E premte, 19.04.2024, 03:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Roman për babain i shkrimtarit Hekuran Halili

E marte, 05.07.2022, 06:43 PM


Përsiatje

ROMANI PËR  BABAIN I SHKRIMTARIT HEKURAN HALILI

Me rastin e promovimit

Nga Resmi Osmani

Po bëhen vite që jam takuar me Babain e Hekuran Halilit, që fragmente të veçanta i ka publikuar në mediume dhe portale elektronike. Më ka pëlqyer dhe e kam nxitur që ta përfundonte dhe publikonte. Por Hekurani nuk është ngutur. Ka punuar për të njëzet vjet, si ai argjendari i mirë që gdhend dhe i jep formë e shkëlqim diamantit. Janë njëzet vite, bashkbisedim me Babanë, që nuk është më në jetë, por që edhe me të vdekurit, sido që duket mistike, mund të bisedohet dhe se  bisedat me të vdekurit e familjes nuk kanë fund. Hekurani ka biseduar, e ka pyetur, i ka kërkuar mendim mençurisë dhe dashurisë së tij.

Dhe më në fund, kemi në duar romanin e përfunduar për babanë, të shkruar me shpirt, me dashuri, me vërtetësi, me përkushtim dhe emocione. Romane memorial si ky, kushtuar babait, nuk di të kemi në letërsinë tonë, si i tillë ai është i veçantë, siç thonë latinët”Sui generis”

Në roman, faqe pas faqeje, kapitull pas kapitulli, formësohet dhe jetësohet figura e Babait. Ai, nuk është hero, nuk është njeri me bëma të jashtzakonshme, është njeri puntor, blegtor, njeri i thjeshtë, i zakonshëm, i rrahur nga jeta, në zgrip të saj, në luftë për ekzistencë, të vetën dhe mirqënien e familjes, të fëmijëve, që aq shumë i do dhe aq shumë e duan.

Por te ky njeri i thjeshtë në dukje, trupëzohen dhe kanë lënë gjurmë të pashlyera ngjarje që nga fëmijërija, rinia, lufta, vuajtjet, masakrat çnjerëzore të grekëve ndaj vëllezërve, njerëzve të familjes, çveshja nga prona e pasuria, shpërngulja e dhunshme nga Çamëria dhe vitet e jetës me luftën për ekzistencë. Parë në këndvështrimin social, babai, Safeti, është në kuptimin e plotë të fjalës proletar, i çveshur nga çdo pronë, ai s’ka asgjë, pasuria e tij janë krahët dhe familja. S’ka pasur asnjëherë një banesë të mjaftueshme, aq sa është detyruar të banojë në një fole ngritur në kurorën e një argileje.

Por çfarë kontrasti midis varfërisë së tij materiale dhe pasurisë shpirtërore. Gjithë këto,privacione kanë formuar karakterin e tij të fortë, gjykimin e shëndoshë, të drejtë e të ndershëm dhe shumë dhimbje e dashuri për familjen dhe fëmijët. Ai ka ditur që nga përvoja jetësore, të formësojë moralin e tij, nocionet e shëndosha për të drejtën dhe padrejtësinë, të mirën dhe të keqen. Jeta për të ka qënë shkollë, universiteti i jetës që është i pazëvendësueshëm me asgjë tjetër dhe ai ka ditur të nxërë mësimet e veta, që se kanë lënë të gabojë asnjëherë.

Madhështia e Babait të hekuranit, Safet Halilit, qëndron në thjeshtësinë,aftësinë për të përballuar vështirësitë, urtësinë, fjalën e mençur, ndershmërinë e tij, dashurinë dhe devocionin   për fëmijët e vet, shokët dhe miqtë, për punën e ndershme dhe fitimin me djersën e ballit, dhe atë humanizëm që e ka të mëkuar nga tradita e familjes. Të tillë i do ai që të bëhen dhe të jenë edhe fëmijët e tij, ashtu si çdo prind që fëmijët i do të bëhen edhe më të mirë se veten. Mbi këto themele të shëndosha, janë ngritur edhe mardhëniet baba-bir, ku biri, me dashurinë dhe nderimin e pafund, që fëmijë e deri sa burrërohet e bëhet edhe vetë baba, përvetëson dhe vlerëson, nga babai, urtësinë e jetës në gjithë shfaqiet e saj, nga të thjeshtat e deri te ato madhore.

Megjithëse babai është figura qëndrore, në roman është një galeri e tërë peronazhesh, me të cilat ai është në mardhënie dhe janë pjesë e jetës së tij. Nuja(Nazuja) e dashur, e dhimbsur gjer në përgjërim, bujare, shoqe dhe bashkëshorte e denjë e Safetit që ndan me të barrën e jetës që nuk është e lehtë. Pjestarët e tjerë të familjes, vëlleërit e masakruar, motrat dhe vëllezërit, shokët dhe miqtë. Të gjithë portretizohen me dashuri dhe mall, me një brerore plot dritë, dhe mbeten në kujtesën e lexuesit me veçoritë e tyre humane e solidare në mardhëniet e ndërsjellta.

Në roman, lexuesi do të gjejë nëpër përjetime dhe prapakthimeve në kohë të personazheve, Çamërinë, e bukur si një mrekulli, Çamërinë e begatë, të kallur në flakë, të masakruar e përgjakur, si

peng dhe amanet, brengë dhe ëndërr, viktimizimin politik nga regjimi i kohës i personaliteteve bij të Çamërisë  dhe implikimi si fajtorë pa faj i dhjetra e dhjetrave me akuza të rreme e  të stisura.

Janë mbresëlënëse tabllotë, peisazhet, bukuria si mrekulli, e mjediseve  natyrore dhe vendeve, përshkruar me ngjyresa poetike, në të cilat jetojnë dhe veprojnë personazhet: Lopsi, Konispoli, Vrina Xarra,Butrinti e në veçanti Shëndëllija, në përshkrimin e së cilës, autori ka derdhur mjeshtërisht poezinë dhe lirizmin që të ngjall imazhe dhe impresione të mahnitshme.

Romani ëhtë shkruar me shumë art,  gjuhë të zgjedhur, me fjalën e bukur dhe tingëlluese. Gjithë bukuria i takon thjeshtësisë  sesi është shkruar dhe të shkruarit dhe të rrëfyerit thjesht por bukur, është zotrimi mjeshtëror i artit të të shkruarit, që lexohet me ëndje dhe bën ta ndjesh veten bashkudhëtar dhe  të jetosh emocionalisht me personazhet. Autori e ka arritur këtë synim që është vlera stilistike e zotrimit të mjeshtërisë së shkrimit letrar.Gjuha e shkruar është shqipja standard, e normës letrare, por autori ka përfshirë në të fjalë dhe frazeologji të fjalësit të çamërisë që i japin tingëllimin e trevës nga vijnë personazhet. Është kjo një arritje e pasurimit të gjuhës letrare.

Ky roman që i kushtohet Babait, nuk është thjesht për një baba, ai është edhe babai ynë, roman për gjithë baballarët, që kanë ikur dhe që do vijnë, model i vërtetë i prindit, kryefamiljarit, dhe lidhjes e dashurisë së atit me fëmijët dhe fëmijëve me atin.

Janë dhënë me dhimbje çastet e ikjes nga jeta të Babait. E tillë është jeta, ajo e ka një fund.Babai ikën nga jeta i rrethuar me kujdes, dashuri, dhimbje dhe përgjërim I përcjellë në banesën e fundit me respektin dhe keqardhjen e gjithë atyre që e kishin njohur dhe punuar me ‘të. Dhimbjet e ikjeve mbeten brënda nesh me kujtimet dhe pengjet dhe dhembin gjithë jetën.

Leximi i romanit nga brezi ynë, i shqiptarëve të çamërisë, bën që të përjetojmë ideoemocionalisht, ngjarje të së shkuarës sonë, të familjeve tona, të etërve tanë, kurse  lexuesit e brezit të ri do të gjejnë aty, atë çka kanë dëgjuar,thjeshtësinë, ndershmërinë, punëdashjen dhe madhështinë e burrave të çamërisë dhe modelin e marrdhënieve prind- fëmijë, si pasuri dhe pjesë e traditës familjare të krahinës nga i kanë rrënjët.

Hekuran, të falnderoj për romanin e bukur që na ke dhuruar.Ke ngrituar një monument për Babanë, është një arritje jo vetëm jotja por edhe për letërsinë tonë bashkëkohore, që sjell risi tematike dhe artistike, që lexohet shpejt sepse ka rrëfenjë të kthiellët, e që në të s’mund të gjesh diçka që s’të pëlqen.

Romani kryesisht, duhet të lexohet dhe duhet të jetë në bibliotekën e të rinjve. Ata  përveç kënaqësisë artistike, kanë se ç’ të përfitojnë dhe mësojnë prej tij.

Edhe një herë urime.

Tiranë, 22.6.2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora