E hene, 07.10.2024, 07:05 PM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (III)

E shtune, 24.12.2011, 02:02 PM


PËRPJEKJET E GAZETËS “PËRPJEKJA KOSOVARE” NË MËRGIM (III)

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

GAZETA “PËRPJEKJA KOSOVARE”, NR. 12. E BOTUAR MË 31 GUSHT 1964

 

Shumë vështirë ishte që të siguroheshin numrat e gazetës “Përpjekja Kosovare” që botohej jashtë Kosovës. Numrat e saj 3, 6 dhe 12  m’i ka huazuar Dr. Riza Sadiku, i cili merret me organizimin e shqiptarëve në mërgim, kryesisht që vepronin në SHBA. Dhe shfrytëzoi rastin që ta falënderoi përzemërsisht.

Poashtu edhe numri i dymbëdhjetë (12 ), i gazetës ka të njëjtin dizajn sikurse edhe numrat e më parëm, veç se tani faqet e gazetës janë të shtuara në 12 fletë të shkruara tekës dhe në të, temat me të cilën merren redaksia janë më të shumta dhe trajtohen dhe analizohen më gjerësisht. Ndërsa sa i përket autorësisë së shkrimeve, vazhdon e njëjta formë, pa emra, pa pseudonime dhe pa iniciale. Megjithëse, mendoi se kanë mundur bile të shënonin ndonjë pseudonim, për hir se sot kishte qenë më lehtë të deshifrohen autorët e shkrimeve. Por, mendoi se edhe rreziku ka qenë më i vogël për tu ndjekur dhe arrestuar, në krahasim me autorët e shkrimeve e gazetave që janë botuar ilegalisht në Kosovë.

“Përpjekja Kosovare”, nr. 12, një vëmendje të posaçme i kushton kryesisht lajmeve që vijën nga Kosova. Në të gjitha ato shkrime përfshihet terrori i ushtruar ndaj shqiptarëve, por edhe arrestimet e shumta që bëheshin ndaj tyre. Sipas të dhënave që sjell gazeta vijmë deri tek të dhënat alarmante se vetëm brenda 6-7 muajve në Kosovë thuhej se janë arrestuar mbi 2.000 veta. Të gjitha këto të dhëna dhe informacione përmblidhen në shkrimin “Lajme nga Kosova”, me një nëntitull lemeritë: “Një valë e re terrori dhe arrestimesh ka shpërthyer mbi popullin e Kosovës qysh nga pranvera e këtij viti: deri më sot ma se 2.000 të arrestuar”.

Në shkrim më tej thuhej se në natën e 6 qershorit, policia dhe UDB-eja kishin bastisur shtëpizat e shqiptarëve në të gjitha qytetet e Kosovës dhe kishte arrestua me qindra dhe persekutua me mija veta dhe kishte malltretuar popullsinë për rreth. Operacioni i arrestimeve informon gazeta se kishte vazhdua me ditë të tëra, dhe qysh se prej asaj kohe  ka vazhdua herë pas here dhe nuk ndalet. Sipas informatave që kishte sigurua mërgata, thuhej se  kishte arritur deri në 2.000 veta, persona shqiptar të arrestuar. Të arrestuarit ishin kryesisht intelektual në mesin e të cilëve kishte mësues, student dhe të tjerë, por kishte një numër të madh fshatarësh e punëtor.. Arrestimet kryesisht ishin kryer në qytete si: në Prishtinë, në Pejë, në Prizren, në Gjilan, në Gjakovë, në Vushtrri, në Podujevë e në Mitrovicë.

 

Kurora e luleve mbi varrin e mësuesit Shaban Shala, shkak për arrestime

 

Gazeta “Përpjekja Kosovare” vije në përfundim se arrestimet dhe përndjekjet ndaj shqiptarëve në Jugosllavi tani më janë bërë përditshmëri. Por, bënë pyetje Lidhja Kosovare, ç’i shtyri ata të zgjedhin këtë moment për t’u dhënë kosovarëve  një grusht kaq brutal sa edhe të papritur. Thuhet se autoritetet përdorën si shkak gjestin që disa nxënës  shqiptar kishin vu lule tek varri i një mësuesi shqiptar, Shaban Shala, i cili kishte qenë i arrestuar nga policia dhe kishte pas vdekur nga torturat më 13 prill, 1963[1]. Një gjë kaq e thjesht dhe aspak djallëzore, pushtetarët e interpretuan ndryshe duke thënë se ata kishin tentua të bënin demonstratë të madhe ndaj sistemit jugosllav.

Më vonë në shkrim, thuhej se “pa mare  parasysh se cila ka qenë vlera e këtyre preteksteve, e vërteta asht se arrestimet janë pjesë e një plani të kurdisur nga qeveria jugosllave me qëllim që me i zhdukë shqiptarët e Kosovës. Një pjesë tjetër janë reformat ekonomike, që po zbatohen në të gjithë Kosovën dhe që kanë për qëllim që të dëbojnë shqiptarët nga vendlindja e tyre dhe ti shpërndajnë anë e mbanë Jugosllavisë. Kooperativat bujqësore dhe fermat shtetërore po ja marrin tokat çdo ditë këtyre fshatarëve dhe po i braktisin si punëtor të thjeshtë. Fshatarët e fushës së Pejës për shembull janë dëbuar nga tokat e tyre, pse gjoja kjo fushë do t’u mbjellka rrepa sheqeri nga ndërmarrja shtetërore. Po këtë gjë e kanë bërë edhe fermat shtetërore me fshatarët shqiptar në fushën e Gjakovës, kurse malësoret e Rugovës, të cilët jetonin me shfrytëzimin e pyjeve, janë dëbua krejt nga fshatrat e tyre.[2] thuhej në gazetë.

Gazeta vazhdon se “edhe për punëtoret shqiptarë nuk ka punë në Kosovë, pse gjoja ata nuk janë të specializuar. Kështu për shembull, në fabrikat e Obiliqit, pranë Prishtinës, ku punojnë më tepër se 50.000 punëtor, nuk pranojnë asnjë shqiptar. Kurse shqiptarëve të Shkupit iu është mohua edhe leja me rindërtua shtëpitë e tyre të shkatërruara nga tërmeti i vitit të kaluar. Kjo edhe është një nga masat më barbare dhe më të tmerrshmet që autoritetet jugosllave kanë marrë kundër viktimave të tërmetit.[3]

Artikullshkruesi vije në konkludim se nga kjo del sheshit se vala e tashme e arrestimeve, që po vërshon mbi të gjithë popullsinë e Kosovës, është një pjesë e politikës jugosllave, që ka për qëllim zhdukjen e kësaj popullsie. Ç’do shkak shërben për të justifikuar këtë persekutim. Dhe nuk është fare e çuditshme, se këto ngjarje të këtij viti na kujton  vitin 1956, kur policia jugosllave, duke pretendua se kishte zbulua armë të fshehura, lëshoi mbi shqiptarët e Kosovës një valë terrori aq të rreptë sa që tërhoqi edhe vëmendjen e shtypit  ndërkombëtar. Shumë nga viktimat vdiqën nga torturat, të tjerët mbetën të gjymtë dhe disa vranë veten, që të shpëtonin nga duart e xhelatëve.

Edhe tani po ndodhë e njëjta gjë. Autoritete jugosllave me çdo kusht po mundohen që të fshehin krimet e tyre. Mirëpo, gjaku i shqiptarit të derdhur pafajsishtë, kërkon drejtësi përpara gjithë botës. Një pjesë e shtypit të huaj nuk ka mund të hesht përpara këtyre persekutimeve.

Gazeta i kërkon falje lexuesve që tani për tani nuk po mundet me dhënë një listë të personave të arrestuar dhe të persekutuar. Por ata besojnë thellë se të arrestuarit UDB-eja i ka dërgua në burgjet që ndodhen thellë në Serbi por, është e mundur se mund të ndodhen edhe në burgun e Pozharevcit.

Edhe pse pushtetarët e Jugosllavisë, të arrestuarit i akuzonin se kanë lidhje me pushtetin komunist të Tiranës, ata mendon se një gjë e tillë nuk është e vërtet ngase pushteti i Serbisë po mundohet kot që në këtë mënyrë të fsheh krimin që ka bërë ndaj tyre, duke iu hedhur hi syve bashkësisë ndërkombëtare. Më tej në gazetë thuhej se “ të gjithë e din se shqiptarët e Kosovës nuk e duan komunizmin, qoftë i Beogradit apo i Tiranës. Një nga personat më me rëndësi ndër të arrestuarit, shkrimtari Adem Demaqi[4], pat kalua katër vjet në burg vetëm pse kishte shkrua  romanin anti-komunist “Gjarpinjtë e gjakut”. Të tjerët si profesorë Mustafa Venhari[5], mësuesi Beqir Duraku[6], dhe Rahim Gashi[7], juristi Sabit Ratkoceri[8], gazetari Adem Beqiraj[9], studenti Zeqir Gërvalla[10], patrioti Ali Hoxha[11], Dilran Gashi[12] e të tjerë, të gjithë njihen për ndjenjat e tyre anti-komuniste[13].

Dhe shtrohet pyetja, poqese shqiptarët reagojnë nga ndonjë pakënaqësi, atëherë pushtetarët nuk duhet ndërmarr aksione terroriste e ndëshkues ndaj tyre por duhet kërkuar shkaqet e pakënaqësisë. Thuhej në fund të shkrimit.

 

Shtypi i huaj për persekutimet ndaj shqiptarëve

 

Për dhunën e terrorin që u ushtronte ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, shtypi i huaj nuk qëndroi duarkryq. Për të gjitha këto padrejtësi fal informimit të drejtë dhe të shpejt të mërgatës shqiptare reaguan edhe qendrat e njohura botërore. Duhet cekur se një vëmendje të posaçme kësaj fushate anti-shqiptare në faqet e veta i kushtoi edhe shtypi turk.

Në shkrimin “Shtypi turk shkruan mbi persekutimet e shqiptarëve të Kosovës””, thuhej se Fletorja e përditshme turke “Cumhuriyet” (Republika), në numrin e 15 korrikut 1964, jepte këtë shkak për valën e re të persekutimeve, që po vërshon sot mbi popullin e Kosovës. Duke shtuar se në muajin prill të vitit të kaluar, flamujt kombëtar shqiptar kishin qenë ngritur mbi ndërtesat publike dhe godinat në rrugët kryesore të shumë qyteteve  në Kosovë, si në Prishtinë, në Pejë, në Gjilan, në Llap dhe në Mitrovicë. Po në këtë kohë ishin parë edhe pllakate me këto fjalë me shkronja të mëdha: “Këto krahina janë të tonat”, “Largohuni prej këtu!, “Ato janë tonat si nga historia ashtu edhe nga realiteti i tashëm!”[14]

Në vazhdim shkruan gazeta se forcat e sigurimit kanë bërë shumë arrestime, sidomos në Prishtinë. Shumica e të arrestuarve  janë profesor, studentë, mësues, nëpunës të radios lokale, shkrimtar dhe bashkëpunëtor të gazetës “Rilindja”, që botohej në Prishtinë.

