Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Kalaja e ndërtuar nga fjala
E diele, 14.08.2022, 07:48 PM
KALAJA E NDËRTUAR NGA FJALA
Përsiatje
mbi librin “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” të Ajete Zogaj
Nga
Timo Mërkuri
I-
Veprat e studimore dhe letrare të Anton Nikë Berishës, të vështruara nga Ajete
Zogaj në librin “Vepra me rëndësi të shumëfishtë[1]”
më së pari shihen si një kala e ndërtuar pranë rrënojave të një kalaje tjetër
të hershme, themelet e së cilës qenë hedhur qysh në kohëra të hershme me gurë
pellazgjikë. Koha e largët e ndërtimit të tyre, pesha e madhe e gurëve të
themelit dhe pesha e mureve të larta e të gjera të kalasë kishte bërë që ato,
(themelet) të “shkriheshin” e të bëheshin një me truallin shkëmbor dhe si të
tilla, t’u qëndronin tërmeteve të hordhive, që suleshin mbi muret të cilat ato i
mbanin mbi supe. Erdhi një kohë dhe rrebeshet e zjarr-pushtimeve i gremisën
bedenat bashkë me nuset e bardha, ulën flamujt, vyshkën lulet e lemerisën
këngët e djemve e vallet e vashave. Shtresa e pluhurit që binte mbi gërmadha u
bë farishte dhe fidanishte e bimëve të harrimit.
Pranë
rrënojave të kësaj kalaje, pasardhësit e kështjellarëvendërtuan një lagje
banimi, e cila edhe sot quhet “lagjja e vjetër”: me shtëpitë e “ngjitura” njëra
me tjetrën, të larta e të ngushta, që prej së largu ngjasojnë me bedenat e një
kalaje të re të “mbirë” nga toka. Pamja prej së largu si kështjellë mund të
ishte arsyeja pse muret e tyre i ndërtuan me gurë të bardhë gëlqerorë apo pse
lanë disa rrugica të kalldrëmta mes tyre, ndërkohë që dritaret i bënë të
ngushta,si frëngji kështjelle.
Një
arsye e cilësimit “e vjetër” mund të jetëedhe se këto shtëpi u ndërtuan me
gurët e mureve dhe portikëve të kalasë, të rrëzuar nga gjylet e luftërave dhe
ende mbanin brenda tyre jehonën e gjyleve, e cila u prish gjumin apo u ndez
ëndrra të tymta banorëve. Në verë, vapa që rrëshqet nga çatia e gurtë teposhtë
mureve, ngjan me ziftin e ndezur që kështjellarët hidhnin mbi sulmuesit, ndërsa
në dimër prej mureve buron një lagështirë dhe ftohtësi, që shfaqet mbi suva si
njollë apo hije e një fermani tëkobshëm, ftohtësinë e të cilit nuk e ngroh dot
zjarri i oxhakëve që rrinë ndezur gjithë ditën.
Kjo kala
tashmë është një kala moderne, por banorët këmbëngulin ta quajnë “kalaja e
vjetër” dhe është pikërisht kjo dëshirë e tyre që të krijon përshtypjen se
pikërisht kjo është shkaku që në sytë e tyre pulson një dritësim i veçantë, sa
herë që u flasin të huajve për historinë e tyre.
Është,
vërtet, një kala interesante: kisha s’ka shumë vite që është ndërtuar e re, por
banorët e quajnë: “kisha e vjetër”, ngase është ngritur mbi gërmadhat e kishës
së hershme, të tjetërsuar dikur në xhami e të rrëzuar më vonë. Interesante
është se dhe qelat e kishës, banorët i thërrasim me emrat e priftërinjve që
dikur qëndronin në ‘to si: qela e Gjonit të Bdek Buzukut, qela e Pjetrit të
Bogdanëve apo ajo e Pjetrit të Budëve, sikur duan t’i mbajnë pranë vetes emrat
dhe kujtimin e tyre. Madje, në varrezat pas kishës, priftërinjtë të tregojnë
një varr të mbuluar me rrasë guri mbi të cilën janë gdhendur fjalët: “varri i
vjetër i Kostandinit” dhe me një krenari të dukshme të shpjegojnë se:
“Kostandini s’ka varr të ri, pasi ai nuk vdiq prapë mbasi u ngjall”. Ai është
përjetësisht i gjallë.
Qendra e
qytetit i ngjan asaj së dikurshme, një shesh rrethor prej nga nisen rrugët dhe
rrugicat nëpër qytet, si rrezet e diellit që shpërndahen në çdo drejtim. Si
zakonisht, te ky shesh bëhen ende kuvendime, por tani këto kuvendime bëhen për
libra dhe jo për luftëra.
Pikërisht
aty, ku dikur turqit kishin hedhur trupin e zhvarrosur të një prifti a të një
prijësi lufte për liri (më shumë thuhet se i ndjeri kishte qenë prift dhe
prijës), shpeshherë vijnë edhe të huaj që flasin për librat e bijve të këtij
qyteti, që bota ende nuk i ka “zbuluar” ato dhe vlerat e tyre. Gjendet lehtë ky
shesh, është pikërisht aty ku nga vashat kërcehet shtruar “vallja e librave”
dhe djemtë fluturojnë te “vallja e shpatave”.
Është e
veçantë kjo kala për arsye se kalaja është e ndërtuar nga Fjala.
II-
[..]“Autori i këtij libri i ngjason një arkitekti, i cili e studion deri në
detaje projektin e një ndërtese”[..] (f. 22) shkruan Ajete Zogaj te libri i
saj, duke na treguar arsyen e ngjashmërisë së korpusit të veprave të Anton Nikë
Berishën me ndërtesat e një kalaje dhe më tej duke na treguar thelbin e mënyrës
së suksesshme të punës së tij: “Arkitekti” i fjalës së shkruar, Anton Nikë Berisha, i vë ‘themele’ të fuqishme
krijesës së tij artistike, pse jo dhe shpirtërore” (f. 22).
Po,
Anton Nikë Berisha “ndërton” (krijon) me “fjalën”
vepra artistike dhe studimore të cilat kanë në themele faktet historike dhe
shkencore, madje këto fakte janë shkrirë në një me “themelet “ e veprës së tij
poetike, duke e bërë veprën të qëndrueshme, të pa rrëzueshme nga “tërmetet”.
Ai është
një “arkitekt” dhe “ndërtues” veprash që i qëndrojnë kohës për nga pasuria
stilistikore dhe shumësia kuptimore dhe që tërheqin vëmendjen me bukurinë e
tyre. Citimi i Ajete Zogaj se: “[...] në strukturën artistike të tekstit
poetik, asgjë nuk i është lënë rastësisë. Gjithçka është e menduar dhe e thënë
bukur dhe funksionon si një tërësi, si ‘një mur [...] i një kështjelle’ i cili
nuk duron t’i heqësh asnjë gur” (f. 15); na flet për gjetjen e unitetit
artistik të veprës së Anton Nikë Berishës: “Vepra e letërsisë [...] është para
së gjithash art i fjalës...” (f. 56) thekson Antoni, si një i ditur i moçëm që
i tregon rrugën nga të shkojë, një djaloshi të ri,
Ngjasimi
i veprës së Anton Nikë Berishës me një kala - kështjellë është lehtësisht i
kuptueshëm për ata që kanë lexuar librin e tij “Hyrje në historinë e letërsisë
gojore shqipe ”, e cila është një vepër “hijerëndë” si një kala, që gjithsesi
të fton të hysh në rreshtat e faqeve dhe të ngjitesh në bedenat e kapitujve të
saj, ku përjeton bukurinë, por edhe heroiken e etapave të ecjes së artit tonë
gojor dhe s’të bën zemra të largohesh prej saj.
III-Anton
Nikë Berisha ka aftësinë të ndriçojë me llambën e arsyetimit dhe të logjikës
shkencore zgafellet më të errëta të epokave të hershme, të zbulojë e të
identifikojë dijet dhe thesaret e artit gojor, t’i bashkojë copat e fakteve në
një mozaik logjik, të zbulojë dhe të bëjë funksionale për kohën e sotme urën
“primitive” nëpër të cilën kanë kaluar epokat e artit gojor për të mbërritur te
arti i sotëm i kultivuar (i shkruar).
Me
metodën e tij të punës ai ndryshoi konceptin e studimit të origjinës dhe kohën
e lindjes së disa llojeve të letërsisë shqipe dhe provoi dhe argumentoi
vijueshmërinë e artit gojor në artin e kultivuar shqiptar (letërsinë e
shkruar). Ai nuk është “një magjistar” i fjalës që krijon vepra nga “hiçi”, ai
është një njohës i thellë i “fjalës” dhe i gjuhës shqipe dhe i zhvillimit të
tyre nëpër epoka, madje duke e krahasuar dhe ballafaquar edhe me arritjet e
popujve të tjerë. Përkthimi i veprave si “Epi i Gilgameshit”, ndër librat më të
vjetër të shkruar të njerëzimit, i “Këngës së këngëve”, i “Psalmeve”, të “qasje
artit poetik” (Poetikës) së Aristotelit, ka qenë në funksion të këtij studimi
ballafaques të zhvillimit të artit oral në epoka të hershme.
Me
studimet e tij mbi artin letrar gojor dhe mbi fillimet e artit të shkruar të
fjalës shqipe, ai sjell kohën e hershme pranë të sotmes moderne dhe e bën të
pranishme tek njeriu ynë i sotëm dhe më gjerë. Anton Nikë Berishës “i mësoi të
flasë e kuptojë” shqipen moderne arti gojor i hershëm dhe ne na tregoi se arti
ynë gojor, si në fillesat dhe vazhdueshmërinë e tij ka folur vetëm shqip.
Argumentoi shkencërisht hershmërinë e llojeve të letërsisë sonë gojore, i lidhi
ato me ligjësitë tipike të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, si pjesë e
tërësisë evropiane dhe si pjesë evropiane e shkëputur nga kontinenti që, e
lidhur me disa “zinxhirë azie” tërhiqej si anie e shpartalluar nëpër tallazet e
luftërave drejt një lindjeje të panjohur dhe të padëshiruar për të.
Veprat
studimore të Anton Nikë Berishës janë të shumta por e përbashkëta e tyre është:
themeli shkencor i veprës, gjuha e qartë dhe e rrjedhshme artistike me të cilën
është shkruar, informacioni i madh i përzgjedhur nga disa burime të besueshme.
Me këto tipare thelbësore autori na sjell gjithmonë vepra tipike të rrafshit të
epërm. Ajete Zogaj në librin e vet unqaset dhe i analizon veprat: “Poetika e
letërsisë për fëmijë[2]”,
“Vepra letrare e Martin Camajt[3]”,
“Poetika e fjalëve të gurta”[4],
“Arshi Pipa krijues i mendimit të lirë[5]”
dhe “Poezia si shtegtim i qenësishëm shpirtëror”[6]
dhe ndriçon më të mirën për secilin libër studimor. Me gjithë tiparet e
përbashkëta që kanë këta libra si studime shkencore, ato kanë tipare të veçanta
interpretimi, portretin e gdhendur dhe vlagën shpirtërore me të cilën janë
“gdhendur”. Në kohën që “Poetika e letërsisë për fëmijë” ka një ndjenjë të
theksuar shpirtërimi në stilin e të shkruarit “Vepra letrare e Martin Camajt”
ka dimensione monumentale te portreti i tij, “Arshi Pipa krijues i mendimit
të lirë”, ndoshta ndikuar edhe prej letërkëmbimit të përfshirë në të ka, një
frymë debati mes miqsh, ndërkohë që “Poetika e fjalëve të gurta”(Qasje veprës
letrare të Azem Shkrelit) ka një frymë poetike dhe shpirtërim vëllazëror që e
gjejmë me të njëjtën ngrohtësi edhe te libri “Poezia si shtegtim i qenësishëm shpirtëror”,
gjetje që na dëshmon indirekt “dobësinë” dhe dashurinë e Anton Nikë Berishës
për poezinë. Këto tipare të veçanta janë vënë në dukje nga Ajete Zogaj në
mënyrën e saj të arguemntuar. Mirë, thuhet me të drejtë se analiza –
interpretimi i një vepre është gjithmonë në një rrafsh më të ulët se vetë
vepra.
IV-
Anton Nikë Berisha me “fjalën” e tij
poetike krijon vepra “të mira”(A. Z)
që lexohen e rilexohen gjersa të mbeten në kujtesën e lexuesit, si për të
vërtetuar fjalën e Abbasel-Akkad :“Lexoje një libër të mirë tri herë, sepse
është më e dobishme për ty se të lexosh tre libra të mirë”. (f. 13). Vetëm pasi
i lexon dhe i rilexon e kupton dhe e ndjen se veprat e tij janë si poema të
bukura për nga stili fin i të shkruarit, janë lulishte ndjenjash të shprehura:
të dëshirueshme për t’u lexuar, hyjnore për t’u dëgjuar, thesare të
pazëvendësueshme për nga vlera e dijeve dhe e të dhënave që përmbajnë; ato të
frymëzojnë për t’u ulur e për të shndërruar në shkrime përshtypjet që të
lindin. “Ky libër [...] më përkujtoi mendimin e ...Stendal: “Një libër i mirë
është një ngjarje në jetën time”. Leximi i librit [...] vërtet ishte jo vetëm
një ngjarje në jetën time, por edhe një udhërrëfyes për artin e fjalës që do të
‘udhëtojë’ gjatë jo vetëm me mua (A. Z., f. 19)”.
Krijimtarinë
e Anton Nikë Berishës, Ajete Zogaj e vështron edhe nga një kënd më vete, nga
këndi i bukurisë dhe finesës artistike. Në kushtet kur te veprat e Anton Nikë
Berishës shihet dukshëm madhështia natyrale e artit tonë gojor si shkëmbinj të
ngritur mbi hone, Ajete Zogaj tek “të çarat” e këtyre shkëmbinjve sheh lulet që
kanë mbirë pas shkrirjes së dëborës dhe niset për t’i mbledhur e për të bërë
një tufë për lexuesin. Nuk i druhet lartësisë, sepse çdo majë mali e ka një
shteg nëpër të cilin mund të arrish aty.
Le të
shohim shkrimin “Rreth vëllimit “Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike”. 52
punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për romanin “Gjin Bardhela i arbresh
& Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës. Rreth këtij vëllimi autorja e
librit shkruan: “Vëllimi
‘Roman vlerash të jashtëzakonshme’ i përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot
Berisha, është libër i veçantë dhe sigurisht edhe i jashtëzakonshëm. I veçantë,
ngase përfshin 52 punime për një roman të letërsisë shqipe, dhe i
jashtëzakonshëm për lexuesit e shumtë, jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj për
arsye se për të deri më tani janë shkruar e botuar rreth 30 punime në italisht.
Këtë
veçanti, këtë vlerë të jashtëzakonshme poetike, me stilin e mëvetësishëm, me
pasurinë gjuhësore, me koloritin e kujtesës historike, me valljet, doket,
zakonet, ritet... e shumëçka tjetër, autori Anton Nikë Berisha e shtjellon
romanin “Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar”, sikurse ‘fijet e
pëlhurës së endur në vek’, duke e krijuar një vepër të mrekullueshme arti, të
‘skalitur’ bukur në artin e fjalës, mbase kryeveprën e tij!
Romani
‘Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar’ me të drejtë është vlerësuar si
i jashtëzakonshëm. Të tillë atë e bëjnë një varg elementesh si mënyra e
shtjellimit të tekstit, sistemi i veçantë dhe i pasur i të shprehurit si dhe
gjuha poetike, që kanë nxitur lexime dhe rilexime të shumta nga studiues të
ndryshëm, përkatësisht një shumësiinterpretime dhe vlerësime” (f. 105).
