Speciale » Basha
Sabile Keçmezi-Basha: Revista ‘’Drita e Lirisë’’ dhe kontributi i saj në ilegalen shqiptare
E merkure, 05.05.2010, 10:02 PM
REVISTA “DRITA E LIRISË” DHE KONTRIBUTI I SAJ NË ILEGALEN SHQIPTARE
“DRITA E LIRISË”, revista e parë ilegale shqiptare në Kosovë
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
sabile_basha@hotmail.com
Pas Luftës së Dytë Botërore Kosovës do t’i mohohej hapur e drejta për vetëvendosje. Do t’i mohohej e drejta për t’u vetë përcaktuar për të ardhmen e vet. Në vend të krijimit të kushteve për vetëvendosje, në Kosovë më 8 shkurt 1945 pushteti jugosllav do të vendosë administrimin ushtarak. Një administrim i këtillë ushtarak në Kosovë kishte detyrë të veçantë paralizimin dhe shuarjen e çdo shprehjeje të pakënaqësisë së popullit kundër zgjidhjes së padrejtë të statusit të Kosovës. Mirëpo, kjo dëshirë e natyrshme dhe e drejtë legjitime dhe e patjetërsueshme e popullit shqiptar në Kosovë shkelej e mohohej hapur jo në heshtje por shoqërohej me forma gjenocidale kundër tij. Në këtë periudhë në Kosovë filluan të paraqiten në skenën politike në mënyrë më të organizuar edhe forcat nacionaliste shqiptare, të cilat kishin hetuar shumë më herët se komunistët serbosllavë po luanin lojën me hile për fatin e shqiptarëve në Kosovë dhe të viseve të tjera shqiptare që mbetën nën ish-Jugosllavi. Dhe, mu për arsye të mbetjes së Kosovës me dhunë në kuadër të Serbisë shprehja e pakënaqësisë si formë institucionale e demokratike ishte rreptësisht e ndaluar. Ata që patën guximin të shprehin revoltën lidhur me statusin e tillë të Kosovës u ndëshkuan rëndë. Atyre do t’u mbetej vetëm edhe një mundësi: organizimi ilegal i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare. Në bazë të këtij organizimi, gjatë vitit 1945 u formuan dhe vepruan shumë organizata shqiptare ilegale-patriotike, siç ishin Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, që njëherësh ishte vazhdimësi e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si dhe organizata politike-ushtarake “Besa Kombëtare”, që udhëhiqej nga profesori i nderuar Ymer Berisha. Nga ana tjetër, grupi i të rinjve pejanë që vepronte në kuadër të kësaj organizate, përveç aktivitetit që zhvillonte në kuadër të organizatës, si grumbullimi i informatave për veprimtarinë e armikut, evidencimi i bashkëpunëtorëve shqiptarë e të tjerë që punonin për OZN-në, sipas mundësive mblidhte ndihma për trimat që luftonin maleve”. Megjithatë, e tërë kjo punë që po bënin do t’u dukej fare e paktë këtyre atdhetarëve të rinj. Ata shin të interesuar që të bënin më shumë dhe kërkonin forma e mënyra më të përshtatshme për të depërtuar deri te masat e gjera shqiptare. Me ndihmën e të riut - atdhetarit Viktor Gashi, i cili kishte marrë udhëzimet e duhura nga miku i tij Frano Çifllaku ( Frano Çifllaku ishte nxënës në gjimnazin e Prishtinës dhe mbante lidhje me profesor Ymer Berishën dhe prof. Gjon Serreqin), doli propozimi i nxjerrjes së një reviste e cila me shkrimet e veta do të përkrahë dhe do të njoftojë opinionin e gjerë për lëvizjen ilegale e cila lufton kundër okupuesit dhe të gjitha synimet grabitqare jugosllave dhe do të propagandojë idenë e bashkimit dhe të organizimit të të gjitha forcave shqiptare për liri e pavarësi.
Organizata e të rinjve të Pejës dhe revista “Drita e lirisë”
Të rinjtë që aderonin në grupin e të rinjve të Pejës, të inspiruar nga shpirti demokratik i moshës rinore dhe që ishin shumë larg nga realiteti komunist, kishin krijuar urrejtje ndaj armikut, pasi që ishin të zhgënjyer me premtimet e dhëna gjatë luftës. Ata ishin të dëshpëruar me pushtetin e instaluar okupues në Kosovë. I tërë ky angazhim, e tërë kjo veprimtari, grupit të të rinjve që vepronin ilegalisht në gjimnazin e Pejës u dukej pak. Ata ishin të pakënaqur prandaj kërkonin rrugë e mundësi të reja për të bërë më shumë për popullin e tyre. Kështu do të lindë nevoja që organizata të ketë edhe shtypin e vet, me anë tët të cilit do të shprehnin idetë, qëllimet dhe orientimet e tyre e të vetë organizatës ilegale, duke synuar realizimin sa më të shpejtë të aspiratave kombëtare. U vendos që për një informim sa më të drejtë të popullit, të fillojnë nxjerrjen e një reviste e cila në fillim do të dilte dy herë në muaj e më vonë ndoshta edhe më shpesh. Organi i këtij grupi do të quhej “DRITA E LIRISË”. Anëtarët e grupit u pajtuan njëzëri për këtë emërtim dhe redaktor të revistës caktuan gjimnazistin Skender Rizaj, ndërsa anëtarë të redaksisë Viktor Gashin, Ramiz Kelmendin, Shefqet Kelmendin, Engjëll Berishën, Osman Bashën dhe Kamber Pajazitin. Pas marrjes së këtij vendimi anëtarët e redaksisë fillimisht mblidhnin punimet, bashkërisht i përpunonin ato, ndërsa redaktori që ishte caktuar nga shokët i merrte ato, i lexonte, i analizonte, i radhiste dhe pasi e kryente punën redaktoriale materialet e kompletuara për numrin e revistës i jepeshin Viktor Gashit.
Në librin “Një brez i veçantë” atdhetari Gashi shkruan: “Materialet ia dorzoja Frano Çivlakut. Ai e ngarkonte Jak Krasniqin për me e shtypë. Ai ato i shtypte me makinën e shkrimit të at Bernard Llupit. I shkruente në kishë, ndërsa frati nuk e dinte se ç’punë bëhej. Prej andej, gjithmonë duke rrezikue, Jak Krasniqi i shumëzonte në shaptilografin e komunës, jashtë orarit të punës, se aty punonte si nënpunës i rëndomtë”. Çfarë guximi, çfarë trimërie, çfarë sakrifice bënte vrulli rinor në vitet kur çdo gjë ishte nën saçin e skuqur. Dhe pasi i kryenin të gjitha punët, revistën e përgatitur e merrte Frano Çifllaku, i cili ishte lidhje e ilegales me prof. Ymer Berishën dhe Gjon Serreqin. Ai një numër të caktuar të saj ia dorëzonte grupit që e përgatiste revistën – domethënë grupit ilegal të Pejës, ndërsa shpërndarja bëhej nëpërmjet Osman Bashës, ndërsa pjesën tjetër të revistës e shpërndante Frani me shokët e tjerë të ilegales. Vlen të theksohet se u mor qëndrimi që të gjitha shkrimet në revistë të botohen me pseudonime dhe kjo mënyrë e kamuflimit të veprimit u tregua si shumë e përshtatshme edhe për mbrojtjen e veprimtarëve në rast zbulimi nga ana e agjentëve të UDB-së, ngase nuk do ta kishin të lehtë t’i zbulonin autorët.
