“Perditio tua, Osrael, ex te”, në të cilin
nuk figuron as emër e mbiemër të autorit, porse as pseudonim (në gazetë
të gjitha shkrimet janë të shkruara pa emrin e autorit, por nuk kanë as
pseudonime, përveç shkrimeve që i marrin nga autorët shqiptar, nga Shqipëria).
Në bazë të disa shkrimeve të mëhershme thuhej se këtë shkrim e ka shkruar Jusuf
Gërvalla si dhe shumë shkrime të tjera e aty-këtu ka botuar edhe Bardhosh
Gërvalla.
Autori Jusuf
Gërvalla fillon me “Kosova, (por termi Kosovë është me fusnotë, dhe shpjegohet
në këtë mënyrë “Që nga pushtimi jugosllav, ne shqiptaret kemi quajtur me fjalën
Kosovë të gjitha tokat shqiptare, që kanë hyrë nën okupimin jugosllav”) pas
daljes nga robëria pesëshekullore turke,
e cila u zëvendësua me një robëri edhe më të rëndë- atë sllave, në kohën kur
Shqipëria e sotme fitoi pavarësinë, më
1912, u nda në katër të ashtuquajtura
banovina.. Kjo ndarje kishte qëllime kryekëput politike dhe shërbente
për t’i mbajtur sa më lehtë në zotërim shqiptarët e papërkulshëm, kurse katër
banovinat u përgjigjën katër regjioneve, brenda të cilave është mbërthyer edhe
sot populli shqiptarë në viset e robëruara nga Jugosllavia e Titosë: Kosovë,
Maqedoni, Mal i Zi dhe Serbi.[5]
Në vazhdim, elaborohen të gjitha masat shtetërore që kishin ndërmarr që sa më
shumë shqiptar të ikin nga trojet e veta të natyrshme. Dhuna, terrori,
shpërnguljet në masë, djegia e fshatrave dhe e qyteteve shqiptare të gjitha
këto kishin vetëm një qëllim realizimin e planit shtetëror jugosllav për
shfarosjen apo edhe asimilimin e plotë të shqiptarëve, të cilët atëbotë qenë
bërë prag i pakapërcyeshëm për daljen e Serbisë në Detin Adriatik dhe
përgjithësisht për apetitet pansllave të monarkive të Serbisë dhe të Malit të
Zi, më vonë Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.
Në shkrim jepen e
shpjegohen gjerë e gjatë periudhat historike, duke mos lënë anash asnjë kohë e
cila ishte e rëndësishme për shqiptarët. Për lexuesin e rëndomtë janë sinjifikative të dhënat e tilla ngase nuk
ishin mësuar që të lexonin diçka të tillë dhe duke i quajtur të gjitha gjerat
me emrin e vërtet.
Jusuf Gërvalla
analizonte dendur periudhën pas vitit 1912 duke kaluar në kohën kur formohet
Mbretëria e
Rëndësi të veçantë
dhe permanente pushteti jugosllav i kushtonte kultivimit të propagandës
antishqiptare, që ishte armë e fuqishme në duart e pushtetarëve. Dihej se
shqiptarët gjatë të gjitha periudhave në Jugosllavin socialiste nuk kishte
mjete të pavarura që në mënyrë të drejtë të informonte opinionin kombëtar si
dhe atë ndërkombëtar, andaj edhe ishte krejt e natyrshme që dezinformata
arrinte edhe qëllimin e vet optimal. Opinionit të gjerë i mungonin informatat e
vërteta për historikun e okupimit të shqiptarëve në Jugosllavi, aktualisht,
thoshte autori për opinionin mesatar jugosllav dhe botëror, që manipulon me
informatat elementare dhe fare të cekëta lidhur me Jugosllavinë, në këtë pjesë
të Ballkanit , përkatësisht në këtë shtet, ose nuk ka fare shqiptarë, ose ata
përbëjnë një pakicë të parëndësishme, që nuk meriton kushedi se çfarë kujdesi.
Në rastet më fatlume, një pjesë e opinionit të tillë e di përafërsisht numrin e
shqiptarëve që jetojnë brenda kufijve politikë jugosllavë, por nuk e di se këta
shqiptar jetojnë në tokat e veta të pushtuara nga Jugosllavia dhe mendon se
Jugosllavia ka bërë shumë për realizimin e të drejtave të tyre nacionale,
sociale dhe ekonomike.[6]
E keqja nuk ka kufi thoshte populli dhe vërtetë, politika sllave kishte shkuar
aq larg sa qëllimet e veta ekspansioniste i mbështillte e i kamuflonte sa edhe
numrin e popullsisë shqiptare e pat ndarë e copëtuar në disa terme të
pakuptimta si mysliman, torbesh, turq e shumë popullsi të tjera që kombi
shqiptar as në imagjinatën më fantastike nuk i kishte menduar. Qëllimi i krejt
saj dihej, edhe më tej ishte dhe mbeti zvogëlimi i numrit të popullsisë
shqiptare, uzurpimi i pasurive të shumta tokësore , maskimi i kompaktësisë
etnike shqiptare në të gjitha viset e tyre, me qëllim të përvetësimit të të
gjitha të mirave për të bindur opinionin ndërkombëtar se Kosova është tokë
serbe, që synimi ishte që ajo të jetë sa më e largët e më të pakapshme të drejtën historike e kombëtare të
shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje dhe për jetesë në kuadër të shtetit
unik shqiptarë.
