Kulturë
Meti Rexhepi: Medaljone tregimtare
E marte, 19.07.2022, 06:26 PM
MEDALJONE TREGIMTARE
Prend Buzhala: QIELLIT I MUNGONIN LOTËT; Lena,
Prishtinë, 2022
(Tregime me pak fjalë)
NGA
METI REXHEPI
Autori Prend
Buzhala ka një jetëshkrim sprovash të dendura të jetës e të shkrimit. Padyshim
është njëri nga autorët bashkëkohorë më të frytshëm në letrat e shkrimit
letrar-artistik në letërsinë shqiptare; qoftë në fushën e diskurseve
kritike-eseistike-studimore, estetike dhe publicistike; gjithsesi, nuk mund të
lësh anash pjekurinë e poezisë dhe të prozës tij. Ai shkroi dhe publikoi dhjeta
vëllime shkrimesh poetike, diskurse kritike-estetike, vlerësime
dorëshkrimesh dhe, vijon të shkruaj në
të gjitha gjinitë dhe llojet e shkrimit letrar tek ne. Krijimtaria e
gjithanshme e Prend Buzhalës e begatoi shprehjen artistike dhe, artikuloi me
kompetencë mendimin për poetikën e shkrimit shqip; gjithnjë kërkueshëm dhe në
përkim me përvojat e mendimit evropian.
Prend Buzhala
lexuesve dhe studiuesve të përtashëm dhe
të ardhshëm, po ua lë opusin e tij të gjerë, llojesh e gjinish letrare të
ndryshme, për t`iu qasur shumanshëm nga këndvështrime, sipas përkatësisë,
reflektimit dhe interesimeve, që do të zgjojnë në të tashmen dhe të ardhmen,
kurdoherë me optikën moderne të shqyrtimit e të vlerësimit.
ÇËSHTJE TË NARRATIVËS TREGIMTARE
Kësaj radhe
këndvështrimi im do t`i hedh sytë tek proza më e re e shkurtë, e këtij
shkrim-kërkimtari të pasionuar; fjala është për vëllimin “QIELLIT I MUNGONIN
LOTËT”, me nënvizimin “Tregime me pak fjalë.” I thjeshtë dhe interesant është
përcaktimi sasior i autorit për këtë lloj tregimesh. Këto tregime të shkurta
autori nuk i quan skica tregimtare, por “tregime me pak fjalë.” Përse? Ngaqë,
me gjithë shkurtësinë e tyre, është bindje-plotë se këto proza janë mirëfilli
tregime. Pa hamendje për përkufizime teorike-letrare, këto proza të shkurta
janë tregime dhe, si të këtilla shkrimtari Prend Buzhala, deri më tash botoi
gjashtë vëllime të këtij lloji: “SINAPSA E HESHTJES” (Tregime me pak fjalë), më
2016; “HEROI I RRUGËS” (Tregime me pak fjalë), më 2017, ribotuar, më 2019;
“SHEJZAT E KRYQËZIMIT” (Tregime me pak fjalë), më 2020; “SIZIFI PA GURIN E TIJ”
(Tregime me pak fjalë), më 2020; “ZËRAT JASHTË VETVETES”(Tregime me pak fjalë),
më 2021 dhe, “QIELLIT I MUNGONIN LOTËT” (Tregime me pak fjalë), më 2022.
Lënda tregimtare e
këtij libri është renditur brenda tre ciklesh: I Gruaja më e bukur në botë,
ka njëzetepesë tregime; II Endacaku i humbur i yjeve, përfshin
njëzetetre dhe, III Fëmija i Zotit, përmbledh njëzetepesë tregime të
shkurta.
Në ciklin e parë
të titulluar Gruaja më e bukur në botë, ndiqet një kronologji e datave
të shkrimit, ngjashëm me kronologjinë e të ndodhurave të një ditari, ndonëse
brenda një date mund të jenë shkruar një dhe dy tregime; përderisa në dy ciklet
vijuese kemi zhvendosje të rendit kronologjik të datave të përfundimit të
tregimeve. Është faktuar se tërë vëllimi i këtij libri përmban shtatëdhjetë e
dy tregime, meqë, si duket tregimi “Gjuha e furtunës” i faqeve 61- 62,
gabimisht është
përsëritur në faqet 83-84 te cikli Endacaku i humbur i yjeve. Zhvendosja
e tillë teknike aspak nuk e dëmton koherencën e librit.
Nën titullin e
vëllimit me tregime “QIELLIT I MUNGONIN LOTËT”, shkrimtari përcaktoi dëftimin
“Tregime me pak fjalë.” Kjo fjali e ndajshtimit titullit përcakton përmasën
vëllimore për shkrimet, që lë të
kuptohet se tregimi mund të shkruhet “me pak fjalë”, sikundër shkruhet dhe me
shumë fjalë. Këtu mund të prekim në çështje të sintaksës poetike të shkrimit.
Përcaktimi sasior nuk e cenon thelbësoren e rrëfimit tregimtar. Teoria për
ndërtimin e tregimit ka parashtruar rregulla, si për tregimin ashtu dhe për
nivelin dhe prozën e gjatë përkatësisht romanin. Romani modern dhe post modern
vetë-lirohet prej disa rregullave kanonike, të cilave i përmbahej proza e tipit
të gjatë, romani i shtjellimeve epike klasike. Tashmë për çdo nivel të lexuesve
janë të njohura veçoritë e prozës së gjatë. Në prozën e gjatë, në roman ose
novelë, strumbullari narrativ, ideor dhe
kompozicioni lidhen kryesisht me krye-heroin, si dhe personazhet e kundërvënë e
kundërthënës, të cilët përfaqësojnë serinë e të ndodhurave dhe të ngjarjeve,
ritmet e pulsimet rrjedhës emocionale, dramën ideore të thurjes e të shthurjes
paqësore, tragjike ose fundin me hepy end.
Meqë mes romanit
dhe tregimit shfaqet dallimi aq i dukshëm, i gjerësisë e gjatësisë, i
përbërësve të shumtë, i shtrirjes tejet të zgjeruar të linjave rrëfimtare në
hapësirë dhe kohë, për aq sa krye-heroi a heronjtë tjerë bartës të ideve,
lindin burrërohen dhe arrijnë mplakje; pra, gjatë ngjarjeve formojnë dhe
sprovojnë karakterin, nismën dhe rrumbullakimin ideor e të kompozicionit;
novela paraqitet më e rrudhur, më e dendur
dhe më e përmbledhur. Po tregimi? Tregimit i duhet rrudhje e dendësim
maksimal të thënies, kapërcim i shpejtë në kohë dhe hapësirë, mjeshtri
sintetizuese të rrëfimit, ecje pothuajse në stom të honit me ngërthesa fijesh
të holla sintetike:copëza rrëfimi, tkurrje përshkrimi, përmbyllje figurative,
rrumbullakim medaljoni.
Romani dhe novela
ndonjëherë i kapërcejnë kufijtë brenda llojit të vet, meqë pleksin shumësi
ngjashmërish. Përcaktimet e llojit sjellin dilema përkatësish, mbase për njërën
ose mëvetësinë e tjetrit: roman a novelë? Një shëmbëllim të tillë e hasim tek romani ose novela “PLAKU DHE
DETI” e Ernest Heminguejit.
Jashtë përpjekjeve
për shqyrtime teorike, tregimet “me pak fjalë” të Prend Buzhalës, të cilat në
pak sosh i kalojnë dy-tri faqe libri të formatit 21 cm, paraqesin veçanti për shqyrtim. Në lëndën e
shtjellimit të prozës, të romanit, të novelës, madje edhe në tregime, gjatë
rrjedhës narrative e përballjeve ideore-emocionale formësohen karakteret,
zgjerohen ide dhe marrin tipare etike, etnike, filozofike, ontologjike dhe
ekzistenciale; domethënë hapësira shprehëse jep mundësi të pakufishme
përthithjesh komplekse të botës e natyrës njerëzore. Në vëllimin e tregimeve që
kemi në dorë, përballemi me mjedisin e fateve individuale dhe të një organizimi
shoqëror me trashëgimi plagësh të gjenocidit dhe etnocidit, me plagë të rënda
në shpirt dhe trup, me mëkate të vjetra dhe të reja, me mendësi të turbulluar,
me flashkësi institucionale, me identitet të pa qartësuar, me shtresimin
burokratik të veprimeve të ngathëta për
jetën e qytetarëve...
Shkrimtari Prend
Buzhala pandalshëm arriti një përvojë krijuese të rrallë në të gjitha gjinitë
dhe llojet letrare, duke akumuluar një fond të begatë prurjesh poetike, dijesh
e vlerësimesh kritike, diskursesh teorike-letrare. Ai është plotësisht i
vetëdijshëm, për forcën dhe kufizimet e ndikimit të artit të shkrimit tek
ndërgjegjësimi i masës shoqërore përmes librit. Libri, kjo shenjtëri e gjallë e
njerëzimit, në mjedisin e urbanizimit të përciptë, më tepër haset si dekor
vitrinash, të cilit i trashet pluhuri mbi kopertina. Autori me anë të këtyre
tregimeve të shkurta, gati miniaturale, si duket gjeti mënyrën për t`i shkundur
përtacët e leximit, përkatësisht të mos-leximit, të cilët shkasin e kthimit të
shpinës librit e kanë në majë të gjuhës: është
kohë e jetës dinamike, nuk
përballohet dot përqendrimi mbi një vëllim të gjatë libri! Mirëpo, ja që përmes
tregimesh të këtilla “me pak fjalë” shkrim-kërkimtari ia doli që të na josh
bindshëm.
Brenda tre
ciklesh, në shtatëdhjetë e dy tregime të
shkurtë, poeti e tregimtari Prend Buzhala, ia doli të ngërthejë e të zbërthejë
mozaikë të dendur fatesh njerëzorë, dukuri, bëma, ide kënd-fshehura, përsiatje
përbuzjesh e cinizmash, personazhesh anonimë, të cilët jetës i lypin vetëm aq
sa për t`u mbajtur biologjikisht, situata paradoksale dhe absurde, brenga e
vullnete shpirtçiltra, shpresa brenda dhe tej sferave tokësore.
SPROVA E THËNIES SË SHKURTË
E thënë troç:
rrudhja, reduktimi maksimal i thënies, pothuajse e zhvesh përshkrimin e
dukurisë a të ngjarjes, frymorit të piketuar për shtjellim. Në secilin tregim
autori lë mënjanë shtjellimit shumë hir dhe, vjel vetëm mazën, pra ajkën. Por,
a ka dro që tregimi të mbetet krejtësisht i cunguar, pa degëzime, pa gjethe? A
ka druajtje autori, që parimi i ajsbergut ta tejkalojë masën e tri të katërtave
të fshehjes nën ujë dhe, vetëm një ose
gjysmën e njëshit të thënies ta shfaq mbi ujë?
Gjithsesi trinomi
i hyrjes, shtjellimit dhe përmbylljes ndiqet, pos me përjashtime, aty ku
pleksja poetike i shmanget narratives dhe merr tipare të plota të poezisë,
sikurse tek shkrimet “Dy dritëzat e një oqeani”, faqe 44; “Një zog i
padukshëm”, faqe 67; “Dorëshkrimi misterioz”, faqe 100; “Duke ecur rrugës mbi
valë”, faqe 120.
Me anë të
tregimeve “me pak fjalë”, natyrisht
vetmet, personazhet nuk kapen në procese ose rrjedha të formësimit të tyre; ata
ose ato dalin të tillë çfarë janë, të formësuar a të pa formësuar, me plagë e
ëndrra, me vese e paragjykime, me barrë në shpirt e revoltues, të humbur e
reflektues nga përditshmëria thellë në brendësi të psikes, të strukur në sferën
e ndërdymes, të ndër komunikimit imagjinar me universin dhe sferën Hyjnore...
Njeriu i thjeshtë
i këtij mjedisi shoqëror, u shtyp nga trajta të ndryshme të dhunës. Personazhi
anonim, i cili ishte pjesëtar i bashkësisë së gjerë, hidhet në rrugë pas
rrëmbimit të fabrikës tij, pëson marramendje dhe alivanosje. I shtrirë në
spital pa dashjen e tij, ndonëse me shëndet të shkallmuar, ngre një dialog
domethënës, nëpërmjet të cilit ndërtohet revolta ekzistenciale me sfondin e saj
stoik:
“Përse po më sjell
ilaçe !? Nuk t`i kërkova...”
“Që ta largoj
dhembjen, e cila po të mundon ...”
“Jo, jo... dhembja
mbetet. Ti nuk ke mundësi të mi zhdukësh
ëndrrat...” *
Në gjysmë faqe
tekst tregimi “Ëndrra që nuk ka ilaç” është aq shumë i dendësuar dhe, arriti të
shtrojë bindshëm, fare “me pak fjalë” porosi jetike, ekzistenciale, që tejkalon
realitetin e jetës së zhveshur nga ndjeshmëria dhe fisnikëria.
Mozaiku
ideo-emocional, etik, estetik, filozofik dhe ekzistencial; e folura alegorike,
metaforike, ironike, satirike aty-këtu me pleksje të diskursit eseistik e
publicistik, përshkon, pothuajse, shumësinë e kësaj proze të shkurtë, të cilën
me mjeshtërinë e një kësilloj gdhendjeje të fjalësit, si shkrim-thurësh i
mirë, Prend Buzhala e shndërroi në
medaljon ose në vistër medaljonesh. Reflektime të tilla zbërthejnë gjatë
leximit të një vistre tregimesh, si: “Projekti qiellor për planetin e
lumturisë”; “Shitja e shpirtit”; “Dora e padukshme”; “Një qen fisnik”; “Hije të
vjetra”; “Drejtpeshimi i rrëmbyer” dhe gjetiu tek tregimet tjerë.
Sprova për
depërtimin mjeshtëror në amullinë e absurdit hasim në tregimin “Drejtpeshimi i
rrëmbyer.” Stili lehtësisht i kapshëm dhe depërtues i autorit në situata pa
vizione të shtegdaljes, përkon me përmbylljen e paragrafit, me ngërthesë të
ngjeshur të atmosferës metaforike, e shkrirë përgjatë gjithë sjelljes jashtë
arsyes, duke vënë në delir drejtpeshimin e humbur njerëzor:
“E vërteta po i
ngjante errësirës me hijet që iu hodhën përsipër” *
*Prend Buzhala:
QIELLIT I MUNGONIN LOTËT”, Lena, Prishtinë, 2022, f. 7
*Po aty, f. 23
Moria e motiveve
të shpalosura në librin “QIELLIT I MUNGONIN LOTËT” është e gamës së gjerë të së
ndodhurës. Shkrim-kërkimtari të ndodhurat, dukuritë i kap kryesisht në lëvizje,
në dialektikën e shndërrimit të trajtave, të shkuarjes dhe të ardhjes, por
gjithnjë duke e ruajtur masën esenciale të njeriut. Misioni i shkrimtarit në
esencën e tij është thellësisht njerëzor. Ai nënvizon prishjen e skajshme të
shpirtit amësor, ashtu si e shohim dhe e ndjejmë, tek tregimi “Njëzet vitet që
s`kanë nevojë për t`u rrëfyer.” Foshnja e lënë në kontejner! “Po e lë në
mëshirë të Zotit!” Përmbyllet:
“Është vëllai im,
e gjeta afër një koshi mbeturinash!”*
Motivet që
trajtohen në këto tregime pleksin njëkohësisht stil rrëfimtar-poetikë
figurative- prozë poetike, të përshkuara
me emocione vetash, që ndrydhen e shpërthejnë... Andaj, shfaqet e theksuar nota
meditative për dilemat e jetë-vdekjes, motivimet e besimit dhe të dëshpërimit,
aq shumë të përtrollitur në jetën tonë shoqërore. Të gjitha këto rrethana
ngërthejnë shqetësime për mbrojtjen ose
jo të sublimes njerëzore. Dyshimi i vetes anonime të kësaj proze “në
gjithçka...” është kumt, shenj alarmuese për kahen e njerëzores! Vardisja e të keqes e shpie personazhin në
zgrip të ekzistencës mendore: “si ta mënjanoj krisjen brenda vetës?”
RETORIKA POETIKE E PYETJES
Nga tregimi në
tregim vijon prekja e motiveve me plagë
shpirtërore, sikurse tek tregimi “Alarmet e amigdales.” Mënyra më e bindshme
për të hyrë në brendi të personazhit me amigdalë, ishte njëjtësimi i vetës, drejtpërdrejt nëpërmjet
vetës së parë të autorit. Gjithnjë, autori, duke qenë në harmoni me qytetërimin
urban, iu rrek temës me shtrirje
universale, mendësisë të aparateve shtetërore, që me instrumentet policore
“disiplinojnë” masën, por jo dhe burokracinë brenda vetvetes (proza Labirinti i
oborrit).
Në penën e
shkrimtarit motivuese paraqitet plaga e azil-kerkimit. Kërkimi i lumturisë larg
atdheut sjell të papriturat e burgjeve të Evropës. Armiqtë e një gjaku në
burgun e huaj, kundruall kanosjes së të huajve i dalin në krah njëri-tjetrit.
Solidarizimi për mbrojtjen e armikut të gjuhës e të gjakut të vet, kapërcen
pragun e gjakmarrjes dhe, rikthen kërkimin e largët të lumturisë në përqafimin
e armikut të djeshëm, sivëllait të sotëm azilkërkues, dyshe e rrezikuar për
dhjamë qeni!
Në mozaikun e
filozofisë ekzistenciale ndodh përzierja e ngjyrave, disa shkëlqejnë për vete, ca
të tjera për gjetiu, për të tjerët. Idealet e vërteta nëpërkëmben nga ato të
rremet dhe, të rrejshmet marrin frerët e sundimit, të mënjanimit të vlerave
burimore, kësisoj shtresohen revoltat dhe shpërfilljet anarkike, legjitimohet
jo-harmonia, trazimi shoqëror.
Prend Buzhala në
tregimet “me pak fjalë” preku, shtroi, apostrofoi, nënvizoi shfaqje estetike të
së madhërishmes, të bukurës, të shëmtuarës, të ulëtën, tragjiken. Autori këto
dukuri estetike dhe jetësore i pikasi me ndjeshmëri, me drithërime, me dritë-hedhje
të mendjes rreth e rrotull rrojtjes së vet, andej-këndej ecejakesh ku miopi nuk
i shihte, naivi nuk ua perceptonte përmasat madhore të ekzistencës, të një
ekzistence dinjitoze.
Çfarë kemi këtu?
Këtu kemi përjetime e përjetësime të prekshme, të përtrollitur në realitetin
e mjedisit urban, gjithandej kaheve të
ecjes së shkrimtarit. Është interesant si e kërkojnë, ku e gjejnë ose nuk e
gjejnë lumturinë personazhet e këtyre tregimeve? Intuita e poetit nuhat, me
saktësi shqisash për nuhatje, gjetjen e erë-ëndjes dhe të erë-keqes, shkakun e
motivimit ideor për kapje të dukurisë
për ta shtruar në letër dhe, për ta rrudhur në maksimumin e të mundshmes
së reduktuar për thëniet e tekstit figurativ.
*Po aty, f. 41
Në pikëpamje
stilistike tek tregimet, që shtrojnë për shtjellim motive të së madhërishmes,
kurdoherë në prapavijë kanë sfondin filozofik. Pra, ekzistenca, mënyra e
ekzistencës ngërthen dhe filozofi, filozofinë e të jetuarit me intelekt. Andaj,
shkrimtari ngre pyetje të shumta: si duhet të jetohet? Me anë të pyetjeve
retorike, të cilat i hasim në nismë, në mes dhe më rrallë në fund të ndonjërit
prej tregimeve, hapen paranteza. Përgjigjet në rrjedh të shtjellimi janë tri
faresh: të drejtpërdrejta, të tërthorta dhe sosh, që kumtin e lënë pezull, të
pa përkufizuar, me kureshtje të zgjuar edhe në gjumë. Një stil i tillë, që lë
etje në kureshtjen e pagjumë, mbase ngërthen forcën e tërheqjes, le të themi,
lë hapur imagjinatën për kërkime motivesh artistike. Ky lloj stili dhe kjo
imagjinatë e hapur e vepruese, arrijnë të zënë ritme ngjarjesh, ndodhish,
fenomene, gjendje shpirtërore me reflektime të tej-botës, bëma theqafjesh dhe
urtësish... Sido qoftë, arti i të shkruarit ka specifikat e veta, parimin e
udhërrëfyesit vetjak, pa iu nënshtruar diskursit eseistik, publicistik, sikur
mund të ketë edhe rrëshqitje diku:
“E, përnjëmend,
kush e krijoi Ëndërrimin për Lirinë? Ëndërrimtarët e Mëdhenj?”*
Qasja si kjo, kur
brumi i motivimit është tërësisht i ngjeshur me përsiatje të thella mendimi,
proza merr tipare eseistike, ngaqë dalin në pah pyetjet retorike, të cilat
mëtojnë t`i zbërthejnë gjësendet, dilemat, emocionet në vetë konstruktin e
pyetjeve. Atëbotë, kur forca e fjalës shkarkohet nga emocione, zë e mbushet me
fakte mendore, përjashtohet ndjeshmëria hyn diskursi. Megjithatë, përvoja
shkrim-ndërtuese e shkrimtarit shpejt e rikthen ndjeshmërinë në objektivin e
vet. Në përballjet e shkrimtarit me jetën, Ai nuk lejon që ta humbë luftën, në
qoftë se më parë kishte humbur betejën. Por, shpirtërorja ia dëfton edhe një
tjetër gjakim:
“Shiko, kjo botë
qenka një Gjakim i Bukur për t`iu rikthyer Jetës Përtej Jetës.”*
DIALOGU DHE MONOLOGU IRONIK
Shohim kështu,
sepse më parë shkrimtari kishte hapur trasenë të shihnim se ç`ishte arti? Arti
i të shkruarit nuk është vetvetiu diçka, veçse për ta përmbushur gjakimin
vetjak, për t`u mbyllur “në kullën e fildishtë.” Arti nuk do të ishte art, nëse
do të ishte i vetëkënaqur me figurat e indiferencës vetjake. Arti ngërthen
porosi për ndryshime... Diskursi për artin mëton t`i zbërthejë ato porosi.
E pohuar paksa
shkarazi, por prore janë të mundshme pleksjet e llojeve tjera në brendi të
artit të shkruar. Çfarë? Ashtu. Aty ku fjala e tipologjisë poetike e merr rolin
moralizues, aty ku tipologjia figurative
zhvishet dhe vishet me kostumet, të cilat nuk i shkojnë për shtati bardhësisë
së letrës. Arti i të shkruarit ushqehet nga lirika dhe epika, nga fusha dhe
mali, nga lumi që rrjedh dhe shtrati i tharë i lumit, me kushtin madhor, që të gjitha prurjet t`i asimilojë
brenda gjinisë së vet.
Në tregimin
“Kopshti i alkimisë” autori sjell përfundimin eseistik:
“Diçka mund të
ndryshojë edhe në këtë shekull dritash e përtej dritash.”*
Reflekset lirike
përshkojnë disa nga tregimet e librit “QIELLIT I MUNGONIN LOTËT.” Dalin
interesante veçmas ato tregime ku figura i zë vendin rrëfimit, sikurse tek
proza poetike “Dorëshkrimi misterioz.” Mandej vijnë përsiatjet e thella të
monologut për vetminë, për indiferencën institucionale, për padrejtësinë, e
cila e shtynë njeriun të dalë tutje shinave të normales, të bërtas, të
rebelohet dhe, bërtitma të mos ketë kurrfarë efekti shoqëror. Ironia dhe stili
i të shprehurit ironik e satirik, shfaqet aty ku burokracia mbron aparatin
shtetëror me paragjykime dhe, vulosë etiketimet e veta kundruall lirisë dhe të
drejtave themelore njerëzore!
*Po aty, f. 68
*Po aty, f. 77; *Po aty, f. 79
Dialogu
ironik shpie në përballje me kastën e
logjikës pushtuese burokratike-cinike me unin e qytetarit vetëmohues, në
tregimin “Njeriu pa dëshminë e lindjes.” Nga intuita e shkrimtarit veçmas dalin
vetëmohuese tregimet, të cilat kushtëzohen
nga marrëdhënie brenda përbrenda ndërgjegjes të vetave të thyera;
intimja brejtëse e ndërgjegjes, reflektimet e karakterit të lig e frikacak.
Psikologjia e trazuar dhe mëtimi për gjetje arsyesh demagogjike, për t`u dukur
ai i duhuri në situata kritike të dëshmimit? Kategoria e tillë e karaktereve,
edhe kur ngre zërin, nuk pret përgjigje ngase zëri i tij ngrihej në heshtje,
atje ku nuk fliste heshtja! Fundi i tij është vetëgjykues: “Isha njeri i
parëndësishëm.”
STILI I PËRGJITHËSIMEVE ONTOLOGJIKE
Para diskursit le
të flasë modeli i kësaj proze të
shkurtë:
(ENËT E SHPUARA)
“ Kur isha në mërgim, i lashë gruan, fëmijët, punën dhe ika në luftë.
Sa isha në luftë, më thanë se isha i mirë. E kur shkova në qytet, më thanë:
zbriti nga malet një njeri i pagdhendur.
Në trotuar më shikonin të qetë një tufë qensh, dashamirësisht, me sy lutës.
Dy plaka pëshpëritnin: po shkojmë t`i mbushim këto enë të shpuara me ujë.”
Nga ky tregim i
shkurtë, si dhe në tërë tipologjinë e kësilloj tregimesh, shkrimtari thuri të
folurën e mes rreshtave. Pikërisht e folura e këtillë lexuesit ia nxitë
përsiatjet... Le ta pohojmë pa ngurruar mjeshtërinë e hollë për ngërthesa të
thella të shkrimtarit tonë.
Nëse ke lexuar
përciptazi dhe ke ikur, një magnet i padukshëm ta rikthen kureshtjen: t`ia
qërosh lëvozhgën ngërthesës dhe t`ia provosh shijen bërthamës. Duke u
identifikuar me Diogjenin, shkrimtari ynë një Diogjen modern, me fanarë në
mendje e në dorë, artin e vuri në funksion të sjelljes së përgjithësimeve
ontologjike. Le t`i nënvizojmë disa përgjithësime të këtilla: “Njerëzit iu
vërsulën fshehtësisë, lehën pas saj, sulmuan heshtjen. Vonë e morën vesh:
pasiguria dhe misteri ishin ata vetë.” (Duke ecur rrugës mbi valë)*
Prozës “Heshtja
nuk ka kujt t`i rrëfejë histori e kallëzime”, titulli dhe përmbyllja i vijnë në
të njëjtin konstatim përgjithësues, për funksionimin, përkatësisht
mosfunksionimin e heshtjes, si kategori psikike, filozofike dhe figurative.
Jo rrallë
përdorimi i mjeteve retorike jo poetike në shkrimin artistik, e nxjerr prej
binarëve ecurinë e figuracionit poetik. Në vëllimin që po shqyrtojmë, autori
symprehtë sheh gjithanshëm e, nuk bie në grackën e joshjes të diskurseve.
Dialogu artistik i pyetjes retorike me konotacion poetik, i vë frerin e kahes
figurative, e drejton dhe arrin përgjithësimin ontologjik:
“- A thua,
simbolet njeriu i krijon për gjërat e paarritshme?!”
Në përfundimin e
tregimit “Qiellit i mungonin lotët”, sipas të cilit është titulluar ky vëllim
tregimesh të shkurta, hasim mbishkrimin
e varrit të Justusit ose Njeriut të Drejtë ilir, që shpalon profecinë:
“Mjera bota çka do
të shohë mbi ju!
Mjeri qielli që
s`do të ketë lot për ju!”
“Pëshpëriti: të
vdekurit duan ta ruajnë shenjtërinë e
vet edhe për kohën tonë.”*
*Po aty, f. 120
*Po aty, f. 112
JETË PËRTEJ JETËS
Raymond Carver në
shkrimin e tij “Rreth të shkruarit”, përkthyer nga Albert Gjoka, apostrofon:
Isaac Babel duke shkruar për “Guy de
Maupassant” për fiksonin:
“Asnjë hekur nuk
mund të shpojë zemrën me një forcë të tillë, sa një rresht i vendosur në vendin
e duhur.”
Në të gjitha
tregimet me faturë paksa më të zgjeruar të rrëfimit, autori në vetën e
parë dhe të dytë, më drejtpërsëdrejti identifikohet me vetat e personazheve
anonime, me botën e tyre komplekse, të thjeshtë e të ndërlikuar, secilën herë
duke ua matur pulsin veç e veç, duke ua ndjerë dhimbjen, ëndrrat, shkallmimin
mental, stoicizmin, mjegullnajën dhe kthjelltësinë, zhgënjimin, shpresat dhe gëzimin, si dhe besimin në diçka të pa
korruptuar, qoftë “Jetës Përtej Jetës...” Janë karaktere asisoj, që zihen në
vajin e trupit e të jetës së vet.
Për të gjithë
adhuruesit e shkrimeve të shkurta dhe, figurave reflektimesh të dendësuara
ideore-emocionale, etike dhe estetike, të cilat i përshkon lajtmotivi
thellësisht njerëzor, shkrimtari i opusit të gjerë Prend Buzhala, nëpërmjet
shtypshkronjës “Lena”, vitit 2022, i solli, pos tjerash, një libër simpatik dhe
me vlera.
Gjilan, korrik 2022