Në mesin e të burgosurve  është edhe  shkrimtari Adem Demaqi, profesori Mustafa Venhari nga Mitrovica dhe Ali Hoxha.

Operacionet policore, arrestimet dhe ndjekjet vazhdojnë edhe sot në të gjithë Kosovën. Deri më sot janë arrestua më tepër se  2.000 veta. Të burgosurit janë transportua me  mjete të ndryshme në krahina të largëta të Serbisë.[15]

Ndërsa gazeta tjetër turke “Sabah” (Mëngjesi), në numrin e 19 korrikut, 1964, po ashtu i kushton vëmendje arrestimeve të shqiptarëve të Kosovës duke njoftuar opinionin turk se : Në Prishtinë (radio), Komiteti “Lidhja Kosovare” shpall se në Kosovë vazhdojnë turbullira serioze. Nijazi Saraçoglu dhe Shaban Jilldirim u arrestuan në Prishtinë kur po kalonin nëpër Jugosllavi, duke u kthye nga Gjermania. Sipas disa lajmeve  të tjera komunikacionet me Mitrovicën, Pejën, Prizrenin, Gjilanin e Gjakovën janë ndërpre plotësisht. Në Prishtinë shkollat dhe ndërtesat publike janë rrethua nga policia. Nxitësi kryesor i tërë kësaj thuhej se është Adem Demaqi, i cili kishte botua  më 1958 romanin anti-komunist “Gjarpinjtë e gjakut”. Për këtë vepër ai edhe u dënua me katër vite burg deri më 1962”[16] shkruan gazeta “Sabah”.

 

Aktiviteti i dendur i “Lidhjes Kosovare” në arenën ndërkombëtare

 

Në gazetën “Përpjekja Kosovare”, veç ngjarjeve në Kosovë, opinioni i gjerë njoftohej edhe për veprimtarin dhe aktivitetin e mërgatës kosovare jashtë atdheut. Në dy faqe e gjysmë tekst njoftohej për pjesëmarrjen e Lidhjes Kosovare në kongresin 14-të të Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane.

Në faqen e katërt të kësaj gazete, në shkrimin “Komiteti “Lidhja Kosovare”, merr pjesë në Kongresin e 14-të të BFKEE”, në të cilin thuhej se për të vazhdua me përpjekjet për të bërë çështjen e Kosovës të njihej më mirë në Perëndim, me qëllim që me sigurua pakicës shqiptare të shtypur në Jugosllavi të drejtat si mbas Statutit të Kombeve të Bashkuara dhe Statutit Ndërkombëtar të Pakicave, Komiteti “Lidhja Kosovare” mori pjesë këtë vit në Kongresin e 14-të të BFKEE me një delegacion të plotë, të kryesuar nga z. Luan Gashi, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit.

Kongresi i 14-të ishte mbajtur në qytetin e vjetër dhe historik të Regensburgut në Bavari të Gjermanisë Perëndimore, dhe u përshëndet nga personalitetet të shtetit të Bavarisë dhe të qytetit. Ndërsa në fjalimin e tij kryetari i Lidhjes Kosovare, kishte përmendur disa probleme me rëndësi, me të cilat ishte marrë kryesia e organizatës gjatë viteve  qysh nga kongresi në Aosta të Italisë. Ndër këto, problemi i Kosovës nuk kishte ndryshua aspak, dhe një nga arsyet ishte  pse qeveria jugosllave kishte refuzua përsëri të lejojë një komision të organizatës me e studiua këtë çështje në Kosovë vetë.

Në raportin vjetor Sekretari i Përgjithshëm, z. Povl Skadegard, kishte theksua pengesën themelore, që ka asgjësua përpjekjet e organizatës me u ndihmua pakicave që përfaqësojnë. Kjo pengesë ishte bërë nga fakti se të gjitha organizata ndërkombëtare të tanishme, si Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Evropës, përmbahen nga shtetet dhe jo popuj, dhe se ligji ndërkombëtar, që rregullon punët e tyre, nuk lejon mundësin, që këtë përpjekje të japin përfundimet e duhura. Ai shtoi se për të pas sukses në të ardhmen, është e domosdoshme që ky ligj të ndryshohet. Kjo edhe ishte arsyeja kryesore pse përpjekjet e Bashkimit Federalist në lidhje me çështjen e Tirollit dhe problemin e Kosovës apo të Katalonëve nuk kanë pas suksesin që pritej. Me gjithë këtë, z. Skadegard theksoi se objektivi kryesor i Bashkimit Federalist nuk ka ndryshua dhe se përpjekjet do të vazhdojnë për një përmirësim. Evropa e nesërme mund të ndërtohet vetëm me bazë federale, ku të gjithë popujt, të mëdhenj e të vegjël, të jenë të lirë, të gëzojnë dhe të ushtrojnë të Drejtat e njeriut, duke përmbledhë edhe  të Drejtën e Vetëvendosjes.[17]

Në kongres, vazhdimisht sipas të dhënave për mbarëvajtjen e punës së kongresit, thuhej se këtij tubimi të madh i arritën shumë telegrame përshëndetjeje për punë të mbarë. Në mesin e telegrameve ishin më tepër se 12 telegrame  të dërguar nga Dr. Nexhat Mitrovica, kryetari “Lidhjes Kosovare”, dhe nga degët e tjera të Lidhjes që vepronin në ShBA, në Francë në Turqi dhe pjesë të tjera të botës së lirë.

