Kulturë
Rexhep Shahu: Bashkim Trenova – ‘Shqiptarët sipas serbëve’
E enjte, 30.06.2022, 07:50 PM
LIBRI “SHQIPTARËT SIPAS
SERBËVE” I BASHKIM TRENOVËS
(Në
vend të falenderimit për Bashkim Trenovën që solli librin e rrallë “Shqiptarët
sipas serbëve”, Klubi i Poezisë, 2022)
NGA
REXHEP SHAHU
Libri
“Shqiptarët sipas serbëve” i gazetarit, shkrimtarit e diplomatit të njohur
Bashkim Trenova, që botova këto ditë vere me Shtëpinë time botuese Klubi i
Poezisë, është ndër ato libra të rrallë, të rëndë, të domosdoshëm e të dobishëm
për shqiptarët e ndricimin e mendjes së tyre që të mos shkojnë edhe më gjatë se
një shekull në krahë ëndrre, që ndërsa i han ujku, ata vazhdojnë t’i thonë
vetes se jemi në ëndërr. Është libër që i bën esell shqiptarët si rrallë libra
të tjerë që njoh e di deri sot për raportet e shqiptarëve me serbët. Libër që
nuk fton për urrjetje, por ftohtë na ul në sallën e historisë si spektatorë dhe
na mundëson të lexojmë e të shohim në skenë cfarë thonë figurat kryesore serbë
për shqiptarët për një shekull e më shumë.
Ky libër na mundëson të dimë si na vlerësojnë, na
cmojnë si e sa na duan ne shqiptarëve 125 nga figurat më kryesoret të botës
serbe, na mundëson të dimë opinionet e 125 politikanëve të lartë serbë, të
deputetëve dhe udhëheqësve të partive politike, të akademikëve, të historianëve,
të shkrimtarëve dhe të veprimtarëve shoqërorë, të antropologëve, analistëve,
gazetarëve, gjeologëve, gjeografëve serbë dhe vetëm serbë.
Libri Shqiptarët sipas serbëve i Bashkim Trenovës që
ka në faqe të parë këtë tekst: “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër
i madh tribushë që u dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së
sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të
parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për
sllavët...”. (Dushan Batakoviç, Milan St.Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër
Fotiç. Histori e Popullit Serb. L'Age d'Homme. Lausanne. 2005. Fq.3.), sot
është domosdo kur imponohemi të pajtohemi me serbët pas mëse një shekull
kolonizimi e urrjejtje, pas luftës së fundit shqiptaro serbe, pas dëbimit të
Serbisë prej Kosove e fitimit të Kosovës prej shqiptarëve falë Amerikës e
NATOs, kur ende sot e gjithë ditën kreu i shtetit serb ngatërron botën duke
artikuluar teza të zeza, si “të mos vriten më serbë në Kosovë…”, duke marrë
mjeshtrisht rolin e viktimës kur mbi një shekull ishin xhelatë serbët, e kur
politika në Tiranë e Prishtinë më e shumta hesht në këtë rast ndoshta me dashje…
Shpesh si vargje rapsodie këndojmë fraza urrejtje e
përbuzje të serbëve ndaj shqiptarëve e anasjalltas. Por gjithmonë bëjmë
thashetheme dhe jemi shumë larg të vertetave të thjeshta. Thashetheme e
propagandë bajate nëpër studio e ekrane televizive, nëpër gazeta por larg të
vertetave të hidhura, larg realiteteve konkrete.
Shumë mentarë shqiptarë shesin mend duke artikulue
fjalët e serbëve sikur të jenë fjalë të tyre, duke sharë shqiptarët me të
njejtat sharje që na shajnë serbët, vec mentarët, ideologët e gjithologët
shqiptarë nuk tregojnë se të kujt janë ato fjalë, shprehje e akuza, qortuesit
shqiptarë nuk tregojnë se janë thjeshtë zëdhënësa të serbëve të ndryshëm kur na
qortojnë. Bashkim Trenova do i lërë zbuluar qortuesit e shqiptarëve sepse ua
zbuloi gurrat e krojet e tyre ku pinë muzë.
