Speciale » Basha
Sabile Basha: Një dokument ''Top Sekret'' për reagimet ndërkombëtare të demonstratave në Kosovë më 1981
E diele, 10.11.2019, 03:48 PM
NJË DOKUMENT “TOP SEKRET”, PËR REAGIMET NDËRKOMBËTARE TË DEMONSTRATAVE NË KOSOVË 1981
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Duke shfletuar,
hulumtuar dhe studiuar dokumentet e periudhës më të re të Kosovës, me theks të
veçantë demonstratat e vitit 1981, në shumë kuti të arkivit hasa materiale të
cilat flitnin për informimin që bënte KQ i LKJ-së lidhur me demonstratat. Më
tërhoqi vëmendjen një informatë që në fillim të saj shkruante “Top sekret”,
andaj kureshtja prej hulumtuesi ishte edhe më e madhe.
Demonstratat studentore 1981
Duhet shtuar se,
Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 e të tjerat në vijim, nuk ishin rastësi
në historikun tonë. Ato ishin një vazhdim i luftës së shqiptarëve që ishin nën
okupimin jugosllav dhe që me vite e vite kishin luftua për liri dhe të drejta
kombëtare e politike. Megjithatë, demonstratat e atij viti, duke i krahasuar me demonstratat e vitit
1968, ishin një dëshmi e qartë për rritjen e shkallës së pjekurisë e të
vetëdijes politike të shqiptarëve. Është një fakt i pamohueshëm se demonstratat
fillimisht (11 mars) u kërkua ndryshimi dhe përmirësimi i situatës ekonomike,
si dhe zgjerimi i të drejtave dhe lirive
politike. Lufta për ndryshimin e gjendjes ekonomike e politike të popullit
shqiptar u sintetizua në kërkesën “Kosova-Republikë” që synonte të ndryshonte
pozitën kushtetuese të Kosovës dhe të mbarë popullsisë shqiptare në Jugosllavi
në kuadër të federatës.
Programi i Demonstratave 1981
Ndërsa sa i
përket Programit të Demonstratave të 1981, dihej se, që nga Lidhja Shqiptare e
Prizrenit (1878), në botën shqiptare ekzistonte një program kombëtar i ruajtjes
së tërësisë së atdheut, dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin
hartuar gjithë programet e Lëvizjes Kombëtare në vijim, kërkesa këto, që
vazhduan të prezantohen edhe në programet e lëvizjes ilegale, në vitet e
mëvonshme, por edhe të Demonstratave të vitit të madh.
Duhet thënë se
Programi i demonstratave, ishin vetë kërkesat që u paraqitën në to e që nuk
dallonin nga ato të demonstratave të 1968, dhe nga programet e shumta të
organizatave ilegale që vepronin në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në
ish-Jugosllavi.
Kushtetuta e
vitit 1974 nuk ishte dëshirë e pushtetarëve por ishte rezultat dhe sukses i
Lëvizje kombëtare që përjetoi nivelin më
të lartë organizativ me 1968 dhe ngritjes së nivelit politik (kjo ngritje duhet
të merret si ngritje në kuadër të procesit e jo si rritje e aspiratës),
sepse, deri në këtë kohë, shqiptarët në kërkesat e tyre politike ishin
shprehur vetëm për bashkim kombëtarë e jo për ndonjë ngritje të statusit
në Shtetin e Jugosllavisë.
Të gjitha programet e organizatave ilegale shqiptare kishin karakter
kombëtar
Duhet theksuar
se, edhe brenda organizatave politike të kohës kishte dallime rreth artikulimit
programor, se cila ishte platforma më e mundshme dhe më e përshtatshme që duhej
të përdorej për rrethanat e kohës, për të ardhur deri te një strategji e
përbashkët e veprimit.
Programet,
platformat dhe synimet e tyre ishin thjesht të karakterit kombëtar dhe qëllimi
suprem i të gjitha atyre ishte mëvetësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Dallimet
konsistonin në atë se si duhej t’i qaseshin zgjidhjes së çështjes kombëtare,
ngase veprimtaret e ilegales asnjëherë në qëndrimet e tyre nuk ishin statike,
por varësisht prej rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, krijonin edhe
qëndrimet e tyre. Këtë të dhënë më së miri e dëshmon evoluimi i qëndrimeve
rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës në situata të caktuara, që do i paraqes,
të përmbledhura në tre opsione si:
1. Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me
Shqipërinë;
2. Bashkimi i të
gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe nën
3. Republika e Kosovës.
Kërkesa për
Republikë, për kohën ishte më e përshtatshmja ngase prapa kësaj qëndronte
kërkesa për bashkim kombëtar.
Demonstratat e 11 marsit të vitit
1981 nuk kishin vetëm kërkesa të karakterit social por edhe politik. Por, duhej
të vinte dita e 26 marsit, që gjithçka të bëhej saktësisht e ditur se çfarë
donin dhe çfarë kërkonin shqiptarët në Kosovë.
Me 26 mars, u shpalos haptas programi i demonstratave me krye kërkesën për Kosovën-Republikë, dhe për të drejtat politike të shqiptarëve në Kosovë. Këto kërkesa, që u afishuan edhe në ngjarjet e 1 e 2 prillit e më vonë, do të ishin programi, boshti dhe themeli vertebror i Demonstratave të vitit 1981. Demonstratat e vitit 1981 do të konsiderohen se ishin demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore.
Prej parullave që u shpalosen në këto
demonstrata, veçojmë: “Vdekje armikut - Liri popullit”, “Kosova-Republikë”,
“Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Trepça punon, Beogradi
ndërton” e të tjera si këto, ku shihet dukurish se kërkesat e demonstruesve
ishin politike, kombëtare e social-ekonomike, të cilat burimin e kishin dhe, në
mënyrë eksplicite paraqitnin programin e tyre politik të cilat siç u pa i dëshmoi dhe i rezistuan
kohës. Kërkesa më e rëndësishme, në të vërtet kërkesa historike e këtyre
demonstratave ishte kërkesa që shqiptarëve
t’u njihet e drejta e popullit shtet krijues, e drejta që shqiptarët në Kosovë
dhe në trevat e tjera me shumicë shqiptare të kenë republikën e tyre, siç i
kishin popujt e tjerë në Jugosllavi.
Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë, 2 prill 1981
Më 2 prill 1981,
Beogradi kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi
qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në
vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në
universitet. Mbylli konviktet e
studentëve dhe
të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të
Kosovës. Megjithëkëtë, po atë ditë, në Prishtinë tërë ditën kishin vazhduar
demonstratat masive të shqiptarëve. Po atë ditë, demonstratat u organizuan edhe
në Podujevë, në Gjilan, në Vushtrri dhe në Mitrovicë. Më 30 prill vazhduan në
Ferizaj, në Viti, përsëri vazhduan në Vushtrri dhe në Mitrovicë. Më 30 prill u organizuan demonstrata edhe në
Deçan e në Istog. Me demonstrata u vazhdua përsëri në Prishtinë edhe me 18 maj
1981.
Mbyllet mësimi në Universitet dhe shkolla të Kosovës
Pas kësaj, organet e pushtetit dhjetë ditë para afatit urdhëruan përfundimin e ligjëratave në Universitetin e Prishtinës. U ndërpre qarkullimi i postës dhe të gjitha lidhjet telefonike. Patrullat e policisë dhe ato ushtarake kontrollonin të gjithë kalimtarët dhe automjetet në komunikacion. Kështu, Kosovën e izoluan nga pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, duke bërë përpjekje që ta shkëpusnin edhe nga bota.
Edhe pse
opinioni ndërkombëtar këto demonstrata i kishte cilësua paqësore, edhe pse këto
demonstrata kishin karakter demokratik e kombëtar, në Kosovë nga çdo republikë
jugosllave vërshuan njësi të shumta policësh dhe ushtarakësh. Kundër
demonstruesve duarthatë u përdorën:
bomba me gaz lotsjellës, shkopinjtë gome e kërbaçë, gazra helmuese kimike, armë
zjarri, tanke, helikopter, autoblinda, aeroplan luftarakë, bile-bile edhe të
tipit MIG-21”. Në Demonstrata pati të vrarë e të plagosur, të arrestuar e të
arratisur jashtë atdheut. Gati një brez i tërë në forma të ndryshme
gjenocidi u flijua në altarin e shenjët të atdheut.
Statistikat e të dënuarve ishin jo të sakta
Statistikat e të dënuarve në Kosovë asnjëherë nuk ishin të sakta. Ajo ndërronte nga momenti në moment, dënoheshin studentët që ishin pjesëmarrës të demonstratave, dënoheshin profesorët e tyre, ngase kishin përkrahur kërkesën “Kosova-Republikë”. Këtë më së miri e dëshmon rasti i profesorit Ukshin Hotit, për fatin e të cilit nuk dihet edhe sot. Dënoheshin qytetarët e zakonshëm pse u kishin dhënë ndihmë studentëve dhe pse i kishin strehuar ata. Dënoheshin nënat, pse mbronin bijtë dhe bijat e veta dhe, në fund , dënoheshin edhe fëmijët. Dënoheshin edhe ushtarët shqiptar kudo që ndodheshin.
Nuk kurseheshin as mërgimtarët
Në vazhdën e dënimeve dhe të përndjekjeve nuk u kursyen as fshatrat e viseve më të thella të Kosovës, e as fshatarët e pafajshëm, siç ishte rasti i vëllezërve Tahir e Nebih Meha nga Prekazi i Drenicës. Shqiptarët për këto ngjarje ndiqeshin edhe jashtë kufirit. Rasti më makabër ishte likuidimi i atdhetarëve: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri e shumë të tjerëve. Vrasjet dhe mizoritë ndaj shqiptarëve nuk kishin të ndalur. Ato vazhduan deri në vitet e fundit të shekullit XX. Më 11 janar 1984, po ashtu, vriten dy të rinj atdhetar: Rexhep Mala e Nuhi Berisha. E këta nuk ishin të vetmit.
Duhet thënë edhe këtë se Demonstratat e vitit 81 nuk e avancuan statusin e Krahinës së Kosovës në kuadër të ish federatës Jugosllave, por çështjen kombëtare e avancuan shumë e dukshëm. Këto ngjarje bënë një rrotullim kopernikan në vetëdijen e popullit shqiptarë të Kosovës dhe të botës demokratike. Me këto ngjarje u bë një revolucion në kokat e shqiptarëve, ata njëherë e përgjithmonë u shkëputen nga ndikimet për integrimin e tyre në Jugosllavi. Demonstratat e vitit 1981 nga shumë studiues u quajtën edhe Revolucion kombëtarë, sepse objektivi kryesor ishte liria kombëtare nga zgjedha skllavëruese .
Jehona e demonstratave në arenën ndërkombëtare
Demonstratat shqiptare të vitit 1981 patën jehonë dhe rrezatim të madh politik ndërkombëtar. Parulla e asaj pranvere të vitit ‘81 “Republikë, kushtetutë –ja me hatër ja me luftë”, paralajmëroi se për një qëllim të tillë, nëse paraqitet nevoja, edhe do të luftohet. Ishte kjo dëshmi e një sinjalizimi qysh atëherë pararendës të një bërthame të kësaj force, që me emrin UÇK, (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), do të shfaqet në momentin më të duhur historik, për të mbrojtur popullin, po ashtu edhe tokatë e robëruara shqiptare, që ishte përpjekje dhe dëshirë brezash të gjakosur shekuj me radhë.
DOKUMENTI “TOP SEKRET” PËR INFORMIMIN NDËRKOMBËTAR TË DEMONSTRATAVE 1981
Sipas dokumentit
të KQ i LKJ-së, sektori për informim dhe propagandë, Grupi për propagandë
ndërkombëtare, me numër 2407/II nr. Top sekret, nr. 18/22, Beograd, 12.04.
1981. Është interesant se gjatë tërë dokumentit Komitetit Qendror i LKJ-së,
demonstratat studentore të vitit 1981, askund dhe në asnjë vend nuk i quan me
këtë emër por i quan ngjarje të Kosovës, e arsyeja dihet. Pushteti jugosllav në
çdo mënyrë donte që të minimizoj demonstratat duke mos i quajtur me emrin e
vërtet por duke i ç’vleftësuar dhe duke i
deformuar opinionin e gjerë se në Kosovë po ndodhin “disa ngjarje” por
assesi demonstrata të një karakteri masovik të popullit shqiptar gjithandej ku
jetonin ata. E vërteta ishte krejt ndryshe, bota e qytetëruar demonstratat i
kishte quajtur demonstratat paqësore por
pushteti kishte ndërmarr masa të dhunshme ndaj demonstruesve paqësor. Bile
është ironike kur grupi për propagandë
ndërkombëtare, informatën e dhënë e quan “Informat analitike”, e në vazhdim do
të shohim se sa është analitike informata e lëshuar nga grupi.
Informatë analitike
Për reagimet ndërkombëtare të ngjarjeve në Kosovë
Grupi për
informim informatën e lëshuar e fillon me këtë “Ngjarjet në Kosovë , në botë
janë trajtuar si prova shumë serioze për
stabilitetin në Jugosllavi në “periudhën postitiste”.Ky vlerësim ka ardhur deri
tek një përshtatje taktike të paraqitjes propagandistike të njërit dhe bllokut tjetër.
Ndarja e trendëve propaganduese
Grupi i informimit me një mjeshtri tekanjoze propagandën në shtetet perëndimore e ndanë në këtë mënyrë: “Në propagandën perëndimore me këtë rast çart ndahen dy trende propaganduese: Njëra e cila vazhdon me politikën deklarative zyrtare të marrëdhënieve miqësore ndaj Jugosllavisë dhe tjetra që është e kundërta e saj. Në propagandën perëndimore, të cilat edhe më herët kanë ardhur deri te ndarja e roleve në paraqitjen ndaj Jugosllavisë (sidomos pas ngjarjeve në Poloni), ngjarjet në Kosovë edhe më tepër kanë theksuar këtë diferencim.
Në perëndim është karakteristike, se duke i
përcjell interesat e blloqeve, kanë dashur të provokojnë në lindje konfrontime
propaganduese rreth Jugosllavisë (e cila ishte mjaft e shprehur gjatë kohës së
sëmundjes së kryetarit Tito), por lindja këtë radhë në këtë nuk kishte reagua.
Nevoja për të
marr masa energjike nga ana e jonë për hir të normalizimit të gjendjes në
Kosovë nuk vihej në dyshim. Megjithatë në disa rrethe të caktuara të botës janë
munduar që ngjarjet në Kosovë ti shfrytëzonin për diskreditimin e Jugosllavisë
në pozicionin ndërkombëtar.
Reagimet e
vendeve të pa inkuadruara për ngjarjet në Kosovë ishin skajshmërisht të
kufizuara dhe informatat ishin shumë të kujdesshme.
Gazetat kineze kishin reaguar pozitivisht duke i bazuar informacionet e
tyre, në burimet tona.
Në kuadër të
blloqeve globale, qasja propaganduese e disa vendeve komshi ngjarjet në Kosovë
i trajtonin në raport me interesat e tyre (të brendshme- politike dhe të
sigurisë). Në këtë kuptim paraqitja propaganduese e vendeve fqinje kishte pësuar
pak a shumë ndryshime.
Propaganda
shqiptare pa dyshim kishte zbuluar qëllimet kryesore strategjike të politikës
shqiptare: nga sulmet e mëhershme
ideologjike kishte kaluar në përzierje
të hapur të punëve të brendshme të Jugosllavisë dhe kishte shprehur hapur
pretendimet e përhershme territoriale për shumë pjesë të vendit tonë.
Analizat që bënin shtetet perëndimore për Demonstratat e vitit 1981, sipas
Beogradit
Në dokumentin
“Top sekret”, në vazhdim thuhej se: “Në analizat e komentet e perëndimorëve ngjarjet
në Kosovë, sipas rregullave ishin vu në kontekst të situatës së përgjithshme në
Jugosllavi, në Ballkan e më gjerë. U përsëritën, lidhur me këtë spekulimet e
vjetra për ardhmërinë e Jugosllavisë “pas Titos” dhe në shumë implikime të ngjarjeve në Kosovë në marrëdhëniet e
blloqeve në regjionin ballkanik. Duke e
lidhur situatën politike me atë
ekonomike në vendin tonë, gazetat perëndimore i shikonin ngjarjet në Kosovë dhe
kishin ndërmarr masa në Krahinë si test vetanak të fuqisë dhe stabiliteti në Jugosllavi.
Një pjesë e propagandës perëndimore spekulonte
për unitetin dhe efikasitetin e udhëheqjes kolektive duke e vu në
pyetje aftësinë ton që në suazat e
sistemit ekzistues të kalohen vështirësitë. Në disa qarqe ishte vlerësuar sa që
ngjarjet në Kosovë seriozisht e kishin trandur
stabilitetin në Jugosllavi, dhe kishin thënë se gjëja se “vetëm armata
jugosllave e kishte tejkalua këtë
“test”, ndërsa Lidhja e Komunistëve, sistemi i Mbrojtjes Popullore dhe
Policia e Jugosllavisë kishin dështuar . Merrni me mend si vlerësohet
intervenimi i policisë jugosllave në Kosovë si “i dështuar”, kur dihej se me
qindra shqiptar u vran mu nga kjo polici, e mija të tjerë u arrestuan.
Qëndrimet e perëndimorëve për qasjen në demonstratat e vitit 1981, sipas KQ
të LKJ-së
Në qasjen e
ngjarjeve në Kosovë propaganda perëndimore nuk hiqte dorë nga drejtimi kryesor
strategjik, ( për “tërheqje”Jugosllavin vetes duke i ofruar zgjidhjen e vet, jo
vetëm për situatën në Kosovë, por edhe për probleme të tjera), por në këtë
drejtim vëreheshin dy qëndrime të ndryshme.
Qëndrimi amerikan dhe britanik sipas grupit për informim
Kështu që
propagandën amerikane e britanike e karakterizonte qëndrimi politik zyrtar i proklamuar ndaj
Jugosllavisë, duke e theksuar se Jugosllavia ka forca që këtë problem ta zgjidhë. Sipas toneve
të shkruara shtypi amerikan mund të thuhet se gazetarëve të tyre iu ishte tërhequr
vërejtja që në informatat e tyre propaganduese të jenë korrekt dhe të mos e
irritojnë anën jugosllave. Kjo shihet
edhe në marrëdhëniet e ashpra të
pushtetit amerikan ndaj terroristëve ustashë në SHBA dhe publicitetit në shtyp dhe të grupit terrorist të dënuar,
në Newyork. Njëkohësisht, vërehet edhe kjo se në kuptimin pozitiv kishte ndryshuar edhe
mënyra e raportimit për dënimin e nacionalistëve kroat në Zagreb: me këtë rast
nuk ngritët çështja e “të drejtave të njeriut”.
Shtypi Britanik,
edhe pse kishte informim korrekt për Kosovën( spekulime të njohura paraqiten në
mënyrë sporadike dhe me tone të buta), angazhohet që Jugosllavisë të mos i
rëndohet gjendja e tanishme politike e
ekonomike, me krijimin e problemeve në
raport me EEZ (kritikohej vetoja e Irlandës dhe Francës në shtimin e madh të
bartjes së mishit nga Jugosllavia në vendet e EEZ).
Një paraqitje e
tillë propaganduese nga shtypi amerikan dhe anglez përputhej me interesat
e proklamuara zyrtare të këtyre
vendeve që Jugosllavia të mbetet e këtillë siç ishte dhe se, kufijtë
në Ballkan mos të ndryshohen. Brenga e tyre dukej në paragjykimet se ngjarjet
në Kosovë munden me marrë dimension ndërkombëtar dhe Bashkimi Sovjetik këtë
mund të shfrytëzojë. Lidhur me këtë, në numër të madh të gazetave perëndimore
theksohej se në kohët e fundit po rritet
këmbimi i mallrave në mes Bashkimit
Sovjetik dhe SFRJ-së dhe varësia ekonomike
e Jugosllavisë mund të ketë reperkusione serioze në politikën e saj të
pavarur.
“Interneshënell Herild Trubjun” thekson se “Bashkimi Sovjetik qëndron prapa
ngjarjeve në Kosovë”
Në “rrezikun sovjetik” sidomos tërheqë vërejtjen shtypi i të djathtës greke, e cila pas hyrjes së Greqisë në NATO, u bë eksponent i fuqishëm “natoist” i pasqyrimeve në rajonin e Ballkanit. Kështu që pas manovrave të paktit NATO në Greqi (në fillim të marsit para se të fillonin demonstratat në Kosovë), kishte lajmëruar (një skenar të mundshëm) për fillimin e Luftës së III Botërore. Sipas këtij skenari, shpërthimi i kësaj pakënaqësie në Kosovë do të sjelli deri tek konflikti në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Sovjetët do i shkonin në ndihmë Tiranës, Bullgaria do e okuponte Maqedoninë, ndërsa jugosllavët do të thërrasin në ndihmë perëndimin. Karakteristike është se “Interneshënell Herild Trubjun” (Sulcberger) mu në Athinë “ka ardhur deri të të dhënat” se “Bashkimi Sovjetik qëndron prapa ngjarjeve në Kosovë”.
Përkrah Greqisë,
edhe shtypi i shumë vendeve të perëndimit shkruan se Shqipëria ka pretendime territoriale dhe kjo paraqet
rrezik real për paqen në Ballkan dhe më gjerë. Në këtë kontekst një pjesë e
shtypit perëndimor gjen shpjegim përse Kosova nuk mundet me qenë republikë,
duke theksuar se kjo qon drejtpërdrejt deri tek bashkimi i Kosovës me
Shqipërinë që më vonë kishte me pasur pasoja të paimagjinueshme në raport me
forcat në këtë rajon.
Shtypi suedezë për demonstratat
Është interesante
që gazetat suedeze, të cilat më herët u lëshonin në shkrime tendencioze ndaj
Jugosllavisë, në mënyrë “korrekte” thuhej në informatë se informonin për
ngjarjet në Kosovës. “Kjo është se para së gjithash që tek qytetarët tanë në
Suedi të jenë në mënyrë objektive të informuar për situatën ashtu çfarë ishte në të vërtet në Kosovë, dhe
në mënyrë të vendosur ti kundërvihen demonstratave antijugosllave të
emigracionit shqiptar e ustash”.
Në Austri, Belgjik e Zvicër por edhe në Itali, sipas dokumentit informoheshin
në mënyrë “jo korrekte”
Në shtypin e Austrisë, Belgjikës, Zvicrës (në gjuhën gjermane), në Itali (gazeta e djathta), vinin në shprehje tendenca e jo korrektësisë, bile kishte edhe shkrime keqdashëse për ngjarjet në Kosovë dhe situatën politike në Jugosllavi. Një pjesë e shtypit belg sidomos gjatë muajit prill i kishte kushtua publicitet qëndrimit antijugosllav ndaj shqiptarëve në emigracion, ndërsa në Zvicër gjatë muajit maj vinte në shprehje marrëdhënia tolerante ndaj aksionet që bënte emigracioni shqiptar ndaj Jugosllavisë. Fitohet përshtypja se gjatë kësaj periudhe kishte ardhur deri tek një koordinim i aktivitetit antijugosllav në këto vende.
Ngjarjet në
Kosovë u shfrytëzuan në shtypin e këtyre shteteve si shkak për ripërtëritjen e spekulimeve për shkatërrimin e domosdoshëm të
Jugosllavisë pas vdekjes së Titos.
Lidhur me këtë ishte insistuar hapur në tezën e jo efikasitetit të
sistemit socialist vetëqeverisës dhe udhëheqjes kolektive, të cilat sipas
vlerësimeve të këtij shtypi, nuk mundet
të zgjidhen problemet e ndërlikuara ekonomike dhe marrëdhëniet ndërnacionale
tepër të acaruara. Sulmohej Lidhja
Komuniste për shkak të “ngufatjes së lirisë”, “ ndjenja nacionale” dhe për
shkak të thellimit të “ndarjeve në mes të ideologjisë zyrtare dhe zhvillimit të
shoqërisë në RSFJ”. Kjo pjesë e shtypit,
theksohej se kërkesat e nacionalistëve shqiptarë në Kosovë ishin të
arsyeshme , si dhe është i arsyeshëm edhe përkrahja që e jep shteti shqiptarë-Shqipëria. Në
pjesën tjetër të shtypit të Gjermanisë Perëndimore, të Austrisë, të Zvicrës u
pranuan qëndrimet e Shqipërisë (duke bërë thirrje në dokumente historike nga
1943,44 dhe 45) se shqiptarët në Kosovë “janë mashtruar” dhe “iu kanë bashkuar”
Serbisë. Sipas tyre dhënia e statusit të Republikës- Kosovës, është e vetmja
alternativë. Në shtypin austriak dhe në bazë të interesit vetanak lidhur me
pakicat u lançua teza se është krejt e
natyrshme interesimi i Shqipërisë për “pakicat “ e veta në Kosovë, sikurse
Jugosllavia që “jashtëzakonisht shumë merakoset” për “pakicat” e veta në
Austri.
Lidhur me
spekulimin e shpalljes Kosova- Republikë, spekulohej se në udhëheqjen
jugosllave ekzistojnë dy rryma , njëra e cila angazhohej për në “dorë të fortë”
e tjetra angazhohej për gjetjen e një
zgjidhjeje tjetër politike. Sipas vlerësimit të shtypit perëndimor,
momentalisht mbretëron politika e “dorës së fortë”.
Ngjarjet në
Kosovë këto mjete të informimit (sidomos ajo gjermano- perëndimore), e
shfrytëzuan dhe e vërtetonin se në Jugosllavi nuk është e zgjidhur çështja
nacionale. Në këtë kontekst përmendet edhe
“çështja maqedone dhe ajo kroate”, si dhe asimilimi i hungarezëve në Vojvodinë. Thuhej se qytetarëve bullgar në
Jugosllavi nuk iu lejohet që të shprehin haptas përkatësin nacionale (citohen
tezat e Cole Dragojqeva se kombi maqedon nuk ekziston). Gjykimet e
nacionalistëve kroat në Zagreb u shfrytëzuan për ilustrim të tezave se edhe nacionalitetet tjera në Jugosllavi
nuk guxojnë që të shprehin ndjenjat nacionale. Si fajtori kryesor për “këtë
gjendje të këtillë”, akuzohet “shovinizmi serbomadh” dhe “imponimi i ideve
jugosllave”kombeve e kombësive të tjera.
