Kulturë
Rexhep Shahu: Vizatime dashurie në lëkurën e fatit
E hene, 04.07.2022, 07:49 PM
VIZATIME DASHURIE NË LËKURËN E FATIT
(Mbresa nga libri me
tregime “?tman” i Laura Olldashit, Klubi i Poezise, 2022)
NGA
REXHEP SHAHU
Kohë
më parë i kam kërkuar Laura Olldashit tregime për botim në “illz”, revistë
letrare e Tiranës, i bindur se bëj mirë t’ia ofroj lexuesit të gjithkohëshëm të
revistës tregimet e saj fantastike. Po, kështu i kam quajtur tregimet e saj, pa
menduar tregimet e patriarkut Anton Pashku.
Autorja
si rrallë kush e zhbirilon planetin Njeri, ia nxjerr Unit ujin e zi, e ndriçon
shpirtin e njeriut si ajo dhe flet me gjuhë Zotash me të, për dashurinë,
shpresën, ëndrrën, vdekjen.
E
mendoj nder që jam botues dhe redaktor i librit të saj me titull ?tman, i
bindur sot e nesër se ajo është zë i përveçëm në korin e vogël të shkrimtareve
shqiptare.
Kur
lexova tregimet e Laurës, tregime të botës së asgjësë, të botës pa letra
dashurie, tregime që kanë shumë poezi brenda tyre, që kanë përsonazhe të
çuditshme të zënë me jetë, në luftë me kotësinë, shtruar cepave të lagta e të
mykta në kartona të jetës e të mbuluar me diell… që për një minutë dashurohen e
u duhet një jetë ta kuptojnë ç’është dashuria, që jeta e akti më sublim i tyre
është pritja, përsonazhe që janë se ndjejnë dhe ndjejnë se janë, që u ka mbetë
vetja diku dikur dhe mundohen gjithë jetën ta marrin përdore veten e ta bëjnë
mondane e moderne njëlloj si pjesa sipërfaqësore e jetës… si pjesa shtirane e
atyre që kujtojnë se atdheu ekziston se “më ka mua, na ka ne” konkubinave
padrone të bordellave; kur lexova pyetjen tronditëse që vazhdon të ma sjellë
mendjen vërdallë, ku shkojnë dashuritë e pajetuara… kush i lexon letrat që nuk
mbërrijnë kurrë… tek të dashurit që nuk shihen kurrë…, ku shkojnë fjalët e
pathëna, puthjet e padhëna…; duke parë kaosin që përjetoi njeriu pa dashuri në
epokën e pandemisë Covid 19 që e vu si kurrë më parë njeriun përballë vetes me
gjithë vesin e virtytin e braktisur kur fluturon mbi kokat tona fjala akull
“unë nuk vdes për ty”, kur dashuria, e vetmja që shëron botën dhe e ripohoi se
shëron mbi gjithçka, ishte në zgrip të ekzistencës dhe fija e barit si unaza më
e magjishme e dashurisë i mbijetoi kujtesës por e këputën xhelatët,… duke
medituar e bluar fjalë, më erdhen në mendje vargjet qe sjell Anton Pashku: Syni
s’e sheh synin matanë hundës / Zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës...
Vërtetë
syri se sheh kurrë syrin tjetër tek njeriu, kurrë sytë nuk shihen as takohen.
Kështu janë dhe njeriu e vetja e tij tek libri mahnitës me tregime i Laura
Olldashit.
E
ka të pamundur njeriu të shohë veten e tij dhe vetja e tij e ka të pamundur ta
shohë njeriun. Aq afër e afër si sytë është dhe njeriu e vetja e tij, në një
janë, në një kokë, në një trup e mbështjellë me një lëkurë ku vizatohet fati si
në pergamenë e nuk shihen... Këtë mospamje të vetes me veten, të syrit me
syrin, të buzës me buzën, puthjes me buzën, të ëndrrës me trupin, të njeriut me
kohën e ka shtjelluar mjeshterisht Laura Olldashi në librin e saj me titullin
?tman.
Kur
lexon tregimet e librit ?tman, ashtu befas, në mënyrë të pakuptuar, përfshihesh
në rrëfimin, ndjehesh në vorbull, harron veten, e ndjek rrefyesen që s’e sheh
askund, i ndjek përsonazhet, bëhesh pa kuptuar taksist i përsonazheve, përfshihesh
me gjithë fuqinë e përqëndrimin në hallet e punët e tyre, në vogëlsitë e tyre
të mëdha sa jeta, harron veten tënde, bëhesh ai personazhi për të cilin flitet,
mik i tij ose armik, përkrahës ose qortues i tij. Çfarë fuqie që ka prozatorja
të të përfshijë në vorbullat e shtjellat e saj ashtu pakuptuar, butë, siç vjen
dehja e ëmbël dhe harrohesh në veten tënde udhëve për askund.
Laura
Olldashi ndoshta është ndër tregimtaret më të abdetuara me kohën, ritmin,
melodinë e kohës tonë, dhimbjet, veset e virtytet e reja e të moçme sa njeriu.
Është
me shumë ritëm e shpejtësi, sa qindra vete të saj e mijëra të tjerë të ngjashëm
a jo, mbeten në plate, u ikën treni, u ikin gjithë trenat e kohës.
Natyrisht
avantazhi apo privilegji i saj është të qenit grua e ditur me arsim solid e
vullnet. Njerzit e ditur thjeshtë janë të ditur dhe gjëja më e vogël që mund të
na bëjnë kur dinë të shkruajnë është të na mahnisin me pushtetin e dijes.
Duke
qenë shkrimtare e ditur, që njeh fate, përvoja jetësore, terminologji e fjalor nga
shumë fusha, ajo na magjeps me lirinë e saj, guximin, thjeshtësinë e thellësinë
e shkrimit, me një fjalor të pasur, me njohuri nga shumë fusha të jetës.
Libri
?tman është fillimi i një eksplorimi të guximshëm e të jashtëzakonshëm të
ëndrrës njeri. Mendohet e thuhet se shkrimtarët i sillen rrotull njeriut, por
për të shumtët është e vështirë të hyhet brenda njeriut, në thelb të tij, në
zemër të zemrës së tij. Laura Olldashi nga germa e parë tek e fundit është
brenda njeriut, nuk ka gjeografi tjetër, nuk i intereson gjeografia tjetër veç
shpirtit njerzor, dyzimi i njeriut, shumplanshmëria, shumdimensionaliteti e
polifonia e zërave, ëndrrave e dëshirave të njeriut që në fakt e udhëheqin në
jetë.
Është
shumë e vështirë mendoj të mbash kamerën ndezur në shpirtin e njeriut siç e
mban gjithë kohën Laura.
A
është prozë a poezi kjo që shkruan me ritëm, ndershëm e kaq guximshëm Laura. Po
është gjithçka që të duhet, është gjithcka që e mendon lexuesi i kualifikuar i
cili, nuk ka si bën ndryshe në trenin e sigurisë e të shpejtësisë së lartë të
rrëfimit të Laurës, veçse të kapet dorë për dore me përsonazhet që vallëzojnë
nën dritëhijet e skenës që ndërton Laura në teatrin e kohës.
Duke
lexuar tregimet e saj bëhesh ajo, bëhesh dikush tjetër, mbetesh pa vete, pa
veten tënde, fillon e harron veten, pastaj kërkon veten dhe nuk e gjen, sa nis
të vajtosh për veten të shfaqen dhjetra vete të tjera, fillon e kuvendon me to,
vallëzon me to, miqësohesh e armiqësohesh me to. Nuk e di por këtë magji e
përdor Laura Olldashi, të bën ta shohesh veten në 3D.
Çdo
kohë ka njerzit e vet, herojtë e vet, përsonazhet e vet, shkrimtarët e vet,
historitë e veta. Nëse nuk e jetojmë kohën tonë, do mbetemi duke iu referuar të
shkuarës. Por koha jonë, si gjithmonë gjithë kohët e njerzimit, i ka të gjitha
dhe nuk kemi pse shohim në të shkuarën. Koha jonë ka tragjeditë e komeditë, ka
prozën e poezitë, ka spektatorin e aktorin, veçse duket, po bëj siç ka ndodhë
në çdo kohë, se koha jonë ka më shumë delirantë e diletantë që duan të marrin
çmimin Nobël në letërsi.
A
ekziston një vend ku mblidhen fjalët e pathëna, këngët e pakompozuara, qershitë
e papjekura? Ekziston një vend i tillë?, pyet autorja diku në libër.
Po,
ekziston në planetin Ti, në planetin Njeri që ka krijuar kjo autore, në
planetin e pafundmë Unë, planet në të cilin aq bukur dhe sigurtë ka nisë
eksplorimin Laura Olldashi që madhërishëm i thur himn “momës” të cilën babai i
dënuar përjetësisht e mbajti më gjatë në gji duke ia lënë amanet ne 7 vajzat
nënës që “zvogëlohej me centimetra, i zbardheshin me shtëllunga flokët me
shpejtësinë e dritës dhe me shpejtësinë e natës i binin dhëmbët, momës që e
merr kokën e saj 38 vjeçare dhe e fut në një shami për ta plakur më shumë
rininë.”… Himn madhështor nënës, motrës, bijës, vajzës. Aq të bukur, fisnike,
të brishtë e krenare e ndërton gruan, të dashurën, vajzën, miken shkrimtarja sa
është e pamundur të mos e adhurosh.
E
sheh nëpër faqet e librit të saj me zemër në dorë duke u shfaqë para
përsonazheve, në vende të ndryshme, në situata të ndryshme kudo me zemër në
dorë, e brishtë, e thjeshtë, e thellë, e besueshme nga vetja te vetja,
çarmatosëse prej dlirësisë dhe ndriçimit të çdo skute shpirti.
Nuk
ka sekrete tjera ky shkrim, ky libër, kjo autore, thjeshtë ka fuqinë e guximin
të shkruajë ndershëm, të mos shtiret në dashuri, të mos spërdredhë fraza koti,
të mos mbajë në dorë lule kauçuku për t’ia dhuruar për të freskëta dashurisë,
të jetë vetja, të bëjë dritë, të mos krijojë përbindësha e shtirana në letërsi.
Aq
larg me qiej e oqeane akulli në mes e aq afër sa buzët e puthjes jemi me njëri
– tjetrin e nuk kanë fuqi qepallat tona të ngrihen e të shohim njëri – tjetrin,
nuk kanë fuqi duart tona të afrohen e gishtat tonë të preken, nuk kanë fuqi
krahët tonë të mbështjellin njëri - tjetrin në përqafime. A thua si e braktisëm
kështu dashurinë, si u bëmë manekinë kështu…
“…ku
shkojnë dashuritë e pajetuara? Fjalët e pathëna, puthjet e padhëna, duart e
pashtrënguara? Zënkat e pa grindura? Bola e ajrit që mund të thithnim në të
njëjtën kohë, ku shkon? Vendi që do zinin trupat tona të bashkuara në ç'pikë të
kontinentit do të ndodhen? Gjërat që për miliona arsye nuk u krijuan, ku
depozitohen?”
Lexon
këto fjalë mes thonjëzave shkëputur nga libri dhe e sheh veten ulur në bordur
udhe me bërrylat në gjunjë e kokën mes duarve e pyet, ku shkojnë dashuritë e
pajetuara, fjalët e pathëna, puthjet e padhëna… duart e pa shtërnguara… Secili
nga ne pyet kështu, në mos me zë, me piskamë heshtje pyet veten e tij…
Të
tilla operime e skena krijon Laura Olldashi në librin e saj.
Historinë
e njeriut e për pasojë të njerzimit duket se askush asnjëherë nuk e ka shkruar
e as e shkruan më mirë se sa shkrimtari. Historinë e njeriut të kohës tonë,
paragrafin e saj, e ka shkruar me gjithë dritëhijet, pa mëshirë dhe asnjë
kompromis pandershmërie Laura Olldashi me këtë libër të saj. Vështirë që njeriu
të mos e shohë veten në këtë libër befasues e ndriçues me tregime.
Duket
sikur po flas me fjalë të mëdha. Në fakt nuk gjej fjalë të tjera që ta bind
lexuesin se sa shumë do të ndriçohet po ta lexojë këtë libër, sa shumë do të
lehtësohet, sa shumë udhë do t’i çelen, sa bukur do të ndjehet me veten sy për
sy.
Me
këtë autore më duket se ngjan si me rrebeshin e shiut të verës që shkakton
përmbytje të mëdha. Nis thjeshtë tregimi i saj si shi vere dhe mendon se do të
freskohesh por befas bëhet rrebesh dhe merr përpara çfarë gjen, merr përpara me
furi sende e gjëra, njerëz e fate, rregulla e dogma dhe çel udhën e vet nëpër
të cilën nisim të ecim ne drejt vetes tonë.