Speciale » Basha
Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (III)
E marte, 22.12.2009, 10:46 PM
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Prezantimi i tipareve të gruas shqiptare tek të huajt
Shtypi i ilegales
që botohej në Kosovë por edhe jashtë saj, i kushtonte rëndësi të madhe
prezantimit të denjë të gruas në përgjithësi e në veçanti asaj shqiptare.
Gazeta “Lajmëtari i Lirisë”, në çdo numër të saj gati-gati çdo herë i kushtonte
nga një faqe për luftën, angazhimin e gruas shqiptare në luftërat për liri e
pavarësi.
Veç autorëve
shqiptar që i kënduan gruas shqiptare, për të shkruan edhe shumë autor të huaj,
të cilët kishin arritur në përfundime të përbashkëta se populli shqiptar është një nga kombet më
të bukur nga pikëpamja fizike, madje ndonjë prej këtyre udhëtarëve shkencëtarë
i quante shqiptarët si “kombësinë ndoshta më të bukur të “Turqisë Perëndimore”[1].
Në punimin “Krah për krah me burrin në luftën për liri”, autori Ligor Mile,
shkruante se një shkencëtar i huaj kishte thënë për gruan shqiptare se gratë që
nxjerrin në dritë burra të pamposhtur dhe trupmëdhenj dallohen gjithashtu për
forcën e organizimit të tyre edhe për thjeshtësinë e zakoneve të tyre... Ato ndajnë me burrat punët,
udhëtimet dhe rreziqet e tyre”. Ndërsa një udhëtar francezë i mesit të viteve
30 të shekullit të 19-të, pasi u njohë me popullsinë e trevës së Tomorit, erdhi
në përfundim se “Midis luftëtarëve të Tomorit dhe midis grave të tyre gjendën më shumë se një model për një
Apollon dhe për një Venus”[2]
Duke u marr me
vlerat shpirtërore të popullit shqiptarë, autorë bashkëkohorë qenë të një
mendimi se “krenaria kombëtare shfaqet edhe në fjalët më të vogla të shqiptarëve
, në gjestet e tyre, në ecjen e tyre të lehtë. Guximin e kanë që nga lindja e
qysh në vogëli, ata janë qitës të
shkëlqyer. Një nga gjeografët më të njohur evropianë të viteve 70 të shekullit të 19-të i përshkruante shqiptarët si “të dalluar për finesën e shpirtit, për qartësinë e
mendimit dhe për forcën e karakterit”[3]
shkruan gjeografi i huaj.
Gjatë lëvizjes
kryengritëse, që shpërtheu në vitet 1844-1845 në verilindje të Shqipërisë, në
Kosovë dhe në Dibër, dokumentacioni arkivor na dëshmon se në malësitë e lira
“gra dhe fëmijë bënin pjesë në radhët e
luftëtarëve”, “se “gratë qenë të
ngjeshura me armë, të veshura
ushtarakisht” duhet dalluar sidomos gratë në Shqipërinë e Sipërme.
Duhet cekur se
gruaja shqiptare në asnjë periudhë kur ishte vendi në rrezik nuk qëndroi
duarkryq. Shembujt e pjesëmarrjes së gruas në luftërat për liri janë të shumta,
sidomos duhet përmendur luftërat që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej.
Ky patriotizëm i njohur i gruas shqiptare, këto cilësi të rralla morale të saj,
morën një përmbajtje të re dhe u shfaqën me forcë në ato gra e vajza të
popullit që veshën rrobat partizane dhe luftuan krah për krah me burrat gjatë
LANÇ[4].
Edhe pse kishte
përfunduar Lufta e Dytë Botërore, burrat
e gratë e Kosovës nuk u kënaqen me gjendjen ekzistuese. Ata gjetën forma e
mënyra që ti kundërvihen okupuesit të “ri”. Gratë shqiptare në Kosovë dhe viset
tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, krah për krah me burrat u ndodhën në krye të
detyrës duke organizuar fillimisht grupe e organizata ilegale e më vonë me
formimin e UÇK-së, dolën edhe në male duke u bërë pjesë e denjë e luftërave për
liri.
Prezantimi i poezive në faqet e gazetës
Në faqen 15, të
gazetës zënë vend edhe disa poezi të Ndoc Gjetës. Thënë të drejtën Për Ndoc
Gjetën nuk më ka rënë të lexoja, andaj
edhe nuk e dijë se a është ndonjë emër i vërtet apo ndonjë pseudonim i dikujt.
Autori prezantohet me tri poezi që kryesisht kanë karakter atdhetar siç janë :
“Më kishin ardhur njerëzit”, “Gjyshit” dhe poezia “Unë shtëpinë e kam te fjala
“shok””. Në poezinë “Gjyshit” autori na paraqet fatin e kombit shqiptar që
nëpër vite u përndjek, u zhduk, porse megjithatë nuk ia arritën qëllimit. Poeti
këndon se poçes ka nevojë, ai është në gjendje që :Gjakun tim te udha e jetës/
pika-pika e piftë dheu/gjithsaherë ti thahet buza, gjithsaherë ta marrë etja/ e
iu bëftë shëndet e gëzim/ u bëftë lule, gjeth e bar/ u bëftë rrita e
Shqipërisë,/ zë fëmije ndër pelena”[5],
përfundon autori duke e mbyll poezinë me vargje dëshirore.
Vazhdon rrugën e informimit të drejt,
numri 2 (dy) i gazetës “Lajmëtari i Lirisë”
Numri 2 (dy), i
gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, botohet pas dy muajve, po ashtu duke e ruajtur
fizionominë si në aspektin teknik, po ashtu edhe në atë përmbajtjesor. Botohet
në letër A-4, me një teknik duke u shtypur fillimisht në makinë shkrimi, e më
vonë duke u shumëzuar në shaptilograf. Materia e përfshirë në të është nga më
të ndryshmet si nga fusha politike, ekonomike, arsimore e lëmi të tjera që
ishin me interes për mërgatën shqiptare që jetonte e vepronte në mërgim.
Sikurse edhe numri
i parë, për moto kishte thënien e njëjtë
“Me penë dhe pushkë...”, veç kësaj, gazeta ka në ballinë edhe një pjesë shkrimi të marr
nga Arben Puto ku thuhej se “ Në
kundërshtim të hapët me parimin e
kombësisë dhe të vullnetit të popullsive
vendëse, nga trungu i Shqipërisë u shkëputën krahina të tëra si Rrafshi
i Dukagjinit , Kosova dhe tokat shqiptare në Maqedoni. Më tepër se gjysma e
popullsisë së vendit dënohej të ndërronte zgjedhën e vjetër turke me një zgjedhë
të re, atë të Serbisë dhe të Malit të Zi”[6].
Numri i kushtohet
festave të nëntorit, duke iu uruar të gjithë lexuesve “Gëzuar festat e
Nëntorit”. Në ballinë është edhe një vizatim që portretizohen tre luftëtar.
Gazeta si
zakonisht fillon me shkrimet të cilat trajtojnë jetën e rëndë e të robëruar të
shqiptarëve në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi.
Arrestimet e burgosjet e shqiptarëve
Në faqen e dytë të
gazetës, prezantohet një shkrim “Jo ngushëllime, po urim”, në të cilin nuk
figuron kurrfarë emri autorësh. Si shkas të shkrimit , autori i panjohur
shtjellon ngjarjet e fundit politike dhe arrestime që organizohen ndaj
shqiptarëve. Në fillim të shkrimit, jepen të dhëna se si është dënuar dhe është
gjobitur Millovan Gjillasi nga pushtetarët e atëhershëm. Ndërsa në pjesën e
dytë të shkrimit, autori na dëften se si është dënuar atdhetari Adem
Demaçi. Ai shkruan se “Është një
“plebej” shqiptar, i cili po dënohet qe tri herë me burg të rëndë. Një herë pesë,
pastaj dy herë nga pesëmbëdhjetë vjet!
Tamam aq sa të mos e shohë kurrë diellin me sy! Madje pa nxjerrë kurrfarë
gazete si “Çasovnik-un” që e kishte
nxjerr Millovan Gjillasi. Anomali, pyet autori i shkrimit, dhe përgjigjej me
–Jo[7].
Historia na kishte mësuar se okupuesi në çdo kohë dhe në çdo periudhë mllefin e
vet e shprehte sidomos ndaj atyre që iu kishte frikën. Andaj edhe vazhdon në
shkrimin se : Dënimet më të rënda një shtet i ka për njerëzit që paraqesin
rrezikun më të madh për atë shtet.[8]
Për të vazhduar se UDB-eja i ka llogarit e veta, shumë të qarta: dënimet sa më
të rënda për patriotët shqiptarë,
izolimin total të familjeve të këtyre patriotëve , presionin politik edhe mbi
rrethin e ngushtë e të gjerë të tyre... A ka fakte më të mira që të na mbushin
mendjen se, për Serbinë hegjemoniste, pika neuralgjike jemi pikërisht ne,
shqiptarët. Dhe a duhet të na dëshpëroi e të na trembë kjo gjë, apo të na bëjë
çdo ditë më të lumtur e më të fortë, se kështu po i afrohemi realizimit të
aspiratave tona shekullore[9].
Nga kjo del se njëherë e mirë të gjithë shqiptarët kudo që janë, e kanë të
qartë se liria e një populli nuk fitohet pa gjak dhe pa sakrifica.
Autori me
pseudonimin Lul Ndreu (Jusuf Gërvalla), na jep të dhëna që janë alarmuese, se
UDB-eja jugosllave kishte marr hapa tronditës ndaj shqiptarëve, duke arrestuar
dhe dënuar për hiq gjë shumë të rinj shqiptarë. Me 10 qershor të këtij viti
(1980, S.K-B), “Rilindja” mori leje të nxirrte emrat e një grupi prej 8 vetash
: Shefqet Jashari[10],
Ramadan Pllana[11],
Avdi Kelmendi[12],
Abdyl Lahu[13],
Isa Demaj[14],
Sylejman Qyqalla[15],
Skender Jashari[16]
dhe Hysen Gërvalla[17]-
që Gjykata e Qarkut në Prishtinë u dha dënime 3-8 vjet burg të rëndë për “vepër
penale të propagandës dhe bashkim me
qëllim të veprimtarisë armiqësore “. Një muaj më vonë po kjo gazetë solli edhe
lajmin nga Gjyqi i Qarkut në Shkup, i cili për të njëjtën “vepër” kishte dënuar
me 3-6 vjet burg të rëndë Gani Sylajn[18],
Muharrem Shalanin[19]
dhe Haxhi Maliqin[20].
As te grupi i parë e as te grupi i dytë (dhe as te afro 2000 të burgosurit e
tjerë politikë shqiptarë, që i burgosi
vjet UDB-eja), nuk janë kapur materiale armiqësore të dënueshme me ligjet ndërkombëtare, të cilat i ka
nënshkrua edhe vetë Jugosllavia në
Helsinki, para disa vjetësh. Të burgosurit në fjalë janë privuar lirie vetëm
për deklarata verbale ose shkresa unike
apo të shumëzuara me dorë e makinë shkrimi-dhe kjo gjë është në kundërshtim me
ligjet ndërkombëtare.[21]
Historikisht dihej
se Jugosllavia gjatë gjithë pushtetit dhe shtetit sa ekzistoi burgjet e saja
ishin të mbushura me shqiptarë. Andaj, jo rastësisht e dënuan Adem Demaqin,
simbolin e rezistencës shqiptare.
Në shkrimin e Lul
Ndreut, supozojmë se është Jusuf Gërvalla, jepen të dhëna të bollshme për
arrestimin dhe dënimin e Adem Demaçit. Në tekst thuhej se Gjyqi jugosllav e ka
dënuar tri herë me burg të rëndë, luftëtarin më të paepur kosovar për idealin
kombëtar dhe njerëzor në Kosovën e pasluftës (pas vitit 1945, shënim i S.K-B):
më 1958, me pesë vjet burg, nga të cilat i ka mbajtur 3; më 1964 me 15 vjet burg, nga të cilat i ka
mbajtur 10 vjet; dhe më 1975 po me 15 vjet burg të rëndë, nga të cilat i kanë
ngelur edhe 10 vjet... Të tri herët është dënuar për “vepër armiqësore
kundër popullit dhe shtetit”. Në gjykimin e fundit, në shtator 1975,
patrioti i ynë pat deklaruar haptas, pa hezitim dhe me domethënie të thellë:
“Megjithëqë... plotësisht i pafajshëm, unë gjithmonë kam qenë dhe kurdoherë kam
për të qenë- deri në vdekje- për idealin kombëtar e njerëzor; dënimi që po më
bëhet mua është dënim për bindje dhe mendime, e jo për vepër, dhe kjo gjë
është, me sa di unë kundër ligjit dhe në kundërshtim me të gjitha normat ligjore ndërkombëtare e
njerëzore[22],
autori mbyll të dhënat për Adem Demaçin.