Fyerjet e sharjet më të rënda kundër shqiptarëve lexohen
në librin e kryeministrit të Serbisë Vlladan Gjeorgjevic me titull “Shqiptarët
e fuqitë e mëdha”, ku thuhet edhe se shqiptarët janë me bisht, libër i botuar
nga ai në tre gjuhë, gjermanisht, frëngjisht e serbisht me bindë Europën për
bishtin e shqiptarëve... Këtë libër e ka përkthyer kryeministri shqiptar
Mustafa Kruja dhe është botuar në Zarë të Kroacisë me 1928. Në Shqipëri e kam
botuar unë në 2015. Sic kam botuar “Shpërngulja e shqiptarëve” të Vaso
Cubrilloviqit e disa libra të tjerë që janë dekalogje të urrejtjes serbe kundër
shqiptarëve.
Libri i Bashkim Trenovës me titull “Shqiptarët sipas
serbëve”, është përmbledhja më e bukur, serioze, profesionale e gjithë cfarë
kanë thënë 125 përsonalitete të elitës serbe për shqiptarët, është një libër që
i bën nder gjuhës shqipe, u bën nder akademikëve shqiptarë se ua shpëton nderin
e dinjitetin, i bën nder politikës shqiptare inferiore e vasale dhe ia hap
sytë, i bën nder medias shqipe se e kthjellon, u bën mirë gjithologëve
shqiptarë se i fut në ujë të ftohtë dhe i nxjerr lakuriq tellallët e Serbisë që flasin jo serbisht nëpër ekrane e
gazeta në Shqipëri e Kosovë e kudo ku ka shqiptarë.
Libri voluminoz me 500 faqe “Shqiptarët sipas serbëve”
paraqet dy rrymat që kanë ekzistuar në Serbi në raport me shqiptarët. Ka
patriotë të mëdhej serbë, që janë serbë të mirë dhe miq të shqiptarëve, sic ka
edhe serbë për të cilët shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur.
Bashkim Trenova mbase ka një jetë që ka punuar për
këtë libër pasi libri është shumë serioz dhe tregon se është derdhe djersë e
përkushtim shkencëtari, janë lexuar, cituar e sjellë 125 figura nga më të
rëndësishmet e botës serbe, nga disa gjuhë e vepra, janë shfletuar e konsultuar
mbi 100 organe shtypi dhe jo nga një akademi apo grup autorësh por nga një njeri
i vetëm si Bashkim Trenova.
Analizat, interpretimet dhe komentet që përfshihen në
këtë libër janë vendosur në një hapsirë kohe të kufizuar: vitet e Krizës
Lindore dhe të Luftrave Ballkanike. Janë zgjedhur qëllimisht këto periudha
sepse ato, me pasojat e tyre, qëndrojnë në themelet e marrëdhënieve
serbo-shqiptare, apo shqiptaro-serbe për të gjitha vitet në vazhdim, deri në
ditët tona, shkruan autori në përcjelljen e këtij libri
Mustafa Kruja shkruante në 1928 se duhet një
bibliotekë me libra me iu kundërvu Vlladan Gjeorgjeviqit dhe se ai ishte i
vetëm në atë ndërmarrje sfiduese kundër kryeministrit serb të asaj kohe. Me iu
kundërvu kryeministrit serb dhe me pohue rrenat e shpifjet e tij dhe
konstatimet e tij të verteta, por duhet në gjuhë të Europës në të cilën ai ka
shkrue librin e tij të akuzës kundër rracës shqiptare.
Edhe Bashkim Trenova është i vetem në këtë ndërmarrje
të madhe e fisnike me i gjetë, selektue, lexue, citue 125 nga kryesorët e
elitës serbe dhe me iu përgjigjë atyre e me ua rrëzue tezat.
