Kulturë
Nue Oroshi: Letërkëmbimet në mes të Mustafa Merlika Krujës dhe Kapidanëve të Mirditës
E diele, 17.07.2022, 05:13 PM
Letërkëmbimet në mes të
Mustafa Merlika Krujës dhe Kapidanëve të Mirditës Gjon Marka Gjoni dhe djemve
Mark e Ndue Gjon Marku
Nga
Nue Oroshi
Letërkëmbimet në të kaluarën kanë luajtur një rol shumë
të rëndësishem, dhe kanë qenë mjaftë interesante, ku letërshkruesit kanë
njoftuar njëri-tjetrin dhe kan diskutuar së bashku në mes vete per shumë gjëra
interesante që kanë ndodhur ne arealin shqiptarë.Një letërkëmbim mjaftë
interesant dhe shumë permbajtësor ka ndodhur në mes të Kryeministrit Mustafa
Merlika - Kruja dhe Derës se Kapidanëve të Mirditës. Ky letërkëmbim ka filluar
me një letër që Kryeministri i Shqipërisë Etnike Mustafa Merlika - Kruja i
dërgon komandantit legjendar të Shqipërisë Etnike Kapidan Mark Gjon Markut në
Shqiperi ku e informon me situatën mjaft të vështirë që e kishin në luftë
kundër komunizmit. Letërkëmbimet tjera zhvillohen në mes të Kapidan Gjon Marka
Gjonit dhe djalit te ti Kapidan Ndue Gjon Markut. Këta i dërgonin letra Mustafa
Krujës nga Roma kurse ai i kthente letrat nga Alakesandria. Është interesant se
përmbajtja e këtyre letrave ishte e nivelit shumë të lartë kulturor dhe
atdhetar.Ata në mes vete kishin shumë brenga që i diskutonin së bashku. Brenga
e parë ishte mënyra se si të lirohet Shqipëria nga Komunizmi. Për këtë ishin
përpjekjet për themelimin e një Komiteti ku do të merrnin pjesë katër partitë
kryesore: Bloku Kombtar Independent , Legaliteti , Balli Kombëtar dhe Lidhja e
Dytë e Prizrenit (Grupi Kosovar). Për këtë Komitet të shpëtimit të Shqipërië
nga komunizmi kishin harxhuar shumë kohë nacionalistat por që tentohej të bëhej
me ndihmën e amerikanëve dhe anglezeve.
Kapidan Ndue Gjon Marku për çdo lëvizje politike dhe takime që kishte Bloku Kombëtar Independent e njoftonte
me përkushtim Kryeministrin Mustafa Merlika - Kruja dhe ky i kthente përgjigje
duke i dhenë edhe këshilla e sugjerime se si te veprohej. Në letrën e dërguar nga
Roma më, 13 – V – 1949 ndër të tjëra shkruan:
" I dashtuni Mustafë,me Herbert jemi takue, ka ardhë vetë me na bâ vizitë e
na ka ftue edhe për mjesditë. Folëm gjanë e gjatë. Shef nevojën e madhe për nji
bashkim të shqyptarve e sa mâ parë. Tha qi Shqypnija âsht në rrezik me u dá
dyshë, prej Jugosllave e prej Grekve. Shkuem prap për së dyti me Ernestin e
kemi ndejë mâ tepër se nji orë e gjysë. Ballistat janë bâ me dalë mêndësh pse
nuk e kishin besue qi Herberti t’u shifte me né (!) e bilé të na thirrte për
bukë. Këto fjalë sigurisht i a u ka thanë edhe ballistave; por ballistat.....
Edhe protokollin e Alexandrís Bazi nuk e njef!! "
Kurse në përgjigjen që i kthen Kryeministri Mustafa Kruja
nga Alexandria më 19 Qershor 1949 lidhur me formimin e komitetit në mesin
e shumë këshillave ai i propozon edhe këto "çështje:
" Fort i dashtuni Kapidan, Jam i mendimit qi Komiteti të përbâhet prej katër
kryetarvet: Midhati, Ismaili, Bazi e Xhaferi. Po s’u afrue Midhati kujtoj se
duhet t’i a zânë vêndin Koço Muka, qi mbyll edhe nji shteg në Komitet si
ortodoks. Se njimênd, na kemi edhe këto halle: Gegë e Toskë, katoliq e
myslimanë. Mirë do t’ishte me i shikue edhe këto sa të jetë e mundun, sidomos
edhe pse âsht bâ si traditë nëpër Kshillin e Regjencës qyshë në 1920 e deri në
atê të 43-s. Sa për katolik, problema do t’ishte lehtë me u zgidhun tue h? ti
në vênt t’Ismailit. Ndërmjet ju të dyve s’ka të damë, jeni si njâni tjetri e me
këtë sy ju shikojnë edhe bota qi ju njeh. Natyrisht keni për t’organizue edhe
nji sekretarjat si duhet. Në qoftë se h?n Midhati vetë, si ortodoks, e aqë mâ
mirë qi âsht edhe himarjot, un kishem me proponue qi të shtini edhe Koçon për
të pestë e të paanshëm, por si të ketë dhânë dorhjekjen prej Ballit.Ndoshta
mund të ju dalë ndonji kundrështim për Xhaferin prej qarqeve të hueja me të
cilat keni për t’u marrë vesht. Këtu âsht bâ çmos për t’a hjekun atë
kundrështim. Por po qe se ka mbetun ende, janë dý rrugë: ase thirret Komiteti
me nji emën qi nuk përmênd grupe, si me thânë Komiteti i Beslidhjes Shqiptare
Antikomuniste, ase fundi i fundit në vênt të Xhaferit un po ju kujtoj Prof.
Miftar Spahín qi âsht prej Lume e shumë djalë i mirë. Ky ka mbetun në Greqí, se
s’e kanë lânë Grekët me dalë; por ju, po qe se shifet me udhë, mund t’a nxirni. "
Vlenë të përmendet fakti se gjatë këtyre letërkëmbimeve
asnjëherë nuk harrohët të përmendet Kosova ku edhe përkundër kundershtimeve që
Xhafer Deva të jetë pjesë e këtij komiteti Kapidan Ndue Gjon Marku dhe Mustafa
Merlika - Kruja gjithnjë këmbngulnin që pjesë e këtij komitetit të jetë edhe
atdhetari Xhafer Deva. Gati nuk ka pasur letër që kanë këmbyer njëri me tjetrin
pa e përmendur edhe çështjen e Kosovës.Kjo ishte për faktin
se këta dy atdhetar Kosovën e konsideronin pjesë të Shqipërisë ashtu siqë ishte
edhe zyrtarisht në periudhën kohore kur Kryeminister ishte Mustafa Merlika -
Kruja.
Gjatë
këtyre letërkëmbimeve kishte edhe shumë gjëra te dhimshme për vrasjet, torturat
e burgosjet e familjarve të kapidan Gjon Marka Gjonit dhe Mustafa Krujës. Në
letrën që i dërgon nga Roma më, 28 Maj 1952 Kapidan Ndue Gjon Marku i jep këto
informacione kryeministrit Mustafa Merlika - Krujës ku i shkruan:
" I dashtuni Mustafë,
Po të dërgoj kopjen e nji letre qi e
kam marrë e qi të përket ty. Ky qi shkruen asht i mirditas, i biri i Gjet
Çupit në Pshtjesh. Masi po vjen Aliu po t’a dërgoj me te për mos me i ra
në dorë Gjelës sikur ajo qi kishe marrë disa kohë përpara prej nji miku prej
Jugosllavije. Letrën po e kopjoj integralisht. Qe teksti:
" Kapidan ktu po të diftoj pak disa ngjarje si mundem me i dijtun. Së parit
po të diftoj për familjen e Merlikajve të Krujes se i ké miq. Sef Merlika, Mani
i Merës Man Merlikës janë vra në mal. Djali i Dinit të Xhiut të Fajës asht vra
tue hi në kufinin e Grekis. Shita e Mera janë pushkatue, ndërsa Dalipi ka qenë
dënue me vdekje por na gjallë e kemi pasë lanë. Në burg asht Faik Merlika e për
tjerë Merlikaj nuk dij. Prap në Kru asht vra Ibrahim Kupi me nji djalë të vetin
e me nji të qujtunin Ten Taga, fisi i Xhaferr Tagës dhe kta janë vra në rrethim
e nuk janë kapë gjallë. Mandej janë vra nji Hasan Meça e Qamil Emiri. Pushkatue
janë: Xheladin Kuqi, Myftar Kuqi, Haki Pengili, Shim Hoxha, Hasan Lef Zani,
Sulejman Myrteza Qira e i vllai i Sejfulla Shimës nga Burizanej. Mandej janë
pushkatue prej katundesh: Pal Mhill Ndoj me gjithë kushri prej Gallate, Frrok
Mhill Rrika e Kolë Tota e Prengë Pirolli me gjithë kushri prej Zheje. Mandej
janë vra: Zef Dodë Perjuka prej Mirdite e Fran Miri; kta të dy i ka pré djali i
Aliut Dervishit prej Gjonmi të Krujës. I ka pré bashkë me nji farë Lutfi Meçen
e Kadri Shanin prej shehrit të Krujës. Mandej asht vra Mark Pirroli, djali
i Lok Pirolit prej Zhejet. Ky asht vra me kapitenin e Sigurimit d.m.th.
kanë vra njani tjetrin. Mandej asht pushkatueMark Miri me 14 gurzakë prej të
cillve 7 Miraj.
Asht damtue randë Nikoll Ndré Bardhoku
në Mal të bardhë. Janë vra në mal dy djemt e Gjergjit e nji i Gjonit.
Mandej asht vra në mal Isuf Taf Veliu prej Miloti. Lajmet e tjera po t’i
shkruej me letër tjetër.
Kapidan, në mal prej rrethit të Krujës
janë kta: Gjergji i Nikollë Ndré Bardhokut me 4 kushrit e tij d.m.th. 3 djelmt
e Marka Gjok Lalës e djali i Ndrec Prengës, Preng Llesh Gjergji, Ndue Pal Gjin
Pjetri e Geg Zef Nue Iseni, të tre prej Skurajsh. Djali i Pal Mhill Ndoit e
Pjetër Nikollë Mhilli, Pjetër Marka Ndoj te kushrit e shpis Mhill Ndoit nga Kallata
janë në mal. Gjon Lok Pirolli prej Zheje, Nikollë Arapi prej Laçi, vllau i jem
Marka Gjet Çupi janë në mal e kshtu shuma bahet 13 vetësh qi janë nder male
prej Kruje. Kta i kemi lanë në mal, tash nuk dij gja a janë a jo, por besoj se
veç janë shtue se edhe disa të tjerë kan qenë me kamë në derë."
Ky qi na shkruen asht prej Mirdite
e njofim shumë mirë, prandej të gjitha ato qi thotë janë të vërteta sepse
nuk asht nji njeri qi rrenë. Lajmet janë aman sa t’idhëta por nuk kemi se shka
me ba. Veç Gjelës mos i kallxò.
Edhe pse i jepte në këtë letër lajme mjaft të hidhura
Mustafa Krujës, Kapidan Ndue Gjon Marku nuk harronte që ta këshilloj se këto
informacione të dhimshme mos ta njoftoj të motrën e ti Xhela Muka, që gjatë
tërë kohës në Aleksandri e kishte shoqëruar vëllain e ti Mustafa Krujën dhe
pikërisht ishte kjo grua atdhetare e cila kishte ruajtur komplet shkrimet,
studimet dhe dokumentet e Mustafa Merlika - Krujës dhe i kishte sjellur në
Shqipëri.
Është mbresëlënes sidomos kur Mustafa Merlika Kruja dhe
Kapidan Ndue Gjon Marku përmes letrave komunikojnë për Gjenologjinë e
Kapidanëve të Mirditës.I tërë ky diskutim dhe kjo analizë e hollësishme që mund
ta bëjnë vetëm personalitetet që kanë njohuri shkencore si dhe janë të pajisur
më të dhënat e traditës brez pas brezi, zhvillohet në letrën e Kapidan Ndue
Gjon Markut të datës , 28 Maj 1952 e dërguar nga Roma, dhe letrës të Mustafa
Merlika - Krujës më 24 Kallnuer 1953 e dërguar në Romë nga Ramleh.Në këtë
letër Kapidan Ndue Gjon Marku i spjegon të dhënat mbi Gjenologjinë e kapidanëve
të Mirditës që rrjedhin nga Palë Dukagjini. Në këtë analizë shkencore Kapidan
Ndue Gjon Marku e hedh poshtë pretendimin e disa studiuesve që thonë se familja
e Kapidanëve të Mirditës kanë ardhur nga Pashtriku, apo siq quhej Bishtriku,por
që ato pjesë të Pashtrikut i kanë shfrytëzuar për kullosa. Është interesant
edhe përgjigjja e Mustafa Merlika Krujës i cili thotë se Familja e Kapidanve të
Mirditës është familje Princore në Vete familja Gjomarku, dhe ai shkruan se kjo
familje 13 breza kanë qenë në krye të Mirditës dhe e kanë udhëhequr më një
përkushtim shumë të matur, në këtë letër Kapidan Ndue Gjon Marku i jep
përgjigje Mustafa Krujës duke i thënë se në bazë të bartjes se tregimit
familjar nëpër breza, shënimeve të profesor Zef Valentinit dhe shënimeve të At
Nikollë Kimzës del se familja Gjomarku është me prejardhje nga familja e Lekë e
Pal Dukagjinit, duke potencuar se i pari i tyre ishte Pali, a ka të bëj kjo me
Pal Dukagjinin apo me Pal Kastriotin mbetët një pikëpyetje. Në këtë debat
Mustafa Kruja ka një sqarim mjaft interesant edhe për fjalën Kanuni i Lekë
Dukagjinit, apo Kanuni i Skënderbeut.Ai potencon se Fjala Kanuni i Lekë Dukagjinit,
dhe Kanuni i Skënderbeut është quajtur për faktin se ky Kanun ka qenë kanun
autokton shqiptar dhe për tu dalluar nga Kanunet dhe ligjet e Perandorisë
Osmane, ka marrë këta emra. Me këtë që thoshte studiuesi dhe largpamsi Mustafa
Merlika Kruja ka nje logjikë mjaft interesante per studiuesit që do te merrën
me derën e Kapidanëve të Mirditës në të ardhmën. Për faktin se nga
historia është i njohur edhe Pal Kastrioti, edhe për studimet dhe të dhënat e
mevonshme se Gjergj Kastrioti ka lindur në Kaster të Mirditës dhe se po ashtu
është kunorzuar në Mirditë.
Të gjitha këto komunikime që i kam studiuar në librin " Kuvend Letrash me
miqtë" të përgaditura nga nipi i Mustafa Krujës i nderuari Eugjen Merlika, si dhe
një pjesë të këtyre letrave i kam marrë edhe nga arkivi i Kapidan Ndue Gjon
Markut nga e bija Bianca Gjomarkaj jep të kuptojmë se këto letra duhet ti
studiojmë me një vëmndje te hollë se në çdo
faqe dhe në çdo rresht paraqitën të dhëna
interesante dhe shumë përmbajtësore, qoftë në aspektin e organizimit të
mërgatës antikomuniste, qoftë analizat dhe studimet historike, pa lënë anash
edhe shumë informacione të vrasjes, burgosjës, dhe internimeve të shumë
familjeve atdhetare në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri.