E merkure, 09.10.2024, 08:56 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VIII)

E enjte, 28.04.2011, 07:58 PM


TRAJTIMI I ÇËSHTJES KOSOVËS NË GAZETËN “QËNDRESA SHQIPTARE” ORGAN I KOMITETIT KOMBËTAR  DEMOKRATIK “SHQIPNIJA E LIRË”, PARIS (VIII)

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

GAZETA “QINDRESA SHQIPTARE”, VAZHDON ME BOTIMIN E LISTAVE TË TË BURGOSURVE POLITIK SHQIPTAR EDHE NË NUMRIN 119

 

Në shkrimin “Ndjekjet nuk pushojnë kurrë”, thuhej se në Jugosllavi edhe pse kishte kalua një periudhë relativisht prej 4 vitesh, megjithatë proceset gjyqësore nuk kishin të ndalur. Që nga marsi e prilli i vitit 1981, në krahinat shqiptare të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, shteti i rrethimit, sundonte me ashpërsinë më të madhe: ata pa fijen e frikës fusnin shqiptarët në burg, i ndiqnin, i vrisnin nëpër rrugë, dhe askush nuk i zinte në gojë përveç familjarëve. Shtypi i Jugosllavisë nuk fliste për ta, dhe as për veprimet e policisë. Ata kur flitnin, flitnin dhe vetëm padisnin njerëzit e pafajshëm. Me mija shqiptarë i kishin mbushur burgjet e Jugosllavisë,ku shumë herë edhe vdesin nga torturat[1]. Në gazetë, përsëri jepet një listë tepër e gjatë e të burgosurve politik, që gazeta i kishte marr nga shtypi jugosllav.

Në vazhdim gazeta jepte emrat e mbi 50 shqiptarëve të dënuar[2].

Ndërsa gazeta e Parisit “LE FIGARO”, shkruante se më 21 qershor, 1984, ishte dënuar një gazetar shqiptar “për një kohë të pakufizuar”, në një çmendi, dhe nëntë vetë të tjerë ishin dënua me nga 3 e 12 vjet burg të rëndë. Të gjithë këta ishin akuzua se kishin bërë propagandë nacionaliste për një Republikë Shqiptare të Kosovës[3], shkruante gazeta.

 

Këshilli i grupeve Kombëtare të Partisë Republikane të Shteteve të Bashkuara voton një rezolutë për të drejtat e kosovarëve

 

Pas vitit 1981, edhe faktori ndërkombëtar filloi të merrej me çështjen e Kosovës. Mërgata shqiptare kudo që ishte bënte thirrje për unitet dhe për ndikim në arenën ndërkombëtare. Me 20 e 21 janar të vitit 1984, një delegacion i Lidhjes Kosovare u udhëhequr nga  Prof. Luan Gashi, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Kosovare, nga Hafëz Isuf Azemi, anëtar i Komitetit Qendror dhe nga Z. Osman Shabani, anëtar kishin shkua në Uashington për të paraqitur gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Jugosllavi[4]. Ata me këtë rast ishin takua me personalitete të rëndësishme të Kongresit  dhe të Qeverisë të Shteteve të Bashkuara dhe në hollësi ia prezantuan situatën e krijuar në shtetin okupues-Jugosllavi.

Po ashtu në Kuvendin vjetor të Këshillit të Grupeve të Partisë Republikane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ishte mbajtur në Uashington që nga 17-20 maji, 1984, kishte miratua një zëri rezolutën për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi. Rezoluta ishte paraqitur nga grupi i  shqiptarëve që kryesohej nga Z. Ekrem Bardha. Rezoluta bënte fjalë për ndjekjet që autoritetet jugosllave po bënin ndaj shqiptarëve, dhe luftën e shqiptarëve për të drejtat e tyre.

Këshilli i Grupeve Kombëtare të Partisë Republikane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miratoi këtë rezolutë me këto pika kryesore:

1.                             I bindur se politika shtypëse e tashme jugosllave është një rrezik i madh për rregullin dhe paqen në Ballkan;

2.                            E dënon shkeljen e hapët dhe të plotë të të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi;

3.                            Kërkon nga Qeveria Jugosllave të veprojë sipas  vendimeve të Helsinkit dhe të marrëveshjeve të tjera për të drejtat e njeriut, si dhe të njoh të drejtat njerëzore të shqiptarëve në Jugosllavi;

4.                            I drejtohet qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta shtyn Jugosllavinë t’u japi menjëherë leje shqiptarëve të gëzojnë të drejtat dhe lirit e tyre themelore dhe sidomos:

a)  t’u njoh shqiptarëve të drejtat e tyre për të pas Republikën e vet

brenda federatës Jugosllave;

b)  t’i lirojë menjëherë të gjithë të burgosurit politik shqiptarë dhe

c)  ta përmirësojë gjendjen ekonomike në krahinat e banuara me

shqiptarë”

 

PROPAGANDA SERBE VAZHDON ME AVAZIN E VJETËR

 

Numrat e më vonshëm të gazetës “Qindresa Shqiptare”, vazhdojnë edhe më tej të informojnë opinionin e gjerë për krimet dhe dhunën jugosllave që ushtrohej ndaj shqiptarëve në Jugosllavi.

.....................................................       Në numrin 120, të gazetës, jepet në katër faqe tekst lista e të burgosurve dhe e të arrestuarve në burgjet jugosllave. Gati në mënyrë të kompletuar jepen të gjitha proceset gjyqësore që ishin organizua: në Prishtinë, në Prizren, në Pejë, në Gjilan dhe në Mitrovicë. Po ashtu jepeshin edhe proceset gjyqësore që organizoheshin ndaj shqiptarëve edhe në Maqedoni në Mal të Zi dhe çdo kund tjetër që organizoheshin.

Edhe në numrin 121, gjendja në Kosovë përfshinte mbi 8 faqe të gazetës. Në rubrikën “Lajme nga Kosova e robëruar”, shkruhet gjerësisht për situatën e tensionuar që po mbretëronte në Kosovë. Për të justifikuar ndjekjet e tmerrshme kundër shqiptarëve, propaganda e Beogradit u mundonte me çdo kusht që ngjarjet dhe situatën e krijuar ti kthente mbrapsht dhe si të tilla t’ia paraqitët botës se serbet ishin “viktima” e shqiptarët “persekutues”. Kjo propagandë e gënjeshtër, me një paturpësi të neveritshme, ndihmohej si gjithmonë prej qeveris dhe pushtetarëve me të gjitha mjetet. Politika destruktive e Beogradit nxiste dhe shtynte serbët e Kosovës, që të organizonin protesta e manifestime të ndryshme që të paraqitnin kërkesa të paimagjinueshme të nënshkruara prej mija njerëzve, duke përhapur në të gjithë Jugosllavinë dhe jashtë saj një propagandë kundër shqiptarëve.

Për të gjetur e zbuluar të tjera shkaqe persekutimi kundër shqiptarëve, Beogradi lajmëronte zyrtarisht, në dhjetor 1985, se gjoja policia jugosllave kishte zbulua një organizatë të fshehtë marksiste- leniniste që ishte përhapur ndërmjet shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Kjo “informatë e dhënë prej Beogradit ishte botua edhe në shtypin ndërkombëtar. Por, fatbardhësisht, mërgata kishte arritur që ta përgënjeshtronte, dhe qëllimi i saj veç ishte i ditur, arsyeja ishte që pas këtij lajmi sa më shumë shqiptar të hidhen në burgje.

Sipas gazetës “Qindresa Shqiptare”, proceset policore në Jugosllavi ndaj shqiptarëve nuk kanë të ndalur. Edhe shtypi ndërkombëtar kishte shkrua disa herë për burgosjet. Gazeta parisienë “Le Monde”, në numrin e 14 majit, 1986, shkruante për procesin gjyqësor që kishte fillua në Prishtinë kundër 27 shqiptarëve, të cilët u dënuan në grup. Grupi i Prishtinës, shkruante Le Monde, nuk ishte i vetëm, ngase grupe të akuzuarish në Kosovë mbahen çdo javë[5], dhe për të vërtetua këtë, gazeta frënge “Le Monde”, me 7 qershor 1986 kishte shkrua për një grup tjetër të dënuarish prej 10 vetave që ishte organizua në Prishtinë.

Gazeta “Qindresa Shqiptare” edhe në këtë numër vazhdon me botua listën e gjatë të të burgosurve politik shqiptarë. Në këtë shkrim po i prezantoj proceset gjyqësore që janë mbajtur jashtë Kosove, ngase na mungojnë të dhënat për ata[6] .

Më 30 nëntor, 1985, Gjyqi policor i Ulqinit kishte dënuar Profesorin Bajram Briskun me 1,6 vjet burg të rëndë.

Më 19 mars, 1986, në Gjykatën e Qarkut të Manastirit në Maqedoni u dënuan:

1.       Qani Hani, me 13 vjet burg të rëndë

2.      Mersin Selmani, me 6 vjet burg të rëndë

3.      Gëzim Kaleci, me 7 vjet burg të rëndë

4.      Gani Shatri, me 5 vjet burg të rëndë

5.      Sylejman Hani, me 3 vjet burg të rëndë.

Më 26 maj 1986, në Gjykatën e Qarkut të Shkupit u dënuan këta veta:

1.       Bilall Sherifi, nga Tetova, me 15 vjet burg

2.      Fatmir Ibrahimi, nga Tetova, student, me 14 vjet burg

3.      Bajram Limani, student, me 12 vjet burg

4.      Pasho Maksuti, student, me 12 vjet burg

5.      Zeqir Emini, nga Kërçova, me 11 vjet burg

6.      Nuredin Bajrami, nga Zajazi, me 9 vjet burg

7.      Sefer Hyseni, student, me 8 vjet burg

8.      Veli Emini, student, me 8 vjet burg

9.      Afrim Ibrahimi, student, me 7 vjet burg

Më 9 korrik, 1986, në Gjykatën e Qarkut të Tivarit (Mali i Zi), u dënuan 6 shqiptarë:

1.       Ali Parasovi, me 13 vjet burg

2.      Hasan Parasovi, me 9 vjet burg

3.      Salë Markashevi, me 11 vjet burg

4.      Xhafer Markashevi, me 11 vjet burg

5.      Sylejman Cukovi, me 11 vjet burg

6.      Jusuf Bolevi, me 6 vjet burg

 

Reagon mërgata kosovare

 

Organizatat politike të mërgimtarëve në botë si Komiteti Kombëtar Demokratik “Shqipëria e Lirë” dhe “Lidhja Kosovare”, ishin shumë të shqetësuara për gjendjen dhe politikën anti shqiptare që po ushtronte Jugosllavia ndaj bashkëkombëseve të tyre. Këto organizata kishin protestua edhe më herët për situatën e rëndë të shqiptarëve në Jugosllavi, por vitet e mëvonshme ishin të padurueshme për ta, dhe mjaftonte vetëm një shkëndijë që të shpërthej populli i shumëvuajtur shqiptar.

Mërgimtarët tanë që vepronin jashtë atdheut, u mundonin me çdo mjet që të venin në dijeni opinionin e jashtëm mbi ngjarjet në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Ata rregullisht, nëpër mes shtypit të tyre botonin emrat e shqiptarëve të dënuar me grupe, emrat e atyre që vriteshin, ose emrat e atyre që vdisnin nga torturat, si dhe ngjarjet e tjera si mbylljen e shkollave, zhvillimin e dobët ekonomik dhe papunësinë e madhe që vinte vazhdimisht duke u shtuar.

 

“Thirrja” e Lidhjes Kosovare

 

Duhet përmendur “Thirrjen” që e kishte shkruar Organizata politike “Lidhja Kosovare” me rastin e pesë vjetorit të kryengritjes kosovare: 11 mars 1981-11 mars 1986.

“Thirrja” fillonte me këto fjalë:

Bashkatdhetarë!

Pesë vjet më parë, mbar Kosova ngriti krye.

U qua peshë rinia shqiptare anë e mbanë trojeve shqiptare, nëpër rrugët e qyteteve, në katunde, në shkolla e në fabrika. Shpërtheu kryengritja kudo. Zëri i tyre i fuqishëm ushtoi: “Mjaft! Jo ma shtypje! Jo ma vuajtje! Jo ma mjerim! Kërkojmë të drejta të barabarta, siç i gëzojnë kombet e tjera ! Duam që Kosova të shpallet Republikë! Duam që në gjirin e saj të përmblidhen të gjithë shqiptarët, prej Manastiri deri në Tivar.

Zërin e shqiptarëve nuk e dëgjoi Beogradi. Ai nuk humbi aspak kohë dhe e ktheu Kosovën në kasaphane... U derdh gjaku i shqiptari nëpër rrugët e Prishtinës, të Podujevës, të Mitrovicës, të Pejës, të Ferizajt, të Tetovës e Kërçovës, Gostivarit e Ulqinit dhe vende të tjera shqiptare.

Rinia Shqiptare u bëni ballë tankeve të shovinistëve të Beogradit me parzëm të kraharorit. Ajo nuk u përkul as nuk u zmbraps. Kanë rënë në fushën e nderit me dhjeta e me qind. Nuk dihet numri i tyre. Nuk iu njihen varret.

Me mija të tjerë janë dënua deri më 20 vjet burg të rëndë dhe edhe sot dergjen në qelia të errëta të Goli Otokut dhe në ishuj të tjerë të bregdetit dalmat.

Me mija të tjerë janë pushua nga puna dhe sot vuajnë edhe për kafshatën e bukës. Me mija të tjerë qeveria i ka detyrua me i braktisë vatrat shekullore dhe me shkua tej deti ose në shkretia të Anadollit.