Në seancën e pasdites, në mesin e shumë përfaqësuesve që raportonin për gjendjen e pakicave nga të cilave iu takonin. Në këtë seancë kishte marr fjalën edhe përfaqësuesi i delegacionit kosovar dhe kishte raportuar për popullin e Kosovës dhe për vetë këtë territor.

Në mes tjerash ai kishte raportua për gjendjen që atje ka ardhur duke u përkeqësuar që nga kongresi i kaluar. Kjo është shkaktua nga zbatimi  i statutit të ri të Jugosllavisë, i cili ka për objektiv me krijua  një shtet sllavë të vetëm ku të gjithë popujt e tashëm do të shkrihen në një komb të vetëm. Duke qenë më e madhja dhe më e shëndetshmja  raca jo sllave në këtë shtet, pakica shqiptare prej 1.500.000 vetash është bë viktima kryesore e fushatës së asimilimit, e cila ka për qëllim ta dobësojë fizikisht dhe kombëtarishtë, duke i shtrëngua  shqiptarët të shpërndahen anë e mbanë Jugosllavisë duke i zëvendësuar me serb e malazezë[18] thuhej në fjalën e përfaqësuesit të Lidhjes Kosovare.

Në vazhdim kryetari i Lidhjes Kosovare, tregoi edhe arsyet pse veprohej në këtë mënyrë me popullin shqiptar. E tërë kjo zhvillohej me një qëllim që sa më shumë fshatarë të futen në fermat kooperative dhe duke pushua nga puna shumë punëtor, Këta përbënin dy grupe. Grupi i parë ishte ata që formonin më shumë se 90% të popullsisë  shqiptare në Kosovë. Me këtë rast ai kishte theksua natyrën dalluese të politikës jugosllave, duke iu shpjegua  kongresit se qeveria jugosllave  po e zbaton  kolektivizimin vetëm në Kosovë, kurse në krahinat tjera  të saja e ka pezulluar krejtësisht.

Si gjithmonë që eksperimentet politike që bëheshin në Kosovë edhe kësaj here e kishin zgjedhë Kosovën si terrenin më të përshtatshëm për eksperimentimin e kolektivizimit, këtë e thoshin vetë udhëheqësit më të lartë të Jugosllavisë. Këtë e kishte deklarua vet Kardeli, se qeveria e Beogradit e ka zgjedhë Kosovën apostafat për të bë një eksperiment në kolektivizim. Duke zbatua ligje të “posaçme”, fshatarët kosovar humbin gjithë tokat dhe shtëpitë  e tyre dhe pastaj rekrutohen nga komisione shtetërore dhe dërgohen në qendra industriale të Kroacisë dhe të Sllovenisë. Në tokat e tyre  të braktisura vendosen me një herë me ndihmën e shtetit serb e malazezë. Këtë fat e pësojnë edhe punëtorët e Kosovës, të cilët pushohen, pse gjoja nuk janë të specializuar, dhe pastaj dërgohen në qendra të largëta të vendit ku shfrytëzohen pa mëshirë.[19]

Sipas statistikave  zyrtare jugosllave, i kishte njoftua delegacioni i Lidhjes Kosovare se, nga Kosova deri më tani janë dëbuar 89.000 shqiptarë nga Kosova dhe në vendin e tyre janë vendosur mbi 61.000 serbë e malazezë.

Po ashtu nën maskën e statutit të ri fushata e dallimeve raciale dhe e persekutimeve po zhvillohet me tërbim edhe kundër rinisë shqiptare të Kosovës. Autoritetet jugosllave janë duke mbyllur mjaft shkolla shqipe dhe duke iu mohua kësaj rinie mundësit e arsimit në shkallë të barabartë me elementin sllav, kështu që pakica shqiptare të mbes gjithmonë e shtypur dhe në errësirë.

Kryetari i delegacionit kosovar e mbylli raportin, duke theksua se kjo politik e cila shkel të drejtat themelore të njeriut, të drejtën e vetëvendosjes dhe të drejtat e pakicave bash në qendër të Evropës, në një kohë kur këto të drejta po u njihen popujve të Azisë dhe të Afrikës, është një zhvillim që i bije  ndesh procesit të integrimit të lirë ekonomik dhe politik në Evropën Perëndimore si edhe çlirimit racial anë e mbanë botës. Dhe për gjithë këto arsye kjo është një politikë, që duhet ndryshua nga rrënjët,[20] thuhej në fund të raportit.

Dhe pasi përfundoi fjalën, kryetari i delegacionit kosovar të pranishmëve iu drejtoi një lutje që kongresi të aprovojë me një zë, Rezolutën e “Lidhjes Kosovare”, e cila kërkonte që Qeverisë Jugosllave ti dërgohet një notë, që denoncon fushatën e dallimit racial kundër kosovarëve dhe që ngul këmbë që kësaj pakice ti akordohen po ato të drejta që gëzojnë pakicat e tjera Evropiane.

Në ditën e dytë në punimet e Kongresit, u shqyrtuan rezolutat e ndryshme, të cilat iu paraqitën kongresit për aprovim.. Rezoluta e “Lidhjes Kosovare” i u referua më në fund kryetarit  e sekretarit të përgjithshëm të Bashkimit Federalist, për të marr masat e përshtatshme .

