Kulturë
Artemisa Kastrioti: Nelson Sejdija - Suksesi në kinemanë Evropiane
E marte, 23.08.2022, 05:43 PM
Nelson Sejdija: Suksesi
në kinemanë Evropiane
Nga
Artemisa Kastrioti, Nju Jork
Aktori Nelson Sejdija njihet për rolet në serialin e
famshmëm turk “Grand Family” (2015 – 2021) dhe serialin e Netflix “Ertugrul”
(2014 – 2019), një prej serialeve më të shikuara në Evropë. Ka lindur në Shkup,
Maqedonia e Veriut në vitin 1994 me prindër shqiptarë nga Kosova (Fehmi dhe
Dashurie Sejdija). Në vitin 2004 Nelson dhe familja e tij u zhvendosën në
Prishtinë, ku jetojnë aktualisht. Në vitin 2017 kreu studimet për aktrim te
Akademia e Arteve në Shkup.
Nelson krenohet se është shqiptar. Në projektet dhe
intervistat e tij ndërkombëtare ai gjithmonë tregon për origjinën shqiptare dhe
pasionin për botën e aktrimit. Karriera e tij artistike i ka dhënë emër përtej
trevave shqiptare, në Itali, Turqi, dhe Gjermani.
Nelson Sejdija e ka treguar veten të suksesshmëm në fusha
të ndryshme, si në teatër, film, dhe modë. Në aktrim ai cilësohet si aktor
profesionist i shkëlqyer dhe i fortë. Ai mund të portretizojë çdo karakter që i
është dhënë me besueshmëri dhe sinqeritet. Përveç karrierës së tij në aktrim,
ai modelon edhe veshje, kostume klasike për gentlemen.
Cili është projekti juaj i fundit filmik?
Nelson Sejdija: Projekti im i fundit quhet “Familja e Madhe” (Grand
Family), një serial turk me pesë sezone, me regji të Onur Tan. Grand Family
është një serial shumë i njohur i zhanrit aksion-krim-dramë që flet për jetën e
një të riu që bëhet pjesë e mafias. Historia shpalos një komplot të ndërlikuar
rreth familjes, pushtetit dhe botës së krimit.
A mund të na tregoni për personazhin tuaj në serialin Grand Family?
Nelson Sejdija: Seriali është xhiruar në Stamboll. Kam luajtur rolin e një
gangsteri, i cili ishte një vrasës me pagesë.
Si ishte të punoje me regjisorin e mirënjohur Onur Tan?
Nelson Sejdija: Kam qenë pjesë e xhirimeve gjatë sezonit 2019-2020 dhe kam
respekt të lartë për regjisorin Onur Tan. Regjisori Onur kishte një vizion të
qartë për serialin "Familja e Madhe", dhe e komunikoi lehtësisht me
ekipin. Ai i dha drejtim projektit, ishte shumë pozitiv dhe motivues gjatë
gjithë xhirimit. Më pëlqeu puna me regjisorin Tan dhe respektoj profesionalizmin
dhe etikën e tij të punës.
Në cilat projekte të tjera keni qenë pjesë?
Nelson Sejdija: Në vitin 2019 kam marrë pjesë në sezonin e fundit të
serialit të njohur “Ertugrul”, me regji të Metin Günay. Ertugrul është një
dramë historike mjaft e vlerësuar dhe e përfolur me gjashtë seri, ku unë luaj
rolin e rojes së mbretit.
Sa ndryshon kinemaja evropiane nga industrija e filmit amerikan?
Nelson Sejdija: Filmat amerikanë krenohen për xhirimet në destinacione të
famshme evropiane dhe filmat evropianë njihen për skenaret e tyre të forta dhe
kreative. Hollywood-i ofron përfitimet e tij duke pasur parasysh madhësinë e
buxhetit organizativ dhe numrin e madh të producentëve.
Çfarë hobi të tjera keni?
Nelson Sejdija: Aktrimi është pasioni im kryesor por gjithashtu më pëlqen
të modeloj për kostume të stilit klasik.
Për cilat arritje jeni krenar?
Nelson Sejdija: Punoj shumë për të arritur qëllimet që i kam vënë synim
vetes. Të gjitha arritjet dhe sukseset e mia ia kushtoj familjes sime. I jam
shumë mirënjohës familjes për dashurinë dhe mbështetjen dhe gjithçka që bëj
është për ta.
Vitin e kaluar në 2021 humba të dy prindërit e mi dhe kam kaluar një periudhë
shumë të vështirë gjatë kësaj kohe. Humba dy njerëzit më të çmuar në jetën
time, por vendosa të mos dorëzohem. Dua t'i bëj prindërit e mi krenarë me punën
time duke realizuar ëndrrat të mia. E vlerësoj mirësinë e prindërve të mi dhe i
kujtoj gjithmonë ata duke u treguar dashamirës me të tjerët.
Çfarë mësimesh të jetës ju ka dhënë aktrimi? Cila është këshilla juaj për
aktorët aspirantë?
Nelson Sejdija: Aktrimi është një fushë e vështirë në një industri tepër të
vështirë. Nëse nuk e keni pasion si profesion dhe nuk e bëni me mund dhe zemër,
do jetë e pamundur të përballoni presionet e industrisë. Shumë aktorë të rinj
humbasin besimin ose vetëbesimin kur përballen me refuzimin dhe pasiguri.
Vetëbesimi është mjeti më i fortë për njeriun për të luftuar pasiguritë që ju
hedh jeta. Kontrolli i ndjenjave dhe të menduarit pozitiv ju ndihmon të
qëndroni të motivuar drejt qëllimeve tuaja. Mësimi kryesor për mua është se
shqetësimi nuk të ndihmon në planin afatgjatë; nuk të bën aktor më të mirë,
thjesht të pengon në arritjen e ëndrrave të tua. Sa më shumë të shqetësoheni
dhe të mendoni për aftësitë tuaja, aq më pak fokus do të keni dhe kjo do të
reflektohet në performancën tuaj. Suksesi varet nga ju nëse i kapërceni
pengesat.
Gjithmonë i them vetes se një karrierë në aktrim do të jetë e mbushur me shumë
ulje-ngritje dhe sfida, por përmes gjithë kësaj, ti je e vetmja gjë që mund të
kontrollosh. Nëse vendosni energjinë tuaj në pasionet tuaja në vend të frikës
tuaj, atëherë mundësitë janë të pafundme!