Kulturë
Flora Sela - Kastrati: Zonja vdekje befasisht u trokiste në derë
E marte, 09.08.2022, 07:43 PM
ZONJA VDEKJE BEFASISHT
U TROKISTE NË DERË
NGA
FLORA SELA – KASTRATI
Duke u nisur nga
realiteti i krijuar i një mjegullnaje tiranike të sistemit, duhen analizuar
rrethanat dhe gjendjet e krijuesve. Nëse mediokrit me lehtësi krijojnë rrethana
përshtatshmërie për të mbyllur vrimat apo për të dhënë një pamje arnimi në
krijimtari, krijuesit e vërtetë nuk e bëjnë atë nëse u mungon ndjenja. Ata, në
këto rrethana shtypëse të tiranisë socialiste, të përndjekur deri në barbari,
rrezikonin të mbeteshin dhe pa energjinë jetësore, sepse ashtu të papërfillur,
pa vende pune, përpunonin në meditimet e tyre frymëzimet.
Në forcën e një
mistike të paparë, krijuesit e vërtetë, qysh nga antikiteti e deri në ditët
tona, kanë arritur të krijojnë mbi gjithë ato barazime të ndryshme të asaj
ngecjeje shoqërore. Dhe, hëpërhë kanë mbetur të përjetshëm, pavarësisht se
sistemeve të tilla nuk u dihet as nami e as nishani, aq më tepër personave
mediokër që kishin frerët e udhëheqjes. Po të marrim rrjedhimin e një analize
të kohës së Ilirisë, do të nxjerrim shumë pak, gati asnjë të dhënë krijuese,
pos mbetjeve të përballjeve që ka arritur të bëjë një femër si Teuta. Ajo
strategji e mbijetesës së saj, as në rrethanat e tanishme dhe asnjëherë nëpër
shekujt nuk u bë çështje shqyrtimi, sepse zgjidhja e një të vërtete të qenësisë
së shqiptarëve duhet mbështetur si zgjidhje e plotë dhe sipas parimit të një të
vërtete të kohës së Mbretëreshës Teuta.
Ky ishte vetëm një
rrezatim për të ndërlidhur fijet, se pa frymëzimin për të bërë prurje të një
niveli individual, krijuesi, pavarësisht në cilin drejtim të krijimtarisë
niset, e hap horizontin e të shikuarit në krijimin e udhëkryqeve, ashtu siç
është krijuar misteri i një tendosjeje të keqe për të krijuar nivelet e punës
së merimangës, që për të arritur deri te gjahu, çdo gjymtyrë e saj vepron për
atë qëllim. Këtu del pyetja që gjithmonë ose ngel pa përgjigje, ose e merr një
përgjigje që për asnjë palë nuk është e plotë. Për ata që janë krijues tregon
pasaktësi, është pa përmbajtje; ndërsa për lexuesit është me një lëndë
stërkeqëse, që as u shërben për krijimin e mirëqenies, as u mundëson të hapin
horizonte lirie. Ndërsa pushteteve, deri diku, ua ngre flamurin, që për nga
trumbetimet, sado lart të ngrihet valëvitja e tij, sërish dukjen e ka si në
gjysmë shtizë.
Atëherë parashtrohet pyetja: Krijuesi duhet të krijojë sepse ia imponon
profesioni, apo krijuesi duhet të bëjë punën e tij ashtu si i shpërthen
frymëzimi?
Disidenti, në këto
rrethana që rrezatojnë mister, edhe pse shpesh është njeri me profesion, zakonisht,
që nga arritja e gradës profesioniste nuk ka gjetur vend pune. Dhe, si i tillë
duke rendur pas krijimit të rrethanave të mbijetesës, disidenti është gjendur
në pozicione mjerimi. Ka shumë fakte që mund të flasin për një realitet të
hidhur të krijuesve që aparati shtetëror arriti t’i largojë nga vendlindja, dhe
ata ose morën shtigjet e mërgimit, ose hynë në burgje prej strategjive që
krijonin skenarë politik. Sot mund të flasim për shtresa të ndryshme krijuesish
të shpërndarë në mërgim. Sot mund të flasim për një numër të madh krijuesish,
vargjet e të cilëve mbetën nëpër kazamatet e Goli Otokut dhe Idrizoivës. Sot
mund të flasim për një numër të madh krijuesish, vargjet e të cilëve mbetën
baushtellëve dhe restoranteve të Europës e Amerikës. Por, a mund të bëhet dhe
një sinkronizim që të flitet për të gjithë ata krijues që i mbuloi
heshtja, varfëria dhe vdekja, të cilët
përveçse nëpër dhomat ku mblidheshin për dasma apo konakët e mortit, nuk
arritën ta shpalosin krijimtarinë e tyre nëpër libra?
Është për t’u
ndriçuar dhe pamja tjetër që lindi nga fushata e viteve tetëdhjetë. Për arsye
të asaj shtrëngese, shqiptarët nuk morën pjesë në varrimin e bijve që kishin
qenë nëpër burgje. Dhe ja... vdekja u trokiste befasisht në derë. Por, pushteti
sado që kishte marrë hak me caktimin e burgjeve, nuk ishte ngopur. Ai ushtronte
dhunë, që në vdekjen e tyre të mos merrte pjesë popullata. Megjithatë,
përkundër këtyre urdhrave, ajo, një për një, merrte pjesë. Dhe, varrimet i
bënte vërtet siç i kishte hije kurmit të të vdekurit te shqiptarët, që për së
gjalli kishte qenë i vdekur. Ai i vdekur “i gjallë”, në sytë e pushtetit ishte
një llahtar. Dhe, ata përmes ndikimit të errët që kishin në çdo nivel, nisnin
fushatat për të bërë ndriçime. Për këtë duheshin njerëzit mediokër, që me
aparatet e incizimit në atë kohë ia behnin në çdo tubim, qofshin dasma ku
këndonte Shkurte Fejza dhe Ilir Shaqiri, qofshin morte ku vdiste ndonjë i
burgosur apo i përndjekur politik. Çfarë arritën me këto mekanizma? Çfarë bëri
krijuesi i vërtetë që ndjente etjen dhe urinë të shfaqej përkundër shtypjes që
bëhej? Realisht, këto hapa bëheshin paralel. Pushtuesi dërgonte misionarët, dhe
ata, strukshëm dhe me dinakëri, mblidhnin materialin. Meqë përmbajtja u dilte
shumë më e gjerë, ata kërkonin të parët. Çaushët e nxitjes së atyre ekseseve,
ashtu siç ua vendosën emrin, qysh në mëngjes ia behnin në oborr të merrnin atë
që kish ngritur në shtyllë flamurin me shqiponjë, sepse në atë shtëpi do të
bëhej dasmë. Ata ndalonin të parin - bajraktarin, që i printe kolonës së
dasmorëve, sepse kishin flamur shqiptar. Ata merrnin në pyetje kryekëngëtarin
për repertorin e këngëve, ku këndohej edhe kënga “Moj Kosovë me kësula të
bardha”. Ose: e rrasnin në burg mësuesin, që kishte marrë guximin në brirët
e biçikletës ta valojë flamurin kuqezi rrugës për në Kërçovë.
Momentet më
ekstreme ishin varrimet. Një vargan i madh i njerëzve me pushtet në federatë
zbriti në popull të gjykonte këtë formë varrimesh. Ata direkt goditën varrimet
në Gostivar dhe Kërçovë të dy bijve të popullit. Njëri ishte Xhemil Selimi, i
cili u shpall irredentist e separatist, dhe në një aksident humbi jetën.
Populli në varrimin e tij ia dha meritat dhe ai u varros me nderimet më të
larta. Pushteti gjykoi përmes mekanizmave të veta se varrimi i tij i kishte
kaluar lëvdatat dhe kishte qenë më madhështor sesa varrimet që u bëheshin në
Dedinje apo në Butel të Shkupit shumë burrave shtetëror.
E njëjta fushatë
ndodhi me varrimin e Abedin Hysenit nga Zajazi, djalë hasret, i cili kishte
kryer Fakultetin e Historisë në Prishtinë dhe kishte rënë në burg për tre vjet.
Pas daljes familja e marton. Dhe, pas martesës me dëshirën e nënës (meqë djali
kish kaluar burgjeve me lagështi), ai shkon me pushime në Ulqin. Ajo nuk e
dinte se shërbimet sekrete përgjonin veprimet e tij dhe e ndiqnin hap pas hapi. Dhe, ai ende pa u
treguar ndodhia, ra në ujërat e lumit Lim. Ka dëshmi se ata që e kishin
përndjekur ishin veprimtarë të UDB -së. Por, sado që u pëshpërit, nuk u tregua
misteri. Mirëpo doli në pah diçka tjetër se, në atë varrim u manifestua
heroizmi i personalitetit militant dhe patriot të të vdekurit që kishte mbyllur
derën e shtëpisë. Zjarrin e shuar në oxhak. Me një fjalë, edhe nga shkrimet që
u lexuan, ai doli hero.
Por, kjo nuk e
gëzoi pushtetin e asaj kohe. Ai kishte lëshuar zagarët me aparatet e inçizimit
në xhep dhe kishte inçizuar gjithë fjalimet për rastin e lamtumirës së fundit.
Pastaj, turravrap siç bëjnë ata që marrin dhurata për “myzhde”, i dërguan të
dhënat në Komitet, në polici, në Lidhjen Socialiste. U ngritën me net e me ditë
strukturat dhe nisën fushatën për të gjykuar veprimet e separatizmit. Jehuan
radiot, televizionet dhe gazetat. Top-tema, varrimet e separatistëve dhe
irredentistëve, motiv për fushatë të burgosjeve.
Po të analizojmë
veprimet se sa vetë ranë në këto përndjekje, do të shikojmë se sa tmerr dhe
dhunë përjetonin krijuesit letrar. Njëri ndër ta Shaqir Sadiku, i marrë në
pyetje për disa net me radhë, i lidhur pas radiatorëve, i pështyrë dhe i
shkelmuar nga policët e ndërrimeve që vinin çdo çast e kalonin përpara nëpër
korridor, do të tregojë se edhe ushqimin që ua jepnin (një pjatë të mbushur me
lëng dhe tri deri pesë kokrra groshë), përpara se t’ua çonin të burgosurve në
burgun e Kërçovës, hutbashët e asaj kohe urdhëronin të shkonte pjata te qentë e
burgut që e lëpinin me gjuhë, e pastaj ua dërgonin të burgosurve. Mbase ky
ishte dhe veprimi special që i bëhej po këtij të burgosuri, i cili cilësohej si
një ndër kryesorët për leximin e referatit në lamtumirën e fundit të shokut të
tij të idealit. E të mos flasim për ata krijuesë të “rrezikshëm” për shtetin,
që aparati i duarpërlyrëve u kurdisi pasmesnate zjarre në banesë, helmime që
përfundonin me vdekje klinike e aksidente të rënda komunikacioni, matanë
kufirit në Voskopojë e Qafë Thanë për t’i humbur gjurmët e krimit. Dhe, përçudi
falë Zotit, ata u ringjalleshin përsëri si feniksi, që të nesërmen gjithë këto
montime politike t’i hedhin në libra.
Prej këtu del
niveli i përsosmërisë se, krijuesi i vërtetë ka pasur tema të ndryshme dhe më
shumë frymëzim për të përshkruar gjendjen në ato rrethana të kriminalizuara
deri në ekstrem, ku të drejtat e liritë e njeriut dhe kombit ishin të
nëpërkëmbura.
Po si të
përmbyllej kapitulli i nëpërkëmbjes nga dhuna e përditshme që bëhej nëpër çdo
sportel të institucioneve, ku trokiste shqiptari dhe përpara tij qëndronte si
një gardian, zyrtari i shtetit policor?...
DILEMAT PARADOKSALE TË TË QENIT
KRIJUES DISIDENT
Nëpër të gjithë
krajatat shekullore ka pasur krijues disidentë. Por, një dilemë ka ekzistuar
gjithmonë. Kush janë krijuesit e vërtetë? Në binarin e këtyre mendimeve kanë
hapur kuvendimin shumë përfaqësues që kanë dashur të sqarojnë se kush është
krijuesi disident. Kjo dilemë është aktuale edhe në kohën tonë demokratike.
