Speciale » Basha
Alban Dobruna: Kontributi i femrës në pavarësinë e Shqipërisë
E merkure, 22.12.2010, 10:58 PM
KONTRIBUTI I FEMRËS NË PAVARËSISË E SHQIPËRISË
Nga Ma. Alban Dobruna
Këtë fjalë time të rastit do ta filloja me thënien e njërës nga femrat më të shquara shqiptare Dora D’Istria: “Në një vend luftarak gratë kanë shpirt luftarak jo më pak se burrat e tyre” Femra shqiptare nuk ishte asnjëherë më pak e preokupuar për çlirim dhe bashkim kombëtar se sa burrat. Kështu veproi edhe në kohën e rezistencës heroike për Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas burimeve historike, qëndresa e sakrifica, si forma të rezistencës së gruas shqiptare në luftërat për liri e pavarësi, paraqiten në vazhdimësi që nga antika e deri në ditët e sotme. Femrat shqiptare, treguan me dhjetëra herë shembuj të heroizmit që kryen akte të papërsëritshme në histori. U shquan gratë ilire që në kohën e Teutës kur luftua krah burrave të tyre. Pozita e tyre në shoqërinë ilire u lejoi të bëheshin edhe sundimtare si Teuta. Në Përudhën e Skënderbeut , sipas shumë tregimeve, gratë e vajzat merrnin pjesë drejtpërdrejtë edhe me armë në dorë në luftën e lavdishme të udhëhequr nga kryetrimi shqiptare.
Gratë shqiptare në luftërat kundër osmanëve realizuan akte të larta, lavdia e të cilave jo vetëm u përmend nga opinioni kombëtar,por edhe ai ndërkombëtar. Në relacionin që Vinçenc Zmajeviqi më 31 gusht 1707 i shkruan Romës në mes të tjerash theksohej:” Di se midis kelmendasve u dukën në betejë 300 gra të armatosura me çdo gjë, kurse njëra prej tyre pati nderin të vrasë dhe t’i presë kokën turkut komandant të ushtrisë së vendosur. Edhe Shqipëria prodhon amazona. Ky nuk është shembulli i parë trimërorë i grave kelmendase, sepse edhe një herë tjetër vetëm me gurë ato dhanë dëme ushtrisë së Vuçi Pashës, që pati 500 të vdekur”.
Gjatë lëvizjes kryengritëse që shpërtheu në vitet 1844-1845 në verilindje të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Dibër , dokumentacione arkivore dëshmojnë se “ në malësitë e lira gra dhe fëmijë bënin pjesë në radhët e luftëtarëve dhe se gratë qenë të ngjeshura me armë dhe të veshura ushtarakisht e sidomos në Shqipërinë e sipërme”.
Kur flitet për kontributin e femrës në Pavarësinë e Shqipërisë, duhet pasur parasysh të gjithë faktorët ekonomikë, politik, shoqërorë dhe kulturo-arsimorë, që kushtëzuan pozitën e saj.
Një pozitë të tillë të femrës e ilustrojnë bindshëm edhe idetë e rilindëseve duke u nisur nga Naum Veçilharxhi, Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri e deri te periudhat e mëvonshme. Ata e çmonin shumë rolin e gruas si nënë, edukatore si dhe pjesëmarrjen e saj në disa profesione.
Një kontribut të madh kanë dhënë edhe gratë kosovare gjatë kryengtijtjes së viteve 1910, 1911 dhe 1912. Një ndër këto gra ishte Baftie Seferi , bashkëshortja dhe bashkëluftarja e denjë e prijësit Idriz Seferit nënë e 12 fëmijëve, e cila përkrah të shoqit dhe me gratë e krahinës luftoi në frontin e luftës. Po në këtë periudhë vlen të theksohet heroizmi i grave të familjes Boletinëve në Mitrovicë është në nga rastet e rralla kur një familje, jo vetëm burrat dhe djemtë, por edhe gratë qëndrojnë stoik në mbrojtje të çështjes kombëtare.
. Me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, u krijuan kushte të reja që bëri të mundshëm të arrihen rezultate të rëndësishme në fushën e marrëdhënieve shoqërore, arsimore dhe kulturës. Si pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare femra gjithnjë e më tepër inkuadrohet në të gjitha rrjedhat shoqërore dhe politik, duke i bartur të gjitha karakteristikat për kapërcimin e prapambetjes si ne fushën ekonomike dhe atë sociale .
Kështu femra shqiptare veproi edhe ne kohën e rezistencës heroike të Lëvizjes Kaçake të viteve 1918-1928. Emri Shotë Galicës, e cila me trimërinë e saj u bë sinonim i femrës shqiptare për çlirim kombëtar që me qëndrueshmërinë dhe heroizmin e saj u bë frymëzuese e shumë brezave. Jeta dhe vepra e Shotë Galicës (dhe e shumë të tjerave) e cila 12 vjet me radhë u kalit në luftërat e pareshtura për liri e pavarësi kombëtare, tregoi se çfarë forcash kolosale fshehën në femrën shqiptare. Me këtë rast do të përmendim vajzën e patriotit Mazllum Qafa, Sulltanja nga fshati Qafë të Gostivarit ,e cila me gërshërë mbyti dy xhandarë serbë. Rezistenca dhe kontributi i femrës shqiptare gjatë Lëvizjes Kaçake vuri në pah jo vetëm virtytet dhe idealet e larta të saj, por edhe synimet për pavarësi dhe bashkim kombëtar. Kjo u dëshmua edhe gjatë Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj. Femra në të gjitha trevat shqiptare zhvilloi një aktivitet në Organizatën e Nacional Demokratikes shqiptare-NDSH-së.
Ato u bënë pjesë aktive e kësaj organizate që luftoi për çlirim dhe bashkim kombëtar, do të përmendim kontributin e Nasibe Zhurit njëra ndër aktivistet e dalluara të kësaj organizate. Fundi i vitit 1997 dhe fillimi i vitit 1998 paralajmëronte ditë të nxehta për shqiptarët .
Kosova ngjasonte në një det të trazuar nga fundi. Ky vit njihet për ndryshime të mëdha në Ballkan. Historia e shqiptare u pasurua edhe me një emër të madh, me emrin e Xhevë Lladrovcit dhe e shumë të tjerave, të cilat me veprimtarin luftarake përkrah burrave në radhet e Ushtrisë Çlirimtar të Kosovës u bë legjendë në gjithë hapësirën shqipfolëse.
Edhe pse femrat shqiptare jetuan ne kushte specifike, duke marrë parasysh pozitën e tyre ne familje e shoqëri, mendojmë se qëndresa dhe kontributi e femrës shqiptare gjatë shekujve ishte shprehje adekuate e vetëdijes nacionale që është i lidhur ngushtë me institucionin e natyrshëm të vetëmbrojtjes. Rezistenca e pandërprerë e popullit shqiptar, pra kishin synim kryesor çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Femra shqiptare nuk ishte vetëm vëzhguese e këtyre luftërave, por ajo me pushkë ne dorë dhe me forma të tjera të shumta të rezistencës u inkuadrua ne Lëvizjen Kombëtare, duke dhënë kontributin e saj me vlerë.