Autori duke mos i
harruar për asnjë çast vendimet e Konferencës së Bujanit, ai kërkon me
këmbëngulje që tokave shqiptare t’iu kthehet e drejta e nëpërkëmbur, duke thënë
se “Duke u nisur nga lufta jonë e drejtë, sepse ndryshe s’ka si cilësohet lufta
për mbrojtjen e tokave të tua dhe të interesave jetike të popullit tendë; si
dhe pjesëmarrja aktive e përhershme e shqiptarëve të Kosovës në vlimet e përgjithshme të historisë së Shqipërisë për ruajtjen e tokave
dhe të popullit nga copëtimet e ndryshme barbare; pastaj, me vetëdije të
lartë se qeveria titiste e Beogradit, meriton tek e fundit edhe urrejtjen e
popujve jugosllav, që lëngon mos më keq nën këmbën e shovinizmit serb, është e
natyrshme që ne, revolucionarët kosovar të ndahemi diametralisht me mendime nga
kjo qeveri dhe nga ky shtet..[7]
Duke analizuar veprimtarin atdhetare ilegale të shqiptarëve në tokat shqiptare
nën okupimin jugosllav, autori thekson se për këtë të drejtë luftojnë dhe kurrë
nuk ndalën bijtë dhe bijat më të mirë të këtij populli në pesëdhjetë organizata
e grupime ilegale që veprojnë në Kosovë e më gjerë. Në shkrim thuhej se nga
përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e gjerë më tani (1980), nëpër burgjet dhe
kazamatet serbe gati-gati banorë të përhershëm me shumicë zakonisht janë
shqiptarët.
Për anëtarët e
organizatave ilegale shqiptare, autori akuzon propagandën që bënë shtypi i
vendit si gazetat, radio dhe televizioni. Po ashtu një theks të veçantë e
drejton kah gjyqësia jugosllave e cila pa pikën e ndërgjegjes të rinjtë
shqiptar të cilët kërkojnë të drejtat e veta legjitime i akuzojnë dhe i dënojnë
me vite të shumta burgu. Cekën shumë nene të Ligjit Penal të Jugosllavisë, të
cilat veprimtarin e ilegales përparimtare e dënojnë “Për vepër penale të
propagandës dhe të bashkimit me qëllim të veprimtarisë armiqësore kundër
popullit dhe shtetit”, vërtet shtrohet dhe të imponohet pyetja se në emër të
cilit popull dhe në emër të cilit shtet dënoheshin shqiptarët. Në emër të kujt
u dënuan atdhetarët: Shefqet Jashari[8],
Ramadan Pllana[9],
Avdi Kelmendi[10],
Abdyl Lahu[11],
Isa Demaj[12],
Sylejman Qyqalla[13],
Skënder Jashari[14],
Hysen Gërvalla[15],
Ibrahim Shala[16],
Asllan Loshi, Ruzhdi Saramati e shumë e shumë të tjerë që numërojnë mbi dymijë
e më tepër të burgosur politikë shqiptarë. Autori nga këta të burgosur por edha
nga rinia shqiptare pret se nuk do të rrijë duarkryq dhe se robërisë shpejt do
i vij fundi. Andaj me të drejtë ai edhe përdori thënien si titull të shkrimit:
“Perditio tua, Israel, ex te”[17]
Viktima dhe
vartësia e tij nga xhelati
Në një shkrim
tjetër të titulluar “Viktima që glorifikon xhelatin e vet”, autori e që
supozohet se është atdhetari i njohur Jusuf Gërvalla, i cili dialogon me një
pushtetar shqiptar për gazetën e përditshme “Rilindja”. Punimi fillon me fjalët
“Besoj se e lexon “Rilindjen”. E ke të vetmen gazetë të përditshme në gjuhën tënde, në pjesën e robëruar të
Shqipërisë.[18]
Në shkrim elaborohet dhe jepen pjesë të shkrimeve që i prezanton “Rilindja në
faqet e saja. Thënë ndryshe, autori klithë në këtë shkrim, kur me fakte na
dëshmon se çfarë shkruan gazeta në faqet e saja, megjithëse shpesh na prezanton
shkrimet fyese për popullin shqiptar. Autori porosit se edhe pse është e tillë
ne duhet ta lexojmë gazetën “Rilindja”, ngase nuk kemi tjetër dhe se megjithatë