Nuk ka kundërvënie të tilla të forta kundër serbëve
nga elita shqiptare, me pak përjashtime, pasi shekulli i pushtimit serb, futja
e hundëve serbe në gjithë jetën shqiptare edhe që nga themelimi prej tyre i
Partisë komuniste të Shqipërisë, serbët kanë qenë të shtëpisë në shtëpinë
politike shqiptare sa herë kanë dashtë.
„Në qoftë pra se nji popull ka interes të
dijë se ç'mêndojnë për tê të huejt, sidomos ata të huej me të cilët pozita
gjeografike e shtrëngon me qênë në përpjekje t'afërt e në marrëdhânie të
përditshme, libri i Dr. Vladan Gjorgjeviqit, ... sigurisht vjen në radhën mâ të
parë për me u këndue prej né shqiptarëvet.“, - shkruan dijetari e politikani i
madh Mustafa Kruja në parathënien A ka shqiptarë me bisht, të librit
„Shqiptarët e fuqitë e mëdha”.
Libri i Bashkim Trenovës „Shqiptartët
sipas serbëve” që na paraqet se cfarë mendojnë 125 serbë elitë për shqiptarët
natyrisht që është me shumë e shumë interes për shqiptarët që ta dinë si i
shohin serbët.
Thënë me fjalët e Mustafa Krujës, po ta lexojnë librin e Bashkim
Trenovës Shqiptarët sipas serbëve, ata, shqiptarët „Mâ së pari do të kenë para
sýsh nji pasqyrë të kthjellët, dokumentin mâ autentik t'opinionit politik sërb
mbi ta.“
Libri i Bashkim Trenovës është shumë khjellues, qartësues.
Fishta shkrun diku e i thotë autoritetit shtetëror se një libër i
keq është më i dëmshëm se një revolucion. I nxitur nga Fishta unë do t‘i thoja
kryeministrit tonë se libri i Bashkim Trenovës duhet lexuar me detyrim nga cdo
zyrtar shqiptar, nga cdo punonjës zyrash në ambasada e konsullata, edhe nga
shoferët e tyre sepse ky libër nuk të frymëzon me urrjetje por të bën të
qëndrosh vertikal e të mos lejosh të poshtrosh veten e vendin tënd, të mëson se
si serbët bëhën bashkë në cdo rrethanë kundër shqiptarëve a kundërshtarëve sic
nuk behen kurre bashke shqiptyaret...
Ajo që thonë 125 elitarët serbë për shqiptarët na mundëson të
njohim më mirë veten e pastaj edhe ta duam pak me shumë veten e atdheun, pasi
në asnjë rrethanë nuk na bëhet askush atdhe dhe nuk na e don askush atdheun për
ne.
Mustafa Kruja vinte në dukje që në 1928 se nuk kishte ndonjë vlerë
të madhe të kundërshtoje serbët në gjuhën shqipe, të kundërshtoje librin e
Vlladanit në gjuhë shqipe,kur ai e kishte shkrue e botue së pari gjermanisht e
frengjissht e pastaj serbisht, por vlerë do të kishte të kundërshtoje librin e
tezat e Vlladanit në gjuhë të huaja me të cilën flet politika, kultura e
diplomacia e botës.
Por politika shqiptare asnjëherë nuk ka dashur as ka mundur e
mbase as ka lejuar që të konfrontohen serbët me libra në gjuhë të huaja. Se po
të kishte dashtë politika shqiptare në Shqipëri e Kosovë dhe po të kishin
dashtë baballarët e kombit në Tiranë e Prishtinë, bota do të kishte mësuar më
shumë në anglisht për shqiptarët e shpifjet serbe.
Por para botës na duhet të bëhemi ne vetë esëll së pari, të shohim
veten e raportet me fqinjin që nuk e kemi zgjedhë ne por fati. Libri i Bashkim
Trenovës në mëson më shumë se cdo gjë, më kthjelltë e qartë se cdo gjë.