Kulturë
Bekri Murselaj: Një roman dokumentar
E diele, 17.07.2022, 05:02 PM
NJË ROMAN DOKUMENTAR
Nga
Msc. BEKRI MURSELAJ
Roman
dokumentar “Ditari i kohës nën pushtim” i autorit Murat Gashi, hy në letërsinë
shqipe si një tekst narrativ që e dokumenton kohën nën pushtimin jugosllav.
Romani në fjalë e njofton lexuesin, me të kaluarën jo aq të largët të popullit
tonë për liri. Mënyra e rrëfimit gjatë gjithë kohës në roman dëshom për ngjarje
dhe të kaluar jo të lehtë të shoqërisë sonë. Këtu dokumentohen përpjekjet e
vazhdueshme të popullit për lirinë. Gjuha narrative, mënyra e të rrëfyerit si
dhe grupet e personazheve pozitive dhe negative përbëjnë një roman të veçantë
letërsinë tonë, duke pasur parasysh tematikën që trajton ky roman.
Në
këtë roman mbizotron diskursi historik, që është i mbushur me data dhe të dhëna
të ndryshme rreth të kaluarës sonë. Demonstratat si formë e shfaqjes së
pakënaqësisë së popullit drejt pushtuesit jugosllav përbëjnë thelbin e këtij
romani. Romani fillon me përshkrimin e aktivitetit ilegal dhe politik të
kryepersonazhit Luringut, për të vazhduar mëtutje me organizimin e shoqërisë në
tërësi. Në roman përshkruhen demonstratat më të fuqishme të kohë kryesisht të
viteve ’81, ‘83, ’89 për të vazhduar me ngjarje që e kanë karakterizuar kohën
si helmimet e nxënësve në shkolla si dhe rioganizimin e mësimit në
shtëpi-shkolla.
Romani
dokumentar “Ditari i kohës nën pushtim” i autorit Gashi, pra, bëhet dëshmi
historiko-letrare ngase përmes këtij romani autori dëshmon për një kohë të
vështirë por dhe një aktivitet të fuqishëm popullor. Në këtë roman dëshmojnë
personazhe real dhe të rëndësishëm në jetën shoqërore, ndërsa personazhet
negative poashtu janë real që poashtu edhe ata kanë një aktivitet negativ në
shoqëri. Jeta shoqërore dhe politike e popullit tonë merr një karakter historik
në roman, ngase aktiviteti i shoqërisë do të bëhet një lëvizje gjithëpopullore
për liri. Dëshmia dhe tema historike në roman ka të bëjë me përndjekjen,
arrestimin, burgosjen dhe vrasjen e shqiptarëve nëpër kohë.
Kur flasim për temën historike në roman atëherë, duhet të themi se ky roman përshkruan gjithë aktivitetin e popullit tonë prej viteve ‘80-ta deri në lirinë e plotë të Kosovës. Demonstratat, aktivitetet politike dhe kulturore janë disa prej përpjekjeve të vazhdueshme për liri.