diçka kuptojmë nga ajo. Herë-herë në pikë të dëshirimit, shkruan se “Ti e ke
ditur që “Rilindja” është organ i LSPP të Kosovës, LSPP e Kosovës degë e LSPP
të Jugosllavisë; LSPP e Jugosllavisë shpikje e pakripë e klikës titiste, klika
titiste mashë e shovinizmit dhe e hegjemonisë të lig serb... e kështu me radhë,
deri te pansllavizmi i mykur![19]
Autori, është i
habitur, me prezantimin e shkrimeve të padenja që i boton gazeta. Është për tu
habitur se në faqet e gazetës, për 35 vjet , ajo nxori në faqet e saja, më së paku 12.775 herë në
faqen e parë fotografin e Titos, dhe ironia ishte edhe më e madhe, kur kjo
gazetë po ashtu edhe më tepër se botimin e fotografisë e ka shkruar se “Tito, e
kaluara, e tashmja dhe e ardhmja jonë e vetme”, dhe kjo thënie komentohet në
mënyrën më të mirë të mundshme duke e analizuar me logjikën e shëndosh të
atdhetarit, se xhelati mundet me qenë e kaluar dhe e tashmja por, si guxon të
quhet e ardhmja e jonë, deri sa ne krahasohemi me viktimat e një pushteti.
Viktima mundet me pas të kaluar dhe të tashme, por si mundemi të gjykojmë pa
fijen e turpit se edhe në të ardhmen mundemi ta duam xhelatin.
Shtypi legal që
botohej në ato vite në Kosovë, sipas autorit të shkrimit, nuk kishte as guximin
qytetar e as kombëtar që të ballafaqohej me problemet të cilat vërtet e
mundonin popullin shqiptar, dhe në mënyrë të denjë ti prezantonte ato. Duhet
thënë si në çdo fushë të jetës së shqiptarit, e aq më tepër në lëmin e
informimit, apo më mirë të themi në fushën e dezinformimit, politika jugosllave
kishte vënë një sitë të hekurt dhe nuk lejonte të rridhnin informata që nuk i
shkonin për qejfi pushtetarëve. Edhe pse gazeta “Rilindja” u deshtë të ishte
gazetë që duhej të informonte për zhvillimet politike, shoqërore, ekonomike,
kulturore, sportive e çka jo tjetër, ajo me apo pa dashje opinionin e gjerë e
informonte me problemet efemere që e shqetësonin njeriun e nënqiellit tonë. Ta
zëmë se më 27 prill 1980, gazeta
shkruante këtë artikull me titull “Urdhëroni parmenda”, titull, se jo mahi,
fundi i shekullit 20, në Kosovë shkruhej për suksesin e madh të shitjes së
parmendës. Dhe shtrohej pyetja duhet lexuar gazetën vetëm e vetëm se duhet të
lexohet, apo duhet bërë diçka për të ndryshuar këtë situatë të amullt në
informimin tonë.
Prezantimi i “Pushtetit Popullor” në faqet
e gazetës
Në një mënyrë
tjetër, ndoshta më të thjeshtuar dhe më të kapshme për popullin , autori i
shkrimit “Konjugacionet e një pushteti “popullor”, na ofron të dhëna të
rëndësishme se si dhe në çfarë mënyre pushteti “popullor” e tregon fytyrën e vet.
Në shkrim merren shumë shembuj se si sillen pushtetarët në momente e situata të
caktuara. Ta zëmë se, kur fletë për këngën e kënduar në konviktet e studentëve me 4 maj 1980. Kënga ishte
rinore, dhe plotë gjallëri, por ç’ndodhi më vonë, merrni me mend vetëm për një
këngë të kënduar, rrethohet konvikti me forca të mëdha policore, dhe arrestohen
studentët këngëtar, vetëm e vetëm se ajo ditë ishte ditë zie, në Jugosllavi, e
ç’faj kishin studentët që kënduan këngën e Azem Bejtës e të Idriz Seferit ta
zëmë.
Ose ta zëmë, se
shqiptari dënohej edhe për hiq gjë, si rasti i një fshatar nga Deçani kishte
pyetur për Jovankën ( gruaja e Josip Broz Titos), se ku ishte, dhe kishte kohë
që nuk dukej në televizion. Organet e
ndjekjes kishin dëgjuar për këtë bisedë, dhe e arrestojnë fshatarin me arsye se
kishte veprua kundër shtetit dhe popullit.
Fytyrën e vërtet,
pushteti jugosllav e kishte tregua edhe në një rast, kur në Prishtinë ishte
luajtur një lojë sportive që ishte luajtur në mes ekipit të basketbollit të
Tiranës dhe të një ekipi vendor, pas se
masa e të rinjve kishte brohoritur duke përkrahur ekipin nga Tirana, policët që
përcillnin ndeshjen ishin çartur dhe kishin arrestuar shumë të rinj
shqiptar,arsyeja ishte se ata kishin anuar për ekipin nga Tirana, dhe absurdi
nuk kishte skaj, se pushtetarët jugosllavë mendonin se mund të dirigjonin edhe
në këtë drejtim se kënd duhesh ta simpatizosh e kënd jo.
Autori na sjell
edhe një ngjarje tjetër e cila dëshmon
për ndërhyrjen e policisë në konviktet e studentëve. Përsëri bëhej fjalë për
guximin e studentëve që këndonin për qejfin e tyre. Edhe pse ditët e zisë për
vdekjen e Titos kishin përfunduar, për policin ishte ende e ndalueshme që në
konviktet e studentëve të dëgjohej kënga. Okupuesi gjithçka duronte, porse
këngën tek rinia kosovare nuk e merrte dot me mend. Andaj mu kjo ishte
shkaktare që një ditë të ngrohët vere, policia mori “Mundin” dhe bllokoi të
gjitha dalje- ardhjet në konviktet e studentëve. “Kjo s’ishte hera e parë që
pushteti i policisë “popullore” po rrekej të manifestohej në tërë “madhështinë”
e vet mbi të rinjtë e pafajshëm, që s’duan t’ia dinë se qenka e ndaluar të këndohet shqip. Mirëpo
durimi ka kufi. Dhe studentët, që kanë edhe ata “njëfarë” force, me të cilën i
brumos ndjenja se do të bëhen bartës të të mirave të jetës, në një të ardhme të
afërt, kishin ngulur këmbë që ta manifestonin edhe ata hovin e tyre të
pandashëm”[20].
Autori i këtij shkrimi, analizon reagimin e studentëve dhe guximin e tyre, duke
profetizuar, se ndoshta mu në këtë mënyrë fillon “një lojë” e re për trojet
tona. Duke paralajmëruar popullin shqiptarë se pika e durimit kishte arritur
kulmin dhe gjithsesi duhej të shpërthej, por kur se ende nuk dihej, por autori
i shkrimit paralajmëronte diçka ... me anën e këtij shkrimi.
Denjësisht prezantoheshin heronjtë e
kombit
Në faqen 5 (pesë),
të gazetës, prezantohej “Shqipja e maleve-Bajram Curri”, e shkruar nga Profesor
Stefanaq Pollo. Dihej se në Kosovë, në
ato vite nuk ishte fortë e dëshirueshme që të shkruhej për figurat e ndritura
të historisë kombëtare, andaj shkrimi për këtë hero dëshmonte qartë se populli
shqiptarë asnjëherë gjatë historisë nuk ka qenë i kënaqur me copëtimin e tokave
të veta. Andaj, Bajram Curri ishte njëra ndër figurat e shquara të popullit që
u takonte dy periudhave të rëndësishme
historike-periudhës së fundit të luftës për liri e pavarësi nga zgjedha
osmane dhe asaj të luftës për vetëvendosjen e rendit demokratik në
Shqipërinë e pavarur. Në të dyja këto periudha
emri i këtij heroi të
bjeshkëve shqiptare u bë flamur , simbol
i patriotizmit të flakët popullor dhe i
vendosmërisë së paepur në përleshjet me armiqtë
e jashtëm e të brendshëm të atdheut, ndërsa vepra e tij- një gur graniti
në themelet e Shqipërisë së pavarur[21]”
shkruante profesor Stefanaq Pollo duke e ngritur lart luftën dhe angazhimin e
tij për çlirim kombëtar.
Gazeta “Lajmëtari
i Lirisë’”, siç e cekëm edhe më lart, karakterizohej me punimet kryesisht që
kishin karakter kombëtar. Në faqet e saja mund të gjesh punimet nga më të
ndryshmet. Në faqen e gjashtë të gazetës hasim edhe në një punim “Rekuiem për
një monark”, (që shkruhet me rastin e vdekjes së monstrumit revizionist, J.B.
Tito, këtij armiku të përbetuar të popullit shqiptar). Shkrimi nuk ka emër e as
mbiemër të autorit, por është interesant se në këtë gazetë nuk praktikohej që
të përdoreshin as pseudonimet. Sipas Kadri Rexhës, në librin “Fati i luleve...”, ai thotë se
edhe këtë shkrim e ka shkruar Jusuf Gërvalla.[22]
Punimi ishte i ndarë në pesë nëntituj: 1. Kush ma zuri diellin, ia zënët thera
shpirtin, 2. Dy datëlindje- dy ditëvdekje, 3. Dy emra, shumë fytyra, 4. Dy e dy
bëjnë- 10 muaj me ajër të pastër! dhe 5. A mbahet shpirti me kulumbria?. Është
për tu veçuar se autori i shkrimit është largpamës dhe shumë vizionar, në
njëfarë mënyre, na dëften, e që ngjarjet
e më vonshme na bindin se atë që kishte shkruar autori i paraprinin ngjarjeve
të vitit 1981. Me dhembje pyet autori tani pasi vdiq Titua, çfarë do të ndodhë
me shqiptaret, apo do të ndjekim rrugën e Titos, siç trumbetonin disa renegat
të tij. Por është i bindur se “kështu nuk na mëson historia dhe tradita luftarake e popullit tonë; a na mësojnë kështu rrugët
revolucionare të popullit tonë dhe të
popujve të botës, që kanë hequr qafe
përbindësh shumë më të mëdhenj se titizmi, i cili i ka të cektë rrënjët”[23]
shkruan në pjesën e fundit të shkrimit.
Në vazhdim të
gazetës, po ashtu është shkrimi tjetër i radhës, i quajtur “Renegati” (
Prolegomenë për historianin, zhvillimin dhe perspektivën e dështakut më të madh
të fisit njerëzor). Edhe ky shkrim është i ndarë në dymbëdhjetë pjesë më të
vogla që përfshihet kryesisht historiku, zhvillimi, dhe perspektiva e
renegatit. Autori në fillim të shkrimit, na tregon se çka do të thotë fjala
renegat: se “ndër fjalorë, renegatin e gjejmë te shkronja r me këtë shpjegim
përkatës: renegati vjen nga lat. Renëgate (re...+ ne-gare- me mohue) dhe shënon
njeriun që ka ndërrua mendje, bindjen e përparshme, dhe ka dal në taborin
kundërshtar, në taborin e armikut; ai është edhe i arratisur, dezertor,
përçarës, tradhtar, pjellë e keqe, kopil...[24].
Për të vazhduar më tej autori se renegatin e gjejmë kryesisht në të gjitha paralelet dhe meridianët e
planetit Tokë. Sidomos në gji vendesh dhe popujsh të pushtuar e të kolonizuar,[25]
konkludon autori.
Në pjesën
“Ekologjia e renegatit”, autori përshkruan se në çfarë vendesh e zona
kultivohet renegati. Zhvillimin e renegatit, autori e përshkruan si në
ekuacionin e filozofisë së ujkut , dhijes dhe lakrës. Për të ekzistuar ujku,
duhet të zhduket dhia, dhe për të jetuar dhia duhet të zhduket lakra. Dhe sipas
të gjitha gjasave renegati na del dhe luan rolin e pykës , që gjithmonë shërben
për të çarë trupin e palës së dobët, të viktimës. Autori me një sens prej
krijuesi e përshkruan se çfarë klime duhet të dominojë për të gjalluar renegati.
Pasiguria, injoranca, pështjellimi, anarkia, altruizmi i inskenuar, përçarja,
analfabetizmi, tradhtia dhe të gjitha ato sherre që mbillen, piqen e korrën për
ngut, pa e pritur njëra-tjetrën[26]
thotë autori.
Në pjesën “Format
e ekzistencës së renegatit” si dhe në pjesën “Përkufizimi i qenies së
renegatit”, prezantohet renegati se çfarë është në gjendje që të bëjë dhe se
nuk është fare e rëndësishme se kënd dëmton dhe shkatërron.
Në pjesën e
katërt, nën a), përshkruhet “Plani metafiziko-mistik” i renegatit, të cilin
autori e paraqet se të gjitha doktrinat fetare
e kanë evidencuar ekzistencën e shpirtit të lig, i cili jeton në
shpirtin e njerëzve që për qëllim kanë joshjen e njerëzve nga rruga e drejtë në
atë të ligën, dhe thotë se me një fjalë
këta quhen edhe “hafije” dhe vet zoti atyre iu ka caktuar vendin më të keq në
rrathët e ferrit. Po ndryshe nga fryma e ligë mistike, renegati e ha bukën dhe,
si të tillë, edhe renegatin e ha plumbi. (Po të ketë kush ia jep)[27]
Në nën pjesët: b)
Plani antropologjik; c), Plani zoologjik; ç),Plani botanik;d),Plani i sendeve
dhe objekteve, përshkruhet në vija të trasha se si duket, vepron dhe asgjëson
sojin e vet renegati.
Ndërsa në pjesët:
“Shumimi i renegatit” dhe “Përfaqësuesi i renegatit”, autori thotë se tereni më
i përshtatshëm për ta janë tokat shqiptare të okupuara dhe se renegatet për
interesa meskine janë në gjendje që edhe shpirtin t’i shesin djallit vetëm e
vetëm për ti gëzua ca të mira, që në një afat më të gjatë kohor janë të
pështira dhe të turpshme. Dhe në pjesën e
fundit “Perspektiva e renegatit për ekzistencë”, autori thotë në mënyrë
të prerë se renegati e ka jetën e shkurtër dhe ajo jetë zakonisht zhvillohet
nga një hark kohor sa zgjatë nata. Me lajmërimin e parë të rrezeve të diellit,
ai zhduket. Autori, njerëzit-Renegat i quan se janë insekte të një kombi dhe
jetën e bëjnë prej insekti. Për këto insekte nuk ekzistojnë mëngjeset,
mesditat, mbrëmjet, për to nuk ekziston kohë tjetër veç muzgut, ku ata lindin
dhe vdesin”[28]
Një shkrim tjetër
“Kthimi i birit plëngprishës” (Ëndërr në tri pamje)[29],
autori shkruan për një ëndërr të vetën, që e shpjegon se këto mrekulli ndodhin
vetëm në ëndërr. Ëndrra ka të bëjë me figurën dhe personalitetin e një
politikani shqiptar i cili në kohën kur u shkrua ky tekst ishte anëtar i KQ të
LKJ-së. Në vazhdim shkruan autori anonim se kishte ëndërruar se anëtari i
Komitetit..., në vend që të shkonte dhe ta përfaqësonte PKJ në një Kongres të
partive Komuniste evropiane, udhëheqësi shqiptar paraqitet në Berlin për të
kërkuar azil politik. Duke dëshmuar hapur se shqiptarët në Jugosllavinë
“Komunist”, janë të robëruar dhe të okupuar. Dëshmon se ata nuk kanë kurrfarë
të drejtash dhe për çdo ditë torturohen e masakrohen nga ana e policisë.
Këtë ëndërr,
autori e shkruan në gazetën “Lajmëtari i Lirisë”, çka është e vërteta, kështu
kishte dëshirua dhe kishte pas qejf autori të kishte ndodhur, por realiteti
ishte pak më ndryshe në Kosovë. Pushtetarët jugosllav, edhe në Kosovë kishin
gjetur veglat e tyre, të cilët pa hezituar se a po vuante populli apo ishte i
robëruar ata shikonin interesat e vockla të tyre, duke mos qarë kokën për të
drejtat që kishin mundur ti kishin dhe ti gëzonin shqiptaret në tokat e tyre.
Në faqen 9 (nëntë)
të gazetës, është e botuar edhe një poezi e shkrimtarit të Rilindjes Kombëtare,
Andon Zako Çajupit, e botuar më 1905. Poezia “Malli i Shqipërisë”, i kushtohej
mërgatës shqiptare dhe grave të cilat
fillikat vetëm bëjnë punët e rënda si në shtëpi, por edhe në fushë dhe
askush nuk e qanë kokën për to. Herë-herë, poetit nga punët që bëjnë në fushë
dhe të leckosura me kokën për poshtë, nga larg as nuk dallohen se çka janë: “Me
ca petka vëra-vëra/ u çuditçë kur i pashë/ me kokë poshtë të tëra/- ç’janë këto
kafshë?- thashë”[30].
Kështu thotë poeti, por më vonë edhe e shpjegon pse ndodhë kështu, burrat
shqiptarë jo se nuk i duan gratë e tyre, por në një mënyrë janë të detyruar për
të siguruar kafshatën e bukës që të marrin botën në sy dhe të shkojnë në
kurbet.
Në rreshtat e
mëvonshëm, arsyeton poeti: “Burrat vetëm ju lanë/ dhe rripën ndë dhe të huaj/
ata më keq nga ju janë/ se ju rroni ndë vend tuaj”[31].
Në bazë të rreshtave që na prezantohen poeti e ndjen rëndë plagën e mërgimit,
andaj edhe vije në përfundim se vërtet gratë vuajnë e mundohen duke punuar, por
bile jetojnë në tokën e shtëpitë e veta, ndërsa burrat rropatën në kurbet duke pasur mall për çdo gjë që ka aromë
vendlindjeje.
Ndërhyrja e PKJ-së në punët e brendshme të
PKSH-së
Në shkrimin
“Ndërhyrja brutale e udhëheqjes së PK Jugosllave në punët e brendshme të PKSH”,
redaksia e gazetës ka huazuar një pjesë
shkrimi nga libri “Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë”. Në këtë pjesë
paraqitet lindja e konfliktit në mes PKJ dhe PKSH-së, dhe aspiratat gllabëruese
të Jugosllavisë ndaj tokave shqiptare.
Theks të veçantë në këtë tekst i jepet Plenumit II të Komitetit Qendror
të PKSH ose ndryshe i njohur si Plenumi i Beratit, i mbajtur me 23 nëntor 1943.
