Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Hamit Aliaj dhe ngjyra e poezisë së tij
E shtune, 09.07.2022, 06:38 PM
HAMIT ALIAJ DHE NGJYRA E POEZISË SË TIJ
Shënime
mbi një cikël poetik
Nga
Timo Mërkuri
I- Sa herë që lexoj
poezi të Hamit Aliaj më kujtohet vargu i parë i një kënge hasjane:“Mori e
mira në dritë të hënës” dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Parafytyroni ju lutem
një vajzë të trevave veriore në një pragmbrëmje dimri tek ecën në një shpat
mali nën dritësimin e hënës. Parafytyrojeni që kjo ecje ndodh në një pragmbrëmje dimri me dëborë
të ngrirë, ku dritësimi, si pasojë e reflektimit të dritës së hënës është gati
marramendës. Për së largu, me gjithe lbyrjen e syve nga dritësimi dallon jo
vetëm konturet e përgjithëshme, por ndjen edhe tiparet e qeshura të vajzës tek
nxiton drejt çastit të lumturisë. Prej së largu ajo vajzë duket si një zanë
mali, që në ecje e sipër lëshon (apo reflekton) valë drite në çdo hap që hedh
dhe ti hutohesh e ngurosesh në shikim.
II- Nuk është fantazi
ky përfytyrim: Poezitë e Hamit Aliaj kanë një bardhësi alpine që të lbyr sytë,
madje këtë bardhësi e kanë edhe pemët në
poezitë e tij mbi të gjelbë-rtën e
gjetheve, edhe ujrat mbi syprinën apo valët e kaltëra, madje e kanë edhe
shtëpitë ndërtuar me gur gëlqeror a të hirtë. E kanë këtë bardhësi nëpër vargje
edhe sheshbetejat (epike apo moderne) mbuluar nga kamnoi i dyfeqeve, madje e
kanë edhe plagët mbi të kuqen e gjakut. Është një dritësi e bardhë që të duket
se vjen prej së largu, si prej kohërash të herëshme, si një dritë yllësish që
janë shuar dikur, diku dhe drita e tyre në ecjen e pasvdekjes, si shpirti,
ndalet mbi vargjet e poetit, thua se ai është destinacioni i mbramë apo
“parajsa” e tyre.
III- Në kërkim të
arsyes së kësaj bardhësie sheh se fjalët nëpër vargjet e Hamit Aliaj janë
“gurë” të ardhur nga epika, si meteorë nga yllësi të tjera të cilët, ndonëse
janë “gdhendur” e “latuar” në gjuhën standarte, ende kanë brenda tyre një dritësim
epik. Do ishte e natyrë-shme që mbi këto gurë-fjalë të kishte mbirë
myshku i vjetërsisë, por ja që ato ndrijnë si një vajzë nën një dritë hëne.
Ndoshta janë fjalë të arta qysh në origjinën e tyre a janë të lyera me ar në
kohët e mëpasme, andoshta koha ka kaluar mbi ‘to duke u fshirë myshkun e
harrimit, apo yjet dhe hëna e kanë
depërtuar dritën e tyre në ato fjalë dhe e ka bërë atë (dritën) pjesë
strukturore të tyre. Sepse në fakt dritësimi vjen prej brendësisë së tyre dhe
jo prej sipërfa-qes së jashtëme, prej ku mund të reflektohet çfardo lloj drite.
IV-Ajo që është më
interesante te poezia e Hamit Alisë është fakti se ngjyra e bardhë e vargjeve
të tij ka “aromë”. Jo aromë gëlqereje si gjithë shtëpitë e porsa-lyera, por një
përzierje aromash kohërash të ndryshme që gjithsesi të pëlqen. Aroma e ngjyrave
të poezisë së tij ka diçka nga e rrënda e epikës së djeshme dhe e lehta e së
sotmes, si një lloj përzierje aromash.
Kjo shpjegohet me faktin se “ndërtesa” e tij poetike është moderne, por “fryma”
brenda saj është epike ndërsa “era” që hyn nga dritaret është e kohës, por që
brenda poezisë kjo erë përzihet me epizmin, duke dhënë një
aromë që ka në vetvete epizmin e djeshëm
me lirikën e sotme Në këtë proces nuk ndikon fakti se poezia flet për një temë
të vjetër a të re, një dashuri a një dasëm të sotme a të djeshme, një dërgatë
shtetërore për një takim a marrëve-shje ndërkombëtare të sotme. Ato marin
epizmin dhe frymën e tij në të folurën e sotme lirike. Le ta shohim këtë
process te poezia “Dërgata”:
“Dërgatë e nisur
qyshse s’mbahet mend
Në
mesnatë mbërriti, nëpër qiej pa zota
Në
çanta kishin natën e fantazmave perandorake
Që
botën e dridh tash e sa mot.
Të
pret Mbretëresha e Madhe që e prite një shekull, më thanë,
Po
para se të shkosh,
Në
shenjë qytetërimi dhe për sigurinë e Mbretëreshës plakë
Duhet
t’i vrasësh të gjitha kafshët brenda teje…
Pyll
i madh, plot ushtima isha.
……………………………….
Kur
mbërrita tej deteve,
Mbretëresha
plakë kishte vdekur
Dhe
pylli brenda meje s’kish më asnjë kafshë
Përralla
s’do kish tash e mbrapa,
Me kë t’i dimëroj dimrat e gjatë” ?!
V- Kur lexon poezinë
e Hamit Aliaj të duket se je diku në një majë mali dhe prej andej e hedh
shikimin mbi njerëzit e ngjarjet, të cilët i sheh si nëpërmjet një tisi të
hollë mjegulle. Duhet të keshë sy të fortë e mendim të qartë që të dallosh
konturet fizike të njerëzve, ngjarjeve a kohërave për të cilët shkruan poeti,
duhet të zbërthesh metaforën e tij tipike që ta kuptosh e shijosh poezinë. Më
kujtohet një varg i poetit që e kam lexuar dikur: “Për makinë dasme patsh
një breshkë”. Sigurisht që qesha kur e lexova sepse parafytyrova një nuse
të hypur mbi breshkë në udhëtim dasme për te shtëpia e dhëndërit. Edhe fqinjë
t'a kishte dhëndërin, do i duhej një muaj të mbrinte, le më po t'a kishte te
fshati fqinjë. Pastaj parafytyrova nusen, një vajzë e ndrojtur dhe turpshme si
gjithë vajzat malsore, që gjithsesi pret me padurim të mbrijë te burri, të hyjë
në gjerdek e t'a përjetojë çastin magjik aq të ëndërruar e të panjohur. Dhe
mendo kohën e pambarimtë të udhëtimit mbi breshkën taksi: kjo kohë është në
ëvetvete një torturë e tmerrëshme. Kështu që ky "urim" në vetvete
është një “mallkim” epik që poeti ja bën vajzës që s’ju përgjegj dashurisë së
tij ose që nuk e kurorëzoi me martesë këtë dashuri të fshehtë të tyre. Muji
dikur klithi që do ja digjte kullat për
katërqind vjet hasmit të tij, por unë ju them se: nuk është gjë djegia e
kullave katërqind vjet rresht përpara torturimit të kësaj nuseje hipur mbi
breshkë.
Mjafton ky varg i
vetëm që ne të ndjejmë dhe të kuptojmë se poeti është një njohës i mirë i artit
gojor shqiptar, njohës jo vetëm i majave të eposit të kreshnikëve por edhe i
“greminave” të mallkimeve popullore.
VI- Nuk e di në se e
ka theksuar ndonjë autor qënien e muzikalitetit në vargjet e Hamit Aliaj, por
unë cilësoj se në vargjet e tij, jo vetëm që ka një muzikalitet, por ky
muzikalitet është tipik. Ne jemi mësuar ta shohim muzikalitetin në vargjet e
Naimit, Poradecit, Nolit, Lefter Çipës e shumë të tjerëve që shkruajnë me një
varg të regullt, por ne nuk ja kemi vënë veshin muzikalitetit të poezive të
Hamit Aliaj. Përkundër çdo paragjykimi poezitë e Hamit Aliaj kanë brenda tyre
një muzikalitet tipik, i tillë që nuk këndohet me këngë isopolifonike apo me
këngë qytetare. Muzikalitetin e saj poezia e Hamit Aliaj e ka sa hyjnore aq dhe
gjëmimtare, si të ardhur edhe ajo nga epika, me ngjyrën dhe aromën e saj, që
këndohet vetëm me këngë majëkrahi, me lahutë dhe në pak raste me çifteli.
Metaforat e tij tipike nuk melodizohen në vallen e shtruar psh. “pogonisho”,
ato notizohen në këngë të tipit majekrahi dhe kërcehen në valle me tupan si
vallja e çikave të Tropojës apo të Hasit. Këngët dhe vallet tona do fitojnë
shumë po të këndohen e kërcehen me melodinë që kanë brenda tyre vargjet e Hamit
Aliaj.
VII- “Hamit Aliaj është i ndërtuar prej poezie”
kam lexuar diku. Hamit Aliaj është më shumë se kaq, Hamit Aliaj është një
shkollë moderne e poezisë shqipe, ku ai s'ka nevojë të mbajë leksione. Mjafton
që të shkruajë poezi
dhe ne ti lexojmë.
Do bëhemi më të bukur
e më të ditur.
Sarandë, korrik 2022