Në shkrimet e tija në revistë Viktor Gashi prezantohej me pseudonimin “Shpresa”. Ai për revistën siguronte informacione e lajme nga vendi, por shpeshherë paraqitej edhe me shkrime e artikuj të ndryshëm, por nuk mbetej anash pa u prezantua edhe me ndonjë kritikë e vjershë patriotike. Ramiz Kelmendi që mbante pseudonimin “Hijet e lirisë” për revistën shkruante artikuj të ndryshëm, dhe, siç thotë edhe vetë, kishte shkruar madje edhe një vjershë, e gjetur pas shumë vitesh (pasi që ishin gjetur revistat nga arkivisti i Arkivit të Kosovës Hysen Azemi) ishte një befasi e këndshme edhe për vetë autorin. Shefqet Kelmendi me pseudonimin “Leku” botonte vjersha të shkëlqyeshme dhe shokët jo ashtu kot e quanin Naim Frashëri i kohës. Skender Rizaj me pseudonimin “Fishkëllima” në revistë trajtonte tema të ndryshme dhe përgatiste faqen e fundit me lajme të shkurtra nga vendi dhe bota. Pseudonimin “Agimi” e mbante Engjëll Berisha, i cili përgatiste vizatimet, skicat dhe karikaturat për të cilat temat i merrte nga jeta e përditshme dhe me një mjeshtëri të rrallë prezantonte padrejtësitë dhe torturat e shumta që i pësonin shqiptaret nga pushteti i ri komunist. Në revistë botoheshin kryesisht artikuj që trajtonin problemet aktuale, masakrimet, vrasjet, rrahjet, keqtrajtimet, aksionin e mbledhjes së armëve, grumbullimin e drithit, marrjen e kafshëve nga fshataret etj. dhe për t’i botuar të gjitha këto redaksia jepte vlerësimin e vet në mbledhjet ku merrnin pjesë të gjithë anëtarët e grupit.
Duke i lexuar materialet e organizatës ilegale, dëshmitë e anëtarëve të grupit dhe tre numrat e revistës “Drita e lirisë”, mund të themi se gazeta kontribuoi shumë në aktualizimin e çështjes kombëtare, duke sqaruar shumë çështje të rëndësishme mbi okupimin dhe padrejtësitë e shumta që i bëheshin Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shqiptarë të cilët kishin mbetur nën ish-Jugosllavi. Që nga fillimi e gjer në mbarim të daljes së kësaj gazete materialet e botuara në të shërbenin si direktiva dhe orientime të vetë grupit ilegal, por edhe si mbështetje për ngritjen politike dhe ideologjike të anëtarëve të saj. Ajo në vete ngërthente dhe trajtonte çështje politike dhe universin e kësaj reviste e përbënin atdheu, liria, koha, njeriu dhe mendësia. Botoheshin edhe kronika e lajme të ndryshme nga vendi e bota, vjersha me përmbajtje atdhetare, e edhe kritika që mëtonin të ishin shkencore, por duke e pasur parasysh moshën e autorëve mund të themi se ishin të përgatitura mirë. Mund të thuhet po ashtu se grupi i të rinjve ilegal të Pejës në rrethanat dhe kushtet e atëhershme të veprimit bënte një punë të cilës do t’ia kishin lakmi shumë veprimtarë ilegalë që kishin më shumë përvojë të jetës ilegale. Në bazë të analizave të shkrimeve në revistë shihet se në punën dhe veprimtarinë e anëtarëve të redaksisë mbretëronte një disiplinë e rreptë. Osman Basha tregon se, “Sipas këshillave të Viktor Gashit kishim për detyrë të mblidhnim sa më shumë informata për shtrirjen e forcave të pushtuesit të ri, të mblidhnim ndihma materiale e sanitare për trimat që luftonin në male. Mundësisht edhe të holla e ndonjë armë”. Dhe, sipas të gjitha gjasave, këta të rinj informatat që i mblidhnin për grupin i botonin në revistën e tyre.
Në kohën kur u botua revista luajti rolin e një megafoni në errësirën e heshtjes, në mënyrën më të drejtë zbulonte të gjitha padrejtësitë që i ishin bërë dhe i bëheshin popullit shqiptar në trojet e veta. Sa më shumë që organizohej lëvizja ilegale, aq më e nevojshme ishte të forcohej informimi dhe propaganda. Roli i shtypit dhe i informimit antijugosllav, në rend të pare, ishte demaskimi i ideologjisë dhe i propagandës komuniste që po zhvillohej nëpërmjet gazetave e revistave të shumta që botoheshin në serbisht e në shqip anekënd vendit.
Fillimisht thuhej se takimet e grupit këta të rinj i mbanin në shtëpinë e Skender Rizës dhe pas disa takimeve të shpeshta, në mbledhjen e nëntorit të vitit 1945, sipas rrëfimeve të një dëshmitari është thënë: “Ramiz Kelmendi apo Shefqet Kelmendi, nuk më kujtohet se cili propozoi shtypjen e nji reviste, ku do të shkruanim për krimet e shumta që filluan të bëhen kundër popullit shqiptar, për vrasjet e panumërta të shqiptarëve për çdo natë në Tabe të Pejës dhe padrejtësitë e mëdha ndaj nesh. Të gjithë të pranishmit në atë mbledhje konsultative u pajtuan që revista të pagëzohet “Drita e lirisë”, organ i një fryme djelmoshash shqiptarë. Siç mund të shihet nga koleksioni i ruajtur i revistës, për kushtet e asaj kohe në pikëpamje teknike gazeta ishte e shtypur mirë, shtypej në letër të formatit A – 4, e kjo do të thotë se anëtarët e grupit angazhoheshin shumë që ana teknike të ishte e kapshme për lexuesin. Derisa i shfletoj revistat e një moshe 58-vjeçare, jam e emocionuar dhe këndshëm e befasuar , se si ajo letër e zverdhur u përballoi viteve, errësirës e presionit politik të ish-Jugosllavisë.
Numri i parë i revistës - festë për grupin
Numri i parë i revistës doli në janar të vitit 1946. Në ballinë ishte i vizatuar (me dorë) flamuri kombëtar, me ngjyrat kuq e zi dhe shqiponjën në mes, kuptohet pa yll, pa simbole ideologjike, ngase për rininë predikimet e bukura për komunizmin ishin vetëm fjalë boshe. Pas aneksimit të Kosovës popullata shqiptare ishte thellësisht e zhgënjyer dhe më në fund u bind se ishte e mashtruar, sepse nga premtimet e dhëna nuk u realizua asgjë. Të tre numrat e kësaj reviste janë të shtypur me makinë dore dhe të shumëzuar në shaptilograf. Vetë titulli i revistës është i shkruar me dorë, sikur edhe vizatimi të cilin e ka përgatitur autori me pseudonimin “Agimi”, që shumë vonë zbulohet se pas tij fshihej emri i vërtetë i piktorit tonë të njohur Engjëll Berisha.
Ndonëse kanë kaluar shumë vite, duhet thënë se një pjesë e mirë e këtyre të rinjve fëmijërinë e vet e kaluan në periudhën e vështirë të luftës, periudhë që i ngjante një nate të gjatë e tmerrësisht të errët, por që s’mundi të pengojë traditën e këtij vendi, sidomos të këtij qyteti, që të nxirrte përsëri figura të ndritura kombëtare. Pas parullës së “çlirimit të vendit” iluzionet për popullatën shqiptare u kthyen në zhgënjim e më vonë në mllef. Dhuna lindi revoltën morale, sepse s’vonoi të hiqte maskën dhe të gjakoste kombin. Vitet e para të pasluftës kur ditët e netët ishin të mbarsura me pasiguri e frikë, papritmas në skenë u paraqit revista e cila me një mjeshtri djaloshare filloi të plazmonte mendjet dhe shpirtin e popullit. E tani mund të thuhet se nuk ishte fort e lehtë që në një revistë çfarë ishte kjo të shtjelloje të gjitha ato shkrime dhe ato krijime të shkruara me aq pasion të madh në moshën më të njomë të rinisë. Këto shkrime nuk janë vetëm mbresa e ndjenja djaloshare. Ato mund të themi se janë edhe mendime të pjekura të mbrujtura me hallet dhe problemet e pazgjidhura të atdheut e që i shqetësonin vazhdimisht. Në këtë revistë ndodh nganjëherë të jetë shkruar për çështje krejt të thjeshta, por përsëri ndjehet preokupimi për problemet që e shqetësonin popullin liridashës. Ndër të tjera kishte edhe shkrime që në mënyrë të theksuar shtronin luftën për bashkim kombëtar. Në shumë shkrime të botuara theksohej se çlirimi kombëtar mund të arrihet vetëm me bashkimin e të gjitha forcave liridashëse shqiptare dhe potencoheshin kërkesat për organizimin e një rezistence të fuqishme për shkëputjen e plotë nga thundra serbe dhe komuniste.
Numri i parë i revistës ilegale “Drita e lirisë” u botua në Pejë, ose siç qëndron në origjinal - DRITA E LIRISË - VITI I , PEJË – KALLNUER - 1946 - Nr. 1. Ky numër ka vetëm 6 (gjashtë) faqe që në numrat e mëvonshëm shtohen. Revistës i paraprin “Parathënja” me të cilën njoftohet opinioni i gjerë shqiptar pse është marrë iniciativa që të dilet me një revistë të këtillë. Aty, ndër të tjera, thuhej; “Që të rritej populli shqiptar me ndjenja kombtare: që të formohet dhe në popullin tonë nji ndergjegje, nji dashuri e tepert ndaj atdheut dhe Nanës së vet Shqipnisë dhe me nji të pameshirshme ndaj zaptusve, tradhtarve -mashtruesve të partisë komuniste, ose ma mirë me thonë (partisë terroriste), filluam të shkruejm këtë revistë të vogël”. Në vazhdim shkruhej se këtë revistë e nxjerr një grup i vogël atdhetarësh të cilët duan që masës së gjerë t’ia bëjnë me dije që të mos mashtrohet dhe të mos bjerë pre e gënjeshtrave të emisarëve të Partisë Komuniste dhe njoftohet se revista që ka filluar të dalë ilegalisht do të dalë dy herë në muaj. Por, siç dihej, okupuesit pendën e kishin frikë, e sidomos shkrimet e atdhetarëve të dalluar. Ata, gjahtarët e OZN-së, pendën e urrenin më shumë se shpatën ngaqë këtë të dytën e përdornin vetë, ndërsa të parën e përdornin intelektualët e paktë që ishin. Shkrimet në revistë i trembën fort dhe pas daljes së numrit të parë filluan me të madhe gjurmimet. Nuk ishte e rastit që pas numrit të tretë ata u vërsulën me tërë egërsinë mbi popullatën vetëm e vetëm që të zbulonin grupin që nxirrte këtë revistë. Ata u zbuluan dhe u arrestuan në mars të vitit 1946.
Në vazhdim autori me pseudonimin “Shpresa” (Viktor Gashi) prezantohet me shkrimin “Nacionalizma shqiptare” ku thotë se “e gjithë bota punon për lirin e popullit të vet dhe për mbrojtjen e kufijve të vet”, për të pyetur më vonë se “Pse ne kosovarët të mos punojm për lirinë tonë dhe për kufijt tonë”. Dhe, nën shprehjen kufijtë tanë autori nënkupton dhe tregon se e drejta dhe kufijtë tanë janë “me u bashkue me nanen t’onë Shqipnin”. Në vazhdim të shkrimit ai shpjegon se ç’është nacionalizmi shqiptare dhe cilat janë qëllimet e përgjithshme të saj:
1. Të ketë nji Shqipni të lirë dhe indipendente, 2. Të ruaj kufijt e saj etnik të mbledhun rreth nji ideali, 3. Të jenë gadi djemt e të gjithë popullit shqiptar për sakrificat tona të përbashkëta, 4. Për të mbërri këtë qëllimi duhet qe të gjithë shpresën ta kemi në vehten tonë, të kemi vullnet dhe asgja tjetër, 5. Nacionalizma shqiptare dëshiron që me kombet e saja fqinje te shkoj në nji marrveshje miqësore, të rrojë në nji harmoni , kjo miqësi duhet të jetë e thellume mbi respektin e të drejtave të të dy palve, 6. Nacionalizma shqiptare nuk ka qellim me ba kerkujt, por edhe s’ka deshirë që t’i baj keq asaj, pse po i bani keq nacionalizmes shqiptare, i ka ba keq kombit të vet, atdheut të vet, Shqipnisë dhe ma ne fund të gjithë popullit shqiptar. Për të shpjeguar më vonë se “Nacionalizma shqiptare nuk banë asnji luftë ideologjike. Parimet e saja janë patriotike dhe mundohet të forcojë patriotizmen”.
Ky shkrim del si një zë i ndërgjegjes, i cili arrinte të identifikohej me kolektivitetin e vet kombëtar, me fatin dhe tragjiken e tij historike. Edhe lirinë artikullshkruesi e përafron me gjërat më të çmuara njerëzore, që vjen si një gjakim i përhershëm dhe që kërkon me ngulm që ky gjakim edhe të realizohej njëherë e përgjithmonë. Ndërkaq, në punimin “Pse e dua Kosovën” numërohen shumë arsye pse duhet vendi i vet. Shkrimi nuk ka autor, mirëpo njeriu habitet dhe befasohet për të mirë kur i sheh të numëruar faktet dhe argumentet historike, demografike, etnografike dhe në fund statistikat e shumta e cekura, siç ishin ato të vitit 1941, sipas të cilave në Kosovë rrojnë më shumë se 800.000 mijë shqiptarë dhe se në bazë të të dhënave të vetë serbëve autori i shkrimit thotë:
“Ata vetë na provojnë se 75 deri 97% e sajë banohet prej nji popullsisë krejt shqiptare”. Për të vazhduar se “E duam Kosovën se dhe historikisht ajo ne na perket kur Romaket dhe sllavet s’kishin shkelë akoma në Ballkan, ajo bante pjesë në mbretnit e stërgjyshve t’onë ilirijan… E duam pse atje u hodhën themelet e rilindjes shqiptare, qe lidhja e Prizrenit me 1878, ajo që përhapi si vetimë në të gjitha anët e atdheut shkëndijen e patriotizmit”, duke e përmbyllur shkrimin se “Në ditët e sotme vendimtare , nji qellim, nji deshirë, nji vullnet: Ja liri me Kosovën - Ja skllaveni per të gjithë”. Në faqen e tretë të revistës është një vizatim që paraqet varjen e tre shqiptarëve në litar, një tjetër shqiptar paraqitet i prangosur dhe shqiptari tjetër duke e rrahur një partizan i “UNÇ” - së. Pra një vizatim që flet shumë për fatin e popullatës së pafajshme shqiptare, që trajton një kohë të rebeluar, ku shqetësimi i autorit reflektohet nëpër çdo vijë e vijëzim, nëpër çdo fjalë e fjali. Ky vizatim sikur del jashtë kornizës së vet dhe në një moment tjetër bëhet ligj, imanentë e të ekzistuarit. Vizatimi kthehet në fakt, në dokument, në rezolutë, akt ky i vendimeve që i aplikon okupuesi mbi popullatën e pafajshme. Autori me këtë vizatim në kontekstin aktual të kohës përgatit një mobilizim të ri shpirtëror të masës. Me autor “Agimi” (Engjëll Berisha) nën të janë të shkruara fjalët “Kjo asht e drejta, liria dhe puna e parë me popullin shqiptar të Kosovës. Shiqoni pra lirin që na e pruni ushtria “Nacional Çlirimtare (Shkatrrimtare) , shiqoni pra” Punimi “Djelmosha shqiptar” i drejtohet djelmënisë shqiptare, duke u prononcuar se çka është dashuria ndaj atdheut, ndaj kombit dhe ndaj flamurit, dhe shtrohet pyetja, vërtet sa vjeçar ishin këta djem që ishin vetëm gjimnazistë të pambaruar. Dhe, duke e lexuar këtë shkrim lindin shumë dilema, të cilat zgjidhen gjatë procesit gjyqësor. Dilemat paraqiten edhe te trupi gjykues meqë edhe ai nuk beson se këta të rinj ishin autorë të këtyre shkrimeve. Duke u nisur nga kjo prej këtyre të rinjve kërkohet dhe bëhet presion që të pranojnë se shkrimet i kishin shkruar profesorët e tyre. Mirëpo para trupit gjykues autori i shumë shkrimeve me pseudonimin “Hija e liris’”- Ramiz Kelmendi, me një zë të pathyeshëm i drejtohet trupit gjykues: “Më jepni laps e letër t’iu shkruaj në çast nji tregim”. Ndërkaq Shefqet Kelmendi (“Leku”), që të bindte trupin gjykues se vetë i kishte shkruar poezitë për Haki Tahën, filloi t’i recitojë ato. Dhe me këtë këmbëngulësi i shpëtuan profesorët e tyre nga pushkatimi i sigurt.