Në vija të përgjithshme jepen vizitat e shumta dhe ndërhyrjet në punët e
brendshme të PKSH-së, që i bëjnë delegacionet e shumta të PKJ-së. Vlen të
përmendet vizita e Svetozar Vukmanoviq- Tempo në verë të vitit 1943, që
llogaritej se ishte njëri ndër udhëheqësit kryesor të PKJ-së i cili në Shqipëri
kishte ardhur me mision të posaçëm për të krijuar “Shtabin Ballkanik”, Në këtë rast
në mënyrë të hapur kishte paditur në mënyrë të palejueshme dhe të padrejtë
Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë për qëndrim oportunist
ndaj “Ballit Kombëtar”. Kjo shpifje trashanike bëhej me qëllim të caktuar që të
krijohej mendimi se gjoja KQ e PKSH nuk ishte në gjendje të drejtonte në mënyrë
të pavarur, se ai nuk mund të mos gabonte rëndë pa marrë direktiva nga
“udhëheqja me përvojë” e Partisë Komuniste të Jugosllavisë[32].
Ardhja e Tempos në Shqipëri dhe ndërhyrja e tij në punët e brendshme të PKSH
nuk ishte e vetmja.
Për të arritur
qëllimet e veta KQ i PKJ-së, kishte dërguar me mision special Velimir
Stojniqin, në cilësi të shefit të misionit ushtarak jugosllav dhe të
ndërlidhësit midis PKJ dhe PKSH-së. Velimir Stojniqi, me akuzat dhe sulmet që i
bëri PKSH-së nuk ngeli mbrapa nga paraardhësi i tij. Përfaqësuesi jugosllav e
errësoi krejt veprimtarinë e këshillave nacional-çlirimtare, të ushtrisë
Nacional-Çlirimtare, të komisarëve
politikë dhe kërkoi që ushtria të pajisej me një “kokë të fortë
politike” e me një “komandë të fortë ushtarake”. Në mënyrë të posaçme ai u
përqendrua në marrëdhëniet
jugosllave-shqiptare mbi bazën e “vëllazërimit ballkanik”. “Shqipëria ,-
deklaroi Velimir Stojniqi,- nuk mund të ndërtoi ekonominë dhe të zhvillohet në
mënyrë të pavarur, ajo është një kafshatë e vogël për imperializmin”, prandaj
nuk ka tjetër rrugë veçse që të lidhet me Jugosllavinë në një konfederatë, bile
edhe më tutje[33].
Megjithatë, komploti që ishte përgatitur me aq kujdes në PKJ, konstaton autori
se nuk pati sukses për arsye se populli dhe uniteti i treguar tek shumica e
anëtarëve të KQ të PKSH-së, u tregua e pjekur dhe e vendosur në rrugën e
mëvetësisë.
[1] Po aty.
[2] Dy
fjalë për numrin e pare të “Lajmëtarit të Lirisë”, “Lajmëtari i
Lirisë’”, Viti I, nr. 1, gusht 1980.
[3] Po aty.
[4] Po aty.
[5] Perditio tua, Israel, ex te, Lajmëtari i
Lirisë, viti I. nr. 1. gusht 1980, f, 1.
[6] Po aty. Duhet përmendur ngjarjet e vitit 1918,
kur politika Jugosllave me dhunë popullonte zonat kufitare me popullatë serbe
vetëm e vetëm për të krijuar bindjen se ato toka janë serbe dhe në to jeton
populli serb. Për këtë dukuri kanë shkruar shumë autor si nga shqiptarët po
ashtu edhe shumë përshkrues të huaj që
kanë hetuar në teren.
[7] Po aty, f, 2.
[8] Shefqet
Qerim Jashari, përkthyes, (1944),
Strofc, 25.05.1980, neni 136/1 LPJ. ( 8 vjet burg )
[9] Ramadan
Islam Pllana, student, (1947), Shtitaricë, 25.05.1980, neni 136/ 1 LPJ. (7 vjet burg )
[10] Avdi Daut Kelmendi,
( 1951 ), Ribar, 25.05.1980, neni 133/ 1
LPJ. (5 vjet burg )
[11] Abdyl Elez Lahu,
referent, ( 1944 ), Gllamnik, 25.05.1980, neni 133/ 1 LPJ.
