Kulturë
Fatmira Beqja-Veseli: Përjetime që nuk harrohen lehtë
E merkure, 03.08.2022, 07:13 PM
PËRJETIME QË NUK HARROHEN LEHTË
Vilhelme
Vrana-Haxhiraj, në novelën “Çmimi i Dualizmit”
Nga
Fatmira Beqja-Veseli
Mbylla
librin dhe shikimi im u përplas mbi faqen e bardhë të murit. Doja të
qetësohesha apo të shkarkoja atë barrë të rëndë që mora nga leximi i novelës
“Çmimi i Dualizmit”, të autores vlonjate Vilhelme Vrana-Haxhiraj, shkurt
“Vivra”. Një novelë e vogël, por me ngarkesë dhe kohështrirje sa vetë bota
njerëzore. Faqe të mbushura me shkrim pa emra vendndodhjeje, pa gjeografi, pa
data e histori. Një libër që të lëndon, të shtang dhe njëherazi të godet e te
vret, duke hapur varre dhe zgjatur litarë, ku shkrepen armë e derdhet gjak. Një
rrëfim, që brez pas brezi i ngarkon njerëzit me plagë që s’ mbyllen dhe, që nuk
pranon mësimet, aq më pak harresën.
Në
qendër, një vajzë apo grua. Grua……!
Thjesht një grua pa emër, pa kombësi, pa rreth familjar, as e bardhë, as
e zezë, as e kuqe apo e verdhë, pa racë e ngjyrë, por që nëna dhe perëndia i ka
dhuruar një bukuri të rrallë, për t’u krahasuar me hënën, yjet, vesën e
mëngjesit mbi petalet e trëndafilit, aq sa frymëzimi nuk di ku të degdis e të
përkund. Me një fjalë, bukuri për t’u admiruar, që s’e qas mëshirën, sepse të
çmend në hiret e bukurisë femërore, për t’u ngjitur në botën e hijeshisë e
bukurisë, por që mbart një mister, një shpirt që ndjell e mbjell tragjedi, e
cila shpaloset ngadalë, lehtë-lehtë, fare natyrshëm, me uri dhe etje
mashkullore, njëkohësisht edhe cmirë e xhelozi mes femrash, duke pushtuar
ndjesitë e gjithë sojit njerëzor.
Nuk
flas si e nisi Ana Karenina, apo znj. Bovari, që mbeten modele të historisë
femërore, por si miliona e miliona vajza
e gra, që e nisin dhe bitisin udhën e mbijetesës, mbase si fillim për provë dhe
për qejf, duke kërkuar shtigje të lehtë për luks e mirëqenie, pa u menduar
gjatë për pasojat dhe plagët, dhimbjet e vuajtjet, helmin e sheqerosur,
mashtrimin, poshtërimin dhe nënshtrimin ndaj parasë dhe veseve, që çuditërisht
shoqërojnë dhe vrasin jetën e “Heroinave” pa heroizëm.
I
gjithë rrëfimi të shtyn të përjetosh thyerje ekstreme të dy botëve, të burrit
dhe gruas, të lidhur e të zgjidhur përjetësisht, aq sa majat dhe humnerat e
tronditin mendimin e shëndoshë, duke mbyllur shtegun për t’i dhënë përgjigje
pyetjeve që nuk shteren dhe nuk marrin përgjigje. Bie fjala: Kush mund ta
fitojë betejën e pa shpallur, por të pranuar në heshtje, mes bukurisë së femrës
dhe pushtetit të parasë, të futur në çark, që nuk njeh ligj e moral njerëzor
dhe, nuk e prek fundin e tmerrshëm të pusit, që thellohet pak nga pak?
Autorja
e kursyer në personazhe, një grua dhe dy burra, tërësisht të ndryshëm me
njëri-tjetrin, si në paraqitje, moshë, ashtu edhe në parime. Njëri e shijon
bukurinë, por në fund ndjen neveri, duke parashikuar edhe fundin e kësaj drame
tronditëse, që të mban lidhur deri në fjalën fundit. Ndërsa tjetri ka epsh, por
s’ka forcë, ka uri por s’ka dhëmbë, ka dëshirë por i janë mpirë ndjenjat, ka pasuri
sa të blejë trupin e por nuk mund të blejë dashurinë dhe kënaqësinë e botës së
gjallë. Aq e fortë është ndjesia, që ngacmon kjo novelë, sa shkrimtari Kadri
Tarelli i kushton një shkrim, botuar në librin, “Kur lexoj një libër”. Faqe:
167, ku që në titull shprehet kështu: “Nuk i heq dot tapën, lëpin dhe thyen
shishen”. Ndërsa unë po i shtoj edh dy-tri fjalë, që po m’i sjell çasti: - “Jo
se është dehur, por se nuk mund të pijë lëngun jetëdhënës”.
Të
tilla ngjarje, në dukje të rralla, janë pjesë e botës njerëzore, ku pesha e
dramës dhe konfliktit në skenën e teatrit pa spektatorë, arrin kulmin. Aty
përplasen dëshira dhe ëndrra, e bukura dhe e shëmtuara, mundësia dhe
pamundësia, shtrëngim nofullash e kërcitje dhëmbësh, adhurimi, mallkimi dhe
shpërfytyrimi, si një kontratë e heshtur, firmosur e vulosur nën koren e gurtë
të tokës, pa zë, pa kujë e bujë.
Ndërkohë
përballë është një grua, një shpirt që shtrydhet, nëpërkëmbet, poshtërohet,
thahet, këputet e shkelet si gjethe vjeshte. E pse? Sepse është e bukur, plotësisht
e bindur në armën e vet “bukurinë”. Krenare që e do jetën. Skenat e vogla nuk e
turbullojnë, i krijon dhe i pranon pa mëdyshje, sikur botën e ka nën këmbët e
saj. Në këtë luftë të heshtur, nuk mungojnë edhe viktimat. Duket sikur e ndjen
humbjen, sepse nuk ka fuqi të luftojë e të fitojë mbi pushtetin e parasë, në
dramën që duket sikur e ka shkruar vetë e për. Ajo me bëmat e saj, sikur ka
ftuar të gjithë filozofët e botës për ta zgjidhur këtë ngërç, të thjeshtë në
dukje.
Autorja
znj. Vivra, gjatë gjithë novelës bisedon me veten, me mua, me lexuesin dhe me
të gjitha kohërat. Edhe pse novela si zhanër i prozës së shkruar ka kufizimet e
veta në hollësi e saktësi, ajo, si mjeshtre e fjalës dhe kompozicionit, e gjen
forcën për të kapërcyer boshllëkun, duke e bërë këndonjsin, të pa interesuar
për vogëlsira. Dialogu dhe sidomos përdorimi mjeshtëror i pyetjeve retorike dhe
jo retorike, e ngre novelën në përsosmëri artistike e filozofike.
Në
ftohtësi gjykoj, se pa dashje arrihen disa qëllime:
Si
fillim, tërheq dhe drejton vëmendjen e lexuesit, duke e bërë pjesë të dramës,
nëpërmjet rrëfimit grisës e ngacmues, pse jo edhe parashikues ndaj asaj që do
të ndodhë. Një lloj përgatitje shpirtërore, që të përjetojë çka do të vijë në
të ardhmen.
Më
pas, çdo bisedë e le shtegun hapur për të paralajmëruar tragjedinë, nuk ka
rëndësi forma dhe përmasat.
Më
tutje, ngre tensionin e dramës. Lexuesi ndalon frymën: Bobo çfarë do të
ndodhë?!
Në
këtë hulli mendimi: Shkallëzon shpalosjen e konfliktit, duke më shtyrë të pyes:
- A ka konflikt të mirëfilltë që shpërfaqet para nesh? Cilat janë forcat që
përleshen dhe heronjtë e tyre? Kush mund ta ndalë dorën gjakatare?
Të
them të drejtën, unë dhe lexuesi, në dukje ndjehemi të qetë, sepse konflikti
mbetet i padukshëm, preket por nuk shfaqet, duket dhe fshihet në eter, si me
magji. Gjithçka shkëlqen së jashtmi, brenda ca rregullave të pranuara butësisht
mes aktorëve. Ndërsa më duhet të mbaj frymën pezull, me të vetmin merak: ç’do
të ngjasë pas gjithë atyre ndodhive, shpesh si rastësore, por të hidhura e të
pa imagjinuara? Sepse konflikti përfshin botën shpirtërore të dy qenieve të
ndryshme, të huaja për njëra-tjetrën, mishëruar në shpirtin dhe vetëdijen e
protagonistëve tanë. Dy botë, si përfaqësues të atyre mijëra e mijëra viktimave
që kanë mbetur mjerane cepave të errët të kohës, pa zë, pa emër, pa ëndrra, pa
dëshira, të përbuzura, të zhgënjyera, shpesh të mbuluara me gjak.
Oh
sa lodhje, sa dhimbje, sa trishtim përcillet në ato pak faqe letre, por që mbeten pa u dëgjuar, vuajtur e ngushëlluar.
Është një e vërtetë e hidhur, që shpesh e harrojmë, por që duhet pranuar se
është ulur këmbë-kryq mes nesh, shpërfaqur si konflikt i neveritshëm
individësh, por që fsheh një plagë shoqërore, për fat të keq edhe aty ku liria
dhe ligji zbatohet rreptësisht.
Ndaj
kërkoj dhe pres një përgjigje nga vetja: Vallë, ka forcë që e ndalon pushtetin
e parasë dhe veset që lindin prej saj, që shpesh të çon deri në marrësi e në
krim? Nuk e di ç’do të thoshte Frojdi,
sepse historia jonë dhe e botës mesjetare është e mbushur me marrëzi të
mbështetura edhe në ligje e kanune fisesh.
Autore
Vivra, me pak fjalë, por me shumë art, i bën autopsi mendësive dhe karaktereve
të heronjve të dramës, si të thuash i nxjerr lakuriq para pasqyrës së jetës.
Ngjarja që u nis si udhë parajse, nuk vazhdoi gjatë dhe nuk mund t’i qëndrojë
kohës. Vjen një çast që edhe shkëlqimi të neveritet, dehja ia le vendin
trazimit dhe zhgënjimit, aqsa ligjet e zhvillimit të natyrës përputhen me
ligjet e shoqërisë njerëzore.
Unë
pajtohem me autoren, që nëpërmjet ngjarjeve të novelës, kërkon me zë të lartë
gjetjen dhe rritjen e pozitës shoqërore të gruas, e cila në emër të qenies,
mbartjes së jetës dhe vazhdimësisë, meriton më shumë vëmendje, mbrojtje dhe
kujdes te veçantë, përballë brutalitetit, egoizmit, shpesh të pa kontrolluar të
burrave. E gjitha e shprehur urtësisht, si në jetën e zakonshme ashtu edhe në
drejtim dhe organizim shoqëror e shtetëror. E thënë shqip, shumë të drejta të
gruas, janë arritur vetëm me rritje të vetvetes, me luftë e përpjekje shekullore.
Mbetet edhe shumë për të bërë në barazi gjinore.
Nuk
dua të hyj në analizë të librit, por ndjesitë që përftohen nga ndodhitë, shumë
herë të shëmtuara e të fëlliqura, që nuk i pranon mendja normale e një njeriu,
më shoqërojnë gjatë. Janë ndodhi, sa reale ashtu edhe të stisura e të ujdisura
artistikisht, që të shtyjnë të ndalosh, të kafshosh buzën që dridhet nga inati,
më pas të mendohesh thellë, jo për të gjetur fajtorin fizik, por marrëdhëniet
shoqërore, herë-herë të ndërtuara keq apo të shtrembëruara pa dashje.
Emrin
s’ia ve dot. E ndjej se gjaku më bëhet ujë nga trishtimi, duart i kam akull nga
zemërimi, ku përfytyroj atë grumbull njerëzish që shikonin kufomën, ku prej
damarëve të saj, shkapërderdhej jeta e një gruaje, që hyri në lojë të gabuar, por
guxoi të ngrihet mbi vetveten duke përbuzur luksin dhe mirëqenien e një
“kukulle”. Më në fund ajo kërkon lirinë e humbur, për të jetuar si ata,
thjesht, mbase edhe në varfëri, por me liri, ku të dashurojë e të dashurohet si
njeri.
Gjykoj
se ky është edhe mesazhi më i qenësishëm, më i vyer dhe më i dobishëm, për
brezin e vajzave që janë në prag të fillimit të jetës së pavarur. Ato të jenë të vetëdijshme për të zgjedhur,
jo udhët lehta, që s’të çojnë gjëkundi dhe nuk të nxjerrin në dritë, jo
lëmoshën dhe mëshirën, por udhën e punës, lodhjes, mundimit, studimit e
djersitjes. Pa shumë fjalë, të jenë vetvetja, duke ngulmuar në rritjen e
synimit për një jetë të merituar, me dije, aftësi e kulturë. Jeta është një
mësues i rreptë, të ndëshkon kur gabon.
Nuk
e kam as dëshirën dhe as luksin që shfrytëzoj rastin të jap mësime për jetën.
Ato i gjen gjithkush në faqete kësaj novele të mrekullueshme. Vetë jeta është
mësim, ku edhe mund të rrezohesh, për t’u ringritur më i fuqishëm, më i fortë
dhe më i sigurt. Nuk jam unë e para që e them. Dijetarët dhe përvoja na thotë,
se jeta, vërtet ka shumë shtigje, mund të them të gjitha të shkelura nga brezat
e shkuar, por duhen zgjedhur me kujdes. Lum ai apo ajo, që ka mend të nxjerrë
mësime. Po ka edhe metër e kandarë të ndryshëm, së pari, për të matur e peshuar
vetveten, më pas për të ndarë, matur, peshuar e pëlqyer, të mirën dhe të keqen,
të bukurën e të shëmtuarën, të ëmblën, të hidhurën e të thartën, të dobishmen
dhe të padobishmen. Thjesht të gjejë e të ndajë vlerat nga antivlerat, për të
qenë njeri, i pranuar në shoqëri vlerash.
Nderim
znj. Vivra! Ju uroj jetë të gjatë e shëndet të mirë, për të na sjellë libra me
po kaq vlera të larta artistike dhe edukuese.
Fatmira Beqja-Veseli
Durrës. Korrik. 2022.