Kulturë
Flora Sela - Kastrati: Pasioni për t’u bërë politikan
E premte, 05.08.2022, 07:55 PM
PASIONI PËR T’U BËRË POLITIKAN
NGA FLORA SELA - KASTRATI
Hyrje
Kurrë, si në kohën
e sotme, në historinë e civilizimit krijimtaria artistike nuk ka qenë në
funksion të politikës ditore, sidomos këtu mes këtij bërlloku shqiptar, kur
poetucët janë portparolë të gjeneralëve në pushtet, pseudoregjisorët zëdhënës
të Qeverisë së “vëllazërim-bashkimit”. Bërlloku shqiptar ka gëlltitur shumë
fondacione botërore: edhe atë të Luftës së fundit në Kososvë (1999). Edhe atë,
të 2001 -shit në Maqedoni. Mjafton të përmendim Luftën e fundit në Kosovë
(1999), kur hajdutët përlanë me qindra mijëra dollarë në emër të fëmijve të Kosovës
për botimin e dhjetë titujve për fëmijë me nga dhjetë mijë kopje. Merreni me
mend, po të botoheshte i gjithë ky tirazh i librave për fëmijë, nuk do të
kishin vend fëmijtë shqiptarë ku të ulen nëpër biblioteka, nëpër shkolla. Po,
nuk ndodhi kjo mrekulli: hajdutët, librat i botuan me nga njëqind kopje dhe
rrëmbyen parat me të cilat në emër të fëmijëve shqiptar blen banesa konforme
për vete në Shkup dhe ndërtuan vila nëpër katunde. Kulminacioni, nuk i paguan
as honoraret e autorëve shqiptar.
Policoro -
novelistët, krijojnë kushtetuta shtetërore, qorrhistorianët e artit krijojnë
imazhin e ri të shtetit “demokratik”, komandoteatrologët janë ministra të
kulturës, gjysëmanalfabetët “analistë” politik, koluministë në shtyp... madje shkruajnë mbi skandalet e aktorëve dhe
politikanëve, prej nga rrjedh një gjendje e ndërmjetme qyqare e krijuesit me
politikën. Edhe thonë se: krijuesi ka pasur probleme me shoqërinë. Jo!
Krijuesi, kurrë nuk ka pasur probleme me shoqërinë, po me sistemin komunist.
Neokomunist. Pushtetin...
Çfarë e josh krijuesin te politika?
-Pasioni për t’u bërë politikan.
Në histori është i
njohur fakti se për krijues të ndryshëm në civilizimin tonë perëndimor, veprat
e filozofëve kanë qenë inspirimbartëse të ideve progresive për krijimin e një
shoqërie humane njerëzore. Nga çdo tendencë filozofike pritej të ishte
vazhdimësi e humanizmit. Por ndodhi një rënie e përkohshme në mes të rrugës.
Qerres artistike i thyhen të dyja rrotat e para mes maleve. Artistët, filozofët
etj., nuk punojnë për fuqinë e tyre krijuese, por janë përfaqësues të pushtetit
dhe Qeverive politike: merren me fushata zgjedhore, zbulimin e përmnendoreve të
dëshmorëve të Luftës (2001), Hapjen e muzeve të “Lirisë”, Degët e
Universiteteve edhe nëpër katunde, Ekspedita sportive me flamuj partiak duke u
ngjitur majave të malit Sharr. Vrapimeve për punësime në Universitet edhe pa
diploma të fakultetit. Nëna Parti pasi të ka punësuar si profesor në
Universitet, ajo e merr përsipër edhe obligimin që të të bëj edhe magjistër,
jep doktoraturën shkencore. Fatkeqsisht, në një kohë kur nuk kemi barinj të
deleve. Bozaxhi e tollumbaxhi nëpër ëmbëltore. Të gjithë, i madh e i vogël
brenda një nate u bënë profesorë universitar e asistentë nëpër universitete
partiake.
Në Perëndim na
paraqitet një diskontinuitet në raport të zhvillimit të ideve humaniste në
krijimtari: pluralizmi i aspekteve kulturologjike. Në vendet e tranzicionit
ndonjëherë ke ndjesinë se ekziston një amnezion kulturologjik i arnimeve, që ka
ndodhur kur përvetësuam idetë e lirisë, Zotit e turpit. Mirëpo, sikur u krijua
një “amnezion kolektiv”, i përgjithshëm mbi këto tri ide, njësoj si t’ia nisësh
nga fillimi të hipësh shkallëve të kullave. Amnezion në raport me atë çka është
bërë deri tani, që kushtimisht mund të quhet si traditë. Tradita bëhet objekt i
politikanëve, e gjegjësisht shndërrohet në politikë, derisa kultura dhe arti
ekzistojnë duke iu përshtatur parimeve të cilat imponohen nga ana e
prorektorëve jo-oficialë të vendeve në tranzicion me gjitha kufizimet që sjell
një strategji gjysmëkolosale.
Në
këtë situatë, me arsimin dhe kulturën merren partizanët partiak, ndaj si pasojë
kemi arsim dhe kulturë partiake: profesorë partiak, artistë partiak, filozofë
partiak, krijuesë partiak, hoxhallarë partiak, priftërinj partiak, bujq
partiak, bozaxhinj partiak, barinj partiak, që tani e quajmë si multikulturë të
“vëllazërim-bashkimit”...
DYLUFTIMI I DISIDENTËVE ME KURRKUSHËT KRIJUES
Vlerësimet që do
të shqyrtojmë nga këndvështrime të ndryshme, për të dhënë një pasqyrim etik dhe
analizues mbi rrethanat e ndikimit kritik - ashtu si vijnë e ravijëzohen
tendencat e një mbarështrimi në rrethanat e gjendjeve shoqërore, të hapim një
horizont mbresëlënës për raportet e krijuesit dhe shoqërisë, e të bëjmë një
pasqyrim, mbase dhe një përjashtim të të metave ekskluzive që dalin e bëhen të
përzishme - do të jenë arritjet e një jete reciproke, ku krijuesi u ballafaqua
me Policinë Letrare, dhe anasjelltas: shefin e tyre që përpiqej të mbajë nën
kontroll zhvillimin e letërsisë shqiptare në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri. Si
ndikoi Policia Letrare te krijuesi?! Kjo bindje e shqyrtimeve ndoshta do të
përmirësojë pozicionet, në mënyrë që të bëhet një formësim në ekuivalencën e
funksionalizimit të këtyre dy tërësive, ku jetësohet e përhershmja krijuese dhe
e përhershmja shoqëri “demokratike”.
Me një përpjekje
të tillë do të spikatë ideja se krijuesi ka kërkuar një nivel më të lartë të
paraqitjes së shoqërisë, pasi Pushteti bojëndotur ka bërë dhe ndërhyrje të
tjera, që pos tendencave përkrahëse, ka pasur dhe tendenca të tjera shtypëse
ndaj krijuesit, me të cilat janë krijuar gjendje të pashpjegueshme. Nuk është
aspak e jashtëzakonshme që një rrjedhojë e këtyre përsiatjeve të përpiqet të
vendosë në dioptrinë vëzhguese befasitë e shumë shkencëtarëve, studiuesve apo
krijuesve si shkrimtarë, filozofë, poetë. Përse, dita - ditës kjo gjini letrare
është në rrezik? Në kualitet mund të thuhet se një rënje e tillë është e
dukshme dhe efektivisht e pashmangshme. Këtë e
dëshmon me shkrimet kritike Dr. Rexhep Qosja,
qysh herët në titullin e librit: “Panteoni i rralluar” (Rilindja,
Prishtinë, 1973).
Përse lindi kjo ide për libër?
Cili ishte motivi provokues i autores?
Përse tregoi shqetësim Shteti prej kartoni?
Për cilën përmbajtje të përshkallëzimeve ideoartistike është i preokupuar Disidenti?
