Speciale » Basha
Sabile Basha: Një libër i rëndësishëm shkencor për historinë më të re të Kosovës
E premte, 11.02.2022, 10:32 PM
NJË LIBËR I RËNDËSISHËM SHKENCOR PËR HISTORINË MË TË RE TË KOSOVËS
Memli
Sh. Krasniqi, “Kosova (1981-1989), Fillimi i shpërbërjes së RSF të
Jugosllavisë”, botoi Instituti Albanologjik, 2021, Prishtinë
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Recensionin
për librin e Memli Shaip Krasniqit do e filloja me një thënie të Georg Orvellit
ku thotë se “Mënyra më efektive e tyre për të shkatërruar një komb, është të
mohosh dhe të zhdukësh historinë e tyre”, andaj i jemi mirënjohës Memlit që
hulumtoi dhe grumbulloi me qindra dokumente për të dëshmua një të vërtet
historike, për ta nxjerr nga kthetrat e mashtrimit dhe të hutisë që dominon tek
gjeneratat e ardhshme, që me droje po e themi më pak e njohin historinë e
viteve të paraluftës së fundit 1981-1989.
Duhet
thënë se historia e një kombi nuk mund të shkruhet dhe të njihet pa hulumtimin
e dokumenteve dhe materialeve që lidhën me kohën të cilën e përjetuam, andaj
vazhdimisht duhet ta rikthejmë kujtesën tonë
në periudhat e robërisë, të
okupimit klasik dhe të luftës që kaloi vendi ynë. Ky rikthim prapa, na jep
kurajë e na nxit për angazhime edhe më të mëdha që kurrë mos të harrojmë të
kaluarën se pastaj jemi të detyruar ta përjetojmë thotë filozofi Santajana.
Ditë
më parë, kur Memli Sh. Krasniqi, më dha dorëshkrimin “Kosova (1981-1989),
Fillimi i shpërbërjes së RSF të Jugosllavisë”. Dhe, duhet shtuar se autori
Memli Sh. Krasniqi, për historiografinë shqiptare nuk është emër i panjohur.
Gjer më tani ka botuar shumë studime të rëndësishme nga historiografia e vjetër
dhe më e re e Kosovës. Çdoherë veprat e këtij studiuesi te komuniteti i
shkencëtarëve – historianë, kanë zgjuar kureshtjen shkencore dhe janë pranuar e
janë vlerësuar lart nga ta.
Duke
marrë parasysh faktin se, një monografi e këtillë apo e ngjashme ka munguar
deri më tani, botimi i kësaj monografie u mirëprit, duke e vlerësuar lart këtë
projekt dhe njëkohësisht duke shpresuar se i njëjti, në të ardhmen do të bëhet
pjesë përbërëse e realizimit të projekteve
të cilat do të trajtojnë historinë më të re të Kosovës.
Por,
për dallim nga të tjerët, duhet thënë se
Memli Sh. Krasniqi, me guximin prej shkencëtari, librin që na i ofron me të
dhëna të bollshme e dokumente të shumta, na i ofron ashtu siç kanë qenë, pa
censurë, pa dorëza, hapur dhe pa
politike, të cilën duhet çmuar dhe respektuar.
Vetëm
kur të lexohet dhe të studiohet vepra e Prof. Dr. Memli Sh. Krasniqit dhe kur
të vlerësohet shkencërisht, atëherë do të bindemi se me sa përkushtim është
punuar e është trajtuar situata politike në Kosovë. Ai, me një durim prej
shkencëtari të mirëfilltë, mblodhi, grumbulloi dhe sistemoi edhe të dhënat më
të vogla që flasin dhe dëshmojnë për Kosovën dhe padrejtësitë e shumta
historike që iu bënë asaj nga shteti i quajtur Jugosllavi.
Duhet
thënë se libri i Memli Sh. Krasniqit, ndahet në trembëdhjetë pjesë, të cilat
veç e veç trajtojnë, analizojnë dhe japin vlerësime shkencore për periudhën në
fjalë. Duke lexuar librin dhe duke parë se sa me përkushtim dhe analizë
shkencore autori e ka shkruar atë, duhet lavdëruar ai, ngase ka bërë një punë
të rëndësishme për historinë më të re të Kosovës që nga viti 1945, për të
ardhur deri tek viti 1989. Në libër, autori
me një guxim të madh prej shkencëtari përfshinë e trajton këto tema, si:
Rënien e Aleksandër Rankoviqit-humbja e rrymës centraliste dhe forcimi
institucional i njësive federale; Statusi i Kosovës sipas kushtetutës së vitit
1974; Përpjekjet e RS të Serbisë, RS të Maqedonisë dhe RS të Malit të Zi për të penguar thellimin e bashkëpunimit
kulturor dhe ekonomik të KSA të Kosovës me RPS të Shqipërisë (1974-1980);
Parashikimet amerikane mbi ardhmërinë e Jugosllavisë së pas
Titos (1972-1980); Kosova në kushtet e ndryshuara ekonomike-sociale dhe raportet
e saj me njësitë e tjera të federatës jugosllave (1980-1981); Arsimi, shkenca
dhe kultura në Kosovë(1974-1981); Dy konceptet politike në Kosovë (1974-1980):
Lidhja e Komunistëve të Kosovës - Përpjekje për sa më pak varësi institucionale
nga RS e Serbisë dhe veprimtaria e organizatave ilegale shqiptare për statusin
e republikës; Demonstratat e studentëve në Prishtinë më 1981 dhe fillimi i
krizës politike në Kosovë dhe në RSFJ; Argumentet për dhe kundër avancimit të
statusit të Kosovës në republikë të shtatë të RSFJ-së; Shtypi amerikan për
ngjarjet në Kosovë më 1981-1982; Kosova në udhëkryqin ndërmjet ruajtjes së
autonomisë dhe tendencave unitariste serbe (1982-1986); Historia e përsëritur e
argumenteve të njëjta kundër shqiptarëve dhe Kosovës: dëmtimi dhe shitblerja e pronës së serbëve dhe “sulmet”
kundër kishës ortodokse serbe; Kosova (1985-1989): Rritja e tensioneve etnike,
burgosjet dhe vrasjet e ushtarëve shqiptarë në APJ si dhe ndryshimet
kushtetuese Dhe krejt në fund të librit vijën: Përfundimi i librit, Harta dhe
Dokumente, Indeksi i emrave dhe Bibliografia.
Veç
Parathënies, që e jep autori, ai dendur paraqet të dhëna të bollshme rreth
shkaqeve zhvillimeve dhe kërkesave të popullit shqiptarë që nga viti 1945. Në
mënyrë të detajuar përshkruan terrorin antishqiptar dhe periudhën e Rankoviqit,
aksionin e mbledhjes së armëve, shpërnguljen për në Turqi etj...etj... Dihet se
pas shpërthimit të demonstratave në Kosovë më 1968, shteti kishte ndërmarrë
masa të mëdha ndëshkimi ndaj pjesëmarrësve të demonstratave. Autori i librit,
me një gjuhë të rrjedhshme dhe me një guxim prej intelektuali të mirëfilltë, na
i paraqet proceset gjyqësore dhe dënimet që u shqiptoheshin demonstruesve.
Gjenocidin antishqiptar, dënimet ndaj atdhetarëve na i prezanton në një pjesë
të veçantë të librit.
Në
Kosovë e viset tjera shqiptare në Jugosllavi, nga fundi i viteve tetëdhjeta dhe
fillimi i viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, problemet politike,
ekonomiko-shoqërore e kulturore, qenë rritur në përmasa serioze, si rezultat i
kontradiktave të papajtueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Detyrat dhe
përgjegjësitë në lidhje me to konsideroheshin më delikate. Në këtë drejtim, dy
rrugë kishte: Ose të punosh në suaza të sistemit dhe të qëndrosh deri sa
mundësh me qëndrua ose të veprosh në ilegalitet e të krijosh një organizim
ilegal. Për të kalua në opsionin e dytë kushtet ishin ende larg së mundshmes,
andaj në mënyra të ndryshme
organizoheshin e vepronin shqiptarët.
Pastaj,
demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 nuk ishin rastësi në historikun tonë.
Ato kishin një vazhdimësi qysh nga orët e para të Lëvizjes sonë për liri dhe
pavarësi kombëtare. Dhe, ato do të paraqesin edhe një hallkë të rëndësishme në
përpjekjet për çlirim të popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera
shqiptare nën ish-Jugosllavi.
Më
11 dhe 26 mars të vitit 1981, shpërthyen demonstratat studentore të
Universitetit të Kosovës. Ishte kjo një revoltë e akumuluar ndër breza, shekuj
me radhë, duke kaluar nga veprimtaria e
organizatave dhe e grupeve ilegale, që
ishin sakrifikuar, në kërkesa të hapura dhe legale.
Studentët
e atij brezi u gjakosën, dolën përballë policisë dhe armatës jugosllave
vetëm me forcën e shpirtit shqiptar.
Rezistenca e tyre u parapriu të gjitha çështjeve të pazgjidhura etnike, për të
cilat u njoh bota në vitet që pasuan. Rinia shqiptare në ish-Jugosllavi zbuloi
jo vetëm gjendjen kritike të popullit të vet, por edhe konfliktin që ekzistonte
i mbuluar në shkallë universale, historike, njerëzore dhe kombëtare në Ballkan.
Në
mënyrë ciklike studentët dhe populli, në forma të ndryshme, nëpër dekada shprehën
e manifestuan pakënaqësinë e tyre. Dhe, mbeti i vetmi popull që më së
shumti u ballafaqua me kërkesën legjitime për liri dhe pavarësi, si një çështje
e drejtë historike, e krijuar në ciklin kohor të padrejtësive historike. Ata,
dy dekada para përfundimit të mileniumit, që e kemi lënë pas, do të kërkonin
vetëm atë që u takonte - të drejtën e tyre, kërkonin që kjo pjesë e robëruar të
fitonte lirinë e merituar. Kjo kërkesë shteteve të botës do t’u trokasë në
ndërgjegje si një vonesë historike. Vetëm pesë ditë pas, më 1 e më 2 prill, me
kërkesat e demonstruesve u solidarizua i gjithë populli. Sipas të dhënave
zyrtare të asaj kohe, gjatë këtyre demonstratave pati 9 të vrarë dhe 15 të
plagosur, ndërsa forcat e policisë serbe patën 2 të vrarë dhe 17 të plagosur.
Demonstratat
e vitit 1981 do të konsiderohen se ishin demonstratat më të mëdha në
Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore. Në to
në forma të ndryshme mori pjesë i gjithë populli shqiptar.
Në
kërkesat e demonstruesve të rinisë në pranverën e vitit ’81 dominuan parullat
për “Kosovën –Republikë”. Këtë e argumentojnë edhe parullat e tjera, siç ishin: “Kosova kosovarëve”,
“Duam Republikë”, “Republikë kushtetutë, ja me hatër. ja me luftë”, “E duam
flamurin kombëtar”, “Duam bashkimin e trojeve shqiptare” e të tjera. Këtyre
kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar udhëheqja jugosllave iu përgjigj me
zjarr e me hekur. Ngjarjet e sipër theksuara qenë një paralajmërim që shënuan
kthesë në historinë e ideologjisë komuniste dhe, në fund, përmbysjen e saj.
Më
2 prill 1981 Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi
qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vende publike. Ndërpreu mësimin në
shkollat fillore, në ato të mesme dhe në universitet. Mbylli konviktet e
studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në
komunat e tjera të Kosovës. Megjithëkëtë, më 2 prill 1981, në Prishtinë tërë
ditën kishin vazhduar demonstratat masive të shqiptarëve. Po atë ditë,
demonstratat u organizuan edhe në Podujevë, në Gjilan, në Vushtrri dhe në
Mitrovicë. Më 30 prill vazhduan në Ferizaj, në Viti, përsëri vazhduan në
Vushtrri dhe në Mitrovicë. Më 30 prill u
organizuan demonstrata në Deçan dhe në Istog. Me demonstrata e me protesta u
vazhdua përsëri në Prishtinë edhe me 18 maj 1981. Në to më tepër se 1000
studentë dolën në oborrin e Qendrës së Studentëve dhe protestuan më shumë se
një orë e gjysmë. Pas kësaj proteste, organet e pushtetit dhjetë ditë para
afatit urdhëruan përfundimin e ligjëratave në Universitet. U ndërpre qarkullimi
i postës dhe të gjitha lidhjet telefonike. Patrullat e policisë dhe ato
ushtarake kontrollonin të gjithë kalimtarët dhe automjetet në komunikacion.
Kështu, Kosovën e izoluan nga pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, duke bërë
përpjekje që të shkëputnin çdo lidhje të saj me botën.
Ndonëse
opinioni ndërkombëtar këto demonstrata i cilësoi paqësore, ndonëse këto demonstrata kishin karakter
demokratik, kombëtar e paqësor, në Kosovë nga çdo republikë jugosllave vërshuan
njësi të shumta policësh dhe ushtarakësh. Kundër demonstruesve duarthatë u përdorën: bomba me gaz
lotsjellës, shkopinj gome e kërbaçë, gazra helmuese kimike, armë zjarri, tanke,
helikopterë, autoblinda, aeroplanë luftarakë, bile-bile edhe të tipit MIG-21”.
Në marshin protestues pati të vrarë dhe të plagosur, të arrestuar dhe të
arratisur jashtë atdheut, madje vetëm në shtetet perëndimore, atje ku
shpresohej në demokraci dhe assesi në shtetet lindore dhe komuniste. Gati një
brez i tërë në forma të ndryshme gjenocidi u flijua në altarin e shenjtë të
atdheut - për Kosovën-Republikë.
Ndonëse
kërkesat që u shtruan në demonstrata ishin të drejta, të ligjshme dhe nuk
dilnin jashtë kornizave të Kushtetutës së RSFJ-së, megjithatë ato u cilësuan si
“kundërrevolucionare”, ndërsa studentët
dhe pjesëmarrësit u cilësuan “armiq”, “kundërrevolucionarë” dhe “irredentistë
shqiptarë. Këto epitetet shërbenin si
kategori themelore me të cilat përcaktoheshin, karakterizoheshin dhe dënoheshin
demonstratat dhe demonstruesit. Këto epitetet u përdorën vetëm e vetëm që të
legjitimoheshin dhe të justifikoheshin masat e mjetet e dhunës që i zbatonin në
këto ngjarje. Ndaj “armiqve të popullit”, okupuesi përdori masat më drastike: i
rrahu, i keqtrajtoi, i torturoi, i arrestoi dhe i dënoi me burg të rëndë deri
në 15 vjet, ndërsa ndaj familjeve të tyre u aplikua edhe masa e izolimit etj.
Në
rrafshin kombëtar, ato patën një ndikim të jashtëzakonshëm për forcimin e
kompaktësisë dhe të unitetit të mbarë popullit shqiptar. Demonstratat u dhanë
një goditje të rëndë perdes së ngritur nga qarqet në pushtet në Jugosllavi, por
edhe në Shqipëri, e cila kishte synuar t’i mbante të ndarë dhe t‘i izolonte
shqiptarët që jetonin në Kosovë nga vëllezërit e tyre në Shqipëri.
Duhet
thënë edhe këtë se zhvillimet politike gjatë viteve 1981-1986 u dhanë një
goditje të rëndë dhe asgjësuese
iluzioneve që kishin krijuar, si rrjedhojë e propagandës së udhëheqjes
jugosllave, për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare të shqiptarëve në
Jugosllavi. Ato në mënyrën më të hapur zbuluan dhe dëshmuan edhe një herë
agresivitetin e shovinizmit serb, synimet e tij që drejtoheshin kundër të
drejtave kombëtare e qytetare të popullit shqiptar.
Ky
botim, na ofron edhe materiale të tjera, në të cilat shqyrtohen situata tejet
të rënduar në hapësirën gjithë shqiptare, si
ekonomike, shoqërore, politike, ushtarake dhe diplomatike, me alternativat e qëndrimeve dhe orientimeve për
rrugëzgjidhje nga ana e popullit shqiptar në luftë të armatosur.
Andaj,
ky botim si pjesë kontributore shkencore e reale në historiografi, do të sjell
debate të frytshme, duke u bërë shtytës hulumtimesh e gjurmimesh të reja, si
element thelbësor i potencës dhe kërkimit shkencor, të cilat, pa dyshim, do të
shpijnë përpara, gjykime dhe përfundime më të avancuara në studimet historike. Në këtë rast, duke mos
përdorur vetëm qasjen faktologjike, por metodat e hulumtimit bashkëkohor,
përmes infiltrimit të analizës me objektivitetin shkencor dhe parimet themelore
të shkrimit të historisë bashkëkohore, për të arritur në përfundime sa më afër
të vërtetës historike dhe që të mund t’i qëndrojnë kohës e kritikës së
mirëfilltë historiografike.
Dhe
krejt në fund duke e përgëzuar autorin e librit Prof.dr. Memli Sh. Krasniqi,
“Kosova (1981-1989), Fillimi i shpërbërjes së RSF të Jugosllavisë”, i urojmë
,që të na dhurojë edhe më tutje vepra të këtilla me vlera shkencore.