( 4 vjet burg )
[12] Isa
Musa Demaj, profesor, (1946), Shkrel, 25.05.1980, neni 133/ 1 LPJ. ( 4 vjet burg )
[13] Sylejman
R. Qyqalla, punëtor, (1954 ), Bellaqevc, 25.05.1980, neni 133/ 1 LPJ. (4 vjet burg )
[14] Skender
M. Jashari, punëtor, ( 1954 ), Prishtinë, 25.05.1980, neni 133/ 1 LPJ.
( 3 vjet burg )
[15] Hysen B. Gërvalla, bujk, (1941), Dubovik,
25.05.1980, neni 133/ 1 LPJ. ( 3 vjet burg )
[16] Ibrahim
I.Shala, nxënës, (1960), Mushtisht, 25.05.1980,
neni 136/ 1,114 LPJ. ( 5 vjet
burg )
[17] “Humbja jote , Izrael, përmbi ty”; pra vetë e
ke fajin për shkatërrimin tënd, Lajmëtari i Lirisë, Viti. I, nr. 1, gusht 1980,
f, 2.
[18] Viktima që glorifikon xhelatin e vet,
Lajmëtari i Lirisë’, viti I, nr. 1. gusht 1980, f, 2.
[19] Po aty.
[20] Konjugacionet e një pushteti “popullor”,
Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1, gusht
1980, f, 4
[21] Prof. Stefanaq Pollo, Shqipja e maleve-Bajram
Curri, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. gusht 1980, f, 5.
[22] Kadri Rexha, Fati i luleve , Rruga jetësore e
shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla, Prishtinë, 1993, f, 165.
[23] Rekuiem për një monark (Më rastin e vdekjes së
monstrumit revizionist J.B. Tito, këtij armiku të përbetuar të popullit
shqiptarë), Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1, gusht 1980.
[24] Renegati (Prolegomenë për historiatin,
zhvillimin dhe perspektivën e dështakut më të madh të fisit njerëzor). –
prejardhja dhe shtrirja e renegatit, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. gusht
1980, f, 8.
[25] Prejardhja dhe shtrirja e renegatit, Lajmëtari
i Lirisë, viti I, nr. 1. Gusht 1980, f, 8.
[26] Ekologjia e renegatit, Lajmëtari i Lirisë,
viti I, nr. 1. Gusht 1980, f, 8.
[27] A),Plani metafizioko-mistik, po aty.
[28] Perspektiva e renegatit për ekzistencë,
Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 1. Gusht 1980, f, 9.
[29] Kthimi i birit plëngprishës (Ëndërr në tri
pamje), Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. Gusht 1980, f, 9.
[30] Malli i Shqipërisë, Lajmëtari i Lirisë, viti
I, nr. 1, Gusht 1980, f, 10.
[31] Andon Zako Çajupi, Lindi ne Sheper te Zagorisë
me 1866. Ne Nivan beri një pjese te shkollës se mesme, te cilat i plotësoi ne
një lice francez ne Egjipt, ku jetonte i ati. Me 1887, Çajupi shkoi ne Zvicër.
Atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit te drejtësisë. Ne
Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një fare kohe si avokat. Nga fundi i
shek XIX mori pjese gjallërisht ne lëvizjen patriotike shqiptare. Me 1909 botoi
shkrimin e njohur "Klubi i Selanikut", një pamflet dërmues kundër
armiqve te brendshëm te lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flakte dhe
qëndrimi i prere ndaj pushtuesve te huaj e nxorën Çajupin ne krye te patrioteve
qe vepronin ne Egjipt. Me 1919 u zgjodh kryetari i shoqërisë
"Vëllazëria" me qendër ne Kajro. Qe frymëzuesi dhe njeri nga
hartuesit e memorandumit qe shqiptaret e Egjiptit i dërguan Konferencës se
Paqes me 1919 ne mbrojtje te tërësisë territoriale te Shqipërisë. Me 1920
themeloi "Shoqërinë e Miqve". Pothuaj ne te njëjtën kohe me
veprimtarinë atdhetare Çajupi u mor dhe me letërsinë. Me 1902 botoi librin
"Baba Tomori" nja nga veprat me te shquara te letërsisë se Rilindjes,
komedinë e njohur "Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër". . Disa nga krijimet
e tij me te shquara patriotike janë: "Mëmëdheu",
"Shqiptar", "Ç’jemi?..., Ku kemi lere?", "Vaj",
"Besa-besën", "Atdheu dhe Dashuria", etj te tjera vjersha
me teme shoqërore janë: "Fshati im", "Kurbeti",
"Fyelli i bariut", Misiri", "Varfëria dhe Liria" etj.
Ne historinë e letërsisë shqiptare, Çajupi është dalluar dhe si dramaturg.
Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash qe botoi
ne "Baba Tomori", me 1921 botoi "Përralla te zgjedhura te
vjershëtarit te madh La Fontenit". Me 1922 u botua "Lulet e
Hindit" përmbledhje me vjersha te poeteve indiane. Çajupi vdiq me 1930.
[32] Ndërhyrja brutale e udhëheqjes së PK
Jugosllave në punët e brendshme të PKSH, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1.
Gusht 1980, f, 12.
[33] Po aty, f, 13.