Kulturë
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Mirënjohje të përzemërta!
E shtune, 27.08.2022, 07:36 PM
Mirënjohje të përzemërta!
Prof. Dr. Fatmir Terziut dhe
analistit të shquar, z Kadri Tarelli!
Nga Vilhelme
Vrana Haxhiraj
Të nderuar miq, z. Fatmir dhe z. Kadri !
Prof.dr. Terziu, falënderimin mediatik për librin kritik,
studimin tuaj filozofik rreth krijimtarisë sime që mban titullin "Liria
në Optikën e Letrave të Vilhelme Vranari Haxhiraj", po e bëj me
vonesë.
E vetmja arsye ka qenë se, nuk mund të lëvdohesha e të
mburresha për vete duke perifrazuar vlerat e krijimtarisë sime të spikatura nga
ju gjatë analizave. Një mënyrë e tillë për t'u dukur nuk është në natyrën time.
Është diçka e ulët, madje e dalë boje për cilindo. Vetmburrja duket apo i ngjet
kockës së zvargur në fyt që s' të lë të kapërdihesh, ndaj unë nuk e bëj dot.
Duhej të fliste dikush për vlerat e librit tuaj që unë të reagoja me
konsideratat e mia.
Si shtysë për të thënë dy fjalë mirënjohjeje, shërbeu
shkrimi analitik dhe me shumë vlera i mikut tonë të përbashkët, z. Kadri
Tarelli, (shkrimtar, studiues dhe analist i thellë). Ndaj z. Tarelli, shpreh
mirënjohje dhe nderim se, me analizën e tij të mirëfilltë i ka bërë autopsinë
librit kritik të Prof. dr. Terziut " Liria në Optikën Letrare të
Vilhelme Vranari Haxhiraj".
Pas Prof. dr. Terziut në larminë e analizave të krijimeve
të mija, qëndrojnë intelektualët e shquar, të cilët i përshëndes dhe i
falënderoj, Dr. Mujë Buçpapa, Prof. Dr. Eshref Ymeri dhe z. Kadri Tarelli. Nuk
janë pak, po janë me dhjetëra analiza të spikatura që unë i kam përjetësuar,
duke i vënë si parathënie në librat që kam botuar.
Pa e tepëruar shprehem se, janë analistë të nivelit të
lartë intelektual dhe profesional, si, Odhise Grillo, Teodor Laço, Dionis
Bubani, Fatos Beja, Fatos Arapi, Uran Butka, Adriatik Kallulli, Xhevahir
Spahiu, Bedri Çoku, Shaban Xhyheri, Ajet Nuro (Kanada), Fatmir Minguli, Lejla
Gorishti, Vladimir Muça, Halil Rama, Fisnik Sina, Flori Bruqi,Skënder
Hasko, Bardhosh Gaçe, Nimfa Hakani, Mexhid Prençi, Fatmira Beqja Veseli,
Redin Hafizi, Hamdi Meçe, Myrteza Mara, Gëzim Llojdia, Bujar Leskaj, Marjeta
Pronjari Zaçe, Xhevahir Cirongu, Shpend Topollaj, Merita Kuçi, Meto Hoxha, Adem
Zaplluzha, Maku Pone, Albert Habazaj, Mexhid Haxhiu, Ahmet Demaj, (Sadulla
Zendeli Daja, Sokol Demaku, Ramiz Dermaku,)-Suedi; (Baki Ymeri, Marius Qelaru,
Mihaji Antonesku, Monika Muresan)-Rumani; Boro Nazaj, Duro Mustafaj, Xheladin Mjeku, (Prof. Italo Fortino,
Prof.Agostino Xhordano -Itali); Kozeta
Zylo-ShBA, Vjollca Biraku, Vangjel Sako, Natasha Limaj Fejzaj, Dero Murataj,
Seit Beluli, Bajram Koshena, Gentian Banaj, Bajame Hoxha, Federik Radovani,
Sitki Cerekja, Albert Zholi, Raimonda Moisiu, Dhurata Reçi, Merita Smaja etj. U
kërkoj ndjesë zonjave apo zotërinjve që për çastin, nuk më kujtohen...
Shpreh mirënjohje, jetë të gjatë dhe krijimtari të begatë
atyre që jetojnë. Kujtoj me nderim dhe uroj të prehen në paqe ata që janë ndarë
nga jeta, por kanë lënë pas veprën e tyre madhore. Një mirënjohje të veçantë e
kam për botuesit, Irena dhe Fatmir Toçi(ShB.Toena), Mujë Buçpapa(ShB Nacional),
Vladimir Gaba (ShB Europrint) dhe mediat e shkruara kudo në botë dhe ato
televizive që janë bërë tribuna të fjalës së lirë!
Megjithëse fillova të shkruaj në moshën 52 vjeçare, më ka
prirë fati, pasi kam patur miq shumë të mirë që i dhanë krahë letërsisë
sime. Nga të gjithë emrat e mësipërm, ai që më nxiti, më mësoi se si t’i
ngjitja shkallët e letërsisë për të qenë vetvetja, ishte i paharruari miku im
dhe i familjes, Profesor Odhise Grillo, “Mjeshtër i Madh”. Ai njeri bujar me
zemër të madhe dhe pa kurrfarë interesi,më zgjati dorën e tij të ngrohtë për të
ecur e sigurt në rrugën e vështirë, por
fisnike të artit letrar. Kjo ishte
e përgjithshmja e këtyre 26 viteve krijimtari.
Le të kalojmë tek e veçanta, te libri kritik i Prof.Dr.
F.Teziut.
Me përjashtim të temave të hyrjes në libër, pak a shumë
unë e kam njohur ndër vite analizën e shumë librave të mi nga z. Terziu. Qysh
pas botimit të trilogjisë "Vështroni Meduzën", kur Fatmir Terziu,
kritiku modern, tashmë i mirënjohur, njëri nga tre kritikët më të shquar në
botë, sipas vlerësimit të Universitetit "Oksford", u paraqit në media
me kritikën" Romane Psikosocial". Pas kësaj kritike Dr. Fatmiri, edhe
kur i dërgoja ndonjë dorëshkrim për ta parë nëse vlente për botim, ai më
befasonte. Të nesërmen ende pa u përshëndetur horizonti nga dielli, ky artist,
ky krijues shumëdimensional, dilte me një analizë që mua më shërbente si
përgjigje pozitive ose afirmonte për sa kisha shkruar.
Të nderuar miq dhe shkrimtarë, një fjalë, një citim, një
shkrim, vënia në dukje e një vlere letrare, studimore, filozofike, apo
publicistikë, ndikojnë shumë tek krijuesit e rinj. Fillimet e mia letrare ishin
njësoj sikur unë që deri dje isha një hije symbyllur, veshvulosur, gjuhëprerë,
tashmë kisha dalë nga errësira në dritë. Botimi dhe përurimi i letërsisë sime
krijoi brenda qenies sime, një tjetër njeri të dalë nga hiri. Duke qenë
një e mohuar, e harruara e kohës, më dukej vetja si një e rilindur nga hiçi apo
asgjëja. Mendoja se me një apo dy libra do të shfrehja jetën e mohuar, gëzimin
e munguar, dëshirat e vjedhura dhe ëndrrat e vrara për gjysmë shekulli dhe
do të mjaftohesha me kaq. Por, kurrë nuk më kishte shkuar ndër mend se dhembjen
që më ishte bërë përvojë dhe ishte njehsuar me organizmin dhe ishte ngjizur në
shpirt dhe në ndërgjegjen time, do ta shndërroja në art.
Çudi! Sa më eegër të jetë lufta klasore, Sa më e madhe të
ketë qenë vuajtja dhe sa më e thellë dhembja njerëzore, aq më e pjekur del
letërsia apo arti. Kot nuk kanë thënë se, arti buron nga dhembja. Le të kesh
prirje sa të duash, por nëse nuk plotësohen disa kritere të domosdoshme, jo
vetëm ngelesh në hije, por mbetesh “Askushi”. Duhen disa kritere sociale dhe
kushte rrethanore që talenti të marrë krahë.
Them të drejtën e vetme, e panjohur si letrare apo pa prezantimin e
analistëve dhe mediave, nuk do të kisha bërë asgjë.
Por ishit ju miqtë e letrave, analistët, kritikët dhe
mediat, veçanërisht kritika e paanshme për ta parë realitetin në sy, bëri që me
shkrimet tuaja reflektuat ndaj talentit tim të ndrydhur e të harruar në brazdat
e kohës së kolerës komuniste. Ishte thirrja juaj që më imponoi mendërisht dhe
shpirtërisht se, letërsia do të ishte bashkudhëtarja, si dhe udhërrëfyesja ime
drejt mirësisë.
Është e vështirë të shpalosësh talentin në moshë disi të
shkuar, aq më tepër në Shqipërinë e politizuar me lloj lloj simbiozash
antinatyrale dhe anti njerëzore. Në mentalitetin shqiptar gratë në moshën që
unë fillova të shkruaj, i quajnë plaka. Mbi të gjitha opinioni “intelektual” i
mbrujtur me letërsinë dhe artin e Realizmit socialist, ende nuk e pranon një
letërsi të re ndryshe që vërshoi në vendin tonë pas ndryshimeve politike të
viteve ’90. Gjithsesi bashkë me ju, me
bashkëpuëtorët e mi (redaktor, korrektor, dizenjator, menaxher, botues dhe kritikun
më të paanshëm, lexuesin) si dhe me mbështetjen e familjes sime, veçanërisht të
bashkëshortit tim, Fitim Haxhiraj, lashë pas krahëve gjithçka dhe munda të them
e të botoj të pathënat e jetës sime të mundimshme. Këto fjalë meritojnë
mirënjohjen time ndaj cilitdo që e përkrahu ose jo, madje dhe për ata që kanë
dalë kundër. Të gjithë papërjashtim kanë qenë nxitëse që unë të vazhdoja rrugën
e krijimtarisë, pasi dhe kundërshtia më bën mua që të shoh brenda vetes, të
futem në çdo labirint të errët dhe të ndriçoj çdo skutë me dritën e së
vërtetës. Kjo do të thotë që njeriu duhet të luftojë për të drejtat dhe liritë
e tij.
Liria është shumë dimensionale, e cila është e drejta më
legjitime e një shteti, e një shoqërie dhe e çdo individi. Pa fituar lirinë vetjake,
nuk mund të shprehësh mendime të lira, të cilat e gjejnë shprehjen tek “fjala e
lirë”. Nga një mendje dhe shpirt i burgosur, nuk mund të dalin mendime të lira.
Veçse nuk ka gjë më të vyer dhe më të bukur se, kur
lufton për drejtësinë dhe të vërtetën. Në një citat jam shprehur: “Drejtësia
është barasvlertë me lirinë e shpirtit, të cilën mund ta vendosë vetëm i
virtytshmi!”
Po a ka njerëz të virtytshëm mes atyre që formulojnë dhe
zbatojnë ligjet?
Përgjigja ime është, “Jo”. Ndaj në gjithë krijimtarinë
time pa vetëdije, vetkoshienca, këndëvështrimi im për botën, më kanë çuar që të
zhbirojë se çfarë i mungon këtij kombi, çfarë e mundon komunitetin shqiptar.
Çuditërisht të gjitha pyetjet apo rrugët në të cilat udhëton krijimtaria ime, më
çojnë mua dhe lexuesin në kërkim të së vërtetës së mohuar dhe të lirisë së
munguar.
Ajo që e ndjen më shumë peshën e kohës, dhunën, mungesën
e lirisë vetjake është segmenti më vital
dhe i pazëvendësueshëm, gruaja. Pikërisht në analizat dhe kritikat e z. Terziu
rreth krijimtarisë sime, spikat nocioni i lirisë. Liria është
shumëdimensionale. Ajo fillon me lirinë e kombit që tek ne është vetëm një
farsë emblematike. Që të jesh një komb me liri të plot duhet të kesh ekonomi të
zhvilluar, nivele sociale të larta, si në organet e larta vendimmarrëse,
ligjvënëse, ligjzbatuese, në arsim, shëndetësi, drejtësi, në art e kulturë, në
ideologji e diplomaci. Është domosdoshmëri të kemi një komunitet të kulturuar,
jo intelektual që nga makinat luksoze me xhama të errët, na tundin diplomat dhe
doktoraturat e blera. A mund të jetë i sigurt dhe të bëjë jetë të qetë e të
lumtur individi, kur ligjin e bën rruga, e bën paraja e dalë nga krimi,
prostitucioni, trafiqet e çdo lloji, trafiku i qenieve njerëzore dhe
korrupsioni që fillon që nga instancat e larta shtetërore deri tek sanitari apo
portieri i institucionit. Emigrimi, kjo
plagë e rëndë, gangrenë kenceroze në trupin e Shqipërisë, po e plak kombin.
Kemi një vend të bukur si parajsë, të pasur si mbi tokë dhe nëntokë, porse ne
jemi njerëzit më të varfër në kontinent. Nga që nuk ia dimë vlerat vendit tonë,
jemi shndërruar në argatët e botës duke e lënë vendin tonë dierrë dhe shterp.
Nuk di se ku shkoi tradita jonë e bukur shqiptare. Çfarë ka ndodhur me ne? Pse
e kanë mohuar shpitarizmin vallë? Janë
pikërisht këto ankthe frymëmarrëse që ka spikatur Fatmir Terziu në krijimtarinë
time të evidentuar në librin “Liria në optikën e letrave të Vilhelme Vranati
Haxhiraj”.
Por z.Kadri Tarelli si historian dhe studiues i vëmendshëm,
i ka vënë në dukje gjithë vlerat e librit kritik të Terziut. Madje i ka
shoqëruar edhe me citate. Nga të dy miqtë e mi, si për profesor Terziun dhe për
analistin Tarelli, është bërë një punë e madhe studimore dhe analitike. Për të
bërë diçka të tillë në mijëra faqe duhet sakrificë, vullnet, përkushtim, art,
njohuri të gjera dhe dëshirë për të realizuar një vepër që u vlen katedrave të
gjuhësisë, të përkthimit, gjithë institucioneve arsimore në vend!
Miqtë e mi të mirë, Prof.Dr. Fatmir Terziu dhe Kadri
Tarelli, ju shpreh mirënjohjen dhe urimet e mia më të mira! Ju uroj jetë të
gjatë dhe suksese në krijimatrinë tuaj të bukur dhe fisnike që është vlerë
kombëtare. Ju, me punën tuaj të palodhur,
e keni vendosur veten në kolanën e artë të letërsisë shqiptare.
Shkrimtarët dhe artistët duhet të tolerojnë dhe të gjejnë fjalën mes tyre, të
lënë mënjanë smirën, ambicjen për të mirën e kombit. Një komb me një elitë të
kulturuar dhe me nivel të lartë arsimor, integron më shpejt drejt mbrothësisë. Vetëm me kulturë rritet ndërgjegja kombëtare.
Me konsiderata të larta,
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Vlorë, 25 gusht,2022