Dhe duhet shtuar se Kongresi i 14-të i mbylli punimet me 14 qershor 1964 me një fjalim të shkurtër nga kryetari i organizatës, i cili theksoi edhe një herë se mënyra më e mirë se si me ndërtua një Evropë të nesërme, është duke fillua me popujt e mëdhenj e të vegjël, si njësi themelore, dhe me të drejtën e vetëvendosjes si ligjin themelor dhe të paprekshëm[21].

Kongresi i 14-të i BFKEE, “Lidhjes së Kosovarëve” i dha një rast të volitshëm me e bë çështjen e Kosovës të njohur edhe më mirë nga bota e lirë Perëndimore. Simpatia dhe përkrahja, që Kosova ka fitua, bashkë me parimet themelore, që drejtojnë punën e Bashkimit Federalist, janë një ndihmë e paçmueshme për Lidhjen Kosovare dhe luftën e saj me shpëtua shqiptarët e Kosovës nga vala e persekutimeve dhe e dallimit racial dhe me sigurua për të tëra të Drejta e Njeriut.

 

Propozimi i “Lidhjes Kosovare” në Kongresin e 14-të të BFKEE

 

 

Gazeta “Përpjekja Kosovare”, në vazhdim na prezanton Rezolutën, të cilën e kishte propozua Lidhja Kosovare, Kongresit të 14-të, të BFKEE.

Kongresi i 14-të i Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike të Evropës, i mbledhur në Regensburg të Gjermanisë Federale më 11-14 qershor 1964.

Mbasi u informua mbi gjendjen në Kosovë nga raporti i paraqitur në Kongres prej delegacionit të “Lidhjes Kosovare”

Mbasi u informua se letra, që Kryetari i Bashkimit Federalist i kishte drejtua Qeverisë Jugosllave, ku i kërkonte leje me dërgua në Kosovë një Komision hetues, ka mbetur deri më sot pa përgjigje.

Duke marrë parasysh se përdorimi i Kosovarëve nga autoritetet jugosllave asht krejt në kundërshtim me të drejtat e Njeriut, me traktatet e tashme ndërkombëtare për pakicat, si dhe me Statutin e Bashkimit Federalist.

Dhe duke marr parasysh në mënyrë të veçantë, se dëbimi i Kosovarëve nga Kosova dhe dërgimi i tyre në Krahina të tjera të Jugosllavisë e dëmton shumë rëndë këtë pakicë.

Mori në konsideratë  propozimet e Rezolutës, që ka parashtruar delegacioni i “Lidhjes Kosovare”.

Vendos ti bëjë apel Qeverisë Jugosllave t’u japi fund dallimeve kombëtare, gjuhësore dhe kulturore kundër Kosovarëve, të respektojnë personalitetin  e kësaj pakice dhe ti akordojë po ato të drejta, që gëzojnë sot popujt e tjerë të shtetit jugosllav, dhe në mënyrë të veçantë proteston kundër këtyre dëbimeve sistematike të shqiptarëve nga Kosova dhe zëvendësimit të tyre me elementin sllav, dhe kërkon nga qeveria jugosllave ta pres këtë proces dhe të krijojë në zonën e Kosovës konditat e nevojshme ekonomike, kështu që pakica shqiptare atje të mundi me gjet punë brenda zonës për një nivel jetese normale[22]., thuhej në Rezolutën e propozuar nga “Lidhja Kosovare”

 

Referati që paraqiti “Lidhja Kosovare” në Kongresin e 14-të të BFKEE

 

Në katër faqe të gazetës “Përpjekja Kosovare”, jepet për lexuesit referati i tërsishëm i “Lidhjes Kosovare” që është lexuar para pjesëmarrësve të Kongresit.

Kryetari i “Lidhjes Kosovare” të pranishmëve iu drejtohet me Z. Kryetar, Zonja e Zotërinj,

Gjatë vitit që kaloi qysh nga Kongresi i Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane, në Aosta gjendja e pakicës shqiptare në Jugosllavi ka ardhur duke u keqësua shumë shpejt. Kjo do të ndodhte me doemos nga shkaku i zbatimit plot dallime të Statutit të Ri të Shtetit Jugosllav, qëllimi i të cilit është me krijua një shtet të vetëm, ku popujt e që e përbëjnë ta humbin identitetin e tyre kombëtar dhe të shkrihen në kazanin sllav. Sikurse e mbani në mend edhe ju, gjatë Kongresit në Flensburg, dy vjet më parë, delegacioni kosovar shfaqi në raportin e tij frikën se Statuti i ri, për të cilën po bëheshin bisedime qysh atëherë në Jugosllavi, ishte sajua si armë e re e regjimit, për të asimilua të gjitha pakicat jo-sllave, edhe se, kur të zbatohej, do të drejtohej kryesisht kundër pakicës shqiptare, duke shtua terrorin, masat shtypëse dhe vuajtjen. Sot po ju tregojmë se ç’ju thamë në Kongresin e fundit në Aosta, kanë dalë krejt ashtu si ja patëm frikën.

Si grup etnik më i madhi dhe më i ngjeshur që jeton brenda  kufijve të këtij shteti, kjo pakicë prej 1.500.000 frymësh po vuan dhe po shtyp tash nga një veprim sistematik për të asimilua. Duke i lanë pakicat e tjera  të qeta, autoritetet jugosllave kanë fillua dhe po ndjekin me energji një fushatë çnjerëzore të shumë anshme dallimi kundër kosovarëve. I vetmi qëllim i kësaj fushate është që ta shtrëngoi këtë popull të humb identitetin e tij kombëtar, të cilin e ka ruajt gjatë shekujve.

Kjo fushat po përdor tash metoda të reja, duke e prekë pakicën në çdo sektor të jetës së saj. Këta aktivitete ju i njihni fare mirë, me qenë se delegacioni kosovarë është përpjekë gjithmonë ta lajmojë kongresin për ngjarjet që kanë të bëjnë me fatin e vëllezërve tanë të shtypur në Jugosllavi. Mirëpo, këtë vjet veprimi i shtypjes ka shkua shumë larg, duke shtuar vuajtjet dhe mjerimin  me një vrull të ri. Të gjitha këto po ndodhin në mes të një Evrope të qytetëruar dhe në kundërshtim të plotë me veprimin e bashkimit të Lirë, ekonomik dhe politik, që po zhvillohet sot me paqe në pjesën perëndimore të saj.

Qëllimi  imediat i kësaj fushate  shtypjeje është me dobësua grumbullimin gjeografik dhe njësinë kombëtare të kësaj pakice., duke i shtrëngua shqiptarët e Kosovës që të shpërndahen në të katër anët e Jugosllavisë dhe duke ua zënë vendin me kolon sllavë, që dërgohen në Kosovë nga vise të tjera të shtetit jugosllav[23]. Kjo është taktik e vjetër, që regjimi i mëparshëm i Beogradit pat përdorur për të zhdukë këtë pakicë. Puna se regjimi i tashëm është duke përdorë të njëjtat metoda çnjerëzore nën mbulesën e të ashtuquajturës “politik ndriçuese të  kombësive” tregon se kjo politikë ka dështua këmbë e krye edhe e ven regjimin në kundërshtim të plotë me zhvillimet raciale që po e ndryshojnë nga themeli strukturën shoqërore të botës së sotme.

Por, ajo që bënë këtë fushat veçanërisht të rrezikshme është puna se po zbatohet me anë të metodave  të reja dhe të përmirësuara të cilat janë përdorë më parë në vendet të tjera  të kampit komunist dhe po përkrahen nga një terror i pamëshirshëm.

Me statutin e ri veprimi i dallimit sistematik dhe të pamëshirshëm është zgjerua dhe është bërë edhe më i rreptë. Ndër viktimat e para dhe kryesore të kësaj politike  kanë qenë nxënësit e shkollave. Qysh prej qershorit të vitit 1963 janë pushua nga puna edhe disa qindra arsimtar, të cilët janë detyruar ose të hyjnë në punë pa rëndësi ose të shkojnë si punëtor të thjesht nëpër fabrika dhe miniera. Shumë shkolla fillore dhe të mesme janë mbyllur ose janë shkrirë në shkolla serbe, me këtë mënyrë shkollat, ku gjuha shqipe është gjuha e parë, janë sot shumë më pak se sa  10 vjet më parë dhe nuk përfaqësojnë aspak përpjesëtimin e madh të popullsisë shqiptare të Kosovës[24]. Ndërkaq, dyert e institucioneve  arsimore të larta po u mbyllen dal nga dal studentëve shqiptar, kjo po bëhet duke pakua numrin e bursave për këtë pakicë; me fjalë të tjera  brezi i ri kosovar shtrëngohet të mbes në errësirë dhe mbrapa elementit sllav në lëmin e kulturës. Kjo bahet duke shlye nga tekste shkollore gjithçka që u kujton shqiptarëve këtë histori dhe që u vlen për të ruajtur identitetin dhe bashkimin e tyre si një komb jo-sllav që janë.

Viktima e dytë e kësaj fushate është grupi fare i vogël i nëpunësve  të shtetit si në administratën krahinore ashtu edhe në administratën federale. Një numër shumë i madh arsimtarësh i kanë pushua nga puna mbase zgjedhjeve të qershorit 1963, kështu që ky grup është zhdukë krejt- aq sa sot edhe në viset, ku elementi shqiptar përbënë më tepër se 90% të popullsisë, aparati administrativ është krejt në duar e sllavëve. Sa për organet e sigurimit, këta kanë qenë gjithmonë, dhe vazhdojnë të jenë, nën kontrollin e sllavëve.

Por, me Statutin e ri, grupet ma të persekutuar ajanë katundarët dhe punëtorët e thjeshtë, të cilët së bashku formonin përmbi 90% të pakicës shqiptare dhe i japin fuqi fizike dhe unitetin etnik, me të cilat ajo ka kalua më tepër se një furtunë në të kaluarën. Fushata kundër tyre po bëhej me dy mjete: Me kolektivizimin e detyrueshëm kundër katundarëve dhe me dëbimin nga puna kundër punëtorëve.

Dihet tashmë prej gjithë botës (dhe regjimi vetë nuk e ka përgënjeshtrua këtë), se bujqësia në Jugosllavi është kthye tash në sektorin privat, për arsye se kolektivizimi nuk ka dhënë përfundime që priteshin. Mirëpo, këtu ka një përjashtim të vetëm: zona e Kosovës. Në këtë zonë  fushata e kolektivizimit po zbatohej me shumë vrull. Kjo masë dallimi, drejtua me qëllim kundër pakicës shqiptare, u pohua nga vetë Kardeli, dijetar i teorisë dhe krijues kryesor i planeve të regjimit. Ky shembull tash vonë se Kosova ishte zgjedhur me qëllim nga qeveria e Beogradit për shkak se ai e quajti “një eksperiment në kolektivizim[25]”; ai shtoi, pa caktua ndonjë datë të caktuar, se  po të ketë sukses, ky eksperiment do të zbatohej edhe në vise të tjera të Jugosllavisë. Mënyra sistematike dhe e pashpirt e zbatimit të këtij plani nxjerr në shesh  lakuriq qëllimin e vërtetë të “eksperimentit”; me i shtrëngua katundarët shqiptar të braktisin tokat e tyre dhe pastaj me i dërgua si “krah pune të lirë” në zonat industriale të shtetit, për t’i zhdukë në mes të shumicës sllave.

Në referat cekej edhe kjo se regjimi po mundohej t’ia mbërrijë këtij qëllimi, duke përdor këto armë: e para, zbatimin arbitrar të të ashtuquajtur “ligj të posaçëm” të cilat i shtrëngojnë katundarët të hyjnë në ferma kolektive  të kontrolluara nga sllavet. E dyta, caktimi në mënyrë djallëzore të çmimeve të prodhimeve bujqësore, të kuotave të dorëzimit të detyrueshëm, të qirave të makinerisë bujqësore dhe të rrogave  të personelit teknik që fermat duhet të kenë, si dhe të taksave  mbi çdo gjë katundarët kosovarë mund të shitshin. Merret me mend se mbas një kohe të shkurtër viktimat e kësaj fushate sistematike bënin gjithçka, me tokë dhe me shtëpi. Mbas kësaj fillon faza e dytë e këtij veprimi: katundarët e ç’pronësuar  rekrutohen nga komisione të posaçme edhe dërgohen nëpër qendra të largëta industriale të Sllovenisë dhe të Kroacisë si punëtor krahu. Edhe, po në këtë kohë, vendosen kolon sllavë (serbë e malazezë), me ndihmën e shtetit  në tokat e braktisura nga familjet shqiptare.

Problemi i punëtorëve ne fabrika është më i thjesht: nën pretekstin se janë të pa aftë dhe se u mungon specializimi këta dëbohen nga puna me shumicë, dërgohen gjoja në kurse specializimi, pasandaj rekrutohen nga komisionet shtetërore dhe transponohen në qendra industriale të largëta. Këto metoda e kanë pakua përqindjen e punëtorëve  shqiptar në më pak se 25% edhe në ato krahina ku elementi shqiptar formon ma se 80% të popullatës. Ky presion fizik pasohet me masa dallimi ekonomik: edhe në qendrat e reja ku dërgohen punëtorët shqiptar bëjnë punët më të rënda me pagesa të ulëta. Sipas burimeve zyrtare, një punëtor shqiptar paguhet mesatarisht prej 7.000 deri në 8.000 dinar në muaj për një punë, për të cilën një punëtor sllav paguhet prej 15.000 deri në 16.000 mijë dinarë.[26]

Një tjetër faqe dëshpëruese  e gjendjes së kësaj popullate është fakti se ajo nuk ka asnjë të drejte të ankohet, pranë autoriteteve  jugosllave apo pranë ndonjë organizate ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Këshilli Evropian. Qoftë në nivelin federal apo në atë krahinor, përfaqësuesit e kësaj pakice janë shumë më pak se sa duhet të ishin në bazë të popullsisë. Por edhe këta të pakt zgjidhen me kujdes midis elementeve më servil ndaj regjimit. Përveç këtyre,  organet e sigurimit kujdesen që kjo fushatë të zbatohet pa ndonjë pengesë, duke përdorur kundër popullatës  kosovare të gjitha armët, që ka në dorë një shtet komunist si: frikësime, burgime dhe tortura. Deri edhe me e quajt veten shqiptar quhet nga policia si një akt kundër statutit të ri dhe dënohet si zyrtarisht ashtu edhe me mënyrë të tjera. Agjentët provokator të paguar bëjnë punën e tyre, në mes të popullatës shqiptare, duke spiunua dhe duke raportua pranë autoriteteve çdo element kundërshtar.

 

Shqiptarët nuk lejoheshin të hynin në hotele e restorante

 

Edhe në nivelin shoqëror shqiptar janë viktima dalluese nga ana e elementit sllav. Ata ndalohen shpesh herë të hyjnë në hotele, restorante apo vende dëfrimi dhe përbuzën, si një racë më e ultë[27], si e theksoi edhe Zotëri. P. Moulton Mayer, gjatë një vizite që bëri në Kosovë dy vite më parë.

Sipas burimeve zyrtare përfundimi i këtyre masave ka qenë se deri më sot 89.000 shqiptar janë shtrëngua  të shpërndahen anë e këndë Jugosllavisë dhe vendin e tyre e kanë zënë 61.000 serbë e malazezë. Ky fakt është pohua nga dy organe zyrtare të qeverisë jugosllave: Tanjug me 9 nëntor 1963, dhe 7 shkurt 1964, dhe Rilindja ( e përjavshme në gjuhën shqipe), më 24 maj 1963 dhe 7 qershor 1963. Përveç kësaj, është theksua  zyrtarisht se fushata do të zgjerohet pa marrë parasysh tronditjen që po i shkakton jo vetëm pakicës shqiptare por edhe krejt ekonomisë së Kosovës.