Sot, përditë në vitrinat apo stendat e shitjes, dalin libra nga shumë autorë,
me një teknikë të shkëlqyeshme të lidhjes dhe të kopertinave, por që nuk kanë
vlera artistike. Fjala vjen, sa do t’u bëjnë ballë kohërave këta krijues për ta
përcjellë porosinë nëpër shekuj me prozat dhe poezitë e tyre, apo nëpër fushat
e tjera krijuese? Nëse marrim një shembull që shumë bindshëm mund të tregojë se
qëndresa e këngëve popullore, e krijuar nga krijuesi popullor, ka arritur të mbijetojë
nëpër shekuj, si do ta mbrojnë mbijetesën ata që sot pretendojnë me një numër
të madh titujsh të shkruar nëpër libra të publikuar pa kritere vlerësimi dhe pa
vlera të arrira letrare?
Në të kundërt,
thua janë mundësi këto që pretenduesit e shumë “veprave” letrare bëhen
trumbetues se janë produktivë, pa u shkuar ndërmend se kjo teori edhe në normën
e lartë të natalitetit ka treguar nivele të ulëta të mirëqenies shoqërore, prej
ku pasojat e saj janë kurorëzuar me shoqëri që nuk krijonte kualitete, por
mjerime, siç mund të cilësohen “veprat” e tilla që mbushin vitrinat e librarive
e panaireve dhe një pakicë prej tyre përcjellin ndonjë risi letrare? Ose... nuk
ka nivel as të quhet vepër që kalon kufijtë e “veprave” të shkruara më përpara
nga krijues të cilëve u kanë rënë shekujt sipër mbi varre.
Nëse duam të
rikujtojmë risitë aktuale të një Homeri antik, si do të ishte ai i krahasuar me
një Fishtë, që përafërsisht i afrohet në fronin e mbretësisë letrare. Shpesh
herë ka ndodhur që krijues me vepra të vogla për nga faqet e shkruara kanë
sjellë vlera të arrira letrare dhe janë më të plotë sesa tërë turma që kanë
vërshuar mbi sipërfaqet e faqeve të nxira të letrës së bardhë, për të treguar
pavetëdije paaftësinë e tyre krijuese. Mirë është të përmendi një Nonda Bulka,
i cili për aq sa ka shkruar është më i përkryer se një plejadë teknefesësh
letrar, apo një plejadë narratorësh që rrinë e vrasin mendjen me duar në xhepa
nëpër parti politike, apo që rrinë e lëshojnë kukama qyqeje për liri krijuese
nëpër gazeta të “pavarura” partiake. Përfaqësuesit e kësaj letërsie mulate janë
bërë një shtresë e gjerë, që mbulon gjithë horizontin krijues me një tymnajë, e
cila nuk arrin të zhdukë në kthina veprat e arrira artistike në krijimtari. Kjo
i ka vënë në dilemë disidentët e përjetshëm. Të parët janë lexuesit që shijojnë
një stërkeqje të vlerave letrare. Dhe, po të bëjmë një analizë kritike, numri i
tyre ka rënë dukshëm në kohën e sotshme. Përse është krijuar kjo gjendje pa
nevojë? Ende nuk ka një vetëdije letrare. Ndërsa, realiteti flet për këtë
pasojë të rrezikshme në shoqëri. Lexuesi, ashtu siç ka shije të ushqimit, të
veshjes dhe të ndryshimeve të tjera jetësore, ka arritur që në këtë përmasë të
kërkojë diçka të përkryer në pjatën e krijimtarisë artistike.
Nëse dikur ushqimi
gatuhej nëpër kazanët e mëdhenj në dasmat shqiptare dhe mbusheshin enët e mëdha
në sofrat kolektive, që nga përsheshi me tambël e deri te sultiashi për të bërë
gëzimet familjare, sot ajo kohë ka ndryshuar dukshëm dhe vjen me ushqime të
shtruara në restorante, që dita ditës sjellin risi të kuzhinës popullore. Edhe
krijimtaria ka specifikën e të kërkuarit rrugë, dhiare, stil për të shtuar
oreksin e lexuesit. Kjo ndodhë me vështirësi edhe në këtë kohë “demokratike”.
Edhe ndodhë, që një nga lexuesit, i cili ka arritur me mundim të përfundojë një
vepër të reklamuar prej kritikëve teknefesë në mediume, në tryezat e
përurimeve, të flasë para të pranishmëve për faktin se u ndje shumë keq dhe i
paplotësuar nga ajo që priste prej asaj vepre të “arrirë” letrare brenda atyre
dy kapakëve.
Raporti i një
lexuesi që flet mirë dhe arrin ta bindë të dytin ta lexojë atë vepër, dhe i një
tjetri që flet te nëntë të tjerë se nuk u nda i lumtur nga leximi i “veprës” që
lexoi, flet për një diversitet. Mirëpo, ende për dukuri të tilla nuk ka hapur
gojë kritika policore. Ajo me portalin e mbyllur, pothuajse, nuk ka lëshuar zë
për të thënë se ku jemi e ku po shkojmë në këtë shekull të kompjuterit. Ka
rastisur që për shumë “vepra”, ndaj të cilave nisën të bëheshin vlerësime, të
kishte ose kritikë pa ekuilibër të bazuar në kriteret shkencore, ose vlerësime
kuturu, vetëm sepse autori ishte anëtar i aparatit shtetëror mëkatar, ose sepse
ishte lider i ndonjë dege të Partisë Politike në Katund. Po kush guxon të flasë
për letërsinë çorbë ndotur të gatuar nga partizanët e Nënës Parti me garniturë
mediokritetesh. Si do të ishte e udhës, për shembull, që një çift
bashkëshortësh, thjesht sa për të pasur një trashëgimtar, të kishin fëmijë
sakatë, qorra: pa këmbë, pa duar. “Kryengritës” me të cilin më së shumti
krenohet shqiptari... Apo, për shembull në relacionin e arkitekturës së
ndërtimit, si do të ishte e udhës të ndërtohej një shtëpi e madhe disakatëshe
për nga pamja: pa ballkone, pa dritare, pa dyer, pa oxhak, pa baxhë mbi çati?
Çerdhe të lejlekëve majë lisi…
Këto shembuj i
mora sepse, në realitetin krijues ka gjithçka rraçesh. Nëse lind një vepër
letrare sakate, ose teknefese në ide, në strukturën e fjalive (sintaksë), në
simbole letrare, del se vepra i ngjan një foshnje që ose ka lindur para kohe
dhe është djegur nga inkubatorët - me këtë rast nga intervenimet e redaktorëve
e recensentëve, ose nga pamundësia e lindjes në kohë ka pësuar çrregullime
shëndetsore në bark të nënës.
Atëherë, si të flaken këto dilema?
Jam e mendimit se
këto zgjidhen me një arsimim shumë më rregullator, ku do të sinkronizoheshin të
gjitha mundësitë për atë që do të tregonte aftësitë e krijuesit dhe do të
kishte të gjitha mundësitë e përdorimit të forcave krijuese, njësoj si një
specialist i lëmit të fizikës, që me anën e laboratorit do të spikasë të
vërtetat e kësaj lëmie; ose si një njohës i matematikës, që ligjet e saj nuk do
t’i ndryshojë, sepse nuk do të fitojë rezultatin e saktë në llogaritje. Edhe
pse, artet nuk janë shkencë, vështirë mund të krahasohen mes vete, po janë
hapsira fantastike që pak krijues fluturojnë me krahët e fantazisë. Këto dilema
i ka edhe krijimtaria artistike, për të cilën ekzistojnë dhe mundësitë
profetike, vetëmse ata janë të tjerë burra të penës, gjeni që fluturojnë në
qiell...
PËRCAKTIMI I VLERAVE KRIJUESE MES
GËRSHËRVE TË POLICISË SË MENDJES
Edhe sot, janë
krijuar dilema se si të përcaktohen krijuesit sipas vlerave të arrira
artistike. Ashtu siç zhvillohet realiteti, dhe fatkeqësisht në mesin tonë i
preferuar është ai krijues që ka qenë në përputhshmëri me politikën dhe me
sistemin. Kjo ka alarmuar deri në një shqetësim shtresat më të ndërgjegjësuara
të popullit, dhe sot hapen horizonte debatuese në mjetet e informacionit.
Për atë që
zhvillohet, a ka bazë të vërtetë të krijimit të qendrave institucionale, që
mund të merret me përgatitjen e gjeneratave apo me hapjen e mundësive për të
krijuar vlera të vërteta të personave të arsimuar që prej tyre të pritet një
sfidë krijuese?
Kështu siç ishim,
nuk ekzistonte mundësia e shënimit të një norme të lartë të arsimimit. Qendrat
universitare kishin kritere të tjera, prej ku më lehtë dhe më shumë
diplomoheshin kinezët, sesa të merrnin diploma shqiptarët. Ishte për t’u
habitur përse gjithë ajo tendosje e madhe e strukturave të universitetit
shtetëror, me një sjellje aq rigide, për një gjysmë shekulli krijoi shtrëngesa
të ndryshme ndaj shqiptarëve.
Shqiptarët më
lehtë diplomoheshin në Slloveni dhe Kroaci, madje dhe në Serbi, sesa në
Maqedoni. Qendra universitare e kësaj republike kishte krijuar shumë strategji,
që kishin synim të pengonin zhvillimin e tyre arsimor e kulturor. Kështu, nga
Akademia e Shkencave të saj u hartuan plane edhe më ekstreme. Si udhëheqëse dhe
si dirigjuese e zhvillimit në republikë, ajo gjithmonë synoi të bëjë institucione
të pastra maqedonase. Në Akademinë e Shkencave edhe sot nuk ka të punësuar
shqiptarë, përveç një shqipfolësi dhe dy akademikëve sllavo-shqiptar dhe një
anëtari të jashtëm si “shqiptar i ndershëm” që nga koha e komunizmit. Në
“Ohridsko leto” jepen për muzikë xhaz po aq mjete sa dhe në një universitet
shqiptar të Tetovës. Te mbrëmjet e poezisë, të quajtura “Strushki veçeri”, janë
shpallur laureatë të ndryshëm nga gjithë shtetet e botës, nga Serbia shumë
herë, ndërsa nga Shqipëria mezi një poet (2008), edhe atë pas dyzetetetë
vjetëve (Fatos Arapi), e nga Kosova e Maqedonia asnjë shqiptar. Ose, te botimi
i “makedonska knizhevnost” në 120 tituj, ku me ndihmën e disa mashave shqiptare
mezi e gjetën veten si krijues të përshtatshëm vetëm disa “shqiptarë të ndershëm”
të klanit të tyre byrokratik të “vëllazërim - bashkimit”.
Këta shembuj
eklatantë kanë nevojë të analizohen, për të ndriçuar rrethanat dhe arsyet përse
ishin të tillë “vëllezërit” gjatë periudhës së bashkëjetesës. Dhe, pse ato
rrethana ndikonin aq barbarisht në rrudhjen e mundësive zhvillimore të
krijuesve shqiptar në një shoqëri multietnike, të cilët duke mos pasur
asnjëfarë mundësie për të krijuar, ngecnin shpesh herë edhe nëpër pengesat e
procedurave të përndjekjeve policore apo burgjeve. Pra, si mund të arrinin
krijuesit shqiptar të nxirrnin në dritë vepra të arrira letrare, kur për punën
e tyre nuk bëhej asnjë pagesë nga shteti i përbashkët multietniik?
Po të bëjmë
krahasime, krijimtaria e maqedonasve gjithmonë ka qenë në përkujdesje të
shtetit, ndërsa krijuesit shqiptarë të anatemuar. Dorën në zemër, ka pasur të
tillë që, në bashkëpunim me sistemin apo në shërbim të Frerëve Letrare, nxorën
në dritë “veprat” e tyre, të cilat ishin të mbushura me përkushtime për shokun
Tito, “vëllazërim - bashkimin”, vetëqeverisjen dhe deklamime të ndryshme të
cilat i shkonin përshtat pamfletit që kërkonin komitetet socialiste.
Kjo ndodhi edhe me
botimet e librave shkollorë, ku vendet e fshatrave, toponimet, historia,
gjeografia, por edhe letërsia, mbusheshin me falsifikime. Fjala bie, nxënësi
shqiptar mund të mësonte për “Përrallën e përgjakur” të Desanka Maksimoviqit,
“Duhanvjelësit” e Koço Racinit, Jovan Jovanoviç Zmaj, por jo për Naim
Frashërin, ose poezinë e Ndre Mjedjes: GUXO. Nxënësi mund të mësonte për Goce Delçev,
por jo për Bajram Currin apo heronj të tjerë shqiptar. Nxënësi shqiptar mësonte
se ilirët ishin barbarë dhe se sllavët e jugut kishin arritur të sillnin në
këto troje civilizimin.
Gjithë këto
reflekse të synimeve për të krijuar një pamundësi krijuese, e detyruan
krijuesin e vërtetë që me pak vëllime të veprave të krijonte një domethënie të
madhe. Po të shikohet “Shtëpia e sëmurë” (1978) dhe “Thashë”
(1981) të autorit Teki Dervishi, për nga vëllimi, janë libra shumë të vegjël me
pak faqe, por kanë një arritje të fuqishme artistike, edhe pse rastësisht u
përvodhën nga sytë e Agjenturës Letrare në atë kohë komuniste (“Flaka e
vëllazërimit”, Shkup). Por, një ndër poetët disidentë, Sadudin Gjura, në vend
që të shpërblehej për talentin e tij krijues do të burgoset dhe pas daljes nga
burgu do të gjej vdekjen në majat me dëborë të malit Sharr. Kufomën e tij do ta
gjejnë barinjt, pas shkrirjes së borës,
në pranverë. Nuk do të flasim për krijuesit që dhanë vepra artistike të
krijuara nga burgjet. Edhe pse në rrethana të një pamundësie, ata sërish
arritën të gjejnë kohë që të ruajnë me kujdes shkrimet e shkruara nëpër letra
të ndryshme dhe pastaj, pas daljes nga burgjet, të krijonin veprat e tyre
latrare. Njëri nga ata, është Fadil Bekteshi me librin “Udhëtim nëpër
skëterrë” (1994). Daut Gurra, libri i të cilit “Kohë e hutuar” u
botua me shumë vështirësi pas vdekjes, në prag të ndryshimeve demokratike. Ose,
Avni Elmazi, me librin: “Idrizova, shtëpia e ferrit”.
Prej kësaj
hallakatjeje, në periudhën e krijuesve janë hapur kapituj të rinj të librave.
Kritika letrare duhet të bëjë çmos që t’u japë vendin që meritojnë në Historinë
e Letërsisë Shqipe. Në monizëm, një krijues ende pa e përfunduar librin, merrte honorarin, ndërsa tjetri, për botimin me
mundim të veprës së tij, ndodhte të hynte burgjeve. Fatkeqësisht, Policia
Letrare në këtë kohë edhe më tepër do t’i ngushtojë radhët e saj me policë të
rinj letrar duke u dhënë grada krijuese në mjetet e informacionit e vende pune
nëpër institucionet e shtetit. Rreth këtyre dukurive letrare të kohës, Kalosh
Çeliku pas librave me satira “Trumbetat e Tellallit” (1992) dhe “Kali
i Trojës” nëpër “Bit - Pazar” (1994), te librat tjerë të radhës me
publicistikë letrare: “Xhadia” (2010), “Rrufjani” (2013) dhe “Lavdi “heronjëve” të Xhadisë”
(2015) do ta ngrej zërin e shkrimtarit:
“Shqiptarët
brez pas brezi kanë qenë profesionistë në përdorimin e armës, të penës, në
bujqësi, në blegtori, në shkencë dhe në politikë. Shqiptarët, kur kanë pasur
Universitet, të tjerët i kanë besuar dhe i janë lutur Lopës si Zot. Edhe, del
në shekullin e XXI Blerësi që blen “prodhime bujqësore” me afate të skaduara:
kunguj Stambolli, patate, speca, patlixhana... Edhe atë, i blen shumë lirë: 24
rroga mesatare me para të shtetit duke i përdhosur personalitetet kombëtare
shqiptare. E blen Patriotin e Vonuar, e blen Këlyshin me zgjebe, e blen
Këlyshmelez Sharrin, e blen Këlyshin e Llagut, i blen djemtë e shokut Tito...
Fatkeqësia, i blen me paratë e shqiptarëve në emër të shtetit “përbashkët”, që mezi
i arrnojnë ditët e sotshme për një të nesërme pa brenga.
Shqiptarët
më nuk merren me kunguj Stambolli. Shalqi dhe pjepëra. Prodhime, që i kanë
kultivuar që në kohën Ilire. Tashti, merren me prodhime të tjera bujqësore:
shartimin e këtyre prodhimeve të egra, që na kanë mbi në Kopsht përpara
Shtëpisë.
Edhe
në këtë lëmi janë treguar profesionistë. Nëse nuk besoni, kur të doni ecni në
vendlindjen e Xha Derallës: “Jasakët e Tike”. Vendin, ku ky burrë i ka shartuar
dardhat gorrice. I ka shndërruar në mriza të Zanave të Fishtës. Dhe, do të
bindeni se ata burra i kanë dalur zot bujqësisë, blegtorisë, pemtarisë. Shkurt:
Natyrës.
Vetëmse,
kohët e sotshme ende janë me mjegulla të arnuara që enden si kope të deleve të
nënkryeme nëpër qiell. Dielli më kot përpiqet të zbres dhiareve më këmbë nga
Çelvjollca. Mjegullat ia kanë zënë rrugën. Sytë ia lidhin me shami. Blerësi
“prodhimeve bujqësore” i ka vënë pusi Diellit: me kunguj Stambolli. Edhe atë,
rrëfangat i kanë nxjerrë nga brezi për mejdani si topuzë turku.
Kungujt
e Stambollit përditë na lulëzojnë në Kopsht. Edhe arave. Barkun e kanë nxjerrë
cullak karshi qiellit dhe rreziten në Diell. I kemi me pakicë e shumicë, sa që
kanë të hanë edhe lopët e Shtetit. Vetëm, përçudi këta kunguj Stambolli kanë
edhe rrëfanga. Edhe atë, rrëfanga si cungje shelgu që u mbesin lopëve në fyt. I
ngulfasin lopët e shkreta në Kopësht, në mes të livadhit. Më kot bujku përpiqet
t’ua heq nga fyti këto rrëfanga, kur ato më ua kanë zënë frymën. I kanë bërë
t’i ngrejnë të katër këmbët përpjetë në hava. Kasapi i shpëton këto lopë
shterpa. Kasapi. Edhe atë, pasi tua vë thikën në qafë. E pasi t’u ketë dalë
shpirti t’i varë në një degë shelgu, rjepë lëkurën për opinga. Mishin, dihet ta
bëj pastërma për dimër. E dini ju, sa e shijshme është grosha kur piqet në
vorbë pranë oxhakut me një copë pastërma në dimër?! Jo, nuk e dini. Nuk e dini
ju, edhe përgjigjen e Xha Derallës, kur ka dhënë provime në medrese për t’u
bërë hoxhë katundi.
...
Edhe, puna e këtij Blerësit të “prodhimeve bujqësore” është si puna e hoxhës
turkut. Vetëm se, puna e këtij Kasapi kulturor dallon për nga strategjia.
Sistem pas sistemi zvarritet edhe në kohën e sotshme “demokratike”. Edhe nëpër
bar fshihet komunisti plak, ndonjëherë edhe duke ndrruar ngjyrën, merr parjen e
ambientit ku e struk kokën. E veshë setren e partive politike. Gjatë shënimit
të përvjetorëve të personaliteteve kombëtare, fotografohet para kamerave
televizive krah për krahu në rendin e parë me prijësit e partive politike në
pushtet. Edhe ferrave fshihet ky zvarritës helmues i “prodhimeve bujqësore”
nëpër Koperativat Neokomuniste.
Shpeshherë
del edhe në pazar, me paratë e popullit në emër të Shtetit i blen “prodhimet
bujqësore” me firma komuniste në ballë për njzetekatër rroga mesatare mujore. E
“prodhimet bujqësore” teknefese, që u ka kaluar afati i përdorimit se, janë
kalbur nëpër arat e Koperativave Neokomuniste, kënaqen dhe janë të lumtur me
humanitetin e këtij Blerësi që edhe në kohën e sotshme “demokratike” i ngarkon
në qerre këta kunguj Stambolli për t’i shpie në Evropë si prodhime
shqiptare...”
(“Xhadia”
f. 358).
Prandaj, edhe për
nga aspekti i trajtimit të veprave letrare, edhe për nga niveli i tyre
artistik, edhe për nga vlerat letrare që sjellin, është mirë që për krijuesit
të bëhet një rivlerësim i letërisë socialiste, të përpilohet një Histori e
Letërsisë Shqipe, ku përveç autobiografisë të mund të paraqitet një pjesë e
veprës së autorit, por edhe vlerësimi për veprën letrare. Do të jetë një
sihariq dhe një punë plotësuese, e Historisë së Letërsisë Shqipe të kohës së
socializmit, e cila do të përfaqësojë një pjesë të krijuesve të anatemuar në
kohën e komunizmit dhe në atë gjatë “ndryshimeve demokratike” neokomuniste…
Nga libri: POLICIA LETRARE (Shkup, botimi parë 2015, dhe i dyti 2019).