Speciale » Basha
Sabile Basha: Situata politike në Kosovë (1945-1948)
E diele, 24.07.2022, 08:00 PM
SITUATA POLITIKE NË KOSOVË
1945 - 1948
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Presioni,
dhuna e terrori serbe ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e i atyre të
Kosovës në veçanti, ka rrugë të gjatë, laramani të shumëfishtë veprimi e forma
të veçanta aplikimi, gjithnjë duke iu përshtatur rrethanave të mundshme të
zbatimit. Në këta shekuj të gjatë, shqiptarët përjetuan dhunë politike, dhunë
shpirtërore e dhunë materiale. Të gjitha këto forma të dhunës barbare serbe,
kishin objekt represionin fizik e shpirtëror, kishin shtypjen e substancës
shqiptare, ndjenjave kombëtare dhe vlerat shpirtërore e njerëzore të tyre, me
të vetmin qëllim përmbajtjesor, dëbimin dhe pastrimin etnik të shqiptarëve nga
këto troje. Edhe pse shumë programe e elaborate serbe kundër shqiptarëve e
Shqipërisë ishin shkrua në kohët më të hershme të periudhave historike, por që
duket gjithmonë aktual, nëse e gjykojmë se çka ka ndodhur në Kosovë dhe në
Jugosllavi përgjithësisht edhe në vitet e më vonshme, duke u nisur edhe nga
vitet 1968, 1981, 1989 dhe me luftën e
fundit në Kosovë 1999. Megjithatë aplikimi i tyre vije në shprehje sidomos pas
Luftës së Dytë Botërore në shtetin e “Ri” socialist duke bërë gjenocid dhe
krime të papara. Programet antishqiptare jo vetëm që u aplikuan në mënyrat më
perfide, bile urrejtja shkoi edhe më larg sa që në to u përfshi edhe Akademia e
Shkencave e Arteve Serbe, duke shkrua dhe specifikua si dhe në çfarë mënyre
duhet të eliminohen shqiptarët nga trojet e tyre shkruhet në të gjitha
programet e elaboratet serbe të kohës.
Për
copëtimin, uzurpimin, shpërnguljen, eliminimin e shqiptarëve nga ana e
intelektualëve të njohur serb është shkruar shumë, por edhe tani shkruhet më të
madhe. Por, pas përfundimit të LDB-së, me aneksimin e Kosovës Serbisë,
programet serbe në mënyrë institucionale u futen në sistem dhe tërësisht u
legalizuan. Më vonë, çdo gjë që u punua dhe katrahurat që përjetoi populli
shqiptar në Jugosllavi ishin prodhim i programeve antishqiptare. Me anën e
këtyre programeve, politika serbe e hegjemoniste për qëllim kishte realizimin e
parashikuar në vazhdimësi historike në projektet e përgatitura nga politikanët
si Garashanini, Qubrilloviqi, Andriqi,
Vukotiqi, Jankoviqi e deri te frymëzuesi shpirtëror i urrejtjes të të gjithëve
që nuk janë serbë, Memorandumi i Akademisë Serbe të shkencave në fundshekullit
20-të.
Ende
pa përfunduar lufta (1945), në Kosovë, Pushteti i Administrimit ushtarak në
Kosovë u vendos në kohën kur organet më
të larta të PKJ-së dhe të LANÇ-së, vendosën
që Kosova, si njësi autonome, t’i aneksohej Republikës së Serbisë. Kjo
koincidencë nuk ishte e rastit, ajo ishte e lidhur ngushtë me detyrat që
qëndronin përpara tij. Qëllimet e këtij pushteti ishin:
1.
Administrimi ushtarak synonte t’u
mohonte shqiptarëve arritjet dhe të
drejtat që kishin realizuar gjatë luftës,
2.
T’u impononte zgjedhjet që ishin projektuar për ta në rregullimin federativ të
Jugosllavisë së pasluftës.
3.
Ai kishte për detyrë të pengonte me çdo mjet
shpërthimin e pakënaqësisë tek
shqiptarët, e cila mund të çonte edhe në një kryengritje të përgjithshme
popullore,
4.
Të thyente rezistencën e popullit shqiptarë që kishin filluar në anë të
ndryshme të Kosovës.
5.
Në rast nevoje, të pengonin ndërhyrjen e Ushtrisë Shqiptare që do ti vije në
ndihmë Kosovës, dhe
6.
Administrimi Ushtarak, justifikohej me pretekstin se gjoja ishte vendosur për
luftimin e forcave “kundërrevolucionare “ shqiptare në Kosovë.
Administrimi
ushtarak në Kosovë u vendos me 8 shkurt 1945, me propozimin e J.B.Titos dhe e
tërë kjo u konceptua edhe si riorganizim i formacioneve ekzistuese ushtarake në Kosovë dhe u shoqërua me formimin e brigadave dhe të divizioneve të
reja, ndërmarrjen e masave për thyerjen sa më të shpejt të rezistencës në
Kosovë, që u organizua në disa pjesë të saj. Gjatë ekzistencës së pushtetit
ushtarak, vëmendja kryesore u përqendrua në largimin e kontingjenteve të të rinjve shqiptar nga
këto treva, të cilët për këtë shkak u dërguan në veri të Jugosllavisë, ose në
radhët e “brigadave të punës”. Rruga që përshkuan këta të rinj ishte shumë e
vështirë, për arsye të presioneve të shtabeve jugosllave.
Ndryshime
të shumta u bënë në organizimin e reparteve ushtarake, në kuadrin komandues të
këtyre reparteve dhe të seksioneve të shtabit të qarkut. Për drejtimin e tyre u
caktuan kuadro serbe e malazeze, të cilët në shumë raste u thirrën nga rajonet
e tjera të Jugosllavisë. Nga detyra u shkarkua Fadil Hoxha, i cili në këtë kohë
ishte komandant i Shtabit Kryesor, e më pas i Shtabit Operativ të Kosovës. Shef
i Shtabit Operativ për Kosovë u emërua Dushan Vukotiqi, i cili deri në atë kohë
kishte qenë zëvendës komandant i Divizionit të 46- të jugosllav. Shef i
prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviq, i cili u dërgua nga Shtabi Kryesor i
Serbisë.
Mu
nga këto ndryshime që u bënë në kreun ushtarak në Kosovë, del se në
riorganizimin e ri nuk u emërua asnjë nga shqiptarët, vetvetiu kuptohet edhe
qëllimi i administrimit ushtarak. Komandës së Administrimit ushtarak iu dhanë
autorizime të plota, ndërsa për të gjitha veprimet ajo jepte përgjigje vetëm para Komandantit
Suprem. Me fillimin e veprimit të pushtetit ushtarak në Kosovë, gjenocidi ndaj
popullatës së pafajshme shqiptare, mori formën e jetës së rëndomtë, populli
filloi të jetojë në ankth, për ditët që do të vijnë.
Ndërsa
me 19 shkurt 1945 (11 ditë pasi u vendos administrimi ushtarak), në Prishtinë,
OZNA dhe ushtarakët thirrën mbledhjen e Komitetit Krahinor të PKJ- së dhe morën
vendim që organizata partiake e Kosovës t’i bashkëngjitej organizatës partiake
të Serbisë. Për të gjitha këto ndërmarrje populli e as anëtarësia nuk pyetej
fare. Por, edhe sikur të pyeteshin, përfaqësimi i shqiptarëve në radhët e
PKJ-së ishte shumë i vogël. Nga kjo del se pas luftës aspiratat kombëtare të
popullit shqiptar në ish—Jugosllavi nuk u morën parasysh, por u shtypen me dhunë e terror. Udhëheqja e PKJ-së
dhe politika serbe i shfrytëzuan si marrëdhëniet që u krijuan ndërmjet PKJ-së
dhe PKSh-së ashtu dhe parullat për
“vëllazërimin, bashkëpunimin e internacionalizmin”, për realizimin e
qëllimeve të veta grabitqare ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar që u manifestua
edhe më vonë.
Po
qe se shqyrtojmë hollësisht dokumentet ushtarake (LANÇ) dhe partiake (PKJ),
nxjerrim përfundime, se Kosova si njësi autonome nuk lindi pas vitit 1945, por autonomitetin
e saj e gjejmë shumë më herët. Ajo gjatë
gjithë viteve të luftës pati të drejta të barabarta, si edhe republikat tjera
të ish-Jugosllavisë. Mirëpo, ç ‘është e vërteta, populli shqiptar asnjëherë nuk
e shikoi me “admirim” pushtetin e ri, që kishte gdhirë mbi Kosovën pa dashjen e
saj. Edhe në dokumentet partiake të kohës thuhet se shqiptarët me vështirësi pranonin
të anëtarësoheshin në radhët e PKJ-së. Ta zëmë se vetëm në mars të vitit 1945,
në Kosovë kishte 1020 anëtarë të PKJ-së, prej tyre vetëm 328 ishin shqiptarë,
ose 33% nga numri i përgjithshëm. Përbërja kombëtare ndryshonte edhe në komitetet partiake të rretheve. Pas
lufte, organizata partiake në Kosovë u nda në shtatë komitete partiake të
rretheve. Vetëm në komitetin e rrethit partiak të Gjakovës, sekretar i
organizatës ishte shqiptar, Xhevdet Hamza.
Më
8-13 maj 1945, në Beograd u mbajt Kongresi Themelues i PK të Serbisë. Në të,
përveç konstatimit se “është zgjidhur çështja e pakicave kombëtare”, që e zuri
në gojë sekretari politik i Komitetit Krahinor të PKS-së për Kosovë- Gjoka
Pajkoviqi. Ai në mes tjerash kishte cekur edhe dobësitë dhe gabimet e shumta që u bënë ndaj popullit të Kosovës.
Po
në këtë tubim, për të njëjtat gabime foli edhe Aleksandër Rankoviqi, njeriu më i dëshmuar për krimet që kishte
bërë ndaj shqiptarëve. Këto dy dëshmi dolën mu nga ata, që nuk kursyen asgjë
për likuidimin e shqiptarëve. Shtrohet pyetja athua pse e bënë këtë?! Për të
lehtësuar ndërgjegjen e tyre, apo për të fshehur masakrat e tjera, që u bënë në
mënyrën më tinëzare, në natën e historisë. Se, kjo e dyta është shumë më afër
mendjes, e në favor të saj flasin shumë likuidime dhe shumë varre masive të shqiptarëve, si në Drenicë, në Gjilan, në
Pejë, në Gjakovë, në Prizren e për të cilat askush nga kompetentët nuk mori
përgjegjësinë.
Planet
për Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare ishin, që ato të serbizohen dhe të
sllavizohen, prandaj me nguti, menjëherë pas “çlirimit” në vende kyçe udhëheqëse në Kosovë, u caktuan serbët e malazezët si në gjyqe e vende të
tjera. U hoq Gjyqi Krahinor dhe me kërkesën e drejtpërdrejt të Dushan Mugoshës,
u krijuan katër gjykata qarqesh: në Pejë, në Prizren, në Prishtinë dhe në
Gjilan ( me qendër në Ferizaj), ku të katër kryetarët e gjykatave ishin serbomalazezë: Petar Shoshkiq, Dragutin
Jakiq, Voja Stankoviq dhe Svetozar Nediq . Serbët e malazezët dominonin edhe në Këshillin Krahinor, në Komitetin
Krahinor dhe në çdo vend tjetër me rëndësi politike.
Kosova
e dërrmuar nga pushteti ushtarak, me 8-10 korrik 1945 do të arrij në
Konferencën e Dytë të Këshillit NÇ për Kosovë që u mbajt në Prizren. Siç është
tani veç e ditur, kjo konferencë u mbajt nën presion dhe nën kërcënimet e
grykës së pushkëve. Pjesën më të madhe të delegatëve e përbënin serbët e
malazezët, por për të krijuar huti te delegatët shqiptarë ata kishin vënë plisa të bardhë në koka.
Në
mënyrë arbitrare, ky kuvend, shpalli të paligjshme dhe korrigjoi vullnetin dhe
aspiratat shekullore të popullit të Kosovës, të shprehura në Konferencën e Parë
të Këshillit NÇ për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, të mbajtur në fshatin Bunjaj
të Malësisë së Gjakovës ( 31 dhjetor 1943-1 e 2 janar 1944). Konferenca u mbajt
në kohë lufte dhe pikërisht në atë kohë
kur edhe kombet e tjera të Jugosllavisë themeluan organet më të larta të
pushtetit të dala nga LANÇ-i, në kohën kur çdo komb po realizonte sipas
dëshirës e vullnetit të tij të drejtën për vetëvendosje, por për shqiptarët
sipas të gjitha gjasave nuk vlenin këto parime.
Duke
ecur në gjurmët e nacionalizmit shqiptar, mbledhja e Bunjanit ( 31 dhjetor 1943
dhe 1 e 2 janar 1944), përcaktoi si synim madhor bashkimin e tokave shqiptare.
Këto vendime që u morën në këtë mbledhje, nuk ishin shfaqje e ndonjë
nacionalizmi ekstrem, edhe pse më vonë nuk u përfillën vendimet e saja. Nuk u
mor parasysh e drejta e vetëvendosjes së
popullit shqiptarë për luftën e sakrificën që bënë. Periudha e mëvonshme provoi
se ky copëtim, ishte burim kryesor i pakënaqësive që ndodhën në popullatën
shqiptare.
Të
tëra këto padrejtësi me arsye krijuan
tek shqiptarët pakënaqësi. Shi për këtë, një organizim më i shpejt dhe më i
mirë pritej nga patriotët e intelektualët. Në këtë periudhë dhe nën këtë trysni
të vazhdueshme lindën dhe vepruan forcat
nacionaliste që në mënyrë të organizuar, nëpër mes të organizatave ilegale
artikuluan qëllimet e kërkesat e veta parësore e supreme të cilat ishin: Çlirimin
e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë. Edhe pse pushteti jugosllav i dinte
qëllimet e nacionalizmës shqiptare, ajo propagandonte se, këto organizata ishin armiqësore,
nacionaliste, separatiste, dhe që vepronin pa sukses, të nxitura nga shtetet
perëndimore. Në këto momente kritike të historisë, nacionalizma shqiptare ende
zotëronte një potencial njerëzor si në aspektin politik, ekonomik dhe në atë
ushtarak, i cili pas padrejtësive të shumta
po vihej në veprim për ta ndryshuar situatën.
Pas
riokupimit të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit (1945), me të madhe u ndje
nevoja për përvetësimin e masave të gjera popullore në përgjithësi e në veçanti
shprehej interesimi për popullatën shqiptare. Organet e pushtetit jugosllav si
dhe vetë Komiteti Qendror i PKJ-së ishin të interesuar që në mënyrën më të qetë
dhe të mundshme të kryenin qëllimet uzurpatore ndaj Kosovës dhe pa zhurmë të
realizonin planet e mëhershme për aneksimin e Kosovës. Situata politike dhe
ushtarake përcillej me vëmendje të posaçme në Shqipëri por në veçanti
përcilleshin lëvizjet dhe qëndrimet e nacionalistëve shqiptarë në Kosovë.
Udhëheqësit jugosllav ishin të njoftuar për formimin e Komitetit
Nacional-Demokratik Shqiptarë. Ata e ndjenin rrezikun dhe ishin të informuar
për përkrahjen që po i epte popullata shqiptare në Kosovë duke i mbrojtur dhe
duke iu bashkangjitur me të madhe organizatës. Duke e parë këtë rrezik,
Komiteti Qendror i PKJ-së, propozon që në Kosovë të formohet një organizatë
politike masive e shqiptarëve që do të veprojë në bazë të Platformës të Frontit
të Përbashkët Nacionalçlirimtar të Kosovës-Metohisë.
Komiteti
Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, përkatësisht Byroja e tij në
Beograd miratoi vendimin që të formohej Komiteti Nacional i Shqiptarëve të
Kosovës dhe të Metohisë. Urdhri vinte nga lart që kjo organizatë mundësisht të
formohej sa më shpejt dhe në këtë mënyrë
do të krijohej mundësia për përfshirjen
e shqiptarëve dhe mobilizimin e tyre
për zbatimin e Platformës së Frontit të Përbashkët Nacionalçlirimtar të
Jugosllavisë. Njoftimin për qëndrimin e formimit të Komitetit Nacional të
Shqiptarëve të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit e kishte marr përsipër që
t’ia bënte Milladin Popoviqit dhe Fadil
Hoxhës, Millovan Gjillasi dhe Aleksander Rankoviqi. Lidhur me formimin e
KNSHKD, u luajt edhe një lojë me plotë hile, ngase tek popullata shqiptare e
Kosovës u krijua një huti e paparë. Për njerëzit e painformuar mirë u krijua
bindja se Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar ishte po i njëjti ky komitet që
vepronte nën patronatin e PKJ-së. Andaj nuk është për tu habitur pse
anëtarësimi i shqiptarëve ishte tejet i madh. Menjëherë pas këtij qëndrimi në
Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit filluan përgatitjet . Mbaheshin tubimet e
shqiptarëve nëpër rrethe dhe qendra të mëdha në të gjitha viset ku jetonin
shqiptarët. Në mbledhjet me masa, bëhej informimi i situatës politike dhe zgjidheshin delegatet për tubimin kryesor të
Komitetit Nacional të Shqiptarëve. Kërkesë e pushtetarëve ishte që të gjithë
delegatet që propozoheshin për këtë Konferencë
Themeluese duhet të ishin shqiptarët me orientim komunist dhe të ishin
të orientuar kah LNÇ-ja
Konferenca
Themeluese e Komitetit Nacional të Shqiptarëve u mbajt me 27 e 28 mars të vitit
1945 në Prishtinë. Në të morën pjesë mbi 400 delegat nga të gjitha viset e
Kosovës e të Dukagjinit. Në të merrnin pjesë përfaqësuesit nga Shtabi Operativë
të UNÇJ dhe AP për Kosovë e Metohi, Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar për Kosovë e Metohi. Në konferencë u lexuan
shumë referate politike nga udhëheqësit e ushtrisë dhe të PKJ-së. Po ashtu në
të u caktuan edhe detyrat e KNSH-së, të cilat ishin: Të ndihmohej populli
shqiptar për shfrytëzimin e fryteve të LNÇ-së; për afirmimin kombëtar, për
çlirimin social, për ngritjen politike, kulturore, arsimore, të mësonte për
historinë dhe kulturën e popullit shqiptar, të ndihmonte organet e pushtetit
popullor në zgjedhjen e të gjitha problemeve në frymën e interesave dhe
kërkesave të popullit. Bukur dukej në letër dhe shumë joshëse ishin premtimet e
pushtetarëve po të kishin qenë të sinqerta. Faktet dëshmojnë, që në atë kohë,
në kushtet e pushtetit ushtarak në Kosovë e në vise të tjera të shqiptare,
Komiteti Nacional Shqiptar ishte sajua për efekte mashtruese në plan të
brendshëm e atë ndërkombëtar. Përmes një manovre të tillë të organizmave të
tilla synohej të arriheshin disa qëllime:
1.
Të hutoheshin dhe në një mënyrë të qetësoheshin masat shqiptare të pakënaqura
me zhvillimet politike në Kosovë që për çdo moment pritej eskalimi i tyre në
front të hapur luftarak.
2.
Forcat e armatosura shqiptare të cilat ishin duke luftuar në brendësi të
Jugosllavisë, të mendonin se në Kosovë ishte çdo gjë në rregull dhe shqiptaret
që në fillim kishin organizatën e tyre legale që përfshinte të gjithë
shqiptarët dhe nëpër mes saj mbronin qëllimet e tyre kombëtare.
3. Tensionet që mbretëronin në pjesën veriore të
Shqipërisë si në Shkodër, Tropojë, e Pogradec, rrethe të cilat përfshiheshin në
të ashtuquajturën “vija strategjike” e përparuar e ish- Jugosllavisë, prej nga,
si dhe më parë synohej për dominim në brigjet shqiptare të Adriatikut.
4.
Që ishte edhe pika më e rëndësishme se nëpër mes të formimit të KNSH, të
krijohej në opinionin ndërkombëtar e në Fuqitë e Mëdha aleate bindja se Jugosllavia përbën “modelin e zgjidhjes
demokratike” të çështjes kombëtare në përputhje me aktet ndërkombëtare të
miratuara gjatë kohës së luftës e në vazhdim.
Konferenca
e cila kishte zgjatur dy ditë, në fund kishte zgjedhur Plenumin e KNSH-së prej
100 vetash dhe Sekretariatin prej 10 vetave, në të cilën u zgjodhën: Fadil
Hoxha- kryetar, Rifat Berisha- nënkryetar i parë, Hasan Kryeziu- nënkryetar i
dytë, Xhavit Nimani- sekretar dhe anëtarët: Mehmet Hoxha, Kolë Shiroka, Rexhep
Butovci, Mumin Jakupi, Nexhip Beqa dhe Pajazit Hamiti. Po ashtu konferenca
zgjodhi edhe një delegacion që do të shkoi në Beograd dhe të takohej me Josip
Broz Titon, për t’ia paraqitur të gjitha kërkesat dhe të gjitha problemet me të
cilat po ballafaqohej populli shqiptar në fund të luftës.
Komiteti
Krahinor i PKJ-së për Kosovë e Metohi me qëllim që të kishte ndikim edhe tek
rinia shqiptare, mori vendim që në kuadër të KNSH, të formohej edhe organizata
e Rinisë Shqiptare për Kosovë e Metohi. Konferenca Themeluese u mbajt me 30
prill të vitit 1945. Në Konferencën Themeluese të Rinisë Shqiptare, u përcaktua
edhe struktura organizative. Në nivel të krahinës kishte Konferencën dhe
Këshillin Krahinor të Rinisë Shqiptare, ndërsa nëpër rrethe: plenume, këshilla
dhe sekretariate. Në Konferencë u zgjodh edhe udhëhesia e saj: kryetar-Xhafer
Vokshi, Nexhat Basha- nënkryetar, Ramadan Vraniqi- sekretar, Safete Nimani-
arkëtare. Anëtarë të Kryesisë u zgjodhën: Mehmet Shoshi, Kadri Reufi, Sadete
Bekteshi, Asllan Fazlia, Mustafa Shala, Tafil Hoxha, Murteza Luzha, Izedin
Osmani dhe Riza Azemi. Gjatë tërë veprimtarisë së vet Këshilli Krahinor i
Rinisë Shqiptare luajti një rol të madh në sensibilizimin e çështjes shqiptare
në ato vite. Organi kryesor i saj ishte “Zani i rinisë shqiptare” që u botua në
qershor të vitit 1945.
Veprimtaria
e Komitetit Nacional të Shqiptarëve, me kalimin e viteve kishte humbur edhe rëndësinë
e saj ngase dal ngadalë u ç ‘vesh nga detyrat politike dhe kishte një rol
dytësor në krahasim me organizatat tjera politike. Ajo veproi si organizatë e
pavarur deri më 1953, por më këtë vit shkrihet në Lidhjen Socialiste të
Popullit Punues të Kosovës dhe të Metohisë. Në LSPP-së, veprimtarin e vazhdoi
si një komision i veçantë që merrej kryesisht me çështjen e traditës, të
kulturës dhe të historisë kombëtare, por pa lënë anash edhe veprimtarinë e
pajtimeve të gjaqeve, sipas traditës shqiptare. Më vonë edhe puna në formë
komision u ndërpre duke i dhënë karakter institucional, u shndërruar në
Institutin Albanologjik më 1 qershor 1953. Por duke e parë rëndësinë dhe
ndikimin e Institutit, organet e pushtetit më 25 dhjetor 1955 e mbyllin për ta
hapur përsëri më 28 shkurt 1967. E siç dihej, Instituti Albanologjik gjatë
kohës së Jugosllavisë pati shumë
peripeci në rrugën e saj. Më 8 mars 1994 ndërtesa e Institutit u mor me dhunë duke i dëbuar e torturuar
shkencëtarë që ishin në të. Edhe pse përjetoi këto katrahura, por asnjëherë
puna hulumtuese-shkencore nuk u ndal dhe në qershor të vitit 1999, Instituti
Albanologjik prapë iu kthye jetës dhe punës normale shkencore.
Josip
Broz Tito delegacionin e shqiptarëve e pranoi me 4 prill 1945, në Beograd dhe
me ta kishte zhvillua një takim maratonik lidhur me situatën politike në Kosovë
dhe të drejtat e tyre për vetëvendosje. Duke i parë rrjedhat politike, të
muajve të parë të vitit 1945, gjenocidin e terrorin e paparë ndaj popullatës së
pafajshme shqiptare në shumë anë të Kosovës, delegacioni i KNSH merr qëndrimin
që të bisedohet shtruar për çështjen e Kosovës me vetë Titon. Ngase, gjatë
luftës ishte premtuar e thënë shumë herë për vetëvendosjen e popujve. Duke u
nisur nga këto premtime populli shqiptar, mori pjesë aktive në luftë për çlirimin nga fashizmi, dhe për
bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm. Vizita e delegacionit
shqiptarë në Beograd u zhvillua me 4 prill 1945, dhe sipas dokumenteve thuhej
se temë kryesore ishte statusi i ardhshëm i Kosovës dhe çështja agrare.
Në
delegacion merrnin pjesë: 1. Mehmet Hoxha (Gjakovë), 2. Halim Spahija
(Prizren), 3. Mehmet Krileva (Gjilan), 4. Qamil Luzha (Gjakovë), 5. Demë Taraku
(Pejë), 6. Ahmet Nishku, 7. Ahmet Nallbani (Prizren), 8. Hilmi Zariqi
(Drenicë), 9. Rifat Berisha (Drenicë), 10. Ismajl Hoxha (Kaçanik), 11. Ahmet
Efendia (Mitrovicë), 12. Xhevat Sojev (Gjilan), 13. Vesel Rexhepi (Gjilan), 14.
Kolë Delhysa (Prizren), 15. Ibrahim Cërnilla (Gadime), 16. Ahmet Salihu
(Prishtinë), 17. Ukë Sejdi Grabanica, 18. Emrush Miftari, 19. Sheh Danjolli,
20. Dushan Mugosha, 21. Hasan Kryeziu, 22. Ahmet Shushka (Rrethi i Prishtinës),
23. Muharrem Pasha (Pejë) dhe 24. Simo Vasileviq, arkëtar (Prizren).
Delegacioni
i përbërë prej këtyre personave ishte i vendosur që nga Titoja të kërkojë
plotësimin e kërkesave të shqiptarëve për vetëvendosje, me përjashtim të tre
vetave. Pjesëmarrësit që e morën fjalën shprehën hapur shqetësimin e tyre për
atë që po përgatitej. Pyetje e përgjigje të drejtpërdrejta kishte bë e dhënë
patrioti Halim Spahia. Pas arsyetimit të J.B.Titos "Se ishin marrë vesh
(J.B.Tito) me Enver Hoxhën që për shkak të rrezikut që do t'u kanosej fryteve
të LNÇ nga reaksioni shqiptar në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore, të mbetet
përkohësisht Kosova në përbërje të Jugosllavisë së Re". Atëherë, Halim
Spahia kishte parashtrua kërkesën për krijimin e një Republike të veçantë unike
për shqiptarët e mbetur në Jugosllavi. Mirëpo edhe kjo kërkesë hasi në
kundërshtim të J.B.Titos dhe të udhëheqësisç më të lartë Jugosllave e të Serbisë, me motivacion se
shqiptarët nuk kanë të drejtë që të kenë republikën e tyre në Jugosllavi, pasi
nuk janë komb, por pakicë kombëtare. Pas këtyre replikave të rrepta të Halim
Spahisë me udhëheqjen në të lartë Jugosllave e të Serbisë, ky e lëshoi takimin,
duke deklaruar në dalje publikisht para tërë asaj turme që priste para
rezidencës, rezultatet e këtij takimi historik për ardhmërinë e Kosovës, me
këto fjalë: "Po ju njoftoi se prej sot e pati Kosova, sepse ajo është
shitur". Kryetari i Delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, Mehmet Hoxha,
u mundua që të bind Halim Spahinë për të shkuar bashkërisht në Presidiumin e
Serbisë që të nënshkruajnë hyrjen e Kosovës në Serbinë Federale. Mirëpo, Halim
Spahia pa u hamendur, iu drejtua anëtarëve të delegacionit që gjendeshin aty me
këto fjalë: "Ne erdhëm te J.B. Titoja që t'i parashtrojmë kërkesat tona të
vendosura që nuk u morën në shqyrtim dhe nuk kemi pse të shkojmë në Presidiumin
e Serbisë, apo gjetiu në Beograd. Ejani burra të shkojmë sa më parë në Kosovën
tonë, se na presin punë të mëdha dhe tejet urgjente për ardhmërinë e kombit
tonë"
Ata
(Delegacioni shqiptar), kishin përgatitur me shkrim shtatë kërkesa, të cilat ia
dorëzuan Titos, dhe në ato pika kërkohej :
1.
Ligji agrar të përmirësohet
2.
Administrata të mbahet në gjuhën shqipe në Kosovë
3.
Të sillën arsimtarët nga Shqipëria në Kosovë
4.
Shitblerja e tokave që janë bërë me kërcënime nga serbët mos të pranohen
5.
Të burgosurit pa faj me u fal
6.
Të garantohet përdorimi i Flamurit Kombëtar dhe
7.
Të njihej e drejta për vetëvendosje
Të
pesë (5) pikat e para sipas një deklarate të Qamil Luzhës, Tito i pranoi, por
dy të fundit publikisht i refuzoi, dhe nga kjo ishte shumë e qartë se çka po i
priste shqiptarët.
Në
Konferencën e Tretë të PKJ-së për Kosovë e Metohi, Bllagoje Neshkoviqi, mohonte
çdo pjesëmarrje të shqiptarëve në LANÇ,
duke thënë: “Ju në Kosovë dhe në
Rrafshin e Dukagjinit nuk keni njeri që nuk ka pushkë dhe këta njerëz në çdo
çast mund të çohen në kryengritje”, për të
vazhduar më tutje se “ sa i përket fitores politike është e qartë se për
të as që mund të flitet, sepse ne jemi mjaft larg prej saj. Populli nuk është
me ne. Po e shohim se shqiptarët në numrin më të madh janë kundër Lëvizjes
Nacionalçlirimtare.