Speciale » Basha
Sabile Basha: Libër - Dëshmi për Kontributin e Grave të Kaçanikut gjatë Luftës së UÇK-së
E premte, 15.07.2022, 08:59 PM
Fjalë rasti e mbajtur me rastin e promovimit të
librit, më 13 korrik, 2022, Prishtinë
LIBËR – DËSHMI PËR
KONTRIBUTIN E GRAVE TË KAÇANIKUT GJATË LUFTËS SË UÇK-SË
(Hajrush
Kurtaj, “Kontributi i femrës në luftën çlirimtare të Kosovës në Kaçanik dhe Han
të Elezit (1998-1999)” botoi shtëpia botuese SAS, Prishtinë, 2022, f. 229)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha
Deri sa shfletoja librin “Kontributi i femrës në luftën çlirimtare
të Kosovës në Kaçanik dhe Han të Elezit (1998-1999)”, të autorit Hajrush Kurtaj, veten e
ndjeja të zënë piskë dhe memoria e stër ngarkuar, u kthye mbrapa për njëzet e
tëhu vite. Një epokë e tërë më doli para syve. I shikoja sytë e atdheut të shqetësuar,
dhe plagët që kullonin gjak. Më dolën para grat e burrat, duke ndjekur armikun
në çdo cep të Kosovës. Mu kujtua trimja- Lumnije Raka, infermierja e
luftëtarja që shpëtonte jetë; Mukadeze
Lika – Muhaxherit, nënë e 4 fëmijëve, që e vranë atëherë, kur fëmijët kishin më së shumti
nevojë për dashurin e sajë. Si të harrohet dëshmorja- Jehona Raka, që nuk kurse as
frymën e fundit për të parë vendin e saj të lirë. Çfarë t’i themi nënës së
Emsale Frangut, që humbi vajzën e pa nusëruar; si ti ngushëllojmë fëmijët për nënat që
nuk kthehen nga betejat. O zot, duhet të jesh gur para këtyre tragjedive. Liria
lyp kurban më thoshte babai. Liria ka emër, thanë ata që kurrë nuk e harruan
luftën titanike të UÇK-së. E vitet ecin me peshën e dhembjes mbi supe. Janë kërrusur
nënat, e, kujtime janë edhe më të freskëta në altarin e lirisë.
Për
gratë është shkruar, shkruhet dhe do të shkruhet vazhdimisht. Për to u shkruan
libra, e u xhiruan filma të cilët temë trajtimi patën jetën dhe ngjarjet, të
cilat përcjellin lirin o padrejtësinë ndaj tyre. Por, ama, librin që po e
promovojmë sot, nuk ka të bëjë me as njërën prej këtyre. Se ky libër në vete
ngërthen krejt diçka tjetër nga ajo, që jemi mësuar të lexonim e të shihnim në
botën e qytetëruar.
Për
t’i dhënë monografisë karakter shkencor, autori niset nga postulati shumë i
njohur, se për të gjykuar mbi nivelin e zhvillimit të një kombi duhet të
njohësh shkallën e emancipimit të femrës. Në këtë libër autori bën përpjekje
dhe ia del me sukses që të pasqyrojë gjendjen e gruas
në
Kosovë, parë në lidhje me faktorët historikë, ekonomikë, politikë, socialë e
kulturorë, që patën ndikim në këto hapësira. Në të gjithë kapitujt e librit,
autori me një besnikëri fanatike prezanton : gruan- nënë të dëshmorëve;
kontributi i saj në Luftën e UÇK-së; ushtaret në UÇK; gratë e vajzat që
ndihmuan luftën e UÇK-së; gratë e ushtaret që u plagosën në UÇK dhe heroinat e
luftës së UÇK-së.
Libri
“Roli dhe kontributi i femrës në luftën çlirimtare të Kosovës në Kaçanik” të
cilën e ka shkruar autori me një përkushtim e kujdes të veçantë, me një
përmbajtje të veçantë dhe, gjithashtu, autori i librit është një luftëtar i
UÇK-së, zotëri Hajrush Kurtaj. I cili, me vokacion nuk është
historian-shkencëtar, por bënë punën e tyre. Nuk është psikolog, por, ka
depërtuar thellë në ndjeshmërinë e prindërve, motrave e vëllezërve të
heroinave. Mos të harrojmë se mbi të gjitha, zotëri Hajrush Kurtaj është një
atdhetar i devotshëm, baba e prindër që e ka ndjerë dhe e ka përjetuar rëndë
dhembjen e çdo nëne e prindi që kanë humbur më të dashurit e tyre.
“Roli
dhe kontributi i femrës në luftën çlirimtare të Kosovës në Kaçanik”, është një
libër i krenarisë dhe i dhembjes . Një libër që të shtang posa ta lexosh
titullin e që të nxit, e cytë, që të futesh në brendinë e rreshtave që ngërthen
në vete, me të dhëna të bollshme e fotografi grash që u vranë, nëna që humbën
më të dashurit e tyre, familjar që asnjëherë nuk u harruan nga ata, që nuk
guxojnë të harrojnë, gra që ndihmuan në frontin e luftës dhe në frontet e
lirisë anë e kënd rrethit të Kaçanikut..
Për
dike, ndoshta është e pabesueshme, por faktet flasin për vërtetësinë e
ngjarjeve makabre që na i prezanton Hajrush Kurtaj, e që vet ishte dëshmitar e
pjesëmarrës i atyre ngjarjeve që u zhvilluan në truallin e përgjakur të Kosovës
martire që nga viti 1998 deri më 1999, kohë të cilën e përkufizon vet autori
Besoj
se askush nuk e ka harrua se në Kosovë patëm një luftë jo të zakontë dhe, me
një okupues edhe më të pazakontë, do të thosha barbar. E si do të quheshin
ndryshe ata që vrasin gratë, burrat e fëmijë e pafajshëm- veçse kriminel.
Do
të shtroja pyetjen, A vriten gratë bre?! Po, në këtë libër është përgjigja që
të shtang. Është dëshmia rrëqethëse e e faktografuar që Hajrush Kurtaj i ka
grumbulluar dhe i ka sistemuar, duke na ofruar vetëm një pjesë të majës së
ajsbergut të tragjedisë që ka ndodhur në Kosovë.
Libri
është tmerri vet, por që në të njëjtën kohë të bën të ndihesh i revoltuar, i
rebeluar, i mobilizuar, i rezistuar para së keqes, dhe të mësohemi që kurrë më,
mos të harrojmë të kaluarën, për të mos u përsëritur, jo vetëm tek ne por
askund në botë.
Të
ndalemi për një çast dhe të mendojmë, se si te gjithë jemi nënat, baballarët,
motrat e vëllezërit e tyre. Jemi prindër që nuk i kemi më ato pranë nesh. Nuk i
kemi ma buzëqeshjet e tyre. Nuk na kthehen nga shkolla apo puna! Nuk na
thërrasin për asgjë! Nuk na kërkojnë ama bash asgjë, por kujtimi për ta...
nëpër vite e dekada ka me na përcjell si dhimbje e pa ndalur nga ecejaket e
lodhura në trotuaret e historisë, që kërkojmë vetëm pak për to, një vëmendje
sublime nga gjenerata e gjenerata që do të vijnë.
Libri
ka edhe shtojcën: Foto e Faksimile, që është pjesa më rrëqethëse e tij, ku janë
materializuar me fakte ngjarjet që trajtohen në këtë monografi. Autorit të
librit “Roli dhe kontributi i femrës në luftën çlirimtare të Kosovës në
Kaçanik” i Hajrush Kurtaj, i lumtë, që me punën e tij të pa ndalur, na fali
këtë libër- lapidar për kontributin e grave gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ju lumtë edhe për kurajën që keni pasur, ngase në momente kur lexoja librin,
ndjehesha me ju, kam qenë në pozitën tuaj dhe e dijë se çfarë keni ndjerë, se,
mu kujtua përgatitja e librit tim “Të burgosurit politik shqiptarë” kur me net
të tëra nuk fusja gjumë në sy dhe përjetoja kalvarin e dhembjes bashkë me ta.
Ankth me net të tëra.
Nevoja
e një botimi të një vepre të tillë, siç është kjo e autorit Hajrush Kurtajt,
ish-ushtar i UÇK-së, për këto figura të shquara të kombit, është ndier kaherë
në historinë e luftës së fundit në Kosovë. Përveç faktit që mbushet një
zbrazëti, edhe hapen shtigje të reja për t’u parë më me plotni veprimtaria e
grave që vepruan në kuadër të UÇK-së, por edhe jashtë saj, ngase ato ishin dhe
mbeten figurë të madhe, të dashura, me një natyrë kryengritëse, guximtare deri
në vetësakrificë. Në të njëjtën kohë ishin heroina, me një aktivitet e
kontribut të spikatur në dobi të çështjes kombëtare.
Tematika
e kësaj monografie është trajtuar me një seriozitet të madha (shkencor). Secili
kapitull ndërlidhet reciprokisht mes veti dhe plotësojnë kuptimin e njëra
tjetrës. Statistikat që prezantohen këtu janë të sakta, ku paraqiten me emra e
mbiemra, me vendlindje , me vend ndodhje të masakrave, andaj libri është
monument shkrimi argumentues dhe
bindës.
Në fillim është dhënë përmbajtja e librit, fjala e redaktorit e recensentëve.
Pastaj pason hyrja, e shumë kapituj të tjerë. Ndërsa në fund jepet përfundimi i
librit nga vet autori. Por, po ashtu kisha propozua që edhe libri si tërësi
kishte qenë mirë që të përkthehej në ndonjë gjuhë të huaj.
Dhe
krejt në fund, do të thosha se, ky libër le të jetë sot, edhe një homazh
kombëtar e njerëzor për jetën e atyre grave që u shuan në mënyrë të pafajshme
nga dora barbare vetëm se kërkonin lirinë e mohuar. Le të jetë një dëshmi e
paharruar e një kujtese të dhimbshme, jo, për hakmarrje, por që krimet, mos të
përsëriten kurrë më, në trojet shqiptare e askund në botë. Uroj që z. Hajrush
Kurtaj të ketë shëndet, të punojë edhe më me përkushtim në zbardhjen e
ngjarjeve historike, për ne, dhe gjeneratat e ardhshme.