Kulturë
Remzi Limani: Lulja e Erosit
E shtune, 06.08.2022, 07:36 PM
LULJA E EROSIT
Pak fjalë mbi poezinë e Skënder Sherifit, lexuar
në librin e tij LOVE SONGS
Në
leximin e parë të librit "Love songs" të autorit Skënder Sherifi, që
në krye të diskursit poetik e hasim femrën dhe konturat e mendimeve për të bukurën
e cila na vret këndshëm
Shkruan
Remzi Limani
Poeti
ynë respektiv, Skënder Sherifi, në librin e tij "Love songs" na
shpalos të bukurën deri në atë shkallë, saqë vetëm qetësia e shpirtit mund ta
dëgjojë. Z. Sherifi, pamëdyshje me gjilpër shpirti qëndis mbi madhështinë e
dritëhijeve spektakulare, me të cilat ngrihet trupi i femrës në përjetësi që
shungullon nën shqetësimet e prekjeve të shenjta... Ky poet i zemrës, vjen
krejtësisht i mëvetësishëm, sidomos në planin e versifikacionit ku shtrihet
sinteza e erosit, si kryefjalë dhe kallëzues në planin tematik. Pra, në vargun
e tij hasim observimet e subjektit lirik në variacione vlerash që i
korrespondojnë dritëhijeve midis shpirtit dhe trupit.
Këtu
pra, poeti i dëshmuar kacavirret nëpër lulen e erosit dhe, duke e përjetuar
lëshohet deri tek rrënjët e saj, për t'u ngjizur sërish në vorbullën e lumit të
etjes... Poeti ynë, Sherifi, përgjatë gjithë librit merr udhën e tij dhe,
"pelegrinazhin" e dashurisë e fillon nga hapja e perdës së diellit,
duke udhëtuar nëpër gallaktikat e panumërta të cilat pikojnë dritë mbi
kërthizën zambake - aty, ku Skenderi mbolli lulen e tij, e cila, poetin e bën
të vdesë i lumtur mbi kurmin e shtrirë mbi çarpafin prej mëndafshi të kuq, të
zhubrosur nga nata festive, ku poeti solemnisht e shkundi dehjen e tij...
Tani,
nëpër stuhitë e dashurisë, zoti Sherifi, vazdhdon udhën deri tek maja e thithkave
për tu zhdjergë nëpër plantacionet e së bukurës, për t'u mbjell sërish si një
farë shpirti në trupin e adhuruar nga synari i tij.