Për të dëshmuar
vlerën e veprave të Anton Nikë Bershës, sidomos të romanit “Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar”,Ajete Zogaj i sjell disa mendime
të rëndësishme të autorëve të ndryshëm për këtë vepër: “Kasoruho shkruan:
“Rrëfimi i Gjin Bardhelës është plot oht shpirti, është malli i përvëluar,
është dhembje dhe kohë e ngrirë, është shpirti që zien, është shqiptim i
shpresës përherë të gjallë. Shkurt është një shtegtim njerëzor jo i individit,
por i breznive”; Domenico Corradini H. Broussard, në punimin e tij “Kënga e
mallit në solo violinë” thotë se “Gjini është shtegtar i durueshëm, Odiesu i ri
në kërkim të Itakës së vet dhe se [...] Gjin – Anton Nikë, si një gdhendës i
shkathët që prej dimrit të thatë nxjerr lulet dhe pjesët e larta ose rreth e
përqark, rikujton me krenari legjendat, traditat dhe mitet nga Iliria e lashtë
[...] dhe se: “Tek ai është një kërkim gjuhësor që nuk e gjen te shkrimtarët e
tjerë”; Dante Maffia vlerëson: “Me aftësi të veçantë, Anton Nikë Berisha
ndërlidh në kontekstin e romanit, nga njëra anë, legjendat e përrallat, si
pjesë e traditave të rrënjosura të ngulimeve arbëreshe e, nga ana tjetër, edhe
tërësinë e paragjykimeve që shkallë - shkallë janë shndërruar në një mënyrë të
ekzistimit e të perceptimit “të realitetit; Sergio Paolo Foresta-s e krahason
romanin e Berishës me veprat e autorëve botërorë. “Në rrafshin letrar është një
shtegtim homerik, virgjilian, dantesk, pushkian, sipas Edgar Lee Masters”.
“Ju
shkruani hyjnisht” do t’i shkruajë Berishës shkrimtarja e shquar italiane,
Nicla Morletti”; Bardhyl Matraxhiu shkruan: “Në romanin e Bardhelës gjithçka
është bërë me kompetencë e shije”;Vinçenc Belmonte flet për frymën e poezisë së
pastër (në roman – v. ime) ‘gjë që, në të vërtetë, e bën atë një poemë moderne
mbi fatin e Arbrit e mbi tragjiken e ekzistencës njerëzore”;“Shpirti poetik i
Anton Nikë Berishës nga këndi që shprehet, nuk mohon për të bërë të ditur se
edukimi i shpirtit nëpërmjet së bukurës është punë e vështirë dhe e gjatë sa
edhe vetë jeta” shkruan Giuseppse Napolitano etj. (Citimet e mësipërme janë
marrë nga libri i Ajete Zogaj f. 101 e në vijim) dhe se përmbledhje a tyre në
një shkrim[7],
ngjason me mbledhjen e trëndafilave në parcela kohore dhe tokësore të ndryshme,
krijimi me ‘to i një tufe të bukur dhe dhurimi i saj lexuesve të librit, duke i
vënë ata (lexuesit) në mendime për veprat e këtij autori. Me citimin e
mendimeve ajo bën bashkë-autorë të shkrimit të saj shkrimtarë dhe analistë të
tjerë, duke dëshmuar kështu modestinë, mirësinë por edhe nivelin krijues e
vizionar të saj.
V-Anton
Nikë Berisha është poet, madje një poet i veçantë që e zgjedh fjalën e duhur, e
“gdhend” dhe e “lëmon” atë me plot dashuri; edhe fjala ka nevojë për dashurinë
e poetit, që të ketë shkëlqimin e duhur në vargje.
“Anton Nikë Berisha i ngjanë atij skulptorit që dalë-ngadalë laton gurin për të nxjerrë
figurën ...dhe e nxjerr bukur, mahnitëse...ngase, arti i mirëfilltë synon t’i
arrijë majat... me gjuhën e artit, me ‘gdhendjen’ e fjalës” thotë Ajete Zogaj
(f. 32).
Me qenë
se Ajete Zogaj “na ftoi” në fushën e skulpturës, në lidhje me dy veprat poetike
“Prushi i bukurisë[8]” dhe
“Sytë e heshtjes[9]” mund të
paralelizojmë se: atë madhështi dhe hijeshi që Mikelanxhelo ka derdhur te
Davidi, poeti ynë e ka derdhur te poema “Prushi i dashurisë”, ndërkohë që atë
dritësim e përdëllim shenjtërie që skulptori derdhi te portreti i Shën Mërisë
në kompleksin “Shën Mëria mban në prehër Krishtin e zbritur nga kryqi” që
njihet edhe me emërtimin “Nëna” si dhe “Zbritja nga kryqi”, poeti e ka derdhur
te libri poetik “Sytë e heshtjes” kushtuar Nënës Tereza. Prandaj mund të them
se: Anton Nikë Berisha pikturon e gdhend përmes fjalës poetike.
VI-Stili
letrar i Anton Nikë Berishës në prozë dhe në poezi, sa të ndryshëm duken aq
janë të ngjashëm dhe të afërt, madje mund të themi se është i njëjti stil i
derdhur në forma (skulpturore) të ndryshme. Këtë mund ta shohim më së miri te
romanet “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar[10]”,
“Bimorja[11]” dhe
“Nëna e dritës”[12], të
cilët për nga rrjedhshmëria e ligjëratës, nga pasuria dhe pastërtia e fjalës
ngjasojnë me një muzikë, por: ndërsa “Gjin Bardhela...” ngjason me një simfoni,
“Nëna e dritës” së bashku me “Sytë e heshtjes” ngjason me Hymne lavdërimi për
hirin hyjnor, ndërkohë “Bimorja” tingëllon si një intermexo midis. Janë nga ato
libra që, pasi i lexon, i thua vetes në lidhje me Anton Nikë Berishën: ”Ndihem
me fat që e lexoj veprën e tij, ndihem i nderuar në miqësinë e tij”.
VII- Me
librin e saj “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” Ajete Zogajka bërë një punë të
lavdërueshme e me niveltë lartë analize, duke paraqitur krijimtarinë e Anton Nikë
Berishëssi një krijimtari e rrafshit të epërm. Ndërkohë kontributi i tijmerr
një vlerë të shtuar në kohën tonë, kur “lumi” i rrëmbyer i botimeve mediokre
“ka dalë nga shtrati” dhe ka “përmbytur” raftet e librarive dhe të
bibliotekave, ku zënë dhe krijojnë myk nga mosleximi, duke krijuar, në këtë
mënyrë një ambient mbytës edhe për librin cilësor.
Sarandë, gusht 2022
[1] Ajete Zogaj, Vepra me rëndësi të
shumëfishtë. Mbi disa vepra të Anton Nikë Berishës. Botoi “Faik Konica”,
Prishtinë 2021.
[2]Anton Nikë Berisha, Poetika e
letërsisë për fëmijë. Botoi Universiteti i Gjakovës“ Fehmi Agani”, Gjakovë
2020.
[3] Anton Nikë Berisha, Vepra letrare e
Martin Camajt. Studim. Botoi Sh. B. “Beqir Musliu” Gjilan 2020.
[4] Anton Nikë Berisha, Poetika e
fjalëve të gurta.Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit. Botoi Argeta – LMG,
Tiranë 2010.
[5] Anton Nikë Berisha, Arshi Pipa
krijues i mendimit të lirë. Letra, bisedë, poezi, kritikë. Botoi Sh. B.
“Faik Konica”, Prishtinë 2018.
[6] Anton Nikë Berisha, Poezia si
shtegtim i qenësishëm shpirtëror. Rreth poezisë së Daniele Giancane-s. & La
poesia è un viaggio esistenziale. Della poesia di Daniele Giancane. Shtëpia
botuese “Milosao” Sarandë 2020.
[7]Ajete Zogaj, vepra e cituar. Shkrimi “Romani Gjin Bardhela i Arbëreshs
&Etja e gurëzuar” në 52 këndvështrime” f. 101.
[8]Anton Nikë Berisha, Prushi i
bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Me parathënie të
shkrimtarit italian Dante Maffia. Botimi i tretë i pandryshuar. Shtëpia botuese
Beqir Musliu, Gjilan 2020.
[9]Anton Nikë Berisha, Sytë e heshtjes. Në
Nëna Tereze në shtatë shpalime; Shpalimi i tretë: Ujëvarë drite në zemër &
Sytë e heshtjes”. Botuan “Faik Konica” , Prishtinë, Kuvendi Françeskan Gjakovë
2019.
[10] Anton Nikë Berisha, Gjin Bardhela i
arbresh & Etja e gurëzuar. “Faik Konica”, Prishtinë 2002.
[11] Anton Nikë Berisha, Bimorja.
Roman. Botimi i dytë i përpunuar. “Faik Konica”, Prishtinë 2012.
[12] Anton Nikë Berisha, Nëna e dritës.
Në Nëna Tereze në shtatë shpalime. Shpalimi i parë. Botuan “Faik Konica” &
Kuvendi Françeskan Gjakovë, Prishtinë 2019.