Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Selenica - Madona e Arit të Zi
E diele, 10.04.2022, 08:00 PM
SELENICA – MADONA E ARIT TË ZI
Vështrim i shkurtër historik
Në
nderim të kujtimit të Lulo Musai (Spahaj)
Pilot
i Klasit të Parë
Qytetar
Nderi i Selenicës
Nga
Fotaq Andrea
Në Lashtësi,
prania e shtresave të bitumit shihej e trajtohej si diçka e shenjtë, përcaktuar
nga një orakull i veçantë që interpretonte valëzimin në ajër të një flake dalë
nga nëntoka si vetë vallëzimin e shtojzovalleve apo të atyre nimfave të
dikurshme, siç quheshin zotat, orët dhe zanat, “çupkat hyjnore” që harboheshin
në natyrë, lëndinave, pyjeve, maleve, liqeneve, etj. me një lloj “dehjeje të
shpirtit” dhe me fuqi vepruese magjike tek njerëzit. Për nder të këtyre
nimfave, u ngrit në Jug të Apolonisë së Ilirisë, që në shekullin VI, një
Nimfaeum, shenjtërore në nderim të flakëve që digjeshin ku këtu, ku atje,
shfaqur për së largu në krejt peisazhin Apoloni-Selenicë, duke dëshmuar kësisoj
për një vendndodhje të pasur shtresash gazmbajtëse, naftëmbajtëse e bituminoze
në gjithë zonën, e cila, sipas autorëve të vjetër, ka qenë e njohur dhe e
shfrytëzuar që prej kohëve më të hershme.
Përdorimi i
bitumit natyror, apo serës, për vetë cilësitë e shumta të tij, e në radhë të
parë për padepërtueshmërinë që e karakterizon, duke qenë njëkohësisht edhe
element i fortë lidhës, njihet të paktën që gjatë mijëvjeçarit V para J.K. Në
Lindjen e Mesme, shumerët shfrytëzonin shtresat e bitumit natyror si “llaç”
ngjitës të tullave a gurëve, si dhe për kallafatimin e anijeve, ndërkohë që
Herodoti flet edhe për përdorimin e bitumit të ngrohtë në ndërtimin e mureve të
Babilonit.
Sera përdorej
gjithashtu nga egjiptianët e lashtë për të ballsamosur mumjet e tyre dhe vetë moom është pikërisht fjala perse për të
përcaktuar asfaltin, nga ku termi mumje.
Burimi kryesor i serës tek egjiptianët e lashtë ishte Deti i Vdekur, që romakët
e njihnin me emrin Palus Asphaltites.
Në vitet 40, pas
J.K., Dioskoridi e cilëson materialin e
nxjerrë nga Deti i Vdekur si bitum
Judaicum, ndërkohë që Plini nuk mungon t’i referohet bitumit të njohur të
Epirit.
Bitumi ka qenë, nga
ana tjetër, një lëndë strategjike e çmuar dhe si i tillë ka qenë objekt i
luftës së parë për të shtënë në dorë një shtresë hidrokarburesh midis
selçudikëve e nabateanëve në vitin 312 para J.K.
Shtresat e bitumit
shqiptar njihen me emrin e famshëm “selenizza”, bitum i hidrokarbonizuar në
gjendje të ngurtë dhe me zanafillë natyrore. Vetë emri i lëndës burimore vjen
pikërisht nga toponimi Selenica, e vetmja minierë asfalti në Europë ende në
gjendje aktive shfrytëzimi e përdorimi.
Në bazë të
autorëve të hershëm dhe të studimeve të kryera, nxjerrja e serës shqiptare
është kryer në mënyrë të organizuar të paktën që në kohën e romakëve. Miniera e
Selenicës përmendet kështu në Antikitetin e lashtë nga Artistoteli, rreth vitit
350 para J.K, i cili jep edhe një përshkrim të këtij bitumi natyror të
depozituar: “Në Apoloni, që ndodhet në afërsi të vendit të Taulantëve, thuhet
se ka bitum që mund të përftohet me anë gërmimi, si dhe falë lëndës ziftore që
del nga nëntoka”.