Në këtë kuptim
shfaqen shumë dilema që kërkojnë shpjegim edhe në këtë libër. Nëse nisim
shpalosjen e këtyre bindjeve, natyrisht që një studim serioz do të hidhte dritë
në mirëqeniet e një antike dhe mbase në rrënimin e një të sotmeje të
rrezikshme. Të krijohet përshtypja se librat e niveleve të filozofisë, poezisë,
prozës, novelës, romanit dhe shumë gjinive të tjera kanë qenë më të shëndetshme
dhe në sublimitet vlerash në të kaluarën. Sot, kur përjetojmë shndërrime më të
sofistikuara të teknologjisë dhe kompjuterizimit (dixhitalizimit), përse
vështirë kemi kulme që do ta pasuronin Panteonin e rralluar të Rexhep
Qosjes? Vallë, ajo shoqëri mos ka qenë më demokratike?! Çka e mundon shoqërinë,
që krahas një zhvillimi material, njëkohësisht zhvillimit të arkitekturës
inxhinierike, linjave tokësore dhe ajrore, ka pushuar të marri frymë në
dimensionin e krijimtarisë, të gjymtuar astmatike? Nëse mund të flitet për
Aristotelin, Platonin, Kantin, Hegelin, Homerin, ose më vonë për rilindësit si
Fishta, Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi, Sami Frashëri, Asdreni, Ndre Mjedja, Fan
Noli, Faik Konica, Ali Asllani, Lasgushi dhe të tjerë, të cilët kanë arritur të
emërohen si enciklopedi e dijeve dhe krijimtarisë, sot i mungojnë profile të
tilla Panteonit të rralluar?
Sipas Dr. Rexhep
Qosjes, fjala “Panteon” është përdorur në kuptimin simbolik, prandaj
edhe lexuesi me të drejtë mund ta vazhdojë pyetjen: Përse, “Panteoni i
rralluar”? Ne, do të përpiqemi që këto tendenca rrallimi t’i analizojmë nga
rrethana të tjera të kushteve e raporteve të Krijuesit dhe Shtetit gllabërues.
Le të bëhet ky një pasqyrim modest, duke hedhur dritë mbi atë mister të krijuar
mbi shoqërinë, e cila dita - ditës ka risi edhe në “Faunë” edhe në “Florë”,
duke gjeneruar neostruktura, por natyrisht edhe duke pluhurosur dhe asgjësuar
shumë lloje të gjinive. Nëse krijuesi, si një universalitet i veçantë në këtë
kohë kuantivisht është i pranishëm, ne do të përpiqemi të japim shpjegime se
përse me kualitetin e tij është gjithmonë e më i skamur xhepave të partive
politike. Natyrisht, për këtë do tentojmë të bëjmë një kuvendim mbi mundësitë
si të realizohet një shpresë, që në Panteonin e vlerave të mirëfillta të
krijimtarisë të shpërthejmë portat e kështjellës së krijuesit bashkëkohor
shqiptar.
PËRSE LINDI IDEJA E KRIJUESIT DHE SHTETIT FANTAZËM
Fatkeqësisht, në
udhëheqjen e shoqërisë, gjatë shekullit XX dominuan mediokrit. Atë vend që e
patën rilindasit pothuajse gjatë një shekulli, e zbehën snobët, që u sulën me
arnime e citate të vjedhura nga veprat e autorëve të zhanreve të ndryshme.
Ashtu si zakonisht, janë të përshtatur “vëllezërit” si anëtarë të komisioneve
shkencore nëpër ministri duke bërë pazare kulturore në dëm të krijimtarisë
shqiptare, që kanë synime dominuese, që përdorin shkathtësinë e përfitimit
servil, apo të pushtetit, duke u shërbyer pushtetarëve si argat besnik. E
gjithë kjo, bëri që një numër i madh shkrimtarësh, dijetarësh, krijuesish,
oratorësh e filozofësh të ndodheshin jashtë rrjedhave ndikuese dhe udhëheqëse
nëpër institucionet shtetërore. Nëse në kohën e Romës njerëzit i pagëzonin me
aftësi të kufizuara, mundësi, prirje e sigurisht vlera mesatare, R. Qosja i
quajti mediokër. Por në këtë shekull, sistemi që dominoi të tillët, i himnizoi
si të pushtetshëm në qeverinë fiktive. Sanço Pançot shqiptar me këto veprime
mbërthyen frerët, duke u bërë bartësit e fronteve që sjellin rende dhe
udhëheqin me shoqërinë në tërësi si kope me zgjebe. Për këto arsye, krijuesit
do të radhiteshin në krye të rreshtit të anatemave. Vlen të theksojmë vetëm
disa të tillë, si: Fishta, Gurakuqi, Asdreni,
Çajupi, Migjeni, Noli, Lasgushi etj. Në karvanin e gjatë të të përndjekurve
hyjnë dhe shumë liridashës të tjerë, që për hir të ideve krijuese do të
përjetonin ferrin e Dantes gjatë gjithë jetës së tyre, duke jua murosur dhe
dhunuar vargun krijues, si dhe duke ju gllabëruar personalitetin deri në
masakrim zvetënimi. Persona të tillë gjatë shekullit XX kanë qenë të shumtë edhe
në letërsinë shqipe. Shumica e tyre ose do të burgoseshin, ose do të vriteshin,
ose do të detyroheshin të braktisnin atdheun. Edhe pse, veprat e tyre do të
dëshmonin një profesionalizëm natyralist, ata nuk u përfillën nga pushteti. Por
gjithsesi, edhe njerëz të tillë si Bilall Xhaferi, Martin Camaj, Kasam
Trebeshina. Arshi Pipa, Frederik Rreshpja, Pano Taçi, Zyhdi Morava, Adem Demaçi, Visar Zhiti, Sadudin Gjura etj. e patën
të ngjashme jetën për vuajtjet dhe përndjekjet që ju bënë në atë kohë moniste.
Gjithashtu, përmendim këtu edhe Teki Dervishin, Mehmedali Hoxhën, Fadil
Bekteshin, Vahit Nasufin, Daut Gurrën, Shaqir Sadikun, Rexhep Elmazin, Ymer
Shkrelin, Qerim Arifin, por pa harruar se në këtë jehonë të vrazhdësisë makabre
e përfunduan jetën edhe martirët e idealit, Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka.
Shoqëria e asaj
kohe shqiptare, e robëruar në ato sisteme që kishin për qëllim të ndikonin sa
më shumë në dëm të krijimtarisë së pastër e të çiltër, nën pelerinën e së
vërtetës, i përjetoi këto goditje njëpartiake. Pushtete të tilla godasin thellë
deri në palcë, duke shkatërruar raportet e krijuesit dhe shoqërisë. Pikërisht
nga këto rrjedha nis edhe fushata policore se, si krijuesi do të etiketohej nga
bashkëvendësit e vet, sllavo-shqiptarët duke u trajtuar nga elitat udhëheqëse
të pushtetit si person non-grata.
Termi krijues
përfshin një gjerësi me profile krijuesish, siç janë: shkrimtarët, piktorët,
këngëtarët, arkitektët, filozofët, dijetarët, teologët - qofshin ata të
krishterë, ortodoksë, bektashinj apo besimtarë në islam - të cilët shprehën
pakënaqësinë ndaj një realiteti shtypës kundër shoqërisë dhe u përpoqën për
mbijetesën e asaj kohe. Për këtë arsye, ata gjendeshin diku në kthetrat e
robërisë të “vëllazërim-bashkimit” jugosllav. Në këto përmbysje goditëse pa kod
të mbrojtjes mbetej numri i paktë i intelektualëve disidentë, që më së shumti i
duheshin shoqërisë përparimtare. E përse pjesa më e madhe e shoqëririsë, nuk
arriti të kuptojë se njerëz të tillë, si këta krijues, duheshin dëgjuar, pri në
ardhmëri? Shkaku se, njerëzve të tillë u duheshin krijuar kushtet dhe rrethanat
për të shprehur idetë e tyre e për të shpjeguar gjithë misterin që binte mbi
kurriz të shoqërisë, pa e treguar diagnozën e vuajtjes shekullore. Sepse,
individët e pushtetshëm, ata mesatarët, që e ndjenin veten të sigurt si të
përhershmit dhe sovranët, kishin arritur të krijonin bazën e fortë partiake e
klanore, dhe me të e kishin shmangur përgjithmonë mundësinë e konkurrencës.
Krijuesve, edhe gjithë atyre që do të rrezatonin përkrahje të ideve krijuese
për një rend të ri shoqëror. Dhe, me tiraninë e tyre të praktikuar në sistem,
krijuesve të papërmisueshëm u kishin siguruar vendin e përmisimeve - burgjet:
Idrizovën dhe Goli Otokun. Që, shumica e shqiptarëve gjatë ndryshimeve
demokratike, do të harronin se ato ishin shtëpi përmisimi e jo universitete të
shqiptarëve. Shumica nga ato burgje dolën spiunë, të zvetënuar e pak vetë të
çmendur e normal për t’i përballuar torturat e tmerrshme të atij sistemi edhe përtej varrit.
Momenti i caktuar
historik i shekullit XX është bërë një përmbajtje shumë e nëpërkëmbur e
njerëzimit. Nëse nga njëra anë ka lindur dhe është zhvilluar një hap i madh i
zhvillimit teknologjik, teknik dhe informatik, nga ana tjetër ka pasur po aq
ngecje që shfaqen me nuanca shumë të errëta. Nëse, nga njëra anë mund të quhet
shekulli i dritës, pa dilema mund të emërohet dhe kreu i errësimit të një
rilindjeje, sepse njëkohësisht vijnë e zhvillohen edhe të mirat materiale dhe
mirëqenia, siç rriten edhe të këqijat e rrënimeve dhe shtypjeve. Në këtë
relacion të të kundërtave ka vazhduar jeta e një dinamike të madhe e ka
lulëzuar marshi i dirigjimeve për të vazhduar synimi i mbijetesës: nga njëra
anë të ngrihen dhe sofistikohen barrierat e pushtetit, ndërsa nga ana tjetër të
hermetizohet metafora. Dhe, në këtë kërkim të idesë, krijuesi gjithmonë ka
hapur horizontin për të shpalosur dijen e tij, për të ngritur idenë në çështjen
e luftës ndaj pushtetit që po dëmtonte shoqërinë deri në themele.
Nëse, në këto
raporte të ndërgjegjes së krijuesit dilte burimisht ajo ide dhe me këtë etikë
kalonte në horizontin shoqëror, si një rreze që synon sjelljen e pranverës nga
dimri sistemor dhe tiranik, nuk do të thotë se sistemi rrinte duarkryq në
institucione. Ai bënte plane dhe gjithçka për të
ndrydhur krijuesin. Fjala vjen, pushteti i Zogut, për përmbysjen e Nolit
krijues dhe vrasjen e shokëve të tij, pushtetit tiranik të Pashiqit në atë kohë
i dha shumë dhurata. Shembull, Shën Naumi, me gjithë bukuritë natyrore
dhe me atë potencial vlerash shpirtërore, jepet dhuratë për vrasjen e
Bajram Currit; ose paguhet dora vrasëse që ngrihet kundër Luigj Gurakuqit, i
cili ishte përkrahësi i ideve liberale e demokratike, që Shqipërisë i hapnin
një horizont dhe e rreshtonin te vendet e para me një domethënie përparimi në
ide dhe demokraci.
Qëllimi
i paraqitjes së kësaj pasqyre nuk është të ripërsërisim faktet e njohura, të
cilat i përmend gjithmonë kronika historike për ngjarjet e shekullit XX, por
ringritja e dilemave për arsyet, pse nuk arriti një shoqëri e tillë që të bënte
të mundur përmbysjen e këtyre tiranëve, që kishin pjellë gjithë këto ngrehina
të zezonave. Qëllimi është të ndërgjegjësojmë të ardhmen, se në Panteonin e
rralluar nuk arritën të bëhen banorë një numër i madh i krijuesve, sepse
drejt tyre, dikush tjetër që nuk kishte mundësi as të bënte një hartim
shkollor, mbante frerët qeverisës të shoqërisë. Pra, qëllimi jonë është të
bëjmë një kuvendim sa më racional, se pushtetarët me ndjenjën e mediokrit
kalërojnë përpara hundëve të shoqërisë, trumbetojnë dhe mashtrojnë, pastaj,
sapo marrin pushtetin, turren të shtypin dhe shtrydhin idetë përparimtare.
Qëllimi ynë, është të bëjmë një ndarje të shekullit XX, por duke qenë të
vetëdijshëm se shpirti tiranik gjithmonë ka qenë faktori ndikues që numri i
krijuesve disidentë të jetë shumë i pakët edhe në këtë kohë të ndryshimeve
“demokratike”.
MARSHI I TRUSAKATËVE ME “VEPRA” TË ARNUARA LETRARE
Krijuesit kanë një
lashtësi. Nisma e tyre krijuese ka rrezatuar vlera të arrira artistike
njerëzore. Ata kanë qenë prijës shpirtëror në ballë të një populli. Edhe në
Greqinë antike të tillët i kanë cilësuar si hyjni. Prandaj, dija e tyre është
përhapur gjithkund dhe prej tyre, shoqëria e asaj kohe ka pritur ashtu si dita
që pret të dalë dielli mbi male. Madje, dijet e krijuesve të asaj kohe nuk kanë
qenë të kufizuara, por as i ka kufizuar kush në jetë. Veprat e tyre artistike
me shpejtësi marramendëse janë përhapur në vende të ndryshme e në gjuhë të
huaja botërore. Por, një hap të tillë e kanë bërë me një marshim shumë të
shpejtë dhe vlerat mesatare edhe mediokrët. Ata, me një ngjashmëri vepruese,
kanë vepruar si sot kesulëgrisurit e kollarisur. Edhe vetëm me një vështrim
artisti të mprehtë dallohet marshi i vlerave sakate që e kanë mbushur tregun:
universitetet, shkollat, vitrinat e librarive, bibliotekat, stendat e panaireve
tradicionale me kopertina të bukura, me tituj të shkruar mjeshtërisht dhe me
përmbajtje të dyshimta e fare pa vlera të arrira letrare - artistike.
Ku na udhëheqin sot hapat e një marshi të tillë të trusakatëve?
Përpara nesh janë
institucionet me një stërmbushje të madhe të jovlerave, që gjithçka mund të
kenë nga tregtia, nga aftësitë e menaxhimit për të arritur një kapital personal
brenda natës, për të bërë akrobaci të ndryshme në ndryshimin e rreshtimeve
politike, për të marrë një post, por jo për të krijuar nivele vlerash, që do të
dëshmojnë se i ndihmojnë çështjes sociale e jo shkencore. Vështirë dëshmojnë
se, mund të bëjnë një projekt - program për të ringritur proceset arsimore e
kulturore që kanë stagnuar në vend nëpër institucione. Ende nuk mund të
harmonizojnë gjendjet për të dhënë një pasqyrë reale se çfarë do shoqëria
demokratike dhe çfarë i jep pushteti. Nëpër këto mistere, dita - ditës krijohet
një veprimtari kolektive pa vulën e vet të identitetit, e cila nuk mund të
mbrojë dhe manifestojë njëkohësisht vetveten dhe aftësitë e shoqërisë, që janë
shtysa dhe përkrahja e përhershme intelektuale.
Soji i krijuesve
të këtillë, padyshim kjo kope me zgjebe mediokrish, kjo Ekzamë Letrare ka
krijuar vepra teknefese. Klani i tyre nën direktiva të doktorzive prangosës, ka
bërë sakatime në sjellje vendimesh, por duke qenë një shtresë e gjerë tiranike,
kanë krijuar një superstrukturë gjysmakësh të koperativave të sotshme
bujqësore. Edhe sot si dje, kanë pasur një fuqi nëpërkëmbjesh në rendet
diktatoriale, mirëpo edhe në shoqëritë “demokratike” nuk kanë rënë nga
“flijimet artistike” e të bërit famë të rrejshme.
Dr. R. Qosja
thekson në veprën e tij: Kështu, fjala vjen, mund të thuhet se mediokritete ka
pasur nën sundimin e Çezarit dhe në ditët e pakta të Republikës së Brutit; nën
sundimin e Sulltan Hamidit dhe në kohën e Ataturkut; nën sundimin e Ekaterinës
dhe në vitet e Revolucionit të Tetorit. Në vazhdim, do të shtoja për të sjellë
një konstatim, se fushata e tyre është mbase edhe më e fuqishme në ditët pas
Revolucionit të Tetorit. Nga pasojat e mediokriteteve e pësoi një numër i madh
prej miliona njerëzish në Luftën e Dytë Botërore. Pastaj, pas vënies së rendit
socialist, e kanë pësuar breza e breza të tërë krijuesish. Po të sjellim
pasqyra të tilla, do të kishim një gjendje shumë tmerruese, që njerëzimi, apo
drita e njerëzimit në tokë, ka jetuar shumë pak në atë kohë. Gjithçka që ka
kaluar nëpër këta shekuj mund të trajtohet dhe emërohet si një Mesjetë, si
errësirë, si luftë kryqëzatash.
Përhapja e tyre
nëpër gjithë shtresat e njeriut dhe në gjithë hapësirat e sistemeve shoqërore
është bërë dhe bëhet për disa shkaqe:
E para bëhet se
shoqëria, duke rendur pas nevojave që të nisë proceset, ka humbur përkujdesjen
për të përgatitur njerëz adekuatë për një të nesërme. E dyta, se duke hyrë në
garën për të qenë i pari në pushtet dhe për të pasur një lukuni të përhershme
përkrahësish, ai ka shpikur me mendjen e tij gjeniale mekanizma që e kanë
penguar shoqërinë të ringrihet në kulmet e saj botërore. Dhe, e treta: sa më e
varfër me dije të jetë një shoqëri, aq më e nënshtruar dhe më dinjitoze del në
shërbim të lartmadhërive. Kjo bindje ndaj atyre që mbajnë sistemin është ende
në modë dhe e preferojnë liderë që rreth vetes duan njerëz servilë, që t’u
shkojnë përshtat e të mos ua paraqesin realitetin sipas bindjeve dhe kritereve
vlerësuese reale popullit.
Prezenca e
mediokritetit në përmasën tonë shqiptare, që njihet si një hapësirë shumë e
ndërlikuar dhe e veçantë, ka një natyrë shumë përçudnuese. Ajo ka rrëmbyer me
fuqi e ngulm udhëheqjen, dhe nuk ka lejuar që nga kornizat e saj të dalë
lirshëm ideja krijuese. Më së shumti evoluimin e saj e ka mundësuar çështja jo
adekuate e zhvillimit dhe pushteteve që e kanë qeverisur. Por fundja, edhe si e
tillë, në këtë hapësirë të ndodhive të ndryshme, krijimtaria e mediokërve ka
arritur të ketë interesim nga shtresat e gjera lexuese. Fjala bie, sot më me
ëndje ndiqen trumbetimet e mediokërve, sesa një krijues i vërtetë disident.
Është evidente se
mediokrit, rastësisht prej momenteve, turren të bëjnë imitime, arnime të
librave. Ata i përshtaten gjendjes shoqërore, për ta vënë në shërbimin e tyre,
për të përfituar nga ajo poste dhe mjete materiale.
Kush do të mund ta bënte atë përshtatje arnimi, përveç trusakatëve?
Nëse krijuesi i
vërtetë synon të krijojë për të ndërgjegjësuar popullin, që ai të jetë në të
njëjtin hap me kohën, që ai të luftojë moszhvillimin, të gjejë trendin me të
cilin është aktuale si shoqëri, mediokrit gjithmonë bëjnë të kundërtën. Ata me
elozhe për udhëheqjen ia shuajnë shoqërisë ndërgjegjen, ia lustrojnë të
këqijat, ia pudrosin mirëqenien, që të duket e bukur në pasqyrë. Nëse shoqëria
nis rrugën e mbarë të kërkojë realizimin e aspiratave për të cilat i orienton
krijuesi i vërtetë, mediokrit me një shpejtësi lakuriqi nëpër errësirë, vënë në
skenë dramat teknefese për të përfituar opinionet, përurojnë “veprat letrare”
për të krijuar vulën e renesancës, krijojnë ngjyrat e autoktonisë, edhe pse
janë vetëm kopjues dhe kope të përshtatshmërive politike.
Nga një avangardë
e tillë prej skribomanësh e ka pësuar dhe do ta pësojë krijimtaria e vërtetë
artistike. Kjo dukuri e ka përcjellë me vite në përgjithësi krijimtarinë
shqiptare. Edhe në Shqipëri, krahas nivelit të lartë të një elite shkrimtarësh,
kopeja e mediokërve hyri krah për krahu në valle dhe priu pas vitit 1990, gjatë
ndryshimeve demokratike. Po e njëjta dukuri, me krijimin e rrethanave, u dha
mundësinë mediokërve që të mbjellin frytet e tyre duke u dhënë mundësinë që të
shtresohen nëpër rafte të librarive e bibliotekave. Një gjendje e tillë ka
stërkeqësuar dimensionet e krijuesit. Sot, me të drejtë mund të thuash se, në
çdo katër qytetarë, njëri është poet, është romancier, filozof, është… Ose: një
katund i Tetovës i ka njëqind krijues, që kanë botuar nga një, dy e më tepër
libra.
Në realitet, jemi
varfëruar dhe po të vëmë në dioptrinën e pamjeve dhe të një analize të
mirëfilltë krijimtarinë e këtyre viteve, me të drejtë do të mund të mbusheshin
shumë e shumë deponi me fletore - librat e shkarravinave të këtij niveli
krijuesish. Mediokrit, duke dashur të spikasin unin e tyre të gjenezës, me një
provincializëm stereotip duan të duken heronj në ditët e sotme. Ata, por edhe
prijësit e politikës, duke qenë të kufizuar nga aftësitë e të qenit
intelektualë përmasash, kultivuan bashkërisht një hendek ku do të notonin në
territoret provincialë si të parët e katundit. Ata, ashtu si dhe
politikëbërësit, me anën e propagandave provinciale në elektorat përshtatën
edhe përurime veprash provinciale për të befasuar mesin ku jetojnë si krijuesë
me perspektivë. Dhe, me një krenari, gjegjësisht me një veçanti të
madhe, pa i matur dhe llogaritur aftësitë e tyre në përmasën shqiptare, shpikën
licencën e të parëve provincial në Katund.
Është shumë e
panevojshme, sipas këtij klani, që në tabanin mbarëshqiptar të ketë një
sinkronizim. Po të bëhej e mundur një ligjshmëri e tillë - për shembull: bie
fjala për krijuesit e Llapit apo të Gjakovës, ashtu siç mund të flitet dhe për
krijuesit e Tetovës e të Strugës, se për krijuesit në Shqipëri mundësohej dalja
në dritë e veprave të arrira artistike, atëherë si do të kishin mundësi
mediokrit ta përshtatnin arkitekturën e arnimit të “veprave” të tyre në
dimensionin kombëtar? Ku do të mbesnin provincialët, ata që lindin e rriten në
batakun e lokalizmit mes plehrave dhe gjatë gjithë kohës, për një ambient lokal
bëjnë gjithçka që mos ta grisin murin e errësirës, që mos të depërtojë asgjë
nga gjithë shqiptaria...
Nga libri: POLICIA LETRARE (Shkup,
botimi parë 2015, dhe i dyti 2019).