Punimi tjetër “Djelmosha shqiptarë” iu drejtohej të rinjve shqiptarë dhe në të bëhej fjalë për atdheun dhe në këtë kontekst atdheu ka kuptimin biblik, me një fjalë “Atdheu është dheu i birit e i atit e i shpirtit të shenjtë”, për të vazhduar se ai del si shenja më sublime në emblemën tonë ekzistenciale. Autori thotë: ”Atdheu ashtë çdo vend ku jeton nji popull me gjakun, gjuhen dhe zakonet e tij”. Kombi për autorin është “… gjithë njerzit e nji gjakut e nji gjuhet që përfshinë atdheun, jo vetëm ata që ka në gjijtë e tijë por edhe ata që rrojnë të shpërndamë jashta tijë e që kanë nji gjuhë, nji gjak e nji palë zakone si të parët, me fjalë të tjera“, për të theksuar më tej se çfarë është flamuri kombëtar për shqiptarin dhe dashuria e madhe ndaj tij e cila shkon deri në vetëflijim. “Shihne atje naltë atë Flamur të bukur të kuq e të zi që po valon e ngrehet krenar përpjet! A e dini qasht ay e q’perfytyron? Asht Flamuri jonë vllezen, flamuri i shejt i Skenderbeut tonë, që rrethë tijë janë turrë kushedi sa trimave dhe janë kendue sa e sa kangë, hymne e lavdrime. Ay flamurë që aq mburrun e madhështor po valon, përfaqëson madhninë e kombit tonë ashtë simbol i naltë e shenja e kombesisë s’onë, asht ideali i Perendijt i atdhesisë sonë dhe ngjyrat e bukura që ka e kuqja e e zeza, si dhe shkaba dy krenare midis na tregojn nga nji anë gjakun tonë te kulluem e fisnik, gjakun që u derdhë për nderin e lavdrim të atdheut, gjakun vllaznor që vlon në zemrat e çdo shqiptari…” dhe shkrimi i cili është pa autor përfundon me fjalët: ”Rroftë Shqipnija Etnike në të cillën hyjnë të gjithë shqiptarët kudo që janë, Rroftë Rinia shqiptare e Kosovës e cila punon per Shqipni Etnike.”
Autori i shkrimit “Hija e lirisë” (Ramiz Kelmendi) në faqen e pestë të revistës paraqitet me shkrimin “Partia Komuniste, Liriprusja e popujve të robëruar”. Me një lexim të kujdesshëm vijmë në përfundim se sa kanë qenë të zhgënjyer këta të rinj, duke mos abstraktuar popullatën në përgjithësi. Shkrimi sugjeron një kontekst të caktuar kohe në të cilën proklamohen raportet e një sistemi okupues, ndërsa lufta e brezave vazhdon për lirinë e vendit. Që në ditët e para të “çlirimit”, nga ato premtime për lirinë, barazinë dhe bashkimin me Shqipërinë nuk mbeti asgjë ngase të gjitha ato fjalë ishin mashtrim dhe fjalë boshe të okupuesit. Që në ditët e para të çlirimit populli shqiptar u ballafaqua me vrasjen e njerëzve të pafajshëm, me torturat ndaj patriotëve, me zhdukjen e tyre pa gjurmë, me burgosjet e tyre. Në këtë shkrim bëhet fjalë për të gjitha këto që i përjetuan në ditët e para kur kishin dalë t’i prisnin “çlirimtarët”. Ja se çfarë shkruan në artikullin e vet autori, i cili njëherësh ishte dëshmitar i gjithë kësaj ngjarjeje: “Nga vujtjet e tepërta që pësuem në kohën e fashizmit patem nji simpati ndaj partisë komuniste për të cilën thojshin se ashtë liriprursja e të gjithë popujve të robnuem”. Mirëpo, pas asaj që përjetoi populli të gjithë ishin të zhgënjyer se “Porsa hynë në Pejë më 17 nanduer, mbas dite u vra nji shqiptar në mjedis të rrugës që ishte tue manifestue për shlirimin që e kishte prue ushtria e qujtun nacionalshlirimtare”.”Nji natë të dhjetorit”, shkruan “Hija e lirisë”, “OZNA (mbrojtsja e popullit = për ta pushkatue popullin e pafajshem shqiptar) ishte plotë.” Kjo dëshmon se shqiptaret menjëherë pas lufte vriteshin pa gjyqe, pa dëshmitarë dhe zhdukeshin pa gjurmë. Por, amaneti i të gjithë të vramëve , siç thotë artikullshkruesi, ishte “Poqese dikush del gjallë le të ju thojnë gjithë shqiptarve që të punojnë për atdheun e tone - për Shqipnin dhe me nji luftë t’ashpër me ta (prej nanduerit deri në mars ma tepër se 200 (dyqind) shqiptar vetëm prej qytetit të Pejës janë vramun, të marrin gjakun t’onë”. Mesazhi i këtij autori është shumë i qartë dhe nuk ka nevojë për koment.
Në këtë numër të revistës, veç artikujve që u cekën më lart, botohen edhe vjershat: “Fati sillet porsi bota”,”Vuajtjet e shqiptarve të Kosovës”, dhe “Poshtë padrejtsit”. Në të tri vjershat bëhet fjalë për fatin e shqiptarëve, padrejtësitë e shumta, robërinë e tyre dhe thuhet se është i vetmi popull në Ballkan që nuk e gëzon lirinë. Të gjitha këto vjersha, do të thoshim, paraqesin një dëshmi tronditëse për zezonat shqiptare që i kishte sjellë koha e pasluftës e që drejtpërdrejt pasqyronte dhe linin vragë në kujtesën e popullit. Në vjershën ”Poshtë padrejtsia” Ramiz Kelmendi shkruan: ”Gjithë shqiptaret çohu në kambë / ta luftoni padrejtësin /dhe thirrni anë e mban /ne e duem Shqiperin”. Në këtë vjershë, ndër të tjera, theksohet se pushteti komunist në Kosovë e ka vetëm hijen dhe po qe se ne shqiptaret të gjithë ngrihemi në këmbë, bëjmë rezistencë dhe i dëftojmë botës se jemi pjesë e pandashme e Shqipërisë.
