E marte, 08.10.2024, 07:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Sadik Bejko: Ditët e fundit të Genc Lekës

E shtune, 30.07.2022, 07:44 PM


DITËT E FUNDIT TË GENC LEKËS

Nga Sadik Bejko

Genc Lekën, (1941-1977) e arrestuan më 31 gusht 1976.

Rënia përfundimtare e Genc Lekës dhe e familjes së tij kishte nisur që nga çasti kur atë, të motrën dhe të shoqen i përjashtuan nga arsimi (1967). Kjo ua ktheu përmbys jetën.

Genc Lekën shteti e kishte përndjekur që në bankat e shkollës së mesme.

Ndjekësit e Gencit ishin njerëz të nivelit të tij arsimor, mësues letërsie, letrarë province, miq të shtëpisë që i rrinin pranë dhe që shtiheshin si adhurues të talentit të tij poetik, shkurt, të gjithë ata që sot quhen bashkëpunëtorë të Sigurimit.

Genci kishte talentin të bëjë miq. Në shtëpinë e tij kushdo që vinte, mbetej i kënaqur. Nëna e tij e paktë në trup, e thatë,

por e thantë, siç thonë në fshat, ishte bujare dhe i priste mirë miqtë e të afërmit. Genci i donte njerëzit. Këndonte, pinte,

recitonte poezi në këto pritje familjare. Fatkeqësitë nuk e kishin egërsuar. Kishte ruajtur dhe interesat kulturore.

Më 1972 dega e Sigurimit të Librazhdit e dërgoi në Tiranë dosjen e Gencit, për të marrë nga Drejtoria e përgjithshme e Sigurimit miratimin për arrestimin e tij. Kjo Dosje përgatitore 2/B e Genc Lekës u kthye mbrapsht. Mbase se në fillimvitet ’70 në Shqipëri po frynte, siç u quajt atëherë, një “erë liberalizmi”.

Genc Leka nuk e dinte se ç’po luhej në shpinën e tij.

Turbull edhe mund të dinte diçka, por, sido që të ishte, edhe sikur ta shihte me sytë e tij atë Dosje, nuk mund t’i ndryshonte gjërat. Ora fatale për të shtyhej, por ishte kurdisur në atë mënyrë që nuk mund të kthehej kurrë mbrapsht.

Kur Genc Lekën e futën në burg, ai njohu se kush ishin disa nga miqtë e tij të mirë, disa dhe nga njerëzit e rrethit më të afërt familjar. Ai pa në anën tjetër të natyrës njerëzore. Pa atë që disa nga njerëzit tanë, madje disa nga ata më pranë nesh, ndonjëherë janë ndër njerëzit që na bëjnë të këqijat më të mëdha, më të mëdhatë, sesa nga gjithë të tjerët. Kjo ka ndodhur dje, ndodh dhe sot. Nën diktaturë kjo dukuri, më e shëmtuara nga gjithë të tjerat, mori përmasa se diktatura të detyronte që të punoje për të, të detyronte të denoncoje e të shkatërroje jetën e disa prej miqve, e disa prej njerëzve të tu më të dashur.

Sipas burimeve arkivore, Genc Lekën e kanë denoncuar rregullisht në polici ndër vite, po edhe gjatë hetuesisë, miqtë e tij. Kunetërit, dy burrat e motrave, e kanë denoncuar në polici. Njëri nga këta, ai që ishte në paraburgim bashkë me Gencin, u vu në shërbim të policisë për ta akuzuar atë dhe Vilson Blloshmin si udhëheqës të grupit sabotator. Ai ishte futur nga Sigurimi si dhëndërr në Lekajt, për ta vënë nën kontroll të Sigurimit këtë familje. Ky më 1977 u dënua me njëzet vjet burg, nga të cilat bëri vetëm dhjetë. Mori shpërblimin për shërbimet.

Kjo qe dhe arsyeja që Genci u arrestua i fundit: ai ishte i kontrolluar nga brenda shtëpisë prej Sigurimit. Bisedat e Gencit me miqtë shkonin të gjitha në polici. Në duart e Sigurimit ishin dhe letrat, dhe poezitë që shkruante.

“Miqtë” e Gencit, ata që e spiunonin dikur, kur ra sistemi komunist, shkruan të parët në gazetat e opozitës për vlerat dhe për fatkeqësinë e tij. Po t’i pyesësh, edhe sot ata të thonë se Genci ishte një ëngjëll, ishte poet, studiues, i urtë, i pjekur, njeri që e merrte jetën me kurajo… Ata vazhdojnë ta admirojnë atë.

Pavarësisht ç’ka ndodhur, mbase dhe e kanë harruar që ishin vetë ata që e ndihmuan shtetin për ta vrarë Gencin, në

këtë pikë ata janë të sinqertë. Genci ashtu ishte: një ëngjëll, një poet… Ai nuk e kishte atë demonin që të bën të fortë për t’i rezistuar ballas së keqes. Madje mund të thuash se Genci kishte filluar ta dojë e ta përkëdhelë të keqen që i ndodhi. Ja, shteti më godet, nuk ma do të mirën, por unë prapë jam ai që kam qenë. Edhe kështu me plagë, jam i fortë të jetoj e të jem i vlerësuar nga njerëzit, nga miq dhe shokë. Ky flirt me të keqen, me plagët,nuk e la të krijonte brenda vetes armët shpirtërore për t’u përballur sy më sy me të keqen. U mjaftua vetëm me armët për të jetuar bashkë me të keqen. Nuk e mprihte kurrë urrejtjen dhe egërsinë ndaj saj. Kështu i butë dhe i shtruar, ai në burg ra si një qengj në grykën e ujqve të hetuesisë dhe të Sigurimit. Ata e kishin studiuar, e kishin shenjuar si më të dobtin, ndaj e torturuan shpirtërisht e fizikisht në mënyrë që ta thyenin.

Dhe kjo ndodhi.

Në hetuesi Genci u ndie i zhgënjyer nga rrethi i tij i ngushtë.

Ndonjë të afërm të gjakut ia çuan në qeli që t’i thoshte: prano ç’të thotë partia. Familja e Gencit përbëhej nga gra që Sigurimi u kishte kallur tmerrin. Me baba të zhdukur, me katër daja të pushkatuar, tani dhe me vëllain në burg… ato gra e kishin humbur fare. Hetuesia u thoshte se do t’ua zhdukim njerëzit, nëse ata nuk i binden partisë: të pranojnë ato që u themi ne, dhe do t’i lëmë gjallë.

I torturuar dhe i poshtëruar përditë, Genci u thye: e pranoi akuzën e sajuar nga Sigurimi, akuzën se ai dhe Vilson Blloshmi kanë organizuar sabotimin në Bërzeshtë.

Ai mbase ka arsyetuar kështu: këta e kanë vendosur që ne jemi sabotatorë, atëherë për mua është më mirë që ta pranoj akuzën dhe të kërkoj falje të jetës (ky ishte kurthi, këtë i kishte premtuar hetuesia), sesa të këmbëngul në të vërtetën dhe t’më mbyllet çdo mundësi për të jetuar. Dhe ra në kurthin e hetuesisë.

Ai që tërë jetën nuk kishte rënë në thonjtë e Sigurimit, tani pranoi të akuzojë veten si kreun e grupit sabotator të Bërzeshtës, të akuzojë dhe mikun, Vilson Blloshmin, si

bashkëpunëtor në sabotim.

Sot është e lehtë ta gjykojmë Gencin, njeriun që ka kaluar nëpër ferrin e hetuesisë së diktaturës. Një gjë mund ta themi: ai nuk e zgjidhi ftohtë e logjikisht dilemën: jam një i tradhtuar, do të tradhtoj dhe unë. E dua jetën time dhe do të bëj ç’të mundem që ta shpëtoj atë. Genci nuk vendosi kaq prerë. Ai qëndroi rreth një vit në hetuesi. Rezistoi.

Ka qenë i torturuar dhe i vetëtorturuar gjer në shfytyrim.

Të burgosurit atëherë bisedonin “me alfabetin e murit”, me të trokitura të koduara në mur. Vilsoni ishte në qelinë e tretë, Bedriu, i vëllai, në të mesit, Genci në qelinë e parë. Vilsoni “me alfabetin e murit” ia jepte Bedriut porosinë që t’ia kalonte Gencit: mohoje, mos e prano akuzën e sabotimit. Ai e kishte pranuar këtë akuzë në sy të Vilson Blloshmit në ballafaqimin midis tyre para hetuesve. Vilsoni e kishte mohuar. Prapë Vilsoni i thoshte që mos ta pranojë. Së paku, në gjyq me patjetër ta mohonte.

Genci lëkundej, torturohej dhe vetëtorturohej.

Në seancën e parë të gjyqit (6 qershor 1977) pyetjes së kryegjyqtarit Subi Sulçe nëse e pranon apo jo akuzën e sabotimit, Genci iu përgjigj se nuk e pranonte akuzën e sabotimit. Seanca u mbyll menjëherë pasi të tre të akuzuarit kryesorë, Genci, Vilsoni dhe Bedriu, nuk e pranuan akuzën e sabotimit. Pas kësaj kryetari i degës, shefi i hetuesisë (Selim Caka) dhe të tjerë u vërsulën në qelinë e Gencit. U dëgjuan të folura me zë të lartë, grushta, shkelma, britma, të qara me gulç, premtime, betime… dhe Genci nuk u përgjigjej më trokitjeve të Bedriut në mur.

Në seancën e mbasdites ai e pranoi akuzën e sabotimit.

Prokurori Qani Lavdari u ngrit vrik: “Ja, e nxorën helmin gjarpërinjtë. E ulën kokën. Dhe do të shohim se edhe sa do ta mbajnë mbi supe atë kokën e tyre të helmatisur”.

Genci u besoi premtimeve të torturuesve të tij. Kërkesës së të afërmve të tij.

Si njeri i butë, familjar, ai u dha përpara torturave.

Jeta është e shtrënjtë për njeriun. Të rrallë janë ata që mund t’i bëjnë ballë dhe mendimit të dënimit me vdekje.

Dobësitë janë pjesë e pandarë e natyrës sonë. Në fund të fundit, ç’do të ishte diktatura, nëse nuk do të arrinte të thyente, të shfytyronte dhe të vinte njëri kundër tjetrit dhe miqtë më të mirë?

Që nga gjyqi i parë me “armiq dhe sabotatorë në ekonomi”, gjyqi i inxhinierëve të Kënetës së Maliqit (1947), strategjia e hetuesisë nën diktaturë ka qenë e njëjta: përça grupin e të akuzuarve pa faj, gjej midis të paraburgosurve ata që

pranojnë akuzën e sajuar, që pranojnë çfarë nuk e kanë bërë, me premtimin se “do t’u shpëtojmë jetën” dhe pastaj i kanë pushkatuar që të gjithë, edhe ata që kanë bashkëpunuar me policinë kundër vetes dhe shokëve.

Vilsoni dhe Genci, të lidhur duar e këmbë, prisnin të dy ekzekutimin e dënimit me vdekje.

Genci i penduar i lante me lotë ditët e tij të fundit nga që i doli i pabesë mikut të tij, Vilsonit.

I pushkatuan në natën e 17 korrikut 1977. Në një varr i mbuluan të dy te Përroi i Firarit, poshtë malit të Zgarës.

Fati i tyre ishte paravendosur nga shteti. Shteti i vrau ata, askush tjetër.

Ka njerëz që edhe sot nuk e shohin për të mirë atë që Genc Leka u thye para hetuesisë së diktaturës. Vërtet, mirë do të ishte që të mos kish ndodhur, por nuk kemi të drejtë të kërkojmë heroin te gjithëkush.

Ne që nuk kemi qenë në rrethanat e tij, nuk kemi të drejtë ta gjykojmë.

Nëse do të ngrihet ndonjë altar që të përkujtojë viktimat e komunizmit, emrat e Genc Lekës e të Vilson Blloshmit duhet të gdhendeshin aty me shkonja të mëdha.

Shtator, 2009

https://www.facebook.com/sadik.bejko.3



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora