Kulturë
Ndue Dedaj: Skicë për një foto
E diele, 17.07.2022, 04:23 PM
SKICË PËR NJË FOTO
Nga
Ndue Dedaj
Ishte
fillimi i vjeshtës 2008. Rruga e Kombit ishte lajmi i përditshmërisë. Në Reps
do të vinin Presidenti i Shqipërisë Topi dhe Presidenti i Kosovës Sejdiu për ta
vizituar rrugën. Asokohe i ndiqja veprimtaritë në këtë vepër, si shumë të
tjerë, me dëshirën për të shkruar një libër për atë që e kisha quajtur “Egnatia
e Veriut”. Por ajo eci aq shpejt sa munda të botoja vetëm reportazhe nëpër
gëzeta, kurse libri mbeti në dorëshkrim, që e ruaj dhe sot ashtu si diçka të
pakryer...
Këta
fëmijë të shkollës së mesme të bashkuar të Repsit kishin dalë për të pritur dy
udhëheqësit bashkë me nxënësit e tjerë, që fotoja i ka kapur paksa nga këmbët.
I shoqëronte drejtori i shkollës, Pjetri, që nuk e harronte asnjëherë aparatin
fotografik. Se si më shkrepi në kokë, çfarë zakonisht nuk është në natyrën time
dhe i them atij ta shkrepte dhe doli kjo foto. As nuk i njihja e as nuk më
njihnin ato vajza, që mbanin buqeta lulesh në duar për të sajdisur zotërinjtë e
lartë, që ende nuk kishin mbërritur.
Vetëm
një muaj më pas lashë gjimnazin e Rrëshenit dhe shkova me punë në shkollën Reps
& Fan, ku qendrova atë vit shkollor, për t’u rikthyer në Rrëshen bashkë me
Autostradën e përfunduar. Kishte shumë njerëz atë ditë që festonin, por
fotografia jonë nuk fiksoi as trasenë e rrugës, as kantierin e punëtorëve, as
ceremoninë me dy Presidentët. Ishte tek e fundit një foto çasti që e kishte
“prodhuar” kostumi dekorativ i gruas mirditore, që ato dhjetë vajza e kishin
veshur atë ditë për t’i dhënë ngjyrat e trevës Rrugës së Kombit, që e përshkon
Mirditën në rreth 70 kilometra.
Janë
të shumta mbresat nga ato ditë vrullshme ndërtimtare, por s’rri dot pa shënuar
përjetimin e “frikshëm” të kalimit me fuoristradë nëpër një rrugë traktori në
Karmat e Pëshqeshit, kur po ngriheshin urat me themele në shtratin e Fanit të
Vogël dhe traseja ngjante si në ajër. Duket e pabesueshme, por ishin rrugëza
(variante) që sot hapeshin shpateve të pjerrëta e nesër prisheshin për t’ua
lënë vendin të tjerave. Ata që nuk e kanë njohur atë vend para se të ndërtohej
rruga, mjafton të dinë se ç’janë karmat – rrëpira të thyera e të zhveshura ku
vështirë se mund të kalojnë dhitë egra...
Shënimet
e tjera i ka “dorëshkrimi” i Rrugës, pasi një vepre si ajo i kanë hije dhe
surpriza të tilla.