Gazeta “Drita e lirisë” përpiqej ta informonte opinionin mbi ngjarjet e asaj kohe në trevat e Kosovës dhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë, por një gjë e tillë ishte e vështirë ngase çdo gjë përcillej me shumë kujdes nga organet e UDB-së. Pushteti i atëhershëm ishte i vetëdijshëm se decenie me radhë ishte në konflikt të përhershëm me popullin shqiptar dhe në luftë të vazhdueshme për fitoren e të drejtave të ligjshme autonome politike të shtetësisë. Këto armiqësi të gjata, thuaja të përhershme të shqiptarëve ndaj pushtetit okupues, ishin në rend të parë fryt i tradhtisë së këtij pushteti ndaj shqiptarëve, andaj vetë okupatori i priste pakënaqësitë dhe lëvizjet ilegale antishtetërore.
Jehona e numrit të dytë të revistës “Drita e lirisë”
Revista doli në muajin shkurt të vitit 1946, me të njëjtët autorë (redaksi), vetëm se tani ky numër kishte shtuar faqet prej 6 (gjashtë) sa kishte në numrin e parë, në 12 (dymbëdhjetë). Ballina e numrit të dytë në krahasim me numrin e parë ishte më e thjeshtë ngase në të ishte e vizatuar vetëm shqiponja e zezë, pa yll, dhe revista hapej me një vjershë në formë të parathënies me titull ”Parathanje e revistës t’onë”, shkruar nga “Leku” që ishte pseudonim i Shefqet Kelmendit. Autori me vargjet e bukura shprehte dëshirën pse kishin marrë iniciativën për të botuar këtë revistë: “Këtë revist t’one kombtare / me nji material te paket fare / dole ne dritë për herë të parë / prej nji fryme djelmash shqiptar”. për të vazhduar me shkrimin “Besa shqiptare” që vazhdon edhe në numrin 3 (tre) të revistës. Në këtë shkrim autori vazhdimisht shtron pyetje, por se edhe vazhdimisht vetë përgjigjet: “Po a e dini mirë, vllazën cilla asht kjo “Besa shqiptare” për të cilën janë shkrue aq e aq vepra dhe janë kushtue aq lavdrime”, për të vazhduar se “Besa shqiptare” vllazën, asht fjala që del prej gojës së shqiptarit, fjala e premtimit, ose e betimit, fjala e burrnisë e e nderit te nji shqiptari i cili s’ka zakon të betohet mbi Perendin, ose mbi profetet e shejtnit e tij, mbi prindet, ose mbi te dashurit e tij. Prej të gjithëve ketyne shqiptari ka preferue gjithmon te betohet vetem mbi besen e tij qe ashtë fjala karakteristike e fisnikrisë së tij. Pra besa asht burma, fisnikrija e karakteri i shqiptarit dhe keshtu e shihni bukur mirë se Besen e shqiptarit e konsideron si ma te naltin e ma te shejtin betim, qi mund ta ket e qe mund te ja nep tjeter kujt”. Autori thotë se besa e shqiptarit ka edhe kuptimin e mbrojtjes dhe të sigurisë, të jetës e të nderit. Kur shqiptari e jep besën për diçka, në bazë të këtij shkrimi, del se puna është e mbaruar, fjalën e dhënë shqiptari s’e shkel kurrë, se po qe se nuk e mban atë, e quan turp e çnderim.
Shikuar në tërësi, në këtë numër dominojnë vjershat e shumta disa prej të cilave u mungojnë emrat e autorëve. Ta zëmë, vjersha “Duaj atdheun” është pa autor, ndërsa vjershën “Kushtrimi” e ka shkruar autori me pseudonimin “Shpresa”. Megjithëkëtë mendojmë se që të dy vjershat i ka shkruar i njëjti autor, pra vetë Viktor Gashi. Në to autori vazhdimisht bën apel dhe një dialog me njerëzit, me kohën dhe me problemet thelbësore të tij kur thotë: “Shqipninë e ke Atdhe / e duaj e e ndero / per te gja mos kurse / dhe jetën ja dhuro”, ose në vjershën “Kushtrimi” autori pyet “Kush asht trim i mirë shqiptar / Ne kambë sot duhet me u çue / Kush asht i ndershem atdhetar / Lypet sot me u bashkue”. Në këtë vjershë është fjala dhe guximi , mbi të gjitha është besa e dhënë dhe urtia e popullit, trimëria e fortë stërgjyshore dhe dëshira për t’i realizuar gjakimet shekullore. Nga vjersha “Shqiptarve” me autor “Leku” (Shefqet Kelmendi) mund të marrim edhe ndonjë varg sa për ilustrim. “Ne kambë pra shqiptarë / nuk ashtë koha me pushue / ja sot ja kurrë si atdhetare / duhet jetën për me nderue”. Karakteristikë e kësaj është se vargjet shprehin konkretisht kushtrimin dhe mobilizimin e tij si shkalla më e lartë e stoicizmit në popull.
Syzheu i shkrimit “Shqiptaret janë gadi” nga “Hija e lirisë” (Ramiz Kelmendi), mëtonte të ishte zëdhënës për masakrat e shumta që iu bënë popullit shqiptar brez pas brezi, për të vazhduar me konstatimet rrëqethëse: ”Për të shkrue për masakrimet qe ju banë shqiptarve gjatë ketij vjeti nga ana e serbve (partisë komuniste-partizane-malazeze etj…etj… duhet vollume e vollume. Sa herë që ndonji shqiptar ngrehi zanin per lirin e popullit shqiptar mori si shpërblim çelijat e burgut…”. Më vonë flet për planin që e kishin bërë okupuesit me vite. “Plani i tyne ashtë Shqiptaret ti masakrojn, te cilet asgja su kanë ba, veqse pse në token arbenore kërkojn lirine. Pse shqiptaret duhen masakrue. Pra shqiptaret e Kosovës duhet të zhduken fizikisht”, e përmbyll shkrimin autori 15-vjeçar tani shkrimtari i njohur Ramiz Kelmendi. Ndërkaq skicat vizatimore që jepen në revistë prezantohen si “Fakti II-të mbi shqiptaret”. Në faqen e pestë prezantohet një ilustrim shumë interesant, ku paraqite shqiptari me plis mbi kokë duke thirrur liri dhe partizanin me çekan duke e goditur në kokë. Sikurse edhe ilustrimet e tjera, edhe këtë e ka përgatitur autori me pseudonimin “Agimi” (Engjëll Berisha).
Kemi në këtë revistë edhe citate të marruara nga librat e të tjerëve, siç është rasti me shkrimin e autorit “Hija e lirisë” (Ramiz Kelmendi), të marruara nga libri “Sulm e lot”. Në vazhdim autori nëpërmjet një vjershe të huazuar konstaton dhe dëshmon për realitetin e padrejtësitë e shumta ndaj shqiptarëve si para lufte ashtu edhe pas saj. Autori cek se shkrimet që i shkruajnë komunistët, se “Neve nuk e kemi për qëllim me i ja mohue të drejtat shqiptarve sikurse që ka ba rezhimi i vjetër antipopullor, por neve si nji rezhim popullor qe jemi do të keni edhe ju te drejta sikurse te gjithë popujt e tjerë te Jugosllavisë”, për të përfunduar me dëshpërimin më të madh se “Liri nuk patë dhe përsëri nuk kemi,” se okupuesi vetëm fytyrën e ndërron por aspiratat gllabëruese asnjëherë.
Vargjet e këtyre dy vjershave prezantohen nga autori me pseudonimin “Leku” (Shefqet Kelmendi), si “Shqipnisë” dhe “Kosovës”. Në të parën qahet fati i Shqipërisë, e cila pa dashjen e saj mbeti nën kthetrat e sistemit komunist, se dashuria e madhe e autorit për Shqipërinë i imponon të shkruajë edhe këto vargje: “Shqipni o nana ime / pse kalon kohën ne mjerime / dite as natë tue mos pa gezime / por ke ulun koken si nji jetime”, për të vazhduar me vjershën “Kosovës”. Po ajo dashuri dhe i njëjti zjarr e djeg vjershëtarin kur thotë: “Ne kambë Kosovë se u afrue dita / mblidhi djemt që të kanë pshtue / ata, qe anmiku smujti me i farue / se te dera po te pret drita”. Vargjet që buronin nga shpirti shprehte shqetësimet e tij, por njëherësh edhe optimizmin se diku aty afër ishte edhe drita kaherë e pritur.
Shkrimet në këtë revistë janë të qarta, me mesazhe të drejtpërdrejta dhe opinionit të gjerë ia bënin me dije të gjitha të këqijat që i vinin nga pushtuesi i ri. Të tilla janë shkrimet e autorit “Hija e lirisë” (Ramiz Kelmendi)- “Shqiptaret e Kosovës “ dhe “Kosovarve”, si dhe ato “Fishkllima” , “Lirin që na pruen”. Shkrimi “Shqiptaret e Kosovës” është herë – herë një lloj apeli që bëhet për shpëtimin e Kosovës: “Mos u besoni pra ketyne tradhëtarve të poshtër! Mos u besoni ketyne mashtrusve qe i banë gjithë ato masakra dhe tortura ne popullin e pafajshem shqiptar gjatë nji vjeti. Te keni besim ne luftën e drejt tone se do te dali triumfuse kunder ketij barbari i cili asht mbshtet ne fuqin e popullit shqiptar t’onin”. Në shkrimin “Kosovarve” autori shpreh dëshirën e madhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dhembjen pse ky bashkim nuk ndodhi më herët, por megjithatë është optimist se ajo së shpejti do të ndodhë: “Kosova e bashkume me Shqipnin ne pakë kohë do të bahesh nji nga ma te bukurat të t’Europës e të gjithë dheut…”. Çdo gjë të bukur e të mirë autori e sheh vetëm me realizimin e dëshirës për bashkim kombëtar dhe supozon se te kjo mund të arrijmë kur të angazhohet çdo shqiptar për lirinë e vendit.
Duke iu qëndruar besnik këtyre temave të ngjarjeve konkrete, veçanërisht duke u përballur për çdo ditë me këto, autori “Fishkllima” (Skender Rizaj) në tekstin “Lirin që na prune” ironizon për lirinë që nuk na e sollën.” Në vend të lirisë së premtuar,”Partizanët” serbë e malazezë keqtrajtuan, dënuan dhe vranë mijëra shqiptarë. Dhe, duke parë zhgënjimin nga “çlirimtaret”, autori thërret: “Të gjithë atdhetarët e dashtun te luftojn kundër gjakpirësve, kundër tradhëtarve, kundër partisë komuniste (teroriste), mos të lajm ma pisat e Malit të Zi te na robnojn, por t’a kapim na shqiptaret pushtein ne dorë se jemi nji shumë prej 85% dhe gjithëmon ka qenë ky vend i jon qysh nga Ilirijanet”. Dhe në fund të revistës jepen lajmet shkurt nga vendi dhe bota që i japin një karakter politik revistës. Së pari bëhet prezantimi i situatës së brendshme politike si në Pejë, Prizren etj. Situata politike në Pejë paraqitet kësisoj: “Çdo tregtarit ju mur malli, gjithashtu dhe zanatlive …”. Për Prizrenin thuhet: “Nga vujtjet e mdha të gjendjes ekonomike te popullit shqiptar te Prizrenit vdiqen nga uria disa persona“. Lajmet shkurt nga bota jepen si nga Athina, Roma, Londra, Beogradi, Moska etj. Në një lajm nga Beogradi thuhej: “Radio i Beogradit lajmron se Nediçi derisa ishte tue kalue prej katit të tretë ne të katertin te nji pallati kecen posht ne tokë dhe vdiç.” Në një lajm nga Moska thuhej se “Radio e Moskës ne emisionin e gjuhës shqipe lajmron se 10.000 jugosllav jasht Jugosllavisë janë tue punue kundër Jugosllavisë se Titos nen udheheqjen e kral Petrit”. Me këto të dhëna mbyllet edhe ky numër i revistës.
Ndonëse shkrimet e kësaj gazete ilegale shkruheshin nga disa të rinj, me leximin e tyre mund të supozohet se në një të ardhme jo fort të largët kishte pretendime që kjo gazetë të merrej në mënyrë edhe më të pjekur me çështjet e pazgjidhura të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Gazeta “Drita e lirisë” ka rëndësi gjithashtu edhe për iniciativën e informimit ilegal dhe pasqyrimin e angazhimit politik në zhvillimin e mendimit politik të popullit shqiptar që jetonte i okupuar. Dhe, në fund me anë të kësaj gazete mund të themi se mund të ndriçohen shumë raporte politike e kundërthënëse të pranishme në Kosovë. Në anën tjetër, gazeta “Drita e lirisë” ka një rëndësi të madhe për historinë dhe zhvillimin e shtypit ilegal, ngase kjo është edhe gazeta e parë e këtij lloji në Kosovë.
Qëndrimi i revistës “Drita e lirisë” ndaj çështjes kombëtare
Për daljen e numrit të tretë anëtarët e redaksisë u angazhuan shumë dhe gjatë muajit shkurt e nxorën atë si dy numërsh, tamam ashtu siç kishin premtuar. Numri i tretë doli në fund të muajit shkurt. Në çfarë kushte e rrethana u përgatit ky numër nuk kemi të dhëna, por në ballë të tij nuk ka asgjë të vizatuar, në materialin e marr nga Arkivi i Kosovës. Në ballinë është vetëm një letër e pastër dhe pa kurrfarë shkrimi apo skice vizatimore. Për dallim nga dy të mëparshmit, në këtë numër shkrimet dallohen për nga cilësia dhe gjithsesi për ruajtjen e kontinuitetit tematik të numrave të përparshëm. Edhe këtij numri i prin “Parathënje – Rinisë shqiptare”, që kryesisht i kushtohet rinisë. “Për Ty o rini e dashne po shkruaj ketë studim të thjesht dhe ty po ta kushtoj. Skam tjetër qëllim veçse të ndez në zemren t’ande dashuninë e zjarrtë t’Atdheut, dashunin që në vendin tonë të bukur ka frymzue kaq e kaq therori dhe qe edhe sot e kësaj dite bajnë të rahin nji tok zemra bujare”. Domethënës është mesazhi që del nga ky shkrim që thotë se ne duhet ta duam Shqipërinë edhe pse nuk është vend i pasur dhe, fundja, është çfarë është atdheu, ai është i yni dhe se çfarëdo që është atë duhet dashururar, mbrojtur dhe me të duhet krenuar.
Po ashtu në faqen e parë prezantohet edhe vjersha “Këndonjësve”, e shkruar nga “Leku” (Shefqet Kelmendi), që i kushtohet revistës dhe lexuesve të saj: “Me nji kohë të paket fare / Revista e jonë kombtare / Duel në kohë të caktueme përsëri në dritë / Mbasi prej këndonjësve e kalumja ma mirë ashtë pritë”. Është me interes të thuhet e në këto vjersha hetohet njëfarë ndryshimi cilësor në të shkruar. Autori shprehet optimist se për këtë numër kanë sakrifikuar kohën e tyre, por e rëndësishme është se ajo është pritë mirë dhe në numrat e ardhshëm do të punojnë më shumë dhe lexuesve do t’iu ofrojnë informata më të shumta.
Në gjithë punimin “Nderi, karakteri e virtytet e shqiptarit” vërehet se ai që e ka shkruar këtë ishte një njohës i mirë i traditës, i mikpritjes dhe i besës shqiptare, për të vazhduar: “Shqiptari, vllazën, ka vyrtiyte të rralla. Ka karakter, bujari e fisnikri te pa shoqe por ma fort ka njerzi, që se ka asnji komb në botë”, ndërsa për karakterin e shqiptarit thotë: “Shqiptari prej natyre ashtë i ftoft e flegmatik, flet pak, por fjalet e vendeta e te themelta. S’di të thot ky fjalë të kunderta me njena-tjetren”. Në këtë numër vazhdon shkrimi për “Besën shqiptare”, duke bërë prezantimin e shumë rasteve të dhënies dhe mbajtjes së besës dhe përfundon se “Shqiptari preferon të vdes, por kurr me e shkel besën që e dha”.
Në shkrimin “Kufijt etnografik të Shqipnisë, të caktueme po prej nji sllavi”, autori këta kufij i prezanton në bazë të një shkrimi të një sllavi - P. F. Bradasku, i cili i ka botuar në “Patmannos Mitte ilunden” të vitit 1869 (XII) në një studim kushtuar sllavëve në Turqi (Die Slloven inder Turkei). Ky autor serb kufirin e Shqipërisë e paraqet kështu: “Këta kufij nisen prej buzve t’Adriatikut nga gryka e Spuzec (Spiza), pak ma ne veri të Tivarit, dhe keshtu permbyllen - tuej e ndjek nji drejtim të veri - lindjes - liqenin e Shkodres, malet e Tërgovishtes të Shkodrës, Hotit, të Grudës, Gusisë, Plavës, të Pejës, krejt rrafshinen veriore të Mitrovicës, deri në katundet e Kurshumlisë dhe të Prokupës: prej ketu zbresin kah jugu deri në Kumanovë tue e ndjekun vijen e caktume prej qytetit të Shkupit, te Shqiptaro - Serbeshë, por me nji shumicë të pa bisedushme Shqiptar: dhe tjetra e perfshime ndërmjet qytetit të Dibrës, Shkupit e Kosturit prej shqiptaro - bullgarësh, por gjithnji me nji shumicë të dukshme shqiptare”, gjë që edhe tani do të ishte me interes ta dinë shumë të ashtuquajtur shkencëtarë serbë.
Shkrimi “Ngjarje nëpër katunde” i autorit me pseudonim “Fishkllima” (Skender Rizaj) paraqet ngjarjet në nji fshat “ku forcat partizane pas lufte futen në nji fshat dhe e msyejn nji shtëpi fshatari i cili ishte lirua nga ushtria. Edhe pse fshatari i kishte dokumenta me të cilat dëshmonte se ishte i liruar, ata e moren dhe e pushkatuan 20 metra larg shtëpisë”. Si në shumicën e rasteve, autorët janë edhe vetë dëshmitarë të ndodhive që i pëshkruajnë. Është e ditur se pas lufte forcat partizane bënin kërdi në fshatrat e Kosovës. Autori thotë se edhe në shtëpinë tënde, ndonëse ishe i liruar nga ushtria, askush nuk mund të të siguronte jetën, prandaj liria edhe më tej për shqiptaret mbeti vetëm një ëndërr e paarritshme. Në këtë shkrim autori merret kryekëput me kohën e vet, me njerëzit e vet dhe me problemet e kohës së vet, duke kërkuar me ngulm të vertetën dhe drejtësinë që s’e kishin.
Në revistë ka biografi e vjersha që u kushtohen heronjve kombëtarë. Njëri ndër ta është Haki Taha tek i cili më shumë ndihet zëri i krenarisë dhe i protestës.“Hija e liris” (Ramiz Kelmendi) shkruante një biografi të shkurtër për Hakiun, për të cilin thotë se ai, duke e parë tradhtinë e Miladin Popoviqit ndaj shqiptarëve vendosi ta likuidonte, duke thënë se “ky u vra me 13 mars 1945 n’ora 10 para dite në zyrën e tij (fjala është për Miladin Popoviqin), marrja vesh nder partizanet për vrasjen e Miladinit, vrapuen anë e mbanë për gjetjen e vrasësit, kështu që të nesërmen, tue pa se ishte tue u nxanë prej anmiqve dhe tradhtarve partizan, tue mos dasht që ta gjykojn fëmija, e hapi gjoksin në të cilën gjoks ishte flamuri i kuq me shkaben dy krenare dhe vrau vehten”. Për të apeluar më vonë autori me dhembje të thellë “Vajtojeni pra , burra e gra, djem e fëmi, pleqë e të ri, vajtojeni Haki Tahen dhe ju o nuse diftojuni fëmijve të juaj në djep se për atdhe duhet me vdek si Haki Taha”. Në gjithë punimin dominojnë karakteri dhe vyrtytet e qarta të figurës së Haki Tahës si liridashës, trim dhe vetëflijues për punë të atdheut.
Edhe Shefqet Kelmendi me pseudonimin “Leku” i kushton një poezi heroit Haki Taha, ku shkruan për trimëritë e tija dhe se për atdhe lindet edhe atëherë kur vdiset. Në vargjet e veta ai kështu e paraqet vdekjen e tij: “Me të vertet Hakiu jetë ka ndrrue / por mos mendoni se ashtë harrue / se kush nep jetë për atdhe / Aj kurr ska vdekë, por ka le”. Në të vërtetë vjershat që prezantohen në revistë më shumë kanë karakter mesazhi, që lexusve iu ofron atë që duhet thënë poeti për kohën e vet. Në skicën “Bashkimi banë fuqin” të shkruar nga një autor me pseudonimin “Blerimi”, thirret populli që të jetë i bashkuar për arsye se vetëm si të tillë do të jemi më të fuqishëm, më të fortë dhe se vetëm si të tillë do ta mundim edhe robërinë që na ka pllakosur. Ky tekst shprehet dëshira për afirmimin e gjakimit shekullor për një bashkim kombëtar: “Ah, sa kohë e lumtur kishte me qenë dhe sa ditë fatbardhë kur shqiptari pa kqyrë a asht katolik apo musliman edhe në shqypen dykrenare në ballin e shndritshem të florinjet të tij, tue e mbajt atdheun e tij, atdheun e çdo shqiptari. Në ketë mënyrë tue u bashkue me nanen t’onë Shqipni”. Në shkrimin “Le ta din pra…” përsëri thirrje për bashkim, përsëri thirrje për unitet. Me gjasë në kohën kur u shkrua ky artikull autori më së shumti e ndiente mungesën e unitetit, andaj edhe apelonte me të madhe për të. Dhe, ky apel nuk mori fund vetëm në ato vite, ai u përsërit brez pas brezi, u përcoll si amanet nga të parët dhe edhe sot do të ishte aktual. Autori me pseudonimin “Fishkllima” (Skender Rizaj) e kishte hetuar më herët rrezikun që kërcënohej për shkak të përçarjes së popullit, andaj edhe përsëriste me ngulm: “Shqiptar të dashtun, bashkohuni të gjithë për ta zhdukur ket tradhëtar se na robnoj, se per ndryshe do të jemi ma të shtypun. Mos u mashtrohuni, që do të na bjen nji i huaj lirinë që deshirohet, nuk asht e mundun që me ndihmen e huaj do të gëzojm nji liri”, për të vazhduar: “Çohuni prej gjumit të randë o vllazën shqiptarë, se perndryshe do të jemi te robnuem prap prej tradhtarve të pa shpirt, se jemi nji shumë e vogël shqiptaresh edhe nuk na përkrah kerkushi për pa luftue vet per shlirimin e atdheut”.
“Fishkllima” (Skender Rizaj) prezantohet edhe me një vjershë që i kushtohet “Popullit tonë”, ku, ndër të tjera, thërret: “kush asht trim shqiptar / bashkohuni të gjithë mbar / për flamur e për shtet / se ne Shqipnija po na thrret”.
Ramiz Kelmendi, ose “Hija e lirisë”, paraqitet me shkrimin “Bashkim e interes”, ku ndër të tjera thotë: “Bashkim dmth. fuqi e asgjë tjetër, pa bashkim ske fuqi”. Më pas thekson se shqiptaret gjatë luftës u bashkuan me partisanët, luftuan dhe pas tërë kësaj ata (shqiptarët) përsëri mbetën të robëruar, që do të thotë se bashkimi që na u imponua nga serbët e malazeztë ishte bashkim prapa të cilit fshihej interesi.
Vizatimi diku në mes të revistës me titull “Fakti III mbi shqiptaret” paraqet vrasjen e shqiptarëve në grumbull nga ana e serbo-malazezve. Autori “Agimi” (Engjëll Berisha) shkruan nën vizatim: “Të betohemi se do ta marrim hakun e dëshmorve të panumert që dhanë jetën për ATDHE”.
Poezitë janë ana e “dobët” e autorit me pseudonimin “Leku “ (Shefqet Kelmendi). Ai edhe në këtë numër paraqitet me vjershat “Juve kosovar…” të cilët në formë kushtrimi i thërret të zgjohen, se qëllimi i tyre nuk është që të heshtin, trimeria e tyre nuk është e panjohur për Ballkanin, por ekziston rreziku që po qe se kështu vazhdojmë “mundemi edhe me u shue”. Autori ka frikë, ka drojë, është i shqetësuar se mund të ndodhë më e keqja dhe pikërisht këtë të keqe ai nuk e do për popullin e vet. Nga vjershat e shumta që prezantohen në këta numra të revistës shihet se poetët e rinj merren me të vërtetën elementare jo vetëm të jetës së njeriut si individ, por edhe të kolektivitetit perkatës nacional.
I njëjti autor shkruan për popullin e Rugovës, duke e ngritur në piedestalin më të lartë. Sipas tij, rugovasit janë popull trim, i patrembur dhe mbi të gjitha e dun lirinë. Më tej ai vazhdon: “çdo anmiku, që ka ardhë dhe e ka okupue vendin e tyne, ketu me pushkë e pa pushkë kanë ba kryengritje të panumert dhe gjithmonë padrejtsit i kanë luftue”. Edhe në këtë numër jepen lajme shkurt nga vendi dhe bota. Kështu në një lajm nga nga Peja thuhet: “Në Pejë mbrenda dhe në të gjitha rrethet e Pejës asht tue u zhvillue reforma agrare. Neper katunde i ashtë marrë toka pergjithësisht tue mos i dhanë asnji pllomë dhe ashtë dhanë komunistave serbo - malazezë. Në Pejë psh.Shqiptarve nuk i ashtë lanë ma tepër se 2-3 hektar, e dikujt ja kanë marr krejt”. Nëpërmjet këtyre lajmeve nga vendi autori paraqet lëndimin e qenies shqiptare, praninë e pushtuesit me realitetin konkret, i cili shqiptarit ia merr tokën, ia rrezikon ekzistencën. Në lajmet e jashtme përfshihen ngjarjet në Londër, Parisë, Meksikë, Atinë, Beligrad e vende të tjera.
Edhe pse ishin bërë përgatitjet për të nxjerrë numrin e katërt të revistës “Drita e lirisë”, ajo nuk ndodhi për shkak se anëtarët e redaksisë u zbuluan e u arrestuan për shkak se revistat kishin rënë në duart e UDB-së.
Për situatën e tërësishme në Kosovë gazeta “Drita e lirisë” ka një rëndësi të veçantë dhe jashtëzakonisht të madhe jo vetëm pse më të fillon periudha e shtypit dhe e veprimtarisë botuese ilegale, por pse ajo ishte një burim i vetëm i informimit tek masat e gjera patriotike e liridashëse dhe merrte përsipër rolin e megafonit për popullarizimin e aspiratave dhe të lëvizjes për bashkimin e tokave shqiptare. Aq sa mundte gazeta përcillte ngjarjet dhe ecuritë politike dhe ngjarjet e rëndësishme që shqetësonin popullatën, e të menjëherë pas lufte ishin shumë dramatike e tragjike për popullin shqiptar. Këto ecuri politike në mënyrë të veçantë ishin të shprehura para dhe pas mbarimit të LDB-së. Për to shkroi kjo revistë, e cila veçmas i kushtoi rëndësi orientimit demokratik e properëndimor të shqiptarëve. Në pjesë të madhe të shkrimeve revista ua kushtoi kërkesave të shqiptarëve për vetëvendosje ngase ata pa dashjen e tyre mbetën nën ish-Jugosllavi. Revista vente në pah të gjitha vështirësitë e mëdha nga shtypja, terrori dhe masakrimet fizike që bënin forcat çetnike-serbe me simbolin pesëcepësh në kokë. Rëndësia e revistës bëhet edhe më e madhe ngase pasqyronte gjendjen reale nën okupim dhe dhunën e pakrahasueshme që ushtrohej mbi popullin shqiptar në Kosovë. Të gjitha këto bënë që një numër i konsideruar lexuesish të përqendronin vëmendjen te kjo revistë për t’u njohur me padrejtësitë e shumta që i bëheshin popullatës së pambrojtur shqiptare.
Si rezymim i krejt kësaj dhe, si konstatim përmbyllës, mund të thuhet se revista “Drita e lirisë” në radhë të parë ruan ecurinë evolutive të ngjarjeve tragjike që ndodhën në Kosovë menjëherë në vitet e para të pasluftës, sepse me përshkrimin objektiv të situatës politike në vend ajo do të bëjë informimin dhe do të mbrojë me vendosmëri edhe të drejtën e vetëvendosjes së popullit shqiptar. Revista jo vetëm që ishte një hallkë në zinxhirin e pakëputshëm të veprimtarisë ilegale, por luftoi me pendë për realizimin e qëllimeve kryesore dhe më supreme për bashkimin e saj me shtetin amë – Shqipërinë.
Meritë e kësaj gazete është edhe se ajo doli dhe informoi opinionin në një periudhë të jashtëzakonshme kur Kosova përpëlitej midis jetës dhe zhdukjes kombëtare.