Kulturë
Libër i ri nga autori Gjon Keka: Leonik Tomeu, pishtar i djes dhe rilindjes europiane
E marte, 16.08.2022, 07:36 PM
Doli në dritë libri i ri i autorit Gjon Keka“ Leonik Tomeu, pishtar i djes dhe rilindjes europiane”
“Ky
botimi im i radhës, ashtu siç kam vite që hulumtoj e studioj mbi figura madhore
që kanë bërë epokën dhe historinë e kombit tonë shqiptar, i kushtohet
profesorit dhe filozofit tonë të madh arbëror Leonik Tomeu. Gjatë gjithë punës
sime studimore, mbi këtë figurë që njihet mirë në epokën e rilindjes dhe
humanizmin europian, jam ndjerë i përmbushur dhe shumë krenar për origjinën
tonë arbërore, si pjesë e shpirtit dhe kulturës së saj, mbi të gjitha si
pasardhës i të madhit tonë legjendar, Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot
Skënderbeu, njohur jo vetëm nga bota e madhe europiane, por edhe më tej.”
“Në
morinë e humanistët tanë arbërorë europian, nuk mund të rrimë pa i përmendur
edhe një herë të famshmit tanë Gjon dhe Pal Gazulli, Marin Beçikemi e Barleti,
Pal Engjëlli, Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani etj. Këta janë krenaria e kombit tonë
të lashtë europian, janë dëshmia e kulturës sonë autoktone, e cila ndihmoi dhe
kontribuoi që bota, në tërësinë e saj, të ketë zhvillim e dituri. Një ndër ta
është edhe humanisti i shquar i periudhës së Rilindjes Europiane, Nikollë
Leonik Tomeu, dijetari që bëri emër në shkencat e kohës kur jetoi. Me
gjithanshmërinë e njohurive të tij në çdo fushë të jetës, te figura e tij u
shqua filozofi i vërtetë, edhe pse jeta e tij ishte “e thjeshtë, kurrë nuk
vrapoi pas luksit, dhe nuk u korruptua asnjëherë. Nikollë Leonik Tomeu ishte i
përkushtuar në kërkimin e së vërtetës dhe jetonte si njeri i thjeshtë”, cilësi
këto të theksuara për të. Ai jetoi, veproi dhe bëri dritë për shkencën,
humanizmin, historinë, të cilat i konsideronte të shenjta. Ashtu si humanisti i
madh Erasmus, edhe ai u bë një apostull i zellshëm i humanizmit, duke u nderuar
dhe vlerësuar në shekujt që pasuan.”