Sot shqiptarët në Jugosllavi merren nëpër këmbë. Shtypen mizorisht e pa mëshirë.

Shqiptarë!

Shovinistët serbo-komunistë i shtypin sot shqiptarët, sepse nuk duan tu njohin të drejtat themelore, të cilat janë të caktuara prej Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara! Vëllezërit e motrat tona shtypen në trojet e tyre, sepse klika sunduese e Beogradit nuk donë ta shpalli Kosovën Republikë. Siç  e ka pranua vet shtypi jugosllav, sot në Kosovë nuk ka shtëpi, që të mos ketë një njeri në burg. Shkalla e jetesës është shumë e ulët se mesatarja jugosllave. Vetëm në Kosovë ka më shumë se 120 mijë veta pa punë- një njeri në çdo 15 vetë.

Racistët e Beogradit sot po e sulmojnë edhe historinë e shqiptarëve. Mundohen me e ulë poshtë vleftën e kryetrimave shqiptarë, siç janë Skënderbeu, Bajram Curri , Isa Buletini dhe shumë të tjerë. Kërkojnë t’ua mbyllin shkollat shqipe. Nuk i lejojnë të regjistrohen në Universitetin e Prishtinës. NË Maqedoni, ku gjendja e shqiptarëve  është edhe më e keqe, racistët po i shtrëngojnë shqiptarët me iu ndryshua emrat dhe me i shpërngul  në Turqi. Në Mal të Zi shqiptarëve po u ndalohet deri edhe përdorimi i gjuhës shqipe.

Vëllezër shqiptarë!

Mos i harroni Dëshmorët! Në zemra tuaja le të jetojë përherë kujtimi i Tyre! Mbani të gjallë amanetin e Tyre! Mos iu përkulni tiranit!

Lidhja Kosovare u bënë thirrje të gjithë shqiptarëve në mërgim: Le ta qojnë zërin lart, le të protestojmë kundër shfarosjes. Mos rrini në një anë, mos heshtni! Sot më shumë se kurrë duhet t’i tregojmë botës se sa kritike është gjendja e shqiptarëve në Jugosllavi! Duhet të kërkojmë me këmbëngulje që ndërgjegjja e botës së lirë të zgjohet dhe të drejtohet edhe kah Kosova! Kjo është një detyrë e shenjtë për çdo shqiptar. Me hesht sot, nuk është mëkat, është faj! Mos rrini në heshtje! Ngrite zërin lart!

Lidhja Kosovare

 

Pas thirrjes që e kishte shpërnda “Lidhja Kosovare, ajo mori edhe shumë nisma të tjera, që me anën e veprimtarëve të vet kishte shpërndarë edhe shumë letra udhëheqësve botëror duke i njoftuar për gjendjen e rënd që mbretëronte në Kosovë. Një letër të tillë, Lidhja Kosovare i kishte dërgua edhe kryetarit të shteteve të Bashkuara Z. Renald Reganit, të cilën e kishte nënshkrua Profesor Luan Gashi, Sekretar i Përgjithshëm dhe Zotëri Hafëz Jusuf Azemi, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Kosovare.

Po ashtu edhe numri i 122, kishte vazhdua që të trajtonte dhe të shkruante për ngjarje të ndryshme nga Kosova, Maqedonia dhe mali i Zi.

Siç e kam cekur edhe më herët, gazeta lajmëronte për numrin e të arrestuarve dhe të dënuarve në Gjykatat serbe anë e këndë Jugosllavisë. Është interesante se në shkrimin “Burgime dhe dënime”, ekziston edhe kjo e dhënë se Tadej Rodiqi, kishte shpall vetë se prej vitit 1981 deri më 1985, ishin dënuar me ndëshkime të rënda 17.000 shqiptarë në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi[7], porse cek gazeta, kryepolici kosovar nuk e përmend se janë të vrarë ose të vdekur nga torturat nga ana e policisë.

Në vazhdim po japim emrat e disa shqiptarëve që u dënuan nëpër gjykatat serbe jashtë Kosove.

Më 10 tetor, 1986, Gjykata e Koprit, në Slloveni kishte dënuar me 5 vjet e 2 muaj burg të rëndë djaloshin nga Prizreni, Ashim Badallajn,  i cili kishte vetëm 24 vjeç, i cili ishte arrestua në kufi duke u kthyer nga Zvicra, ku kishte qenë me punë të përkohshme.

Më 16 tetor, 1986, Gjykata e Qarkut në Tetovë kishte dënua këta persona :

1.       Ismail Meka, 21 vjeç

2.      Mehdi Dullovci, 18 vjeç

3.      Taip Murati, 26 vjeç

4.      Idriz Fetahu, 28 vjeç

 

Nga fundi i vitit 1986, shkruan gazeta se janë përjashtua nga PKJ 14 profesor shqiptar (të cilët janë ndëshkua përsëri më vonë), dhe 16 profesor shqiptar janë frikësua se do të burgosen poçes përkrahin kërkesat e studentëve. Shumë shqiptarë (student, mësues e të tjerë), janë frikësua se do të përjashtohen nga PKJ-ja. Pushtetarët jugosllav, kohëve të fundit kishin shpikur edhe një metodë të tmerrshme dhune duke iu ndaluar nxënësve që mos të vazhdonin shkollimin superior, siç kishte ndodhur me 175 student që i kishin përjashtuar fare nga fakulteti[8].

Ndodhin edhe këso rastesh, e që nuk janë të rralla, kur shqiptaret dalin nga burgu, por “ndodhë aksidentalisht”, dikush me ndonjë veturë apo kamion  e mbyt. Kështu i kishte ndodhur edhe Xhemal Islamit nga Gostivari, mbasi se e kishte përfunduar dënimin, del nga burgu, e më vonë vdiq në një “aksident”. Nja 10 miq të tij që kishin marr pjesë në varrim, i kishin pushua nga puna si mësues dhe i kishin kërcënuar se do i burgosin.

Në vazhdim të shkrimeve jepen edhe informacione për jetën e shqiptarëve në Maqedoni. Qeveria maqedonase ka marr një fushat kundër shqiptarëve dhe lindjeve të tyre, duke u munduar me lloj-lloj mjete me i pakësua ato. Në Maqedoni dhe në Jugosllavi, ka fillua një frikë e madhe nga sistemi si në kohën e Rankoviqit. Presioni vazhdon ndaj shqiptarëve duke shkuar aq larg sa po iu prishin edhe muret e oborreve, shkruante gazeta “rilindja”, më 12 dhjetor 1986, e cila theksonte se në Maqedoni brenda një dite u prishën 22 mure. Dhe kjo vlente vetëm për shtëpitë e shqiptarëve. Qëllimi i vetëm dhe i fundit i qeveritarëve ishte që sa më shumë shqiptarë të detyronin që të lëshonin trojet e veta.

 

Kroati Aleksander Tijaniqi dëshmonte

 

Gazetari kroat Aleksandër Tijaniq, në një intervistë që kishte pas dhënë për gazetën e Zagrebit “POLET”, me 26.10.1986, kishte thënë se gazetarët serbë po shpifin dhe po trillojnë kundër shqiptarëve, vetëm e vetëm që ti njollosin sa më shumë.

Ai theksonte se “Shtëpia e një shqiptari nga katundi i Batushë, është shembur dhe rrafshuar  krejt me tokë dhe familja e tij është detyrua që të flejë përjashta” dhe pyet ai, më tregoni se a ka shkrua ndonjë gazet e Beogradit. Unë shkrova për këtë padrejtësi, dhe partia më kritikoi” shton ai.

Sa për burgimet, dënimet  dhe vrasjet, gjendja është e dëshpëruar. Vetë e përkohshmja “DANAS” e Zagrebit shkruan se në Kosovë nuk ka shtëpi që nuk ka një njeri në burg. Enti Federativ i Statistikave kishte botua disa shifra: ndërmjet 1980 dhe 1984 vetëm në Kosovë janë dënua 17.256 shqiptar. Numrat flasin vet, thotë Aleksandër Tijaniq, edhe me gjithë këtë, serbët gjithnjë ankohen në Beograd se gjykatësit në Kosovë nuk po i dënojnë sa duhet  shqiptarët por iu mbajnë anën. Dërgojnë komisione  nga Beogradi për me i kontrollua veprimet e drejta apo jo të gjykatësve  kundër shqiptarëve,. Komisionet i kanë detyrua  gjykatoret të gjejnë dhe të hallakasin akte edhe gjykime  të vjetra, të hapin përsëri padinë të vjetra dhe t’i gjykojnë edhe një herë. Kështu kanë anulua kushedi se sa shitje që u janë bërë shqiptarëve nga serbët dhe shqiptarët  pasandaj i kanë dënuar dhe burgosur. Kjo është drejtësia kundrejt shqiptarëve  në tërë Jugosllavinë sot: Shqiptari atje nuk është nënshtetas me të drejta si serbët, por është i shkallës së dytë ose të tretë[9], thotë Aleksandër Tijaniq.

 

INFORMATA TË SHUMTA NGA KOSOVA E ROBËRUAR

 

Vazhdohet me botimin e informatave të cilat vijnë nga Kosova e robëruar edhe në numrin 123 të gazetës “Qindresa Shqiptare”. Ky numër duhet thënë se ka 19 faqe dhe që nga këto 13 faqe iu janë kushtuar gjendjes në Kosovë. Trajtohen tema kryesisht nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga pjesët tjera të Jugosllavisë ku dënohen shqiptarët.

Në këtë numër vend të veçantë zënë emrat e ushtarëve shqiptar të dënuar në gjykata të ndryshme ushtarake. Dy grupe shqiptarësh ushtar u dënuan gjatë vitit 1988, pa dhënë kurrfarë arsye nga organet kompetente. Grupi i parë që përbëhej prej 10 të rinjve u dënua në Shkup, ndërsa grupi i dytë i përbërë prej nëntë vetave u dënua në Nish. Procesi i grupit të fundit kishte zgjatur një javë duke filluar prej 21-28 janar dhe ishte mbyllur me këto dënime:

1.       Riza Gjakli, me 15 vjet burg

2.      Shefqet Paqarizi, me 15 vjet burg

3.      Abdyl Xhemil Alimani, me 14 vjet burg

4.      Afrim Mehmeti, me 10 vjet burg

5.      Pajazit Aliu, me 10 vjet burg

6.      Riza Ali Bashiq, me 7 vjet burg

7.      Ali Mali, me 7 vjet burg

8.      Enver Behluli, me 4 vjet burg

9.      Islam Mahmuti, me 2 vjet burg

Procesi i këtyre rekrutëve të rinj qëndronte kryesisht mbi gënjeshtra dhe intriga të krijuara nga asgjë prej persekutuesëve të tyre serbë e maqedonas.

 

NJË NUMËR I TËRË I”QËNDRESËS SHQIPTARE” I KUSHTOHEJ KOSOVËS

 

Numri  124, i gazetës “Qindresa Shqiptare” i kushtohej situatës politike në Kosovë. Gazeta fillon me artikullin “Drama Kosovare” duke u lëshua shkallëve të historisë, ajo trajton vendimet e konferencës së Londrës më 1913, luftërat e shqiptarëve për liri e pavarësi, Elaboratet e Vasa Qubrilloviqit, vrasjet e likuidimet e shqiptarëve gjatë vitit 1945, demonstrata e vitit 1968, 1981, ndërrimet kushtetuese të vitit 1974, e shumë tema tjera të rëndësishme për Kosovën dhe shqiptarët që kishin ngelur nën okupim pa dashjen e tyre.

Gazeta flet edhe për suprimimin e autonomisë së Kosovës në vitin 1989. Kur rreziku për cenimin e autonomisë ishte bërë më i dukshëm dhe më transparent, aty nga mbarimi i shkurtit të vitit 1989, atëherë, në minierën e Trepçës, 1.300 punëtor shqiptar kishin  nisur një grevë të pakufishme, 1.000 metra nën dhe, për të protestuar kundër zgjerimit të pushtetit serb në krahinën autonome të Kosovës. Ata kishin kërkuar menjëherë dorëheqjet e shqiptarëve Rrahman Morinës, agjent i policisë serbe, i emëruar prej Millosheviqit, pas përjashtimit të Azem Vllasit[10].

Me 27 shkurt, Kryesia e Jugosllavisë kishte urdhërua masa urgjente mbi tërë krahinën e Kosovës. Aeroplanët luftarak fluturuan dy herë mbi Prishtinë, ndërsa një kolonë automjetesh të ushtrisë u vu në lëvizje drejt minierës. Së Trepçës. Në Kosovë gjendja po shtrëngohej nga të dy anët, sepse i tërë populli shqiptar ishte tregua i vendosur për mbrojtjen e autonomisë. Atëherë kryesia e Jugosllavisë kishte marr qëndrim që të dërgonte forca speciale të policisë dhe të tjera njësi ushtarake të për ti shtrënguar shqiptarët që të binden.

Më 28 shkurt, greva e shqiptarëve kishte përfunduar mbas dorëheqjes së Rrahman Morinës, Ali Shukëris dhe Hysamedin Azemit, e që ishte vetëm një tradhti e madhe që iu bë atyre.

Me 1 mars, ishte dekretua shtetrrethimi për të gjithë krahinën e Kosovës. Lëvizja e trupave dhe e ushtrisë e policisë kishte ndalua qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve civile. Në Serbi edhe më tej vazhdonin demonstratat kërcënuese ndaj shqiptarëve me britma mburrjesh për Sllobodan Millosheviqin që kishte dalë si një ngadhënjimtar i ri për nacionalizmin serb.

Me 6 mars rifillojnë arrestimet me grupe. Një valë spastrimesh  përfshin më parë ish-përgjegjësit e PKK, me Azem Vllasin në krye. Pastaj arrestoheshin ushtarakët  shqiptar që shërbenin në Ushtrinë Jugosllave. Arrestohen 117 oficer dhe nënoficer shqiptar që dyshohej se bënin pjesë në lëvizjen e përgjithshme të Kosovës.

Më 23 mars, i ashtuquajturi “Parlament i Kosovës”, nën shtrëngimin e serbëve, “votoi”, rishikimin e Kushtetutës, për t’ia dhënë Serbisë të gjitha fuqitë mbi krahinën. Ky veprim i dobët e shtyri tërë popullin, burra e gra, në një manifestim të përgjithshëm: punëtor, student, nxënës shkollash, fëmijë të vegjël, u ndodhën së bashku përpara kërcënimeve të topave dhe bajonetave, pa pasur tjetër armë përveç gurëve.

Me 26e 27 mars, gjendja në Kosovë u acarua. Ndryshimet kushtetuese , që u miratuan prej Parlamentit të Republikës së Serbisë më 28 mars, i nxehën shpirtrat. Shqiptarët e panë se të drejtat e tyre elementare, kombëtare e kulturore po shkeleshin me këmbën serbe. Ata u hodhën nëpër rrugë si një trup i vetëm duke brohoritur: “kemi dhënë fjalën që të vdesim për Kosovën”;”Lëshojini shokët tanë që keni burgosur”; “Nuk pranojmë ndryshime kushtetuese të vitit 1974”; “Më mirë të vdekur se sa skllav”

Ky ferr kishte vazhdua gjerë më 31 mars, ndërmjet fuqive ushtarake të ndërlidhura, ultra-moderne dhe një popullsie civile të çarmatosur. Policia dhe ushtria hidhnin natën bomba me gazë helmues nëpër shtëpitë e shqiptarëve. Njerëzit arrestoheshin ose vriteshin  ditën e natën. Kufomat e të vrarëve i mblidhte policia ose ushtria nëpër karro të veçanta, pa dijeninë e familjarëve, dhe i zhdukte fshehtazi. Sipas shpalljeve zyrtare të Beogradit, ka pasur 29 të vrarë dhe disa të plagosur. Por, Beogradi edhe më 1981 shpallte zyrtarisht se kishte vetëm 11 të vrarë, kurse ato kalonin mijën nga ana e shqiptarëve. Në ngjarjet e fundit, sipas të dhënave që sjell gazeta “Qindresa Shqiptare” , ka mbi 1.000 të vrarë dhe më shumë se 600 prej të plagosurve që kanë vdekur sepse ishin të goditur me plumba dum-dum[11]

Gazeta shkruan se i kishin lajmëruar nga Kosova për grupe viktimash nëpër disa vende të ndryshme. Në katundin Zhur, kishte pasur 18 të vrarë brenda një dite prej policisë dhe ushtrisë. Në qytezën e Dragashit, ishin vrarë 28 persona shqiptar. Në qytetin e Deçanit, 23 të vrarë. Në Podujevë kishte pasur 32 të vrarë. Në Rahovec kishte 50 të vrarë, pa vënë në numër të plagosurit e tjerë që kishin vdekur më vonë. Në mesin e të vrarëve kishte gra dhe shumë fëmijë. Kishte dëshmi se 65 gra i kishin lidhur dhe i kishin burgosur nga fshati i Zhurit për në Prizren. Në Dibër, që ishte qytet në Maqedoni, ishin arrestua 25 shqiptar[12].

Shtypi dhe televizionet e tërë botës i kishin komentuar ditë për ditë ngjarjet e Kosovës, duke treguar agresionin serb dhe veprimet e armatosura kundër shqiptarëve. Mënyra e propagandës serbe për të fshehur numrin e viktimave nuk kishin sukses. Në botën e lirë u krijua opinioni pozitiv për viktimat- shqiptarët.

Bashkësia ndërkombëtare filloi të reagonte më dendur. Parlamenti Evropian e dënonte shtypjen e kosovarëve dhe kishte vendosur që të dërgonte një delegacion për të hetuar gjendjen në vend.

Ndërsa Kongresi Amerikan kishte paraqitur një rezolutë për të mbrojtur statutin e autonomisë së Kosovës.

Të mërguarit shqiptar, kudo që ndodheshin në botën e lirë ishin mobilizua që të reagonin si nëpër mes demonstratave që i organizonin para ambasadave jugosllave si: në Uashington, Njujork, në Paris, në Bruxel, në Australi. Kishin bërë thirrje për ndihmë kosovarëve nga e tërë bota, kishin botuar dhe shpërndarë trakte. Në Detroit kishin organizua një tubim të madh në përkujtim të viktimave të Kosovës. Pastaj kishin dërgua telegrame sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Z. Javier Peres de Cuellar, duke kërkuar ndërhyrjen e kësaj organizate për të shpëtuar popullsinë shqiptare nga një gjenocid i vërtet që po kryenin mbi të serbët dhe pushteti i Jugosllavisë.

Dhe krejt në fund dua të theksoi se organi kryesor informativ i Organizatës politike : Komiteti Kombëtar- Demokratik “Shqipëria e Lirë”, gazeta “Qindresa Shqiptare”, gjatë tërë kohës sa u botua, kishte luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet dhe angazhimet e bashkësisë ndërkombëtare, duke i sensibilizua ngjarjet politiko-shoqërore që ndodhnin në Jugosllavi dhe gjenocidin e shtypjen e paparë ndaj popullit shqiptar që kryenin pushtetarët jugosllav ndaj tyre. Gazeta informonte në mënyrë të drejt mërgimtarët tanë por edhe opinionin e gjerë ndërkombëtar duke e informuar për çdo gjë që ndodhte në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në veçanti. Se nga kjo gazetë dhe nga ata veprimtar të palodhshëm e trima , të pajisur me kulturë dhe atdhedashuri nuk reshtën asnjëherë për të punuar dhe për ta dashur shumë e më shumë atdheun e tyre të shtrenjtë.

 


[1] Ndjekjet nuk pushojnë kurrë, Qindresa Shqiptare, nr. 119, f. 5, Paris,1984.

[2] Në bazë të shkrimeve që i jepte gazeta “Qindresa Shqiptare” thuhej se vetëm prej 11 deri më 26 mars të vitit 1984,në Kosovë ishin burgosur më se 200 persona, ndër të cilët kishte fëmijë,pleq e gra. Këta sipas të dhënave ende nuk kishin dal para gjyqeve ku do iu shqiptohej dënimi, por mund të ndodhte edhe të dënohen pa gjyq fare.

[3] Dhetë vetë të tjerë dënohen në Kosovë, Qindresa Shqiptare, nr. 119, f. 8, Paris,1984.

[4] Një dërgat e kosovarëve asht pritë në Uashington, Qindresa Shqiptare, nr. 119, f. 11, Paris 1984.

[5] Le Monde, 14 maj, 1986, Paris

[6] Për arsye se së shpejti, do të dali nga shtypi libri “Të burgosurot politik shqiptar” 1945-1990, në këtë shkrim do I prezantoj vetëm emrat e të dënuarve që janë mbajtur jasht Kosove.

[7] Burgime dhe dënime, Qindresa Shqiptare, nr, 122, f. 9, Paris 1987

[8] Po aty, f. 10.

[9] Ndjekje të tjera, Qindresa Shqiptare, nr.122, f. 12, Paris 1987

[10] Reakcioni I kosovarëve, Qindresa Shqiptare, nr. 124, f. 4, Paris 1989

[11] Hyrja në veprim e fuqive të armatosura, Qindresa Shqiptare, nr. 124, f. 6. Paris 1989.

[12] Po aty, f. 6

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VII) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VI) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (V) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (III) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (II) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (I) Sabile Keçmezi-Basha: Lëvizja ilegale atdhetare në Mitrovicë e rrethinë 1945-1990 Sabile Keçmezi-Basha: Formimi i grupit të NDSH-së ‘’Balli Kombëtar’’ në Tugjec, më 1954 Sabile Keçmezi-Basha: Karikatura - si formë e rezistencës në ilegalen shqiptare Alban Dobruna: Kontributi i femrës në pavarësinë e Shqipërisë Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar e demokratik i programeve të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Sabile Keçmezi-Basha: Edhe gratë shqiptare në burgjet jugosllave Sabile Keçmezi-Basha: Omer Çerkezi dhe qëndresa e tij për çështjen kombëtare Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar i Lëvizjes Ilegale Shqiptare në Kosovë (1945-1990) Sabile Keçmezi-Basha: Revista ‘’Drita e Lirisë’’ dhe kontributi i saj në ilegalen shqiptare Sabile Keçmezi-Basha: Kujtojmë Atdhetarin e Madh - Ali Aliun Sabile Keçmezi-Basha: Reagimet e forcave kombëtare në Kosovë ndaj vendimeve të Kuvendit të Prizrenit (1945) Sabile Keçmezi-Basha: Formimi dhe veprimtaria e Organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë”

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora