Kulturë
Flora Sela - Kastrati: Përballja me policinë letrare
E diele, 07.08.2022, 07:02 PM
PËRBALLJA ME POLICINË LETRARE
NGA
FLORA SELA – KASTRATI
SHQETËSIMET KRIJUESE MES GRUSHTAVE TË SHTETIT PRANGOSËS
Nëse krijuesit e
vërtetë u përpoqën të dalin të arsyeshëm për idenë, edhe atë: as më pak e as më
shumë, e bënë çështje për zgjidhje të lëmshit në letërsi. Edhe mediokrit e
shteti prej kartoni, kanë shqetësimet e tyre të veçanta krijuese. Ata,
gjithkund e në çdo kohë, janë të vetmit thirravajës që i mungojnë shoqërisë
demokratike. Prandaj, po përpiqen të bëjnë një “luftë” të pandalur me penë, për
të shpëtuar përmbytjen e madhe shoqërore. Dhe, këtë e bëjnë për të mirën e saj,
prandaj organizojnë përurime, takime letrare, panaire e tregje të librit, ku
del në pah përfitimi material nga shitja e fletore - librave me kopertina të
bukura e pa vlera letrare.
Për sa i përket
shqetësimit krijues, ashtu siç e kanë pasur apo e kanë krijuesit e vërtetë,
edhe mediokrit ndihen të shqetësuar për të nesërmen. Nëse krijuesit e vërtetë
ndjekin shtigje të ndryshme për të takuar Muzën e frymëzimit, të gjejnë
arkitekturën e sendërtimit, të sjellin risitë e identitetit krijues, mediokrit
kanë shqetësime të tjera letrare. Ata bëjnë hulumtime, dhe me anën e talentit
që kanë, arnojnë me arna të vjedhura struken e librave të tyre sakatë. Ata e
kanë bazën e rrobaqepsit. Mbi të krijojnë vetëm dukjen, ose ndërrojnë
kopertinat dhe emrin e autorit. Sepse, vetëm mediokrit e kanë shumë të
zhvilluar ndjenjën e shartimit, dhe ata artificializojnë çdo gjë për të
mundësuar një ambient ku të mund të duken me identitet; ku të rrahin gjoksin se
sa shumë kanë vuajtur për përfundimin e “veprës letrare”. Dhe, e kanë një fat.
Ashtu siç kanë shpëtuar deri tani, pa asnjë gjemb në këmbë nga kritika, dhe
ashtu siç vazhdojnë me avazin e njëjtë - duke u prerë kostume të reja shumë
veprave të autorëve shqiptar, mbase edhe botërorë, që të duken me kostume
(struke) provinciale - ata edhe më tutje do i bien borisë se janë në siklet, se
rrinë net pa gjumë, se janë të shtrënguar nga rrethana të ndryshme politike, se
janë të vetëdijshëm që në këtë kohë ndikimesh diçka mund të jetë e ndikuar
brenda atyre faqeve mes dy kapakëve. Por realisht, nga gjithë ato mekanizma që
janë të këtyre natyrave, mediokërve kurrë nuk u shkon ndërmend se mund të hyjnë
në sitën e mëndafshit dhe vetë të mbesin krunde të krijimeve teknefese letrare.
Në këta binarë,
arsyeja ishte që krijuesi i vërtetë të krijonte mundësi për të zhvilluar
nivelin që i ka hije shoqërisë moderne. Duke u bazuar në bëmat e krijuesve
popullor, atyre që krijuan thesarin e madh të këngëve popullore, të rrëfimeve
të ndryshme e të gojëdhënave që kanë përmbajtje të një niveli të madh artistik
dhe një note bindëse dhe edukuese, ndikimi i mediokërve me dukjet e tyre del
sikur bën një fshirje të atij niveli. Me një fjalë, paraqitja e mediokërve e
asimilon gjithë kriterin krijues të të parëve, duke ua bërë të pamundur atyre
që vijnë, që me të njëjtën ndjenjë të ndërtojnë mbi bazën e ndritur të
krijimtarisë një mrekulli krijuese me identitet dhe taban kombëtar. Ky synim i
ndërtimit të vlerave me prurje të suksesshme bie ndesh me synimet e mediokërve,
të cilët dalin në dritë si kërpudhat pas shiut, dhe hapin hijet e tyre për të
bërë mjegullnajë në letërsi.
Prirjet e kësaj
vetëdijeje mjeruese të mediokërve kanë zaptuar për të keq mundësitë e një
shpalimi të mbarë individualiteteve krijuese. Nëse në kohën e anarkisë gjithçka
del e ngrihet pa plan, pa respektim ligji e projekti, ashtu siç u ndërtuan
shtëpitë pa pasur ndonjë stil apo plan arkitekture, ashtu siç u ngatërrua
infrastruktura, po ky ves i udhëhequr nga mediokrit përfshiu dhe krijimtarinë
letrare. Ata e zbritën nivelin e krijimtarisë artistike në një pikë shumë të
ulët, ia stërkeqën pamjen sublime që kishte nga rilindasit, e bënë të çalë dhe
mjeruese, e bënë të kompleksuar nga përkuljet që bënin vetë ata, për të arritur
mundësitë e publikimit të veprave të kopjuara dhe të adaptuara si më zi.
Ja, se si i
përshkruan Dr. Rexhep Qosja: “Mediokrit e letërsisë, në të vërtetë janë
epigonë. Çdo gjë të huaj, çdo inovacion, që është inovacion vetëm brenda
kontekstit ku është përdorur, ata e pranojnë pa kurrfarë rezerve për shkak se
janë për të qëruar prirje dhe vetëdije kritike, që t´ia nënshtrojnë gjykimit
dhe vlerësimit të tyre kritik. Përse mediokrit e letërsisë zbresin në nivelin e
epigonëve? Sipas të gjitha gjasave, ata vuajnë prej kompleksit të
inferioritetit, që ua imponon vetëdija e aftësisë mesatare, nënshtrohen
imitimeve të autoriteteve të huaja letrare, të cilave, në çdo rast apo situatë
u gjunjëzohen, u puthin duart, u heqin kapelat, u mbajnë palltot, u lustrojnë
këpucët e u brushojnë rrobat. Megjithëse, shkrimet e mediokërve zakonisht
përfundojnë në shportën e estetikës dhe s´mund të gëzojnë kurrë dashurinë dhe
respektin e lexuesve, historianët e letërsisë interesohen për to jo për shkak
të vlerës që mund të kenë, por për shkak se përmes tyre mund t´i shohin dhe
studiojnë më lehtë ndikimet e asimiluara që çdo letërsi kombëtare pranon prej
letërsive të popujve të tjerë, e sidomos prej letërsive të mëdha”.
Të tillë, siç
dalin në dritën e së vërtetës, ata shënojnë mbi të gjitha në kohën e
bashkëkohësisë një njollë të keqe të ngecjes krijuese. Ata krijojnë një
ndërhyrje në frymëmarrjen e lirë të shoqërisë. Ata janë pengesa e parë e
lulëzimit krijues, sepse rriten si hithrat dhe ferrat pranë haleve. Dhe, në
këtë krijimtari, që e bëjnë si gatimin e kulaçit letrar, ka më shumë egjër sesa
grurë. Prandaj, në Panteonin e rralluar ata nuk pretendojnë të hyjnë me
vlera të arrira letrare, por janë të shqetësuar për dukjen e jashtme të vetë
krijuesit. Ata janë të shqetësuar dhe arrijnë ta përmbushin këtë shqetësim me
paraqitjen e tyre sipas gradave që kanë rrëmbyer nga pushteti nëpër
institucione, për ta vënë gjithë forcën e tyre në shërbim të krijimit të
nivelit të mediokritetit.
BASHKËPUNIMI I KRIJUESVE MEDIOKËR
ME SHTETIN INVALID
Mediokrit kanë
hapur shpatullat për të pushtuar horizontin krijues në të gjitha institucionet
kulturore. Ata rrëmbejnë pushtetin, pastaj dirigjojnë me kulturën dhe shkencën.
Ndërsa, në krijimtarinë artistike janë bërë borizanët e parë politik. Ata kanë
modifikuar përkushtimet për prijësit e partive politike. Të deridjeshmit
shehira titoistë kanë bërë një akrobacion fantastik. Tani e kanë zërin e lartë
për vlerat e demokracisë, për të drejtat e njeriut: shkruajnë për heronjtë e
kombit, shkruajnë për martirët. Me këtë përpiqen të bëjnë rezistencë dhe
pavetëdijshëm mbesin si turreca që mbi kaçuba duan të duken bilbila.
Është për t’u
habitur, përse ata të gjithë si kinezët që kanë ngjashmëri, kanë po të njëjtat
preokupime jetësore. Turren me stilin e tartabiqeve, që t’i duken kritikës
letrare gjeni të shekullit. Përkulen para Doktorziut deri në thembër të këmbës,
kur lexojnë apo promovojnë “veprat” e tyre patetike, që të arrijnë duartrokitje
nga pjesëmarrësit dhe urata. Turren t’i japin dhurata shkrimet e tyre
plagjiate, të cilat i derdhin nëpër shkolla për të bërë prej tyre kapital
material. Sepse, nga njëra anë flasin për dhurata, nga tjetra lidhin kontrata
dhe ndajnë mjete me udhëheqësit e ndërrimeve, me kujdestarët e klasave, me
drejtorët e shkollave. Kjo praktikë e zhvilluar i ka bërë të famshëm dhe ata
nuk e lënë pa e ftuar klanin, kritikun e madh të “tabanit kombëtar” të flasë
për “kryeveprat” e letërsisë shqipe pa i lexuar fare, të marrë pjesë në
përurimin e tyre si shkrimtarë me perspektivë evropiane. Nëse drejtorët bëjnë
patronazhe, klani i mediokërve krijues e ka të siguruar vendin e shkëlqimit në
rendin e parë, krah për krahu me prijësit e partive politike.
Si mund të veprohet ndryshe kur mediokriteti ka zaptuar gjithë
fushëveprimtaritë institucionale?
Nëse u hidhet një
sy përfaqësuesve të kulturës dhe arsimit, vetë struktura e përbërjes të flet se
mediokriteti është i pushtetshëm. Nëse bëhet një studim për strukturat e
hierarkisë në të gjitha institucionet, do të dalë një pasqyrë po aq shëmtake
që, duke treguar realitetin që ekziston, do të shembë gjithë imazhet se ku
duhet të arrijë shoqëria shqiptare që synon mirëqenie dhe krijim vlerash të
arrira artistike. Për ta ilustruar më dukshëm këtë fenomen tragjik, por real,
do të shërbente një shembull: Në garën e vrapimit, në maratonën më të gjatë,
siç është vetë krijimtaria, gjithmonë nishanin (shpërblimin) e merr një sakat.
Mbesin ata që mund të rendin për arsye se në garë duhet të fitojë një njeri pa
këmbë, invalid. Në pranimin e së vërtetës së kompozimit për një orkestrim të
nivelit republikan, fiton gjithmonë një shurdhmemec. Në hulumtimin e një detaji
shumë të vlefshëm për shëndetin dhe prurjen e vërtetë të kultivimit higjienik
fiton një i verbër, daltonik, që as ngjyrat, as shijet, as mikrobet nuk i
dallon dot në sofër. Por, përkundrazi, ato i kultivon me të madhe në shoqëri.
Parashtrohet
dilema: Përse të heshtim të gjithë përpara kësaj dukurie të sëmurë? Ç’ka, nëse
flitet një realitet po kaq prezent në këtë përmasë masovike, ku trumbeton
Radioja e prishur shteterore, se janë të preokupuar për të bërë art, shkencë,
risi në letërsi? Vallë, a kanë ata aq mundësi dhe kapital mendor t’i bëjnë këto
transformime në një shoqëri demokratike?!...
E VËRTETA E KRIJUESVE DHE GJENDJA E
TYRE MATERIALO - SHPIRTËRORE
Në këto rrethana
të ndërlikuara dhe diverse, sado që është i vogël, të mos themi i zhbërë, numri
i krijuesve të vërtetë, sërish në atë pamundësi të krijimit, ashtu siç duhet të
jenë kushtet krijuese, atmosfera, përfitimet, përkrahja, ka rrezatime që
ekzistojnë ende krijues të vërtetë, edhe pse mbi ta gjithmonë kanë rënë
përplasje të natyrave të ndryshme. Mbi ta kanë vëzhguar sytë përndjekës të
komitetxhinjve dhe censorokuqëve. Mbi ta kanë ushtruar dhunë redaktorë. Shteti
i ka ndjekur hap pas hapi. Në universin krijues ata kanë në biografi një
vrazhdësi të ndjekjeve si djem ballistësh, armiq të shtetit. Po të analizohen
kapitujt e përballimeve, do të dalë një pasqyrë inkuizicioni. Nëse ata arrinin
të publikonin një punim, i kujtdo natyre të ishte, e bënin falë aftësive të
tyre krijuese me vargun tre kuptimesh nëpër libra.
Nëse, një krijues
i vërtetë me një vepër të shkruar mbi nivelin e mediokërve aktualë, synonte të
bënte publikim, ai ndeshej me kthetrat e pamëshirshme të recensentëve të
caktuar nga komitetet socialiste. Sepse, një ishte qëllimi dhe misioni arrihej
përmes asaj përshtatjeje klanore. Çdo gjë që do të shikonte dritën, duhet të
ishte në përputhshmëri me kultin që i përfaleshin mediokrit, të shpinte ujë në
mullirin e tij, ta himnizonte atë si perëndi. Për këtë ka shumë shembuj, ka
shumë fakte që ekzistojnë në botimet periodike të kohës, ku shumë mediokër të
quajtur “pena të arta” publikonin punimet e tyre në vende të veçanta të
quajtura me gjithfarë emërimesh artistike. Do të theksoj revistat e kohës:
nisur nga “Jeta e re”, “Përparimi”, “Dituria”, “Fjala”, “Jehona”, të cilat
ishin të rezervuara me turlifarë shkrimesh përkushtuar shokut Tito. Po kjo
pasqyrë stërkeqëse ishte edhe nëpër gazetat ditore të kohës, apo ato javore, si
“Rilindja”, “Zëri”, “Bota e re”, “Shkëndija”, “Flaka e vëllazërimit”, nëpër të
cilat zinin vend censorokuqët e graduar dhe emëruar nga komitetet socialiste.
Me një fjalë, Qeveria e paçati, e cila në një ditë ndërronte shumë palë syze
për të gjetur edhe presjet e pikat, vargjet e strofat që kishin asocime të të
kundërtave me pushtetin titoist.
Fushatës së
Pushtet-areve nuk i shpëtuan as revistat e fëmijëve, si: “Pionieri”, “Gep”,
“Gëzimi”, “Fatosi” e “Shkollari”, të cilat derdheshin nëpër shkollat shqipe dhe
në brendi kishin vetëm “vëllazërim - bashkim” me përkushtime për shokun Tito.
Poezitë e shehirave krijues zinin faqet e para. Po si të dilnin në dritë
krijuesit e mirëfilltë në këtë mejdan ku garonin shehirat e kultivuar në
komitete? Po të bëjmë një pasqyrë të tillë, do të shikojmë se shumë prej tyre
edhe sot kanë zënë vende nëpër faqet e internetit, kanë hapur shtëpi botuese,
kanë krijuar mekanizma që të dalin në sipërfaqen e kësaj hapësire, që të
pohojnë se krijimtaria e tyre dje u bë nën presion. Por, ata harrojnë se edhe
sot i shkruajnë po të njëjtit pushtues, i cili me po të njëjtën ndjenjë synon
të shtypë krijuesit disidentë.
Po të analizojmë
gjendjen e publikimeve, sërish do të vërtetojmë me fakte se ata që shkruan për
vetëqeverisjen titoiste dje, kanë ndërruar titujt, dhe tani, në vend të saj po
shpurdhin për demokracinë. Dhe, demokracinë në kundërshtim me krijuesit e
vërtetë, e vënë në funksionalizim ashtu sipas klaneve që kishin në socializmin
titoist.
Si mund ta
analizojmë konkluzionin për sjelljen e këtyre xhelatëve, ku krijuesit e vërtetë
e ndiejnë barbarinë, por nuk arrijnë ta shembin? Nuk është ky një sulm i madh
që i zhduk krijuesit e vërtetë, ashtu siç zhduku edhe Sadudin Gjurën e Ukshin
Hotin? Dhe, për zhdukjen e tyre kushedi se sa janë cakërruar gotat në kuluaret
e mediokërve që e mbajnë edhe sot e kësaj dite një këmbë në Beograd e tjetrën
në Shkup.
Këta kallauzë, që
trumbetuan se punonin për të përmirësuar mirëqenien e popullit, se ishin
kombëtarë, se ishin prijës të lirisë, ishin vetëm karkanxhollë që e lodhën dhe
varfëruan gjendjen e tij materiale e
shpirtërore. Ata, përveç përfitimeve të tyre personale, nuk bënë asgjë
për popullin shqiptar. Dhe, për krijuesit që deshën të rrezatojnë shkëndija të
një të vërtete se si duhet të jenë të drejtat e barabarta, liria, dhe
pavarësia, krijuan zandanët nëpër të cilët i shpunë që të kalonin një pjesë të
jetës, m’u në lulen e rinisë dhe në zhvillimin e tyre si personalitete.
Këto rrethana të
krijuara nga ndikimi i politikës, por edhe nga ndikimi i atyre që e përkrahnin
atë verbëri politike, sollën një përballje të tmerrshme mes disidentëve dhe
Shtetit shurdhmemec. Ata nuk i zgjodhën metodat se si dhe përse vepronin ashtu
të tërbuar si qentë. Që në bankat e shkollës, nëse një nxënës ishte i një
familjeje jo të përshtatshme për politikën, e të tillë kishte shumë, dhe po ai
nxënës tregonte shkëndija të një aftësie për të qenë intelektual, për të, nëse
nuk e merrnin rolin nxënësit e dirigjuar nga mashat ose shërbëtorët, do ta
merrte mësuesi. Dhe, padyshim që nxënësi ose do kalitej sipas kërkesave, ose do
binte ndesh me kokëfortësinë që do të tregonte dhe do ngelte i papërkrahur, i
denoncuar në jetë. Me një fjalë, do të ngelte i ngatërruar nga procedurat që
ishin shumë rigide dhe krijonin vonesa policore.
Mbase janë shumë
të pakapshme këto që shkruhen, por ishin realitete. Shpesh turmave të nxënësve,
nëpër shumë shkolla të asaj kohe, nëpër gjimnazet ku shqiptarët kishin
paralele, siç i kanë edhe sot e kësaj dite, u shkonte pas si hije syri
përndjekës. Ai shikonte me kë flisnin; çfarë i tha njëri e çfarë i tha
tjetri; si i shkruanin hartimet shkollore; çfarë domethënie kishte çdo fjali;
kush mësonte për shkrimtarët e Rilindjes; përse i vishnin xhemperët me dy
ngjyra, kuq dhe zi; përse dilnin të luanin futboll ditën e 11 marsit nëpër
livadhe etj.
Këto realitete
janë fakte të zhvilluara me procese dhe shumë vite burg. Sa banale duken sot,
po dje aq ishin në funksion dhe detyrat kryheshin me dinjitet për t’u arritur
qëllimi. Me këtë edhe “armiku i shtetit” do të zhbëhej, edhe kurora e robërisë
do të ndriçonte si diell. Fjala bie, për ditën e vdekjes të shokut Titos dhe
pas tij, në horizont doli se si duhen të jenë të drejtat e shqiptarëve, liria
dhe pavarësia...
GJALLËRIMI I KRIJUESVE DHE PËRBALLJA
E TYRE ME POLICINË E LETRAVE
Krijuesit e
vërtetë, ose disidentët nuk lejuan të nëpërkëmben as dje, as sot nga Policia e
Letrave. Ata, edhe pse në rrethana të vështira politike - ekonomike, arritën të
mbajnë veten gjallë - vazhdimësinë, arritën të mbeten në dimensionin vertikal,
siç i ka hije personalitetit të formuar, e që nuk luhatet si thuprat e shelgut
ime me bazë gjysmake, që nuk kanë horizont e sjellin verbëri, që janë të
barabarta me shurdhmemecët, të vënë në gjumë shekullor.
Krijuesit e
vërtetë janë vlerat e mirëfillta të shoqërisë. Ata nuk janë si mediokrit. Ata
bëhen vullnetarët e shkathët për të mbushur gjithë vakumet e mundshme. Ata nuk
janë mallëra të skaduar në magazinë, që duhen përdorur për çdo nevojë. Por,
mediokrit nuk e dinë këtë, dhe as e kuptojnë misionin e vërtetë në shoqëri,
përse janë aq inferiorë, përse janë aq sekondarë. Ata i ngjajnë mallit të
prodhuar me shumicë e pakicë, që ka vetëm formën, por nuk ka qëndrimin
afatgjatë. Ata i ngjajnë mallit që duket i standardizuar, dhe askund, në asnjë
matje nuk del tamam në kandarin e tregtarit.
Ndryshe nga
mediokrit, me një dinjitet si ata rrapat, që kanë mbetur larg njëri - tjetrit,
dalin dhe përballen krijuesit e vërtetë disidentë. Ata nuk kanë premtime, nuk
lejojnë trumbetime, por presin dimrat dhe stuhitë, dhe pa u përkulur e
shkruajnë realitetin në kohët me dallgëzime, në kohët e turbullirave politike.
Ata i dalin përpara popullit dhe i thonë: Edhe sot si dje u prijmë në ballë. - Mos
pranoni tregun e zi të vlerave artistike!
Në mungesën e
forcës strukturore të mediokërve, ata dalin si tribunë, sepse nuk i lakmojnë
pozitës që ua japin në vendet e arbitrazhit, ku gjaku dhe soji shqiptar ka
vlerën e ajrit. Nuk janë ata prej rangut që mund të përpunohen si legurat dhe
të marrin gjithfarë trajtash dhe formash. Kanë një formatizim të së vërtetës,
të së drejtës dhe urtësisë, me të cilat kanalizojnë në binarët e natyrores dhe
legjitimes se, si duhet të jetë harta e sipërfaqes shqiptare; se si duhet të
jetë gjeografia dhe klima e saj; se si duhet ndërtuar arkitektura krijuese e
bazuar në vlerat dhe dijet e vërteta të atyre që e meritojnë, por jo të atyre
që dinë ta shfrytëzojnë e keqpërdorin në emër të popullit.
Përse në
dimensionin transnacional këta krijues disdentë nuk janë të preferuar? Përse
deri tani edhe bota politike e ndërkombëtarëve dhe bota e kulturës dhe arsimit
rezulton se kanë komunikuar më shumë me mediokrit sesa me krijuesit e vërtetë -
disidentë?
Thua nuk kanë aq
informata për ta, si krijues disidentë?
Athua, nuk kanë
nuhatje se mediokrit që përfaqësojnë popullin janë trumbetuesit e një kotësie
të Hutit me veshë?! Të cilët ngulfasin vlerat e arrira artistike.
Athua, se ata që
kanë ndërtuar institucione me vlera dhe funksionale të shtetit, nuk e dinë se
për të funksionuar institucionet, këtu nuk duhet t’u prijnë gjysëmanalfabetët?!
Gjithë kjo pasojë
që na ndjek dhe pastaj na lë që të merremi me shumë udhëkryqe, për të mos u
orientuar në opsionin e së vërtetës, është rrjedhojë e një prodhimi të një
institucionalizimi të fuqishëm sllav. Ata kanë krijuar strukturat ndikuese dhe
dirigjojnë me shumë lehtësi në arsimin dhe kulturën shqiptare. Natyrisht, duke
pasur bashkëpunëtorët nga mesi jonë, kanë edhe të dhënat për qëllimet që duhet
të arrihen nesër. Prandaj, e kanë po aq të lehtë për të orientuar një
detronizim, si ata që dalin të bëjnë desant dhe aktivizojnë një minë në rrugë.
Pastaj, pas saj, nga plagët, nga rrënimi, nga gjithë ai mister i shkatrrimit,
vendnumërohet për një kohë të gjatë udhëkryqeve. Për këtë katandi, për të huajt
dhe për realizimin e strategjisë së tyre të interesit, janë shumë të
përshtatshëm mediokrit, dhe ata e kanë përkrahjen e fondacioneve dhe shoqatave
të huaja “humanitare”. Në të kundërt, vlerat e vërteta krijuese janë të
anashkaluara dhe të dorëzuara në kthetrat gllabëruese të shtetit grykës. Me një
fjalë janë të shtypura dhe të përjashtuara edhe nga mjetet e “pavarura” të
informacionit. Kritika teknefese e Kritikut të “tabanit kombëtar” në përpilimin
e Antologjive poetike, ndarjen e çmimeve letrare në nivel republikan. Sepse,
duke i vënë në heshtje, ata përpiqen të bëjnë vonesën e gjenive. Edhe pse,
tashti më e kanë të qartë: e kotë që ua mbyllën derën, dritaren me hekura,
disidentët më u kanë hyrë nga oxhaku...
DISIDENTËT BALLË PËRBALLË DOGMAVE
TË MEDIOKËRVE NËPËR INSTITUCIONE
Në relacion të
kësaj vazhdimësie ka gjithmonë plasaritje. Por, nuk arrihet të bëhet ndarja. E
para, sepse mediokrit kanë mekanizmin fleksibël. Ata përkulen se janë edhe
demagogë dhe nuk të japin mundësi ta bësh përballjen siç duhet në fushëbetejë.
Madje, në këtë pikëvështrim, as krijuesit e vërtetë nuk kanë aq forcë të dalin
me qëndrimet e tyre, sepse mediokrit janë në ballë të të gjitha proceseve të
shoqërisë “demokratike’. Nëse dikush synon të japë një vlerësim të tillë se si
arritën të zënë furrikët për të kontrolluar apo për të nxjerrë zogjtë e tyre
trashëgimtarë, kjo shtresë mediokrish do të përpiqet të elaborojë disa shembuj
“shkencor”.
Le të bëhet e
qartë se, një shekull perandori´ e udhëhequr nga akademi të stërvitura si ajo e
Beogradit, Moskës, Athinës, Sofjes, Shkupit, që në valët e një interpretimi ka
pasur përputhjet dhe logjikën e njëjtë, ka arritur me lehtësi të ketë sukses.
Asnjë nuk ka vënë në dilemë se si të gjitha trojet shqiptare me aq lehtësi
morën trajtat e sllavizmit. Me një rast shumë eklatant mund të paraqes një
fshat të Strugës, që për gjithçka nga gojëdhënat prej kur daton ka hyrë në
lashtësinë e mbi 3000 vjetëve me të njëjtën vazhdimësi të banorëve që jetojnë
dhe ndihen shqiptarë pas viteve të shtrëngatave sllave në këto anë. Nga emri
autokton Pohum, merr emrin Poum. Sa esenciale është që krijuesit e vërtetë,
gjegjësisht po ata njerëz të shumë brezave, të cilët u përballën me shumë
sakrifica mbijetimi, hetuan se këto dy terma nuk kanë asgjë të përbashkët? Nëse
Pohum jepte alarmin e një mbijetimi dhe të zhvillimit shqiptar, Poum jepte
kushtrimin për të miratuar projektet strategjike asimiluese sllave. Nëse Pohum
i bënte rezistencë me ndershmëri duke mbrojtur moralin, këngët, veset, kulturën
shqiptare, Poum instalonte dinakërinë, shpifjet, të cilat do të hapnin kauzën e
konfliktit që të ndodhte ajo që deshën “vëllezërit”.
Po çfarë deshën “vëllezërit” në Poum?
Ashtu siç shtrinë
gjithë petkun e tyre sllav në territorin e shqiptarëve, që nga vendemërimet,
duke u dhënë kuptime sllave, ata ndërtuan dhe shumë objekte të reja mbi objektet
fetare të shqiptarëve. Ata prishën dhe dogjën gjithë shkrimet e kodikëve në
kishat që kishin prejardhje ilire dhe ruanin nëpër gjithë vendet e tyre shkrime
e mbishkrime që ishin dokumente të qarta të një gjeneze shqiptare. E gjithë kjo
i stimulonte mediokrit të bëheshin argatët e atyre që mbanin frerët e sundimit,
dhe për shpërblim ata fitonin mjete materiale, fitonin privilegje, mundësi, që
me një drejtim gishti, për një fjalë të thënë e shumë herë të shpifur, të
mbusheshin burgjet me “irredentistë” shqiptarë, ku u pritej xhezaja sipas
dëshirave të atyre që gjykonin drejtësinë.
Nëpër këto katandi
kalonte qenia shqiptare. Këto realitete që dukeshin prej gjithkah, i kishin
vënë në shënjestër që të heshtnin shqiptarët. Ashtu siç u heshtën shumë kërkesa
për njerëzit e zhdukur pas 1945 -ës, kur pa gjyq e pa urdhër humbën me qindra
vetë. Në këtë mister të pazbuluar, akoma ekziston zona që nuk lejohet të
shikohet për çfarë misioni ka shërbyer me vite. Dhe, ajo zonë, edhe sot e kësaj
dite është zona ku kanë marrë shqiptarë dhe i kanë syrgjynosur, për të mos e
parë diellin kurrë. Në atë anë të Samokovit, krahas këtij makabriteti është
rindërtuar edhe fabrika e armatimit, ku ka të dhëna se një numër i madh i atyre
personave të rrëmbyer kanë punuar për të prodhuar armatimin me të cilin sa e sa
shqiptarë janë burgosur e ekzekutuar nëpër puse e përrua, në mesin e
dëllinjave.
Etapa e burgosjes
së shqiptarëve për një armë të gjetur nuk ishte aq e lehtë që të heshtej në atë
kohë. Kjo etapë e zezë i bëri mediokrit që, për të marrë grada, të dilnin e të
trumbetonin se ishin të devotshëm për “vëllazërim - bashkim”. Dhe ata, që nga
lindja e diellit kur këndonin gjelat e parë, e deri në perëndim të yjeve në
qiell, jepnin përshëndetjet në formën e “selamit”: “Da zhive drugarot Tito, da
zhivee Jugosllavija” (Rroftë shoku Tito, rroftë Jugosllavia! Ajo ishte moda më
e madhe e bijve që ua kishin rrëmbyer baballarët dhe nuk e dinin nëse kishin
varr, a ishin gjallë. Me një fjalë, ata bij që nuk dinin as nam e nishan për
baballarët, si kundërshpërblim kishin një vend pune nëpër kombinatet e
përpunimit të drurit, ku sharronin dërrasa. Ashtu, duke sharruar drurë e duke
bërë dërrasa, ata sharronin më keq duke thirrur vend e pavend: “Zdravo
Makedonijo” (Tungjatjeta Maqedoni! Ky ritëm kaq tendencioz i kishte acaruar
gjendjet e “vëllazërim - bashkimit”, por mbi të gjitha i kishte inatosur shumë
krijuesit e vërtetë, të cilët përpiqeshin të nxirrnin në dritë realitetin që
kishin ngulfatur po ata partizanë të cilët kishin pësuar zi e më zi dhe tani
deklaronin për një parajsë të sllavëve.
Përse dua t’i
theksoj këto pika kaq të ndjeshme, por kurrë të trajtuara, të zhveshura lakuriq
pa brekë?
Përse deri tani në
përmasën shqiptare ka gjithfarë shkrimesh, por vështirë gjen shkrime që
trajtojnë një realitet të hidhur, që akoma prej tij rrjedh vrer dhe gjak?
Përse gjithë kjo
padrejtësi e bërë ndaj një populli?! Dhe, strukturat e mediokërve, qofshin
krijues apo udhëheqës politik, pranojnë në planimetrinë e fatit të shqiptarëve
zhvillimin me teori të kapilaritetit?
Deri kur ne
shqiptarët do të rritemi e zhvillohemi me infuzione kapilare?
Përse na duhet që
në krijimtari të kemi po aq tensione dhe të pavërteta që dalin nga përshtatjet
dhe kopjimet e strategjive që i përdorin ata që na nënshtrojnë nëpër shekuj?
Në këtë logjikë të
shfrenuar, krijuesit e vërtetë e kanë humbur ritmin, sepse zhvillohen mediokrit
me një aspekt gjeometrik.
Binomet, trinomet,
piramidat e krijuara nga kjo ushtri e këtyre mjeranëve, kanë shkaktuar faza të
ekstremeve ku limiti i tyre gjithmonë e synon zeron.
Dhe gjithçka e shumëzuar me zero, me çfarë barazohet, ë?...
Nga libri: POLICIA LETRARE (Shkup, botimi parë 2015, dhe i dyti 2019).