Kulturë
Mehmet Kraja: Për Ali Podrijen dhe Martin Camajn
E enjte, 21.07.2022, 07:00 PM
Mehmet Kraja:
PER
ALI PODRIMJEN, NE KETE PERVJETOR TRISHTIMI
…Me
Ali Podrimjen pimë kafe në oborrin e Radios, nën ca bredha të mëdhenj, me hije
halore, që të cimbisnin nëpër trup. Një kohë nuk folëm, pastaj thamë diçka pa
rëndësi, pastaj sërish nuk folëm. Ali Podrimja u ngrit dy herë, i shkoi dikujt
te tavolina, foli me të dhe u kthye duke turfulluar. Pastaj u ul përballë meje,
shikoi qiellin dhe, i pakënaqur me pamjen e tij, iu kthye dritareve të epërme
të godinës së Radios. Një grua hollake u ngrit nga tavolina pranë, u kthye nga
ne dhe na buzëqeshi. Për mua ishte buzëqeshja e vetme e shumë ditëve të
shkuara. Ali Podrimjes nuk i bëri përshtypje. Dukej i përqendruar në inatin e
vet, të cilin sikur e kishte pikasur diku matanë dhe ia kishte ngulur sytë me
një urrejtje të ligështuar. Bablok, mbramë e kam pa andërr Azem Shkrelin, kish
lanë mjekër, për kokë t’Lumit, nuk e njohta, m’tha se i kish botue edhe dy
përmbledhje me poezi atje, n’botën tjetër, m’u duk mirë, ma i lumtur se kur ka
qenë këtu. Ali Podrimja qeshi, por pastaj u duk sikur u pendua për diçka dhe
një pjesë të buzëqeshjes e la pezull. Në aneksin e Radios, andej ku kishte qenë
dikur salla e koncerteve, u hap një derë xhami dhe për pak çaste u dëgjua një
muzikë e prajshme. Pas pak dera u mbyll, tingujt u shpërbënë dhe ca hije
drithëruese e të trazuara u dynden mbi gjelbërimin e nëpërdukshëm, duke kërkuar
një peizazh ëndrre ku të preheshin.
(Nga romani “Prishtina”)
PER MARTIN CAMAJN, PER
ATA QE ENDE NUK E KANE LEXUAR…
Ne
veren e vitit 1990 e kam takuar Martin Camajn ne Prishtine, si pjesemarres ne
Seminarin e Gjuhes, Letersise dhe Kultures Shqiptare. Kosoven e kishte
shqetesim te madh, ndoshta edhe per arsye se ne Prishtine ishte realizua se
pari si poet (“Nji fyell nder male”, 1953; “Kanga e vrrinit”, 1954). Ne
shenimet bibliografike per Camajn ne Tirane eshte shkruar edhe kjo genjeshter:
“Dy vëllimet e para poetike e kanë parë dritën e botimit qysh në Beograd”.
Nderkohe, ne Tirane u botua ne vitet ‘90 vepra e plote e Camajt nga Lili Bare
me shume defekte, por duke qene ne Tirane ato vite, une e di fort mire se ai
botim nuk beri asnje pershtypje.
Ne
kete pervjetor te Camajt dua t’i them dy gjera: e para, si poet Camaj u
realizua ne kuader te poezise se Kosoves dhe qendron prane Azem Shkrelit dhe
Ali Podrimjes (kot kerkohen piketakime me Ungaretin); dhe e dyta, Camaj ne
Shqiperi ka nevoje te lexohet dhe jo t‘i behen elozhe fjalezbrazeta!
https://www.facebook.com/mehmet.kraja