Trajtimi i demonstratave nga Partitë Komuniste në shtetet perëndimore
Ngjarjet në
Kosovë dhe situata politiko-ekonomike në Jugosllavi në përgjithësi, disa gazeta
perëndimore e lidhnin me pakënaqësitë në Poloni dhe nxirrnin përfundime se në
përgjithësi socializmi është në krizë.
Propaganda
perëndimore i zinte për të madhe Jugosllavisë për mungesën e
informacioneve për Kosovën, e sidomos për
ndalimin e vizitave gazetarëve të huaj për Kosovë, dhe pastaj iu imputua se Jugosllavia në këtë drejtim nuk i plotëson obligimet
ndaj deklaratës së Helsinkit.
Shtypi perëndimor i partive komuniste kishte qasje
diferencuese ndaj ngjarjeve në Kosovë. Në
mënyrë korrekte dhe objektive shkruanin e ndaheshin gazetat e Partisë Komuniste
Italiane (“Unita”, dhe “Rinashita”) dhe ato greke (“Avgi”). Në të kundërtën e tyre, gazetat
norvegjeze dhe suedeze të parive marksiste-leniniste si dhe ato italiane ultra
të majta, revista “Manifesti” shkruan për sulmet e Shqipërisë ndaj
Jugosllavisë.
Simptomatike është edhe gazeta e Partisë Komuniste Greke për të huajt (“Rizopastis”) i përcillte opinionit sulmet shqiptare ndaj Jugosllavisë. Lidhur me të “Avgi” polemizonte me “Rizospastisom” për qëndrim të njëanshëm dhe jo objektiv paraqitjen e ngjarjeve në Kosovë.
Fletushka e
Partisë Komuniste belge “Drapo ruzh” në
kohën e kampanjës antijugosllave dhe në shtypin tjetër belg (e cila gjerësisht jepte deklaratat dhe qëndrimet e emigracionit
shqiptar) në mënyrë korrekte raportonte për ngjarjet. Gazeta e Partisë
Komuniste franceze “Ymanite” për
ngjarjet në Kosovë, informonte kryesisht nga lajmet që jepte AFP dhe TANJUG,
duke mos i prezantuar komentimet e veta. Nuk janë regjistruar shkrimet e
organit të Partisë Komuniste spanjolle “Mundo brero” gjithashtu edhe të fletushkës prosovjetike të Partisë
Komuniste të Austrisë “Folkshtime”.
Karakteristikat e shtypit perëndimor sipas dokumentit
Karakteristikat
fillestare që dominuan në propagandën perëndimore ishin: vetëpërmbajtja,
selektiviteti, paraqitja faktografike në bazë të burimeve jugosllave, mungesa e
komentimeve të tyre etj. Nga ky trend
dallojnë: Hungaria (informonte në mënyrë shteruese për anët negative të situatës politike në Jugosllavi), Polonia
(pas Hungarisë publicitet të gjerë i jepte anëve negative të vendit tonë) dhe
Rumania ( nuk kishte dhënë asnjë informatë për ngjarjet në Kosovë).
Në paraqitje të
tillë propagandistike- taktike të lagerit, veçanërisht në ndarjen e roleve ,
sigurisht se kishin ndikua ngjarjet në Poloni dhe frika se ata në formën më të
rëndë mos të reflektojnë në kushtet e
brendshme politike të disa vendeve në llager.
Kjo sidomos
vinte në shprehje në propagandën hungareze e cila u mundonte që tek opinioni i
brendshëm të ngadalësojë bërjen e sistemit socialist vetëqeverisës dhe mënyrën
e zgjidhjes së problemit nacional në Jugosllavi.
Për shtetet
tjera të llagerit, me pak dallime nga
Polonia, karakteristike ishin këto motive në konceptin e propagandës ndaj
Jugosllavisë. Llageri nuk donte që të irritonte Jugosllavinë, dhe në asnjë
mënyrë që të bënte lidhje me ngjarjet në Kosovë.
U bënë tentime
që të fitohet përshtypja “për miqësi të
sinqertë” të bashkësisë socialiste ndaj Jugosllavisë; u eliminuan theksimet e
dukurive negative në vendin tonë se në atë mënyrë “do të dëmtohet Jugosllavia
dhe socializmi në përgjithësi”;
Duke pasur
parasysh Hungarinë dhe Poloninë, roli i Shqipërisë në ngjarjet e Kosovës nuk u
apostrofua se llageri, duke mbajtur “qëndrim neutral”, donte të linte hapësirë
për ndonjë afri eventuale të Shqipërisë me llagerin.
Në bisedat
interne tek evroperendimoret, biseduesit kishin theksuar arsyetimin tek
“qëndrimi i fortë dhe i vendosur ndaj kontrarevolucionit. Interesante është
se gazetaret evroperendimorë, në
Jugosllavi nuk treguan asnjë interes dhe
as nuk komentuan ngjarjet në Kosovë. Karakteristike është se nuk treguan asnjë
interes për organizimin e ndonjë vizite të gazetarëve në Kosovës dhe në çdo
mënyrë u mundonin që këtë temë ta lënë në planin e dytë.
Shtypi i Bashkimit Sovjetik për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë
Shtypi
Sovjetik për ngjarjet në Kosovë vazhdonte me trendin e përmbajtur dhe
informimit faktografik i kushtonte vëmendje. Shtypi Sovjetik kishte publikuar
vetëm gjashtë informata lidhur me ngjarjet në Kosovë të cilat i kishin
publikuar të gjitha gazetat qendrore të Rusisë.
Informatat për demonstratat në Kosovë, kryesisht bazoheshin në deklaratat e udhëheqësve të lartë shtetëror e partiak jugosllav dhe në shkrimet e gazetave jugosllave. Ndërsa të vetmet tone polemizuese ishin paraqitur në kritikën e “Pravdës” drejtuar shkrimit të Tesliqit në “Borbë” (në të cilën barazoheshin dy blloqet” dhe indirekt vinte në lidhje ngjarjet e Kosovës).
Shtypi Sovjetik gjithashtu informonte opinionin e gjerë rusë se aktiviteti kontrarrevolucionar është i organizuar nga ana e agjenturave të huaja. Megjithatë, në asnjë tekst nuk thuhej se është e përzier Shqipëria; përmendet vetëm se Jugosllavia i ka dërgua notë protestuese Shqipërisë me rastin e sulmit në Ambasadën jugosllave në Tiranë. Indikativë është se Radio-Moska në gjuhën shqipe ka publikuar tekstin të cilën vërtetohet se njëherë edhe Shqipëria e ka forcua pavarësinë nacionale me ndihmën e Bashkimit Sovjetik. Karakteristike është se Bashkimi Sovjetik në asnjë moment nuk e akuzon perëndimin për ndërhyrje eventuale në ngjarjet e Kosovës, dhe as se në Perëndim janë toleruar demonstratat antijugosllave, çka do të thotë se ishte në pajtueshmëri me eskalimin e propagandës Ruse.
Komentimi i demonstratave në Kosovë nga shtypi hungarez
Ngjarjeve në Kosovë iu dha publicitet i madh në mjetet e informimit në Hungari (që sipas Beogradit ishte edhe më i madhi në vendet e lindjes). Informimi i shtypit hungarez, edhe pse në shikim të parë dukej objektiv thuhej në dokument, në të vërtetë ishte tendencioz. Ishin nxjerr citate të gjata nga deklarimet e politikanëve jugosllav, ishin harrua shumë të dhëna të rëndësishme nga informatat r Tanjugg-ut, dhe në bazë të kësaj u krijonte një fotografi jo e mirë dhe jo reale për vështirësitë që ballafaqohej Jugosllavia ( një mënyrë e tillë e informimit për ngjarjet në Kosovë u përputhte me “serinë e zezë , të shkruara për dukuri negative në zhvillimin tonë), mbyllej citati.
Karakteristike është se në analizën e
shkaqeve dhe të organizimeve të pakënaqësisë në Kosovë shtypi hungarez
theksonte se shkaktar është “Organizata Komuniste Marksiste –Leniniste e
Shqiptarëve në Jugosllavi”. Gjithashtu në shumë informata Republikën e Shqipërisë e lidhnin në mënyrë
direkt me ngjarjet në Krahinë. Shtypi hungarez informonte edhe për demonstratat
antijugosllave në Zvicër dhe në Suedi
duke theksuar aksionet e punëtorëve jugosllavë që pengonin armiqtë në provokime
(e këto shkrime nuk ishin korrekte me sipas dokumentit, shënim Sabile K.
Basha).
Shtypi shqiptar për demonstratat studentore të vitit 1981
Për marrëdhëniet
jugosllave-shqiptare gjithashtu është shkruar në mënyrë intensive nga Grupi për
informim pran KQ të LKJ-së. Parimisht paraqiteshin qëndrimet jugosllave, por
ndodhte kur paraqiteshin dhe përcilleshin edhe burimet shqiptare. Gjithashtu ka
pasur shkrime lidhur me sulmet në
ambasadën jugosllave në Tiranë (Informata të Tanjugut).
Shtypi hungarez komenton demonstratat
Është interesant se në këtë periudhë të gjitha gazetat hungareze dhanë informatën e gazetës Suboticase “Kepesh ujshag” për nevojën e avancimit të pozitës së hungarezëve në Jugosllavi.
Shtypi polak
Shtypi polak me shtypin hungarez janë të parat në Evropën Lindore që shënuan demonstratat në Prishtinë. Karakteristike është se të vetmet gazetat polake dhanë komente dhe bënë tekste analitike, edhe pse ato bazoheshin në burimet jugosllave. Shkrimet kryesisht ishin korrekte, por një numër i vogël i komenteve theksin e venin te dimensioni ekonomik i ngjarjeve.
Shtypi polak theksonte se organizatori kryesor
i demonstratave ishte një organizatë
(armiqësor) ilegale” shkruan në dokument. Në disa shkrime thuhej se është e
përzier edhe Shqipëria në ngjarjet në
Kosovë. Karakteristike është se shtypi polak në një numër të vogël ka
shfrytëzuar shkrimet nga agjencitë e huaja të lajmeve , por me përmbajtje
korrekte.
Në reagimet
interne të gazetarëve në Varshavë ka pasur aluzione në të cilat tregohet se në Jugosllavi po
ndodhë diçka e ngjashme me ngjarjet në
Poloni.
Shtypi bullgar për demonstratat
Opinioni
Bullgar është informua shumë thatë për ngjarjet në Kosovë.
Përzierja e faktorit ndërkombëtar nuk përmendet, por nuk përmendet as sulmet e
shtypit shqiptarë. Karakteristike është se
për tërë kohën sa zgjatën
demonstratat në Kosovë, propaganda bullgare është përmbajtur nga sulmet
antijugosllave lidhur me “çështjen
maqedonase” dhe është ruajtur që mos ti thuhej se në këtë moment po bënë
presion të sinkronizuar në Jugosllavi. Megjithatë, edhe më tej përvetësoheshin
heronjtë nacional maqedonas dhe rishqyrtohej historia e popullit maqedonas me
rastin e festave shtetërore.
Indikativë është informata e bisedës së përbashkët Zhivkov-Karamanlis në të cilën
vije në shprehje “merakosja” e dy vendeve
për situatën në Ballkan lidhur me ngjarjet në Kosovë.
Në bisedat
joformale ishte nënvizua se shtypi
bullgar, radio e tv, me qëllim nuk kanë dhënë gjendjen faktike për Kosovën. Me
këtë kanë dashur të tregojnë që qëndrimi i tyre ishte nga dëshira e mirë.
Shtypi Çekosllovak për Kosovën
Shtypi
Çekosllovak në një numër të vogël
informatash informonte opinionin e vet
për ngjarjet në Kosovë. Karakteristike e
shtypit çekë ishte se si i lente anash
deklaratat e udhëheqësve jugosllav të cilat lidhen me të dhënat se janë të
përziera “fuqitë informbyroiste e dogmatike” në ngjarjet në Kosovë, ndërsa
apostrofoheshin pjesë nga veprimtaria e
“rretheve profashiste dhe armiqësore
në perëndim” shkruante në dokument. Megjithatë, në buletinin interno të
ÇTK ishin të dhëna versione të
gjera në të cilat nuk mungonin këto
pjesë. Të vetmet janë, që shtypi Çekosllovak i cili kishte publikuar kritiken e gazetës moskovite “Pravda”
drejtuar shkrimit të Tesliqit në “Borba” por pa komente të veta.
Në shtypin Çek,
RP të Shqipërisë nuk e sjellin fare në lidhet me ngjarjet në Kosovë, megjithëse
ishte dhënë informata për sulmin në ambasadën jugosllave në Tiranë.
Indikativë është
oferta e Radio-Bratisllaves , radios të Novi-Sadit për dërgimin e një numri
udhëheqësish, për t’i ndihmuar në emisionet në gjuhën sllovake.
Shtypi i Gjermanisë Lindore për demonstratat e vitit 1981
Mjetet e
informimit të RDGJ, i dhanë shumë pakë rëndësi ngjarjeve në Kosovë. Gjatë tërë
kohës kishin publikuar vetëm dy lajme: Dy paraqitje të shkurtra të Stane
Dollancit në konferencën për shtyp me gazetar të huaj dhe informatën nga Plenumi i KQ të LKJ-së.
Karakteristike është se këto lajme i ka botuar javorja “Horizont”, i cili ishte shumë pak i lexuar
tek popullata. Në biseda interne, gjermanet
e këtij shteti jepnin këto arsyetime për këtë lloj publiciteti në shtypin e
tyre: Gjermania Demokratike nuk donë të përzihet në punët e Jugosllavisë në
raport me shtetet tjera, këtë nuk e kemi bërë as në kohët më të vështira kur
ishin polemikat në mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë” ishte arsyetimi i tyre.
Shtypi i Rumanisë për demonstratat e shqiptarëve
Shtypi Rumun
gjatë tërë kohës sa zgjatën demonstratat
në asnjë mënyrë nuk kishin regjistruar ndonjë lajm për ngjarjet në
Kosovë thuhej në informatën e KQ të LKJ-së. Një qëndrim i tillë i Rumanisë mund
të shpjegohet nga arsyet e brendshme të shtetit rumun dhe arsyeja tjetër ishin
shkaqet e pakënaqësisë të pakicës
hungareze në Rumani.
Anëtarët e
Partisë Komuniste u informonin për ngjarjet në Kosovë nëpër mes buletineve
interno, por vetëm deri tek niveli i sekretarëve të rretheve.
Informimi i opinionit të gjerë në Vendet e Painkuadruara
Vendet e
Painkuadruara kanë dhënë një publicitet
të kufizuar ngjarjeve në Kosovë. Në disa vende informimi është bërë nëpër mes
të informatave të shkurta të marra nga agjencitë e perëndimit, por kryesisht me
përmbajtje korrekte, por në disa edhe nuk ka pasur asnjë informatë për ngjarjet
në Kosovë.
. Kjo paraqitje
dhe ky raport ndaj ngjarjeve në Kosovë të sjell në përfundime se shumë vende të
painkuadruara nuk e kishin krejt të qartë se çfarë qëllimesh kishte irridenta
shqiptare, dhe nuk donin që me shkrimet e tyre të lëndonin Jugosllavin. Është
interesant se nën 2. Asnjëherë nuk erdhi deri tek ndarja në mes të Shqipërisë dhe
Jugosllavisë, megjithëse në disa shtete të painkuadruara publicitet kishin
pasur edhe qëndrimet e shtetit shqiptarë.
Informimi i shtetit indian për ngjarjet në Kosovë
Në disa vende të painkuadruara sikurse që ishte India, në kohët e fundit shumë pak shkruhej për Jugosllavinë. Duke informuar për ngjarjet në Kosovë, shtypi indian raportonte shumë shkurt dhe ato informata të marra kryesisht nga agjencitë e huaja perëndimore duke vu në spikamë disa të dhëna, por duke mos treguar pse kishte ardhur deri tek demonstratat. Mënyra jo objektive e raportimit për këto ngjarje të Kosovës dhe për situatën e përgjithshme politike në Jugosllavi kishte shkrua gazeta “Hindu” e cila thoshte se trazirat në Kosovë janë “ protesta të studentëve për nivelin e ultë të standardit jetësor të një pjese të popullatës dhe kundër jetës luksoze të funksionarëve partiak”.
Edhe Kuba komentonte demonstratat studentore të shqiptarëve në Kosovë
Ngjarjet në
Kosovë morën dukshëm , por edhe njëanshëm publicitet, dhe duke u bazuar në
shkrimet e publikuara në mjetet e
informimit në Kubë, ashtu që në bazë të shkrimeve nuk mund të diheshin
shkaktarët pse kishte ardhur deri tek trazirat. Gazeta partiake “Granma” kryesisht sillte të dhënat
jugosllave për situatën tepër serioze, numrin e të lënduarve etj. Por edhe
informatat e agjencisë së lajmeve shqiptare ATA. “Granma” nuk raportonte se
situata në Kosovë ka fillua të qetësohej dhe as për gjykimin e Jugosllavisë për
elementin kontrarevolucionar. Qëndrimi tendencioz ndaj Jugosllavisë duket edhe në të dhënat e
pasakta që jepte shkruante dokumenti i KQ të LKJ-së, se ata citonin parcialisht
të dhënat që jepnin burimet jugosllave dhe shkaqet pse kishin ndodhur trazirat
dhe kryesisht arsyetimi ishte se ishin shkaqet ekonomike që kishte ardhur deri
te këto (“Bohemija”). Në mjetet e informimit askund nuk përmendej se ishte e
përzier Shqipëria në ngjarjet e Kosovës. Megjithatë në bisedat interne, kubanët
theksonin se është normale që Shqipëria ka qenë e detyruar që të përzihej, se
nuk ka mundur të injoroj “situatën në të cilën jetojnë një milion shqiptar në
Jugosllavi”.
Edhe Egjipti shkruante për pakënaqësitë e shqiptarëve në Jugosllavi
Shtypi egjiptas nuk kishte informuar gjerësisht për ngjarjet në Kosovë, por në informatat e publikuara kishte qëndrim jo objektiv ndaj Jugosllavisë. Gazetat “Al ahram” dhe “Al musavar” shkruanin se këto ngjarje “janë shenjë e keqe për shkatërrimin e sistemit jugosllav” dhe se “Jugosllavia ende jeton nën frikën për humbjen e liderit të saj Tito”. Por komentin më armiqësor për ngjarjet në Kosovë e kishte publikua “Video press servil” i Kajrosë duke shfrytëzuar të dhënat e ambasadës shqiptare.
Përfaqësitë diplomatike shqiptare në mënyrë
ofensive vepronin në vendet e
painkuadruara duke bërë distribuimin e
materialit propagandues, megjithëse nuk kishin hasur në përkrahje zyrtare. Në
këtë drejtim Shqipëria nuk kishte arritur që të bëjë ndonjë shpërthim
propagandistik se në vendet e të painkuadruarve mendohej se ngjarjet në Kosovë do e sjellin në pyetje
integritetin jugosllavë, por në masën më të madhe të këtyre vendeve mbretëron disponimi se Jugosllavia duhet të mbetet vend stabil i Vendeve të
Painkuadruara.
Mjetet e informimit kinez mbanin një qëndrim balancues lidhur me ngjarjet në Kosovë
Mjetet e
informimit kinez vetëm pakë por në
mënyrë korrekte informonin opinionin për ngjarjet në Kosovë. Në fillim gazeta
kineze iu shmangeshin që të sjellin në
lidhje RP të Shqipërisë në lidhje me këto ngjarje si dhe të shkruajnë për
ashpërsinë e marrëdhënieve jugosllave- shqiptare. Por mbas vemjes së
eksplozivit në ambasadën jugosllave në
Tiranë, shtypi kinez gjithnjë e ma shumë zbulonte rolin e Shqipërisë në këto
ngjarje. Qëndrimet jugosllave i
paraqiste në këtë mënyrë e cila i
luftonte aktivitetet propagandues të Shqipërisë.
Jugosllavia jep karakteristikat e strategjisë propaganduese të Shqipërisë:
Eskalimi i
propagandës shqiptare antijugosllave
lidhur me ngjarjet në Kosovë
zbuloi në mënyrë eksplicite strategjinë e qëllimeve të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë.
Karakteristikat elementare të
propagandës shqiptare ndaj Jugosllavisë ishin (vazhdimisht sipas dokumentit) :
1. Përgatitjen e
vazhdueshme për një kohë të gjatë dhe të përpunuara mirë për paraqitjen
propaganduese dhe shfrytëzimin e shtrembërimit të të dhënave historike;
2. Porosit propagandistike ishin të formuluara aq mirë që të arrinin efekte shumë të madh tek populli shqiptarë në Kosovë, gjë që tregon aftësinë e propagandës shqiptare që maksimalisht të adaptohej në shfrytëzuesin e informatës;
3. Sulmet propagandistike në fillim të
ngjarjeve në Kosovë u lançuan herë pas here, që më vonë të kalojnë në një
fushat në të cilën do të përfshihen të gjitha temat që lidheshin me
Jugosllavinë dhe me marrëdhëniet jugosllave-shqiptare.
4. Shqipëria ka
zhvilluar një aktivitet të gjerë në aspektin ndërkombëtar me qëllim të
ndërkombëtarizimit të problemit dhe diskreditimit të Jugosllavisë;
5. Veprimtaria
propaganduese në Shqipëri në mënyrë sinkronizuese vepronte bashkë me zhvillimin e veprimtarisë kontrarrevolucionare
në KSA të Kosovës.
6. Qëllimi i
Shqipërisë ishte që ti ofrohet përkrahje e plotë irredentizmit dhe
kontrarevolucionit shqiptarë në Kosovë dhe të tentohej destabilizimi i shtetit
jugosllav vetëm për të realizua
pretenzionet territoriale ndaj SFRJ dhe “bashkimit të gjithë
shqiptarëve”.
Për tu realizua
kjo strategji e qëllimeve të Shqipërisë në propagandën e vet u angazhua që:
-të nxis
nacionalizmin e irredentizmin shqiptarë në Kosovë, të nxis trazira dhe të
akuzonte “udhëheqjen serbe” për “shovinizëm dhe gjakderdhje” dhe gjithashtu
dëshironte të nxiste përçarjen në mes
kombeve e kombësive në vend;
-të diskreditojë
sistemin vetëqeverisës socialist dhe politikën e të painkuadruerve të
Jugosllavisë, të tregonte për situatën ekonomike të vendit si shumë të vështirë
dhe se zgjidhja e problemeve nacionale ta gjykonte plotësisht si të gabuar;
-të krijoj
përshtypje për “politikën e rrejshme të
fqinjësisë së mirë që udhëheq Jugosllavia”, në të vërtet ajo vet ka udhëhequr
politik dyfëtyrshe ndaj Jugosllavisë, duke trumbetuar se ajo angazhohej për
marrëdhënie të mira fqinjësore, por vazhdimisht dhe në mënyrë konstante është
përzier në punët e brendshme të vendit tonë dhe ka nxitur aktivitete
armiqësore;.
Perfiditeti i
politikës dhe i propagandës shqiptare pasqyrohet në të, se Shqipëria është angazhuar që para opinionit
botëror të krijoj përshtypje se nuk përzihet në punët e brendshme të Jugosllavisë, dhe se fajin për keqësimin e
marrëdhënieve jugosllave-shqiptare fajin e kishte Jugosllavia. Në vijën e
diskreditimit të Jugosllavisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, Shqipëria tentonte
që të “ndërkombëtarizonte “problemin e Kosovës”. Për këtë në Tiranë u lançua
teza për “tendencën e shovinizmit serbomadh dhe hegjemonistët sovjetik” që të
akuzohej Jugosllavia si faktor destabilizimi në Ballkan.
Edhe pse
Shqipëria ishte e izoluar , propaganda shqiptare kishte arritur që të
depërtonte në botë. Qëllimet e saja që të diskreditonte Jugosllavin në mes të
shteteve të painguadruara nuk patën rezultate të dukshme, por arriti që të ketë
efekte pozitive në perëndim, kështu që në disa rrethe nuk e dinin se pse Kosova
nuk mund të bëhej Republikë. Për të arritur këtë qëllim Shqipëria kishte nxitur demonstrata antijugosllave të emigracionit shqiptar. Shqipëria nuk u
gjykua edhe pse kishte nxitur veprimtari
terroriste kundër Jugosllavisë dhe
qytetarëve të saj në botën e jashtme.
Edhe pse ditëve të fundit duket qartë se po bije intensiteti i propagandës shqiptare (kështu mendonin jugosllavët), Shqipëria reagon për çdo ditë, me më pakë argumente por edhe me argumente kontradiktore, thuhej në informatën analitike, dhe duhet pritur që ajo mund të vazhdoi fushatën antijugosllave, vazhdonte më tej dokumenti . Për këtë është e domosdoshme , porositnin pushtetarët jugosllav, që në mënyrë të përgatitur mirë, të organizuar e të matur të reagojnë kudo që është e mundur. Për këtë qëllim formuan dy grupe punuese pran KQ të LKJ dhe Qeverisë Federale të Jugosllavisë për të orientuar dhe programuar veprimtarin informative-propagandistike ndaj Shqipërisë dhe të tjerëve.
Dokumenti ishte
“Top sekret” dhe iu dorëzua: Anëtarëve
të Kryesisë të KQ të LKJ-së; Anëtarëve të Kryesisë të RSFJ-së;
Sekretarëve ekzekutiv të KQ të LKJ-së; Sekretarëve ekzekutiv të Komiteteve
Krahinore dhe Arkivit të KQ të LKJ-së