Festimi i ditës së flamurit
Në numrin e dytë
të gazetës, redaksia nëpër mes faqeve të saj, të gjithë shqiptarëve i’u uron
festën e flamurit, duke e dhënë edhe një historikë të saj. Pas 62 –vjetësh,
përsëri populli shqiptarë këtë festë e festojnë në dy mënyra të ndryshme. Në
Shqipëri (në shtetin politik), festa shënohet në mënyrë transparente, dhe duke
evidencuar rezultatet e arritura të vendit, ndërsa, Kosova dhe vendet tjera
shqiptare nën ish-Jugosllavi, shënojmë lavdin e të parëve tanë, që tokën mëmë e
ulëm me gjakun e tyre të shtrenjtë po të
pakursyer, dhe mjerimin e sotëm kush nën robërinë e egër të pushtuesve sllavë e
grekë dhe kush në udhën e madhe të kurbetit në dhera të huaja[23],
thuhej në shkrimin “Gëzuar Nëntori”, në faqen 3 të saj.
Viti 1980, siç
dihej ishte viti i fundit kur bëheshin përgatitjet e mëdha për pranverën
shqiptare të ’81-shit. Në këtë shkrim edhe bëhet përshkrimi i situatës politike
që mbretëronte në këtë kohë. Kështu shkruan gazeta: Ne shqiptarët e Kosovës dhe
të viseve tona të tjera brenda Jugosllavisë, këtë nëntor po e shënojmë në një
skamje e mjerim të madh, ku jemi katandisur në saje të një politike
kolonialiste të pushtuesve jugosllavë, me lot ndër sy qajmë vuajtjet e motrave
dhe të vëllezërve tanë, që lëngojnë në burgjet e armikut gjakësor, por dhembja
jonë është dhembje krenare, sepse ata nuk e kursyen rinin e tyre, por u hodhën
në luftë të guximshme për realizimin e aspiratave tona shekullore për bashkimin e tokave
shqiptare dhe për shembjen e rendit
antipopullor e anti shqiptar në Jugosllavi[24]
përfundon autori, duke shpresuar se në të ardhmen dhe festat tjera kombëtare do
i festojmë s’bashku me shtetin amë-Shqipërinë.
Fytyrë e kthyer nga Shqipëria
Si në çdo gazet ilegale po ashtu edhe në “Lajmëtarin e
lirisë”, vend i dukshëm i kushtohet Shqipërisë dhe të arriturave të saja. Duhet
përmendur se në faqen e tretë të gazetës është shkrimi “Me sy e zemër nga nëna
Shqipëri”. Autori shkruan për Shqipërinë dhe për rrugën e mundimshme të saj.
Zhvillimet si në fushën e kulturës, arsimit, shëndetësisë e shumë lëmi të tjera
e bëjnë autorin e shkrimit që të fascinohej me të arriturat e shtetit amë.
Autori duke mos e ditur realitetin e shtetit lavdëron të mirat e komunizmit që
lulëzon në çdo cep të Shqipërisë. Në shkrim jepen tradhtitë e shumta që i bëhen
popullit shqiptar duke filluar që nga koha e Skënderbeut të madh, të tradhtive
të më vonshme që i bëjnë konferencat ndërkombëtare e deri te viti 1945, që i
bënë Jugosllavia, Rusia e Kina, por shton se megjithatë, populli shqiptarë ia
doli mban pa u përkulur e nënshtruar asnjë dashakeqi. Sido që të jetë,
Shqipëria është Shqipëri, nëna dhe babai i ynë, i të gjithë shqiptarëve kudo që
ndodhën.
Për një moment,
autori i shkrimit ndalet dhe prezanton të dhënat për shqiptarët që janë okupuar
nga Jugosllavia, ai thotë se:” Deri sa ne na kanë zhdukur pasivisht si
“ballistë” dhe deri sa kemi duruar urie; deri sa ne kemi shikuar me sedër të
vrarë kombëtare si zbret dhe si na ndalohet flamuri shqiptar me të cilin i
kishim çliruar tokat tona; deri sa nga vatrat tona të dashura na kanë dëbuar me tortura e shantazhe;
me një fjalë, gjithë kohën që ne kemi shijuar mjetet më të egra të gjenocidit
nga ana e social-shovinistëve titistë, i vetmi satisfakcion për ne ka qenë
forcimi dhe zhvillimi i mbarë Shqipërisë mëmë dhe denoncimi nga ana e saj i të zezave të zbrazura me rrebesh mbi kokën tonë. Dhe në
vend të ndjenjës së braktisjes nga Shqipëria mëmë, qenien tonë e mbushi ndjenja
e fuqishme se nuk jemi vetëm dhe ka kush
na del zot, ka kush davarit mjegullën, me të cilën titistët menduan ta
mbështillnin historinë tonë të vërtetë dhe planet e tyre shtetërore për
shfarosjen e shqiptarëve.[25]
Dhe vërtet, ishte për të gjithë shqiptarët një satisfakcion i mirë se ne kishim
shtetin amë e cila angazhohej dhe luftonte atje ku mundte dhe duke e pasur
parasysh ndikimin e saj në botë, çdo herë dhe në çdo kohë bëri atë që mundi
duke mos kursyer asgjë nga vetja.
Shkrime me karakter optimist
Në faqen 4 e 5 të
gazetës janë edhe ca shkrime që në vete ngërthejnë tone optimiste si shkrimi
“Kohët ndërrojnë fatlumnisht”. Autori shton në shkrim se vetëm i padituri dhe
kopuku[26],
thënë me një fjalë mendojnë se koha nuk ndryshon, ndërsa e vërteta është krejt
tjetër, ngase askush dhe nga asnjë njeri nuk mund të ndalet dielli kur të vijë
mëngjesi për të aguar, po aq më tepër është për të ardhur keq, se si disa miop
mendojnë se lirinë që e kanë uzurpuar nuk do të mund kurrë t’iu kthehej atyre
që e meritojnë atë. Autori më 1980 mendonte e shkruante se një ditë do të vijë
liria, dhe vërtet trimat e trimëreshat shqiptare e sollën atë, edhe me
sakrifica por ata kishin bërë benë dhe se ishin të vetëdijshëm se liria fitohet
me gjak e jo me llafe te kota.
Edhe shkrimi
“Njeriu në qendër gjithçkaje” i kushtohet avancimeve të shumta në Shqipëri duke
pasur protagonistin kryesor shkrimtarin dhe publicistin e madh francezë, prof.
Rober Eskarpin, i cili më 1980, kishte qëndrua disa ditë për vizitë në
Shqipëri. Shkrimtari Robert kishte ngelur i mahnitur me të arriturat e shteti
shqiptar dhe ajo që i kishte pëlqyer më së tepërmi ishin fjalët e një malësori,
i cili i kishte thënë se shteti shqiptar në qendër të çdo gjëje e ka njeriun.
Dhe shton profesori se :”Kur ky fshatar shqiptar thoshte se njeriu është në
qendër të gjithçkaje, ai e vinte atë fizikisht, me të gjithë pushtetin,
dëshirat, trupin e tij, botën e tij të brendshme, që t’i lejonte atij të hapte
aty një vend për kohën e jetës së tij, dhe jo për ti siguruar atij me disa
fjalime metaforike përjetësinë e kotë të
një shpirti të patjetërsueshëm...[27]
. Ky shkrim është i huazuar nga gazeta e përditshme shqiptare “Zëri i
Popullit”.
Në këtë faqe është
edhe një poezi nga një poet turk, Tahsin Saraç: “Shqiponjë me zemër të bardhë”.
Poezia është e shkruar me 2 qershor 1980, në qytetin e Shkodrës. Poeti turk i
frymëzuar nga ajo që kishte parë e
shijuar, frymëzohej dhe shkruan këtë poezi. Duke shpreh dashurin e madhe për
shtetin shqiptarë, në vargje shkruan: Dashurova/ njerëzit të thellë si ujërat e nëndheshme/ të ndjeshëm/ të
thjeshtë/ krenar/ zemërimi i tyre është si bubullimë e qiellit/ ndërsa dashuria
e tyre si turfullimë e një fluture/ ... Dashurova/ vështrimin tënd/ në zemërim
dy grykë të një pushke/ në buzëqeshje një tufë lule”[28],
shprehet autori.
Në faqen e pestë
shkruhet për librin e Enver Hoxhës “Eurokomunizmi është antikomunizëm”, që u
botua më 1980, në Tiranë. Po ashtu në faqen e 8-të ndodhej shkrimi i marr nga V.I. Lenini “Situata
Revolucionare”. Ndërsa “Kronika e lajmëtarit”, ndodhet në faqen e gjashtë të
gazetës ku në mënyrë të dendur jepen
ngjarjet që ndodhin në botë, por që prezantohen në mënyrë informative.
Shkrimi “Dokumenti
i gatishmërisë”, shkruan për situatën tejet tensionuese që mbretëron në këta
muaj në Kosovë. Aty thuhej se pas një ndeshjeje futbolli, gati-gati erdhi edhe
te shpërthimi i demonstratave të përgjithshme popullore. Populli shqiptarë
asnjëherë nuk do të harrojë vitin 1968 dhe demonstrata studentore, po vallë?
pyet autori i shkrimit se vendi dhe preteksti i tyre mund të jetë i pakuptimtë
në dukje të parë: reagim për një padrejtësi sportive në fushën e futbollit.
Por, duhet të jesh fare jashtë realitetit shoqëror kosovar, nëse çështjen e
kufizon në këtë mënyrë. Edhe fizikisht, demonstratat kaluan jashtë fushës së
sportit, u përhapën në rrugët e Prishtinë dhe zgjatën deri natën vonë. Vallë,
një padrejtësi e thjeshtë sportive mund t’i
shtynte qytetarët tanë që “tërbimin” e tyre ta derdhnin mbi çdo automjet, të
madh a të vogël, që nuk kishte targë të Krahinës sonë?! A s’i përkujtojnë
autobusët dhe veturat e përmbysura, demonstratat e 1968-ës?!.[29]
Me këtë rast kërkon autori i shkrimit që ilegalja shqiptare që e ka marr përsipër
që ti shtyjë proceset përpara dhe duhet të bëjë kujdes, dhe të ketë çdo gjë nën
kontroll se s’ka revolucion pa popullin dhe s’ka popull jo revolucionar. Gjithçka varet nga kushtet objektive , në të
cilat do të shpërthejë ose jo revolucioni[30].
Ndërsa sa i përket situatës në Kosovë ajo është e stër-ngarkuar me elektricizëm
të fuqishëm revolucionar. Duke përfunduar shkrimin autori anonim thotë se “Për
revolucionarin e vërtet është e qartë se shkarkimi i këtij elektrizimi do të
bëhej më me vend e më me efekt po të kishte udhëheqës të denjë revolucionar, që
do të viheshin në ballë të masave të revoltuara për t’u prirë atyre kah fronti
i shenjët i çlirimit të tokave stërgjyshore dhe i bashkimit me Atdheun tonë të
lirë, Shqipërinë Socialiste[31]”
përmbyllet teksti.
Petraq Risto, në
këtë numër prezantohet me një cikël poezish “Vargje për Revolucionin” të
përbërë nga tri poezi: Vargje për revolucionin, Superfuqitë; dhe Kronik polake.
Në formë vargjesh poeti polak paraqet realitetin në vendin e tij duke thënë se
: Varshava/ Gdansku/ Balltiku/ marrin ngjyrën e gjakut/ Punëtorët e revoltuar/
shtrëngojnë radhët/ Jerosheviqi çmendet, bërtet:/ Sus, heshtni, sus/ Po çmimet
ngrihen me shpejtësi/dhe punëtori ndjen dhembje/ ngre zërin pa frikë/ Tërbohet
Sejmi polak...[32]”
duke shtuar se gjithçka në botë mund eksportosh por për revolucionin është një
pikëpyetje e madhe.
[1] Krah për krah me burrin në luftën për liri,
Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. Gusht 1980. f, 14.
[2] Po aty
[3] Po aty.
[4] Po aty. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Gratë
shqiptare për çështjen kombëtare, Rilindja (fejton)…
[5] Ndoc Gjetja, Gjyshit, Lajmëtari i Lirisë, viti
I, nr. 1. Gusht 1980, f, 15.
[6] Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 2,
Tetor-nëntor 1980, (ballinë)
[7] Jo ngushëllime, po urim, Lajmëtari i lirisë,
viti I, nr. 2. Tetor-nëntor 1980, f, 2.
[8] Po aty.
[9] Lajmëtari i Lirisë, Viti I. nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 2.
[10] Shefqet Qerim
Jashari, përkthyes, (1944), Strofc,
25.05.1980, neni 136/1 LPJ. ( 8 vjet burg )
[11] Ramadan Islam
Pllana, student, (1947), Shtitaricë, 25.05.1980, neni 136/ 1 LPJ. (7 vjet burg )
[12] Avdi Daut Kelmendi,
( 1951 ), Ribar, 25.05.1980, neni 133/ 1
LPJ. (5 vjet burg
)
[13] Abdyl Elez Lahu,
referent, ( 1944 ), Gllamnik, 25.05.1980, neni 133/ 1 LPJ.
( 4 vjet burg )
[14] Isa Musa Demaj,
profesor, (1946), Shkrel, 25.05.1980, neni 133/ 1 LPJ. ( 4 vjet burg )
[15] Sylejman R. Qyqalla, punëtor, (1954 ), Bellaqevc,
25.05.1980, neni 133/ 1 LPJ. (4 vjet burg )
[16] Skender M. Jashari, punëtor, ( 1954
), Prishtinë, 25.05.1980, neni 133/ 1
LPJ. ( 3 vjet burg )
[17] Hysen
B. Gërvalla, bujk, (1941), Dubovik, 25.05.1980, neni 133/ 1 LPJ. ( 3 vjet burg )
[18] Gani Sylaj, profesor, (1952),
Kizhnarekë, 21.12. 1979, dënohet në Shkup me 6 vjet burg të rëndë. Më 1981,
pasi se ishte zbuluar organizata OMLK-së, në të cilën kishte qenë i angazhuar,
ai përsëri nxirret para gjyqit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe i
shqiptojnë dënimin prej 15 vitesh burg të rëndë.
[19] Muharrem Shaljani, nga Likova e Kumanovës, po
ashtu me 21 dhjetor Gjykata e Qarkut në Shkup e dënon me 5 vite burg të rëndë.
[20] Haxhi Maliqi, po ashtu nga fshati Likovë e
Kumanovës, po ashtu kjo gjykatë e dënon me 3 vite burg të rëndë.
[21] Punim i cituar, Jo ngushëllim,…, Lajmëtari i
Lirisë, viti I, nr, 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 2 .
[22] Po aty.
[23] Gëzuar Nëntori, Lajmëtari i Lirisë, Viti I,
nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 3.
[24] Gëzuar Nëntori, Lajmëtari i Lirisë, Viti I,
nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 3.
[25] Me sy e zemër nga nëna Shqipëri, Lajmëtari i
Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 3.
[26] Kohët ndërrojnë fatlumnisht, Lajmëtari i
Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 4.
[27] Njeriu në qendër gjithçkaje, Lajmëtari i
Lirisë, Viti, I. nr. 2, Tetor-Nëntor 1980, f, 4.
[28] Tahsin Saraç, Shqiponjë me zemër të bardhë,
Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2, Tetor- Nëntor 1980, f, 4.
[29] Dokumenti i gatishmërisë, Lajmëtari i Lirisë,
Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 6.
[30] Po aty.
[31] Po aty.
[32] Petraq Risto, Vargje për Revolucionin, Lajmëtari
i Lirisë, Viti, I. nr. 2, Tetor-Nëntor 1980, f, 6.