Selenice, 1927.
Është e njohur po
ashtu se në Mesjetë, sera e lëngshme dhe e nxehtë është përdorur si mjet
“lufte” për mbrojtjen e kalave dhe të pikave strategjike kundër hordhive
pushtuese. Gojëdhanat shqiptare flasin për hedhje zifti të nxehtë nga bedenat e
fortifikatave që nga koha e Skënderbeut kundër ushtrive të ish superfuqisë së
kohës Perandorisë osmane, e cila forcën e saj e mbështeste në epërsinë numerike
me ushtri prej 100-120 mijë vetësh, përballë një kundërshtari me jo më shumë se
10-15 mijë vetë. Por zifti i nxehtë, vërtitur nga lartësitë e mureve
fortifikuese, për vetë efektet imediate që kishte si armë mbrojtëse, “nguroste”
në vend, paralizonte e shfaroste mizëri trupash. Tradita vinte që nga koha e
Aleksandrit të Madh dhe e Pirros së Epirit që e kanë përdorur ziftin si “armë
lufte”. Kështu, sipas Plinit, autor i Historia Naturalis, në vitin 77 të erës sonë, kundër
« tankeve » të kohës siç konsideroheshin elefantët e luftës,
lyheshin derra të egër me zift, që ndizeshin flakë e liheshin në gjendje të
lirë për të tmerruar me kuisiet e tyre të llahtarshme rreshtin e parë të
elefantëve që përdoreshin për luftë nga ushtritë helene, epirote, kartagjenase
e romake.
Më 1553,
natyralisti francez Pierre Belon flet në veprën e tij Observations (Vëzhgime) për një përzierje rrëshire e bitumi që
përdorej nga Republika e Raguzës për veshjen me zift të anijeve të saj.
Selenice, dekovioli, 1916
Pas shekujsh
“heshtjeje”, për shkak luftërash të vijueshme në trojet shqiptare, si dhe për
shkak të sundimit të gjatë pesëshekullor osman në Arbëri dhe në Turqinë
europiane, më 1868, paleontologu francez Henri Coquand jep për herë të parë një
përshkrim gjeologjik të bitumi shqiptar. Por edhe më herët se Coquand, që në
fillim të shekullit XIX (në vitet 1812-1813), do të ishte mjeku anglez Sir
Henry Holland ai që do të jepte një përshkrim të imët të bitumit shqiptar të
Selenicës në veprën e tij madhore “Travels in the Ionian Isles, Albania,
Thessaly, Macedonia etc.” (Udhëtime në
Ishujt Jonianë, Shqipëri, Thesali, Maqedoni, etj.). Një dhjetëvjeçar pas këtij
udhëpërshkruesi anglez, mik i Ali Pashë Tepelenës dhe dashamirës i shqiptarëve,
do të shquhej një tjetër udhëpërshkrues, këtë radhë francezi François
Pouqueville, konsulli i Napoleon Bonapartit në Oborrin e Pashait të Janinës, i
cili do të jepte edhe ai për Selenicën dhe rrethinat e saj, ashtu si për mbarë
trojet shqiptare, një përshkrim tepër të hollësishëm në rrafsh gjeografik,
historik e etnografik. Por, ndërsa Lord Byron dhe Sir Holland do të flisnin
plot dashuri për Pashallikun e Janinës dhe shqiptarët, Pouqueville, si
filohelen i apasionuar, nuk do mungonte të fliste herë pas here me paragjykim
për shqiptarët. Sidoqoftë, ky huazon mjaft paragrafë nga H. Holland për
historikun e minierës së Selenicës dhe vetitë e serës së saj, pa munguar të
shfaqë edhe mendime personale lidhur me interesat franceze për këtë lëndë të
parë të domosdoshme për shtrimin e rrugëve,
duke u shfaqur kështu sa origjinal, aq edhe largpamës e erudit i
shkallës së epërme.
Rreth viteve 1830,
filloi të rigjallërohej në Francë, por edhe në Angli, interesimi për përdorimin
e asfaltit në shtrimin e rrugëve, trotuareve dhe sidomos të taracave të sheshta
në godina, por edhe për veshjen e brendshme të çisternave. Dukuria filloi të
përhapej me shpejtësi edhe në vende të tjera të Europës.
Një nga përdorimet
e para të bitumit në Francë ka qenë veshja e Sheshit të Konkordës (viti 1835)
prej 24 mijë metra katrorësh në qendër të Parisit me asfaltin e markës
“Seyssel”, prodhuar në Savojën e Sipërme të Francës. Por nuk do vononte dhe veç
kur do shiheshin sipërmarësit francezë dhe kompanitë e asfaltit të kthenin sytë
edhe nga shtresat bituminoze shqiptare, konkretisht nga minierat e Selenicës
apo nga Nimfaeumi i lashtë, siç njihej në atë kohë. Bëhej fjalë tanimë për një
lëndë të parë me veti të jashtëzakonta, sidomos për shtrimin e rrugëve me
asfalt, për të zëvendësuar shtrimin e tyre me plloça a kalldrëme, duke paralajmëruar kështu zhvillimin e shpejtë të
industrisë së asfaltit në Angli, Francë, Gjermani në mesin e shekullit XIX, dhe
sidomos zhvillimin e vrrullshëm të industrisë automobile në rrugë të asfaltuara
të Europës në dhjetëvjeçarët e fundit të atij shekulli.
Më 1875, do të
ngrihej Shoqëria e parë franceze për shfrytëzimin e hidrokarbureve të ngurta të
Selenicës, falë një koncesioni të dhënë nga qeveria osmane e kohës.
Dokumentacioni që botojmë për herë të parë me këtë rast, pasqyron në mënyrë të
hollësishme ndërtimin e “Shoqërisë franceze të Minierave të Selenicës”,
objektivat dhe detyrimet e saj, rregulloret, reklamimet, e deri te prodhimi
vjetor gjithnjë në rritje, duke filluar nga 2.000 ton në vit, për të arritur në
periudhën 1908-1911 në mbi 5.000 ton.
Nxjerrja e bitumit Selenice, 1916, Misioni Baldacci
Më 1884,
nënkonsulli i Francës në Janinë Sauvaire i dërgon letër të hollësishme
Ministrit të tij të punëve të jashtme për t’i tërhequr vëmendjen rreth vlerave
të mëdha të serës shqiptare të Selenicës dhe nevojave gjithnjë në rritje që ka
Franca për të shtuar në Shqipëri shfrytëzimin e bitumit dhe të nënprodukteve të
tij. Jep një historik të shkurtër të minierave të Selenicës që nga Lashtësia
dhe pasqyron mënyrën primitive të shfrytëzimit të tyre; ndalet në kapacitetevet
e mëdha që zotërojnë këto miniera për nga cilësia dhe sasia e prodhimit, pa
munguar të japë edhe rekomandimet e nevojshme për përmirësim e shtim të
prodhimit.
Më 1897, Shoqëria
franceze e minierave të Selenicës, çel në mjediset e veta një ekspozitë me
produkte e nënprodukte të bitumeve shqiptare, duke reklamuar cilësitë e tyre të
veçanta e të rralla dhe sidomos duke i bërë jehonë studimit të gjeologut dhe
paleontologut të njohur francez Henri Coquand (1811-1881) për shtresat
bituminoze në Shqipëri.
Gjatë sundimit
osman, Selenica dhe rrethinat e saj, ashtu si krejt trojet e Arbërit,
trajtoheshin thjesht si një çiflig perandorak, dhe vetëm nga fundi i shekullit
XIX, fillimi i shekullit XX do të konsideroheshin si fermë shtetërore.
Pikërisht sistemi i koncesionit vendosur që gjatë gjysmës së dytë të shekullit
XIX do të shtronte njëkohësisht edhe çështjen e sovranitetit të saj. Nimfa
Selenicë, shtojzovallja shqiptare po shndërrohej kësisoj, gradualisht, në burim
të ardhurash të mëdha për sipërmarrësit e huaj për vetë thesarin e pasur që
përmban toka dhe nëntoka e saj, duke u shfaqur me përmasë të fuqishme europiane
e botërore, si një Madorë ari të zi.
Në fund të vitit 1893, organi Paris-capital, gazetë financiare, botonte një artikull titulluar
« Shoqëria e minierave të Selenicës”, në të cilën vihej në dukje se
aksionarët e Shoqërisë Selenitza ishin mbledhur në kuvend të zakonshëm nën
kryesinë e Achille Monchicourt dhe shfaqeshin entuziastë për një periudhë
trevjeçare të frytshme të Shoqërisë së tyre; se prodhimi mineral kishte tejkaluar
tërë shpresat e tyre; se cilësia e bitumeve të nxjerra i kishte dhënë tashmë
provat e saj; se ishin siguruar tregje shpërndarjeje dhe se tregu kryesor i
tyre mbetej vetë qyteti i Parisit.1
Në fund të shekullit XIX, përherë e më shumë do flitej në
Francë – dhe shumë shpejt në Europë –, për karakteristikat e veçanta të serës së
Selenicës edhe si një produkt me veti insekticide. Veçoritë e karbonit sulfuror bituminoz të minierave të Selenicës bënin
të mundur shkatërrimin e filokserave, insektit që sulmon vreshtat, duke i
çliruar këto tërësisht nga ky parazit tepër i dëmshëm. Sipas S. Jay (Sekretar i
Buletinit të Shoqërisë bujqësore të
Joigny, janar 1894), trajtimi i vreshtave bëhet në këtë rast me anë karboni
të sulfuruar bituminoz, duke i shtuar squfur të pastër, metodë tepër efikase
për mbrojtjen vreshtave nga parazitët.
Rruga Selenice –Vlore dhe dekovili per
transportin e bitumit shqiptar, 1916
Më 1900,
inxhinieri i shquar amerikan George W. Tillson, kishte studiuar nga afër
bitumin natyror shqiptar dhe vinte në dukje: “...Një minierë e rëndësishme
bitumi është lokalizuar pranë Avlonës në bregun e detit Adriatik. Miniera i
përket sulltanit, por i është dhënë me qira një korporate franceze. Materiali
nxirret në gjendje të ngurtë apo të lëngshme dhe eksportohet në Europë e në
Amerikë.” 2
Në dhjetor 1912, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së
Shqipërisë dhe rrënimit të perandorisë osmane, ministri francez Henri Poincaré,
i cili nuk do vononte dhe do bëhej president i Francës në maj 1913, do të
deklaronte para Komisionit të Punëve të
Jashtme se Franca ka interesa të mëdha për “ruajtjen dhe mbrojtjen e Europës
dhe të Azisë së Vogël, (...) se kapitale franceze të konsiderueshme janë të
angazhuara si në Turqi, ashtu dhe në shtetet ballkanike, (...) se
bashkëpatriotët tanë janë pjesëmarrës në një numër të madh koncesionesh të
shërbimimt publik, (...) dhe se Shoqëria e Portit dhe e skelave të Selanikut, si
dhe minierat e Kasandrës e të Senelictza-s janë franceze (...) . ”3
Gjatë Luftës ballkanike trupat franceze pushtuan
Selenicën në 3 nëntor 1915, gjë që u quajt nga shtypi i kohës “Suksesi i
trupave franceze”, që arritën të dëbojnë bullgarët nga Selenica, të cilët
sulmonin serbët gjatë tërheqjes së tyre nëpër Shqipëri.
Më 1920, Herbert Abraham,
në veprën e tij monumentale për bitumet thekson: “Shtresat bitummbajtëse
shqiptare janë mjaft të famshme dhe ndodhen në bregun e detit Adriatik (...).
Në bashkimin e lumenjëve Vjosa dhe Shushica ekziston një burim i rëndësishëm
bituminoz, disi i ngurtë, përzier me gres dhe konglomerate, me gjerësi venoze
prej tre metrash. Janë gjetur aty fosile detare që dëshmojnë për një depozitë
me origjinë shtazore. Bitumi thyhet me një frakturë konkoidale, duke dhënë
sipërfaqe të llustërta. Përmban 8 deri në 14 % lëndë minerale. Janë nxjerrë deri më sot sasi relativisht të
mëdha”.4
Në një tjetër artikull botuar në gazetën franceze Le Temps, 11 tetor 1925, nën titullin “Kërkimi
i naftës në Shqipëri”, vihej në dukje se ishte përfunduar një “marrëveshje
midis Anglo-Persian Oil Company dhe Shoqërisë së hekrudhave italiane për
kryerjen e shpimeve në Shqipëri. Koncesionet e këtyre dy shoqërive ndodhen në
afërsi të së njëjtës rrugë që shpie në det.” Anglo-Persian Oil Company kishte
ngritur për këtë qëllim një filial me kapital prej 50 mijë lirash, gjë që po
ngjallte interesimin e Shoqërisë së hekurudhave italiane. Po ashtu theksohej:
“Gjeologë të ndryshëm kanë studiuar mundësitë naftëmbajtëse në Shqipëri, dhe
rekomandimet e tyre i kanë shprehur në një artikull të Mining Magazine hartuar nga
D. A. Wray, ku parashtrohen shumë tregues të shtresave naftëmbajtëse. Vihet
ndër të tjera në dukje se “Në Selenicë ekzistojnë burime të pasura në bitum (7
milje në veri-lindje larg Vallona-s). Një shoqëri franceze shfrytëzon këtë
bitum dhe prodhimi i saj vjetor është prej 7.000 tonësh”5.
E njëjta gazetë franceze vijonte: “Një pjesë e madhe e asfatit të bulevardeve
parizianë vjen nga minierat e Selenicës.
Janë vërejtur dy shpërthime nafte në këtë rajon, si dhe shfaqje të ngjashme
pranë Durrësit. Prania e naftës me ujë të kripur dhe gulfime gazi janë zbuluar
në Bukovik, 7 milje në jug-perëndim të liqenit të Shkodrës.
E më tej: “Tërë treguesit e studiuar në vend lejojnë të
vërehet prania e naftës jo vetëm në një zonë të tërë për të cilën po flasim,
por edhe në zona të tjera të Shqipërisë së Epërme në shtresat e neogenit.”
“Z. Wray thekson se një studim gjeologjik shumë i
përpiktë duhet të kushtëzojë shpimet për kërkime. Për mendimin e tij, rajonet e
thyera të Shqipërisë qendrore e veriore nuk duhet të përmbajnë naftë por, në të
kundërt shpime në rajonin e Tiranës dhe të Elbasanit, si dhe në afërsi të
kufirit grek kanë shumë mundësi të jenë të frytshme. Formimi gjeologjik i këtij
rajoni i përket terciarit, me rrudhosje të mëdha të terrenit.”
“Zbulimi, në bazë të treguesve të përcaktuar, përfshin
fusha të gjera naftëmbajtëse në tërë këtë rajon, dhe do ketë ndikim të madh
ekonomik për Jugosllavinë e Europën lindore.”
Në tre artikuj radhazi të New York Herald Tribune, nën titullin “Zbulime të bujshme rreth
gjenezës së Traktatit të Tiranës”, janar 1927, parashtroheshin konkluzionet e
Paktit të Tiranës që lidhnin Shqipërinë me Italinë, duke e cilësuar krejt
Shqipërinë të kolonizuar ushtarakisht, politikisht, ekonomikisht e
financiarisht, nisur nga interesa të fuqishme italiane për kontroll të naftës
në Shqipëri nëpërmjet Kompanisë italiane “Selenica”, që përfitonte koncesione
të shumta në rajonet naftëmbajtëse të vendit.
Në dy artikuj të tjerë të viteve 1927 dhe 1939, dalin në
pah qëllimet e qeverive fashiste italiane për pushtimin dhe skllavërimin e
Shqipërisë dhe vartësinë e saj të plotë ekonomiko-financiare ndaj kapitalit
italian, që “ka synime të drejtpërdrejta ndaj Vlorës dhe rrethinave të saj, e
sidomos për bitumin dhe naftën shqiptare”, si një burim kryesor për të mbajtur
të “ushqyer” makinerinë e luftës dhe të aviacionit ushtarak fashist.
Tërë shkrimet dhe dokumentet që kemi paraqitur në këtë
përmbledhje të shkurtër titulluar “Selenica, Madona e Arit të Zi” i bëjnë
jehonë pasurisë së minierave të saj, të cilat, sikurse theksojnë studiuesit,
janë aq të pasura sa shfrytëzohen kryesisht në karrierë të hapur; por edhe më
shumë nëpërmjet shpimesh nëntokësore të thella dhe me zgjatje prej disa
kilometrash.
Sot sera “selenica” prodhohet edhe në formë kokrrizash,
pas shkrirjes së blloqeve bituminoze seleksionuar në minierë.
Nuk mungojmë të theksojmë se lënda e parë “selenica”
përdoret tanimë kryesisht si aditiv (lidhës) në ndërtimet rrugore. Përzihet me
asfaltin tradicional për të përmirësuar vetitë visko-elastike dhe fortësinë e
saj në rrjedhje të kohës. Mund të përzihet me asfaltin e nxehtë në cisterna,
por forma e saj kokërrizore i jep mundësinë e përzjerjes në uzinat e asfaltit
normal. Zbatime të tjera tipike janë edhe prodhimi i bitumeve të shkrira e të
derdhura në forma kallëpesh të ndryshme për trotuaret, urat, parkimet dhe
rrugët urbane, si dhe përdorimi i tyre në funksionin aditiv për industrinë e
naftës e të gazit. “Selenica” është në gjendje pluhuri apo si lëndë kokërrizore
me madhësi të ndryshme.6
Sigurisht, që emri i lashtë i Selenicës, Nifaeum, përcaktuar nga mori autorësh
antikë e klasikë ka qenë në qendër debatesh shkencore që vazhdojnë sot e kësaj
dite, dhe vetë FESH (Fjalori Enciklopedik Shqiptar – 2009), në zërin “Selenica”
thekson: “Mendohet se këtu ka qenë Nimfaeu antik”. Sot një
grup studiuesish, shqiptarë e të huaj, të përfshirë në një “Projekt hulumltimi
transdisiplinor për shtresat bitummbajtëse të Shqipërisë jugore, nga Lashtësia
deri në ditët tona – 2019”, kanë arritur në përfundimin se vendndodhja e
mundshme e Nimfaionit antik nuk duhet të jetë as Selenica, as Frakulla, e Madhe
apo e Vogël, por me shumë gjasa, kjo vendndodhje mund të lokalizohet në fshatin
Armen, në Perëndim të Selenicës, që zotëron si shtresa bitumi e gazi natyror,
ashtu dhe tregues arkeologjikë të favorshëm. Për më tepër që qendra Armen
përputhet me një qytet të rëndësishëm të periudhës helenistike, ndoshta me
Nikaian e lashtë, sikurse nënvizon studimi i fundit i grup-autërove shqiptarë e
të huaj me të cilin mbyllim përmbledhjen tonë.
Në përfundim, dëshirojmë të shënojmë se kjo përmbledhje
historiko-studimore për Selenicën, banorët dhe minierat e saj mori shkas nga
vendimi i Bashkisë së Selenicës dhe Kryetarit të saj Z. Pëllumb Ismail
Binaj për t’i akorduar, plot mirënjohje e respekt, titullin
“Qytetar Nderi i Selenicës”, (pas vdekjes), aviatorit të shquar Lulo Musai
(Spahaj), pilot i klasit të parë, bir i denjë i Shalë-Mesaplikut të Smokthinës.
Në emër të familjes Musai falënderojmë Bashkinë e Selenicës dhe Z. Binaj për
këtë nder të madh që na bëhet, si dhe Shoqatën e aviatorëve dhe veçanërisht Z.
Idajet Jahaj, i cili bëri të njohur publikisht jetën dhe veprën e Lulo Musait
me librin “Shqiponja që çau retë”.
Më në fund, na e ka ënda të citojmë këtu kërkesën e
pilotit Lulo Musai “Duam asfaltin”, që mbyll shkrimin që major Sami Guzina i ka
kushtuar gjithë dashuri figurës së tij: “Komandant
i zoti, kishte hyrë në zemrat e të gjithëve”. Këtë kërkesë këmbëngulëse,
Komandant Lulo ia drejtoi autoriteteve të larta drejtuese të kohës për të
shtruar rrugën e Farkës, kur Ai do të niste me përpjekje të pareshtura
individuale ndërtimin strategjik të aerodromit të helikopterëve pranë Tiranës.
“Duam asfaltin” – jehonizojnë edhe sot këto fjalë, si të
kemi të bëjmë me gjakun në damarët dhe kapilarët e trupit njerëzor. Sepse sera,
bitumet e Selenicës, që shtrojnë rrugët e Shqipërisë dhe të botës, djersa e
punëtorëve të saj janë po aq të shtrenjta e të domosdoshme sa vetë ky gjak,
është gjaku dhe ari i zi i Madonës shqiptare Selenicë.
E dorëzojmë këtë “Përmbledhje historiko-studimore” për
Selenicën në Bashkinë e qytetit si një buqetë nderimi për tërë banorët e saj,
të cilët, me punën e tyre vetmohuese shekullore për nxjerrjen e bitumit të
famshëm “Selenica” janë bërë të njohur në Europë e në botë, duke lartuar emrin
e komunës së tyre, të Vlorës heroike dhe të mbarë kombit shqiptar.
Selenica e dashur dhe rrethina e saj meritojnë sot vëmendje
dhe përkujdesje më të madhe shtetërore, për t’u shndërruar edhe në qendër të
rëndësishme turistike për bukuritë dhe monumentet e natyrore që zotërojnë, si
dhe për qendrat e njohura historike e arkeologjike. Sera e saj, që ka shtruar
rrugët e Parisit dhe të botës, lypset tash e tutje të shtrojë edhe rrugët e
komunës së saj dhe mbarë Shqipërisë, ku të qarkullojnë dendur autobuze
turistësh.
E ardhmja i përket Selenicës me arin e saj thesar.
Fotaq Andrea,
Strasburg, 28 mars 2022.
2 Sipas studimit të Andrea Themelit, Tezë për mbrojtje
doktorature në Universitetin e Straburgut, 2015: “Studim për potencialin përdorues të bitumeve natyrore në prodhimin e
lidhësve bituminozë të ngurtë e të përzier...”
3
« Circulaire économique et
financiers de Bourgogne et de Franche-Compté » (Qarkore ekonomike e
financiare e Brugonjës dhe e Franche-Compté), 16 dhjetor 1912.
4 Andrea Themeli, studim i cituar.
5 Le Temps,
11 tetor 1925. Artikulli i plotë jepet në faqet e kësaj antologjie.
6 Andrea Themeli, studim i cituar.