Kjo ishte pra gjendja të cilën e paraqitët Lidhja Kosovare për shqiptarët që jetonin në Kosovë dhe e ardhmja e tyre imediate. Të dyja janë shumë të zymta. Qëllimi i kësaj fushate, bazua mbi Statutin e ri të shtetit jugosllav, është me e zgjidhë problemin e Kosovës, duke shkombëtarizua 1.500.000 frymë dhe duke kolonizua  vendin me elementin sllavë. Që një shkelje e tillë e të drejtave themelore të njeriut, e të drejtës së vetëvendosjes së popujve dhe të drejtave të pakicave të ndodhura në mes të Evropës, në një kohë kur këto të drejta po u jepen popujve ë Azi dhe në Afrikë, është një punë që shkon kundër procesit normal të evolucionit shoqëror e politik të këtij kontinenti. Dhe si e tillë duhet të ndalohet dhe të ndryshohet nga rrënja.

Problemi që ka shkaktua ky dallim etnik i kryer me paramendim, duhet të trondit si Bashkimin Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane ashtu edhe ndërgjegjen e Evropës Perëndimore,prej nga janë shumica e delegatëve në këtë kongres. Ky problem është një mohim i konceptit të dinjitetit njerëzor, mbi të cilën bazohej puna e kësaj organizate. Shkurt, ky është një problem të cilit Bashkimi Federalist nuk ka se si ti shmanget. Duke u përpjekur ti gjejë këtij problemi një zgjidhje njerëzore dhe objektive, delegacioni i “Lidhjes Kosovare” i bënë një thirrje këtij kongresi të aprovoi njëzëri rezolutën cila kërkon që Qeverisë jugosllave ti dërgohet një notë, që denoncon këtë fushatë sistematike të shkombëtarizimit kundër pakicës shqiptare, dhe kërkon ti jepen kësaj pakice po ato të drejta, që gëzojnë edhe pakicat e tjera të Evropës.

E çmojmë se problemi i Kosovës është një nga problemet më të vështira, që kjo organizatë ka përballua deri më sot. Mirëpo, vlera dhe prestigji i saj mund të rriten vetëm duke iu përvesh këtyre problemeve me vendosmëri dhe taktin e duhur dhe duke u qëndrua besnik parimeve themelore, që e frymëzojnë.

Delegacioni i “Lidhjes Kosovare”,i është mirënjohës Bashkimit Federalist për kuptimin e treguam dhe ndihmën e dhanë, si edhe popullit dhe qeverisë së Gjermanisë Federale për bashkëpunimin e tyre dhe pritjen e mirë që na kanë dhënë të gjithëve.[28] Dhe krejt në fund duhet thënë se referati i përfaqësuesit nga “Lidhja Kosovare” u prit me duartrokitje të shumta nga të pranishmit.

 

 



[1] Lajme nga Kosova, Përpjekja Kosovare, nr. 12.  f. 2. 1964. Në megrim.

[2] Po aty.

[3] Po aty, f. 3.

[4] Adem Demaqi

[5] Mustafa Venhari

[6] Beqir Duraku

[7] Rahim Gashi

[8] Sabit Ratkoceri

[9] Adem Beqiraj

[10] Zeqir Gërvalla

[11] Ali Hoxha

[12] Dilran Gashi

[13] Lajme nga Kosova, Përpjekja Kosovare, nr. 12. f. 3. 1964.

[14] Shtypi turk shkruan mbi persekutimet e shqiptarëve të Kosovës, Përpjekja Kosovare, nr. 12. f. 3.  1964.

[15] Gazeta turke “Cumhuriyet”, 15 korrik, 1964

[16] Gazeta turke “Sabah” , 19 korrik, 1964.

[17] Komiteti “lidhja Kosovare” merr pjesë në Kongresin e 14-të të BFKEE, Përpjekja Kosovare, nr. 12. f. 5. 1964.

[18] Po aty.

[19] Po aty.

[20] Po aty, f. 6.

[21] Po aty.

[22] Rezolut, parashtrue nga Komiteti “Lidhja Kosovare”, Përpjekja Kosovare, nr. 12. f. 7. 1964

[23] Kongresi I 14-të I BFKEE, 1964, Përpjekja Kosovare, nr. 12.  1964

[24] Po aty.

[25] Referati I Lidhjes Kosovare I lexuar në Kongresin e 14-të të BFKEE, më 19

[26] Po aty, f. 10

[27] Po aty, 10.

[28] Po aty f. 11



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (II) Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (I) Sabile Keçmezi-Basha: Lëvizja atdhetare në Anamoravë dhe poeti Beqir Musliu Sabile Keçmezi-Basha: Josif Bageri dhe karakteri kombëtar i gazetës ''Shqypeja e Shqypenis'' Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VIII) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VII) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VI) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (V) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (III) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (II) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (I) Sabile Keçmezi-Basha: Lëvizja ilegale atdhetare në Mitrovicë e rrethinë 1945-1990 Sabile Keçmezi-Basha: Formimi i grupit të NDSH-së ‘’Balli Kombëtar’’ në Tugjec, më 1954 Sabile Keçmezi-Basha: Karikatura - si formë e rezistencës në ilegalen shqiptare Alban Dobruna: Kontributi i femrës në pavarësinë e Shqipërisë Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar e demokratik i programeve të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Sabile Keçmezi-Basha: Edhe gratë shqiptare në burgjet jugosllave Sabile Keçmezi-Basha: Omer Çerkezi dhe qëndresa e tij për çështjen kombëtare Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut”

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora