Kulturë
Timo Mërkuri: Hymn për fjalën poetike
E hene, 25.07.2022, 07:43 PM
HYMN PËR FJALËN POETIKE
Përsiatje mbi poemën “Prushi i bukurisë” të
Anton Nikë Berishës
Kemi lexuar shpesh
poezi e poema me fjalë që çelin nëpër vargje si lule të bukura, por është e
para herë që lexoj një poemë për Fjalën, “përmes
së cilës krijohet e bukura” (f. 11).
Nga Timo Mërkuri
I-Poema “Prushi i bukurisë” (një përsiatje poetike për
artin e fjalës) e Anton Nikë Berishës është një krijim i menduar si perceptim,
si formë dhe sistem shprehës. Poema ka një shtrat filozofik dhe një dritësim e
ngrohtësi poetike, duke thelluar në këtë mënyrë veçantinë e saj, i pa hasur
gjer më sot në letërsinë tonë shqipe. Në tekstin e kësaj poeme, “flakët e
fjalës” hapen në vargje si petale të kuqe lulesh, thuajse synojnë të na
tregojnë në zemrën e saj “Prushin e bukurisë”.
Konceptimi poetik i prushit nuk është i huaj për botën
shqiptare pasi në vatrat tona, zjarri “fle” në prushin e mbuluar me hi e
mjafton një fill fryme të fryjë përmbi të dhe zjarri të ndizet në prush e
flakët të fillojnë e të vallëzojnë si vajza të dashuruara. Kjo qëndresë e
prushit në vatër nënkupton edhe qëndresën e njeriut në tallazet e jetës, pasi
prushi krijohet nga zjarri dhe zjarri paraqet djegien e lis-jetës. E
megjithatë, te “prushi” që krijohet nga djegia e drurit qëndron “flaka” duke
ruajtur cilësitë e saj të mëparshme, e gatshme për të shpërthyer me vrull e
flakërimë nën flladin më të lehtë që mund të fryjë mbi të. Është pikërisht kjo
flakë që fle te prushi, ajo bukuri ndriçuese që jep jetë e dritë, që i jep hov
jetës.
II- Poema e veçantë e Anton Nikë Berishës “Prushi i
bukurisë[1]”
është një tekst me mbi pesëqind vargje, të thurur në katërmbëdhjetë pamje pamje
poetike, ku përdoret folja “je” rreth njëqind e pesëdhjetë herë si identifikues
i “fjalës” dhe vargjet që vijojnë shfaqen si shpalosje e “flakëve” të saj, duke
krijuar në këtë mënyrë vizionin e një zjarri të madh, diku në një ambient të
hapur natyror dhe ku soneti i pesëmbëdhjetë bën akrostikun (vargu i parë i
secilës përsiatje-pamje) si një përba-shkim e njësim poetik.
Pra, vepra “Prushi i bukurisë” është një krijim i mëvetë-sishëm,
me një mendim të thellë filozofik dhe qëndisje poetike, i derdhur në vargje të
shndritshme, si argjendi i shkrirë kur derdhet në forma lulesh e zemrash për
gjerdane nusesh.
Në poemë flitet për “fjalën”, jo si “njësia me e vogël e gjuhës, tërësi e pandashme e tingëllimit dhe e
kuptimit e formësuar që pasqyron sende e fenomene” apo si forcë që “thyen kockat”, por për “fjalën poetike”:
“që është perëndi”, e cila, si e
tillë ka altarin e saj, altarin poetik.
Ekzistencën e altarit të “fjalës” në letërsinë shqipe na
e ka sjellë së pari Azem Shkreli te
poezia “Porosia”me vargjet: “Mos e ndyj
fjalën biro se pastaj/ Është e kotë të falesh para lterit të saj”. Në këtë
rrjedhë sqarojmë shkarazi se: ndërkohë që të krishterët kanë për altar kryqin e
kryqëzimit, në botën shqiptare “fjala” ka për altar “besën”, që përfaqësohen
nga Krishti dhe Kostandini, të dy të ringjallur nga forca e “fjalës”.
Duke kujtuar Ungjillin sipas Gjonit, sipas të cilit “Në fillim ishte fjala...dhe Fjala ishte
Perëndi” vijojmë mendimin te “fjala”-perëndi, e cila: duke qenë perëndi, ka
forcën e krijimit. Është “fjala” ajo që formuloi konceptin e bukurisë, është
“fjala” ajo që formatoi shijet tona, që formësoi dijet tona, që barti dijet tona
nga një brez tek tjetri. “…I zunë yjet
nëpër qiell dhe i shpërndanë/ kah dëshiruan” thotë poeti dhe unë jam i
sigurt se askush nuk e interpreton këtë “zënie” dhe këtë shpërndarje si një
kapje me dorë dhe lëvizje fizike të tyre. Në këtë mënyrë, pasi njeh dhe kupton
“fjalën”, ndjen se është shumë e “thjeshtë” për t’u kuptuar kjo poemë e
“vështirë”, të cilën vetëm pasi e kupton, sheh dhe ndjen sae bukur është.
Poema “Prushi i bukurisë” është një hymn për “fjalën”,
hymn lartësimi dhe shenjtërimi njëkohësisht. Shenjtërimin e “fjalës” e ka bërë
vetë Gjoni te Ungjilli (1:1-3.), siç u përmend, prandaj Anton Nikë Berisha e ri
përsërit në vargjet e poemës: “Je bukuri
vetë-dhuratë e Hyjit/Në fillim ishte fjala, e Fjala ishte në Hyjin/e Fjala
ishte Hyj… Prej saj u bë çdo gjë” (f. 20), për të shtjelluar se: “Je drita e Hyjit që pareshtur lind/ nga hiri
dhe forca e besimit/ dhe dalëngadalë bie në zemrën e secilit /me lehtësinë e
buzëqeshjes së foshnjës” (f. 18); “Je
prush i heshtur që i ngroh/pejzat e shpirtit …” (f. 19).
Për nga muzikaliteti që kanë vargjet në qenien e tyre, po
ashtu, poema përafrohet me muzikalitetin e hymneve dhe të lavdeve kishtare.
Pathosi i krijimit, vargu shpirtëror i hymnit, ngrohtësia që kanë cilësorët e
“fjalës”, muzika e llojit “hymn” që ka vargjet e poemës na “flasin” se poeti e
krijoi poemën me synimin që të jetë një “hymn” i vërtetë që lartëson “fjalën”.
Synimi i lartësimit të “fjalës” në qiellin e të plotfuqishmit krijues (i
mbështetur dhe te postulati ungjillor) e barazon “fjalën” me Hyjin, prej nga
lind domosdoshmëria e një hymni.
III- Ky hymn, natyrisht, ndryshon nga hymnet kishtare për
arsyen e thjeshtë se është së pari një vepër poetike, madje një vepër poetike e
rrafshit të epërm. Është një krijim që të huton me thellësinë e gjerësinë e
mendimit, ku në kthjelltësinë e shprehjes sheh hapësira dhe yllësi tej
vargjeve; sheh e ndjen një mozaik imazhesh dhe ndjenjash që të ndihmojnë të
formësosh ide të tjera të bukura. Poema të krijon përshtypjen se është shkruar
“me një frymë” si një shpërthim i beftë frymëzimi, i ngjashëm me me një shpërthim
lulimi një mëngjez pranvere. Të njëjtën ngjyrë, aromë e freski kanë të gjitha
vargjet,si petalet e porsaçelura të një luleje, duke dëshmuar në këtë mënyrë
unitetin e poemës. Duhet të pranojmë: për shkak të vetë temës dhe stilit të
veçantë të shtjellimit të saj, leximi dhe përjetimi i kësaj poeme kërkon një
lexues me njohuri, dije dhe kulturë leximi. Kjo është e kuptueshme; poezia e
tillë nuk shkruhet për masat e gjera, ndonëse lexohet dhe prej tyre. E
rëndësishme është që dhe këtu: “qëllimi i poetit është e mrekullueshmja”
(Marino).
Thamë pak më sipër që Anton Nikë Berisha është një poet i
veçantë në letërsinë shqipe. Të jesh poet i veçantë do të thotë të jesh poet
origjinal, që gjithmonë sjell diçka të re për mënyrën e asaj që thua
poetikisht, pra nuk qëndron “roje besnike” e një stili apo e një forme si
ushtari te flamuri. Poezia e Anton Nikë Berishës është valë drite, dritë dhe
dashuri; ka një dritë të veçantë në këtë poemë që buron nga vetë vargjet, një
dritë e ngrohtë që shkëlqen në “errësirën” dhe shumësinë e kuptimore të
vargjeve. Ka diçka ungjillore të kjo dritë e vargjeve, që të fton t’i lexosh
përsëri, gjersa ta ndjesh të bukurën, atë të bukur që: ”Përtej harrimit e pati djepin…”(f. 17), sepse, sipas Biblës,
“fjala” ekzistonte para krijimit (e para ishte fjala), ajo (“fjala”) ishte
cilësi e Hyjit dhe ai ua dërgoi njerëzve. Në këtë rrjedhë logjike kupton se
njerëzit: “[...] me shtjellime fjalësh/u
dhanë jetë lumenjve të përfytyrimit/…i zunë yjet në qiell dhe i shpërndanë/kah
dëshiruan” (f. 17).
I lexojmë këto vargje dhe padashje mendojmë: “Janë të
shumtë autorët që shkruajnë vargje, por ndryshe nga ata Anton Nikë Berisha
shkruan poezi, madje një poezi ku dhe vizionet kozmike janë të prekshme, ku
edhe vetë Zoti është i pranishëm, madhështor si Ai në thjeshtësinë e tij.
Thënë ndryshe, poeti shkruan me dritë, ai njësoj si
apostujt na tregon dritën që buron nga “fjala”. Na takon neve ta shohim dhe ta
“lexojmë” këtë dritë dhe ta bëjmë tonën.
Në konceptimin e kësaj poeme “fjala” nuk është vetëm
flakë dhe dritë. “Fjala” është vetë jeta dhe përparimi shpirtëror e shkencor i
jetës njerëzore. Vetëm duke e parë në këtë këndvështrim lexuesi do ta kuptojë
pse poeti i jep kaq shumë pushtet “fjalës”, të cilës jo vetëm i atribuon një
sërë arritjesh njerëzore, por e ngre përsëri poetikisht në nivelin sipëror,
nismëtare në zanafillën e jetës, madje duke poetizuar postulatin ungjillor.
IV-Në rrafshin metrik vepra nuk është shkruar në ndonjë
varg të përcaktuar metrik; vargjet kanë ritëm të brendshëm dhe muzikalitet, por
s’kanë rimë. Vepra është shkruar në formën e sonetit, po shmangiet nga rregulli
i rëndomtë janë të dukshme. Meqenëse te kjo vepër vështrohet arti i fjalës,
autori ka përqë-ndruar vëmendjen sidomos në sistemin gjuhësor shprehës;
mbizotëron gjuha poetike në gjithë krijimin; bëhet ballafaqimi dhe përplasja e
figurave, sidomos e metaforave; synohet që teksti të rrezatojë sa më shumë
kuptime, herë - herë deri në pafundësi.
Anton Nikë Berisha është një poet që nuk shkruan me një
fjalor të ngushtë apo mendësi krahinore, figurat letrare të tij nuk janë zogj
apo lule të një treve a të një stine; ato dëshmojnë të kundërtën.
V- Le të lexojmë bashkë vargjet: “Je prush i heshtur që i ngroh/pejzat e shpirtit.. …/ Je rrjedhë e
ngrohtësisë së diellit/ Hijeshi nusërore e Hënës.”(f. 19), “Je pengu i zjarrit të dashuri-së / Që
dëshmon thelbin e jetës”, “Je zjarr zemre që gjithnjë përhapet/ përbrenda vetes
por dhe tek tjetri” (f. 29), “Je
shpirti mistik i secilës lindje” (f. 35), ku ndjejmë lehtësisht se autori
jeton me poezinë, madje e përjeton poezinë qysh nga fillesat e saj të artit e
gjer te arritjet e tij bashkëkohore. Të jetuarit me poezinë veçse është një
mënyrë jetese, është më së pari poezi më vete. Pse jeton me poezinë Anton Nikë
Berisha nuk druhet nga “tema” e “fjalës”, e cila është një “lule në zgrip të
greminës[2]”,
pasi ai është si zogu, këndon e s’ka frikë se mund të gremiset nëpër “hone”; ka
“krahë të fortë”: talentin dhe dashurinë.
Vargjet: “Je
heshtja që flet vijimisht” (f. 26), “Je
rrëfimi që rrëfimin nxit/të kaluarën e afron dhe e bën të sotme/../je e sotmja
e veshur me të nesërme” (f. 27), “je
palca e ashtit ku rrënjësohet etja/e thelbit të bukurisë..”, “Je prapësimi i
ferrit në tundimet e trishta”, “Ti
mallkimin e shndërron në urim” (f. 32) etj. na krijojnë një ndjenjë hutimi
përpara“vërtetësive” që shpalosen në vargje, që i keni ndjerë, por nuk keni
gjetur fjalët dhe mënyrën për t’i shprehur.
Do të ishte normale që autori këto të vërteta t’i
shprehte në një traktat filozofik, por ai është së pari poet dhe shprehet
nëpërmjet vargjeve, përmes gjuhës poetike. Në qoftë se ai do
hartonte një traktat filozofik, do të na mungonte një vepër e tillë letrare
poetike, të cilën sa herë që e lexojmë na shpalosen para syve imazhe të reja e
shumëngjyrëshe të bukurisë.
Anton Nikë Berisha është së pari një poet, krijimtarinë
poetike të së cilit duhet të dish ta lexosh për ta ndjerë dhe për të vënë komunikim me të, sepse vargjet e tij
janë të përpjeta arti për t’u ngjitur dhe jo stola lulishteje për të dremitur.
Me këtë vepër Anton Nikë Berisha na tregon si mund të
shkruhet poezia e mirëfilltë edhe sot.
Sarandë,
korrik 2022
[1] Anton Nikë Berisha “Prushi i bukurisë”, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”
Gjilan 2015. Shih dhe botimin e parë dugjuhësorë Anton Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për
artin e fjalës. Il fulgore della
bellezza. Riflessioni poetiche sull’arte della parola. Luigi Pellegrini
Editore, Cosenza 2014.
[2]…pse “fjala është perëndi” Gjoni1:1-3.