Speciale » Basha
Sabile Basha: Qëndresa e grave të familjes Jashari
E merkure, 04.03.2020, 10:05 PM
QËNDRESA E GRAVE TË FAMILJES JASHARI, 1998
“ Liria e një populli merr kuptimin e vërtet,
vetëm kur njeriu tregon se është i gatshëm të vdes për të” Hegeli
Nga Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Të nderuar të pranishëm, po e filloi këtë kumtesë me thënjejn
e filozofit të njohur gjerman Hegelit se çfarë bëri populli shqiptarë në
përgjithësi, Kosova e Jasharajt në veçanti për lirinë që nuk e patëm.
Çlirimi i Kosovës është vepër e disa brezave të popullit
shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar ndërsa heroizmi i gruas shqiptare
është i njohur ndër shekuj, Pra, sipas burimeve historike, qëndresa dhe
sakrifica e gruas shqiptare, si formë e rezistencës se saj, dëshmohet si
vazhdimësi. Megjithatë, pjesëmarrja e gruas në jetën shoqërore në Kosovë në
përgjithësi e sidomos pjesëmarrja e saj në frontin e luftës për çlirim
kombëtar, emancipim, pavarësi e barazi nacionale deri në vitet e fundit ishte
shumëdimensionale dhe gjithëpërfshirëse. Nga kjo del se numri i grave që morën
pjesë në këtë luftë shumëshekullore ishte i madh. Kosova mburret me Shotë
Galicën, Marie Shllakun, Xhevë Lladrovcin, Hanumshahe Avdullahun, por Kosova
kishte edhe shumë heroina të tjera që në ndonjë rast tjetër do të mundem ti
përmendi. Gruas shqiptare asnjëherë dhe në asnjë periudhë nuk i ka munguar
atdhetarizmi dhe vetëdija e lartë e saj se atdheu i saj ishte i robëruar.
Kontributi i gruas shqiptare në luftërat shekullore për çlirimin e atdheut nga
robëruesit nuk mund të vlerësohet vetëm nga shkalla e pjesëmarrjes së saj të
drejtpërdrejtë në luftëra. Gratë shqiptare kanë dëshmuar besnikërinë dhe
shpirtin e tyre të madh, duke u bërë burim i forcës dhe qëndresës së të
dashurve të tyre.
Pikërisht, më 5 mars u bënë 20 vjet të rënies së
komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.
Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm, në historinë e kombit tonë.
Jo rastësisht, sot për këtë konferencë shkencore mora
temën “Qëndresa e Grave të Familjes Jashari”, dhe me një emocion të veçantë u
ndala për të hulumtuar dhe analizuar këtë ngjarje të dhembshme por edhe
krenare, në mënyrë që ta formësojm dhe qartësojm sa më shumë kornizën e
identifikimit të qëndresës së grave të familjes Jashari, dhe pastaj, duke e
pasur të njohur dhe të zbërthyer brendësinë e saj, që domethënë formën
themelore të saj, të krijohen mundësi reale që të thellohemi detaisht në substancë: padyshim, nga pikëpamja më e
thelluar studimore-shkencore. Ekuivalent me qëllimin – objektivin, mund të
konstatojmë se ngjarja e Prekazit, është një nga ngjarjet epokale të luftës
çlirimtare, e cila si rrallë ndonjë tjetër, e shpalos idealin e lirisë. Kjo
ngjarje, po ashtu, e shpalos vetëdijen dhe shpirtin sakrifikues kundrejt
ruajtjes së identitetit, të kulturës, të racës, me një fjalë, e shpalos gamën e
ruajtjes dhe të zhvillimit të identitetit tonë kombëtar.
Ngjarja e Prekazit, po ashtu, si rrallë në historinë
tonë, e shpalos tipologjinë e shqiptarit atdhetar, e shpalos modelin funksional
të familjes shqiptare, e cila, pati gjithmonë një rol vendimtar në ruajtjen e
substancës kombëtare kundrejt padrejtësive politike, historike, kundrejt
okupimit, asimilimit dhe zhdukjes fizike të tij.
Gjithashtu duhet thënë se Lufta e Prekazit, si rrallë
ndonjë ngjarje tjetër në historinë kombëtare dhe në historinë njerëzore, e
shpalosi sakrificën heroike e legjendare të gruas shqiptare. Pra, kjo luftë e
zhvilluar në fund të shekullit XX-të, e nxori në sipërfaqe një model të betejës
unike nga domeni i luftës për liri. Por ajo që është esenciale këtu, është
fakti se kjo ngjarje, e nxori në sipërfaqe, nën një: gruan në luftën e
drejtpërdrejt, e cila jo vetëm që është unike në tërësinë e saj, porse, është
qëndresë heroike e cila nuk ka përngjasim dhe as krahasim në historinë tonë
nacionale, dhe në historinë njerëzore. Dhe dy: që të mos rrijë duarkryq para
sulmeve barbare dhe okupuesve shekullor, Gruan e Jasharajve e shtynin në radhë
të parë: traditat e lashta në luftë për lirinë e vendit; të kultit për nderin e
familjes; të shpirtit të lartë të vetë sakrificës. Ndjenja e sakrificës për
gruan e Jasharajve shpesh gjeti shprehje në më shumë se tri raste kundër
sulmeve të egra serbe që ndodhën në familjen e tyre në Prekazin legjendar. Për
gruan e Jasharajve okupimi klasik nga Serbia ishte edhe kulmi i fatkeqësisë,
sepse ato ishin të vetëdijshme se s’bashku me lirinë e atdheut do të humbnin
edhe më të dashurit e tyre.
Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin
të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte- vrasja e komandantit
të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të
shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po
ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Ngjarjet
dramatike, të hapëta, kundër familjes Jashari kishin filluar më datën 30 dhjetor
të vitit 1991, familja e Jasharëve rrethohet nga forcat policore dhe ushtarake
serbe. Tre vëllezërit Jashari: Ademi, Rifati dhe Hamza nuk pranuan tu
dorëzoheshin kriminelëve serbë, por iu kundërpërgjigjën me zjarr, duke çarë
rrethimin, ku lanë dhjetëra ushtarë dhe policë serb të plagosur. Në këtë
ngjarje u plagos nga helikopteri serb, Vesel Selimi nga Açareva.
Rrethimi i dytë i familjes Jashari u bë më 22 janar të
vitit 1998. Forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, gratë
dhe fëmijët e familjes Jasharaj i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që
zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe
Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit, që ishin në mbështetje të luftëtarëve të
Jasharëve. Bashkëfshatarët duke e parë
se cak i sulmit serbë, ishin familja Jashari, ata kërkuan nga i zoti i shtëpisë
të Jasharajve që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë, edhe
fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë në shtëpi dhe të rezistojnë bashkë
me të tjerët. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se
gratë e burrat e Jasharajve nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të
tyre dhe do e mbrojnë vendin deri në pikën e fundit.
Po të njëjtin vit (1998), për tri ditë rresht, më 5, 6
dhe 7 mars, familja heroike me në krye komandantin legjendar- Adem Jasharin u
bëri ballë sulmeve të pareshtura të makinerisë serbe. Familja Jashari këtë herë
do të qëndronte për jetë a vdekje. Shpëtuan nga kjo betejë vetëm Besarta dhe
Bashkimi. Ndërsa nuk ndodheshin në shtëpi, bacë Rifati, Murati, Bekimi dhe
Lulzimi që gjendeshin në emigracion, si dhe Iliriana, Shqipja, Marigona dhe
Fazliu, të cilët një ditë më parë kishin shkuar në Okrashticë. Adem Jashari me
familjen para se të vriteshin i kishin dhënë besën njëri – tjetrit se, të
gjithë do të luftonin deri në vdekje për çlirimin e vendit. Para se të vritej
Adem Jashari kishte deklaruar: ”Nuk do të dorëzohem për së gjalli, vrastarët
nuk do të kalojnë veçse mbi trupin tim të vdekur”.
Në luftën kundër serbëve , në mars, të vitit 1998 në
kullat e Jasharajve legjendar u vranë
48 veta, e nga familja e ngushtë e Adem
Jasharit, në mars të vitit 1998, janë vrarë 20 veta, prej të cilave 12 gra e vajza (midis tyre 3 të mitura), që
me këtë rast do i përmendi vetëm emrat e gjinisë femërore që u vranë në këtë
luftë : si Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit, 3. Zarife Jashari
(49 vjeçare) gruaja e Rifatit, Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit,
Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit, Igballe Rifat Jashari (11), vajza
e Rifatit, Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit, Selvete Hamëz
Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit, Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz
Jasharit, Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit, Fatime Hamëz Jashari
(9), vajza e Hamëz Jasharit, Blerinë
Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit, Adile Rama – Jashari (40), gruaja e
Adem Jasharit, e cila ishte vra e para me rastin e sulmit, rrëfen Besarta
Jashari, e shpëtuara e sulmit, e cila tregon se “Adilja, gruaja e Ademit, Ajo u
vra në shkallët e njërës shtëpi. Ajo shkoi me mare municion në katin e tretë të
shtëpisë ku ikishin dhomat bali Adem dhe babai ynë, Hamza”.
Sulmi mbi familjen Jashari, nuk u bë vetëm pse ishte
shqiptare, por pse pjesëtarët e saj ishin luftëtarë, pse ishin bërthama e
UÇK-së, pse ishin shembulli i familjes liridashëse, pse Serbisë i kishin
shkaktuar humbje dhe kërkonte të hakmerrej mbi një familje për të përhapur
tmerr e frikë në çdo vatër shqiptare. Sulmi në familjen Jashari nuk kishte vetëm
qëllimin e zhdukjes së një familje shqiptare dhe vrasjen e komandantit të
UÇK-së, por qëllim kryesor kishte vrasjen e guximit të shqiptarëve për të
luftuar për çlirim e bashkim kombëtar.
Në kohën kur në trojet shqiptare mungonte thuajse
tërësisht sistemi edukativo-arsimor i organizuar nga institucionet shtetërore
ose publike, roli edukues i ambientit familjar dhe në mënyrë të veçantë i nënës
dhe i gjyshes për fëmijën ishte vendimtar. Burrat trima lindin dhe rriten vetëm
nga nëna trimëresha, thotë një fjalë e popullit. Gruaja shqiptare e ka përbuzur
kurdoherë frikacakun, ajo e ka përbuzur dhe e ka mallkuar edhe birin e saj kur
plogështohej përpara vdekjes.
E tillë ishte shkolla e edukimit atdhetar në familjen
Jashari të Prekazit të Drenicës, të cilën e bënë gratë e Jasharajve. Një
shkollë që do të mbahet mend brez pas brezi dhe përjetësisht.... Këtij sulmi i
mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars
të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe në këtë betejë
legjendare-mitike, shpëtoi gjallë edhe një vajzë e vogël me shpirt engjëlli,
dhe me një emër të bukur e sinjifikativ
për kohën dhe për vendin: Besarta! Kjo vajzë e Hamzes, shpëtoi e gjallë, se kjo
duhej të shpëtonte për dy arsye:
- Për të qenë dëshmitare e kësaj
ngjarje legjendare-mitike,
- Për të qenë dëshmitare e misionit
dhe e sakrificës së lirisë.
Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do
të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj
politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e
fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të
masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Me
aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe
Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të
ardhmërisë. Familja Jashari u vra, për të dhënë kumtin që iluzioni mori fund,
që realiteti kosovar nuk mund të durojë Serbinë dhe shqiptarët në një vend, në
Kosovë. Familja Jashari i dha identitet realitetit të njëmend të Kosovës. I dha
emër çlirimit të saj në muajt dhe vitet e mëvonshme.
Qëndresa e paepur e grave të Jasharajve ishin frymëzim
për të gjitha gratë shqiptare në vitet e mëvonshme dhe tani. Ato vërtetë
punonin në shtëpi, por zinin një vend të nderuar në familje dhe se jeta e grave
të Jasharajve fisnikërohej me të qenit nënë. Është e vërtetë se ato vlerësonin
shumë lartë të qenit nënë dhe bashkëshorte. Gjithë jeta e tyre ndërtohej në
këto dy shtylla kryesore, por kur e kërkoi atdheu e familja, ato dëshmuan se që
të dyja i sakrifikuan për liri, gjë që u ngritën në piedestalin e barazisë me
heronjtë.
Roli dhe ndikimi i sakrificës në Prekaz, ka dimension
gjithëpërfshirës: si brenda vendit, po ashtu, edhe jashtë vendit! Ajo, është
një prej ngjarjeve që me mënyrën apo me sistemin e zhvillimit, ka habitur dhe
ka shtangur jo vetëm shqiptarët, por këdo që ka dëgjuar për te. Pesha, efekti
dhe ndikimi i saj lëvizi aso kohe gjithçka: si në lindje po ashtu edhe në
perëndim.
Dhe jo rastësisht, duhet thënë se Familja Jashari, pati
rol polidimensional brenda një kauze të
drejtë kombëtare: fillimisht mbi kondita politike, e më pastaj, edhe mbi
kondita të tjera siç qe, kauza e ndritshme e organizimit dhe e fillimit të
rezistencës së armatosur në Kosovë me vite të tëra.
Për qëndresën e familjes Jashari u shkrua në shumë
shkrime shkencore e publicistike dhe jo vetëm në ato. Por, ajo që më bëri
përshtypje është shkrimi i motrës së
dëshmorit-Afrim Zhitia, Sadete Zhitia, e cila për rolin politik, atdhetar,
sakrifikues të kësaj familjeje, ja se çfarë shkruan: “Vetëm një familje e
tillë emblemë, ku mbizotëronte harmonia dhe dashuria e pa fund, mund të jap
mesazhin e fuqishëm. Vetëm një familje me një edukatë të mirëfilltë njerëzore,
intelektuale e patriotike mund t´i jap popullit të saj mundësinë që ta
përjetësoj legjendën dhe mitin, pa pasur nevojë të kalojnë vitet. Vetëm një
familje e ngritur e me edukim të shëndoshë, ka mundur t´i dhurojë popullit të
vet, rastin unik dhe të pa përsëritshëm në historinë e luftërave për liri. Janë
të panumërta rastet kur heronjtë dhe dëshmorët kanë dhënë jetën për atdhe, por
sakrifica që e bënë Jasharajt është unikate. Ata, luftuan bashkë me fëmijët e
tyre. E pikërisht ky fakt, e bënë edhe më madhështore dhe mbinjerëzore
sakrificën e kësaj familje“ .
Dhe krejt në fund, më lejoni që t’i numëroi disa tipare
të jashtëzakonshme – sublime për gratë e Jasharajve:
-Gratë e Jasharajve në bazë të
qëndresës që bënë, mishërojnë rolin historik kombëtar dhe jo vetëm kombëtar në
gamën e identitetit, të zhvillimit dhe të kontributit patriotik liridashës.
-Gratë e Jasharajve, në mënyrë të
vetëdijshme mobilizohen dhe organizohen përkrahë burrave që aspiratat për liri, t’i realizojë deri në
shkallë sublime.
-Gratë e Jasharajve, me kontributin
dhe me aktivitetin e pa kursyeshëm të tyre, përmes rezistencës dhe sakrificës
sublime, bëhen shembull i veçantë i organizimit dhe i bashkimit, një atribut që
na kishte munguar vazhdimisht në historinë tonë të luftës për liri.
-Gratë e Jasharajve, me mënyrën e
rezistencës dhe të sakrificës, e thyen përfundimisht mitin e forcës apo të epërsisë së pushtuesit, kundrejt të
pushtuarit.
-Gratë e Jasharajve, janë rasti i vetëm në histori i mënyrës së
organizimit dhe sakrificës së përbashkët, dhe si e këtillë, mund të
konsiderohet edhe si një fenomen Kombëtar i rezistencës në luftën për liri.