Speciale » Basha
Ajete Zogaj: Bisedë me Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
E hene, 30.12.2019, 03:27 PM
Bisedë me Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Kryesuese e Këshillit të Librit, në Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe sportit
MISIONI I LIBRIT ËSHTË I SHENJËT DHE I PAZËVENDSUESHËM NË JETËT TONA
Nga Ajete
Zogaj
-Ditë më parë, në Këshillin e Librit
u mbajt mbledhja e fundit për këtë vit(2019), dhe siq e do rendi, zonja
Keçmezi-Basha, Ju para anëtarëve të Këshillit paraqitet raportin e punës një
vjeçare. Mund të na thoni se çfarë pune bënë Këshilli i Librit, dhe sa
respektohet libri tek ne?
Po, është e vërtet se pas një viti angazhimi e pune në
këshill, rendi ishte edhe t’i njohtoja anëtarët me punën e bërë gjatë 12
muajve. Dhe dua të shtoi se, librat janë
gjërat më me vlere në jetët tona dhe, askush nuk di të na mësoj më mirë se sa
nje liber, prandaj, nëse duam të realizojmë ëndrrat, dëshirat e synimet tona,
atëher duhet të mësojmë nga librat, se si të përballemi me jetën e përditshme
dhe me atë që na pret. Andaj, edhe angazhimi ynë i shtuar në përkrahjen e
financimit të librave tek ne është mase i nevojshëm dhe i domosdoshëm.
Dhe, teksa hedhim një shikim në historinë e librave dhe
librarive, do të përfundojmë në vitin e largët 1732, te libraria më e vjetër në
botë që vazhdon të funksionojë edhe sot, Livraria Bertrant në Lisbonë. Me logon
e vet që shfaq vitin 1732, demonstrohet se shpëtimi ka qenë i mundur, falë
librit, në dyqanet e librit, e ende vazhdon. Pra kjo dëshmon se sa i
rëndësishëm është libri. Amos Ozin,
shkrimtarin izraelit, i cili ishte kandidat për çmimin Nobel, më 2008, e kishin
pyetur gazetarët: Po mos të ishe njeri, çfarë kishe dashur të ishe? Ai, pa
hezituar, ishte përgjigjur: “Sigurisht, se kisha dashur të isha libër, ngase,
çdo gjë humb e tretet, por libri, diku, në ndonjë qoshe të ndonjë biblioteke
apo familjeje ngel dhe nuk zhduket kurrë...”. Pra, kjo dëshmon se sa i
rëndësishëm është libri për jetën e njeriut.
-Çfarë pune kryen Këshilli i Librit.
Unë jam kryesuese e Këshillit të Librit e cila ka
11 anëtarë. Ky është një Këshill këshillëdhënës, i përberë nga: përfaqësuesi i
Akademisë së Shkencave të Kosovës, nga Universiteti i Prishtinës, Instituti
Albanologjik, Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës, nga Shoqatat e botuesve të
Kosovës, nga Biblioteka kombëtare e Kosovës, nga Ministria e Arsimit dhe me
katër përfaqësues merr
pjesë Ministria e kulturës e Kosovës. Të gjithë anëtarët
janë njohës të mirë të fushave që
prezantojnë dhe, mu kjo e bënë që Këshillin e Librit e kthen, në fakt, në një
institucion, që projektet e këtij institucioni, ishin dhe janë shumë tërheqëse
për të ardhmen e tij. Shtetet e ndryshme në botë, shpeshherë, stimulojnë
botimin e shkrimtarëve vendas, duke qenë të vetëdijshëm se janë një “humbje”
materiale, se fitimin duhet ta kërkojnë në botime atraktive, botime për tregun
dhe lehtë mund të kuptohet pse botimet shqiptare te ne duhen edhe më shumë të
stimulohen prej institucioneve shtetërore ngase Ministria e jonë respekton vlera
dhe cilësi të mirëfillta kulturore. Libri ka një mision të madh për të
realizuar dhe përfunduar qëllimet kulturore te shqiptarët. Andaj M.K. luanë një
rol të madh historik në realizimin e këtyre synimeve. Ngase është e vetëdijshme
se libri nuk është koniunkturë tregu, dhe duhet t’i respektojë ligjet e tij,
por kudo në botë, me shekuj, ekzistojnë mekanizma të sofistikuara të shtetit që
e mbrojnë jetën e librit, duke i mbrojtur edhe identitetin. Shteti, për
shembull Ministria e Kulturës, nëpër mes të institucionit të vet –K.L. stimulon
botimin e librave të autorëve kombëtarë, por edhe ata të ndërkombëtar,
natyrisht me vlera të padiskutueshme.
-Zonja Keçmezi- Basha, sa është
punuar në Këshillin e Librit në këtë vit.?
Unë qe dy vite jam kryesuese e Këshillit të Libri, andaj
do të ndalem për një moment vetëm në vitin 2019, Këshilli i Librit ka mbajtur
13 takime. Në takimet e këshillit janë trajtuar tema të ndryshme dhe janë bërë
propozime me vlerë nga ana e anëtarëve të këshillit. Kemi punuar e përpunuar
ligjin, pjesa për K.L. Kemi bërë propozime për hapjen e konkurseve për
financimin e botimit, blerjen dhe financimin e revistave që botohen në Kosovë,
por duhet theksuar se kemi bërë ndryshime të dukshme, sidomos në shpalljen e
konkurseve për financimin e botimit të librit, blerjen dhe financimin e botimit
të revistave. Anëtarët e Këshillit të Librit kanë marrë pjesë aktive në takimet
e grupeve punuese për Plotësim Ndryshim te ligjit për veprimtari botuese të KL
që janë mbajtur me 15- 16 maj, 2019 në
Prishtinë. Gjithashtu është punuar gjatë në Rregulloren për Punën e Këshillit
të Librit, gjë që mundemi të punojmë edhe në të ardhmen ngase ka ende punë të
pa përfunduara. Të gjitha mbledhjet që janë mbajtur në Këshillin e Librit, kanë
pas kuorum, dhe të gjitha vendimet që janë marr , janë marrë me shumicë votash.
Gjerë më tani, nuk ka ndodhur të kemi ndonjë konflikt interesi brenda Këshillit
të Librit.
-Mund të na thoni se çfarë ka
financuar këtë vit Këshilli i Librit
Investimi në librin shqip dhe blerja e shpërndarja e tij
nga ana e Ministrisë së Kulturës mund të themi se, tashmë ka një traditë të
konsoliduar. Por duhet shtuar se, edhe më tej lypset që, të punohet vazhdimisht
në promovimin e kësaj veprimtarie, E këtë nxitje mund ta bëjmë vetëm nëpërmjet
të trajtimit, të dinjitetshëm të librit. Duhet theksuar se Ministria e Kulturës
nëpër mes propozimeve të Këshillit të Librit ka financuar botimin e librave të
autorëve shqiptarë të të gjitha trevave, orientimeve politike, shoqërore,
letrare e estetike, duke u treguar e hapur ndaj prirjeve e preferencave të
ndryshme stilistike e të tjera, si edhe letërsi botërore të vendeve e gjuhëve
të ndryshme të të gjitha periudhave letrare - nga antika e deri në ditët
e sotme.
Ministria e Kulturës
gjatë vitit që po e lëmë pas ka financuar 13 revista letrare me karakter
kombëtar dhe regjional, me shumën 41.500 euro; ka financuar botimin e 97
librave të autorëve të ndryshëm, me shumën financiare prej 76.700 euro; ka bërë
blerjen e 112 tituj të librave nga shtëpitë botuese, me shumë në të holla prej
34.524 euro nga autorë kombëtarë e të huaj ku, totali i investimeve ka qenë
152.724 euro. Të gjitha këto që i ceka më lartë janë propozime nga anëtarët e
Këshillit të Librit, ndërsa buxheti i ndare për përkrahjen e librit për 2019 ka
qene 160,000 euro. ? Ministria e Kulturës me 12 korrik,
2019, ka organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ceremoninë e
pranim -dorëzimit të 137 titujve/ librave, për pasurimin e 37
Bibliotekave komunale dhe ndër komunale në të gjithë territorin
e Kosovës. Në shikim të parë fitohet përshtypja se nuk janë shumë, por mos të
harrojmë se jemi shteti më i ri në botë dhe kemi objektiva që krahas kësaj
duhet ranguar edhe prioritete të tjera.
Duke e ditur rendësin që ka libri, Ministria e Kulturës
përveç që financon botimin e librit ajo merre përsipër që edhe të blejë atë,
dhe të shpërndaj në bibliotekat e komunave të Kosovës.
Po ashtu edhe blerja e librit dhe financimi i revistave
letrare është bërë në bazë të këtyre parimeve.
-Zonja Keçmezi-Basha, po në panaire
të librit merrni pjesë
Po, mu këtë desha të shtoja se që nga dita e krijimit të
Këshillit të Librit, anëtarët e saj kanë marr pjesë rregullisht në shumë
panaire kombëtare e ndërkombëtare të librit. Ta zëmë se, sivjet për herë të
parë disa anëtarë të Këshillit të Librit, kanë marr pjesë në Panairin e librit
në Leipzig, prej 23 deri 26 mars, 2019, duke
bërë, kështu, promovimin e autorëve shqiptarë në botë, si dhe shpërndarjen e
veprave të tyre kudo që ka shqiptarë.
Unë kujtoj që, çdo shtet ka nevojë të ketë institucione
përmasash të tilla, të ketë përkrahje të
drejtpërdrejt. Kujtoj, se shkrimtarët e mirëfilltë dhe të rinjtë preferojnë më
shumë që t’i botojnë librat nën logon e Ministrisë së Kulturës e cila di ta
vlerësojë librin, ta proklamojë e shpërndajë atë.
Para së gjithash, Ministria e Kulturës ka sjellë një
kulturë, në financimin e botimit të librit shqip; ka sjellë një numër të madh
titujsh, që sjell çdo vit qindra tituj; ka sjellë një kulturë në shpërndarjen e
librit. Ajo, Ministria e Kulturës, shquhet më së shumti për ndihmën e madhe që
i jep botuesit, autorit dhe vet bibliotekave, duke e dëshmuar në këtë mënyrë se
sa e kujdesshme është ndaj librit dhe pranimit të tij tek qytetaret.
Ky është një nga kontributet më të mëdha që ndërmerr
Ministria e Kulturës, dhe kalon përtej një kontributi të thjeshtë, duke shkuar
te një nismë fisnike, atë të financimit të botimit dhe blerjen e librit.
-Po me përhapjen e librit në
Shqipëri
Ne shqiptarët, në histori, kemi qenë një kohë të gjatë të
flijuarit më të mëdhenj në Evropë prej ndarjes absurde të kufijve. Një kohë të
gjatë edhe librave u ndalej depërtimi më shumë se sa njerëzve prej njërit te
tjetri kufi ku jetojnë shqiptarët. E sot, Ministria e Kulturës ka misionin e
vet të shenjët që të na kompensojë kohën e humbur. Besoj se Ministria e
Kulturës në këtë drejtim ka arritur rezultate të lakmueshme, megjithëse ka ende
punë që duhet të rregullohen në mes dy ministrive.
-E në fund zonja Keçmezi-Basha çfarë
urimi keni për fund vit
Në fund... në fund uroj që Ministria e Kulturës të
investojë edhe më shumë në libër. Uroj të financojë sa më shumë në botimin e
librit, të financojë edhe më, përkthime cilësore, dhe ta mbajë hapësirën
kulturore kosovare të lidhur me hapësirën gjithë botërorë. Uroj që, ashtu siç
ka qenë deri më tani, të jetë një shtëpi
ku krijuesit kanë një mbështetje, me të cilën me dëshirë bashkohen për
të botuar dorshkrimet e veta. Uroj
gjithçka që do të donte një krijues në veprimtarinë e tij e për të qenë
gjithnjë në avangardë të botimeve shqiptare të realizuara e të propozuara nga
Këshilli i Librit.
Për të gjitha këto arsye, që i ceka më lartë, uroj
Ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit, që të vazhdojë me këtë ndërmarrje me
sukses; ta vazhdojë veprimtarinë e saj, që bazohet në financimin e botimeve dhe
në shpërndarjen e librit në gjuhën shqipe dhe gjuhën e komuniteteve; që është
jo vetëm një punë, jo vetëm një veprimtari botuese, por që është njëkohësisht
një mision. Një mision kombëtar, kulturor, artistik dhe shkencor.
Dhe, krejt në fund, inkurajoj komunitetin krijues, që në
vitin 2020, të bëhet pjesë e këtyre financimeve të botimeve, si me financimin e
revistave, librave dhe ofrimin e blerjeve të tyre. Ministria është e hapur për
të gjithë dhe ju mirëpret në veprimtarine e saj.